• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një zë kundër harrimit

January 24, 2018 by dgreca

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa/

Agroni-tufa

Nga Agron Tufa/ Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.

Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.

Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Tufa, kundër harrimit, Nje ze

Nje ze i lene pergjysem…

October 10, 2017 by dgreca

1 MarjanaNga Marjana BULKU/Ishin ditet e Mbretereshes Teute kur qellimisht u beme bashke ne Tirane nje grup zonjash qe jeta i shperndau ne Kanada, SHBA , Gjermani, Kalabri por qe te gjitha ne shpirt, gjak dhe tradite ndjehen shqiptare.Mbase kjo nyje e forte rrenjesh te perbashketa eshte sekreti qe na lidh edhe ne kohe stuhish.Dhe jane jo te pakta tronditjet qe individet shqiptare kane perjetuar ne Shqiperine e bukur jo prej stuhish, natyra e ka bekuar kete vend me diell , uje, e male te larta mburoje, por nga drama qe njeriu i ka shkaktuar njeriut, duke ia transformuar jeten dhe te ardhmen.Njera prej ketyre  ndodhej me ne  ,po  aq vitale sa atehere kur kendonte “Vajzat e fshatit tim”,”Kenget e popullit tim”,portreti i saj me con ne femijeri tek tingujt dhe kenget klishe qe pavaresisht kornizave te kohes disave prej nesh na rikthejne ne femijerine e bardhe e ca te tjereve ne rinine shumenjyreshe. Alida Hisku ishte vetem 16 vjec kur do te iniconte ansamblin Skenderbeu ne Korce rreth 43 vjet me pare e sot ajo rikthehet aty duke kenduar “Moj e bukura Morene ” e ster lashte qe me shume sesa tingujt percjell dramen e ikjes. ” Nuk di cfare t’ju kendoj me ” i thote ajo publikut me lot neper sy sepse tashme Alida historine e saj e quan “Zhdukja e vetvetes ne pentagram” U denova thote, u plaka pa u  rinuar.Ishte koha kur politika dhe arti i zinin frymen njeri-tjetrit, koha kur artistet perjashtoheshin edhe ne prova gjenerale kur tentonin te arrinin lirine ate qe eshte thelbi i artit si koncept.Endrrat e saj artistike i ngriu koha por teksa rremben migrofonin e kendon aq shkathtesisht , kupton se koha ka mbetur atje, po ai ze, po ai repertor, po ai portret aq ekspresiv dhe plot humor. Fenomeni i  ” zhdukjes se vetvetes” mesa duket vazhdon… jo vetem ne art, edhe ne politike apo jeten sociale sepse i ka rrenjet ne mospranimin e tjetrit, mohimin e tjetrit, e rrjedhimisht te disa rrenjeve tona identitare. Ky mohim i vetvetes ka shkaktuar jo pak drama e tkurrje, vakuume dhe boshlleqe qe artin e kane transformuar ne mediokritet artistik , performance boshe qe corienton shijet artistike ne kushtet e lirise kaotike qe prodhon bashke me artin edhe te kunderten e vet. Alida Hisku dhe brezi i viteve 80 do i rikthehen publikut shqiptar , uroj edhe ne te largteve me Lady rrok qe do te jete nje qasje e bukur e ketij brezi te palire ne kohen e lirise pa fre ku talenti i kultivuar do te deputoje kam
bindjen me sukses. Alida jeton prej shume vitesh Frankfurt, atje ajo ka bar-restorantin e saj ku pasi ka sherbyer rutine iu rikthehet klienteve te saj me pyetjen rutine “a ju pelqeu ushqimi? Ishte nga nje shqiptare ! Dhe pastaj nuk vonon te kendoje me zerin e saj qe ka mbetur i kulluar.

Filed Under: Opinion Tagged With: i lene pergjysem..., Marjana Bulku, Nje ze

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT