• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA SHQIPTARE NËNSHTRUESE NDAJ INTERESAVE HUAJA

October 22, 2013 by dgreca

…Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”/

Nga Frank Shkreli/

Gjatë disa viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kuturore në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqëndruar në vendet me shumicë myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosna-Hercegovina.  Siç duket në frymën e kësaj fushate diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të Mërkurën, ë 23 tetor.  Mediat e Prishtinës  njoftojnë se zyrtarisht udhëheqsi turk po viziton Kosovën për të inauguruar  terminalin e ri  të aeroportit, “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi.  Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do t’i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e gjithë këjo gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë, gjë që disa analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e mbrendshme të Kosovës.

Fatkeqsisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjëjnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohëshme politike, ekonomike e të tjera.  Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia.  Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët.   Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel.   Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkrenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina — Kryeministri serb Daçiq — deklaroi ditët e fundit se  është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit — dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama.  Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani.  Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,”  ka thënë  Erdogan për televizionin turk TRT.
Kosova, është tepër e vogël për të folur kundër Islamit!  Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e tillë  është nën mëshirën e tij.  Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama, “Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur.  Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.  Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten.  Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja.  Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur.  Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm”, i shkruan deputetja e Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.

Edhe udhëheqsi serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare, pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.  Hajde dreq e merre vesh këtë punë.   Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të pandërprerë anti-shqiptare.   Asnjë përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi Shqiptar?

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të tjerve.  Shqiptarët megjithë vuajtjet e tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë.  Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të dyanshëm.  “Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj” thotë deputetja shqiptare, “por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.”

Duke shprehur ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë gjithashtu se, “Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet.  Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij”, shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”

Në takimin e Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të vetdijshëm dhe ndërgjegjës ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.  Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqsues të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe më 1878.
 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e interesave, Frank shkreli, nenshtruse, Pilitika shqiptare, Prizren, te hauja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT