• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova – Dardania e hershme, krenari historike kundër nënshtrimit

February 14, 2014 by dgreca

Kosova e Pavarur, e vendosur në rrugën drejt integrimit europian/

Nga Neki Babamusta/

Paqja e Shën Stenfanit (1877), Kongresi i Berlinit (korrik 1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (korrik 1913) coptuan padrejtësisht kombin shqiptar, ndër më të vjetërit në Evropë dhe në botë.

Me datën 31.1.2013 në Kroaci (Dalmaci) zbulohet harta e fiseve ilire, 2200 para erës së re, harta më e vjetë në botë. Me 1.2.2013 për herë të parë TV Klan publikon hartën më të vjetër të Shqipërisë etnike. Trojet e Shqipërisë etnike përmblidhnin: Ilirinë, Epirin, Dalmacinë, Maqedoninë e sotme, Janina me gjirin e Nartën. Tokat e të parëve tanë figurojnë të dokumentuara në katër vilajete: Kosova, Shkodër, Manastir dhe Janina. Në këto vilajete përfshihen territore mbi 90,000 km katrore bazuar në hartën e publikuar këto ditët e fundit. Vetëm Vilajeti i Kosovës kishte 30,000 km katrore. Shqipëria sot ka sipërfaqje të përgjithshme 28,748 kilometra katrorë dhe Kosova ka 10.887 km katrorë.

Gjatë sundimit serb (shekulli 19-20) me forcë janë përzënë mbi 5 milion shqiptarë që jetojnë në Turqi, përveç qindra mijë të vrarë, të burgosur, etj. Dhjetëra dhe qindra mijë shqiptarë janë vrarë dhe në kohën e sundimit turk për pavarësi. Shqiptarëve padrejtësisht ju morën pronat, shtëpitë, ju mohua gjuha amtare. Politika e genocidit, ajo e Serbisë, edhe ajo Turke, nuk lejuan shqiptarët të mësonin gjuhën e bukur shqipe. Kur nuk mësohet gjuha e të parëve, një popull zhduket.

14 Gusht 1941: Karta e Atllantikut

Me 14 gusht 1941 në bordin e anijes “Princi i Uellsit” u bë marrëveshja midis F.D Rusveltit të ShBA-së dhe Uillson ÇURÇILLit të Britanisë, të cilës më vonë me 24 shtator 1941 iu bashkua edhe Stalini i ish Bashkimit Sovjetik. Në takimin historik të tre udhëheqëseve botëror u vendos: (1) të përkrahej në shkallë ndërkombëtare lufta kundër nazi-fashizmit. Kontribut në këtë luftë po jepte edhe populli shqiptar, si pjesë e kualicionit kundër Hitlerit dhe Musolinit. (2) Pas fitores kundër fashizmit, popujt të kishin të drejtë për vetëvendosje gjer në shkëputje.

Kryetari i Lidhjes së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Tito, nëpërmjet agjentëve të tij Çubrojlaviç, Miladin Popoviç, Mugoshës (këshilltar pranë partisë komuniste të Shqipërisë –PKSH), bënin politikë që Kosova të mbetej pjesë e pandarë e Serbisë.

Me 24 Janar 1946 Marrveshja në Bujan vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dinaku Tito nuhati etjen për pushtet të drejtuesve të PKSH-së dhe entuziasmohej kur dëgjonte se në Shqipëri hidheshin parrulla “Rroftë Tito!”.

Në këto situata të favorshme për Jugosllavinë Tito deklaroi me hipokrizi: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pamundur, megjithëse unë dua, por na keqkuptojnë Republikat e tjera…!”

Genocidi ndaj shqiptarëve

Nëpërmjet kryekiminelëve të popullit shqiptar, që nga Rankoviçi, ish-ministër i brendshëm i Jugosllavisë, e deri tek Millosheviçi, “kasapi i Ballkanit” në Kosovë filluan përsëri ndjekjet, persekutimet, burgimet, vrasjet ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në dy anët e kufirit.Masakra e Tivarit (23.3.1945) është një tragjedi e përmasave botërore ku shërbimi sekret jugosllav vrau në pabesi mbi 4,000 shqiptarë. Ndërsa në vitin 1947 u vranë edhe 13,000 shqiptarë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë, në bashkëveprim me sigurimin e shtetit shqiptar dhe Titos (Uran Butko, Masakra e Tivarit, 2012).

Krimineli Jankoviç i Jugosllavisë nga viti 1965-1980 shpërnguli me forcë mbi 500,000 shqiptarë, duke vrarë dhe masakruar mijëra prej tyre. Të njëjtën politikë famëkeqe ndoqi edhe Millosheviçi, veçanërisht në vitet 1998-1999, kur përdori politikën e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mbi 800,000 shqiptarë u përzunë nga trojet etnike në Kosovë, u dogjën fshatëra dhe qytete të tëra, u vranë gra, pleq dhe fëmijë, u pushkatuan njerëz të pafajshëm duke i futur në varre masive. Këto krime barbare si të Hitlerit ngjallën zemërimin e tërë popujve të botës. Mbi 14,000 viktima të pafajshme u vranë, mbi 2,000 u zhdukën ku edhe sot nuk i dihen varret. Kosova u përfjalk. Kjo e detyroi Presidentin Klinton dhe NATO-n që t’u thonë ndal masakrave fashiste në zemër të Evropës, në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës u rradhit pranë ushtrisë së NATO-s për t’i dalë zot vendit të tij. Me 24.3.1912 ish-presidenti i Serbisë Tadic këto operacionet e NATO-s kundër Serbisë i quajti agression ndaj Serbisë.

Me 5 mars 1998, kriminelët serb kyen masakrën gjakatare ndaj fisit Jashari, në Prekaz. U vranë afro 50 pjesëtarë të familjes të familjes dhe të fisit Adem Jashari. Pushtuesit serb e harruan historinë se legjendari Adem Jashari simbolizonte unitetin kombëtar dhe dëshirën për të jetuar të lirë. Më 27 prill të vitit 1999 forcat militare e paramilitare serbe vrarë e masakruar 377meshkuj të 15 fshatra të rrethit të Gjakovës (Masakra e Mejës).

Popujt e Ballkanit duhet të bashkohen me gjuhën e dashurisë

Populli Anglez ka një thënie të urtë, “shtëpia ime është kështjella ime”. Shqiptarët në Kosovë luftuan për trojet e tyre etnike dhe shtëpitë e tyre.Me 6 shkurt 1999 në Konferencën e Rambujes u miratua paketa Ahtisari, ku Kosova do të qeverisje në mbikqyrjen e OKB-së. Me të drejtë ish-presidenti Bush i Sh.B.A.-së, e miratoi plotësisht planin e Ahtisarit, si rruga e duhur për të ecur përpara. “Ky është edhe pozicioni i Sh.B.A.- së,” deklaroi Presidenti George Bush. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri me 10 qershor 2007 Presidenti Bush u prit në mënyrë madhështore nga populli shqiptar, e cila ka hyrë si një ngjarje historike. I intervistuar përpara vizitës nga TV Vizion Presidenti Bush deklaroi, “do të shkoj me kënaqësi të madhe në Shqipëri me një bregdet të bukur, me histori interesante, me njerëz myslimanë që mund të jetojnë në paqe…Unë vij si dashamirës i lirive në një vend ku njerëzit i dijnë të mirat e lirisë… Më kanë bërë përshtypje udhëheqësit tuaj.”

Kosova me një popullsi të edukuar, punëtor dhe trima, dëshmoi përpara botës se ishte në gjendje të vetëqeverisej. Për këto arsye me 17 shkurt 2008 Kosova shpallet e pavarur.

Kosova sot është e forcuar ekonomikish, e konsiliduar si shtet, dhe është njohur deri më sot nga 105 shtete të botës. Me datën 2.2.2014 kreu i Europës Juglindore Xhonatan Mur (Drejtori për Europën Qëndrore dhe Juglindore në Departamentin e Shtetit) deklaroi, “Kosova duhet të jetë krenare për suksese që ka arritur”.

Për sukseset dhe arritjet e Kosovës meritë historike kanë ish-presidenti Rrugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe kryeministri Hashim Thaçi, Gjenerali shqiptar i maleve që bashkoi dhe ngriti në këmbë popullin e Kosovës, përkrah UÇK-së, kundër pushtuesve serb. Meritë historike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës kanë në rradhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ish presidentin Bush dhe Klinton, vendet anëtare të NATO-s si dhe populli vlla shqiptar që iu gjend në ditë më të vështira popullit vlla të Kosovës.

Me 19.4.2013 arrihet në Bruksel marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri Thaçi dhe Daçiç kishin drejtuese baroneshën Ashton. Me 21.4.2013 Parlamenti i Kosovës e miratoi marrëveshjen historike.

Shqiptarët në Kosovë shtrinë dorën e paqes me Serbinë, duke u dhënë pakicave serbe në Kosovë dhe Mitrovicë shumë të drejta, bazuar në kushtetutën e Kosovës. Por këto veprime miqësore nuk u reflektuan nga Serbia për shqiptarët në luginën e Preshevës.

Tingëllojnë absurde dhe pavlerë deklaratat e disa udhëheqësve të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, gjë që nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Me 17.5.2012 Boris Tadic deklaroi nëse fiton si President do e fus Serbinë në Evropë, por do e mbaj edhe Kosovën si pjesë të Serbisë. Me 31.5.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të Metohisë. Me 1.6.2012 Presidenti Nikoliç deklaroi se “mes të Kosovës dhe BE-së do zgjidhnim këtë të fundit…kemi aleatën tonë Rusinë.”

Me 27.7.2012 kur Ivica Daçiç bëri betimin si kryeministër i Serbisë deklaroi se Kosova dhe Metohija do të jenë pjesë e pandarë e Serbisë. Me 27.7.2012 ish ministri i Jashtëm i Serbisë Jeremiç, sot në OKB, deklaroi “sa të jem në postin e lartë në OKB, do të luftoj për mosnjohjen e Kosovës në botë.” Zëvënëndës kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli e quajti këtë deklaratë të Jeremiç, deklaratë naziste. Ndërsa kryeministri Thaçi iu përgjigj, “nuk do të kthehet ora e historisë mbrapsh.”

Me 31.10.2012 Sekretarja Amerkane e Shtetit Hillari Klinton deklaroi, “çështja e pavarësisë së Kosovës është problem i mbyllur, po ashtu edhe tërësia tokësore.”

Në takimin që pati Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani me zv. Sekretarin e Shtetit të Sh.B.A.-së Nikolla Burns, dhe sekretarin e shtetit për punë të jashtme, z. Xhon Kerry, me datat 6-7 shkurt, 2014 ata vlerësuan punën e presidentit Nishani si garant i kombit: për forcimin e sistemit ligjor dhe ruajtjen e dialogut politik, për reforma në drejtësi, Kosova u vlerësua si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe rajaon.

Të huajt që kanë vizituar Mitrovicën nga komuniteti ndërkombëtar me 15.4.2012 kanë vërtetuar se në Veriun e Mitrovicës përtej lumit Dibër nga 13,000 shqiptarë kanë mbetur vetëm 4,000, si rezultat i spastrimit etnik nga struktura paralele kriminale serbe.

Lugina e Preshevës vazhdon të trajtohet nga Beogradi si koloni. Ministrja e Integrimit znj. Vlora Çitaku deklaroi se, “lugina e Preshevës është ndër më të diskriminuarat në Evropë.” Me 8.1.2013 policia serbe shkatërroi në Preshevë Monumentin e Dëshmorëve në qendër të qytetit. Me 20 mars 2013, sërish policia serbe pa shkak rrahu shqiptarin nga Bujanoci sepse nuk kishte marrë leje për të kullotur bagëtinë në tokën e tij. Kjo është çmenduri e shekullit!

Edhe në Mal të Zi, përdoret po e njëjta politike diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Nga 100,000 shqiptarë që banonin në trojet e veta në Mal të Zi, sot kanë mbetuar vetëm 40,000. Reprezaljet dhe vrasjet malazeze i kanë detyruar shqiptarët në Mal të Zi të marrin rrugën e kurbetit.

Sipas dëshmisë të RTV21 Kosovë është deklaruar se sundimatarët e Beograditn e kthyen Kosovën në tokë të djegur, duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal prej 15 miljard euro. E megjithatë shqiptarët në Kosovë, pa harruar të kaluarën janë si gjithmonë për fqinjësi të mirë, për stabilitet në Ballkan sepse kjo është në interes të dy popujve shiqptar dhe serb, të cilët duan të aderojnë në Bashkimin Evropian. Inkuadrimi në BE arrihet kur mes klasave politike ka mirëkuptim, bashkëpunim me interes reciprok, sepse kjo i shërben mirëqenies së dy vendeve dhe paqes mes popujve.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dardania e hershme, kosova, Neki Babamusta

Çamëria, problem ndërkombëtar që kërkon zgjidhje

February 4, 2014 by dgreca

Nga Neki Babamusta/

Në intervistën për gazetën “Shqiptare” në mars 2012 kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, interpreton mendimin: “Fjala nacionalizëm tek ne nuk ka kuptimin e ekstremizmit, por është sinonimi i shqiptarizmit të kulluar…Zgjidhja e çështjes çame dhe bashkimi kombëtar, janë dy fillime ende të paarritura!..” (Gazeta Dielli, mars 2012).

Krahinat shqiptare të Tesprotisë (Çamërisë) pretendime të padrejta të Greqisë

Konferenca e Londrës, (korrik 1913) bëri padrejtësi historike, duke e ndarë kombin shqiptar në interes të shovenistëve të Ballkanit. Territori i Çamërisë shqiptare bashkë me fshatra i aneksohet Greqisë.

Rilindasi i madh Sami Frashëri shkruan etnogjenezën e Çamërisë në veprën e tij “Fjalori i Përgjithshëm i Historisë dhe i Gjeografisë” botuar në Kostandinapojë në 1889 dhe Vepra 2 e Sami Frashërit botuar nga Akademia e Shkencave në 1988. Të dhënat gjeografike dhe historike shkruar në veprën e lartpermendur:

Tesprotia “Çamëria”, Adionati “Paramithi”, Janina, Konica, Margëlliçi, Parga, Preveza, Suli, janë ndër qytetet kryesore shqiptare të Çamërisë.

“Çamëria është një nga krahinat që përbënin Epirin e Lashtë. Krahina zgjatej nga Ambrakia, pjesa jugore e bregdetit Jon, domethënë gjiri i Nartës, deri në lumin Thiamis, domethënë Kalama.

Tesprotia është emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë të quajtur Çamëri. Kufizohet nga Veriu me Mollosinë (Sanxhaku i Janinës) dhe me krahinën e Kaunisë, që përbëhet nga Sanxhaku i Gjirokastrës, Labëria. Nga Jugu me Ambrakinë, domethënë me gjirin e Nartës, nga perëndimi me detin Jon. Kjo krahinë laget nga lumejtë Akeron dhe Kogjin. Lumi Hadaros (Loros) e ndante këtë krahinë nga Mollosia.

Ndër 80 qytetet si Pandosja, Kasapa, Allaka, Haradra, Himran, Efina, Vruka, etj, janë qytete që Kryekomandanti Romak Pal Emili rrafshoi në Epri. Flitet se tempulli i Dodonës ndodhet në këtë krahinë. Romakët themeluan qytetin Nikopolis, një orë larg në veri të Prevezës.” (Sami Frashëri, 1889; Gazeta Dielli, “Sami Frashëri mbi Çamërinë dhe të vërtetat e pamohueshme,” shkurt 2011 – Hyqmet Zane).

Sami Frashëri duke u bazuar në të dhënat arkeologjike, historike, gjuhësore, etj, argumentoi: “Tesprotianët ishin pellazgë me një gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Qeveriseshin nga krerët e tyre në formën e një republike.” Kjo tregon se Tesprotianët ishin pellazg, njëlloj si Ilirët. Kaonia dhe Mollosia ishin krahina Ilire.

Historikisht dihet se Piro, sundimtari i Mollosëve pushtoi këto krahina (Kaosia dhe Mollosia) të cilët iu aneksuan shtetit Maqedonas, sundimit romak, bizantin dhe më pas u pushtuan nga turqin Osman nga Memeti i II dhe Bajaziti i II.

Samiu vazhdon: “Ajdonati (Paramithi) ishte kaza qendër, pjesa juglindore e Shqipërisë, që varej nga sanxhaku i Janinës, 40 km në jug perëndim të saj dhe 18 km në anën e majt të lumit Vallo, në lindje të limanit Myrtos.”

Sipas regjistrimeve të kohës Samiu argumenton se ky qytet Ajdonati kishte 2500 banorë mysliman shqiptarë, me kështjellën Ajos – Dhonatos dhe me emrin “Ajdonat” në gjuhën zyrtare. Sipas zbulimeve arkeologjike në qendër të qytetit gjenden rrënojat e qytetit të vjetër Uria, ku me çdo 10 shtator bëhet panairi i madh që zgjaste 5 ditë.

Qyteza Ajdonati bashkë me krahinën Kazanë kanë 64 fshatëra: 40 në veri, 24 në jug. Në juglindje ndodhet Suli, ku siç e dinë të gjithë trimat e Sulit luftuan kundër Ali Pashë Tepelenës për të qenë të lirë. Qyteza bashkë me Kazanë kishin 16,000 banorë, shumica shqiptarë, me 22 xhami e mesxhide, një shkollë plotore, një medrese, katër shkolla fillore kuranike, tre punishte për regje lëkure, 13 ura, etj. (Sami Frashëri, 1889).

“Janina është qyteti në qendër të Vilajetit me të njëjtin emër. Ndodhet në jug të vilajetit të Shkodrës, 700 km në jugperëndim të Stambollit dhe 210 km në jugperëndim të Selanikut. Bonohej nga 35,000 banorë. Kishte 30 xhami, 6 kisha, 2 sinagoge, 3 teqe, disa medrese, një biblotekë, një gjimnaz, një shkollë fillore, disa shkolla kuranike (mejtepe) dhe gjimnazin e famshëm me emrin ‘Zosimeja’”. Me këtë gjimnaz kombi shqiptar krenohet si bazë e mësidhënies shqipe, pregaditjen e kuadrove për Rilindasit dhe bazë e patriotizmit. “Njëkohësisht kishte një shkollë fillore për vajza, vetëm një për grekët, një shkollë plotore për vllehët dhe azil grek, spital, etj.” (Sami Frashëri, 1889).

Ali Pashë Tepelena e zgjeroi sundimin e tij dhe Janinën e vendosi kryeqytet të krahinave që kishte nën zotërim. Ai themeloi edhe një kështjellë për mbrojtje që futet brenda në liqen, zhvilloi shumë punishte, tregëtinë, arsimin dhe vendosi rregullin.

Dihet historikishte se Janina bazuar në dokumenta historike, u themelua nga princi vendas Jani. Në vitin 1431 u pushtua nga Sulltan Murati II.

“Nga Janina ka dy nahije, zagor dhe korandos me 233 fshatëra, me 87,507 banorë. Fshatërat më shumë banoheshin nga grekë dhe vllehë. Sanxhaku i Janinës është sanxhaku qëndror i Vilajetit me kufizime në juglindje në kufir me Greqinë, në verilindje me vilajetin e Manastirit, në veriperëndim me sanxhakun e Gjirokastrës, nga perëndimi me detin Jon dhe nga Jugu me sanxhakun e Prevezës. Përbëhet me 6 kaza, 2 nahije, me 439 fshatëra, me 166,691 banorë.

Sanxhaku, kazatë, nahijet, fshatërat:

Janinë Zagore, 233,

Korandos, 49

Leskovik, 34
Janinë Konicë, 3

Meçovë, 62

Ajdonat – Filat, 68” (Sami Frashëri, 1889).

Të krishterët shqiptar që banonin në  këto krahina lartpërmendura ishin krenarë për gjuhën e tyre dhe nuk pranonin t’i bashkangjitesin kombësisë greke, politikë përçarëse të cilën ka mbajtur gjithmonë Greqia ndaj krahinave shqiptare të Jugut.

“Konica ishte qendër kazaje, 45 km në veri të Janinës, në anën e lumit Vjosë me 5,500 banorë. Konica kufizohet nga jugu me Janinën, nga perëndimi me sanxhakun e Gjirokastrës, nga veriu me Leskovikun dhe në lindje me vilajetin e Manastirit, me popullsi shqiptare prej 35,00 banorësh, me fusha pjellore, një lligjë, dhe prodhime blektorale,” (Sami Frashëri, 1889).

Ky qytet ishte plot fusha e bagëti dhe padrejtësisht iu aneksua Greqisë. Konica sot nuk ka asnjë shkollë shqipe dhe ndalohet me ligj të folurit në gjuhën shqipe. Edhe shtëpia e Konicës ishte e rrënuar.

“Margëlliçi, qendër kazaje e sanxhakut të Prevezës, vilajetit të Janinës, 50 km në veriperëndim të Prevezës, me 3,000 banorë shqiptarë. Kazaja e Margëlliçit me nahijen e Pargës e të Fanarit, ka 71 fshatëra, me 25,000 banorë. Këtu ka një popullsi trime shqiptare që gjithmonë kanë luftuar kundër pushtuesve grek dhe turq. Ka toka pjellore dhe skela të vogëla,” (Sami Frashëri, 1889).

“Parga është qyteza në kazanë e Margëlliçit, të sanxhakut të Prevezës, të vilajetit të Janinës. Ndodhet 45 km në veriperëndim të Prevezës dhe 55 km në jugperëndim të Janinës. Ka 5,000 banorë, një kështjellë, kopshte me agrume, banjo deti, skela,” (Sami Frashëri, 1889). Duke qenë vend strategjik dhe prodhimtar, pushtuesit anglez e futën këtë qytezë nën sundimin e tyre në shekullin e 19të. Ali Pasha për qëllimet e veta strategjike ia bleu anglezëve, dhe pas vdekjes së tij u ble nga Ministri i Financave i Turqisë, Rifat Pasha.

“Preveza ndodhet në skajin jugor të Shqipërisë, që mbyll anën perëndimore të gjirit të Artës. Gjendet në vilajetin e Janinës, në krahinën e Çamërisë, 92 km në jugperëndim të Janinës, me 8000 banorë,” (Sami Frashëri, 1889).

Ali Pashë Tepelena për arsye strategjike i dha një zhvillim të veçantë qytetit të Prevezës me agrume dhe ullishte: ndërtoi 4 kala, 2 xhami, teqe, tyrbe, shkolla fillore plotore, 2 shkolla greke, fabrikë sapuni, punishte pëlhure. Ndërtoi limanin e madh që bënte tregëti me Korfuzin dhe Triesten. Historikisht Preveza është themeluar nga Pirrua i Epirit, të cilën me 1789 Ali Pashë Tepelana ua mori me luftë francezëve se e kishin bazë strategjike në Mesdhe.

“Preveza kufizohet nga veriu, sanxhaku i Janinës, lindje kufiri grek, jugu gjiri i Nartës në grykën e Prevezës, perëndimi deti Jon. Lumi i Nartës ndan kufirin me Greqinë. Ka dhe dy lumenj të tjerë: Lorosi dhe Ferari. Banohej nga 55,000 banorë shqiptarë, ku jetonin në 179 fshatëra. Kishte 48 xhami, 2 medrese, 3 shkolla fillore, kisha e manastire, 450 dyqane, 50 mullinjë, agrume, ullinj, bagëti.

Sanxhaku ka tre kaza, 2 nahije fshatëra.

Preveza, 38

Loros Xhemernik, 68

Margëlliç, Pargë, 73

Preveza ka 38 fshatëra me 13,000 banorë shqiptarë. Suli, qytezë, 45 km në jugperëndim të Janinës, trima atdhetarë dhe me armë, (Sami Frashëri, 1889).

Ali Pashë Tepelena nuk i nënshtroi dot trimat e Sulit me 1790. Ndërsa në 1800-1803 Ali Pasha dërgoi forca të shumëta, por suliotët trima nuk i ranë në dorë. Për të mos iu dorëzuar gjallë Ali Pashës pranuan të hidhen nga mali lart kapur dorë më dorë.

Ali Pashë Tepelana, një feudal gjakatar nuk diti të bëj për vete bashkëkombasit e tij suliotët që t’i kishte për vete për interesat ekonomike dhe veçanërisht luftëtarë kundër pushtuesve turq. Por me sjellen e tij mizore ai fitoi urrejtjen e tyre. Robi të gjallë fshatarët në Hormovë. Ali Pasha e shkatërroi nga themeli qytezën e Sulit, më vonë bleu Pargën. Megjithatë suliotët nuk u dorëzuan, o ikën jashtë, ose u vranë.

Ali Pasha Tepelena nuk arriti të kordinojë veprimet me Bushatllijt e Shkodrës kundër Turqisë. Ali Pasha arriti të pushtojë gjysmën e Greqisë siç thekson edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare. Edhe Viktor Hugo e krahason Ali Pashën si luan përballë luanit të Francës, Bonopartit. Megjithatë, Ali Pasha mbetet një figurë e madhe historike sepse mbi 30 vjet mbajti të gjallë në zemër lirinë e Shqiptarëve kundër pushtuesve osma. Forcat kryesore të ushtrisë së tij ishin shqiptarët trima dhe besnik të Çamërisë.

 

 

Shqiptarët dhe grekët jetojnë në paqë ndër shekuj

 

Populli shqiptar mban në zemër konsideratat më të larta për popullin grek, heroik, liridashës dhe demokratik. Në momente kulmore historike populli shqiptar i është gjetur pranë popullit grek: me 1821 me forcat e shqipëtarëve dhe shqiptarëve të Çamërisë në rradhë të parë, dhe të Sulit, Greqia fitoi pavarësinë nga Turqia. 3 milion shqiptarë arvanitas jetojnë sot në Greqi që nga shekulli 14, në krahinat e Atikës, Athinë, etj, duke dhënë një kontribut shumë të madh për zhvillimin e ekonomisë, arstim-kulturës, etj.

Në luftën e Dytë Botërore dy popujt shqiptarë dhe grekë luftuan në një front të përbashkët kundër pushtuesve gjerman dhe Italian. Dy batalionet shqiptare të udhëhequra nga komandati trim Spiro Moisiu në pranverën e vitit 1941 u bashkua me forcat greke kundër pushtuesve Italian. Shqiptarët e Çamërisë u bashkuan me forcat çlirimtare greke kundër pushtuesve gjerman. Nuk është e vërtetë argumenti grek se shqiptarët e Çamërisë u bashkuan me gjermanët. Ky është shkaku që edhe sot qeveria greke mban në fuqi ligjin e luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Në kohën e tranzicionit demokratik në Shqipëri në vitet 90-të e pas kaluan në Greqi mbi 800,000 shqiptarë, ku 250,000 jetojnë në Athinë. Sipas statistikave të popullisë të Greqisë sot 10 % e popullsisë greke përbëhet nga shqiptarë. Këto qindra mijë shqiptarë japing një kontribut të jashtëzakonshëm në Greqi duke stimuluar ekonominë në disa përqindje. Shqiptarët në Greqi nga populli grek kanë fituar simpatinë e vendase si njerëz të ndershëm, punëtorë, etj.

Por sot, fatkeqësisht në Greqi po ringjallen element dhe segmente ekstremiste nacionaliste, që gjejnë mbështetje edhe në disa qarqe qeveritare edhe fetare, me Kryepeshkopin Janullatos në krye, por jo nga populli grek.

Ekstremizmi i partistë naziste Agimi i Artë ndaj shqiptarëve është vepër kundër frymës së bashkëpunimit dhe miqësisë shqiptaro-greke. Kryetar i Agimit të Artë, Nikolaos Michaloliakos ka deklaruar se shqiptarët duhen vrarë dhe duhen përzënë nga Greqia dhe të minohet kufiri i Greqisë me Shqipërinë. Vetë populli grek, qeveria greke, dhe qarqe politike progesiste i kanë dënuar aktet kriminale ndaj shqiptarëve të nazistëve grek të Agimit të Artë. Kjo parti naziste ka kryer edhe akte terroriste edhe ndaj nacionaliteteve të tjera, për të cilat janë dënuar.

Disa qarqe shoveniste greke edhe sot vazhdojnë të pretendojnë Vorio Epirin shqiptar për tokë greke: Korça, Gjirokastra, Delvina, Himara, Saranda, etj. Ato pretendojnë se në Shqipëri jetojnë 800,000 grekë, ku sipas censusit të regjistrimit viti 2011 në krahinën jugore të Shqipërisë jetojnë vetëm 0.87 % e minoriteti grek. Ndryshe nga minoritarët grekë që gëzojnë të gjitha të drejtat e plota bazuar në kushtetutën e në Republikën e Shqipërisë, shqiptarët e Çamërisë ku sot jetojnë 100,000 shqiptarë ortodoks bashkë me emigrantët shqiptarë, ndodhen dhe punojnë në mënyrë të pabarabartë dhe diskrimin.

Në librin e shkrimtarit Viron Kona për qëndrimin e tij si emigrant në Greqi ai tregon vështirësitë për punë dhe jetesë në vitet 1980të. Që të merrje një pjesë të pagës ditore duhet të shkarkonte nga maunet 1,450 arka me 30 kg secila. Ai dhe shokët tij flenin në barake ndër pyje, mblidheshin në mëngjes nëpër tregjet e punës si dikur tregu i skllevërve në Athinë në kohën e Greqisë të vjetër ku sundonte rendi skllavopronar. Po kishte edhe nga nënat zemërmira greke, tregon Vironi, që kur i shihnin shqiptarët të rraskapitur, duke kujtuar bijtë e tyre emigrantë në Gjermani, u jepnin këtyre djemëve ushqime dhe veshje në mëngjes.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos bëri deklaratë të papërgjeshme sa të kërkojë duke thënë: “të ndryshohet historia e Shqipërisë sepse ka tendenca nacionaliste…!” (gazeta Shqip, 10.2.2012). Ministri grek kërkon të ndryshojë historinë shqiptare shekullore.

Krahas Agimit të Artë është edhe Kisha Ortodokse greke e cila vazhdon me veprimtarinë e përçarjes dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Besimet fetare në Shqipëri janë në unitet të plotë me gëzojnë të gjithë të drejtat përpara ligjit, sepse Shqipëria është vendi më tolerant në botë përsa i përket besimeve fetare. Ashtu si myslimanët dhe katolikët dhe ortodoksët e Shqipërisë gëzojnë të drejta të barabarta të konfirmuara me ligj bazuar në Kushtetutën e Republikës të Shqipërisë. Të tri besimet fetare në Shqipëri gëzojnë identitet të pavaruar në veprimtarinë e tyre duke fituar edhe respektin e popullit. Është e padrejtë që kishat ortodokse në Shqipërinë e Jugut nuk kanë kryepeshkop shqiptar, dhe mesha bëhet në gjuhën greke, duke hedhur poshtë amanetin e madh të Fan Nolit që “kishat shqiptare duhet të shërbejnë në gjuhën shqipe”. Populli shqiptar dhe shqiptarët e besimit ortodoks nuk pajtohen me veprimet përçarëse të kryepeshkopit grek në Shqipëri Janullatos, i cili me shembullin e tij deklaron se në Shqipëri jetojnë mbi 800,000 shqiptarë ortodoks, kur dihet se mbi 70% e popullsisë është myslimane, afro 10-15% katolike, plus bektashi, etj. Shteti shqiptar, përndryshe si Greqia ku shteti dhe feja janë një, jo vetëm që nuk ndërhyn në punën e brendshme të secilës fe, por i përkrah, i stimulon materialisht sepse vepra dhe vlerat fetare janë të larta për popullin tonë.

Ç’tregojnë faktet për emigrantët shqiptarë në Greqi dhe shqiptarët e Çamërisë

Bazuar në fakte historike janë të paharruara krimet e gjakatarit gjeneralit grek Zerva mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë që i dënuar e tërë bota. Në  masakrën e Panaritit me 10 korrik 1914, u përzunë me forcë nga Çamëria 100,000 shqiptarë, që arritën në ullishtat e Vlorës, pasi grekët kishin egzekutuar në Panarit 350 gra dhe fëmijë dhe pleq. Me 27 qershor 1944 u shpërngulën me force nga Çamëria 20,000 shqiptarë, duke vrarë në trojet e veta në Çamëri dhe në kalimin e kufirit afro 6,000 shqiptarë të pafajshëm, përfshi, gra, fëmijë dhe pleq.

Nga vitit 1990 e në vazhdim janë vrarë mbi 400 shqiptarë duke kaluar kufirin për në Greqi. Janë rrahur dhe ofenduar shqiptarë të pafajshëm nga policia greke. Gazeta Standart 96.3.2012) shkruan: 800 shqiptarë janë detyruar të ndërrojnë emrat, fenë, të ndryshojnë toponimet, prejardhjen si kusht për të qendruar dhe punuar në Greqi.

Emigrantët shqiptarë në Greqi edhe sot u mohohet zyrtarisht shkolla e gjuhës shqipe. Ndryshe në Shqipëri, ku është ngritur një sistem arsimor shtetëror dhe universitet për minoritetet greke. Këto veprime janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për minoritetet. Sidomos për Greqinë e cila është anëtare e Bashkimit Europian, nuk duhet t’i lejojë këto abuzime ndaj minoriteteve dhe emigracinit shqiptar.

Po ashtu shqiptarët e Çamërisë që janë sot 300,000+ në Shqipëri nuk lejohen nga Greqia të shkojnë në varret e vendëlindjes dhe nuk i japin të drejtën e pronësisë të pronave të tyre shekullore, një e drejtë themelore, në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Shqiptarët ortodoks në Çamëri nuk i lohen të hapin shkolla shqipe. Gazetarët shqiptarë nuk lejohen të shkojnë në Çamëri, për të bërë reportazhe.

Në vitin 2009 në vende të ndryshme të jugut të Shqipërisë si Boboshticë të Korçës, Bularat të Gjirokastrës, Kosinë, Bularat, etj qeveria greke bëri zhvarrimin e varreve me pretendimin se ishin varret e ushtarëve grek të rënë gjatë luftës me Italinë të rënë në territorin shqiptar nga dhjetori 1940 deri në prill 1941. Sipas deklarimit real të të parëve të këtyre kranihave ato ishin varret e gjyshërve të tyre dhe se historikisht në këto krahina nuk kishin ardhë ushtarë grek për të luftuar. Ky skandal anti-humanist i përdhosjes të varreve të shqiptarëve të Boboshticës rriti tensionet ndëretnike duke ngritur edhe një monument në ushtarit grek në këto varreza. Madje partia “Agimi i Artë” vendosi edhe kryqe edhe flamuj grek në trojet shqiptare të Jugut dhe në manifestimet e tyre në Bularat e Këlcyrë lëshuan thirrje shovensite: “Himara, Saranda, etj janë greke dhe do t’i marrim”.

Këto thirrje ekstremiste shtojnë pa qenë nevoja tensionet ndërkufitare duke tentuar për të prishur qetësinë midis dy popujve fqinjë, përballë Europës.

Këto veprime ekstreme nuk e zhdukin nga harta e Shqipërisë emrin Çamëri sepse ajo historikisht është trevë e Shqipërisë. Me deklaratë të pabazuar, Vangjel Dule kryetari i Partisë për Të Drejtat e Njeriut të Minoritet Grek (PPDNJ) ka thënë se emri Çamëri nuk egziston (datë 27.3.2012). Kryetari i PDIU-së (Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet), Shpëtim Idrizi e quajti Vangjel Dulen “shërbëtor i zellshëm i qarqeve shovensite”. Edhe Deputeti Pandeli Majko deklaroi me 1.1.2012, “Greqia të njohë Kosovën…Me shqiptarët grekët nuk mund të flasin me gjuhën e sirenave…” Edhe Skënderbeu ishte krenar se e quante veten Epirot, shqipar me prejardhje lashtësie.

Shqipëria do bashkohet me familjen europiane dhe sipas deklaratave të kryeministrit grek Antonis Samaras dhe presidentit grek Karolos Papoulias (me origjinë shqiptare) Greqia mike me qeverinë e saj do të përkahë popullin shqiptar me qeverinë e saj për anëtarisimin në Bashkimin Europian.

Për interes të dy popujve tanë miq politikanët në Greqi duhet të mirëkuptojnë dorën e miqësisë që populli dhe politika shqiptare i ka shtrirë popullit grek për të mos ngritur vatra zjarri. Të parët tanë le të prehen në paqe. Bibla dhe Kurani le të mbeten promotore të mirëkuptimit të jetës për paqë, fqinjësi të mirë dhe respekt për minoritetet.

Çështja çame është jo vetëm problem kombëtar por ndërkombëtar. Çështja çame është ngritur në vitin 1991 dhe 1995 në bisedimet të ish presidentëve Stefanopolos dhe Berisha. Gjykata e Janinës në vitin 1995 nuk gjeti fakte dhe hodhi poshtë pretendimet greke për bashkëpunimin e shqipëtarëve të Çamërisë me pushtuesit gjerman kundër popullit grek.

Për çështjen kombëtare çame, për hir të stabilitetit të paqes në Ballkan është nevoja të krijohet një front i përbashkët ndërkombëtar, ashtu siç bëri thirrje edhe z. Shpëtim Idrizi, kryeatri i PDIU-së me 15.12.2012. I pari që e firmosi këtë kërkesë qe z. Alfred Moisiu, ishpresidenti i Shqipërisë me 16.12.2012, që e quajti “si çështje të drejtave të njeriut”.

Edhe qeveria sot aktuale me kryeministrin z. Edi Rama është shprehur e gatshme të çoj më tej forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, bazuar në marrëveshje ndërkombëtare dhe të BE-së. Me 25.8.2013 kryeministri Edi Rama deklaroi, “me kufijtë detare me Greqinë kërkojmë reciprocitet…Me Greqinë jemi vende mike dhe na vjen keq për disa akte nacionalizmi.”

Shqiptarët nuk po kërkojnë ndryshim kufijsh. Në Bruksel ne shqiptarët duam të shkojmë pranë familjes europiane, me identitetin tonë, me flamurin tonë, me krenarinë e ligjshme historike dhe aktuale. Ne shqiptarët duam miqësi miqësi mbi baza miqësore të përfitimit reciprok. Dhe natyrisht nuk duam që të na preken as trojet, ujërat detare dhe lumejtë.  Veprimet e mirëkuptimit miqësor bazuar në aleanca reciproke të barabarta i shërbejnë të dy popujve tanë dhe paqes në Ballkan dhe Europë.

Barbarizmat e shekullit, mëritë le t’ia lemë së shkuarës. Por pa i harruar, pa e vrarë mendimin e lirë. Duhet që shqiptarët në Greqi dhe Çamëri të gëzojnë të drejta të barabarta me popullin grek në punësim dhe shkollim. Politika greke duhet të kërkojë falje publike për genonidet që ka bërë ndaj shqiptarëve në Çamëri. Duhet t’i japi çdo të drejtë shqiptarëve të Çamërisë në përputhje me konventat ndërkombëtare, duke përfshirë, lëvizje të lirë të shqiptarëve të Çamërisë të larguar me forcë pas genocidit viti 1944; njohja e të drejtës së pronës së tyre, legalizimi ligjërisht i gjuhës shqipe në Çamëri; hapje shkollash shqiptare në mënyrë zyrtare aty ku jetojnë emigrantët shqiptarë ne Greqi; t’u legalizohet e drejta e punës me ligj dhe dokumenta, njëlloj si nënshtetasit e Greqisë. Të punojmë për mirëkuptim, mirëbesim, paqe, bashkëpunim dhe mirëqenie ekonomike për dy popuj.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Cameria, kerkon zgjidhja, Neki Babamusta, problem nderkombetar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT