• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNË TEREZA – Shenjtëresha shqiptare për mbarë njerëzimin

August 27, 2021 by s p

 Liljana CUKA – MAKSUTI

Jam Liljana Cuka Maksuti, përkthyesja që pati fatin të përkthej librin e Don Lush Gjergjit ‘ Biseda me Nënë Terezën ‘ nga gjuha jonë amtare në gjuhën italiane, gjuha e vendit ku Nënë Tereza hapi qendrën e saj të bamërisisë për te ngritur me pas qendra te tjera nëpër botë. Të përkthesh do të thotë t’i japesh jetë librit në një gjuhë tjetër që i përket një tjetër kulture. Perkthyesi mban përgjegjësi për këtë jetë të re që po lind, njësoj si vete autori. 

Para disa ditesh doli ne gazetën Tema letrare shkrimi i gazetares Nadire Buzo: Të guxosh për të ndjekur të medhenjtë, shkrim i cili pasqyron punën e të nënshkruares në fushën e përkthimeve. Kur lexova shkrimin, mjaft e emocionuar fillova të reflektoj. Gazetarja e nderuar vërtet kishte gjetur të veçantën e cila më paska karektizuar, dhe me ne fakt, pikërisht me mendje dhe me zemër nëpërmjet leximit kam ndjekur autorët e medhenj, ndërsa aktualisht po punoj për perkthimin disa veprave te tyre. prodhimtari shpirtërore të kulturës sonë.

Është e ditur se Zoti na shfaqet në forma nga me të ndryshme, në çdo moment të jetës dhe se ai për secilin nga ne ka një projekt të vetin.  Me gëzim te madh konstatoj se projekti i Tij për mua, ndër të tjera paska qenë të përkthej vepra letrare nga gjuha jonë shqipe në gjuhë të huaja, Te shkruash për përshtypjet e veta mbi punën  e berë, mbasi e ke perkthyer librin, nuk është e lehtë. E konsideroj fat që mu dha kjo mundësi, të njihem kaq nga afër me veprën dhe mendimet e shenjtores shqiptare, e cila si është shprehur një shkrimtar shqiptar, Zoti mendoi që mbas dy mijë vjetesh t’i dhurojë njerëzimit një grua, pikërisht Nënë Terezën, shenjtoren e madhe shqiptare e cila me veprën e saj i ka dhënë aq shumë njerëzimit, për më të vobektit e të vobektëve kudo në botë, pa dallim feje, kombi apo vendi.

 Don Lush Gjergji me shumë dashuri dhe kujdes na ka dhënë këto biseda që ka zhvilluar gjatë viteve kur e ka shoqëruar Nënë Terezën. Si çdo shqiptar, i cili e do vendin dhe kulturën e vete, dhe unë kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për Nënë Terezën, dhe me kureshtje gjithmonë jam interesuar për veprën e saj, por përkthimi i librit, më bëri të njoh nga afër mendimet dhe forcën e saj, mënyrën se si Nënë Tereza ndihmonte njerëzit, se si u falte dashuri njerëzore,  jepte forcë dhe shpresë, pra, u dhuronte jetën, çfare jeta pa shpresë, mund te lind pyetja.

Duke përkthyer këtë libër kaq të dashur tashmë per mua, më dukej sikur ndodhesha edhe unë pranë tyre dhe dëgjoja bisedat me zërin e tyre. Me imagjinatën time, me sa mësoja nepermjet leximit, isha e pranishme ne Londrën e pasur, ku Nënë Tereza do të ndihmonte të shkonte si zotëri në “shtepine e Zotit” një njeri që gjithë jetën kishte jetuar në mjerim, pra, do të gjendesha bashkë me motrat e Nënë Terezës ne Indi, te të varfrit e besimeve të ndryshme që ndanin midis tyre ndihmat, që u jepnin motrat. Do të shikoja me sytë e mendjes dhe do të me këputej shpirti për djalin që nuk e hante bukën që i dhanë motrat, edhe pse kishte ditë pa ngrenë, nga frika se të nesërmen do të kishte përsëri uri. 

Gjithmonë libri na çon kudo ku ka shkuar Nënë Tereza, me leximin e tij përjeton ato situta ku ajo ka vepruar dhe ka shprehur. Lexuesi do te përjetoje gëzimin e hapjes se qendres Nënë Tereza në Shkup. Motrat e Nënë Terezës, që janë nga viset, vendet dhe kulturat e ndryshme,  që Nënë Tereza i ka formuar, frymëzuar dhe motivuar, u jep forcë njerezore, dashuri hyjnore për të ndihmuar më te vobektit e të vobektëve kudo në bote.

Me pak fjalë Shën Nënë Tereza është mrekullia e Zotit dhënë Popullit tonë, Kishës dhe mbarë njerëzimit. 

Romë, 24 gusht 2021                                          Liljana CUKA – MAKSUTI, përkthyese e veprës “E kam në zemër Popullin tem Shqiptar”, në gjuhën italishte “Conversazioni con Madre Teresa”, VELAR – Dottrinari, 2021.

Prishtinë, 26 gusht 2021                           Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze 

Filed Under: ESSE Tagged With: Liljana CUKA – MAKSUT, Nene Tereza, shenjtorja shqiptare

Shën Nëna Tereze, histori, porosi dhe trashëgimi

August 27, 2021 by s p

Don Lush GJERGJI

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 – vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”. 

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” (1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977)…

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim,  si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën, pa asnjë dallim dhe  përjashtim.

U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa shenjtëruar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).

Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime,orientime dhe përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.

Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari, duke krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. 

Në këtë libër do t’i gjeni 7 intervista ekskluzive, 5 vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982, 1986, 5 faksime apo dorëshkrime origjinale të Nënës tonë të madhe në gjuhën shqipe, mbi të gjitha histori, porosi dhe trashëgimi shpirtërore dhe kulturore, me një fjalë Nëna jonë Tereze dhe Populli ynë Shqiptar, dikur dhe sot, në vazhdimësi dhe trashëgimi.

Fatbardhësia e këtij libri është që së shpejti do të botohet edhe në gjuhën anglishte, gjermanishte, polonishte, rumanishte, frëngjishte, kroatishte dhe sllovenishte…

Thesarin e jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezes , së pari për ne Shqiptarë, pastaj për Kishën dhe mbarë njerëzimin, jam munduar ta shënoj dhe ofroj, kështu që edhe ata që nuk e kanë pasur fatin tim që ta njohin dhe të shoqërohen për së afërmi, disa nëpërmjet këtij botimi, të takohen, afrohen dhe bashkohen me Të, për të qenë gjithnjë e më të lirë dhe më të mirë.

Shën Nëna Tereze, lutu për dhe për botën mbarë!

Prishtinë, Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze, 5 – vjetori i shenjtërimit.

                                                                                     Don Lush GJERGJI

Filed Under: Featured Tagged With: don Lush Gjergji, Gonxhe Bojaxhiu, Nene Tereza

Të vdesësh nga vetmia, kjo vuajtje johumane

August 27, 2021 by s p

Nga Majlinda Bregasi

Don Lush GJERGJI, Conversazioni con Madre Teresa, VELAR – Dottrinari, 2021, f. 95. Kur të pish një pikë ujë kujtohu për mua, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të të kujtoj në lutjet e mia përpara Zotit tonë, sepse ti je prifti im.

Janë këto fjalët e fundit që Shën Nëna Terezë i thotë autorit të këtij libri, Dom Lush Gjergjit, që për mua janë shumë domethënëse nga shumë pikëpamje. Dhe si gjithmonë fjalët e fundit janë ato të pashlyeshmet, testamenti që u duhet transmetuar të tjerëve, është besa për ne shqiptarët. Kush e njeh Dom Lushin, veprimatarinë e tij të pashterrshme, librat e tij dhe atë si person, gjithmonë i gatshëm për të të dëgjuar e për të të kuptuar, pa të gjykuar kurrë, nuk e ka të vështirë ta kuptojë përkushtimin dhe adminirimin e tij për Nënë Terezën e Kalkutës. Nuk e di nëse kjo rrjedh nga lidhja e gjakut, ajo etnike, apo nga lidhja shpirtërore, ajo që i lidh njerëzit në botë nga të njëjtat ndjenja humane, por është e qartë që Shën Nënë Tereza është muza e tij. Analiza e bisedës është fusha ime e ngushtë e studimeve, ajo që më frymëzon për të kuptuar natyrën humane nëpërmjet akteve spontane të komunikimit, natyrale, të papritshme, të paprojektuara, por gjithmonë të qëllimshme. Ne e organizojmë jetën, ndërtojmë marëdhëniet tona me të tjerët nëpërmjet bisedave të përditshme, ku gjuha njerëzore shfaqet në natyrshmërinë e saj të plotë, pa përpunime stilistike e semantike mbi letër. Janë gjithë ato fjalët që me të dalë nga goja hyjnë direkt në mendjen e të tjerëve, duke prekur edhe ndjenjat më të fshehta. Forca e fjalës, mbi të cilën janë ngritur monumente mendimesh duke u nisur pikerisht nga Bibla, ‘E para ishte fjala’, që në bisedat e përditshme merr krahë. Dhe ja ku qendron bukuria e këtij libri dhe mençuria e autorit që na sjellë pjesë të bisedave të tyre për të na hapur me natyrshmëri dyert e një bote që na përket më shumë sesa e mendojmë.

Fluturojmë tash drejt botës së pafundme së një gruaje të vogël, nga një vend i vogël, i parëndësishëm për botën, që mrekulloi njerëzimin me forcën e saj shpirtërore, me përkushtimin e saj ndaj të tjerëve dhe me dashurinë e saj për jetën. 

Jeta, jeta njerëzore. Ajo që nuk mund të hiqet mënjanë, të zvetënohet, të hidhet poshtë, të harrohet. Sepse Zoti tha që vlejmë më shumë se lulet, thotë Nënë Tereza që këtë vlerë diti ta ridimensionojë, jo përpara Zotit, sepse dashuria e tij është e pafundme, por përpara nesh, pasi shpesh na qëllon të humbasim në përditshmërinë tonë.

‘E dimë se ka sëmundje të rënda në botë, por gjithmonë e më shumë po e shohim se sëmundja më e madhe në botë është që njerëzit nuk kanë dashuri njëri për tjetrin, nuk ka dashuri mes tyre’, ankohet shenjtja jonë. Mungesa e dashurisë, mbyllja në vetvete, përqendrimi në universin tonë të vogël duke injoruar gjithë atë që është përreth nuk bën gjë tjetër, përveçse të rrisë distancën me të tjerët, duke na bërë gjithmonë e më të huaj me botën, gjithmonë e më të varfer në ndjenja. Sepse nuk mjafton pasuria për të qenë të pasur.

Pse dhurojmë? Shpesh ia kam bërë vetes këtë pyetje duke menduar për atë ndjesi që prodhohet pasi kemi bërë një veprim që e dimë mirë që për dikë do të thotë shumë. Sepse i duam të tjerët? Sepse kemi mësuar që nuk mund të jemi të lumtur kur të afërmit tanë vuajnë? Sepse kjo pandemi globale, si asnjëherë më parë, na mësoi se fqinjët tanë janë edhe ata që jetojnë në kontinente të tjera? Se kjo botë, konfuze dhe indiferente në pamje të parë, në realitet është shumë më e lidhur? Se pasuria e të pasurve varet direkt nga forza e të varfërve? Apo sepse të dhurosh të bën thjesht të lumtur? Dhe ne dhurojmë për këtë motiv, sepse duam të jemi të lumtur. Dhe nuk ka rëndësi ku shkojnë dhuratat tona, ne buzëqeshim çdo herë që e bëjmë, ndihemi të dobishëm. Është pikërisht të ndjerit i padobishëm që krijon një vuajtje të madhe dhe na shpie në dëshpërim të thellë e depresion.  

Na kanë mësuar se qenia njerëzore është një makinë shumë e komplikuar dhe si e tillë është perfekte. Por praktikisht ne kuptohemi pa sforcime edhe me njerëzit që u përkasin kulturave dhe gjuhëve të largëta. Të gjithë kemi të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtat lot. Të gjithë kemi uri, etje dhe mbi të gjitha kemi një nevojë të madhe për të ndier dashurinë e të tjerëve.

‘Njerëzit në gjithë botën vuajnë kryesisht nga vetmia, nga braktisja… Nuk vdesin vetëm nga uria, mund të vdesin nga vetmia, nga të mos pasurit asnjë njeri me të cilin të flasin. Kanë nevojë për të pasur afër dikë që i do.’ Të vdesësh nga vetmia, çfarë vuajtje jonjerëzore!

Gjatë gjithë jetës kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll, i tha një njeri i varfër, i braktisur nga familja, nënë Terezës ndërsa ajo e mbante në krahët e saj. Faleminderit! Ishin fjalët e tij të fundit ndërsa jepte shpirt. Një Faleminderit që flet shumë, një Faleminderit që Nënë Tereza nuk do ta harronte kurrë.

Shenjtja jonë ka takuar miliona njerëz në botë dhe ka ditur të shprehë me fjalë kaq të thjeshta shqetësime kaq të mëdha të njerëzimit. Vetmia. Ky burim i pashterrshëm për frymëzimin artistik që i ka shtyrë njerëzit të krijojnë kryevepra arti, ky burim vuajtjesh është po kaq i domosdoshmëm edhe për të ndier praninë e Atit.

‘Vuajtja është shenja që Zoti na do sepse na afron me të, na bashkon me kryqin e tij. Kur shoh njerëzit që vuajnë kaq shumë mendoj që kalvari është gjithkund, që vuajtja e Krishtit jeton te njerëzit tanë. Duke parë Krishtin e kryqëzuar, shohim kokën e tij të përkulur për të na puthur, krahët e hapura për të na përqafuar, zemrën e hapur që të mund të gjejmë një strehim te ai.’ Ja pse shërben vuajtja për Nënë Terezën: të mos harrojmë Atin, sakrificën e tij për ne, dashurinë e tij, praninë e tij.

Por a arrihet që me dashuri të tejkalohet çdo gjë?

Deri tani kam arritur të arrij çdo gjë me dashuri dhe me lutje, i thotë shenjtja Dom Lushit, ‘por këtë jo’ duke iu referuar kërkesave të pandërprera ndaj shtetit shqiptar për t’i dhënë leje të vizitonte nënën dhe motrën që jetonin në Tiranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk i kishte parë që në vitin 1928, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk ia dhanë kurrë atë leje. Nënë Tereza mundi vetëm të vizitonte varret e tyre pas rënies së regjimit.

‘Ende ekzistojnë kufij dhe pengesa që as dashuria nuk arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di motivin pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kaq shumë në këtë botë. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdinë e Zotit’ thotë shenjtja me fytyrën e trishtuar. Ajo grua trupvogël që dukej si e bërë prej hekuri e nuk mposhtej përpara asgjëje, ajo që kishte i dhuruar botës mijëra buzëqeshje, ajo që ua kishte zbutur dhimbjen njerëzve të braktisur nëpër rrugë, të cilët kishin dhënë frymën e fundit në prehërin e saj, për herë ta parë i rrëfen priftit të saj dhimbjen personale.

‘Ndonjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra nga Tirana. Shkruajnë pak dhe kanë dëshirë të më takojnë mua dhe vëllain Lazrin… ajo që mund të them është që lutem shumë për Shqipërinë, lutem që Zoti ta ndriçojë kët popull dhe që t’i bëjnë të kuptojnë se nëse duan të jetojnë në paqe duhet të duan njëri-tjetrin… Mendoj se për Kishën tonë katolike shqiptare ende nuk ka kaluar e Premtja e Madhe, por besimi ynë na mëson se jeta e Krishtit nuk përfundon këtu, por vazhdon mbi kryq dhe plotësohet me Ringjallje. Njerëzit tanë nuk duhet e nuk munden ta harrojnë kurrë këtë.  

‘Duajeni tjetrin ashtu si ju do Zoti ju! Kumbojnë fjalët e saj, fjalët e shenjtes sonë që ia kushtoi gjithë jetën vetëm një qëllimi, përhapjes së dashurisë universale, mbi të gjitha për ata që vuajnë.

Prishtinë, 26 gusht 2021                                                         Majlinda Bregasi

(Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze)

Filed Under: Opinion Tagged With: don Lush Gjergji, Majlinda Bregasi, Nene Tereza

NË DITËLINDJEN E SHËN NËNË TEREZËS AKADEMI SOLEMNE NË KATEDRALEN E PRISHTINËS

August 26, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Gusht 2021/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon Akademi Solemne, në mbrëmjen e ditës së sotme – 26 Gusht 2021, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Sipas programit, në akademinë që hapet nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, flet edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Pjesë e akademisë janë edhe pika muzikore dhe promovimi i dy librave: Libri i përkthyer në italisht i Don Lush Gjergjit “Conversazioni con Madre Teresa”, botues Velar & Edizioni Dotrinari – viti 2021, dhe libri i Don Fatmir Koliqit “Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare”, botuese Drita – viti 2021.

Me rastin e 111 vjetorit të lindjes dhe në vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosi lule të freskëta pranë shtatores së saj në sheshin që mban emrin e saj, dhe me ç’rast mbajti një fjalë rasti. Para të pranishmëve, në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”. Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”. Çdo vit, Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup, organizon aktivitetet të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe shenjtërimin e Nënës Terezë. Këtë vit, ndryshe nga e kaluara, nga 26 Gushti deri 5 Shtator, në Shkup dhe Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturore “Drita e Gonxhës”, gjatë së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016). Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja, Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve. Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut. Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”. “Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në Qershor 2010 “Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi. Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”. Po ashtu, Zefi tregonte se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë. “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë… Gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik.“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Në Prishtinë, në festën e gurthemelit të Katedrales nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA ishin Agim Rexhaj tani President Nderi dhe Marjan Cubi tani anëtar i Kryesisë dhe arkatar, të cilët së bashku ishin edhe në 13 Gusht 2021 kur në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza u shfaq dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar. Kërë verë dokumentari erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”…Edhe në ceremoninë festive të shfaqjes së dokumentarit në kryeqytetin e Kosovës u theksua me shumë mirënohje se shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, me kryetar Marjan Cubin, në Nju Jork dhe rrethinë kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI TE SHTATORJA E NËNËS TEREZË NË PRISHTINË I nderuar Dom Lush Gjergji,I nderuar z. Skënder Asani, drejtor i Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Shkup,Të nderuar ministra znj. Rozeta Hajdari e z. Hajrulla Çeku,Miq shkupjanë, z. Emin Azemi, z. Mehmet Prishtina, z. Anton Nikë Berisha,Të nderuar të pranishëm,Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut. Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë, perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë. Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken edhe konkreten. Sot ky institut po nderon Nënë Terezën. Nënë Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror të paqes. Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe bujari, duke sakrifikuar edhe veten u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët e tyre në kushte të pamundura. Ajo frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz, dhe ua ktheu dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar. Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të shpaluar vlerat e veta, dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep shpresë dhe dritë.Duket sikur ne i kemi në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë, dhe sikur presim t’i shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë. Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta Nënë Terezë. Përmes kësaj zonje, përmes kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë, Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”. Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj. Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara. Sot po përkulem pranë shenjtores sonë Nënë Terezës, e cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte por kur ai e meritonte.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Nene Tereza, Prishtine

111 VJETORI I NANËS SONË SHQIPTARE

August 26, 2021 by s p

“Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhanë një Nanë kaq të Madhe.”                                                                                                                                                       Kardinali Paskal

Punue nga:

Daniel GAZULLI e Fritz RADOVANI

Melbourne, 26 Gusht 2021

E shihni këte Portret të qeshun e të lumnueshëm?

E dini ku asht le Nana Jonë Fisnike?

– Këtu, zotni mësues! Këtu! – nxitohet Kelmendi i vogël tue ndalë gishtin e njomë në hartë, diku në Veri të Shqipnisë.   

– Pak ma andej.., edhe pak ma andej.., edhe pak, se edhe aty asht Toka jonë Shqiptare. E shikon aty ku  lexohet Shkupi? Aty asht le Nanë Tereza!

Mandej mësuesi, si tretet për një çast në mendime, u drejtohet rishtas vocrrakëve:

– Aty asht Toka jonë. Pikërisht aty u le dhe luftoi për Atdhe Leka i Madh, Aleksandri i Maqedonisë. Ishte i biri i mbretit Iliro – Shqiptar, Filipi II dhe i Olimbisë, një princeshës Ilire, e bija e mbretit të Epirit – Neoptolemi I.Leka i Madh asht Ilir, si Katrioti, Fishta, si Nana, si ti e unë.

Ajo tokë Shqiptare, që sot thirret Maqedoni, në veri kufizohet prap me një tjetër tokë Shqiptare, Dardania, që edhe ajo mbas pushtimit nga sllavët u quejt Kosova. Aty gjendet Prizreni prej nga shkuen në Shkup familja Bojaxhiu. Gonxhja e vogel, asht lé me 26 Gusht 1910 në Shkup, prej prindëve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni. Kur ishte vajzë shumë e re shpëton përmrekulli nga sëmundja e tuberkulozit, që aso kohe fshinte njerëzimin nga faqja e dheut.

Për Gonxhen e re ai asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo i përkushtohet “mjerimit” material të njerzimit, skamjes, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, e asaj ma të randës nga të gjitha këto në mbarë botën: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerëzore nga njeriu! Nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928, Ajo shkëputët si meteor, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Por “Tereza e Krishtit fëmijë” nuk ndalohet ma, Ajo vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit  tue u ndalë në  një prej “mbretnive të vorfnisë”, pranë botës së panjohun të Indisë ku, shpati i Himalajave bie poshtë e pushon i zhytun në një skamje të dhimbëshme e gropë sëmundjesh të mënershme ngjitëse për njerëzimin. Në atë humnerë të shfarosjes së njeriut  ndalet Ajo! Nana e njihte përbuzjen, shtypjen dhe dëbimin nga njeriu i pashpirtë qysh fëmijë, kur populli i Saj ishte nën sundim të shkajut aqsa, tue folë për ato mizori sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta thonte se; “ …. edhe vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.). Po përbuzja nuk e kishte prekë zemren e saj, përkundrazi, në Te ajo kishte mbjellë një dashuni që do të rrezatone në mbarë botën. Bengal e Kalkuta janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948 arrin me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihej ndër kuvendet e Europës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Ajo, në vitin 1949 bahet shtetase Indjane dhe formon Kongregatën “Misioni i Dashnisë”, që u miratue edhe nga Vatikani, tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin gati askush nuk i besonte!

Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as ndëshkim…!”

Piksynimi i Saj asht pikërisht ai, që At Mëshkalla shkruen në vitin 1942: “Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht mësimet e Ungjillit dhe me theksue detyrën e ndërgjegjes me rrokë Fenë e Krishtit”. Poaty, vazhdon: “ … zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët me u largue prej qellimit të Shénjtë, tue u teprue. Atëherë bahet fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen “thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë! Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë këte. Kemi shumë nevojë. Po Ajo, e Madhja Nanë, e kishte kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe  “muslimanve u lexonte Kuranin, Induve u jepte uji nga Gange, e katolikët i kungonte”. Ja edhe fjalët e Saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për gjithmonë: “E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të bahet një katolik ma i mirë”.

Ma të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë, siç thonë disa mendjeshkurtë, po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë besimesh e kombësishë, që mblodhi streha e Saj, se i tillë ishte brumi me të cilin Ajo arriti me gatue dashuninë për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran apo rracor.

A nuk kishte ndodhë po kështu gjysë shekulli para saj me të madhin At Fishta, që në shkollat e tij kishte nxanës nga të gjitha besimet dhe krahinat e Shqipnisë së zhytun në errësinën e padijes otomane? Shumëkujt, pikërisht ndër ne, vllaznit e bijtë e Saj, shpirti edhe i birret tue nda në parcela ata që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.

Ajo asht shumë e sigurtë se do të mërrijë me u kuptue një ditë nga gjithë bota për këte vëpër që ka ndërmarrë për të mirën e njeriut, dhe koha provoi se vëndosmenia e Saj lidhej me diçka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut. Ndër të parët njerëz që arrijtën me kuptue Nanë Terezën ishte Xhon Kenedy, të cilit Ajo i kërkoi me e ndihmue me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi rregjimi komunist nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës se mbrenda 24 orëve mund të urdhënohet Tirana për me hy Ajo, por, “për Ju unë, nuk e këshilloj këtë veprim…” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe.

Ata e mohuen dhe ka që vazhdojnë edhe sot rrugën e tyne, pse Ajo, siç ka me u ngja brezave të ardhëshme do t’i duket porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja si askush në shekull të Saj, se kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri, shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve të braktisun, Nanë e Vertetë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem nga të katër anët.  

Asht ajo kohë kur India e largët e vlerëson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru, i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të qeverisë.

Mahatma Gandi u thotë gazetarëve për Nanë Terezen:

“Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij..”

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Po në 1962, Filipinet, Tanzania, dhe pason Australia; Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet e reja në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam në vitin 1975.

Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohen nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa shifra e njerëzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmutë me gërbulë etj.., kalojnë shifrën 6 miljon vetë. Me datën 22 Gusht 1968 u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine.., shkruen, Franca Zambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqë… Aty, Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga primja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit!”.

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf V: “Po përsëris, Madhni, aborti asht një vrasje!”

Dhe pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe ndjeva në zemër që prej tij kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’…”

Akademia që i dha Çmimin Nobel jo gjithmonë asht dallue për zgjedhje të paqortueshme. A nuk e moren atë çmim edhe nga ata që kishin derdhë gjak të pafajshmish? Vetë themeluesi i këtij çmimi, a nuk ishte pak “nobel” (fisnik) e se pasuninë e pamatë e kishte sigurue me barut për me ndezë luftnat e jo për paqë? Si po ndodh edhe sot ndër ne, kur çmimi “Nderi i Kombit” po u jepet edhe atyne që, si e thamë në fillim, historia “do të ketë keq e turp edhe me i përmendë”. Por, kur iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia, pa ma të voglin dyshim, pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexojsh motivaciononi: “per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin, që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.

Vorfëninë dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për paqen”, por “një kërcënim për paqen”, pa ate “edhe” të panevojshme. E një fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do mend, edhe denjitetin.

Ajo, imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DENJITET, të barabartë para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë që formojnë atë që na e quejmë “Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së pari, vorfëninë e mjerimin?

Janë shtetet që tashti kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivi dhe Gjermania Lindore. Në atë muej që ishte Papë Pali II, në vitin 1980, Ai takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashnisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.

Papa Gjon Pali II, me plot gojë mund të quhet se asht ndër Ata pak njerëz që arrijtën me kuptue Shejtninë e Nanë Terezes, qysh ku Ajo ishte në mes njerëzve në këte Botë, pikërisht kur, Ajo me duert e Saja, mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmutët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashnia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht aty ku, tue dhanë Shpirt, mes atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes, Papa Gjon Pali II, kur vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha:

“Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës seme!…” (4 Shkurt 1986). Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban…?”…Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushonin për asnjë çast…

Papa përgjegjet: “E di Nanë Tereza, që shkon në Liban për atë punë, e di edhe pa studjue shumë libra. E di pse kjo, i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj…”

Për 24 orë, sa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim…

Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit…

Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit.

Depërton në Moskë në 1987, në Çeki, Kamboxhia dhe Emni i Saj, tashma, ka pushtue pothuej gjithë skutat e globit njerëzor…

Në vitin 1989, ma në fund, vjen edhe në Shqipni.., ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Duejni anmikun tuej…!” Nanë Tereza ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist…

Mbas vitit 1989 Nanë Tereza ka disa probleme të randa shëndetsore, por dëshira e Saj për të çue deri në fund Misionin e Madh, nuk e len me u terhjekë nga vështirsitë që i janë krijue nga shëndeti dhe, sigurisht, edhe nga mosha. Në vitin 1991 Ajo vjen prap në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera…Shqipnia, ndër të fundit shtete socialiste, asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, i cili, posa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Katedrales së dhunueme më 1967… Shqipnia asht vendi ku “Muri i Berlinit” s’ kishte ra ende!

Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme dukej sikur një prej veprave të artit, kur Jezu Krishti, me kamxhik në dorë, po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg…Por jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të Bekueme dhe asht Ajo, që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX, jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore… E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane… Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën…Feja filloi shpejtë ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetet komuniste, tashti të lira e demokratike.

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumëpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shënon në kujtesën tonë historike ato çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II, dhe bashkë me Té asht edhe Ajo, që tashma gjithë Bota e quen “Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza”, për të cilën, Papa tha:

“Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej…”

E, shka mundesh me i shtue kësaj frazë..?

Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës…

Edhe pse, Shqipnia u rikëthehët trazimeve më 1997, Ajo me ngulm kërkon Paqë… Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare… “…Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje…!”

 Sa domethanëse asht kjo fjali.., sikur do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ato vuejtje që keni kalue..,po kërkoni edhe ma shumë…?”. Megjithate, Shqipnia vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharrituna të Vlonës.., sepse, komunistët nuk njohin demokraci…Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte Ramiz Alia nga Presidenca me datë 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet, tue brohoritë: “Me gjak…Me gjak…!” dhe me të vertetë “me gjak.., e me plumba … Po kërkojnë me mbajtë pushtetin…!”

Dikush sot (tue qenë shqiptarë) thotë, se shtatoren e Nanës të mos e vendosim këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma … e, dikush thotë: “Për turpin e tyne..!” –  Jo, jo pra, kjo asht edhe për “turpin tonë”. Po Nana e Madhe vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku thonte për Nanë Terezen:

“Mendoj se zemren ia kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet  që Ajo ndien për tjerët…”...E, kush janë “të tjerët..”? Një pjesë janë bashatdhetarët e Saj… Ndërsa, shumica, – janë pikërisht, Ata që, tue kenë në mjerim, vuejtje, dhimbje…por tue ndje veten në duert e Nanë Terezes, janë “të lumtun”.., kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli…Po, nën Sarin që sot valvitët rretherrotull globit tokësor…

Vepra e Nanë Terezes asht e pavdekshme, këte e tregon vazhdimsia e saj.

Sot janë 759 shtëpi të hapuna për ma të vorfnit e të vorfënve, ku shërbejnë mbi 5000 motra, tue mos harrue se edhe afro 1000 të tjera janë në prëgatitje për këte mision.

E nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mbrekullia e Nanë Terezes, .., po janë miljona njerëz të mjeruem, që kanë provue dhe provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!…

Po cili në botë nuk u mrekullue prej mrekullive që Nana i bani në të gjallë: kur ndali luftën me tërheqë të plagosunit, kur iu përkulen e i puthen dorën ma të fuqishmit e botës – të të gjitha besimeve e të të gjithë sistemeve? Pse Ajo ISHTE. Pse Ajo ASHT e Ajo DO TË JETË.

Papa Gjon Pali II ka thanë: “Nanë Tereza asht grueja që i dha trajtë Shekullit XX.”

Ronald Regan: “Kishte fjalët në përputhje të plotë me jetën, diçka vërtetë e rrallë në botën e sotme.”

Mark Krasniqi: “Simbol i traditës sonë”.

Helmut Kohl: “Shembull i mirësisë së humanizmit njerzor.”

Indira Gandi: “Me u takue me Te, domethanë me ndje pushtetin e butsisë, forcën e dashnisë.”

Bill Klinton: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin Shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Toni Bler: “Shpirti i Saj do të rrnojë si frymzim për të gjithë ne!”

Martin Camaj: “Legjendë e gjallë. Luftare kundër mjerimit njerëzor”

Shqiptarët, po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një Zemre të Madhe, që ka vend për Shqiptarë sa janë në mbarë njerëzimin pse, Ajo ishte, asht e do të mbesë në shekuj të shekujve NANA JONË E LUMNUESHME. Ajo ndërroi vërtetë jetë një ditë të largtë gushti, por nuk vdiq. Nana rron e do të rrojë në qenjen e në veprën e saj hyjnore.

Nana së shpejti mbush 111 vjet.

Mandej do të mbush dyqindë, njëmijë, dymijë …Pafundësisht!

Gusht, 2010.

            Melbourne, 26 Gusht 2021.

Filed Under: Featured Tagged With: 111 VJETORI I NANËS SONË SHQIPTARE, Daniel GAZULLI e Fritz RADOVANI, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT