*“Marrëveshja dypalëshe në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vlefshmërinë e pasaportave të Kosovës për dhënien e vizave jo-emigruese në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, “Marrëveshja për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë”, “Marrëveshja ndërmjet Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet në të ardhurat dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies”/
-Mustafa: Në asnjë rast zgjedhjet nuk mund të lidhen me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, qeveria po bën një punë shumë të mirë/
PRISHTINË, 16 Nëntor 2016-Behlul Jashari/ Qeveria e Kosovës miratoi sot në parim nismat për lidhje të tre marrëveshjeve ndërkombëtare: “Marrëveshjes dypalëshe në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vlefshmërinë e pasaportave të Kosovës për dhënien e vizave jo-emigruese në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, “Marrëveshjes për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë” dhe “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet në të ardhurat dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies”.Gjatë mbledhjes, qeveria e Kosovës mori edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet me interes publik të pronave që preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit me Serbinë në dy vendkalime – Merdare dhe në Bërnjak. U mor edhe vendimi preliminar i shpronësimit për interes publik të pronave që prekën nga ndërtimit i autostradës nga Prishtina deri në venkalimin kufitar me Maqedoninë-Hani i Elezit.Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 116-të të rregullt, të 48-ën këtë vit.
Në hapje kryeministri i Kosovës foli për zhvillimet dhe ngjarjet e rëndësishme të një jave më parë. “Ne, së bashku me komisionerin Hahn javën e kaluar kemi lansuar Axhendën e Reformave Evropiane, e cila krijon infrastrukturë të qëndrueshme për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si marrëveshje e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian. Javën e kaluar, po ashtu, kemi marrë Raportin e Progresit ose Raportin e vendit në të cilin në disa fusha të rëndësishme tregon progres të Republikës së Kosovës dhe po ashtu evidenton fusha në të cilat ne duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha për të ndryshuar gjendjen”, theksoi kryeministri Mustafa.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, pas më pak se një muaji mbushë dy vjet të punës që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Zërave për zgjedhje të reja të parakohëshme parlamentare në Kosovë kryeministri Mustafa u është kundërpërgjigjur edhe nga mbledhja e sotme e kabinetit qeveritar duke u shprehur se, “në asnjë rast zgjedhjet nuk mund të lidhen me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi” dhe se, “qeveria po bën një punë shumë të mirë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, informoi kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, në Indonezi, si dhe për përgatitjet që janë duke u bërë për të aplikuar në këtë organizatë të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Kryeministri Mustafa, në emrin personal dhe të qeverisë uroi Policinë e Kosovës për vlerësimin e lartë të marrë nga raporti i Transparency International. “Kjo flet që kemi një organ i cili është krejtësisht i pavarur, që bënë punën e vet dhe që ka arritë që të ketë një vlerësim shumë të lartë nga një organizatë prestigjioze ndërkombëtare”, u shpreh ai.