(Dom Gjergj Meta dhe vrasësi i turistëve çekë)
NGA ILIR HASHORVA/
Një grabitës e vrasës patologjik grabit e vret përsëri. Vret dy turistë çekë, pasi kishte bërë 5 vjet burg për vrasje të një fëmije 12-vjeçar. Të gjithë u tronditën dhe, secili, sipas mënyrës së tij, e dënoi rëndë aktin e vrasjes dhe vrasësin, Sokol Mjacën. Përjashtim bën dom Gjergj Meta i cili, në një shkrim me titull “Isha në burg dhe erdhët te unë”, nëpërmjet shpalosjes së pikëpamjeve të kishës së krishtere për trajtimin e krimit, i del në krah vrasësit. Mirë bën që parashtron pikëpamjet e kishës në lidhje me krimin dhe kriminelin, por ai gjen shembullin më të keq për t’i mbështetur ato pikëpamje me rastin e Sokolit dhe kështu, ato pikëpamje të mira e njerëzore, në bazë edhe të të cilave njeriu është bërë më human, nuk gjejnë terren as për t’u kuptuar dhe as për t’u zbatuar.
Thotë dom Gjergji:
“Por ka diçka më shumë që qoftë policia, qoftë gjykatat, qoftë prokuroria apo qoftë opinion publik nuk mund të shkelin: dinjiteti njerëzor i Sokolit… Një opinion publik gati-gati në limitet e një histerie kolektive që kërkonte sindormën e monstrës, u kthye në një valë pothuajse të papërmbajtshme gjykuese e dënuese. Ky është një turp i dytë pas atij të Sokolit”.
“Askush nuk mund ta zhveshë apo ta grabisë Sokolin nga dinjiteti i tij, sepse bën një krim njësoj si ai i Sokolit… Askush prej nesh nuk është veprimi apo veprimet e tija…
“Mëshira është një atribut hyjnor e neve na kërkohet t’i përshtatemi dhe jo ta paragjykojmë apo aq më keq ta mohojmë mëshirën e Zotit dhe mundësinë e kthimit të mëkatarit. Kjo do të thotë në planin praktik se Kisha ka për detyrë t’u shërbejë edhe atyre që janë të burgosur, t’u lajë këmbët atyre, pavarësisht nga ajo çka kanë bërë dhe të mos ua mbyllë dyert e faljes dhe të mëshirës
“A nuk do të donim që çdonjërit prej nesh kur gabojmë shumë apo pak t’i jepej një mundësi e dytë, e tretë e kështu me radhë, me shpresën se një ditë do t’ia dalim? ”
Ka shumë për të diskutuar dhe për të kundërshtuar në logjikën e dom Gjergjit. Po e fillojmë nga “dinjiteti” i nëpërkëmbur i Sokol Mjacës. Asnjë nuk mund të kuptojë se ku qëndron dinjiteti i një vrasësi ordiner, i një vrasësi që edhe para vrasjes së dytë, grabit dajën e tij, i një vrasësi që ende nuk ka shprehur asnjë lloj keqardhjeje për krimet që ka kryer. E çfarë duhej të bëjë më shumë një qenie që të quhet monsër? Monstër nuk është vetëm qenia me deformime fizike, por është më shumë qenia me deformime morale.
“Ne nuk jemi veprimi që kryejmë” – thotë dom Gjergji. Cilët jemi ne atëherë? Cila është “Nënë Tereza”? A nuk është pikërisht ajo grua që kryen bamirësitë që nuk i kryen dot asnjë tjetër dhe jo ajo grua e imët që mban një shami të bardhë me vija blu në kokë e që ecën me sandale pa çorape? Ne jemi pikërisht veprimi që kryejmë dhe asgjë tjetër.
Kisha bën mirë të shkojë e t’i vizitojë kriminelët në burgje, madje t’i vizitojë ata edhe pas burgut (pas burgut edhe më shumë), por t’u flasë atyre për veprën çnjerëzore që kanë kryer, për dhimbjen që u kanë shkaktuar të tjerëve, të përpiqet t’u ndryshojë karakterin (gjë që është e vështirë, në mos e pamundur), dhe jo t’u lajë këmbët.
Nuk ka veprim më pa kuptim sesa të falësh shumë herë një vrasës, domethënë një person që u ka marrë jetën disa të tjerëve, me shpresën se dikur ai do të ndryshojë dhe, kështu, nga një kriminel, të fitojmë një njeri normal. Në bibël jepet në mënyre metaforike falja pa fund e një mëkatari, por jo në mënyrë të përgjithshme dhe eksplicite për një vrasës, madje kisha dënon edhe vetëvrasjen. Një fëmije mund t’i falet disa herë gabimi i hyrjes në shtëpi me këmbë me baltë, sepse pas njëfarë kohe ai do të ndryshojë, por një vrasësi, nuk mund t’i falet vrasja e përsëritur. Aq më tepër, falja nuk mund të dhurohet, ajo duhet të fitohet nga keqbërësi. Faljen nuk mund ta akordojë kurrë një i tretë, qoftë ai edhe dom Gjergji, por i dëmtuari. Pastaj, Sokol Mjaca nuk është Zhan Valzhani që shkoi e vodhi një copë bukë nga nevoja e madhe dhe na erdhi keq dhe e falëm, Sokoli vrau për të vjedhur një telefon celular që e shiti për 500 lekë të vjetra, për të pirë një raki në klub.
Dhe, në fund, dom Gjergji bën pyetjen naive: “A thua e kthejmë në jetë çiftin çek nëse Sokolit i marrim jetën apo e trajtojmë si “monster”, pra përbindësh? Çfarë kemi zgjidhur?”
Po, dom Gjergji, kemi zgjidhur shumë: së pari, kemi izoluar një qenie me rrezikshmëri ekstreme për shoqërinë; së dyti, kemi dekurajuar të tjera qenie me prirje kriminale të kryejnë krime të ngjashme; së treti, kemi dënuar mëkatarin dhe kemi lehtësuar disi viktimat dhe të afërmit e tyre. Ne mund të mos e dënojmë Sokol Mjacën, nisur nga mëshira e krishtere, por në këtë rast kemi dënuar viktimat e tij.
Në librin “Lulja e diellit, mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes” të Simon Vizentalit, botuar në shqip në vitin 2015, çështja e krimit dhe e mundësisë së faljes së tij, në varësi të rrethanave të krimit dhe të qëndrimit të mëpasshëm të kriminelit, trajtohet, besoj, në mënyrën më të plotë të mundshme, nga një mori përfaqësuesish botërorë të kulturës, fesë, psikologjisë, politikës etj. Ndërmjet tyre, Denis Prager, një personalitet amerikan, thotë:
“Për dhjetë vjet drejtova një program radioje në të cilin kisha të ftuar një ministër protestant, një prift katolik dhe një rabin. Çdo ditë kisha njerëz të ndryshëm. Gjatë kësaj kohe, ndodhi përdhunimi dhe rrahje e shëmtuar nga një bandë të rinjsh e një gruaje që vraponte në Parkun Qendror të Nju Jorkut. Pas arrestimit të tyre, një kardinal i Kishës Katolike Romane i vizitoi djemtë në burg dhe u tha vetëm: “Zoti ju do”. U inatosa aq shumë, sa thashë publikisht se dikush duhej të shkruante një libër me titull “Si të sigurosh një vizitë personale nga një kardinal”. Mendova për të gjithë katolikët e mirë të Nju Jorkut që u kanë kushtuar jetën të varfërve dhe të sëmurëve, të cilët do të jepnin çdo gjë për të siguruar një vizitë personale nga një kardinal i kishës së tyre. Por, përfituesit më me fat të një vizite të tillë ishin përdhunuesit sadistë …
“Në emisionin tim, shpreha me forcë dyshimin, nëse inati im me kardinalin… ishte reagim personal apo reagim hebre. Unë pranova të dytën, pasi të gjithë telefonuesit e krishterë ishin të një mendjeje me kardinalin dhe të gjithë telefonuesit hebrenj ishin të një mendje me mua. Por unë desha ta provoja tezën time me klerikët. Për katër javë pyeta klerikët se çfarë do t’u thoshin atyre kriminelëve në qoftë se do t’i takonin. Çdo klerik, protestant apo katolik, liberal apo konservativ, përsëriti fjalët e kardinalit. Të gjithë rabinët, reformistë, konservatorë apo ortodoksë, thanë se nuk do t’i takonin ata por, në qoftë se do të detyroheshin t’i takonin, do t’u flisnin për neverinë që ndienin për ta, për ndëshkimin e rreptë që meritonin, për nevojën që kishin për të kaluar pjesën e jetës që u mbetej në përpjekje për të shpaguar të keqen që kishin bërë dhe, me siguri, nuk do t’u thoshin se Zoti i donte”.
Në librin tim “Gandi-jeta”, unë them: “Në përpjekje që bëheshin për të konvertuar Gandin hindu në të krishterë në Afrikën e Jugut, një familje e krishtere i fliste atij për bukurinë e fesë së krishtere, duke theksuar posaçërisht qëndrimin që mbante ajo fe ndaj mëkatarit. Ata i thoshin se…, ndërsa në fetë e tjera, … njeriu mendon e vuan vazhdimisht për mëkatet që ka kryer, sepse nuk ka mundësi t’i shlyejë, se përpjekjet e vetë njeriut për përmirësim dhe faljen e mëkateve janë pa fryt, të krishterëve barrën e mëkatit ua mban Jezui… dhe se ata që besojnë tek ai, shpëtojnë… Të krishterët, pra, nuk rëndohen nga mëkatet. Jezui vuajti për të gjitha mëkatet e njerëzimit dhe, prandaj, ndërsa të krishterët bëjnë jetë fare të qetë, sepse mëkatet e tyre i shlyen Jezui, të tjerët bëjnë jetë të trazuar.
“Gandi nuk u pajtua me këtë ide. Për Gandin, premtimi se mëkatet e të krishterëve i shlyente Jezui, ishte një premtim jo vetëm bosh, por edhe i dëmshëm, sepse njeriu mund të kryente sa të donte të këqija dhe të mos merakosej fare për to, pasi ato i shlyente Jezui! Për Gandin, me vlerë do të ishte jo ajo doktrinë që do të shlyente mëkatin, por ajo doktrinë që do të shmangte vetë mëkatin, apo mendimin për të. Për të, deri sa të ndodhte kjo, njeriu do të duhej të ishte gjithnjë i shqetësuar për keqbërjet që kishte bërë”.
Pra, a mos vetë feja e krishtere, duke lënë mënjanë drejtësinë shpaguese dhe duke theksuar mëshirën, shlyerjen e mëkateve nga Jezui, nxit pa dashje krimin?
Tashti të vijmë te pjesa në Bibël nga ku merr shkas edhe dom Gjergji për t’i vënë titull shkrimit:”Isha në burg dhe erdhët te unë”. Thotë dom Gjergji:
“Jo pa qëllim vendosa si titull të shkrimit tim një fjali nga Ungjilli i Mateut (Mt 25,36) ku përshkruhet gjykimi i fundit. Krishti, që për të krishterët është Zot, në citimin e mësipërm identifikon veten e tij me një të burgosur. Çdo herë që shkojmë e shohim një të burgosur, kemi shkuar të takojmë vetë Krishtin”.
Këtu dom Gjergji tregohet jo korrekt, sepse jep pjesën e së vërtetës pa vlerë për rastin tonë dhe nuk jep pjesën tjetër të së vërtetës që i takon rastit tonë. Po të lexosh Biblën, te pjesa “Mbreti do të gjykojë të gjithë popujt” (Mateu 25, 31-46), nga ku dom Gjergji frymëzohet, thuhet në mënyrë të përmbledhur:
“Kur Biri i Njeriut do të vijë përsëri, do të ulet mbi fronin e mbretit. Të gjitha kombet do të mblidhen rreth tij dhe ai do t’i ndajë ata në të mirë e në të këqij dhe do t’i vendosë në të djathtë dhe në të majtë. Pastaj Mbreti do u thotë atyre në të djathtë: Ejani, im atë ju ka dhënë bekimin dhe merrni mbretërinë që Zoti e ka përgatitur për ju, sepse unë ish i uritur dhe ju më dhatë për të ngrënë. Unë isha i etur dhe ju më dhatë për të pirë…. Unë isha i sëmurë dhe në burg dhe ju erdhët të më vizitoni….
Pastaj Mbreti i thotë atyre në të majtë. Largohuni prej meje. Ju do të ndëshkoheni… Unë isha i uritur dhe ju nuk më dhatë për të ngrënë. Unë isha i etur dhe ju nuk më dhatë për të pirë… Unë isha i sëmurë dhe në burg, dhe ju nuk u shqetësuat për mua… Këta njerëz do të ndëshkohen për jetë, ndërsa njerëzit e mirë do të jetojnë përjetë”.
Krishti këtu i përmbahet drejtësisë shpaguese, drejtësisë judaiste “një sy për një sy”, “një dhëmb për një dhëmb” pra, dënimit të mëkatarit dhe jo mëshirës së pakondicionuar që duhet të ketë zënë vend më vonë në doktrinën e krishtere. Mbreti (Krishti) do ta vendoste Sokol Mjacën me siguri në të majtë dhe do ta ndëshkonte përjetë.
Është vendi këtu të bëjmë një shpjegim: Ungjilli i Mateut është i pari nga katër Ungjijtë që gjenden në Bibël. Ai është shkruar rreth 30 vjet pas vrasjes së Krishtit, ndërsa i fundit, ai i Gjonit, është shkruar rreth 80 vjet pas vrasjes së Krishtit. Te Ungjilli i parë vihen re ende ndikime të judaizmit prej të cilit lindi krishterimi, pra edhe dënimi i mëkatarit. Në ungjijtë e tjerë, krishterimi largohet gjithnjë e më shumë nga judaizmit dhe ndikimi i tij zbehet. Mëkatari, cilido qoftë, shpëton, po të besojë te Krishti.
E keqja te ne nuk është se ndëshkimin apo faljen e jep kisha, apo drejtësia. Ndëshkimin, apo faljen te ne e jep politika. A e kujtoni fjalimin që mbajti Kryeministri, Edi Rama, me rastin e vrasjes së katër personave nga Kostandin Xhuvani? Ai tha: “(Kostandi) do ta ketë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”. Dhe, “drejtësia” e mori mesazhin: e mëshiroi dhe e dënoi Kostandinin, djalin e deputetes së partisë së Edi Ramës, Luiza Xhuvani, me 20 vjet, në vend që ta dënonte me burgim të përjetshëm. Edhe tashti, Sokoli, duke vepruar si Kostandini, do të kërkojë gjykim të përshpejtuar, do t’i paranojë krimet, gjë që e ka bërë edhe pa dalë në gjyq, do të përfitojë ulje dënimi, dhe, meqenëse krimi i tij është më i paktë se ai i Kostandinit (Kostandini vrau gjithsej 5 persona, kurse Sokoli 3), duhet të marrë dënim më të ulët se ai i Kostandinit dhe mund ta kemi përsëri midis nesh, për të vrarë sërish, ndoshta, pas 10-15 vjetësh.
Nju Jork 9.7.2015