Nga Astrit LULUSHI- E madhe është frika, dhe e pandashme, sa e bënë edhe Zotin vazhdimisht thotë – “Mos kij frikë”. Por njeriu gjithnjë ka frikë. Nga kush? Është frika nga brenda vetes. Njerëzit janë njësoj. Lërini të lirë dhe ata e kuptojnë se janë skllevër të mbyllur në mjerimin e tyre. Vuajnë, por nuk e dinë. Shfrytëzohen, dhe ata kthehen e shfrytëzojnë të tjerë më të dobët. Është reagim zinxhir që nuk mund të ndalet.
Ndryshe ndodh me kafshët.
A e dini përrallën e ujkut?
Ishte një herë një ujk shumë i moshuar. Ai nuk mund të gjuante më dhe ujqërit e tjerë e përjashtuan nga tufa. Ujku plak e i uritur filloi të shkonte shtëpi më shtëpi për të vjedhur pula e dele. Fshati u tmerrua. Fshatarët u përpoqën ta vrisnin, por nuk ia dolën. Roje rrinin çdo natë. Vendosën kurthe e rrjeta …por ujku sikur të ishte i padukshëm. Njerëzit e urrenin. E imagjinonin të ishte i madh, i egër. Nuk mund ta dinin se ishte thjesht një ujk plak që çdo gjë e bënte nga uria. Qarkullonin fjalë mbi një njeri Shenjt që mund të fliste me kafshët. Fshatarët shkuan t’i luten për ndihmë. Shenjti pranoi të fliste me ujkun për të kërkuar armëpushim. Kështu u nis për ta gjetur. Eci e eci për një kohë të gjatë. Pastaj erdhi dimri. E zuri i ftohti, dhe uria. Por nuk pa asnjë shenjë ujku; nuk e dinte se edhe ujku ishte i uritur, dhe ishte vënë në gjurmët e tij për një kohë. Shenjti bie i rraskapitur në dëborë. Dhe këtu e gjen ujku, i cili i afrohet mpreh thonjtë dhe dhëmbët, gati për ta ngrënë, por ndjen një erë, diçka që nuk e kishte ndjerë kurrë më parë, dhe ndalet. E nuhati të gjithë. Ç’ishte kjo erë? Ishte aroma e njeriut të mirë. Nuk e ngacmoi dhe iku.
Njeriu i mirë, Petrika TOLE
KUJTESE:Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të, Petrika Tole/
Nga Raimonda MOISIU/
Sikush nga ne, afër dhe larg, dëshiron të sjellë në kujtesë dhe të promovojë vlera qytetare, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmës dhe udhën e së ardhmes, ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar festën e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë. Vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës korçare, sfidës, për të kuptuar dritën që ata lanë pas, duke bërë të njohur emrin dhe kontributin e vlerave kombëtare dhe historike të jetës social -kulturore, tema dhe jetë interesante, vlera e personalitete që duhet të respektohen e nderohen në cdo kohë dhe të marrin vendin e merituar në histori, art e kulturë. Sikundër dihet nostalgjia, respekti e nderimi na bën mirë për të kaluarën, dhe për t’i lënë trashëgim brezave të ardhshëm dhe kujtesës së kombit. Të mos harrojmë se Korca e kulturës e qytetërimt ka pasur njerës që nga filantropistë dhe artistë, sportistë dhe shkrimtarë, intelektualë e qytetarë të devotshëm, që kanë shkrirë, vrullin, pasurinë, shpirtin talentin dëshurinë për vendlindje, komb e dinjitet, dhe ia kanë dalë: Shkruan historinë! Kësaj here në vëmendje do të dëshiroja të rikthehem te një ndër vlerat sportive të qytetit të Korcës, futbollit korcar, dhe pikërisht, e një prej ikonave të futbollit korcar, Petrika Tole.
Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të, Petrika Tole. Për t’u njohur me figurën dhe profilin njerëzor, sportiv, qytetar dhe intelektual të Toles, falë talentit dhe fizikut të tij prej atleti, energjik, pasionant i futbollit, adhurues i futbollit, falë inteligjencës dhe këmbëve të forta në fushën e lojës, Tole, sikundër e thërrësin korcarët, fitoi shumë shpejt zemrat e publikut futboll-dashës korcar dhe atij shqiptar në tërësi. Lajmi i trishtë se një nga ikonat e futbollit korcar, një mbrojtës i mirë dhe luftarak, i pakalueshmi dhe njeriun që adhuruan në futboll, Petrika Tole u nda nga jeta, u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga familja, bashkëshortja e fëmijët, nga publiku sportdashës korcar dhe shqiptar, vecmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg, shprehnin ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social e shtypin shqiptar. Në një bisedë ngushëlluese telefonike që pata me bashkëshorten e Toles, znj. Valentina Cini Tole, kërshërisë sime për të ditur më shumë rreth ish -futbollistit korcar, mbrojtësit me nr 8, znj. Tole, e respektoi dhe ndjehu një moment homazhi malli, mungese, dhimbje, dashurie dhe admirimi, për njeriun që e pati pjesë të jetës së saj për 30 vjet, duke e vlerësuar edhe si një tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave njerëzore, sportive dhe qytetare.
Origjina, familja dhe talenti i një sportisti me emër
Babai i Petrika Toles, ka qenë boksier me kampionin e amerikës Latine, Rafael Dishnica-Gërnjoti, dhe Pandi Shano, Ali Kastrati, Thanas Qafzezi, etj. Ndërsa xhaxhai i tij, Stavri Tole ka qenë futbollist, por për Petrikën, mund të them, se ai e kishte edhe dhunti, i lindur për të luajtur futboll. Petrika kur ishte vetëm nëntë vjet aktivizohet në ekipin e fëmijëve me trainierin e mirënjohur korcar, i ndarë edhe ai para disa muajve nga jeta, Trajan Veriga. Më vonëkaloi në ekipet e tjera me tranierët: Kosta Koco dhe Petro Mile, -nis të tregojë, Valentina.
Peti, -sikundër e thërrisnim në familje,- ishte njeri me një zemër të madhe dhe me vullnet të celiktë. Ai kishte sedër, bënte të pamundurën të arrinte cdo qëllim që i vinte vetes. Në vitet ‘71-‘72, ai ka luajtur me të rinjtë dhe ka dalë golashënuesi më i mirë me 36 gola. Ka luajtur me Shpresat për kampionatin ballkanik, në Rjekë, Selanik, dhe Shkup. Si viti më i mirë i tij kanë qenë, vitet ‘76-‘77-ë, kur ekipi i futbollit “Skënderbeu” zuri vend të dytë. Më duhet të përmend një moment emocional, që e sjell gjithmonë në kujtesë: Në atë kohë unë i ndiqja ndeshjet e Klubit të Futbollit “Skënderbeu”, të Korcës, si një adhuruese e futbollit dhe skuadrës së qytetit tonë, pa e ditur se në të ardhmen, njëri prej tyre e pikërisht Tole, më vonë do ishte bashkëshorti im. Një nga ndeshjet më të bukura të tij, ka qenë me skuadrën e “17 Nëntori”, në Korcë , Petrika shënoi në atë ndeshje, dhe gjithë stadium në korr thërriste emrin e tij, gjatë gjithë kohës; Tole, Tole! Me golin e shënuar nga Tole, ekipi i “Skënderbeu”-t, fitoi ndeshjen. Momenti më i vështirë në karrierën sportive të futbollit, për Tolen, ka qenë përsëri me ekipin e futbollit të “17 Nëntori”-t, por kësaj rradhe në Tiranë.
Petrika në fillim të ndeshjes u godit në kokë, ra në koma dhe u rikuperua pas 21-ë ditë, ndeshje të cilën e kam parë në TV-n.Një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë ne si familje, por edhe për sportdashësit korcarë. Këtu dua të shtoj edhe dicka tjetër; Petrika luante fort, por nuk godiste, nuk i dëmtonte të tjerët.
Në vitin 1997-ë, emigruam në SHBA-s, nëpërmjet llotarisë amerikane dhe u vendosëm në Cikago, shtetin e Illionis. Sigurisht largimi nga vendlindja, Korca, që Peti e donte aq shumë dhe ndarja me futbollin korcar, ishin brengat e tij, i cili do t’i vuante deri në fund të jetës së tij. Si gjithë emigrantët edhe në hasëm vështirësitë, por shpirti i lirë dhe optimist i Petit, na inkurajonte për t’i kaluar lehtë ato. Ai nuk dinte të fliste anglisht, po ashtu edhe ne, por me guxim, mëndje të shëndoshë e krahëtë fortë, ai mori patenten CDL-truck-driver-(shofer kamioni), për të drejtuar makinat e mëdha,pra në transportin amerikan. Pra, ai ish -futbollisti, me këmbët e forta në fushën e lojës, tanimë, i binte Amerikës kryq e tërthor, me po ato këmbë të forta duke ngarë kamionin e tonazhit të rëndë, ditën e natën,për një javë rresht. Amerika është toka e mundësisë dhe Peti hapi kompaninë e tij, në kontratë me FEDEX, duke punësuar dhjetëshoferë të tonazhit të rëndë, shumica prej tyre, amerikanë. Petrika punoi shumë fort, fitoi respektin e të gjithëve, por edhe ne na e bëri jetën të bukur e të lehtë në Amerikë.
Petrika e pëlqente futbollin,ishte pasionant dhe adhurues i futbollit. Ai ndiqtepothuajse cdo ndeshje të ekipit korcar “Skënderbeu” dhe të kombëtares shqiptare, edhe këtu në Amerikë. Kënaqej me fitoret e ekipit të “Skënderbeu”-t, skuadrës së tij të zemrës që e donte aq shumë, ku u rrit u formua si një futbollist i mirënjohur dhe i dha aq shumë nga shpirti forca e talentit dhe inteligjencës së tij, në fushën e lojës. Emisionet sportive ishin të preferuarat e tij të djelave. Nga skuadrat e huaja pëlqente Gjermaninë. Bashkëshorti im, dhe ai ish-futbollisti i mirënjohur korcar, ishte një shpirt dhe njeri i lirë. Petrika gëzohej për cdo arritje të shqiptarëve këtu në SHBA. Kishte edhe shpirtin e bamirësit, ndihmonte me gjithë shpirt këdo që i kërkonte ndihmë. Petrika, si cdokush nga ne e donte jetën. Kishte shumë plane për të ardhmen, por sëmundja e papritur dhe ikja e parakohëshme, bëri që këto projekte të mbeten në mes. Kishte shumë mall për Korcën, miqtë e tij të shumtë, stadiumin e vendlindjes, i mungonin sportdashësit korcarë, brohoritjet e tyre në korr, dhe një nga dëshirat e herëshme të tij, ishte të kthehej në Korcë. Momentet e fundit të jetës, na la amanet të prehej në vendlindje, dëshirë që ne familja e tij, unë e djemtë me dhimbje e dashuri ia plotësuam. Petrika Tole,një nga ikonat e futbollit korcar prehet tashmë në varrezat e qytetit të tij të shtrënjtë, Korcës. Na mungon shumë, vecmas djemëve të tij, akoma më shumë. Ai ishte shoku, miku, mentori, heroi dhe shëmbulli i sakrificës, punëtorit të palodhur, që me mund e djersë, bëri edhe amerikanët të punojnë për të. Ai ishte simboli i bashkëshortit shëmbullor dhe babait të përkushtuar e të dashur. Djemtë e adhurojnë shumë personalitetin e Atit të tyre dhe e mbajnë atë udhërrëfyes në jetën e tyre, -përfundon rrëfimi e saj, znj. Tole.
Postcriptum
Në dt.13 shtator 2016, në ambientet e bibliotekës “Thimi Mitko”, të qytetit të Korcës, u mbajt Eventi përkujtimor , Rikthim ndër vlera, – In Memoria -të dy ish-futbollistëve të ekipit “Skënderbeu” i Korcës, i dy ikonave të futbollit korcar, ndare nga jeta këtë vit, -Maksim Tuxhari, i vlerësuar si Balerini i Futbollit Korcar, dhe Petrika Tole,- mbrojtësin e mirë të kohës, futbollistin e përkryer, trimin e guximtarin, Tolen e “Skënderbeut”, dhe futbollit Shqiptar, du futbollistë me simbolikën e përbashkët -fanellën me nr 8! Një aktivitet i këndshëm dhe një përkujtim i mrekullueshëm i ideuarnga publicistja dhe shkrimtarja korcare me banim në Amerikë, Raimonda Moisiu dhe mbështetur plot qytetari e profesionalizëm, nga legjendat e futbollit korcar e shqiptar, ikonat;, Teodor Vaso dhe Aleko Pilika, për njohjen e vlerave dhe kontributit të tyre cilësor të këtyre figurave të futbollit korcar. Më duhet të theksoj edhe mbështetjen morale e financiare, të familjeve Tuxhari dhe Tole. Për t’u njohur me figurën e tyre miq shokë kolegësi ikonat e futbollit korcar ndër vite, Dhimitraq Dembo, Aleko Pilika, Neim Tuxhari, Vasillaq Thimo, Xhambazi, Stratobërdha, aktori i mirënjohur korcar Guri Koco, etj, dhe të afërm sollën kujtime, mbresa dhe momente të paharruara e mbresëlënëse për profilin e tyre njerëzor, sportiv qytetar dhe intelektual.
I përjetshëm kujtimi dhe kontributi i tyre sportiv.
In memoriam:Njeriu i mirë Ylli Vejsiu
nga Andon Dede, Nju York/
Në njoftimet që u dhanë për ndarjen nga jeta të Ylli Vejsiut, u evidentuan disa nga funksionet që ka pasur apo ndihmesat që ka dhënë ai në fusha të ndryshme të shkencës tek ne. Të gjitha ishin më se të vërteta, ai i meritonte, madje shumë më tepër se aq sa u thanë e u shkruan. Edhe unë, po të filloja këtu e të radhisja tërë studimet e tij, të botuara në revistat shkencore apo dhe si libra më vete, lista do të qe tepër e gjatë e shkrimi do të qe i plotësuar qoftë vetëm me to. Por unë do të flas për Yllin si njeri dhe as që do ndalem në studimet dinjitoze që ka realizuar ai në ekonomi, sociologji e sidomos në fushën e demografisë. Kush është kurioz të njihet me to, e ka fare të lehtë, qoftë përmes mjeteve elektronike, po ashtu edhe nëpërmjet skedareve në gjithë bibliotekat e vendit. Unë po përpiqem të hedh dritë në disa aspekte që lexuesi apo dashamirësi i Yllit nuk do t’i gjente në ato burime, tjetër punë se sa do ia arrij qëllimit. Duke iu përmbajtur këtij parimi, unë jam i vetëdijshëm se, kur flasim e shkruajmë për persona publikë, cilëtdo qofshin ata, rëndësi ka vepra që kanë lënë dhe jo aq shumë personaliteti i tyre vetjak, njerëzor. Kemi tërë ata njerëz të shquar, në politikë, art, shkencë e kudo, qi si njerëz mund të mos meritonin ndonjë vëmendje, por që me kontributet e tyre kanë hyrë prej kohësh në panteonin e lavdisë.
Pas kësaj hyrjeje, dikush edhe mund të më kthehet, pa të keq: “Po, vërtet, ç’na duhet ne se kush ka qënë Ylli Vejsiu, si njeri…Neve na intereson ajo që ai ka bërë e ka lënë pas…”. Megjithëse edhe unë jam dakord me këtë lloj arsyetimi, nuk heq dorë nga imja dhe ja sepse: unë nuk po i caktoj atij vendin që do të zërë ai në shkencë e aq më pak në politikën shqiptare, se edhe të doja ta bëja këtë, nuk e kam atë tagër. Por unë i përmbahem mendimit se ne sot, si vend, si popull e si shoqëri, para së gjithash e mbi të gjitha kemi nevojë për njerëz të mirë, me integritet. Dhe e kundërta: nëse Shqipëria ka rënë sot në këtë derenxhe që po e përjetojmë të gjithë, arsyeja kryesore, sipas meje, është se në politikë e qeverisje i kanë munguar pikërisht njerëzit e mirë.
** *
E njoha së pari kur punoja në Televizion. Ma rekomanduan për një bisedë dhe shkova e takova në zyrën ku punonte, në mos gaboj në Komisionin e Planit të Shtetit. Që në atë përballje të parë, më la përshtypjen e njeriut të edukuar, të kulturuar e të sjellshëm. Me miratimin e shefit të vet, pranoi të vinte. Mbasdite, kur e prita për të bërë regjistrimin, më tha si me drojtje: “A do të vonohemi shumë se më duhet të shkoj një çikë herët në shtëpi, se nesër do të nisem për në Kinë?”. Duke mos qënë fare i sigurt se si do të shkonte regjistrimi, i thashë se qe i lirë të shkonte dhe i urova rrugë të mbarë. Ma merr mëndja se gjithkush tjetër nuk do të kishte pranuar të vinte, po qe se të nesërmen do të udhëtonte jashtë shtetit, kur kemi parasysh se dalje të tilla, në atë kohë, përbënin eveniment për të gjithë ne.
Më pas, fati e solli që të punonim bashkë, madje në një zyrë, në Institutin e Studimeve M-L, pranë Komitetit Qëndror. Atë mëngjez që do të vinte ai, e bëra rrugën për në zyrë me një ndjenjë kënaqësie si të prisja ndonjë mik të vjetër e të afërt. Për këtë u nisa pak më herët, për të bërë dhe përgatitjet e rastit. Por, kur mbërrita tek zyra, shoh se ai po më priste tek dera, kishte vajtur para meje. Ndjenja e detyrës qe një cilësi e brendëshme e tij.
Duke punuar në një zyrë me të, arrita të njoh në thellësi e gjithanshmëri personalitetin e tij, si njeri i kulturuar, i sjellshëm, erudit dhe i gatshëm të bisedoje me të për çdo temë e çdo fushë. Unë e quajta veten me fat e të privilegjuar që mu dha rasti të punoj me të, edhe pse për pak kohë. Nga ai kishe se ç’të merrje edhe në bisedat më të zakonshme që bëhen përditë në zyrë, në kafe e kudo. Ishte një kënaqësi e veçantë ta dëgjoje atë tek shtjellonte mendimet, me atë zërin e tij të qetë e të shtruar që të imponohej. Thashë edhe më lart, se rrezatonte kulturë e njohuri të gjithanshme e nuk kursehej nëse i kërkoje ndonjë konsultim më të zgjeruar, siç qe p.sh. momenti im që po përgatisja temën studimore në një fushë të afërt me interesat e tij shkencore. Ai mu gjend pranë qysh në konceptimin fillestar të saj, në përpilimin e pyetësorit që realizova e deri në miratimin në Komisioni e Lartë Shkencor, antar i të cilit qe dhe ai. Madje ai qe dhe një nga oponentët e disertacionit tim.
Por s’qe e thënë që ai të qëndronte gjatë tek ne, edhe pse emërimi i tij aty e kishte zanafillën tek ata lart fare, për të mos thënë tek numuri një i asaj kohe. Se nga doli një “vigjilent” andej nga lagjia dhe informoi organet kompetente se “Ylli nuk mund të punonte në atë institut se dikur babai i vet paskej pasur një problem me shtetin…”. E thërresin Yllin në zyrën e kuadrit dhe ia njoftojnë largimin. Ata që e kishin prurë as nuk u ndjenë fare. Ditën e fundit dolëm bashkë dhe pas një kafeje, e përcolla deri tek rruga e Elbasanit. Më bëri përshtypje reagimi i tij: tepër i përmbajtur, pa asnjë mllef, i vetëdijshëm se të tilla gjëra mund të ndodhnin. Madje kureshtjes time për ndonjë emër, se nga e kishte peshqesh këtë që i ndodhi, iu shmang: “As që më intereson fare, ma ktheu, e ç’rëndësi ka?” U përqafuam e u ndamë si miq të ngushtë.
Kontaktet me të i ruajta edhe më vonë. Për gjithë sa po flasim, është fjala për vitet e fundit të 80-ës, të shekullit të kaluar, pra kur po i vinte fundi edhe vetë sistemit që po përjetonim.
Kur nisi greva e urisë e studentëve, rastësisht mora vesh se aty qe futur dhe Ylli. U habita se me sa e njihja unë, nuk qe për të tilla veprimtari. “U fut se ka djalin atje” – shtoi bashkëbiseduesi, – pa të qe për Yllin, nuk futej”. Unë nuk i vura rëndësi asaj që po thoshte ai, por me këtë rast m’u kujtua një dimension tjetër i Yllit, ai i prindit, dobësia e madhe që kishte ai për të birin. U ndala tek ky episod jo pa qëllim: kur dëgjova “Zërin e Amerikës”, në darkë, si zakonisht, pati një intervistë edhe me Yllin. Më kujtohet bile edhe hyrja që bëri kronisti i njohur i përtej oqeanit kur tha se “në këtë grevë ka jo vetëm studentë, por dhe intelektualë të tjerë, si Prof. Dr. Ylli Vejsiu…”. Por, kur e pyeti Yllin se si qe futur aty, ky, me një sinqeritet të habitshëm, pohoi atë që më pat thënë i njohuri im pak më parë: “Hyra se kisha djalin…”. Pastaj ai e zgjeroi motivimin, por tashmë ato që thoshte nuk tërhiqnin më vëmendjen. Dikush do ta quante këtë një sinqeritet të tepëruar, deri edhe naivitet, kur kemi parasysh retorikën e të tjerëve që i binin gjoksit se po bashkoheshin me studentët për liri e demokraci etj.etj. Jo se Ylli nuk i kishte edhe këto motive, por unë e përmenda këtë episod për të treguar se ai nuk dilte dot nga vetja.
Më pas ai u aktivizua shumë në zhvillimet demokratike dhe u zgjodh njëzëri kryetar i Degës së PD-së së Tiranës. Në atë kohë PD-ja i kishte zyrat tek rruga e Kavajës, jo larg institutit ku punoja dhe unë. Takoheshim, bisedonim e për ndonjë problem edhe bashkëpunuam. Ndjeja kënaqësi që po më jepej rasti të bëja dhe unë diçka për të. E shihja në mitingje e në veprimtari të tjera dhe po habitesha me veten. Po e them pa ndonjë paragjykim se ai nuk qe për politikan. Me këtë absolutisht nuk dua të mohoj sadopak vlerat apo aftësitë e tij. Mendoj se këtë vlerësim për të e ndaj dhe me të tjerët që e kanë njohur. Më pas ai u zgjodh deputet e u emërua ministër i Arsimit në qeverinë e parë të PD-së. Prapë po e them se ai nuk qe i përshatshëm për atë post, jo për nga përgatitja e formimi, por nga ato cilësi që duhet të ketë një funksionar, në atë post, në kushtet e vendit tonë, në stadin që po kalon i ashtuquajturi tranzicion tek ne. Prapë po e theksoj se më këtë pohim unë nuk ia ul aspak vlerat e aftësitë atij. Në të kundërt ia rrit, sado e çuditëshme të duket. Politikani apo dhe qeveritari tek ne, duhet të ketë pikërisht ato vlera e cilësi që kishte Ylli, por kjo është vetëm teorikisht apo virtualisht. Përvoja çerekshekullore e tranzicionit tek ne ka dëshmuar të kundërtën. Ja pra që pohimi im ia shton vlerat atij. E përsëris: Politika nuk qe stofë që i shkonte.
Unë në atë kohë punoja në Institutin e Studimeve Pedagogjike, që varej direkt nga ky dikaster. Për marrëdhëniet e ngushta që kishim pasur, logjika më e thjeshtë e donte që unë t’i ruaja edhe më tej kontaktet me të, por kjo nuk ndodhi. Nuk i shkova asnjëherë në zyrë, edhe pse mund të kisha ndonjë problem me dikasterin. Kur, në një nga ato seminaret që bënim shpesh në ato vite, u përballa me të. “Pse nuk ke ardhur asnjëherë tek unë?” – më tha ai pa të keq. “As mos prit që të vij” – i thashë edhe unë me të njëjtën gjuhë. “Eja nesër se kam një problem të vogël që dua ta konsultoj me ty!” – më tha. I shkova. Pasi ma ekspozoi çështjen, më kërkoi mendim dhe unë i fola si të qemë miq e shokë, pa asnjë paragjykim e tendencë. Qe fjala për drejtorin e ardhëshëm të institutit ku punoja, por kjo nuk ka asnjë rëndësi.
Një ditë prej ditësh troket dera e zyrës time dhe më del përpara një miku im i vjetër, Vasil.P., oficer. Njiheshim që në Unike me të. Ishte nxënës i shkëlqyer dhe më erdhi keq që përfundoi thjesht oficer kur mund të kishte pretendime më të mëdha. Jeta na kishte ndarë e rrallë fort takoheshim. “Kam një hall të madh, ia nisi ai. Siç mund ta dish, unë kam dy vajza me glaukomë. Njera prej tyre kërkon të regjistrohet në Shkollën e Gjuhëve të Huaja, por atje na thonë se janë plotësuar vendet dhe s’ma pranojnë. Unë mora vesh se ti e ke shok apo mik ministrin. Të lutem do të më ndihmosh…”. “Dëgjo Vasil, ia ktheva, tepër i prekur nga sa më tha, – unë vërtet njihem me të, por më beso se që kur është bërë ministër nuk i kam shkuar asnjëherë në zyrë, edhe pse kam pasur ndonjë problem. Por ty nuk të kundërshtoj dot, jo vetëm për miqësinë që kemi pasur por sidomos për hallin që ke”. U çova dhe shkuam bashkë në ministri. Ylli, sapo i tha sekretarja se kush kishte ardhur, më priti menjëherë. I thashë përse kisha vajtur. Edhe ai u prek e ma preu shkurt: “Unë jam dakord, por duhet të bisedosh dhe me drejtorin e drejtorisë përkatëse. Thuaj se unë jam dakord…”. Aty e tek drejtori, që për fat qe po një i njohuri im, V.M. që kishte punuar tek ne në Institut. Por, për habinë time, ai nuk pranoi dhe më kundërshtoi. “Po ta hap derën për këtë, tha ai, vijnë dhe të tjerë pastaj. Jo, nuk jam dakord…”. “Dëgjo, i thashë, e para që edhe ministri është dakord. E dyta, as të kam ardhur ndonjëherë për të të kërkuar ndonjë favor, por a e kupton se me ç’rast kemi të bëjmë: një vajzë e verbër kërkon të vazhdojë shkollën dhe ne të mos ia krijojmë këtë mundësi, qoftë dhe si përjashtim?!”. Por, qe e kotë, ai nuk lëshoi pe. Vasili u bind se s’mund të bëja më shumë. Ja, ky tip politikani i duhej Shqipërisë në këto vite, që as do t’ia dijë për humanizëm e më the të thashë…Jo rastësisht ai më pas u bë dhe ambasador ndërsa Ylli u zëvendësua me një tjetër. A thua të qe ndonjë ministër tjetër në vend të tij nuk do e çonte deri në fund miratimin që më dha mua? Ndaj thashë se politika nuk qe stof për të. Ishte kjo arsyeja që unë as i kërkova e as prita ndonjë favor nga ai kur u bë ministër dhe, mbi të gjtiha, po e them me shumë sinqeritet, se as nuk pata ndonjë qejfmbetje. Për një gjë jam i sigurt: që nga ai, si ministër, shumë miq e të afërt kanë ngelur të zhgënjyer e të pakënaqur. A mund të kuptohet shqiptari pa i kërkuar ndere e favore atij që ka pushtet, e për më tepër në një post si ai?!
Nga gjithë sa më sipër, nuk di nëse lexuesi më dha të drejtë për mesazhet që doja të transmentoja apo jo, gjë që nuk ka shumë rëndësi. Mua më erdhi shumë keq që e la këtë botë një njeri i mirë, nga ajo racë që po rrallohet përditë e më tepër tek ne dhe kjo më mjafton e më qetëson që munda të shkruaj këto rreshta për të.
LAMTUMIRË PIKTORI I VLORËS, NJERIU I MIRË, ILMI BANI!
Shkruajnë nga VLORA: Albert R. HABAZAJ & Jorgo V. TALO/
Fjala e Lamtumirës. Miq e dashamirës të artit dhe të familjes! Sot kemi ardhur që t’i japim lamtumirën e fundit piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani. Hutim, trishtim, tronditje, shokim na shkaktoi kjo ikje e papritur dhe e padrejtë. Lajmi i hidhur për vdekjen e hershme pikëlloi pa masë piktorët, shkrimtarët, mësuesit, pegagogët, nxënësit, studentët, miqtë e shokët, të gjithë qytetarët që e njihnin, apo që i kishin dëgjuar emrin nga veprat e tij të mira, të bukura dhe të dobishme. Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Vlorës, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri”, Vlorë, si dhe me dëshirën e familjes për të shprehur fjalën e lamtumirës, dua t’i them Ilmiut, se vërtet ike, por do të jetojë dhe do të na frymëzojë vepra jote artistike, pikturore e kërkimore – shkencore me karakter të thellë humanitar. Pikëllim i madh, dhembje e thellë shpirtërore, humbje e madhe për artin, arsimin dhe kulturën në qytetin e Vlorës e më gjerë, deri në rang kombëtar, sepse kontributi i tij ka qenë i dukshëm dhe i spikatur. Me pikëllim të thellë po ndahemi nga Ilmi BANI, njëri prej emrave emblematikë të pikturës Vlonjate, figurë e dalluar e pikturës shqiptare dhe e kritikës së artit. Një shpirt i etur për qytetari e për dituri dhe i gatshëm kurdoherë atë qytetari e dije ta transmentonte me zotësi te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, korrekt si ai, me predispozitë e me kërshëri të admirueshme për kërkime e studime didaktike e shkencore në fushën e shkencave humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të pikturës e të kritikës së artit. I paharruar miku im i shtrenjtë, Ilmi Rexhep Bani! S’kam fuqi të të shpreh dhembjen që më shkaktoi ikja jote si meteor i shndritshëm i artistit qytetar dhe të kulturuar. Mundohem ta mbaj veten, të ngrihem mbi të, se të nderoj shumë. Ashtu sikurse i paharruari Vasil Talo, mësuesi yt dhe i gjithë piktorëve me emër të Vlorës, edhe ti ike shumë shpejt nga një aksident fatal, jo për faj tënd… Koicidencë?! Një odise e tërë të ndodhi, por e pamerituar një fije floku. Ti ishe njeri me kulturë, me zemër të madhe e bujare, balancë ekuilibri, simboli ynë i mirësisë, etaloni i korrektesës. Ti ishe një njeri që qëndroje stoikisht dhe nuk ligështoheshe. Ti punoje vazhdimisht me të gjitha forcat. Luftoje për jetë, për jetë të ndershme, qytetare dhe të lumtur. Pakkush sa ti inkurajonte dhe përkrahte talentet e reja. Do të kalojnë vitet dhe ti, i paharruar Ilmi do të jesh më pranë nesh, ashtu si të kujtojmë të gjithë, të dashur, me buzëqeshjen e jetës, që nuk të ndahej kurrë nga fytyra jote fisnike. O Ilmi, më prishe punë me ikjen tënde, sepse do të më mungojë miku i vërtetë, këshilltari i duhur, modeli i këkuesit ndaj punës studimore, mjeshtri i shkrimeve lakonike, redaktori i rreptë dhe i drejtë te Zoti, busulla e përparimit të punëve të mira të letërsisë dhe artit.Ti, si intelektual i formuar, ishe orë e çast i përkushtuar për mirëvajtjen e punës arsimore, shkencore dhe artistike në Vlorë, i përzemërt dhe i devotshëm në realizimin e projekteve të Pemës së gjelbër dhe të shëndoshë të krijimit në qytet. Dashamirësia jote, ndjenja e sakrificës, solidarësia dhe besnikëria, ishin virtyte morale tuajat, si njeri modest dhe i dashur. Puna këmbëngulëse në procesin kompleks të studimit, përgjegjësia intelektuale, guximi dhe talenti krijues, si dhe objektiviteti shkencor të shquajnë, miku ynë, në kuadër të brezit të krijuesve dhe studiuesve që kanë merita për zhvillimin dhe pasurimin e kritikës së artit, didaktikës dhe pikturës në veçanti, patjetër dhe shkencës bashkëkohore në përgjithësi. Ilmi Bani – Është lindur më 1942 [15. 09. 1942] në Vlorë, nga nënë Sania, bijë nga Kafaraj, matanë Vjosës, e cila rrojti rreth 70 vjeçe, duke i rritur dy jetimët Ilmiun, dritën e syrit dhe Buqen, vajzën e vetme, me sakrifica e me nder, me punë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme në Ndërmarrjen Ushqimore të Vlorës, ku la një emër të respektuar. Babai i Ilmiut, Rexhep Bani atë pranverë të ’44 – ës “këndonte duke rënkuar për lirinë/ dhe kur në ferr të Mathauzenit e flakën, se shumë nuk u kthyen tok me të. Ata që u kthyen qenë me kokrra…e kujtimi i Babait, dëshmor Lirie mbeti për Ilmiun tonë Përshpirtje për Ëndrrën. Ilmiu u martua me Viton nga Tragjasi me origjinë, mësuese, njërën nga të bijat e Kamber Xhulevit, emër i njohur i arsimit të Vlorë, i cili është i biri i Patriotit Xhafer Xhulevi, sekretari besnik i Ismail Qemalit. Ilmiu me Viton lindën dy fëmijë: një djalë, Blendin, arkitekt, i cili është martuar me Almën, inxhiniere nga fisi Thomai, i nderuar në Elbasan, si dhe një vajzë, Bojkenën, arkitekte, e fejuar me ing. Elton Lala, në Sarandë. Blendi dhe Alma kanë dy fëmijë, Entonin dhe Irsën. Irsës së vogël do t’i mungojë gjyshi më i mirë në botë! Familjarisht Ilmiu jetoi e punoi në Vlorë. E aksidentuan tragjikisht më 13 gusht 2014, rreth orës 20. 30’ – 21.00 në Skelë, Vlorë , gjatë ditëve të ekspozitës “Vlora në Telajo”, me 500 piktura nga 60 artistë të peizazhit, mbylli sytë më 23 shtator, ora 10.00 në spitalin “Vitto Pazzi” në Lecce, Itali dhe sot, këtë të enjte të datës 2 tetor kur merr dhè, dhe ky dhè i qoftë i ëmbël, se për ëmbëlsi e mirësi të jetës jetoi e krijoi…U diplomua në Insitutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më vitin 1974 kryen kursin mbas universitar për teori dhe kritik arti. Ka punuar mësues i lëndëve: Vizatim, Pikturë dhe Teori Arti në Shkollën e Mesme Artistike “Naim Frashëri”, në disa shkolla tetëvjeçare dhe në Fakultetin e Edukimit të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Mbahet mend si një nga themeluesit e LSHA të Vlorës dhe për një kohë të gjatë, deri sa mbylli sytë, kryetar i LSHA, Vlorë. Para viteve ’90 të shekullit të kaluar ka botuar në organet e shtypit letraro – artistik dhe politik të kohës në fushën e arteve figuartive. Ka fituar dy çmime kombëtare (të I dhe të II) në konkurset kombëtare të kritikës dhe një çmim vjetor (të I) të revistës “Nëntori”. Më vitin 2007 botoi librin monografik “Përtej mjegullës”, biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos, që është vlerësuar si një libër i vyer për pionierin e Shkollës së Pikturës vlonjate. Mbas këtij botimi përgatiti librin “Didaktika e Edukimit Figurativ” tekst mësimor për shkollat e mesme, 2010, si dhe librin studimor “Lira udhëheq popullin dhe Delakrua [Delacroix, Eugène], 2012, për të cilin punoi nga viti 2009 – 2012, dhe përsëri iu kthye për përpunim sa më mirë shkencor. Tabloja “Lira udhëheq popullin” – më thoshte shpesh profesor Bani – e bëri romantikun KAMPION TË ARTIT TË RI”. Përgatiti dhe punim serioz tepër të guximshëm dhe interesant për artin e Da vinçit “Buzëqeshja e Monalizës dhe sfumatura Leonariane”. Të gjitha këto punime të vlerta janë në komjuterin tim. Ilmi, për gati 10 vjet ishim dhe punuam bashkë në LSHA, Vlorë për zbukurimin e jetës letraro- artistike në qytet, me ty, si Kryetar të Lidhjes. Ti u ndave përgjithmonë prej nesh duke na lënë veprën tënde të bukur, të mençur e fisnike dhe kujtime të paharruara. Do të jesh midis nesh dhe do të komunikosh me bashkëkohësit e brezat që do të vijnë. Jeta dhe vepra jote kanë sfiduar vdekjen. Kujtimi për njeriun e dashur dhe artistin e dalluar do të mbetet gjithmonë i paharruar . të jetë i paharruar kujtimi yt, miku im, siç ka qenë e nderuar vepra dhe emri yt. Miku im i vërtetë, qofsh i paharruar e dritë të bëftë emri! Të qoftë i lehtë dheu! Në kujtim të emrit të Ilmi Banit, ju ftoj të mbajmë 1’ heshtje nderimi.
P.s. Fjala e mbajtur me rastin e varrimit të piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, e enjte, më 2 tetor 2014,ora 14, në banesën e fundit, Babicë, Vlorë, nga Albert Habazaj, Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Vlorë.
Situata pikturore. Punë intensive, telajo të shumta peizazhesh, larmi situatash koloristike, penel herë i shkathët, herë herë i qetë, konstruktiv, dritë e bollshme, etyde edhe në tepër variacione të ndryshme të ditës, agim, mesditë, perëndim, muzg etj. Kjo është prurja gjatë 2- 3 muajve të fundit nga organizimet e grupuara të piktorëve në Vlorë dhe shumë vende të tjera përreth, si Himarë, Kuç etj. Një studio e mbushur plot dhe papritmas gjithshka ndërpritet nga një lajm i zi: Ilmi Bani aksidentalisht largohet nga kjo jetë!
Jeta. I lindur në Vlorë më 15. 09. 1942 nga prindër të varfër, në moshën 1 vjeçare mbetet jetim. Këtu fillon stërmundimi i nënës Sanie për të rritur dy fëmijët…Në vitet e para të shkollës lind dhe dëshira për të vizatuar…Më pas ndjek kursin e pikturës, si shumë djem të talentuar me piktorin e palodhur, plot dëshirë e passion, themeluesin e pikturës në Vlorë, Vasil Talo. Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, student në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vitin 1967 diplomohet. Ilmi Bani i përket brezit të piktorëve të fundit të viteve ’60, një grupi piktorësh në Vlorë, të cilët bënë emër me krijimet e tyre në Shqipëri. Mësuesi. Shtator 1967, Ilmiu fillon punës si mësues vizatimi për 2 dekada në disa shkolla të qytetit. Punon disa vjet në krye të Seksionit të Kulturës. Kryen një kurs pasuniversitar për kritik arti. Në vitin 1983 emërohet arsimtar në Shkollën Artistike “Naim Frashëri”. Modest, komunikues, i çiltër, plot humor, i apasionuar në punë, liberal në koncepte – ky ishte Ilmiu në marrëdhënie me kolegët. Në vitin 1998 emërohet drejtor i shkollës, shpaloset përpara nesh, kolegëve artisti vizionar, organizator me mendim të qartë perspektiv, këmbëngulës me kulturë dhe edukatë, cilësi këto që i manifestoi kudo ku drejtoi. Krijuesi artist. Në thesarin e pikturës vlonjate, Ilmi Bani ka vendin e tij të veçantë dhe shumë të merituar. Punëtor e i palodhur krijimet e tij janë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare, në Galerinë dhe Muzeun Historik, Vlorë, në Gjirokastër etj. Krijimtaria e tij prek të gjitha zhanret, por i parapëlqyer mbetet kompozimi, biles në këto vite të vështira për piktorët, ku shumë ju përshtatën edhe tregut, Ilmiu nuk e la mënjanë kompozimin. Këmbëngulës në kërkimin e gjetjes artistike, konsekuent i idesë së tij, ai nuk heziton që mbasi e ka mbaruar tablonë ta fshijë dhe ta rinisë edhe një herë, por këtë radhë me më shumë dinamikë, përmirëson elementët artistikë, kolorin, shpërndrjen grafike etj., siç ndodhi me tablonë e titulluar “28 Nëntori”, por edhe herë të tjera. Në vendin tonë, deri në vitet ’70, nuk ishte praktikuar puna në grup në piktura; e kundërta ndodhte në skulpturë, me grupin Paskali, Mano, Paço, por vazhdonte edhe me grupin tjetër të suksesshëm Dhrami, Rama dhe Hadëri. Tentativa e parë në pikturë ndodhi në Vlorë. Shtypi i kohës, kritika e vlerësoi tablonë kompozicionale me dimensione të mëdha të paraqitur me rastin e Ekspozitës së 30 vjetorit të Çlirimit, të grupit të piktorëve Ilmi Bani, Skënder Milori dhe Nestor Jonuzi. Lirizmi, delikatesa, koloriti plot dritë, dashuria për jetën karakterizon tablonë e kompozuar vertikalisht “Nëna e ve”. Ilmi Bani është fitues edhe i çmimeve kombëtare në pikturë gjatë konkurseve të ndryshme. Ide filozofike trajton në kompozime me dimensione të vogla por të fuqishme në përgjithësimin e temës, gjetjes kompozicionale e përgjithësimin artistik të idesë; kemi parasysh titujt si “Mbijetesa”, “Zanafilla e jetës”. “Vjeshta”, ekspozuar në Berat, në Galerinë “E. Lear” ishte një kompozim i vogël me një femër, ekzekutuar me lirshmëri, bukur dhe shumë i freskët. Në këto vite të trazuara dhe të hallakatura, të bie në sy se Bani mbeti besnik i formimit dhe i individualitetit të tij artistik, duke mos bërë plagjiatura. Brenda studios ka piktura për popullin, por ka edhe “Krijime artistike kontemporane”, si u thoshte ai punimeve bashkëkohore. Portreti një zhanër që piktori nuk e la pa e prekur, e ndër vite realizoi shumë, të njerëzve të dashur, të personaliteteve të letrave, të patriotëve etj. “Fishta” është një nga këto, portret shumë i bukur me një dritë të brendshme vezulluese. Në disa kompozime për I. Qemalin, Plaku i Vlorës, herë i ulur, herë në këmbë, në situate të ndryshme koloristike dhe grafike paraqitet me një kolorit dhe plastikë të ngrohtë, natyrshëm, i qetë dhe shumë fisnik. Por, padyshim, portreti i kompozuar “Nëna” është një nga veprat më të bukura të realizuara, ku përveç kompozimit impozant të figurës, qëndrimit artistik, organizimit grafik, drita përqëndrohet vetëm te portreti. Përmes ekzekutimit të lirshëm të një plastike shumë të ndjerë, një koloriti të kursyer, kompozimi mbyllet tek dy duart e kryqëzuara në hije, një individualizim i përkryer, që sugjeron gjithë dashurinë dhe respektin e piktorit për nënën e tij. Janë të panumërta peizazhet, natyrat e qeta të realizuara e natyrisht në këtë shkrim homazh nuk mund të përmenden të gjitha. Mjeshtëria e këtij piktori modest por të fuqishëm duket edhe në një teknikë tjetër të artit figurative, në akuarel. Në studio ka shumë akuarele të realizuara ndër vite, të paekspozuara: portrete, peizazhe, natyra të qeta, teknikisht të përkryera. Ilmi Bani shpalosi vetvetiu dimensionin e tij human, intelektual, erudicionin, shpirtin e tij artistik edhe një një fushë tjetër, atë të mendimit estetik të kritikës artistike me shumë artikuj për ekspozita kolektive dhe personale për kolegë, studime të ndryshme për probleme të artit, tablo kompozicionale etj. Kohë më parë, piktori na njohu me një studim akoma në proces për tablonë “Liria në barrikadë” të Delakruasë, për tendencën artistike, filozofinë e kohës, por mbi të gjitha, për afeksionin e tij personal për artin Grek, që lidhet me figurën symbol në qendër të kësaj kryevepre të pikturës botërore. Vlen të veçojmë studimin e tij: “Kërkime për kolorin, linjën, karakterin dhe detajet” për ekspozitën e piktorit Skënder Milori, një punim i plotë, i thellë, me kompetencë profesionale. Si asnjë piktor vlonjat i brezit të tij, Ilmi Bani tregoi një cilësi tjetër të karakterit: Mirënjohjen. Mirënjohës për punën e palodhur të mësuesit të tij, por edhe për vlerën si piktor, ai realizoi monografinë e letrarizuar “Përtej Mjegullës”, kushtuar Vasil Talos. Ky libër me nivel të lartë artistik, është shkruar me dashuri dhe vërtetësi, me ndershmëri profesionale dhe, ndërkohë, është i vetmi libër deri më sot në Shqipëri, ku një piktor shkruan për mësuesin e tij të artit të ngjyrave.