• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU ENIGMATIK

December 5, 2017 by dgreca

Nga Avdulla Kënaçi/Toronto/1 Avdulla Kënaçi

 –   Skicë letrare-

Atë unë e shoh çdo ditë. Banon në bejzmentin e shtëpisë përballë. I pakët në trup, me një kokë të shogët ngjyrë dheu. I fundit e heq xhaketën nga supi kur vjen pranvera dhe i pari e vesh kur vjen tetori. Ecën me të njëjtin hap, në çdo stinë, ngadalë, sikur të ketë frikë se mos shkel në një territor të ndaluar. Zakonisht kryet i mban zbuluar, por sado kokëfortë të jesh, dimri kanadez nuk përballohet me kokën zbuluar, kështu, në kohë ngricash ai mban një feste të kuqërremtë me xhufkë përsipër, rrasur gjer tek veshët,  të mbushur me zikzake dhe rombe të vegjël të cilët nga larg duken si sy kinezësh. Gjithashtu  mban edhe një pallto të gjatë, të errët prej leshi merinos. Askush tjetër nuk mban pallto të gjatë si ai. Këtu preferohen xhupa të trashë me kapuç përsipër. Kjo  e tij është një veshje prej vendeve mesdhetare, por jo e Amerikës së Veriut. Ecën me të njëjtat këpucë, dimër verë, ato ngjyrë kafe.  Nuk përshëndet dhe nuk i flet asnjeriu me përjashtim të pronares së shtëpisë, një grua e ve, plakë,  që e kanë braktisur fëmijët e saj kushedi për çfarë arsye.

                 Kutia postare për gjithë bllokun gjendet pranë gardhit të kopshtit tonë. Zakonisht “breshka” e postës, një makinë e vogël me kabinë të bardhë, vjen pas orës 11:00 am. E para që shkon aty është gruaja e ve, plaka flokëbardhë. Ajo, si në një ceremoni mortore, ndoshta për t’i dhënë rendësi gjestit të saj, nxjerr çelësin nga xhepi diku në mes, shikon rreth e rrotull, hap kutinë, merr letrat apo reklamat dhe  kthehet për tek shtëpia e saj. Gjithnjë, tek dera e jashtme, e pret qiraxhiu i vetëm që ka. Diçka këmbejnë, por unë i kam larg dhe nuk dëgjoj asgjë çfarë thonë, vetëm kuptoj se është fjala për prurjet e reja të postës. Kuptohet, ai nuk ka kuti postare të vetën dhe gjithë korrespondenca i vjen në adresë të pronares.

                 Në mëngjes, kur unë rrotullohem nga garazhi i makinës dhe shkoj në kafe ku më presin një dyzinë miqsh, e shoh që ai zhduket në drejtim të stacionit të autobusit. Struket tek kabina prej xhami dhe pret e pret. Po ku shkon kështu përditë, edhe në fundjavë? Rastësisht e vura re një ditë tek qendra tregëtare që ne i themi Square One, ose Sheshi Një. Ishte ulur i vetëm në një nga tavolinat e restoranteve të kësaj qendre, madje ashtu thirret “Central Food”. Asgjë në tavolinë, as kafe, as ujë, as pjata ushqimi, vetëm një shami xhepi e palosur më katërsh. (Aty askush nuk të thotë çohu nga tavolina edhe pse ti nuk ke porositur asgjë). Njerëz që hyjnë, dalin, hanë, pijnë, qeshin, përshëndeten, por fqinji im qëndron si i ngrirë, më saktë si i përhumbur në një botë tjetër. Sa herë më bie rasti nga kjo qendër e madhe tregëtare, e kërkoj me sy. Po. Ai është aty, në të njëjtën tavolinë, me të njëjtën veshje, madje edhe me të njëjtën shami të palosur më katërsh. Çudi, ka gati dy-tre vjet dhe unë nuk i kam mësuar as emrin. Realisht mua nuk më ka prezantuar askush me të dhe as nuk kam pse ta mësoj se kush është, si quhet e nga vjen. E qartë, ai është një refugjat prej diku nga Lindja e Mesme.

                Mirëpo një ditë prej ditësh m’u desh të ndaja një sherr. Pronarja e shtëpisë përballë bërtiste aq shumë, sa njerëzia rrotull kishin nxjerrë kryet nga dritarja. Ajo e kishte qitur jashtë qiraxhiun e saj dhe po i kërkonte paratë e muajit të fundit. Tek këmbët, ai mbante vetëm një valixhe kartoni me kënde të rrjepur, (kisha vite që nuk kisha parë valixhe kartoni, madje i kisha harruar), kjo ishte e tërë pasuria e tij. Rrinte gati si i ngrirë, me sy të përlotur. Kur një burrë qan, dije se ka një brengë të madhe në shpirt. Pyeta se si qëndronte puna. Pronarja m’u lëshua me një lumë fjalësh si një kërcitje mitralozi.

–          Ka tri dhoma në dispozicion dhe një banjë me dush, kërkon vetë të rrijë në bejzment, i marr vetëm 700 dollarë në muaj. Nuk ka shlyer qiranë e fundit.

–          Kërkoj vetëm një javë, vetëm një javë. Unë jam rregull. Gjithnjë rregull. Njeri mirë, fukara…Unë nuk dua tri rom, vetëm një, – belbëzoi ai me një gjysëm anglishte, madje fjalën “fukara” e shqiptoi sikundër ne.

Pronarja nuk e la të mbaronte fjalën deri në fund, por iu lëshua me një breshëri tjetër:

–          Ti i dërgon paratë në Irak, ia dërgon familjes tënde dhe harxhon vetëm 100 dollarë për të ngrënë, –  u trondita nga ky fakt, vetëm njëqind dollarë për të ngrënë, aq sa rroga e një pjatalarësi në ditë.

–          Nuk dua tri dhoma, më mjafon një, aty, bodrum…, – vazhdoi ai me një zë të këputur. E kuptova hilen e plakës; ajo i ka lëshuar tri dhoma sepse nuk ka dashur të fusë në shtëpi të tjerë qiraxhinj, por ama ia ka marrë të plotë qiranë. Ishte radha ime të bëja sikur nuk kuptoja. Ok, i thashë plakës, po marrim policinë që ta zgjidhi ajo këtë ngatërresë, –  dhe bëra sikur do të bëja thirrje me  celular.  E nënkuptova se plaka noprane e kishte futur në shtëpi pa kontratë, ndryshe nuk mund ta nxirrte ashtu jashtë, si një qen. Plaka kërceu përpjetë dhe më tha me zë lutës:

–           Jo, jo zotëri policinë, ky është shumë i rregullt.  Le të rrijë edhe një javë sa të marrë asistencën. -Mora frymë i lehtësuar. Irekianit po i vinte çerja në vend. U ndamë paqësisht. E ftova për një kafe refugjatin e ngratë. Aty për aty, duke rrufisur kafen, hyra në internet dhe gjeta një garsioniere që lëshohej  me qira për 400 dollarë në muaj. I telefonuam pronarit, bëmë marrëveshjen dhe unë hyra garant për mikun.

–           Ka edhe një mënyrë për të kursyer ato 100 dollarë të ushqimit, t’i kërkojmë ndihmë kishës katolike, – i propozova unë.

–          Po unë jam mysliman, zotëri.

–          Ke hallin tënd apo të kishës se mos nuk të pranon?

–          Të kishës.

–          Këtu jemi në Amerkë, o i dashur mik irakian, nuk ka as dallim racor, as dallim fetar, – atij iu mbushën sytë përsëri me lot. Dhe kur një burrë qan, dijeni se…..

5 dhjetor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdulla Kenaci, Njeriu Enigmatik

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT