• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË AKSIDENT AUTOMOBILISTIK

January 14, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
E kush e mendonte se do dëmtohej keqas, me frakturë në të dy këmbët dhe goditje e shembje në kokë Minella Mosko, thuajse më i riu midis nesh? Dhe ishte duke shkuar në një mbrëmje për të parë një koncert me muzikë orkestrale.
Minella Mosko është pjesëtar aktiv i një grupi të madh vlonjatësh, pensionist të ardhur në Tiranë ndër vite, që mblidhen e bisedojnë thuajse çdo ditë, duke pirë nga një gotë kafe, apo çaj te Bar Restorant “Ulqini”, në qendër të Tiranës.
Minella Mosko është më i gjatë, më i ri, më i mbajturi dhe më “pasionanti demokrat”, në këtë grup, heterogjen në anësitë politike, po me dashuri të ndërsjellët të pandarë, të respektuar dhe në asnjë rast të fyer apo të detyruar. Me gjithë përpjekjet dhe kahet e tyre parësore drejt kulturës, ekonomisë dhe shkencës, është e pashmangshme cekja me problemet e përditshme politike, ndikuar nga qëndrimi i përgjithshëm mediatik e televiziv bashkëkohor. Ndizet shpesh biseda dhe Minella mbron me këmbëngulje dhe argumente, të djathtën e vendosur pozitive, pa u tërhequr për asgjë dhe në asnjë rast. Dhe një tjetër çudi: rastiste të mungonte Minella, siç po ndodh prej 8-9 ditësh dhe biseda fashitet, se ngelet memece shumica, thuajse e njëmendshme.
Po, kush është Minella Mosko? Ai erdhi në Vlorë fare i vogël dhe gjithë jetës aktive, thuajse e kaloi në qytetin e Vlorës. I lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1937 Minella ishte djali më i vogël i Vango Moskos, një këpucar i talentuar, i pasuruar nga aftësitë dhe përpjekjet vetjake dhe që u kujdes gjatë e me durim për mirërritjen dhe shkollimin e tij. Pasi kreu cilësisht Gjimnazin Ali Demi në Vlorë dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, punoi pak kohë në Fermën Bujqësore Thumanë dhe pastaj deri në fund si ekonomist, fillimisht në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv të K.P.Rrethit Vlorë dhe si Shef Plani, në Kooperativën Bujqësore të Tipit të Lartë Novoselë të Vlorës. Pas ndryshimeve demokratike edhe pse u aktivizua gjallërisht qysh në ditët e para, për arsye ekonomike emigroi familjarisht në Greqi dhe pas shumë vitesh në Selanik, (ku sot banon djali me familjen e tij) u kthye e u vendos si pensionist në Tiranë, ku kishte të punësuar vajzën e tij të dashur.
Me këtë rast, duhet theksuar, se Minella Mosko, fqinjët Grek, i adhuron së tepërmi, jo vetëm për kulturën dhe antikitetin e hershëm të lavdishëm, (që e njeh mirë) po dhe sepse i quan popull mikpritës, të gëzueshëm e jetësor e për më tepër, luftarak atdhetar e antiturq të vendosur.
Njerëzit, thonë përgjithësisht fjalë të mira kur p.sh. dikush vuan e përpëlitet në spital dhe përcjell halle të kësaj bote të mundimshme, siç bëmë edhe ne sot, një grup shokësh që vizituam dhe takuam në vuajtje atë. Por, është më se e vërtetë, (dhe ky është mendim i përbashkët absolut), se Minella Mosko është një qytetar me kulturë e zgjuarsi, me dije të gjerë dhe me mendim të vetin. Jo vetëm për kontributin e tij në drejtimin konkret të ekonomisë për shumë vite, si drejtues ekonomik, organizator edhe studiues, por dikur edhe si një djalosh energjike i dalluar për kohën, dhe me prirje shkencore. Unë jam dëshmitar për punët e tij drejtuese shkencore në ekonomitë bujqësore dhe për studimet specifike p.sh. në drejtimin dhe organizimin e transportit të brendshëm me efektivitet, që tërhoqi për kohën vëmendjen mbarëkombëtare, etj.
Me këtë rast dua të nënvizoj faktin se e veçantë, që i bie në sy kujtdo sa e takon dhe bisedon me të direkt, (mandej edhe si poliglot në disa gjuhë deri anglisht, rusisht, italisht e greqisht), është bagazhi dituror i tij i pasur dhe enciklopedik, në ekonomi, filozofi, letërsi, art dhe kulturë.
Ai fatmirësisht dhe pse në mënyrë autodidakte, është i thelluar dhe njohës i mirë i muzikës klasike sidomos, sepse nuk lë koncert e operë pa parë disa herë, pas premierës, që e ka normë të detyruar. Ai është njohës i vlerësuar i pikturës, si i rritur në studiot e piktorëve të mëdhenj vlonjat Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi, që i ka ndër shokët më të afërt, si dhe njohës analitik i plejadës së “Shkollës Vlonjate të Pikturës”, veprat e të cilëve i njeh dhe i interpreton me aftësi, një nga një.
Minella Mosko është një bibliofag, lexues i pashkëputur çdo ditë, i vëmendshëm e i thelluar i letërsisë, sidomos asaj shqiptare. Ushqen një respekt të veçantë për gjeniun e letrave shqip, Ismail Kadarenë dhe s’ka lënë faqe të librave të tij pa lexuar e përhapur, mandej dhe të gjitha librat në prozë e poezi të Agollit, Arapit dhe deri te të Pandeli Koçit, Reshat Kripës, Përparim Hysit dhe Eden Babanit, etj. Ato faqe libri të pagoja, e dinë se ç’heqin nga nënvizimet shumëngjyrëshe, me theksime e vërejtje prej profesionisti, deri te nënvizimi i gabimeve ortografike, ku “nuk të fal”. Në këtë drejtim, Minella Mosko, ka edhe meritën, për disa libra të jetë bashkëpunëtor, si korrektor letrar.
Minella Mosko është poliglot dhe i ditur, po dhe shpirtmirë, i virtytshëm dhe shok i dashur e i gatshëm për të ndihmuar këdo, ndërkohë i shkathët, jetësor, siç është dhe trupmadh e i fuqishëm.
Kush e dëgjoi se ai u bë pre e një aksidenti automobilistik gjatë rrugës, e shpjegon me vitalitetin e tij të pazakontë për moshën, që e shpuri të vetmuar në rrugën me shumë trafik automobilistik, drejt Sallës së Koncerteve të Akademisë së Arteve, në këtë ditë të ftohtë dimri, ndërkohë që ne moshataret e tij, lakmonim një qoshk të ngrohtë e të qetë pranë shtëpisë.
Ai kërkonte, siç bën gjithnjë, një kënaqësi të muzikës klasike më shumë edhe pse midis ftohmës, vuajtjes dhe rrezikut. Ai gjithnjë ka qenë një njeri, që “nuk e gris kohën kot”, po me tërheqje, pasion e dëshirë për artin.
Minella Mosko u dëmtua, pa asnjë faj të vetin, se e goditën buzë mbrëmjes midis rruge, nga mbrapa dhe dhunshëm, qoftë dhe pse aksidentalisht. Ai ç’prej 10 ditësh është në Spitalin e Traumës Laprakë, Tiranë dhe nuk dihet sa dhe kur do rikuperohet plotësisht. Minella Mosko u sakrifikua, në kërkim të Artit!
Nderim, jetë e shëndet dhe shërim të shpejtë e rehabilitim të plotë Minella Moskos!
Tiranë, më 14.01.2015

Filed Under: Komente Tagged With: Luan Cipi, NJË AKSIDENT AUTOMOBILISTIK

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT