Nga Pjeter Logoreci-Vjenë/
Në vazhdim të ciklit me shkrime për dinastinë Sina, mbi historinë e suksesëshme të kësaj familje nga Voskopoja, në Austri, po sjell disa informacione mbi jeten dhe aktivitetin shumë dimensional të një prej burrave më në zë në xhiron e bizneseve dhe të parasë, bankierit Gjergj Sina.
Po të kërkosh për Gjergj Sinen në arkivat e shtetit, por edhe ato private austriake, nga sasia e madhe e informacionit që gjindet, mund të krijosh një ide fillestare për xhiron gjigande të aktiviteteve tregtare, bankare, prodhuese, ndërtuese por edhe shoqërore të Bossit Gjergj Sina. Perandoria finaciare të cilën Gjergj Sina trashëgoj nga i ati Simon Sina dhe që e fuqizoi me tej, kalonte kufijtë e disa shteteve të fuqishme të kohës si perandoria osmane dhe ajo austrohungareze, duke u përhapur në të gjithë Europën e zhvilluar.
Të njohim Gjergj Simon Sinen.
Gjergj Simon Sina lindi në Nish me 20 nandor 1782, nga martesa e Simon Sines (plakut) me vajzën nga Nish-i, Irene Czippe. Për të vërtetuar vendin e lindjes së tij nuk pat ndonji dokument, pasi në perandorinë osmane nuk lejohej një dokument pagëzimi. Vetë Gjergji e ka deklaruar më vonë, Nish-in si vendlindjen e tij, përsëri pa e pasur të dokumentuar, por të vërtetuar gojarisht nga pesë dëshmitare që ishin miq të familjes dhe “që e njihnin ate që fëmijë”. Kur Gjergji ishte në moshën 10 vjecare, pas vdekjes së parakohëshme të nënës, babai vendosi që të largoheshin nga Nish-i për tu vendosur në Vjenë, kryeqendrën e fuqishme tregëtare e finaciare të perandorisë.
Sipas informacioneve të asaj kohe, (rreth viteve 1800) mendohej që numri i tregtarve “grek”(1) me shtetësi turke të cilët kishin firma të mirëfillta me aktivitet tregtar në Vjenë, ishte rreth 217-të.
Duke filluar nga viti 1803, Gjergj Sina ishte aktiv dhe drejtonte firmen bashkë me babain e tij, firmë që ishte pjesë e SHOQERISE së tregëtarëve “grekë” në Vjenë. Me 3 prill 1818, tre nga Sina-jt, babai i tij Simon, vëllai Johann dhe ai, morën titullin BARON. Thuhet që, si Gjergji ashtu edhe Simoni (i vjetri), që nga viti 1811 deri me 1818 përdorën në të mirë të tregtisë së tyre, shtetësinë e dyfishtë (turke dhe austriake). Në vitin 1822, për të nderuar figurën dhe veprën e babait (një vit pas vdekjes së tij), Gjergji, ja ndryshoj emrin e firmës që trashëgoi (që dikur quhej PAPA NAUM, SINA & CO) në SIMON GEORG SINA, duke marrë mbi vehte cdo detyrim si dhe kontaktet që babai kishte në zonat e perandorise osmane. Biografja austriake A.Lanier, e cila ka bërë historikun e bankës dhe bizneseve të familjes Sina, mendon që një gurë i fortë në themelin e kapitalit të FIRMES SINA ishin edhe disa situata që u krijuan në favor të Voskopojarëve. Ajo i referohet për këtë tregimeve që vetë Gjergj Sina ju ka shprehur bashkohësve e miqve të vet:……. ne familjarisht duhet ti falenderohemi,…. rritjes së kërkesës për lëndën e parë, pambukun (në fillimin e prodhimit të tij industrial), ….një lufte , … disa vdekjeve që pasuan,…. si dhe rrotacionit të zyrtarve në disa organe shtetërore të perandorisë osmane….
Gjergj Sina hapi në Vjenë një firmë ku tregtonte mall me shumicë nga Ballkani, e cila “gëzonte mbrojtjen dhe privilegjet” e pashait vendas. Sipas historianëve, ishte koha kur akoma nuk kishte filluar eksporti i pambukut nga Amerika, ndërkohë që në zonat e Ballkanit, sidomos në Maqedoni, prodhimi i pambukut ishte në kulmin e lulëzimit. Pashai vendas, Ali Pasha, e ndaloj popullsinë që prodhimet ti tregtonte diku tjetër dhe mori për vehte monopolin mbi pambukun, duke e mbledhur për të ja shitur më pas bashkëatdhetarit Sina, i cili kishte nënshkruar në Manastir një kontratë të rregullt me pashain. Tregtia në mes tyre do të funksiononte si një Shoqëri e mirëfilltë. Pashai duhej ti dërgonte pambukun Sines me një cmim për të cilin ishin kuptuar bashkë, ndërsa Sina duhej ta shiste. Nga fitimi i përbashkët, sipas marrveshjes dy palëshe, Sina ishte i detyruar të administronte edhe pjesën e fitimit të ortakut. Ali Pashai trembej që Sulltani një ditë do të hakmerrej dhe për cdo gjë që mund të ndodhte, bankieri Sina ishte i detyruar që, sipas kontratës, ti jepte familjes së pashait pjesën e fituar. Për vite me radhë, kjo tregëti solli fitime të mëdha. Edhe luftrat që po bënin francezët, sollën një ndikim pozitiv në shitjen e lëndës së parë, pambukut që i duhej ushtrisë për veshmbathje. Por erdhi një ditë, që Sulltani arriti të ndëshkojë Ali Pashain, duke e vrarë atë vetë, si dhe djemtë e tij. Ai arriti të fshijë nga faqja e dheut të gjithë familjen e pashait rebel. Kështu që Gjergj Sina u bë trashigimtari i vetëm ligjor i shumës stërmadhe të fitimit që i përkiste Ali Pashait. Kjo gjë është konfirmuar edhe në gazetën e mbrëmjes Pester Lloyd, e cila me rastin e vdekjes së Gjergj Sines, në numrin e saj të 20 maj 1856-es, në një kronologji që botoj mbi jetën dhe karrieren e Gjergj Sines shkruante: …Ai (Gjergj Sina) duhet ti falenderohet …..të famshmit e të plotfuqishmit Ali Pasha nga Janina, me të cilin në atë kohë zhvilloj një tregti të përmasave të mëdha, nga ku i vjen një pjesë e madhe e kapitalit bazë të firmës…. Thuhet që për këtë arsye, rreth vitit 1847, qeveria turke i kërkoj Vjenës që ta ekstradojë Gjergj Sinen, një kërkesë që nuk u realizua kurrë.
Gjenialiteti i Gjergj Sines si afarist dhe financier bëri që pjestarët e tjerë të familjes Sina të mbesin “në hije” edhe pse patën një aktivitet të mirëfilltë tregëtar dhe social. Në mbretërinë e financave të perandorisë, ai filloj të thirrej “Gjergji i madh” ose “para-lija Sina”. Talentin për të bërë tregëti që trashëgoi nga babai e zgjeroj dhe me tej duke vendosur kontakte pune në tërë Europën. Me fillimin e eksportimit të pambukut si lëndë e parë për industrinë europiane nga Amerika, Sina humbi monopolin dhe tregëtia me këtë mall u dobësua shumë. I prirë nga nuhatjen e tregëtarit të lindur, ai filloj të kërkojë mëndyra të tjera biznesi. Gjergji nuk vonoj të futej me sukses në tregtinë e duhanit, ku në vitin 1851 pat monopolin e tij në Hungari, por pa lënë pas dore edhe tregtinë me mallrat e tjerë si; druri, qymyrigurit dhe krypa, që i sillnin fitime të mëdha. Gjergj Sina nuk ishte vetëm burri më i pasur i perandorisë, por krahas bankës Rothschild, ai ishte zotëruesi dhe drejtuesi i bankës më të suksesshme të Austrisë, e cila pat kulmin fitimeve në vitin 1848 nga obligacionet e shtetit dhe nga dhënia e kredive për ndërtimin e ujësjellësit, bashkisë së Vjenës. Duke praktikuar letrat me vlerë, kambialet (urdhër xhirimi), dëftesa borxhi, banka Sina arriti të fitojë shuma marramendëse. Nga aftësitë e tija të vecanta si burrë i financave, në vitet 1825 deri 1849 ai u zgjodh si drejtor i bankës kombëtare të perandorisë dhe nga 1849 deri 1856 (deri sa vdiq) zëvendës guvernator i po kësaj banke.
Gjergj Sina me një inteligjencë të pashoqe drejtonte bizneset dhe rriste zotërimet e tija. Puna ishte për të si oksigjeni. Edhe pse në moshën 70 vjecare, punonte nga mëngjesi deri vonë në darkë. Qëllonte që kalonte netë të tëra në zyrë.
Tregojnë që një herë në një mëngjes të bukur me diell, teksa zbriste shkallët e ndërtesës së bankës, një i njohur që banonte në pallatin pranë tij i habitur e pyeti:… si zotni Baron, nuk keni shkuar mbramë në fshat (ku ishte vila e tij familjare)? Baroni i milionave u pergjigj i shkujdesur: ….Nuk kam kohë…
Gjergj Sina edhe pse drejtor dhe pronar i bankës, priste me përulësi këdo: …si bankierin superpasanik që i propozonte lëvizje të mëdha parash apo fitime të mëdha, ashtu dhe tregtarin e thjeshtë që i ofronte veprime të vogla biznesi. Me secilin bisedonte dhe negocionte vetë. Ishte pasioni i tij të bënte ”tregtarin”. As përfitimet finaciare dhe as mëndyra e fitimit nuk ishin qëllimi i jetës së tij, por kushtet e jetesës, realizimi i dëshirave dhe elementeve të jetës aktive. Ishte i saktë dhe i vëmendëshëm deri në detajet me të vogla në jetën e tij private dhe profesionale……
Tregojnë që,… shërbëtori i kërkoj leje të blejë një dry që i nevojitej ….
– “Shiko në katin e sipërm, atje gjinden disa, të vjetër por funksional – ju pergjigj baroni Sina”. Por, shërbëtori nuk arriti ti gjejë dhe u kthye nga lart duar bosh. Atëherë multimilioneri Gjergj Sina, i dyti burrë i pasur i perandorisë, u ngjit vetë në papafingo dhe u kthye duke sjellë me vehte një dry të përdorur, por në gjendje pune.
Vemendja, ishte një nder dhuntitë e rëndësishme në aftësitë dhe karakterin e gjeniut GJERGJ SINA….
Ky serial shkrimesh per dinastine Sina vijon në numrat e ardhëshëm….
Shenime:
(1)Voskopojarët të cilët ishin me besim kristian ortodoks shiheshin nga popullsia e Vjenës si GREKE…
Vjenë, me 10 korrik 2015
Foto : Gjergj Simon Sina
Voskopoja, “Viena” Shqiptare, shtëpia e diturisë dhe “Shtëpia e Duarve të Arta”
Nga Korça Beqir Sina/
VOSKOPOJE : Gjatë këtyre ditëve të kësaj vjeshte “pranverore” në udhëtimin tim të gjatë nëpër trojet shqiptare – në Shqipëri, rasti e solli të viizitoj qytetin e “serenadave” Korçën, e cila gjendet në skajin juglindor të mëmëdhehut të shqiptarëve – Shqipërisë. Një miku im më tha se “nuk ke parë asgjeë në se shkon në Korçë dhe lë pa vizituar Voskopojën – qoftë dhe disa orë”. Mbasi sipas tij ky është vendi që i ka dhënë kryeqendrës së juglindjes themeluesit e tij, ndërsa vetë jeton mes të shkuarës së bazilikave dhe kishave magjepëse, shtëpive karakteristike, rrugëve me kalldrëm por dhe një klime të rrallë, që do ta dëshironte çdokush. Sidomos ne që vijmë nga Amerika, dhe e kemi ëndërr një klimë të këtillë kaq të pastër…..
“Voskopoja, sipas një djali të ri, banorë i këtij fshati, i cili mori rolin e ciceronit, dukë më shpjegur gjithëçka, thotë se ka ndryshuar shumë, dhe sidomos kur flitet per dekadën e fundit, nga invistetimet që janë bërë nga ish- pushteti qëndror, fondet e ndryshme, të të huajve por edhe vendasit dhe kurbetçinjët të cilët fitimet e tyre i kanë “hedhur” në zhvillimin e këtij fshati alpin që ngjason shumë me bukuritë e rralla të Austrisë, Insburgut, Tirolit, Gracit dhe të tjera.”
Vizitën në Voskopojë e filluam nga zyra e komunës, ku Kryetari i komunës, zoti Nexhip Bacelli, na priti me plotë respect. Ai tregon se Voskopoja popullohet me rreth 1 mijë banorë, ndërsa fundjava duket se është dhe më e begata pasi më shumë se 300 shtretër të hoteleve dhe turizmi familjar, ka bërë që të zihen nga vizitorët e shumtë që adhurojnë turizmin malor.”Këtë verë tha zoti Bacelli, Voskopojën e kanë vizituar deri tani afro 100 mijë turistë të huaj dhe vendas”
Kryetari i komunës, zoti Nexhip Bacelli, foli edhe për investimet, të cilat gjatë këtij viti kanë qenë të shumta, ndërsa pas përfundimit të rrugës Korçë-Voskopojë, tha ai tani kemi filluar shtrimin me kalldrëm të rrugëve të qëndrës dhe instalimin e ndriçimit,
“Ne po kujdesemi për ambientin dhe rregullin e një pastërtie të dëshirueshme nga të gjithë, duke u treguar tejet të kujdesshëm në ndërtimet, që janë të vrullshme, sidomos në këto vitet e fundit.” thotë zoti Bacelli.
Ndërsa, kaloi kalldrëmeve të rrugëve të Voskopojës, të kënaq aroma e likove të reçelit të ftoit dhe kumbullave, që gratë e fshatit ziejnë së bashku shtëpi më shtëpi….
Rrugë me emra te Kujteses se Voskopojes…
Voskopoja, është e mahnitëshme çdo gjë është ndërtuar si në fshatrat alpine. Rrugët janë me sinjalistikë dhe me emra. Voskopja dikur ka qenë një qendër e rëndësishme e Shqipërisë, sot vjen ndryshe me rrugët e tij karakteristike të cilat mbajnë emërtimet e vendosura. Një nismë e veçantë kjo nga komuna, për të mos lënë pas edhe 8 nga 26 kishat e dikurshme.
Të habit fakti se janë më shumë se 14 rrugë që kanë emërtime të figurave të njohura të kujtesës voskopojare. Rruga e vëllezërve Zografi, rruga e David Selenicës, Teodor Kavaljoti etj. Janë shumë por të shoqëruara me sinjalistikën bashkëkohore bëhen edhe më intriguese.
Në këtë vend mes sfidës së historisë dhe rikthimit të një qendre të rëndësishme si shekuj më pare, nuk mund të humbasësh. Rrugët janë ato që të çojnë padyshim në zemër të tij. Por nëse ato shoqërohen me emërtesa që vijnë nga e shkuara e ndritur, çdo ecje në këto kalldrëme të hijshme bëhet gati gati e paharrueshme.
Historia trashëgimnia natyrore dhe kulturore
Voskopoja ndodhet rreth 21 kilometra larg Korçës ka pasur lulëzimin e saj në fillimim të shekullit të 18-të kohë në të cilën u ndërtua Akademia e re, biblioteka, shtypshkronja, një spital, një azil për të varfrit etj.Voskopoja ka qenë një vatër e rëndësishme kulturore jo vetëm për Ballkanin, por dhe me gjërë. Shkollate këtij qyteti, biblotekat dhe shtypshkronja ishin institucione të rëndësishme dhe me njohje të gjerë në atë kohë.
Sipas studiesve “Akademia e re” e Voskopojës zinte në atë kohë vendin e dytë në perenadorinë osmane. Ajo I takon viti 1760 dhe në të mësoheshin të gjitha shkencat , ndërkohë që një ndihmë të madhe për themelimin e saj dhe edhe gjuhëtari Kavalioti.
Fshati është bërë I njohur për qytetërimin e tij shumëshekullor, pesiazhin mahnitës, kishat dhe afresket e shumta të cilat bartin në vetvete një trashgimni të çmuar kulturore si dhe dallohet për p[nimet e dorës nga gratë , qendisjet dhe trikotet e leshit me shtiza, ushqimet e gatimet tradicionale të Voskopojës.
Punishtia e “Dorë artave” grave të fshatit, është një vend ku gratë artizane mund të shpalosin talentin e tyre në drejtim të prodhimeve të punëve me dorë dhe gjallërojnë aspekte të traditës dhe kulturës.
Me të cilat Voskopoja tashmë ka bërë një indentitet të plotë të njohur edhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.Voskopoja, kështu është një nga pikat e rëndësishme turistike dhe kulturoretë Korçës. Pozicioni i favorshëm gjeografik, peizazhi përherë mbresëlënës në të gjitha stinët nuk mund të marrin kuptim pa historinë gati legjendare të këtij qyteti të dikurshëm. Voskopoja mendohet të jetë themeluar rreth shekullit të XIV.
Kulmin e lulëzimit të saj e arriti në shekullin XVIII periudhë që pati dhe zhvillimin më të madh tregtar dhe kulturor. Gjatë kësaj kohe ajo renditet si qyteti i dytë më i madh i Perandorisë Otomane pas Stambollit, tregojnë dokumentet e kohës.
Pikërisht në këtë periudhë në të numëroheshin rreth 50 mijë banorë, ndërsa numëroheshin 26 kisha nga të cilat sot kanë mbetur vetëm 8. Qyteti ishte formatuar me rrugë me kalldrëme, trotuare dhe kanalizime. Tregtarët voskopolitë, siç thirreshin asokohe, frekuentonin tregjet e qendrave kryesore të Ballkanit dhe Evropës.
Teodor Kavaljoti, Sevasti Leontiadhi, Mihal Gora, Grigor Moskopoliti janë disa nga personalitetet e shquara të Voskopojës të shekullit XVIII. Fundi i shkëlqimit të saj erdhi së bashku me shkatërrimin total të qytetit gjatë viteve 1769, 1772 e 1789. Por goditjen përfundimtare Voskopoja e mori në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore. Që atëherë ajo pësoi një transformin të dhimbshëm duke u kthyer në një fshat me pak rëndësi nga ana ekonomike.
Voskopoja, një qytet me shumë famë në mesjete sot është një fshat me 24 kisha. Shumë pasuri ndodhen në këto kisha të dëmtuara rëndë gjatë kohërave, por dëmtimin më të madh e përjetuan gjatë periudhes komuniste, ku Enver Hoxha, i kthue për 45 vjet në depo patatesh dhe prodhimesh të tjera.
Voskopoja është vendbanim shqiptar që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Voskopoja është një vendbanimmesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë.
Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, 1720, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.
Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurencë në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e para të një kulturë paraindustriale që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit.
Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me sënduqet Sipas Aurel Plasarit, “Në qytet kishte 14 korporata. “Mund të themi pa e zmadhuar, se historia e qytetit është historia e korporatave të saj”. Në një studim gjeografik të botuar në Vjenë nën kujdesin e Daniel Jeronomakut dhe Gregor Jerodjakut pohoet se voskopojarët qenë grupuar në 14 korporata, që përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare; interesante është vërejtja e tyre: “me një fjalë ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është pajisur një qytet europian” Por duke pasur parasysh se në Perandorinë otomane, profesioni i tregtarit ishte një profesion të krishterësh dhe ebrenjsh është e kuptueshme që paria e qytetit ishte një pari e krishterë. Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit. Këtë e konstatojnë shumë studiues të huaj (të cilat citohen edhe në librin “Historia e Perandorisë Osmane” nën drejtimin e Robert Mantranit, f. 314) Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Po ti referohemi referimeve të studiuesit Aurel Plasari, “Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret Defter-in e Sanxhakut Arvanid”,. Nuk përjashtohet mundësia që Voskopoja të jetë trajtuar prej autoriteteve osmane “jashtë Shqipërisë”; rast i ngjashëm do të ishte ai i vilajetit të Përmetit, i vënë në dukje nga vetë Inalciku: ky vilajet “iu dha si shtojcë Jakub Beut, të birit të Teodor Muzakës” dhe si i tillë, “kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”. i cili i përckton Voskopojën si një qytet “jashtë pushtetit të Portës” i cili në fakt ishte një “qytet tentakular në kuptimin e plotë të fjalës” i cili tërhiqte rreth vetes gjithë sa i vlente: tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave”.
Ky është fakti më kuptimplotë që Voskopoja ishte shqiptare sepse duke qenë një qytet tentakular që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi prej dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi joshqiptar nuk mund të ishte kurrë minorancë. Po ti referohemi dy kronikanëve të besueshëm të kohës, historianit Peyfuss dhe konsullit francez në Perandorinë Otomane, Pouqueville, përcaktimi i popullsisë shkon nga 20.000 në 40,000 banorë madje deri në 60,000 banorë. Po t’i referohemi përsëri Plasarit, mbi hiearkinë urbane të popullsisë, dhe rregullave themeluese të qytetit, sipas studiuesit K.H. Skënderes rritja e popullisë solli krijimin e lagjeve të reja e që përbëheshin nga banorë themelues e të ardhur.
Patriarkati i vendasve, koxhobashët (paria korporative e banorëve të vjetër) kishin përcaktuar disa rregulla të vështira integrimi për të ardhurit e rinj por duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe rolin tentakular të qytetit është e kuptueshme që kemi të bëjmë me një qytet me mazhorancë shqiptare, fakt i mohuar nga shumë studiues grekë dhe rumunë por jo europianë perëndimorë të kohës. Prof. Aleks Buda shprehet “unë nuk ngurroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shek. XVIII Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë edhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatit atë me siguri”.
Sipas Robert Elsie “Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë, në Malin Atos dhe Patmos”. Akademia e Re, Biblioteka dhe e vetmja Shtypshkronjë e Perandorisë së asaj kohe, ka qenë një trekëndësh kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit XVIII. Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptar, grekë dhe vlleh u shkolluan dhe formuan një identitet europian të mbrujtur me idetë iluministe të dijeve pozitiviste.
“Diplomantët e atyshëm e siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe juristë.” Arti dhe kultura patën një zhvillim të paparashikuar duke e kthyer Shqipërinë në një far që ndriçonte të gjithë Ballkanin otoman. David Selenica, ka qenë artisti më influent i Rilindjes së të gjithë artit ballkanik dhe ndikimi i tij u ndje në të gjithë artin ortodoks të Ballkanit sepse ai dha shenjat e para të kapërcimit të klisheve të pikturës zyrtare të Malit Athos (qëndra e ortodoksisë kishtare të kohës). Në fakt shqiptarët e njohin David Selenicën si piktorin e filmit “Kohë e largët” që e helmoi Mirush Kabashi eremit.
Por pika më e fortë dhe njëkohësisht më e dobët e Voskopojës ka qenë pa dyshim shtypshkronja e saj. Po ti referohemi studiuesit të mirënjohur Bernard Lewis (“Islami dhe Perëndimi”, f.49), shtypshkronja e Voskopjës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë Otomane sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u hap nga Said Mehmet Efendiu në 1727, 7 vjet pas Voskopojës, u mbyll që në 1740. Nga të dhënat e copëtuara dhe të keqpërdorura që vijnë sot, rezulton se Voskopoja po projektonte për të parën herë krijimin e një gjuhe të shkruar shqipe. Teodor Kavaljoti (1710 – 11 gusht 1789) ishte shqiptar me origjinë nga Kavaja (siç i referohet prof. Dhimitër Shuteriqi dëshmisë që vjen nga i biri i tij, Anastas Kavaljoti, të cilit i referohet studjuesi i shek. XIX Gjergji Roza), përgatiti të parin alfabet shqip dhe shkroi traktate si “Logjika” (1749), “Frika” (1752) dhe “Metafizika” që janë zhdukur përgjithmonë. “Po t’i referohemi filologu gjerman Von Hahn (Lexicon Tetraglossan), Kavaljoti kishte shpikur një alphabet gërmat e të cilit i cili mund të identifikoheshin si si “analoge me ato të glagolitishtes ilire” (Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Edwin Jacques, f. 315). Ky alfabet që është zhdukur në rrënojat e Voskopojës (apo mbahet i fshehur në ndonjë arkiv grek apo rumun), u kurorëzua me aktin më të rëndësishëm të kohës së vet: përkthimin e të parës Dhjatë të Re nga gjuha greke në gjuhën shqipe (G. Von Hanh v.II, f.320).
Sipas Prof. Dhimitër Shuteriqi, “Kavaljoti u shqua si perkrahes i ideve iluministe dhe shkroi nje sere veprash, qe per fat te keq jane zhdukur, ku shpreh pikpamjet e veta filozofike. i paisur me kulture te gjere ai u be udheheqesi i levizjes kulturore jo vetem ne Voskopoje por edhe ne krahinat e tjera te Shqiperise se Mesme e te Jugut. Ai eshte nje nga dijetaret shqiptare te kohes qe beri perpjekje per t’i dhene kishes ortodokse te Shqiperise nje karakter shqiptar. Vete Kavaljoti per kete qellim, sikurse thuhet, ndermori perkthimin e ““Dhjates se re” ne shqip”. Gjithashtu edhe Zëvendësrekori i Akademisë së Re, në vitin 1762, Grigor Voskopojari (nga Berati që ka vdekur në 1772), kishte përfunduar shqipërimin e të dyja Dhiatave (të së Vjetrës e të së Resë). “Ishte ky një aksion shumë i madh, që kishte të bënte me përkthimin në gjuhën e vendit të librave bazë të kishës. Liturgjia në kisha pjesërisht thuhej me kohë edhe në shqip. Kjo vazhdoi edhe në shek. XVIII, edhe më pas. Në procesin mësimor të shkollës së drejtuar nga kleri hynte dhe shqipja, së pari përmes teksteve fetare, që zinin vendin më të madh në programet, por edhe përmes lëndëve të tjera. Në tekstin e Theodhor Bogomilit (njohur më shumë si Anonimi i Elbasanit), i shek. XVII, përfshihet edhe një predikim i lirë fetar. Dhaskal Tod’hri na ka lënë edhe një fabul të shqipëruar të Ezopit. Edhe Kostë Ikonomi hartoi tekste tri gjuhësh (në greqishte të vjetër, në atë të re dhe në shqip). Këto tekste i ka përdorur edhe mësuesi vithkuqar Kostë Cepi (shek. XVIII-XIX), prej të cilit i njohim të kopjuara. Ai ka dhënë mësim jo vetëm në vendlindje, por edhe në Elbasan e gjetiu.” Grigor Voskopojari shkruante me një alfabet origjinal, si edhe Bogomili, që e kishte shpikur vetë për shqipen që shkroi. Të njëjtën gjë bëri edhe Dhaskal Todri, ndofta nën ndikimin e Bogomilit, por edhe të Grigorit, të cilin e pati mësues në Voskopojë. Edhe ky përdori një alfabet origjinal, që e shpiku vetë e që u përhap edhe në njerëz të tjerë në Elbasan.”
Kështu, Voskopoja ishte edhe qendër e lëvrimit të shqipes. Këtë gjuhë nuk e shkruanin vetëm Kavaljoti, Adam Haxhiu dhe Grigori, por edhe të tjerë, duke arritur të shqipëroheshin Dhiatat në atë qytet, të përdorej jo vetëm alfabeti grek, por edhe një alfabet i krijuar posaçërisht për shqipen. Kjo do të shërbente pikërisht si bazë për krijimin e identitetit shqiptar dhe bazën për kalimin nga një identitet protonacional drejt një identiteti nacional dhe që do të ndikonte në krijimin e nacionalizmit shqiptar para grekëve, serbëvve dhe bullgarëve. Voskopoja po kthehej kështu pak nga pak në një fanar ndriçues dhe orientues drejt nacionalizmit dhe pavarësisë shqiptare jo vetëm nga Perandoria por edhe nga Patriarkana Helene e Stambollit. Kjo ishte edhe pika e dobët e Voskopojës. Sepse Gjuha shqipe ishte kulmi por edhe vdekja e Voskopojës. Sepse gjuha shqipe e folur në atë kohë deri në rrethinat e Athinës plot xhami (që sot janë zhdukur), po të shkruhej, do të shkruante ndryshe historinë e territoreve të Shqipërisë dhe të Greqisë.