• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZHE TË FUQISHME DASHURIE NGA NËNË TEREZA

September 5, 2017 by dgreca

1 Frank shkreli (2)1 Frank-Nene (2)

Nga Frank Shkreli/ Foto 2- Nga takimi i parë dhe më mbresëlënës me Nënë Terezën.Në foto: Familja e Frank Shkrelit dhe Elez Biberaj me Nënë Terezën/

Bota shqiptare në përgjithësi duket sikurë jeton në një konflikt të përhershëm.   Shoqëria shqiptare kudo në trojet tona në Ballkanin Perëndimor dallohet për konflikte e mosmarrveshje me njëri tjetrin, jo vetëm midis politikanëve dhe partive që ata përfaqësojnë — dhe jo vetëm në kohë zgjedhjesh.   Po të ndjekësh media shqiptare, nuk shef tjetër veç grindje dhe akuza midis njëri tjetrit, përfshirë edhe gazetarët dhe analistët.   Këtyre grindjeve dhe mosmarrveshjeve nuk u mungojnë, fatkeqsisht, as mendjet më të ndritura të letrave, të gjuhës dhe të kulturës së kombit.   Madje as figurat më të mëdha të historisë së kombit – si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe vet Nëna Tereze, nuk mund t’i ikin kësaj atmosfere të çoroditur, duke u bërë subjekt konfliktesh, grindjesh dhe mosmarrveshjesh midis shqiptarëve.   Shoqëria shqiptare duket si e paralizuar nga inatet politike, personale dhe profesionale.    Ndihet një mungesë e madhe dashurie dhe respekti për njëri tjetrin, një boshllek, për të mos thënë një gjëndje e rëndë shpirtërore që ka kaplluar jo vetëm shoqërinë shqiptare, por mbarë botën, në çerek shekullin e parë të shekullit 21.

Në Prishtinë u shugurua katedralja me emrin e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të njëjtën ditë kur u mbushën 20 vjet që kur ajo ndërroi jetë dhe ekzaktërisht një vit pas shenjtërimit të saj nga Papa Françesku.

Asnjëri prej nesh nuk jemi Nënë Tereza, por ka mundësi që sado pak të influencohemi nga jeta e saj dhe të frymëzohemi nga disa thënje të saja duke ndjekur sado pak edhe shembullin e saj në këtë jetë – ashtu që bota shqiptare të ketë më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin, si vëllëzër dhe motëra të një gjaku, me një histori dhe identitet të përbashkët — pa marrë parasyshë dallimet dhe pikëpamjet politike, fetare ose krahinore.   Kombi shqiptar është NJË dhe si i tillë meriton, pikësëpari, të bashkjetojë në paqë e në dashuri me njëri tjetrin, por edhe me të tjerët për rreth.

Javën që kaloi, njëra prej revistave më të lexuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Reader’s Digest, kishte botuar disa prej atyre që ajo cilësonte si ndër thënjet më të fuqishme të Nënë Terezes.   Më poshtë po ju sjellë disa citime që unë përzgjodha nga burime të ndryshme e që i atribohen Nënë Terezës.   Me rastin e shugurimit të katedralës kushtuar asaj në ceremoninë e 5 Shtatorit në Dardani, le të na shërbejnë fjalët e saja si frymëzim – nga misionarja dhe shënjtëresha shqiptare, Nënë Tereza e cila jetën e saj, respektin dhe dashurinë ua kushtoi më të varfërve të botës në të gjitha kontinentet dhe pa dallime fetare, politike ose ideologjike.   Ndonëse, 20 vjetë më parë ishte ndarë nga kjo jetë, Nëna jonë Tereze me trashëgiminë lënë pas, me veprën dhe me fjalët e saja, vazhdon të influencojë dhe të frymëzojë njerëzit vullnetmirë, anë e mbanë botës.

Me rastin e shugurimit të Katedralës që mban emërin e saj në Prishtinë dhe me qëllim për të kujtuar dhe për të nderuar Nënë Terezën, bijën e kombit shqiptar dhe sipas shumë vërejtësve botërorë, humanisten më të madhe që ka njohur ndonjëherë bota, ja disa citime të cilat mund të na frymëzojnë që, sot dhe nesër, të bëhemi si njerëz dhe si shqiptarë, ndoshta pak më të mirë për veten tonë, pak më të dashur për familjet tona, për shoqërinë ku jetojmë dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi:

“Nëqoftse nuk kemi paqe midis nesh, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”

“Nëqoftse gjykoni dhe paragjykoni të tjerët, atëherë nuk kini kohë për t’i dashur ata”

“Çdoherë që i buzqeshë dikujt, ky është një veprim dashurie, një dhuratë ndaj atij personi, një diçka shumë e bukur.”

“Unë vetëm nuk mund të ndryshoj botën, por mund të hedh një gur në ujë për të krijuar shumë valëzime.”

“Fjalët e ëmbëla dhe të njerzishme mund të jenë të shkurtëra dhe lehtë për tu shqiptuar, por jehona e tyre është me të vërtetë e pa mbarim.”

“E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende.   Kështuqë, ka mbetur vetëm e sotëmja.   Le të fillojmë”

“Të jeshë i kënaqur në momentin që jeton.   Aq mjafton.   Secili moment është aq sa kemi nevojë; nuk kemi nevojë për më shumë.”

“Del e shiko botën sot dhe duaj njerzit që takon.   Prania jote le të ndezë dritë të reja në zemrat e njerzve.”

“Disa njerëz që takon gjatë jetës janë një bekim. Disa të tjerë janë një mësim.”

“Kurrë nuk je në humbje. Gjithmonë ke diçka për të mësuar nga çdo person që takon gjatë jetës tënde.”

“Një gjë që mund të marrë gjithë jetën për ta ndërtuar, dikush mund ta shkatërrojë mbrenda natës, por megjithkëtë vazhdo të ndërtosh.

“Një të mirë që e bën sot, shpesh do të harrohet deri nesër. Por megjithkëtë vazhdo të bejshë mirë”

“Nëqoftse je i ndershëm dhe i sinqert, të tjerët do të përpiqen të të mashtrojnë, megjithkëtë vazhdo të jesh i ndershëm.

“Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj.”

“Ndihmo një person njëherë e në një kohë dhe gjithmonë fillo me personin që është më afër teje.”

Këto janë vetëm disa nga qindra thënje të Nënë Terezës botuar në gjuhët më të mdha të botës.  Ato janë frymëzuese dhe nganjëherë provokuese, por që të bëjnë të mendojë njeriu se çka është e rëndësishme në këtë jetë.  Ndonëse kurrë nuk lindi fizikisht fëmijë, Gonxhe Age Bojaxhiu, atë mbarë bota e njeh si Nëna Tereze. Këto thënje dhe shumë e shumë të tjera si këto janë për nga cilësia dhe nga përmbajtja sikur të dilnin nga goja e çdo nëne shqiptare.   Këto dhe thënje të tjera të Nenë Terezës tregojnë dhe zbulojnë dashurinë e saj për të afërmit dhe për më të varfërit e kësaj bote, nënvijojnë mëshirën dhe dinjitetin e saj si grua dhe si nënë ndaj secilit person që ajo ka takuar gjatë jetës së saj në këtë tokë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave tepër modest në kujtim edhe të takimeve personale vite më parë, me të madhen e kombit shqiptar dhe të botës, Nënë Terezen.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, MESAZHE TË FUQISHME DASHURIE, nga Nene Tereza

VAJZA QË SFIDOI TALEBANËT, IKONË GUXIMI DHE SHPRESE E FRYMËZUAR NGA NËNË TEREZA

October 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Malala Yousufzai, vajza 16-vjeçare nga Pakistani e cila vitin e kaluar u qëllua me plumb nga talebanët, vetëm e vetëm se mbështeste dhe progandonte në favor të edukimit për vajzat, ishte ftuar të fliste të Premtën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, (OKB) në 16 vjetorin e lindjes dhe në ditën që organizata botërore ka shpallur si, “Dita e Malalës”, në nder dhe respekt për guximin e saj përballë sfidave tepër të rrezikshme për një vajzë të re. Vitin që kaloi, Malala Yousafzai u plagos rëndë, në luginën Swat në veri të Pakistanit, në jë sulm barbar nga talebanët, të cilët njëherazi plagosën edhe dy shoqe të saja, kur talebanë të armatosur u futën në autobusin e fëmijve të shkollës duke kërkuar me emër vajzën e re Malalën — e cila njihej si kundërshtare e politikës së tyre për të mos lejuar vajzat të shkonin në shkollë — dhe e qëlluan disa herë duke e plagosur rëndë. Fatbardhësisht, ajo u shërua plotësisht nga plagët e saja nën kujdesin e mjekëve pakistanezë dhe më vonë nga mjekët anglezë në një spital britanik.Ishte ky një incident i cili shokoi botën e qytetëruar dhe shkundi ndërgjegjen e botës rreth gjëndjes së vështirë të vajzave në shoqëritë islamike fondamentaliste. Ky akt, u dënua rëndë nga e gjithë bota si një akt barbar, kriminal dhe i shëmtuar.
Ishte Ish-Kryeministri britanik, Gordon Brown, tani Përfaqsues i posaçëm global i OKB-së për arsimin, ai që e paraqiti pakistanezen 16- vjeçare para nja një mijë studentëve të ardhur në OKB nga 100 vende nga mbarë bota, duke thënë se me të vërtetë ishte një mrekulli, që Malala gjëndej në mesin e tyre. “Më lejo”, tha ai, duke iu drejtuar Malalës, “të përshëndes me fjalët që Talebanët nuk do të dëshironin t’i dëgjonin: “Gëzuar 16-vjetorin e lindjes, Malala”. Ai e quajti vajzën pakistaneze, të plagosur nga talebanët, si ”vajzën më guximtare në botë”.Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon tha se, “Duke sulmuar Malalën, ekstremistët treguan se frika më e madhe e tyre ësht[ një vajzë me një libër në dorë.”
“Ata menduan se plumbat do të na heshtnin, por talebanët dështuan”.
Ajo e filloi fjalimin e saj në OKB — një fjalim që sipas shumë komentuesve nuk do të harrohet shpejt — duke falenderuar Zotin, “para të cilit”, tha ajo, ”të gjithë jemi të barabartë”, dhe shtoi se “kjo nuk ishte dita ime, por dita e çdo femre, e çdo djali dhe çdo vajze të cilët kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave të tyre.” Malala u tha të pranishmëve se, “nuk po flasë për veten, por për të gjithë ato dhe ata të cilët nuk kanë mundësi të flasin, për të gjithë ata dhe ato që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e veta, si dhe për të drejtën e tyre për të jetuar në paqë.”
“Terroristët”, tha ajo, “kanë vrarë me mijëra veta dhe kanë plagosur miliona të tjerë. “Unë”, shtoi ajo, “jam vetëm një prej këtyre të plagosurve….një vajzë ndër shumë të tjera…Terroristët menduan se do ndryshonin objektivat dhe të shuanin ambiciet e mia, por asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time.” Por, ajo që ka ndryshuar pas sulmit kundër saj nga talebanët, vitin që kaloi, tha Malala, është se, “vdiq dobësia, u zhduk frika dhe u rivendos shpresa”, duke shtuar se sulmi taleban kundër saj, e kishte bërë atë më të fortë duke thënë se, si rrjedhim, për të “lindi forca dhe guximi.”
Duke thënë se pena është më e fortë se shpata, dhe se kjo është arsyeja që talebanët ”kanë frikë nga libri dhe pena”, ajo theksoi se, “Një fëmi, një mësues, një libër dhe një penë, mund të ndryshojnë botën”. Talebanët ekstremistë”, shtoi ajo, “kanë frikë nga femrat dhe nga zëri i fuqishëm i tyre….kanë frikë nga ndryshimet që barazia për të gjithë, do të sjellë për shoqërinë tonë.”
“Unë e ngre zërin tim jo për të tërhequr vëmendjen ndaj personit tim”, tha ajo, “por për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre që të trajtohen me dinjitet njerëzor,për të gjithë ata që ngulin këmbë dhe kërkojnë tëdrejta të barabarta në çdo fushë dhe për të drejtën e të gjithëve për të shkuar në shkollë dhe për tu edukuar.”
Duke thënë se nuk po fliste në një frymë hakmarrjeje, ajo shtoi se dëshiron që edhe fëmijtë e ekstremistëve talebanë të shkojnë në shkollë dhe të edukohen. 16-vjeçarja Malala, tha në fjalën e saj në OKB, se ajo kishte ardhur në Kombet e Bashkuara e bindur dhe duke u mbështetur në trashëgiminë e pa dhunë të Martin Luter King-ut, Gandit dhe Nënë Terezës, si edhe në mëshirën dhe mësimet e Jezu Krishtit, Muhametit dhe Budës. “Zemra më thotë, paqë dhe dashuri me të gjithë, dhe për të gjithë”, tha vajza e re pakistaneze në paraqitjen e saj në OKB, në Nju Jork.
Ajo u bëri thirrje udhëheqsve botërorë që të mbrojnë të drejtat e femrave dhe të fëmijve anë e mbanë botës, dhe njëherazi u bëri thirrje të gjithë komuniteteve që të tregojnë tolerancë ndaj atyre që janë ndryshe, duke insistuar në mbrojtjen e lirisë dhe barazisë për femrat, dhe duke theksuar se asnjë shoqëri, “nuk mund të jetë e sukseshme, kur (femrat) gjysma e popullsisë së saj, “nuk gëzon të njëjtat të drejta me gjysmën tjetër të popullsisë”. Vajza pakistaneze u bëri thirrje, atyre që ajo cilësoi si, “motrave tona anë e mbanë botës që të jenë të guximshme — të besojnë në vetvete dhe të përqafojnë fuqinë mbrenda vetes së tyre, ashtuqë të realizojnë potencialin e tyre të plotë.” Askush nuk mund t’na ndalojë, tha ajo, në rrugën tonë për realizimin e paqës dhe të edukimit për të gjithë.
Presidentja e Fondacionit të Kombeve të Bashkuara, Kathy Calvin tha se, “Guximi dhe anagazhimi i Malalës na frymëzon të gjithëve”. Znja Calvin shtoi se, “Ajo mishëron vendosmërinë dhe guximin e të rinjve e të rejave anë e mbanë botës, të cilët ndeshin në pengesa të mëdha për të shkuar në shkollë.Por, të edukuar, ky brez i ri do të jetë një forcë e fuqishme për përparim në botë…..Le të nderojmë sot Malalën”, tha Zonja Calvin, “duke bërë realitet edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve, anë e mbanë botës, pa përjashtim.”
Me fjalimin e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Malala Yousafzai triumfoi mbi terroristët talebanë, megjithse prej tyre kishte marrë plumbin, vetëm e vetëm se nguli këmbë në mbrojtje të së drejtës së vet dhe shoqeve të saj të shkonin në shkollë për tu edukuar. Dy prej tyre u plagosën gjithashtu me atë rast. Ajo kundërshtoi guximshëm urdhërat e radikalve të çmendur talebanë dhe vazhdon të flasë në mbështetje të edukimit të vajzave në Pakistan dhe kudo në botë, megjithëse talebanët kanë kërcënuar se nqëoftse jeton, ata do të përpiqen gjithnjë që ta vrasin Malalën. Por Malala, jo vetëm që ka shpëtuar nga sulmi i talebanëve dhe nuk i ka frikë ata aspak, por nga fjalimi i saj në OKB të premtene cila me guximin e saj habiti botën, shihet se ajo është më e guximshme dhe më sy patrembur se kurrë më parë.
Guximi i Malalës dhe të tjerëve si ajo, duke kundërshtuar ideologjinë çnjerëzore mesjetare të talebanëve, është e vetmja shpresë për një lëvizje mbarë popullore për të mundur ideologjinë e talebanëve dhe për të mposhtur fushatën e tyre të shtypjes në Pakistan, Afganistan dhe kudo tjetër në botë.
Në mirënjohje dhe falënderim për guximin e saj të pashëmbullt, sipas BBC-së,janë mbledhur me mijëra nënshkrime“online” nga e gjithë bota, për një peticion, me të cilin bëhet thirrje që vajza trimëreshë pakistaneze Malala, të emërohet për Çmimin Nobel për Paqë.Ajo me të vërtetë është një kandidate e denjë për këtë çmim prestigjioz.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, frymezim, Malala Yousfzai, nga Nene Tereza, sfide Talebaneve

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT