Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/
Siç kemi mësar nga historia e marrëdhënieve politike ndërkombëtare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Lufta e ftohtë pati filluar me krizën e Berlinit më 1948 ndërmjet aleatëve perëndimorë (Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) dhe BRSS-së pas okupimit të Gjermanisë më 1945, duke qenë se aleatët perëndimorë bashkuan tri zonat e tyre okupuese në një zonë të përbashkët, me qëllim që të pengohej depërtimi i ideologjisë komuniste të Bashkimit Sovjetik në pjesën perëndimore të Gjermanisë.
Mirëpo, Stalini në shenjë revolte dhe pakënqësie pati bllokuar këtë zonë të njësuar nga aleatët perëndimorë, duke ua mbyllur të gjitha rrugët tokësore dhe vijat hekurudhore të transportimit të mallrave dhe të ushqimeve të ndryshme për furnizimin e popullsisë gjermane. Megjithatë, aleatët perëndimorë Amerika, Britania e Madhe dhe Franca) ia arritën që përmes vijës ajrore ta pajisnin popullin me artikuj dhe me mallra të nevojshëm jetësorë.
Një bllokadë e tillë e Berlinit perëndimor të Gjermanisë nga ana e BRSS-së, mëpastaj solli ndarjen e Gjermnaisë në dy pjesë: Republika Federale Gjermane Perëndimore (1949) dhe Republika Gjermane Demokratike Lindore. Me këtë rast, për shkak të antagonizmave dhe të sferave ndikuese të interesit perëndimor dhe atij lindor, krijohen dy blloqe: Blloku Perëndimor me Amerikën në krye dhe Blloku Lindor me BRSS-në në krye. Kjo krizë disavjeçare e luftës së ftohtë (1945-1949), së pari çoi në formimin e Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) më 1949 dhe më pas si kundërpërgjigje aleancës perëndimore me Amerikën në krye, Bashkimi Sovjetik formoi Traktatin e Varshavës më 1955. Kjo luftë e ftohtë mdis dy superfuqive botërore (SHBA dhe BRSS) zgjati jo më pak se 41 vjet derisa u nënshkrua Marrëveshja historike Ronald Regan –Mihail Gorbaçov në Rejkjavik të Islandës (12 tetor 1986), e cila garantoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, më 1989, kur edhe u shemb Muri famëkeq i Berlinit (1961), me ç’rast u bashkuan dy gjermanitë. Ky ishte epilogu i luftës së ftohtë të sistemit bipolar të marrëdhënieve ndërkombëtare, cili filloi dhe përfundoi në Berlin të Gjermanisë.
Mirëpo, fatkeqësisht , kaptina e dytë e kësaj lufte të ftohtë filloi në Beograd më 1990, kur Serbia, duke mos njohur Rendin e Ri Botëror (1989) vazhdoi luftën e ftohtë me mjete të nxehta luftarake, duke kryer 3 agresione dhe 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999). Si rrjedhojë e kësaj lufte gjeopolitike të pushtimit të territoreve të këtyre 3 vendeve të theksuara, edhe pse me vonesë të madhe, bashkësia ndërkombëtare me SHBA-në krye e bombardoi të ashtuquajturën Jugosllavi Federale- Serbia+ Mali i Zi) jo më pak se 78 ditë, duke përdorur forcat e NATO-s (24 mars – 10 qershor 1999). Kjo ndërhyrje e ligjshme e NATO-s e detyroi Serbinë e Slobodan Milosheviqit, që të tërhiqte forcat e saj pushtuese militare, paramilitare dhe policore nga Kosova shqiptare.
Mirëpo, pas vendosjes së forcave ndërkombëtare paqësore të OKB-së (UNMIK) dhe KFOR në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, Beogradi filloi me luftën e ftohtë, duke dërguar fshehurazi në Kosovën veriore njësite të ndryshme paramilitare dhe të sigurisë policore e ushtarake të të pauniformuar, me qëllim që të formonte pushtetin paralel serb përballë institucioneve shtetërore të Kosovës.
Edhe pas 3 luftërave gjenocidale, Serbia ngeli në “baltën e gjallë” të konfliktit kolonial me Kosovën
Në kohë paqeje, Serbia me “pushtimin paqësor” të territorit verior të Kosovës, tanimë qe 20 vite ka kthyer luftën e ftohtë në Ballkan (1999-2019). Në këtë lojë të rrezikshme ka futur Rusinë dhe Kinën, të cilat me votat e tyre ( njëra me veto, e tjetra me abstenim) në KS të OKB-së kanë bllokuar mosndryshimin e Rezolutës 1244, e cila nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe ndërtimi i bazës ushtarake dhe të sigurisë të Rusisë në Nish si kundërpeshë bazës ushtarake amerikane në Bondstil të Kosovës.
Për të tejkaluar këtë luftë të ftohtë 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë si rrjedhim i mosnjohjes së Kosovës nga ana e Beogradit, saktësisht më 15 shkurt 2019, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tump ia dërgoi një letër formale përshëndetëse dhe miqësore presidentit Aleksandar Vuçiq me rastin e festës së shtetësisë së Serbisë, ku ndër të tjera sugjeron edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, duke e njohur njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë. Mirëpo, deri tani presidenti serb A. Vuçiq ende nuk i ka thyer përgjigjen homologut të tij amerikan, Donald Trump, edhe pse përmbajtja e kësaj letre ka karakter qëllimirë të shërbimit të vullnetit të mirë human, poltik, diplomatik dhe paqësor që përfill interesat e dyanshme të këtyre dy shteteve fqinje, që reciprokisht ta njohin njëra-tjetrën, me qëllim që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre si shtete të barabarta të pavarura dhe sovrane.
Ky është shansi historik që Serbia me ndihmën dhe me kontributin direkt të Amerikës, të mbyllë konfliktin 100-vjeçar me ish-koloninë e saj të dikurshme-KOSOVËN.
Ndryshe, refuzimi eventual i propozimit të Trump-it nga ana e Serbisë, do të konsiderohet si akt provokues i shpalljes së një lufte të re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ballkan, e cila do të involvonte edhe Amerikën së bashku me aleatët e saj evro-perëndimorë dhe Rusinë me aleancën e saj të re (Kina, Turqia dhe Irani etj.).
Mirëpo, një akt i tillë më së shumëti, do të godasë dhe shkretojë Serbinë, e cila pas një lufte të tillë me përmasa botërore, do të ngelte vetëm brenda kufijve të principatës së dikurshme vasale serbe nën Turqi, sepse do të humbiste të gjitha territoret e grabitura dhe të aneksuara nga Shqipëria, Hungaria, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina.
Pra, nëse Serbia refuzon letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trum, që ta njohë Republikën e Kosovës, në atë moment do të marrë fund edhe lufta e ftohtë 20-vjeçare midis Beogradit dhe Prishtinës rreth statusit të veriut të Kosovës (1999-2019). Me një fjalë, nuk do të ketë më negociata të mëtjeme ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare në Bruksel (2011-2019), por do të fillojë një kapitull i ri i sanksioneve politike, ekonomike dhe tregtare ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu sikurse në vitet e 90-ta të shekullit XX kundër Serbisë agresore dhe gjenocidale të Slobodan Milosheviqit, të cilën e detyruan që të kapitullonte në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.