• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kështu as Brukseli i Borrellit nuk i normalizon marrëdhëniet Kosovë-Serbi

July 15, 2020 by dgreca

Shkruan:Skënder Bucpapaj

Siç e pohon Josep Borrell, takimet në Paris dhe video-konferencat me kryeministrin e Kosovës Hoti dhe presidentin e Serbisë Vuçiç, po shënojnë vënien e dialogut midis dy shteteve fqinje që ata përfaqësojnë në binarët ku ai ndodhej para “njëzet muajve”.

Janë “njëzet muaj” famëzinj gjatë të cilëve dialogu midis dy fqinjve ballkanas u zhvillua nga formati pa transparencën e duhur në formatin e fshehtë, krejtësisht hermetik, vetëm midis Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiçit. Kalimin në këtë format, ashtu si të gjithat rrjedhat e deriatëhershme të dialogut, i imponoi Beogradi, falë papërgjegjshmërisë me të cilën ndërmjetësuan apo “lehtësuan” procesin nga viti 2011 deri para “njëzet muajsh” përfaqësueset e larta të BE-së, Ashton dhe Mogherini.

Pas “njëzet muajsh”, kur dialogu pritet të rifillojë në binarët e mëparshëm, domethënë të kohës së Ashtonit dhe Mogherinit, Përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri ka kërkuar “guxim politik nga të dyja palët… në frymën e kompromisit”. As pas 10 vjetësh nga fillimi i dialogut, as pas “njëzet muajsh” të zhvillimit të tij në formatin e fshehtë, pra, Brukseli nuk e ka kuptuar se kërkimi i kompromisit nga të dyja palët e çon procesin në të njëjtët binarë ku Mogherini e kishte lënë në duart e Thaçit dhe të Vuçiçit.

Brukselit i Borrellit, si më parë ai i Ashtonit dhe Mogherinit, e shpërfill faktin se Kosova e ka bërë kompromisin kur ka pranuar që ajo të mos bashkohet me Shqipërinë, kur ka miratuar “planin Ahtisaari” të hartuar me ekspertët më të mirë të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës. Mbi këtë bazë, Kosova është shpallur shtet i pavarur e sovran demokratik perëndimor, mbi këtë bazë, është njohur nga pothuaj e gjithë bota perëndimore dhe shumë vende të tjera të botës. Mbi këto baza, ka vendosur dhe zhvillon marrëdhënie diplomatike me dhjetëra vende. Mbi këto baza, Kosova ka hyrë në proceset integruese euro-atlantike. Në këto 11 vite të pavarësisë, Republika e Kosovës, me durim dhe konstruktivitet, në një proces sado të lodhshëm, zhgënjyes, pa fryte, është përkushtuar që të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë fqinje. Dhe asnjëherë nuk ka dhënë shenja se ka ndërruar mendje dhe se tashmë kërkon të bashkohet me Shqipërinë.

Nga ana e saj, Serbia fqinje, në këto 10 vite të dialogut, të kulmuara në “njëzet muajt famëzinj”, ka bërë gjithçka për të arritur që procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, ta kanalizojë në proces të shndërrimit të Kosovës në një çështje të pazgjidhur. E ka bërë haptas, sfidueshëm, me agresivitet, me arrogancë të padurueshme dhe të papranueshme.

Deklaratës së Borrelit pas video-konferencës Hoti-Vuçiç, ky i fundit i është përgjigjur se kërkesat e Kosovës janë maksimale, prandaj Beogradi do t’i përmbahet një procesi të “hapave të vegjël” të normalizimit të marrëdhënieve. Me këta “hapa të vegjël” që Beogradi ia ka imponuar dialogut këto dhjetë vite, siç më është dashur edhe mua shpesh ta theksoj, as pas qindra vjetësh të tjerë nuk pritet të normalizohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, mes serbëve dhe shqiptarëve.

Në emër të palës së përfaqëson, kryeministri Hoti, duke dhënë pajtimin për takimin e 6 korrikut në Bruksel me Vuçiçin, përsëriti qëndrimin e Kosovës se “dialogu nuk ka alternativë” dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen “çështjet me Serbinë”. Pra, dialogu është krijuar për të zgjidhur “çështjet me Serbinë”, e cila, njëzet e një vjet pasi është larguar me forcën ushtarake të NATO-s dhe të UÇK-së nga Kosova, edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe 10 vjet pas fillimit të dialogut, vazhdon të mos e njohë realitetin fqinj, Kosovën e pavarur dhe sovrane, me kushtetutën e saj, me unitaritetin e saj, me integritetin e saj tokësor të pacënueshëm.  “Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve e cila vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, sqaron Hoti. Dhe shton: “Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.”

Pra, “çështjet me Serbinë” zgjidhen pasi Serbia fqinje të njohë Kosovën. Serbia ta njohë Kosovën siç e kanë njohur vendet e tjera fqinje, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, ta njohë siç e kanë njohur vendet rajonale, Kroacia, Sllovendia, Bullgaria dhe Turqia, ta njohë siç e kanë njohur njëzet e sa vende të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, siç e kanë njohur tri vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, siç e kanë njohur rreth 100 e sa vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. Serbia ta njohë Kosovën me atë popull që ka, me atë kushtetutë që ka, me atë sipërfaqe tokësore që ka, me ata kufij shtetërorë që ka, me atë organizim të brendshëm administrativ që ka. Ashtu siç e kanë njohur të gjitha vendet e tjera.

Nëse do të vazhdojë të plotësojë tekat e Beogradit për ta vërtitur si të dojë ai procesin e dialogut, atëherë as Brukseli i Borrellit, ashtu si Brukseli i Ashtonit dhe Brukseli i Mogherinit nuk do të arrijnë asgjë thelbësore. Akti më përgjegjshëm do të jetë heqja dorë përfundimisht nga dialogu. Dhe të gjitha pasojat të bien mbi Serbinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hoti-Vucic, Josep Borrell, njohjen reciproke, Skender Bucpapaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT