SHQYRTIME LETRARE/*
Nga Mikel GOJANI/
Romanet e shkrimtarit Sulejman Mato gjithnjë kanë zgjuar vetëdijen e lexuesve dhe të kritikës letrare, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe kanë arritur ta shtojnë interesimin e tyre. Ky interesim ka karakter dimensional, një, për shkak të vlerave që ngërthen poetika prozaike e shkrimtarit Mato, njëherësh edhe nga fakti se pikërisht prozat e tij trajtojnë kohën e kthesave historike me fatet dramatike të protagonistëve që frekuentojnë në prozën e këtij shkrimtari.
Vlerat e komunikimit tregimtar
Romansieri S. Mato, duke strukturuar vlerat sublime të komunikimit të tillë artistik, arrin të pohojë, dhe të na bindë, se realiteti jetësor, i ngritur në realitetin artistik, qartësohet nëpërmes analizës kritike krijuese mbi gjithçka që ka ndodhur dhe mbi gjithçka që ndodh rreth nesh e brenda nesh.
Në letërsinë shqipe, shkrimtari Sulejman Mato ka sjellë edhe romanin e tij të titulluar,”Njerëzit janë si retë”, që është një roman tepër interesant dhe i një rëndësie shumëdimensionale.
Në romanin “Njerëzit janë si retë”, shkrimtari Sulejman Mato sjellë realitetin e një shoqërie të turbulluar, krizën shpirtërore të një brezi me të cilin jeta u tregua dorështrënguar dhe që kërkon dashurinë aty ku vështirë mund të gjendet, duke marrë zhgënjime ndoshta edhe të pritshme.
Studiuesi i veprës së shkrimtarit Sulejman Mato, kritiku letrar, Moikom Zeqo, duke vlerësuar vlerat e këtij romani shprehet: “ Një jetë në përpëlitje midis ëndrrës dhe realitetit të tranzicionit, shqiptarë të traumatizuar nga emigracioni në kërkim të Eldorados. Subjekti dramatik ka në qendër njerëzit e tendosur për të ardhmen, por edhe trafikantë vizash,gomonesh,policë dhe prokurorë të korruptuar, një poet në kërkim të identitetit, një personazh që udhëton në botë me një monolog në kokë,deputetë të lidhur me mafien – një strukturë groteske të shoqërisë, ku nuk mungon drita dhe përsiatjet humaniste. Romani “Njerëzit janë si retë”- vepra më e arrirë e shkrimtarit Sulejman Mato, ndër veprat më të mira të këtij zhanri në Shqipëri – është kronikë, dëshmi, analizë dhe imagjinatë”, shprehet studiuesi Zeqo. Shkrimtari i talentuar shqiptar, S. Mato, në librin “Njerëzit janë si retë”, ka arritur që të sjellë një realitet të hidhur me esencat e saja tragjike, një pasqyrim i përditshmërisë me të cilën përballet individi dhe kolektiviteti shqiptar; një realitet me të cilin përballet shoqëria shqiptare, të një aktualiteti të sotëm me një frymë të re dhe qasje të veçantë në letërsinë tonë bashkëkohore.
Përmbajtja e librit “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, është sjellë nëpër kapituj të veçantë, që përçon mesazhe të rëndësishme përmes narratorit, i cili bën përpjekje që përmes rrëfimit të gjejë shtigje për të dalë nga ky rreth që ka kapërthyer shoqërinë shqiptare. Nga ky rreth i hekurt i këtij realiteti të trishtë, narrator përpiqet të dal përmes revoltës, protestës, dashurisë, indinjatës, thyerjeve të tabuve, paragjykimeve dhe shumë dukurive të tjera. Rrëfimet e autorit që i sjellë në jetë të lënë pa frymë. Autori Mato paraqet një libër me një bazë reale, të gërshetuar me pjesëzën imagjinare.
Romani “Njerëzit janë si retë, i shkrimtarit Sulejman Mato ndjek modelet e rrëfimit realist, të konsoliduar tashmë në krijimet e autorit,bashkë me mënyrën e tij krejt origjinale në qasjen e tematikës sociale me trajtim të spikatur psikologjik. E njohur është tashmë edhe prirja e tij për trajtimin e temave që lidhen me problematikën aktuale social – psikologjike, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit, të mënyrës së të ndjerit,kushteve material e më shumë atyre shpirtërore të njeriut shqiptar. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e këtij autori,e kanë shtysën në vëzhgimin e hollë dhe të vazhdueshëm të evoluimit apo transformimit të psikes së individit dhe të kolektivitetit të realiteti shqiptar. Figurat vihen të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve politike dhe sociale,por specifika e reagimeve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të veprës letrare. Konfliktet dramatike, në të cilat i përplas jeta protagonistët që frekuentojnë në vepër,përballen denjësisht ose jo, por autori kujdeset të lehtësojë aftësitë e leximit intelektual të lexuesit nëpërmjet paraqitjes tronditëse e rrëqethëse të fakteve të njohura jetësore dhe organizimit të tyre brenda subjektit baladesk së romanit, pa preferuar t’i lërë lexuesit në mëdyshje ekzistenciale, që do të kumbisnin konkretësinë e detajeve të kohës dhe hapësirës. Mëdyshjet dhe sëmbimet janë të realitetit konkret shqiptar dhe jo të fatalitetit konceptual të qenies njerëzore.
Romani i S. Matos, Njerëzit janë si retë, merret me fatin e njerëzve, mbi të cilët kaloi tornadoja e realitetit të egër jetësor, me ngjarjet e dukuritë me ashpërsi e goditje drastike mbi shoqërinë shqiptare;gërshetohen këto për të dhënë problematikën sociale e psikologjike krejtësisht shqiptare në fillimshekullin e XXI, pothuaj në të gjitha përmasat.
Romani “Njerëzit janë si retë i autorit” i S. Mato, në vend të prologut prezanton një mesazh tepër dimensional në formë të vargëzimit, që është një paralajmërim për lexuesin që ka të bëjë me një motiv dhe strukturë esteto-artistike të një shkalle të lartë. Janë këto vargjet përçojnë motivin e zhbërjes së karaktereve nën trysninë e realitetit të rëndë të krijuar në ambientin shqiptar, si variante të të kundërtave brenda këtij njeriu që sjell nota herë – herë edhe nga ato më tragjike. Këto vargje shërbejnë dhe sjellin një gatim real nga një brumë i çdoditëshmërisë së realitetit tonë:
Njerëzit janë si retë…/ Njerëzit janë si retë./ Re-ëndrra, re-vegime,/ re dëshira për qiej të tjerë,/ re pikëllima shirash të vjetra,/ re bubullima të gëzuara fitoresh të përkohshme,/ re- metaforës dashurish mistike, re- flamuj të përgjakura në beteja të humbura, re karvanë të gëzuar shirash në ikje,/re, re, re…/ dhe njerëz, njerëz, njerëz…/ që u ngjajnë reve… (Fq.5).
Në thelb qëndron filozofia defitiste e pamundësisë së njohjes së vetvetes,e pamundësisë së ruajtjes së vetvetes nga e keqja dhe zhgënjimi. Kjo është vetëm endja material e subjektit, premise për ta çuar në përfundimin pesimist ndenjes ekzistenciale.
Fabula që mban në ankth gjatë tërë narracionit
Esencialisht në romanin “Njerëzit janë si retë”, i autorit Sulejman Mato, objekt trajtimi bëhet e keqja, varfëria, dhimbja, që njeriu i shkakton njeriut. Këto fenomene janë konkretizuar dhe shprehur në këtë roman nëpërmjet ngjarjeve dhe rrëfimeve që autori i shtjellon në roman. Fabula e romanit është tejet tërheqëse dhe të mban në ankth gjatë tërë narracionit. Ariani një djalë i ri, i cili njëherësh është edhe bartës i pothuaj gjithë ngjarjeve në roman, të cilit nuk i mungonte guximi, iniciativa, kishte synuar të bëhej dikush në jetë. E ndjente që kishte dhunti për të shkruar,prandaj i vuri vetes obligim që ta kryejë fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe e mbaroi. Qysh në kohën e studimeve nisi të shkruante vjersha,skica dhe tregime të shkurtra. Emërimin mësues në Krume të Kukësit e priti më kënaqësi të veçantë,sepse konsideronte se njeriu në moshën rinore ka nevojë për një përvojë jetësor. Jeta në këtë pjesë të lëna larg urbanizmit, me atë jetën e atyre malësoreve më plot vështirësi,përkatësisht në një varfëri të thellë, mirëpo shumë fisnikë, kjo jetë midis këtij vendi dhe këtij realiteti nuk i dukej monotone sa i dukej në kryeqytet. Megjithatë një ditë Arian Bejta u kthye në kryeqytet, që kishte ëndërruar si një kthim triumfal dhe do të ishin kryeredaktorët e revistave dhe gazetave që do ta angazhonin në jetën letrare, apo publicistike. Mirëpo, me përmbysjen e sistemit u përmbysen edhe ëndrrat e tij,sepse Ariani u kthye në kryeqytet në kohën kur mendjet intelektual ishin infektuar me fraza politike. Gazetat dhe revistat ishin mbyllur njëherë e përgjithmonë, poetët në këto kohë shiheshin me dyshim, si njerëz ëndërrimtarë dhe parazitë, naivë dhe romantikë, të cilët nuk janë të dobishëm për asnjë punë të dobishme.
Lidhjet e tij me Marianën, paraqesin një kapitull të veçantë në jetën e tij. Këtë dashuri e ruajti si diçka të shenjtë dhe pas katër vjetëve në Krumë të Kukësit, ndiente shumë mall për të. Në shtator të atij viti Marianës i doli e drejta e studimit për në Fakultetin e Veterinarisë. Këtë të drejtë ajo e quajti një dështim të ëndrrave të saj, ndërsa për familjen e saj një sukses,mbasi ata nuk kishin pretenduar as kaq. Ata nga pushteti i atëhershëm shiheshin me sy të shtrembër për shkak të një daje të tyre i cili kinse kishte qenë organizator i bombës në ambasadën ruse, i pushkatuar po atë vit së bashkë me 25 persona tjerë. Dashuria në mes Arianit dhe Maiianës ishte një dashuri që do të këputej. Realiteti i rëndë që ishte krijuar, ndjenja e ikjes nga atdheu është një ndjenjë që ishte mbëltuar në qenien e gjithsecilit. Këtë ndjenjë e kishte pasur (dhe kishte realizuar), edhe familja e Marianës, e cila familje përmes lotarisë amerikane kishte siguruar vajtjen dhe jetesën në “tokën e premtuar” në Amerikë. Ariani,edhe pse kishte njohuri qysh herët për këtë fakt,që një ditë do të detyrohej të ndahej nga Mariana, ai, megjithatë ndarja i ishte dukur gjithmonë si diçka e largët. Amerika ishte faktori që kishte prerë një dashuri shumë të thellë dhe teper të sinqert në dysh, dashurinë mes Arianit dhe Marianës.
Nuk më pyetët për vizën, – tha ajo pasi hoqën palltot.
-Ah po…
Si kështu?Kur?
Sot në mëngjes. Gjithë dita na kaloi duke lajmëruar kushërinjtë, nisi të tregonte ajo tërë gjallëri,por kur vuri re fytyrën indiferente të Arianit, u step.
Po ti, pse s’gëzohesh?
Përse të gëzohem? Që po ikën në Amerikë?
Po bën sikur sapo e more vesh?Lotaria ka një vit që ka dalë.- Ajo fliste me gjallëri dhe dukej sikur nuk i interesonte trishtimi i tij i ligjshëm,madje sikur ta bënte kastile…Mami u mërzit që sot. Kur po dilja nga shtëpia erdhën tezet për vizitë. Lëre ç’vajti! Qaj e puthu,sikur të na kishte ndodhur një vdekje. Janë mësuar më njëra – tjetrën. S’ka ditë që të mos vijnë,ose ato te ne, ose ne tek ato. Lerë hallën!… Sa mori vesh që kishim marrë vizat,mbërriti në çast duke qarë.
Më keq nga të gjithë e kam unë,- i tha Ariani.
Ngadalë ti… Po na bëhesh si tezet. Më keq e kam unë…, – i tha ajo duke i shtrënguar dorën… (Fq. 18).
Amerika për shumëkë në këtë kohë ishte shndërruar në simbol të lirisë dhe mirëqenies, mirëpo për Arianin ishte kthyer në një bumerang dashurie.
Realiteti i rëndë që ka kapërthyer në gjithë hapësirat jetësore
Në këtë roman, shkrimtari Mato e thellon gërmimin e tij psiko-shoqëror të kësaj kohe të një bote të larmimshme e me vlera të shumanshme e ku personazhet janë të shumë dhe që i përkasin karaktereve po ashtu të ndryshëm, si Nani, Xhema, Famiri, Sandri, Astriti, Arturi, Shpresa, Ademi, Drinit, Luan Qosha, Sydrit Jaupi e shumë të tjerë. Këta personazhe pësojnë një varg zhgënjimesh, të cilët përmes ikjeve dhe misioneve të pafund për në shtetet e Europës, duke rrezikuar edhe jetët përmes kalimit të ujërave të detit, për të gjetur një jetë më të mirë. Autori do theksuar se në këtë kohë të pas diktaturës komuniste na paraqitet rrugëtimi dhe shtegtimi tragjik të njerëzve që përmes gomoneve famëkëqija bëjnë përpjekje për të kaluar edhe ujëra e thella të deteve, vetëm e vetëm për ta gjetur “parajsën”.
Realiteti i jashtëm, në të cilin lëviz qenia fizike e protagonistëve, shërben vetëm si një rrugëtim për të hyrë në realitetin e brendshme, të çuditshëm dhe tepër paradoksal. Protagonistët gjakojnë përfundësisht për t’i rrëfyer fshehtësitë e këtij realiteti të rëndë dhe shumë konfuz për t’i zbuluar thellësitë e mistershme të problemeve esenciale të jetës.
“Po. Po. Duhet ikur nga ky vend… Nga ky vend që s’ka para, nga ky vend me trazira të vazhdueshme dhe gjithfarëllojshme,nga ky vend me njerëz të korruptuar,nga ky vend kur njeriu për njeriun është ujk,nga ky vend ku të rinjtë plaken para kohe,nga ky vend i infektuar në strese,nga ky vend ku ia bëjmë njëri –tjetrit jetën skëterrë. Do iki, do iki,do iki! Do marr me vete “Vlorën”,- tha me vete,pa menduar se pikërisht në këtë çast po merrte një vendim të rëndësishëm për jetën e tij”. (Fq. 80).
Realiteti i rëndë ka kapërthyer gjithë hapësirën jetësore të individit dhe kolektivitetit të vendit. Ikja me gomonet dhe përfundimi tragjik nëpër këto ujëra, duke u nisur drejt brigjeve italiane, ndërkaq dallgët e valëve shumë të rrëmbyeshme dhe të çmendura i bartin në brigjet e Korfuzit. Gjatë kësaj kohe ndodheshin shumë raste të emigrantëve të cilët duke bërë përpjekje për të ikur nga atdheu i tyre, me gomone ishin zhdukur në det të hapur. Nëpër televizionet private njerëzit shiheshin sekuenca nga më të çuditshmet dhe nga më tragjike, që dukeshin sikur të trilluara, megjithatë ishte një realitet i hidhur dhe pikëllues. Shiheshin skena nga më rrëqethëse që syri nuk mund t’u besojë. Të këqijat që kanë lëshuar rrënjë janë të shumta, jo vetëm fenomeni i ikjes dhe i largimit dhe migrimi nëpër vende të Europës, si Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Angli dhe shumë vende të tjera. E keqja qëndron si makth edhe brenda shumë hapësirave të jetës që rëndon jetën e njeriut në atdhe, si blerja e vizave për ikjen jashtë; ndarja e pronave në mënyrë irracionale që shkaktonte plagë deri në vrasjen e njerëzve mes vete për konflikte pronësie. Këto raste dhe shumë të tjera bënin që policët dhe prokurorët të korruptohen; gjakimi i njerëzve të cilët kishin siguruar një qëndrueshmëri ekonomike jashtë, ndërsa dëshironin që të ktheheshin dhe të investonin në atdhe, mirëpo investimi i tyre ishte i pasigurt, sepse i tëri u digjej i tëri, që krijonte ndjenja dëshpëruese për të tjerët për të investuar në vendlindje, realiteti i rëndë politikë, sidomos në prag të zgjedhjeve në vend, sidomos mes dy partive më të mëdha, PD-së dhe PS-së, zgjedhja e përfaqësuesve të këtyre partive politike për deputetë me atribute të pamerituara dhe keqpërdorimi i pozitave nga ana e tyre, kriminaliteti i shprehur deri në skajshmëri, që jetën e qytetarëve e bënin tepër të pasigurt dhe nga që kanë thelluar ndjenjën e jetës së njerëzve dhe shumë të këqija të tjera, japin vulën e këtij realiteti objektiv.
Këto ndërthurje nuk janë kërkime teknikash rrëfimi të ngritura mbi platformë teorike të estetikës dhe procedimit me fjalën artistike. Mirëpo, e vërteta është gati e pabesueshëm e dukurive që ngjyros tragjikisht kohën tonë, por krejtësisht reale, që ngjeshët me linjat e subjektit në prozë.
Romani “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, e ruan unitetin e vet ligjërimore e tematik, duke e lartësuar dhe duke e fisnikëruar përvojën e gjatë artistike e jetësore të shkrimtarit. Kujtimet, përsiatjet e shenjëzimet që dalin nga zëri i ditëve të caktuara, bëhen shënjëzime, përsiatje e zëra të thellësive kuptimore, të thellësisë së ndjenjave, të ideve e të mendimeve.
Shkrimtari Sulejman Mato, prozën e konkretizon me një post scriptum, përmes të cilit shtron pyetjen se “ç’qëllim kanë këto histori njerëzore, të ngjasur me histori resh në ikje, që fshihen nga kujtesa e qiellit”. Autori Mato, si përgjigje i referohet fjalëve të Schopenhaur-it i cili thotë: Të kërkosh një qiell në histori është njëlloj si të kërkosh gjire, lumenj apoluanë tek retë”.
Libri është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më të thellë të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe hapjen e një horizonti të ri në përsosjen e shijeve të lexuesit shqiptar.
*Sulejman Mato: Njerëzit janë si retë, roman, botoi TOENA, Tiranë 2010.