Njërit prej atyre që diktatura i kishte zgjedhur si trashëgimtarë të saj/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Është një histori shqiptare që do të zgjasë me tranzicionin. Histori plehu. Merreni si të doni, fiksion, narracion apo tregim të jetuar prej njërit nga ata që e ka plehurosur Shqipërinë. Një pesticid që e helmon edhe dheun e tokën.
Në diktaturë, ishte i biri i njërit nga të nomenklaturës të kuqe. Nga ata që ia dinin vetëm partisë ngritjen. Kjo i jepte krekosje.Fryhej si gjel. I trashë, i bymyer, i shkurtër, i paformë, truqullur, që ia kishin futur në kokë se do të bëhej një enver i vogël. I vogël sa një gogël nga të qenit. Pasi mbaroi universitetin e Tiranës në degën në fjalë, e dërguan të perfeksiononte të menduarin proletaro-stalinist në Paris. Atje diktatura dërgonte vetëm sakatët e sojit të saj, që gomerë shkonin e gomerë ktheheshin. Gomerë me Sorbonë. Ky u kthye si nga të qenit, që këtu në Perëndim përpara se ta hedhin në koshin e mbeturinave, veshin dorezat plastike dhe e fusin në qeska apostafat.
Prej andej u kthye edhe më i trashë, edhe më i qullur, si një spec i mbushur me plastelinë, i gatshëm të përulej, të merrte çdo formë, deri edhe formën e mbeturinave ushqimore trupore.
Dhe fati dukej se i ndihte. Deri sa gjeti të martohej me një të sojit të vet, si një siguri për të ardhmen. Ta shihnit, në fakt ju e keni parë, se si u fry edhe më nga hiçësia. Në Bibliotekën kombëtare të Tiranës kishte një vend fiks. Dhe vinte dhe shkonte i krekosur. Shtrihej përmbys mbi libra dhe flinte mbi to me sy hapur, vigjëlues. Aty i vinin gardistët e rinj, që e duatrokisnin sa herë që tështinte dhe shpërndante pështymën në dyshemenë e Bibliotekës Kombëtare, gjithnjë si një thes mbeturinash ushqimore trupore.
Kishte një krekosje idiote që e mban edhe sot në tranzicionin rural. Dhe prapë i gjenden pranë ca idiotë që e duatrokasin sa herë pështyn glasa sorranësh pleq. Sepse tani ngjan me një thes të shfryrë, plluq- lluq. Por nga të krekosurit nuk heq dorë. E ka inerci të kohës të diktaturës, të kohës kur e kishte të siguruar Parisin, prej ku u mundua të çonte mendimin proletaro-enverist dhe prej nga ku gdhë shkoi e gdhë u kthye, një lluq-plluq.
Më kujtohet se këtë krekosje e kishin familjare, të ushqyer nga partia.Ishte e frikëshme. Bënin gjëma në emër të partisë, merrnin njerëz në qafë. Jetonin në një vilë të shpronësuar, të dhuruar nga regjimi. Që e kishin përvetësuar. Asnjëherë nuk e kishin pyetur veten për banorët e asaj vile. Ose duke e ditur fatin e tyre të egër, bëheshin edhe më të egër. Të shihnin nga poshtë-lart, të shihnin me sytë e çeliktë të partisë. Të ftohtë, bosh, kriminelë sytë e partisë të plehut. Me këta sy e hodhën në mes të rrugës një vajzë të bukur shqiptare. Me flokë të verdha gjithë onde, e kam parasysh si tani, isha në fillore, ajo sapo kishte mbaruar gjimnazin. Por këta të plehut e hodhën në mes të katër rrugëve sepse të jatin e vajzës të bukur bionde e dënoi partia.
Dhe pastaj pasi e vërvitën në mes të katër rrugëve, të pafaj, të pafajshme, të pastër si drita e diellit, ata pa asnjë brerje ndërgjegje edhe sot e kësaj dite, e zëvendësuan me një femër tjetër, që e veshën me krekosjen e sorranëve të familjes.
Kur u përmbys diktatura thamë se shpëtuam prej krekosjes të thasëve me mbeturina ushqimore trupore, që në Paris shkuan ashtu i qenit dhe ashtu u kthyen. Por, të paktën shpëtoi ajo vajza bionde, me flokë me onde dhe sy të kaltër, e cila ka një emër të bukur nga historia shqiptare. Ajo vajza vuajti të zezat, hoqi skëterrën, por ama shpëtoi nga thesi me fekale, ndërsa shqiptarët e ngratë jo, u paska rënë risk që t’i kenë ende nëpër këmbë, ashtu të trashë, të lyrshëm, si derra të kënaqun prej mizerjes të mbjellë si filozofë proletarë të antinjeriut.
Mua sa herë më del përpara ky plehu, më kujtohet gjithnjë ajo vajza me krela të verdha, e cila ka një emër të bukur. Ajo e njeh të krekosurin ashtu si duhet, familjarisht. Dhe kushedi sa herë e ka pështyrë dhe e pështyn, sa herë i ka mallkuar, me racë e farë, aq herë sa e ka çuar nëpër mend atë periudhë të zezë të jetës të saj të re, mbetur në mes të rrugës nga kriminelë të mbushur sot me urrejtje, sepse nuk i lamë të bëheshin ashtu si kishte vendosur t’i bënte partia e krimit.