Nga Arjan Th Kallco/
Pak kohë më parë duke bërë kërkime që lidheshin me një filozof të kohëve moderne, kur njeriu dhe shoqëria po hynte në krizën më të thellë të ekzistencës së vet, mes shumë pyetjeve të pafund për këtë realitet tejet dramatik të botës së sotme, njëra, ndonëse bëhet fjalë për një shkencë të re, sociologjinë, duket se po ngutet në përcaktimin ose më mirë riorganizimin e objektit të saj të studimit. Pyetjes se ku po shkon sociologjia botërore, europiane ku bën pjesë dhe shoqëria shqiptare, sado e brishtë që ajo renditet me simotrat e veta, sociologët po përpiqen të hedhin disa hipoteza që janë quajtur diagnostike, një lloj analize për të parë nëse simptomat e kanë dëmtuar shumë apo janë në fazën e parë të shfaqjes. Kriza e shoqërisë ka kapur fort edhe vetë këto shkenca që gjenden në udhëkryqe të mbijetesës. Në Itali rreziku është tejet i dukshëm, pasi kjo shkencë po rrezikon të mos ketë vendin e vet në arenën botërore. Një studiues milanez boton një artikull ku titulli ndoshta nuk ndjell për të mirë: Zhdukja e sociologjisë së shkencës zyrtare italiane: vrasje apo vetëvrasje? A ka krizë shkenca mbi shoqërinë? Këndvështrimi nuk ka të bëjë me institucionet, por merr një karakter tjetër që lidhet me gjithçka që vetë shoqëria krijon dhe që e transmeton në breza, me aspektin më të lartë të mendjes krijuese të një kombi, me kulturën. Pra më shumë se një problem organizativ është problem kulturor. Ja sesi bëhet një krahasim midis dy etapave të zhvillimit të saj : Dikur sociologët ishin të paktë në numër dhe ishin shumë të ditur, të përgatitur dhe thoshin gjëra interesante, por gjëja më e rëndësishme të bazuara në fakte. Sot sociologët janë të shumtë, apo siç mund të themi pa hesap, faktin e mbiprodhimtarisë më shumë se kudo e gjen në Shqipëri, personat e ditur janë të paktë dhe pranohet një e dhënë e dhimbshme që sociologët shpesh thonë banalitete.
Që t’i japim një përgjigje të saktë pyetjes së mësipërme, më parë duhet t’i japin një përgjigje pyetjes që për mendimin tim është më kryesorja dhe vendimtarja, ku po shkon njeriu. Është objekti dhe subjekti i shoqërisë, ai që i jep kuptim jetës, që vepron dhe punon individualisht i rrethuar nga uni dhe egoja, në shoqëri dhe në komunitete të përcaktuara mirë, ku gjithçka në kontekstin e parë, anulohet dhe konsiderohet një pjesë e një mase që prioritare kanë interesin e të gjithëve, të paktën Rusoi këtë përcaktim e ka dhënë shumë kohë më parë. A është më njeriu kafshë politike, sipas Aristotelit, apo ka marrë një natyrë tjetër për shkak të evolucionit? Mendoj se këtë natyrë e ka ruajtur më së miri, bile në këtë shekull të ri po e tregon më qartë se nuk ka ndryshuar asnjë presje e përcaktimit të Aristotelit, veç duhet shtuar se është bërë shumë më politik, pasi është vetë natyra e sistemit që e lidh fort me interesat e klasës poltike dhe që përdoret barbarisht prej tyre. Le t’i hedhim një sy njeriut shqiptar, ju kujtoj studimin e disa ditëve më parë për cilësitë e njeriut modern, dhe do të bindemi se reflektimi na jep të drejtë. Fushata aktuale parazgjedhore tek ne po e vërteton këtë natyrë të re të njeriut të sotëm sociologjik. Raporti kënaqësi – dhimbje për të cilin disa filozofë kanë shprehur mendime të ndryshme duket se e rrok më qartë faktin se një kënaqësi vjen pas dhimbjesh të vuajtura nga lufta e egër poltike, kur zë një vend pune të përkohshëm, aq sa zgjat edhe mandate i zgjedhjeve ose më pak, ndërsa anasjelltas një dhimbje që vjen pas kënaqësisë është më shkatërruese për njeriun e sotëm që përpiqet me çdo kusht të bëjë para me çdo mënyrë, për sa kohë është në një post, edhe shpesh herë të pamerituar. Është çështje zgjedhjesh edhe pastërtia e figurës së tij apo pistësia e detyruar nga kushtet në të cilat ndodhet individi edhe në nivel botëror. Kriza e pafund ka nxjerrë dhe po nxjerr në pah njeriun e dobët, të pamoral, gati të bëjë konsensus edhe me djallin, mjaft që të ketë një dinjitet të nëpërkëmbur që t’i sigurojë një vend pune që të mbajë familjen. Është njeriu që sakrificat i bën vetëm një herë në jetë, ndërgjegjësimi aktual tek fqinjët tanë është një fakt që duhet përshëndetur, ndërsa herën e dytë rebelohet dhe proteston, duke e vënë në vështirësi klasën poltike, shtetin dhe të gjitha strukturat e krijuara në dhjetëvjeçarë, si në rastin e Italisë. Është njeriu dogmatik që për interesat e veçanta të një klani nuk arrin që të dalë jashtë tyre, edhe sikur dogma të kenë karkter të përkohshëm poltik. Është njeriu i përulur ndaj kultit të njeriut perëndi dhe ndaj santazheve të përditëshme nga mesazhet poltike që më shumë se kurrë tek ne janë shumë të nxehta. Është njeriu plot me fobi që nuk mund të hedhë asnjë hap pa e mundur skepticizmin që e rrethon edhe brenda shtëpisë së vet, e jo më pastaj jashtë saj. Është njeriu hipokrit dhe me plot fytyra sipas situatës që shpesh merr karakter konfliktual dhe inatçor, secili e ka provuar sesa shtrenjtë të kushton liria, sapo fillon të shprehë mendimet e lira dhe të drejta. Mund të rendit edhe shumë detaje të tjera që e plotësojnë përgjigjen e pyetjes se ku po shkon vërtet njeriu. Nëse njeriu ka marrë këto drejtime, shumë prej tyre janë trashëguar nga shekujt, shumë të tjera janë shtuar gjatë jetës moderne, dhe pasi të japim një përcaktim të saktë të qënies njeri, pyetja tjetër se ku po shkon sociologjia do të ishte më e lehtë. Sociologjia dhe filozofia detyrimisht do të ndjekin ecurinë e faktorit njeri, pa të cilin nuk do të ekzistonin, do të marrin të gjitha ngjyrimet e raportit të tij me natyrën, me veten dhe me shoqërinë dhe do të përpiqen t’i interpretojnë nga një këndvështrim i ri, ku sigurisht gjithçka do të vazhdojë të reduktohet në maksimum, pasi shkenca dhe teknologjia gjithnjë e më shumë po e zvogëlojnë kohën dhe hapësirën ndërkomunikuese të drejtpërdrejtë mes të barabartëve dhe të ngjashmëve.