Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Doktorant Nikollë Loka, njëherash poet e publicist, me emrin e tij, me veprat e tij, i bën nder Mirditës, Kohës, Kombit.
Veprat e tij “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, “Dyzet e dy perandorë ilirë të Romës” apo “Ilira Biblike” (bashkuautor, juristi Gjet Kola) – që flet për shenjtorët shqiptar të Krishtërimit, si dhe të tjerat: “Kuvendi i Fanit…”, “Imzot Nikollë Kaçorri…”, “Preng Bibë Doda i Mirditës”, “Bajraktari Prengë Marka Prenga, Flamurtari i Mirditës”, “Llesh Zef Doçi i Lurës…”, etj. janë një enciklopedi shqiptare e hapur, janë lartësi të autorit, janë akte e mezazhe për brezat, janë medalje-emblema në gjoksin e udhët e autorit dhe në ditët tona.
Vitet e fundit po shohim se Nikollë Loka po punon si një akademi. Ky studiues me vlera e me gjithë këto vepra të botuara po duket si një “industri pune” krijuese e studimore.
Kësaj here, në kit’ ditë promovimi, në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, po vjen me një vepër të re: “Studime historike, Recensione, Publicistikë”, botim i entit të njohur botues “EMAL” – me botues elitar, Astrit Muçën. Është vëllimi i parë. Të tjerë do të vijnë pas. Duket se Nikollë Loka ka shumë për të thënë e po na i thotë mirë.
2.Kjo vepër, në vetvete, ka vlera që duken tek mbledhja e punimeve shkencore si metodë.
Autori na sjell një praktikë të njohur, por me risitë e tij që do të shpalosen në këtë kolanë veprash që ka gjasa të vazhdojnë gjatë në vite jete e pune të tij.
3.Studiuesi Nikollë Loka në këtë vepër punon njëherash njësoj: për vete dhe për të tjerët.
Studimet e tij rrokin dhe piedestalojnë në një hapësirë të madhe në kohë e në kit’ libër. Është pjesë e thuktë ku punon për vete si doktorant, me punime shkencore që do iu qëndrojnë kohës si vlera të mirëfillta shkencore.
Autori në pjesën tjetër, ku punon për të tjerët, iu bën vend, nder, vlerësime atyre. Qoftë me libra autobiografik si në rastin e librit të Zef Pepajt. Ashtu dhe në librin monografik si në rastin e monografisë Bibë Doda i Luigj Martinit.
4.Nikollë Loka në kit’ vepër, në vëllimin e parë të saj, synon dhe ia mbrrin me sukses të evdentoj pjesë historie dhe personalitete.
Ndër aspektet historike është ndalë në proçesin historik të formimit të krahinës së Mirditës, ku, aty, jep disa veçori karakteristike të treevave të saj, të bajrakëve të saj.
Si karaktëristikë e Mirditës del qëndresa e gjatë e saj, e cila në kushte të caktuara historike shpërblehet me atë që në Historinë e Shqipërisë është quajtun “Vetëqeverisja kanunore e Mirditës”. Autori Loka thekson me të drejtë se karakteristikë e veçantë e qëndresës në Mirditë me Malësitë e tjera të Veriut është se mundi të sigurojë një vetëqeverisje më të avacuar. Ky ishte një realitet historik praktik në bajrak të Shqipërisë së Veriut, pasi siç konstaton dhe prof. dr. Kahreman Ulqini, këta zotëronin një shkallë vetëqeverisje krahasue me pjesët e tjera të vendit.
5.Trajtimi shkencor i dy familjeve shqiptare princore Blinishtët e Spanët përbajnë një arritje, një kontribut, një nga kulmet e mendjes e penës së doktorant Nikollë Lokës.
Ai merret veçmas, thellësisht e tërësisht me këto dy familje princore, pasi këto, në një mënyrë e tjetër i kanë lidhjet e veta me Mirditën.
6.Në kit’ vepër Nikollë Loka ka kontribute në fushën e arsimit, pasi aty trajtohen disa nga themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar.
Një prej tyre është Lazër Çefa, baba i Anton Çefës, ish sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit e drejtor i gjimnazit të Tiranës. Ishte një nder themeluesit e administratës shqiptare në fillimet e shtetit shqiptar. Ishte diplomat. I dekoruar nga Franca me Urdhërin e Kalorësit. Ishte dhe shkrimtar, përkthyes, autor tekstesh, etj.
Tjetri është Kolë Margjini, një nga specialistët e parë me diplomë pedagogjike që iu përgjigj thirrjes së Qeverisë së Vlorës për të kontribuar në fushën e arsimit. Ky, ma vonë, do të jetë drejtori i parë i gjimnazit shqip të Prizrenit dhe drejtues i kursit përgaditor të mësuesve në Prishtinë, nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i vdekur në burgjet serbe. Sot, Mësues i Popullit.
Ndue Paluca është një ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar, sekretar i Komësisë Letrare Shqipe në Shkodër, drejtor i gjimnazit të Shkodrës e të Tiranës, baba i Artistes së Popullit, Marie Kraja. I emigruar në Austri e, pastaj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tjetër kontributor i arsimit kombëtar shqip është Preng Kaçinari, Mësues i Popullit. I diplomuar për sociologji në Universitetin e Lionit në Francë. Punoi në gjimnazet e Shkodrës, Tiranës e Durrësit. Ishte antifashist, pjesë e Ballit Kombëtar Shqiptar. I arrestuar në rrethana të pasqaruara krejtësisht. I gjykuar në një proçes politiko-juridik sëbashku me Arshi Pipën. Lirue për shkak të një sëmundje të pashërueshme. Pati një traumë psikologjike. Iku me një vdekje tragjike. Sot, Mësues i Popullit.
Historiani Nikollë Loka na e sjell në faqet e këtij libri edhe një nga mësuesit mirditor të njohur, Zef Shkorreti. Ai kishte një formim akademik modest, po me një vullnet të jashtëzakonshëm për të përballue vështirësitë e shumta e të mëdha të Mirditës në vitet 1945-1960. Ai vdiq në krye të detyrës.
7.Studiuesi doktorant Nikollë Loka në kit’ vepër të tij të sodit na i sjell disa figura historike nga Mirdita. Këto figura vijnë si kontribute studimore të autorit apo si recensa për librat e autorëve të tjerë.
Në recensën për veprën “Bibë Doda” të dr. Luigj Martinit studiuesi Nikollë Loka thekson se përveç karakterit luftarak të Bibë Dodës del dhe personaliteti diplomatik e politik i tij.
Ai, gjithashtu, nëpërmjet figurës së Preng Marka Prengës na jep krejt historinë politike të Mirditës në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe gjysmën e parë të shek. XX.
Në recensën për librin autobiografik të Zef Pepës, nënprefekt në kohën e Mbretnisë Shqiptare e të pushtimit të mavonshëm, nëpunës në periudhën e komunizmit, autori Nikollë Loka del me përfundimin se periudha e Luftës është e ndërlikuar dhe për të arrit’ në gjykime të drejta për personalitete të caktuara duhet t’iu qasemi atyre individualisht. Antifashizmin nganjiherë e gjejmë edhe në zyrtarët e angazhuar në administratën nën pushtim.
Një recensë të veçantë i bën Nikollë Loka librit të përgaditur nga nxanësi, atëherit 17 vjeçar, Gerald Duka, që flet për Hasburgët e Austrisë dhe rolin e tyre në Cështjen Shqiptare.
8.Ky libër i doktorant Nikollë Lokës me trajtesa shkencore e informime shumëplanëshe, që duhen thellue në të ardhmen e punës së tij akademike, publicistike, pedagogjike, në të gjitha dimensionet e tij na e jep mësimin e madh të jetës: Ta duash Atdheun, Kombin Tënd, me gjithë zemër e të bësh më të mirën për Të në rrethanat në cilat ndoshesh, ta zbatosh ligjin dhe ta përdorësh atë për të ndihmuar njerëzit.
E në përmbyllje, një urim për autorin mirditor” Të qoftë e Mirë Dita, Pena, jeta, veprat!