Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/
Fletore koniciane nr. 21./
Nga Fotaq Andrea/
Është faktikisht e vetmja letër, e zbuluar dhe e botuar gjer më sot, e shkrimtarit dhe poetit francez Gijom Apoliner drejtuar mikut të tij Faik Konica. Kur njihen tashmë shtatë shkrime apolineriane që portretizojnë Konicën dhe shqiptarët në përgjithësi. Është një dokument me vlerë të veçantë që vërteton lidhjet tejet miqësore Konica-Apoliner, që zgjatën një dekadë (1903-1913), me anë letërkëmbimi, por edhe me bashkëpunim të ngushtë në fushën e Letrave e, mbi të gjitha, me shkëmbim mendimesh dhe përvojash, deri në qarje hallesh e këmbim erudicioni.
Letra e Apolinerit për Konicën, të cilën po e japim më poshtë të përkthyer për herë të parë, është botuar në veprën “Guillaume Apollinaire, Correspondance générale”, vëllimi l, përgatitur nga Victor-Martin-Schmets, Paris, 2015. Mban numrin rendor 399; është letër autograf me firmë, zbuluar më 2007 dhe shitur në ankandin francez Drouot.
Ku qëndron konkretisht interesi i kësaj letre për publikun dhe studiuesin shqiptar të jetës dhe veprës së Konicës? Por më tej, edhe për vetë studiuesit francezë, që pak janë ndalur në marrëdhëniet Konica-Apoliner, gjë që do ta bënte për herë të parë me sukses akademiku Luan Starova në fund të shekullit të shkuar.
Në fakt, sa herë përmendet lidhja epistolare Konica-Apoliner, gati tërë studiuesit francezë, por edhe ata anglo-amerikanë e përqendrojnë vëmendjen te dy vizitat e Apolinerit në Londër (më 1903 dhe 1904) tek miku i tij shqiptar, në kërkim të Annie Playden, e dashura e zemrës e poetit të ri simbolist, që u bë për të burim frymëzimi për tre poema nga më të bukurat të modernitetit francez. Veçse, një analizë e hollësishme e marrëdhënieve Konica-Apoliner nxjerr në pah, para së gjithash e mbi të gjitha, lidhjet e tyre miqësore tepër të veçanta, mbi baza të fuqishme shpirtërore, talenti e erudicioni, interesi të ndërsjellë intelektual e konceptual, në kërkim gjithsecili – në mënyrën e vet dhe në kushte të caktuara -, të modernes së përparuar në krejt format e veta shprehëse, qoftë për Letrat shqipe, qoftë për Letrat frënge, në atë fillim të shekullit XX, kur përherë e më shumë po shpërtheheshin kufijtë e ngushtë të tradicionales retrograde, të dogmave dhe konservatizmit, në favor të lirisë së mendimit dhe të shprehjes, të Lirisë në kuptimin suprem të fjalës.
Edhe pse e shkurtër, kjo letër flet shumë në disa rrafshe:
Së pari, Apolineri i hap zemrën Konicës kur i thotë : “Jam njeriu më i lodhur i botës, i lodhur nga gjithçka, përveçse Letrave”. Një pohim i tillë i guximshëm, që shfaq një gjendje shpirtërore në rënie, një lodhje nga jeta, nga hallet, stërmundimet, i bëhet përgjithësisht një njeri tepër të afërt, i konsideruar si i familjes. Dhe jo rastësisht, vetë përshëndetja në mbyllje të letrës është: “Juaji vëllazërisht”, mjaft e veçantë nën penën e Apolinerit dhe kurrsesi jo një formulë formale. Sepse, Apolineri 23 vjeçar (1903), vërtet ka pasur një shoqëri tepër të gjerë dhe bashkëpunim të ngushtë me intelektualë të kohës që do bënin emër në fushën e modernitetit, por drejtori i revistës “Albania”, Faik Konica, me të cilin ai do korrespondonte që në shtator 1903 dhe do ta njihte nga afër dy muaj më vonë në Londër, do hante bukë veç në atë shoqëri të gjerë intelektuale të “La Plume” dhe “Le Festin d’Esope”. Fakti është që ndër miqtë e parë të Apolinerit, Konica do bëhej mik i rrallë e i veçantë, me intelektualitet të lartë e përvojë të pasur jete, studimi dhe botimi. E mbi të gjitha, me të ai do ndante të mirën e të ligën, siç thotë shprehja popullore.
Kur ndjek me hollësi letrat e Konicës për Apolinerin, nuk ka si të mos ndjesh që shqiptari do t’i bëhej frëngut “mik për kokë”. Vërtet Konica ishte vetë i ri në moshë (27 vjeç), por kishte pjekuri e thekuri në jetë, dinte ta nuhaste talentin e veçantë, atë dikush të penës, penelit apo notës muzikore, dinte ta piketonte kudo që të ndodhej, sidomos në Parisin kërthizë të kulturës europiane. Me një fjalë, Konica e “blinte” talentin e ri nga mënyra si shkruante, nga erudicioni që shpaloste e mbi të gjitha nga “e reja” letrare dhe artistike që sillte e përfaqësonte. Nga ky këndvështrim, lidhja miqësore e Konicës me Apolinerin do të shfaqej që herët, që në fillimet e para të krijimtarisë apolineriane, kur poeti modern frëng ende nuk ishte afirmuar si personalitet botëror i Letrave, si teoricien i Frymës së re, të artit të ri poetik në përmbajtje dhe formë, pararendës i surrealizmit. Sidomos, në këtë lidhje miqësore të tyre, do gjente kuptimin e vet të plotë shprehja e bukur shqipe “bukë e kripë e zemër” kur gjeniu i Letrave shqipe do t’i hapte derën e shtëpisë dy herë radhazi në Londër gjeniut të ardhshëm të Letrave frënge për të ngrënë bashkërisht shqiptarçe, në një çanak e konak, atë “thes me kripë” të miqësisë së pastër. Shkrimtari André Billy, te parathënia e “Veprave të Plota” të Apolinerit në koleksionin e famshëm “Pleiade” do të vinte në dukje: “Në shtator 1903, një rast i dhurohet atij [Apolinerit] për të bërë pa e zgjidhur qesen një udhëtim në Londër : një shqiptar, që ai nuk e njeh veçse me anë letrash, dhe që drejton atje një revistë, “Albania-n”, e fton për vizitë. Dhe ai shkon më se i vendosur për të takuar Anin[…]”. Pra, në ftesën dhe në pritjen që i bën mikut frëng në shtëpi të tij, me një njohje aq të shkurtër, Konica nuk bën gjë tjetër veçse shfaq cilësinë karakteristike shqiptare të mikpritjes, duke falur besim të plotë, me dorë në zemër.
Po ashtu, në kushte mjaft të veçanta emigracioni (dy herë i dënuar me vdekje nga Padishahu dhe i gjurmuar nga censura turke, belge, etj.), Konica do priste në Londër edhe Albert Kostrowitzki-n, vëllain e Apolinerit, një fakt më shumë që i jep miqësisë së tyre një kuptim edhe më familjar, duke e tejkaluar lidhjen e thjeshtë si dy miq europianë.
Së dyti, kjo letër nxjerr në pah edhe një element tepër domethënës në marrëdhëniet Konica-Apoliner: që lidhja e tyre shfaqet për të sajtën herë mbi baza intimiteti, konfidencialiteti dhe besueshmërie të plotë e të ndërsjellë. Konkretisht, më 1912, Apolineri i kërkon Konicës – as më shumë e as më pak – të bashkohet me të në Amerikë, dhe jo thjesht për vizitë apo për një kohë të caktuar, por për t’u vendosur përgjithnjë në Kontinentin e ri, për të punuar së bashku: “Unë nga ana ime, thotë frëngu, do të shkoja me dëshirë në Amerikë dhe, sikur të kuptonit që unë do mund të jetoja aty në mënyrë të kënaqshme, më jepni sinjal dhe unë do vija të bashkohesha me ju”. Nuk ka më qartë: Apolineri do që të shkëputet njëfarësoj nga Franca, nga rrethi i gjerë i miqve të tij, t’i shmanget e t’i largohet vetë famës së tij në rritje e sipër. Duket këtu, në sipërfaqe, një si diçka paradoksale nga ana e Apolinerit, por që fsheh shumë gjera në thellësi, e mbi të gjitha, një vuajtje të madhe shpirtërore të gjeniut frëng. Dhe jo pa arsye: një vit më parë, për shkak të një gabimi gjyqësor, në gusht 1911, Apolineri ishte akuzuar dhe mbajtur disa ditë në burg për vjedhjen nga Luvri të Xhokondës, vjedhje e bërë nga italiani Vincenzo Peruggia, ish xhampunues në Luvër që kishte vënë nën xham kryeveprën e pikturës botërore. Më pas, mbi bazë denoncimesh anonime, për ta poshtëruar e njollosur, Apolineri akuzohet për vjedhjen e tre statuetave fenikase po nga Luvri, kur këtë vjedhje e kishte bërë tanimë ish sekretari i tij belgu Gery (Henri) Pieret. Dyshohej për bashkëfajësi në këtë vjedhje edhe vetë Pikaso. E zbardhur juridikisht, çështja do mbyllej pas disa ditësh, pa asnjë pasojë për korifenjtë e letërsisë dhe artit avanguardist. Veçse tronditja për Apolinerin do të ishte e madhe. Dhe lavdia e tij në rritje – kur propozohej në atë kohë për çmim “Goncourt”, kur organizohej peticion nga personalitete të shquara për ta mbrojtur dhe për të vënë në vend nderin e tij, kur Elemir Bourges dhe Remy de Gourmont e shpallnin publikisht Apolinerin “njeri të ndershëm, të pastër, fisnik nga shpirti dhe pena, mik bujar e të sigurt, që kishte për pasion vetëm artet dhe librat e tij” -, kjo lavdi pra, nuk do ta ngushëllonte aspak djaloshin Apoliner, plagosur dhe gati asgjësuar moralisht. Andaj dhe ai i kërkon me aq delikatesë e finesë sivëllait të tij shqiptar Konica një sinjal grishjeje për të jetuar e punuar në Amerikë të dy së bashku, të dy në kushte emigracioni!
Dhe nuk është hera e parë që ndodh kështu në marrëdhëniet e tyre. Sepse, siç kemi vënë tashmë në dukje (“Fletore konicane nr.2”), letërkëmbimi Konica-Apoliner shfaq shumë herë telashe financiare të të dy miqve të ngushtë, kufizime, nevoja për botim e jetesë normale. Kështu, në 20 nëntor 1903, Konica i shkruan Apolinerit: “Mësojeni mirë anglishten. Keni të drejtë. Sepse shpresoj që brenda pak muajsh t’ju shoh sërish në Londër. Nëse do hidhni spirancën në Angli, do të isha i lumtur, sepse kam besim në tregtinë tonë intelektuale” (nënvizimi i ynë). Po aty, pak më tej: “Do dëshiroja së tepërmi ta shihja veten të fuqizuar, mbi baza të shëndosha […]. Do dëshiroja madje të ndihmoja edhe unë vetë materialisht, sikur ata horra turqish […] nuk do më kishin kufizuar së tepërmi mjetet.” Është fjala këtu për një ndihmë financiare të Konicës për Apolinerin që ky të vazhdonte të botonte në Paris revistën e tij “Le Festin d’Esope”. Në fakt, siç vënë në dukje studiuesit e veprës apolineriane, Konica, jo vetëm që bënte pjesë që në fillim në Komitetin themelues të revistës së Apolinerit, por kishte ndihmuar edhe financiarisht mikun e tij. Në këtë drejtim, Pierre-Marcel Adema, specialist i veprës apolineriane, në librin “Guillaume Apollinaire, Jetë perpendikulare” thekson: “Udhëtimi i tij [në Londër 1903], ishte i shkurtër. Ndonëse kishte përfunduar me një dështim sentimental [me Annie Playden], të paktën kishte arritur të përfitonte një kompensim, bashkëpunimin dhe ndihmën e Faik beg Konitza-s për revistën e tij “Le Festin d’Esope” (nënvizimi ynë). Dhe Adema që shton se numri 2 i revistes apolineriane do kishte 20 faqe nga 16 (i pari), si dhe më shumë shkrime e autorë falë ndihmës konkrete materiale të Konicës!
Në mënyrë tepër domethënëse, lidhjet vëllazërore të shqiptarit me francezin shfaqen sidomos në letrën e 19 gushtit 1904, kur Konica i shkruan Apolinerit: “[…] jeta e një të larguari politik, drejtues i një lëvizje separatiste [si unë], s’ka si të mos përmbajë ndoca telashe, sidomos financiare. Shumë nga miqtë e mi janë arrestuar kohët e fundit dhe pronat e mija janë sekuestruar […]”. Dhe më tej po aty – në një kohë kur Apolineri njihte probleme të mëdha financiare dhe kreditorët i ishin qepur pas për të shlyer borxhet -, Konica e pyet mikun e tij: “Si po ja bëni me persekutuesit tuaj? Shpresoj se keni arritur t’ia dilni mbanë. Nëse e shihni veten të detyruar të largoheni nga Parisi, mendoj që Londra do të ishte për ju një strehë tërheqjeje më e mirë nga çdo vend tjetër. Madje mund të projektojmë së bashku themelimin [sic!] e një reviste po qe se mundësitë e mija financiare më lejojnë të kontribuoj në këtë mes”. Le ta përfytyrojmë një çast këtë bashkëpunim të ngushtë Konica-Apoliner më 1904, në krye të një reviste europiane, siç e propozon konkretisht drejtori i “Albania-s”! A nuk do kishim vërtet një skenar e regji nga më të denjat për një film hollivudian?!
Pra, nuk ka më qartë: të dy miqtë tanë komunikojnë ngushtë dhe flasin hapur e çiltër për projekte “që mund të kishin modifikuar plotësisht trajektoren e poetit”, siç thotë prof. Pierre Caizergues në studimin “Letra të marra nga Guillaume Apollinaire” (Revue d’Histoire Littéraire de la France, shtator-tetor 1905, f. 774). Veçse, në këshillën e urtë të “vëllait” të madh për “vëllain” e vogël -, ashtu si edhe për çështje të dashurisë apo të zemrës -, Konica tregohet tepër i pjekur e i kujdesshëm kur i shkruan Apolinerit më 2 shkurt 1905: “Të shkosh në Amerikë me idenë për t’u vendosur aty dhe për t’u marrë me afarizëm, është, për mendimin tim, një aventurë që nuk ia vlen në gjendjen e sotme të atij vendi. Por të shkosh aty për të zënë një katedër të qetë si profesor, dhe për më tepër me 25.000 franga në vit, si ajo që ju kanë propozuar për në Salt Lake City, kjo, për besë, s’ka pse kundërshtohet. Përse u dashka ngurruar, po qe se propozimi është serioz?” (Letra 24). Nuk ka më qartë, më çiltër, më vëllazërisht – gjë që vërteton katërçipërisht thënien e specialistit më të mirë të veprës apolineriane Michel Décaudin kur shprehet për studimin madhor të Luan Starovës “Faik Konica dhe Gijom Apoliner, Një miqësi evropiane”: “Del nga ky libër se këmbimet midis Apolinerit dhe Konicës janë larg së qeni krejt të rastësishme apo anekdotike. Ato nxjerrin në pah, siç e thekson më së miri Luan Starova përafri të thella që nuk mund të anashkalohen”. (Que Vlo-Vle? korrik-shtator 1998).
Së treti, siç pasqyrohet edhe në këtë letër, lidhja Konica-Apoliner, sado e fuqishme që shfaqet, ka mbetur edhe sot e kësaj dite brenda një kuadri të ngushtë, aq sa nuk është bërë gjer më sot objekt i veçantë studimesh apolineriane. Dhe kjo, për mendimin tonë, ka arsyet e veta: në shoqërinë e tij të gjerë intelektuale, të zhurmshme e vluese në ide dhe reforma artistike, Apolineri nuk e përmend me emër Faik Konicën, nuk e “popullarizon”. Ndoshta ai e bën këtë për të ruajtur figurën e një “udhëheqësi politik e separatist” si Konica, kur Shqipëria vazhdonte të bënte pjesë në Turqinë europiane; ndoshta e bën për të mos e kompromentuar dhe dëmtuar kurrsesi mikun e tij fisnik, duke shmangur përgjimet e censurës dhe të hafijeve turke që asnjëherë nuk e kishin lënë rehat rilindësin shqiptar në emigracion. Veçse, në shkrimet e tij, ai nuk mungon ta paraqesë Konicën me pseudonimin “Spiroberg”, qoftë te revista e tij “Le Festin d’Esope”, qoftë te “Ditari i tij intim, 1898-1918”. Madje edhe dy shkrimet e Faik Konicës te “Le Festin d’Esope” (“Skicë metodë për t’u duartrokitur nga borgjezët – dhjetor 1903” dhe “Mashtrimi më kolosal në historinë e llojit njerëzor” – qershor 1904) janë botuar thjesht me pseudonimin “Thrank-Spiroberg”. Aq sa shumëkush në atë kohë ia njohu këto shkrime vetë Apolinerit, si krijime të tij letrare, sikurse personazhi i dyfishtë i Pablo Kanurit (Pikaso dhe Konica) që Apolineri krijoi me mjeshtëri te “Gruaja e ulur”. Madje, edhe kur Apolineri e shfaq mikun e tij me emrin e vërtetë, si te kronika “Bileta e një diplomati të vjetër” (janar 1906) dhe te portretizimi “Faik beg Konitza” (“Jetë anekdotike – 1912), përsëri, ka skeptikë që nuk e besojnë Apolinerin për çka shkruan me aq vërtetësi për mikun e tij të hershëm shqiptar (dëshmon këtu edhe letra që po botojmë). Në fund të fundit, fakti është se nën penën apolineriane, kemi sot një stoli-flori e thesar për gjeniun rilindës Konica, si figurë e lartë e intelektualitetit europian dhe si burrë shteti i vërtetë: “Nëse Shqipëria do të ishte shtet, ai do të ishte padyshim kryeministër i saj. Albanolog, sanskritist, bile edhe jamatolog, beu Konica njihet prej dijetarëve të krejt Europës”. Ja fjalë të arta të Apolinerit për Konicën tonë.
Nga ana tjetër, nuk mund të mos theksojmë rastet kur Apolineri është bërë, siç thotë studiuesi P. Caizergues, “zëdhënës i Konicës për mbrojtjen e kauzës shqiptare, [sic!] një preokupim më i përgjithshëm e me konstant i poetit: mbrojtja e minoriteteve të shtypura” (“Que Vlo-Vle?, prill-shtator 1983). Fakti është se Konica i besoi gjeniut frëng të Letrave jo vetëm misione të rëndësishme publicistike për demaskim figurash politike që i prishnin punë çështjes shqiptare, si princërit Albert Ghica (Gjika) dhe Aladro Kastrioti, pretendues për fronin e Shqipërisë, por edhe misione tepër “delikate” për veprimtari të mirëfilltë propagandistike. Përmendim rastin kur Konica i dërgon Apolinerit më 29 shtator 1909, me postë – dhe me shumë marifet për të shmangur censurën – 68 broshura me një “Thirrje drejtuar popullit shqiptar”. Në letrën shoqëruese të broshurave, Konica thekson : ” Një nga komitetet tona i drejton një thirrje popullit shqiptar. Për t’ua larguar turqve vëmendjen nga burimi i kësaj proklamate, u vendos të bëhet dërgimi i saj nga shumë anë të Europës. Tashmë kam bërë gati dhe kam vulosur 68 pakot që duhet të nisen nga Franca. A mund t’i besoj besnikërisë së një miku dhe heshtjes suaj prej fisniku për të më bërë këtë shërbim? Do t’jua dërgoj këto qarkore me një kolipostë, dhe juve s’ju mbetet veç t’i hidhni në kutitë shpërndarëse të shtypit. Por nuk duhet përmendur te askush kjo çështje. Duke qenë se qeveria franceze e urren lirinë dhe ka maninë të fusë hundët kudo, mund të qëllojë t’ju pyesin se nga vijnë këto letra dhe për çfarë arsye. Në këtë rast s’u mbetet veç të thoni të vërtetën, ose njëfarësoj.” (Letra 38).
Po ashtu, më 16 tetor 1913, Konica i dërgon Apolinerit nga Raguza një qarkore në frëngjisht në emër të “Senatit të Shqipërisë qendrore”, në kohën kur ai bëri pjesë përkohësisht në Qeverinë provizore të Durrësit. Në letrën shoqëruese të qarkores, ai thekson: “[…] Po përshkojmë një krizë tepër të mundimshme, por shpresoj se më në fund do t’ia dalim mbanë. Mbërritur dje në Raguzë për t’u telegrafuar Fuqive tekstin e një dokumenti të rëndësishëm, do rikthehem sot për në Durrës, ku banoj hëpërhë. Dokumenti në fjalë mund t’i interesojë mikut tuaj […]. Miku juaj është në dijeni të gjërave të Shqipërisë dhe e kupton fare mirë rëndësinë e ngjarjeve të fundit. Po prapë, ka një fakt të ri që ka ndodhur qëkurse ai është larguar dhe që duhet vënë në dukje: Austria dhe Italia, për të çelur një bankë në Shqipëri, kanë marrë privilegje të tepruara, dhe një koncesion i tillë i jep goditjen përfundimtare pushtimit ekonomik të Shqipërisë nga këto dy fuqi të Adriatikut. Lëvizja e Durrësit është një reagim i fuqishëm ndaj këtij pushtimi. Ja pse Franca duhet ta shohë atë me po aq simpati sa shihet me urrejtje në Austri e Itali”. (Letra 45). Në letër përmendet edhe emri i poetit ushtarak francez Paul Feuillatre (miku), i cili ishte takuar me Konicën në Shkodër në emër të Apolinerit, i kishte dhënë madje edhe një libër të këtij të fundit.
Së katërti dhe më në fund, si në shumë letra të tyret, të dy miqtë i qahen shoqi-shoqit për parregullsi korrespondence, për mos përgjigje a përgjigje të shkurtra, për epistolar me hope, por të pandërprerë dhe pa mbajtje mërie, duke e kuptuar mirë njëri-tjetrin në halle e mbingarkesa, në kohë e hapësira të ndryshme, e sidomos me gjendje shpirtërore shpesh të trazuar. Por çka bie dukshëm në sy në letrën e vetme të Apolinerit për Konicën zbuluar gjer më sot, (por edhe letra e tij e fundit për mikun shqiptar!) është ajo farsa apo lojnia e famshme e personazhit të dyfishtë Konica – De Casseres (“shkrimi juaj është amerikanizuar!”), të cilën e kemi trajtuar me hollësi në “Fletore koniciane nr. 15, Faik Konica, përçues i vlerave të letërsisë dhe artit avangardist europian në Amerikë”. Plot erudicion e i dëshpëruar, kur Letërsinë e sheh si shpëtim shpirtëror (“nuk heq dorë nga Letrat”, siç thotë), Apolineri i përgjigjet dyshes Konica-De Casseres (Preludit) me figura antike e letrare, i lidhur me Artin e Madh, me Xhokondën që i shkaktoi tërë ato telashe. E ndërsa fizikisht ai ndodhet në Europë, pesimist e i rënë moralisht, çuditërisht në letër, ai shfaqet shpirtërisht si të ndodhej në Amerikë (“Po jetoj që prej dy vjetësh në Amerikë në shtëpinë time”!), i arratisur kësisoj në një botë tjetër, larg shoqërisë së gjerë dhe vetë famës së tij në rritje, por tepër afër mikut të ngushtë, shqiptarit Konica, i pakapshëm në kohë e hapësirë, në ide e mendim. A nuk e cilëson me të drejtë edhe vetë prof. Caizergues Konicën tonë “l’insaisissable ami albanais Faik beg Konitza” – “i pakapshmi mik”?!
Jemi në kohë të turbullt, të stihishme e stuhishme njëkohësisht, në prag të shpërbërjes së perandorisë osmane dhe të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur nisin të ndahen kufijtë dhe zonat e interesit, të copëtohen me arrogancë trojet kombëtare në emër të “Fuqisë së madhe”; jemi në kohë të trazuar, të vetë absurdit të Luftës së parë botërore, kur edhe vetë Apolineri do merrte ashkël predhe në kokë dhe plagë të thellë që do t’i përshpejtonte vdekjen; jemi në kohë troshitëse, kur hallakateshin shpirtrat dhe Konica do linte Amerikën për t’u endur nëpër Europë në kërkim të Fatit të tij – Fatit shqiptar!
LETËR E GIJOM APOLINERIT PËR FAIK KONICËN
Për Faik Bég Konitza
[E hënë, 17 qershor 1912]
I dashur mik,
Më në fund, pata lajme nga ju, por sa shkurt! E megjithatë, nuk është se ju nuk keni pasur aspak prej meje dhe arti, po të mbetej lirik, rrezikonte të bëhej i dyshimtë. Jam njeriu më i lodhur i botës, i lodhur nga gjithçka, përveçse Letrave. Por askush nuk ua vë më veshin, dhe ja ju whitmanian, zhamist,1 ndoshta metodist, pa dyshim kuaker2, mormon3 do t’ju dëshiroja. Për sa më përket mua, kam lidhur një martesë à la mormonne4, të pazgjidhshme, me një zonjë të kohës së dikurshme. U martova me Xhokondën dhe besoj se jemi të lidhur së bashku përjetësisht. Kam njohur një Mormon që ishte martuar me nënën e Grakëve5, por këta nuk ishin aspak fëmijët e saj. Sa shumë herë kam menduar për ju! i dashur mik dhe me sa pasion kam shkruar për t’ju rizbuluar atë “Jetë anekdotike”6 që e dija që ju do ta lexonit; të gjithë në Paris pandehën se unë ju kisha sajuar fund e krye dhe një Perëndi e di që nuk ju kisha stolisur aspak, por vetëm ju kisha përforcuar me disa penelata disi të gjalla por që nuk ju ndryshojnë në asgjë. Më shkruani më gjatë nga sa e bëtë herën e fundit dhe pavarësisht nga preludi apokaliptik, mos hiqni dorë aspak nga miqtë tuaj të Europës. Unë, nga ana ime, do shkoja me dëshirë në Amerikë dhe sikur të kuptonit që unë do mund të jetoja aty në mënyrë të kënaqshme, më jepni një sinjal dhe unë do vija të bashkohesha me ju. Ja tashmë ju në kontinentin e sekojave gjigande. Ndoshta e keni parë liqenin e vogël mavi nga ku buron Misisipi7. Po jetoj që prej 2 vjetësh në Amerikë në shtëpinë time, duke shkruar një roman që shtjellohet aty dhe do desha të kisha pamje, portrete, libra për Mormonët rreth vitit 1853.8 Nëse bini në të tilla, m’i dërgoni dhe më shkruani, më thoni o poet, ç’po bëheni.
Shkrimi juaj është amerikanizuar dhe vetë ju jeni pushtuar nga harbimi i madh amerikan, ethe për gjithçka, trishtim për gjithçka, shkëlqim për gjithçka. Pres lajme, të gjata, të hollësishme, pasiononte, dhe unë do t’ju shkruaj gjithashtu.
Juaji vëllazërisht.
Guillaume Apollinaire
Paris
10 rue La Fontaine.
1 Adhurues i poetit dhe kritikut francez Francis Jammes (1868-1938).
2 Përkrahës i besimit fetar quaker, bazuar në heshtje dhe në kërkim të dritës, pa strukturë hierarkike, kur besimi fetar i përket thjesht sferës personale – kushdo është i lirë në bindjet e veta, nisur nga koncepti i “dritës së brendshme” (inner light), që ndriçon shumicën e anëtarëve të sektit.
3 Përkrahës i teologjisë së mormonizmit, i kishës së krishterë restoracioniste lindur në shtetin e New York-ut më 1830.
4 Martesë shumësie, e tipit të poligamisë apo poliginisë sipas doktrinës hormone.
5 Vëllezërit Grakë, Tiberi dhe Kaiusi, në Romën e lashtë,
6 “Faik Beg Konitza” – Jetë anekdotike, 1 maj 1912.
7 Përgjithësisht, sot pranohet se Misisipi buron nga liqeni i vogël Itaska.
8 Çështjen e mormonëve Apolineri e ka trajtuar te libri i tij “Gruaja e ulur”.