…. Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla…./
Ese nga Xhevair Lleshi/
Papritur u takuam në rrugë. Fytyrë e fisme, e mbushur plot energji të mprehtë, brenda natyrës së tij të qeshur dhe ironike, i dashur me të gjithë, edhe kur tregon për vizitat në Tomor dhe ndenjjet e tij të gjata në ish-turizmin e Beratit. Po kësaj radhe më duket se donte të më tregonte diçka krejt të veçantë. «Xhev, – më tha, – e dëgjove sot në mëngjes emisionin e Bashkim Hoxhës në News 24? Jo? Ou, paske humbur shansin e madh!…» «Pse?» «Isha unë, – shtoi, – dhe fola pak si gjatë. Provova ca emocione që s’i kisha ndjerë më parë. Domethënë thashë diçka të bukur, të organizuar mirë dhe të figurshme. Se ti e di që unë edhe flas me figura. Natyrisht kur jam i mbushur plot.» «E si ndodhi kjo?» – e pyeta gjakftohtë. «Ja, sikur po flasim të dy. Ti merre një kafe me mua, se unë do mbaj një gotë raki, sa për neps, se e kam araret, të shkretën, por të betohem kurrë nuk pi më shumë se një gotë. Se edhe raki të mirë nuk gjen dot… Po, i fola Bashkimit, sidozot flas me ty, për grupet e gjakut, grupet e njerëzve dhe për rezusin. I jashtëzakonshëm, do thuash ti, e di, mirëpo edhe Bashkimi i tillë u tregua, nuk ma preu fjalën, më dëgjoi, domethënë më dëgjuan edhe të tjerët… Eh, kemi folur bashkë në nëntëdhjetën sa jemi ngopur, si kemi dashur, kemi qenë në pararojë të fjalëve ne, s’përmbaheshim. Do ti që duke folur ti, m’u kujtove që s’kishe fre në fjalët që thoshe po varda, jepi. Ja, të betohem si atë kohë m’u duk vetja. Po ç’i thashë Bashkimit? Thjesht, ashtu si di unë. A nuk janë katër grupet e gjakut? Po. Grupi 0, grupi A, grupi B dhe grupi AB. Në grupin 0, nënvizova, bëjnë pjesë 40 % e njerëzve, edhe në grupin A po aq, kurse në grupin B të themi 12-14% e njerëzve. Mbetet kështu më i vogli, grupi AB, një kombinim i shkëlqyer. Lëre, nuk u zgjata dhe aq sa me ty, i rashë shkurt, se Bashkimi nuk të lë më shumë se 2 minuta, ta pret, por si duket i pëlqeva. Ku do dilja, thua? Ja, aty ku më dhembte mua, te grupet sociale të njerëzve. Qëndrova pak për të nënvizuar karakteret dhe temperamentet e njerëzve sipas grupeve të gjakut, por ama nënvizova se 80% e njerëzimit janë grupit 0 dhe A, kurse të tjerët, ata të grupit B dhe të grupit AB janë të veçantë. Po, po, të veçantë, as mos e çoni nëpër mend ndryshe. Dhe në mënyrë të veçantë grupi AB, domethënë intelektualët e çmuar, politikanët e mëdhenj, shkencëtarët e njohur, poetë, aktorë, biznesmenë Vip, njerëz që bëjnë diferencën. Kjo ndarje më sjell ndërmend një shaka të hidhur që kam bërë dikur. Ishim në spital dhe duhej gjak i grupit A. U thashë atyre të partisë të shkonin në Kombinatin e Tekstileve, se atje ishin njerëz të zakonshëm, tekstilistet tona të bukura dhe aq të mira, që 99,99 % kishin grupin e gjakut A. Por jo, se mos venin dhe i kërkonin gjak drejtorit, se ai, helbete ishte drejtor dhe nuk ishte në një grup me ta, por duhej të ishte i grupit B, me siguri. Ata më thanë se ishin afër Uznovës dhe mund të shkonin në fermë. Jo, u thashë me zë të lartë, lëreni fermën dhe kooperativën, ata janë të grupit 0. Ja, kështu. Më pas m’u mpi goja nga një therje e fortë, që e ndjeva instinktivisht. Kujtova se do të më vinin në trekëmbësh, por shpëtova paq. Ndoshta ngaqë ishte grupi i gjakut që mund të prishte mendjen… Shaka me zarar, miku im. Por ta ngas llafin me Bashkimin. Serioz dhe me fjali të shkurtra hyra në thelbin e asaj që doja të thosha. Deputetët, or mik, i kemi në grupin e gjakut B, sigurisht. Gjen ndonjë kokërr prej tyre që shkon te grupi AB, nuk them, por kryesisht janë B. Këta i zë 12-14 % i popullsisë. Mirëpo edhe deri këtu jemi dhe s’jemi në rregull. Se mos fusni biznesin e vogël tek 40 % i Zeros dhe i A-së. As tatimorët e zakonshëm, jo, madje edhe kongresmenët e të gjitha ngjyrave këtu hyjnë, kurse doganierët ndryshon puna, këta nuk i lë dot jashtë B-së. Të gjithë, nga drejtori, apo drejtoresha e poshtë. Ministrat dhe krerët e lartë të ministrive hyjnë tek B-ja, por me diferencime, jo të gjithë. Ka ca prej tyre që mund t’i futësh pa frikë te grupi AB. Gjaku i atyre të AB është blu, gjak mbretëror. 6-8 %. S’ka më mirë. Gjak që s’merr infeksion. Special. Ishkryeministra, kryeministra, zëvendësat e tyre, megjithëse këtu kemi ndonjë mos-dakordësí, le ta themi hapur, ndonjë ministër, sidomos kur është fjala për ata që ia dinë kimetin postit që kanë, presidentë dhe ishpresidentë, Zonja të para dhe ishzonja të para, kryegjyqtarë, kryeprokurorë, kryeavokatë, noterë të përbindshëm, kapitalistë të jashtëzakonshëm, po edhe ndonjë stomatolog si puna ime dhe e shokëve të mi të shquar, janë të këtij grupi të rrallë. Këta, miku im, nuk sëmuren përveç kur marrin ndonjë infeksion të rëndë, nuk pësojnë aksidente në rrugë, këta janë si moroitë e vampirëve, apo jo? I ke dëgjuar moroitë dhe shtriganët ti? Jo. Po mirë, që s’i ke dëgjuar më vjen keq, por të paktën lexo librat kushtuar atyre, sapo e lexova njërin, se tani m’u kujtua, e kishit botuar ju. Ma hodhe më duket, se kështu i lëshon mufkat ti. I ke pa u ndjerë. Uji të ka hyrë nën rrogoz dhe ti s’e ndien, ja e këtillë është edhe kjo punë…»
«Ta ngasim fjalën si jo. Dua të them se të veçantët e grupit AB, janë fisnikë denbabaden, të trashëguar, por edhe del ndonjë kokërr aksidentalisht. Të vështrosh personalitetin e tyre, or mik, i kulluar, flori, i bukur, i denjë për t’u pirë në kupë. Aftësi të mëdha, përsosmëri në të folur, në të shkruar, në të veshur, në të ecur, në pritje e përcjellje, impozantë, të sjellshëm tek zoti. Nuk i ke dëgjuar si flasin? As shajnë, as bërtasin, as kullosin sytë në ara të tjera, as harbojnë pas nepsit, as pinë e kurrë nuk fyejnë. Përkundrazi. Në sojin e tyre ka ish të burgosur politikë, krerë të fesë etj. Pa të kesh fat e t’i shohësh në dasma lum miku! Ç’të shohësh. Lumenjtë e parave derdhen mbi orkestrat dhe sheshet ku vallëzojnë. Të zë një histeri or djalë, saqë me siguri sëmuresh për t’u trajtuar me metodat e Frojdit! Keq puna deri këtu, thua? Jo, mua më duket mirë. Thonë se nuk ndryshon gjaku. Unë them se po, varet nga përputhshmëria e grupit të ushqimeve sipas grupit të gjakut që lakmon, nga ajri që thith, nga fjalët që u vjedh librave, nga bukuritë ku i kullot sytë, nga veshjet dhe në fund fare me ata që rri. Po të rrish me dhitë, dihet, era dhi do të vish! Ndryshe s’ka si ndodh. Por unë mbeta po ai, edhe pse i kam ndryshuar të gjitha tertipet, jetoj në Tiranë dhe në sojin tim janë futur ata me gjak AB. Po le të presin, háne sa ka Janina! Mund të jesh edhe një djalosh dhe burrë me pamje të zakonshme qethur e rruar taze, nuk ke hequr dorë nga besimi, që sidomos di të qeshësh bukur e ke sajdi për të tjerët, por nuk ke hyrë ndonjëherë në këto dyer! Jo, nuk futesh dot te grupi AB. Shumë-shumë mund të hysh te grupi B, po edhe aty me terezi të madhe. Se e qeshura nuk bën edhe aq efekt, ndonëse është ilaç i shkëlqyer sidomos për të shëruar personalitetin e infektuar. Apo s’ka tani infeksione që se si shpiken as ne që jemi mjekë – edhe pse stomatologë, s’po marrim vesh ç’bëhet. Ah, po, duhet të pish ujë lajthie, ky është edhe shkaku i ndryshimit. Ku ka më lajthi? Keni parë ju? S’e di. Por uji i lajthisë është si tërfili me katër fletë. Ti ma ke treguar historinë e atij shokut tënd që rrinte me orë të tëra duke kërkuar tërfil me katër fletë në fushën me tërfil, këmbadoras, vetëm se ia kishte vënë si kusht Lili, ajo vajza e persekutuar që s’linte dy gurë bashkë, trazovaçe e mrekullueshme! Të tjera mesele këto, vëlla. Apo s’ tingëllojnë krejt ndryshe dhe si çuditshëm, se unë nuk e kam fjalën për nëntekstin që kap ti, se po pive ujë lajthie bëhesh i lajthitur. Atë e thua ti, dhe unë nuk dola në këto shtigje në të folurën me Bashkimin. Kam parë unë, miku im, se si kandidatët për deputetë punojnë me të qeshurën sikur rrahin hekurin e nxehtë në kudhër, duan të bëhen mjeshtër, madje përpunojnë edhe tiparet burrërore të fytyrës, eshtrat, bëjnë gjimnastikë të madhe, jo llafe! Sa kam njohur nga këta. Sidomos kur janë në fund të moshës, por të gjithë ISH. Duan të vënë gojën dhe e kalojnë muhabetin tek viagra! Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla. Dhe kjo është si ato fjalët e urta të Pelivan Shatrit, e ke njohur? Si jo, kujt i them. Po kush nuk e ka njohur Pelon!»
«Po tani dua të depërtoj në thelb të çështjes. Se mirë grupet e gjakut i morëm vesh, edhe grupet e njerëzve që u përkasin atyre besoj i kuptuam. Po ç’ka mbetur akoma? Ka mbetur majaja miku im, majaja e bën brumin, ajo e thukon bukën, ajo jep shijen tjetër, ajo, pra, arrin tjetërsimin e personalitetit. Dhe s’ka më bukur se kjo. Ja le të marrim faktorin që i bashkon grupet e gjakut, që i përshkon, që u jep tharm dhe i debuton. Ky është rezusi. 85 % e njerëzve kanë rezus pozitiv! Por ndaluni pak. Rezus pozitiv nuk është ndonjë gjë edhe kaq pozitive. Kjo ngjet pak me përfundimet pozitive të analizave. Emri i bukur pozitive i analizave të çmend, apo jo? Por, megjithatë ne na duhet rezusi, pjesa e padukshme që bëhet e dukshme kudo, sidomos me rezolucionin e lartë të minusit. Se rezusi negativ është energji e lartë, është shpërthim, është elegancë, të folur i jashtëzakonshëm, zë i lartë, i trashë – mundësisht bas, mendim i thellë për më tepër kritik, bukuri trallisëse, pa sindromë, pa lajthitje, pa mendim të fshehur, të hapur – ekstrovert, zbulues, rrojnë orë të caktuara me botën e krimit, përfillin drogën – madje e duan atë, krijojnë shoqëri të madhe, u pëlqejnë së tepërmi sahanlëpirësit dhe servilët (e kush ka parë keq nga servilizmi? – thoshte një shoku im, dikur!) etj. Ja, merrni një mësues me grupin e gjakut A me rezus negativ. I zbardhet të mjerit! Por nuk mund të bëhet më shumë se drejtor shkolle, ose shumë-shumë inspektor në Ministrinë e Arsimit! Merrni një mjek, jo nga ata që kanë qenë në Karkanjoz apo në Karbunarë, po ata të qytetit, që mund të jenë me gjak të grupit B dhe me rezus negativ (po të jetë pozitiv rezusi, aha, s’ngre dot kokë kurrë, mbetet kurdoherë ai që ka qenë!) atëherë shikoje ç’ndodh or mik! Drejt e në ministri shkon. E kam fjalën për Ministrinë e Shëndetësisë dhe them se nuk merret me ndalimin e duhanit, as edhe me projekte dokudo, por atje ku është rreziku më i madh, atje hidhet! Si në zjarr. Domethënë ku bëhen tenderë të mëdhenj, atje ku ka mjaltë, atje ku ngjit fjala. Është një më një! Është raca ideale për të fituar. Ky soj bëhet deputet, bëhet njeri për së mbari, tronditet dheu kur ecin ata, bota bëhet sy e veshë, sëmundjet patologjike dhe ato fiziologjike i njohin menjëherë, kur plaken nuk kanë nevojë të stimulojnë hormonet, drogën e pinë të holluar dhe kurrë nuk e marrin në gjak (gjak nuk dhurojnë kurrë!), s’bëhen pishman për asgjë, femrat dominojnë, meshkujt nganjëherë edhe bëhen harbutë, shajnë top më top, mësojnë në perfeksion gjuhën e huaj, duan të duken – madje shumë, merren së tepërmi me komunikimin masiv, shohin vetëm ëndrra të bukura, shprehen me ndonjë tik nervor. Këta pra janë mjekët e grupit B me rezus negativ, por gradën e lartë e fitojnë ata të grupit AB me rezus negativ. Udhëheqës shtetesh bëhen edhe kur zotërojnë popuj të vegjël si puna jonë, komandantë ushtrie dhe lënë nam në luftë, shpesh zverdhen – u ikën gjaku nga fytyra, janë me energji të pasosura, nuk merren as me kurva e as me dobiçë, dinë të mbahen. U pëlqejnë mjaft OJF, por profesionistë të vërtetë në këtë fushë arrijnë të bëhen kur s’kanë ndonjë profesion të përcaktuar qartë, mjaft të kenë futur këmbët në ujin e ngrohtë të politikës…»
«Kështu jam njohur me mjaft tipa që kanë gjak çfarëdo grupi por me rezus negativ. Thagma. Ku nuk i gjen tani, ndonëse zënë vetëm 15% të popullsisë. E pra që të gjithë janë bërë parallinj të mëdhenj dhe janë krejt me rrogë shteti. Si, qysh, tek kjo është jo aq e komplikur dhe merret me mend lehtësisht. Sepse energjia e madhe të imponon të gjesh edhe rrugë të allasojta! Se e mira t’i zë sytë dhe pastaj t’i lidh duart (në emër të popullit? – jo, s’ka më në këtë emër!) të zgjedh e të zgjidh, të deh dhe të bën të njohur, të ndreq e të prish, të ngre e të rropos, të hedh në kujtime të ëmbla dhe të kredh atje ku s’e ke shkuar kurrë në mendje! Jo, ata, janë njerëz paqësorë, kurrë nuk shajnë e nuk ofendojnë pa e pasur hak! Kurrë nuk bëjnë dëm kur s’ua punon hakën! Ata vetëm kush i dëmton, sidomos kur janë ata të llojit që s’kanë marrë dot ndonjë profesion të përshtatshëm me grupin shoqëror ku rrojnë, ku janë dhe kur nuk janë në habitatin e tyre. Eh, më ka mbetur në përfytyrimin tim të mallkuar njëri prej tyre, qengj i uruar, por që u bë ujk e shkuar ujkut. S’ka zagar që e kap dhe s’gjen çifte që ta vrasë! Tani ai është klan tjetër. Apo nuk ndërsen të tjerë. Kam njohur njërin prej tyre që u tërbua dhe ndonëse i bënë 101 gjilpëra antirabike, nuk i zuri asnjëra, por mbeti i tërbuar në potencë. E lash që u bë deputet dhe më nuk e takova. I trembesha se mos kush e di kafshonte. Dhe edhe shikimi i tij tërbon (harbon) të tjerë, jo më prekja e gjakut! Deputetët e tjerë duhet t’u tremben dhëmbëve të tij e jo grushteve dhe dyfekëve që mund të ketë! Nejse, e teprova më duket. Por mirë që i kemi të pakët në numër dhe për më tepër pak gra, nëna e vajza si puna e tyre. Se nëna pjell këlyshë si ata! Zot na ruaj! Do të jetë diçka e tmerrshme. Ajo sëmundje nuk është ngjitëse por infeksion tërbues i shkallës më të lartë! Edhe kur kanë mbetur me lëkurën e qengjit, edhe kur janë blatuar në kishë, edhe kur janë me trashëgim të mirë bir pas biri. Miku im, mos e merr për keq, por ata kanë dalë nga mitra e besimit! Gjë e rrallë dhe e lartësuar, racë, jo llafe, gjak i vërtetë mbretëror! Pa le sikur të kishin qëlluar në racën e mrekullueshme të poetëve! Do të trallisej skena! Sepse kurrë s’kanë për të rënë orët për ta! Edhe orët e tyre na mungonin! Ndoshta mund të hiqje ndonjë si Frederik Reshpja nga lista. Por, po e them fundja, kam njohur edhe ndonjë të mëdhenjtë që lëpihen rëndshëm. Të lirë, plot dell, arrogancë, delir, po edhe madhështi. Veç t’i shohësh kur dehen (ata i deh edhe fjala mjeranët kokëkrisur!), kur vjellin edhe në prehër të zonjave: ato atje nuk marrin para! …»
«Të kujtohet kur më gjete një ditë me Plakun e Madh, ish kryetarin e gjykatës së lartë, 94 vjeçar, tek rregullonte dhëmbët rruazë tek unë? Zë lumi! Tërmet shkaktonte. Ai është AB me rezus negativ! Po. Gjak i kulluar. Ata janë të pavdekshëm. Rrojnë, këndojnë, eshtërmëdhenj, pinë, bëjnë qejf, nuk lodhen kurrë, s’kanë pleqëri, po të duan edhe tani të shtrojnë në dru. Bëj hesap, që edhe tani nuk i diskuton kush, s’u preket qimja (apo s’e kanë atë të uruar qime, si të derrit të egër!», shkruajnë dhe gjykojnë letra anonime, dalin në media dhe tërheqin vëmendje, ngaqë sytë e tyre kanë rreze tërbimi. Them se kam shpëtuar paq!… Po mendoja një ditë se të kthesh nga një gotë me ta është dëfrim i madh, se të bëjnë për të qeshur, të gudulisin mendimin, të mekin. Për Zotin ç’është një! Pse ta fsheh, kanë gjak të ëmbël. Futen në çdo vrimë dhe dalin nga të gjitha vrimat. Kanë ndrojtje, si jo, por vetëm kur duhet dhe me karar. Karakteri i tyre është arrë gungë. Nuk kthejnë nga e tyrja. Vrasin e presin. Bëjnë çmos! Duan dhe lakmojnë erëza pikante, pëlqejnë gra të serta (dhe e kundërta për gratë!) pinë birrë të freskët që lëre-lëre. Ngrohen në zjarr oxhaku me drurë lisi, e duan mishin të pjekur në skarrë, duan ta shoqërojnë pijen me ullinj Berati dhe djathë dhie Tepelene. Dhe vetëm qeshin të shumtën e herëve pa shkak. Ruhuni prej tyre, janë të rrezikshëm, një rrezikshmëri e veçantë! Shijet e tyre të kërthndezta kanë të bëjnë me dritën, me errësirën, me aroma trëndafilash të Kazanllëkut e të Maricës plot kundërmime, janë aq po aq të vështirë sidomos në dashuri. Nuk agjërojnë kurrë dhe e ngjërojnë të mirën jo në tepsi por në pëllëmbë të gruas (jo të çdo gruaje! Mos qoftë e udhës e kundërta!), i pëlqejnë fort çmimet e kripura edhe sikur të jetë mall skerco!… Ky or miq është burri i shtetit dhe horri, miku dhe hajduti, besniku dhe i forti, i dashuri dhe i adhuruari për orgji, tekanjozi dhe i çmenduri pas një darke pa fund, shoqërimadhe dhe i vetmuari, i buti dhe i egri: çfarëdoqoftë grupi i gjakut (por mbi të gjitha AB !) por me shkëlqimin e rezus negativ!…»
Këtu e mbylli miku im, Dulla, historinë. Dhe shtoi se as ditën e mirë nuk e kishte përshëndetur dot drejtuesin e emisionit të mëngjesit asaj dite të bukur e me diell shkurti të këtij viti…