• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni

September 10, 2020 by dgreca

“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson

“Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli

 “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur

në zemrat e tyre.” – Faik Konica

NGA ANTON ÇEFA*-

Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare” 1).

Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë asaj. 2).

Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se “lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!”3).

Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. “Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.” 4).

“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin qw: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.

Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: “Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla” 5).

Ai arriti t’i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati – armik i tij – nuk e ratifikoi Traktatin.

Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.

* * *

“Deklaratat e Wilsonit rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)” 7).

Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.” 8).

Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.

Më, më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Ëilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .” 9).

Fakti që nuk përmendej Shqipëria në Planin 14 pikësh qe shumë shqetësues si për të gjithë shqiptarët ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës. Gjithsesi, Noli dhe drejtuesit e “Vatrës” kishin besim tek Wilsoni, tek premtimi që ai i kishte dhënë Nolit në Mount Vernon dhe sepse në pikën 11 flitej për garancitë ndërkombëtare për pavarësinë politike e ekonomike dhe integritetin tokësor të disa shteteve ballkanike; dhe, mbi të gjitha, sepse fryma e Fjalimit të Presidentit në planin e paqes ishte plotësisht në hullinë e vendosjes së të drejtave të popujve. Nga fundi i Fjalimit të tij, Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”. 10).

Takimin e tij me Wilson-in, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson.” 11).

Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.” 12). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: “Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkoln-i për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”

Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën “The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 13). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 14). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”15). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.

Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët” 16). Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit, paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to.” 17).

Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 18). “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson.”

Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”

Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.”

Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”

Wilsoni u përpoq t’u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “po në Versailles Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”, thotë Noli. Dhe, vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”

Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve.” 19), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.

Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”

Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”

Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për ëWlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.

Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.

* * *

Po, nga ledhet e fortesës së “Vatrës” qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton – shkroi ai – se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”. Dhe më poshtë: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin” 20).

Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”. 21).

Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:

“Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.

Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: “Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Ëilson” (Nënshkruar) Noli. 22). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.

Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, “Vatrën” dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. 23). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve.” 24).

Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, “Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin”. Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:

Thërresim ‘Rroftë Amerika’

Madhëri e Tij Wilsoni,

Me katërmbëdhjetë pika,

I thotë Evropës qëndroni!”

“Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, – shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën – i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:

“Vashington D.C. 26th January 1922

I dashur z. Profesor Jones,

Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.

Me urime të përzemërta,

(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 25).

Referenca dhe shënime

1). University of Knowlledge, “Great Leaders”, Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.

2). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188

3). Albana Mëlyshi Lifshin, “Udhëtim në Historinë Amerikane”, “Dita”, Tiranë, 2003, f. 225).

4). “Great Leaders”, p. 385.

5). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.

6). Arthur S. Link. “14 Pikat”, Pika XI – “Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake – shënimi im, A. Ç), t’u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t’i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t’u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë.”

7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+” – Compiled and +written by members of The Federal =riters’ Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II”, botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
11). ‘Noli: ‘Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta “Illyria”, dt. 31 janar-3 shkurt, 2003″, f. 24.
12). Po aty.
13). Shih “The Albanian Struggle in the Old =orld . . .”, p. 59-60.
14). Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës ‘Vatra”, Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
15). “Noli: “Shqipëria i ka borxh Amerikës”, “Illyria”, 31 janar -3 shkurt 2003.
16). Arthur S. Link “The Papers of =oodro+ =ilson, vol. 45, 1984, 536.
17). Peter R. Prifti “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, Tiranw, “Horizont”, 2001, p. 229.
.18). Fan S. Noli, “= =ilson”, në”Portrete dhe skica”, Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
19). Thomas A. Bailey “=oodro+w =ilson and The Great Betrayal”, Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: “Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e =ilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: “Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e =ilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme”.
20). Muin Çami, “Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar”, Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
21). Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
22). Idem, f. 174-175.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.
25). Idem, ibidem.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa, Noli dhe Konica

NGA POLEMIKAT E KOLOSEVE – NOLI: LUFTEN NUK E HAPA UNE, POR FAIKU

April 9, 2015 by dgreca

NGA IDRIZ LAMAJ*/
Kush e hapi luftën?/
Faik Konitza bën një shaka pa kripë kur thotë që unë e paskam provokuar dhe ia paskam hapur luftën.. Ja faktet: Ay nisi me anën e Diellit një fushatë diskriminimi që në Janar të motit 1925 kundër shokëve të mi e kundër meje. Unë u-përgjegja në Shtator të motit 1925, domethënë tetë muaj pastaj.
Qellimi i Faik Konitzës
Lufta për diskriminimin e nacionalëve kishte një qellim të çkoqur: Të gatitë udhën për një fushatë të hapur në favor të tradhëtorëve. Tani Faik Konitza lot me kartëra të hapura: Çpifje dhe sharje kundër Nacionalëve të mundur, lëvdata të paturpëshme për tradhëtorët mundës.
Shakaja m’e bukur
Pas mendjes së Faik Konitzës, e paskemi tradhëtuar Shqipërinë aq sa dhe Ahmet Zogu, dhe Vatra s’kishte veç të zgjidhte midis dy grupesh prej tradhëtorësh. Natyrisht pra Vatra zgjodhi grupin e tradhëtorëve mundës S”kishte tjetër udhë! Mezallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë se Vatra munt të lëftonte që të dy grupet e tradhëtorëve, ose të hiqej me një anë dhe të mos kishte punë as me njërin grup as me tjetrin.
Katilë !
“Katilë këtej, katilë andej” bërtet Faiku, dhe konkludon që duhen përkrahur katilët mundës, që kanë fuqinë në dorë. S’ka udhë tjatër për Vatrën! Mëzallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë që Vatra s’ka asnjë punë me asnjë grup katilësh?
Një çap më tutje
Po Faik Konitza vete edhe një çap më tutje: I gjen të drejta të gjitha vrasjet që kanë bërë gjer die dhe që kanë për të bërë nesër tradhëtorët bashibuzukë. Të shkretët! Kanë të drejtë të mprojnë vetëveten pastaj kanë detyrë të mprojnë memëdhenë nga gjakderdhësit dhe prishësit e shtetit. Kështu, nesër kur të bëhet ndonjë vrasje e re, Faik Konitza do të na thotë që Ahmet Zogu kish të drejtë.
Rroftë Ahmet Zogu !
Pse jo? Ahmet Zogu pas mendjes së Faik Konitzës, ësht i zoti të na vrasë, na ka në dorë të na spastronjë kur t’ia dojë qefi, dhe me gjithë këtë na falë jetën nga shpirtma- dhësia. Pra, rroftë katili që s’na vret!
Ndofta për ekonomi
Po ndofta Ahmet Zogu bën ekonomi nga shkaku i krizës dhe nga që s’i teprojnë plumba për hiçër dhe për dordolecë. Faik Konitza vetë qan me lot për tre plumba të çmuar u-harxhuan më kot për një Ballkanik të humbur si Gurakuqi!
Një mënyrë që s’kushtonte
Puna munt t’ishte mbaruar pa harxhe pas mënyrës së Lynchit, ndjesë pastë kur ishim në Vlorë. Ah! sa do t’ish gëzuar zëmra e ëmbël dhe ëngjëllore e Faik Konitzës, sikur të kishin përfituar nga kjo rasje Vlonjatët! Po këta kanë qenë dhe janë të poshtër që nga kaikçiu m’i vogël gjer të Syreja be Vlora, sikundër ua ka thënë Faiku, dhe s’kanë zotësi për gjera, të cilat janë edhe të larta, edhe të bukura, edhe krejt të lira! Jazëk u qoftë, dhe më qafë e patshin mëmëdhen!
Ja një provë!
Puna e Vlonjatëve më kujton Gurakuqin, të cilin s’do kalorësi fisnik Faik Konitza t’a lërë të qetë as në varr, se s’ka gjë më bujare se sa të lëftosh kundër një kufome. Në një artikull të mëparëshëm kam thënë që Gurakuqi ka qenë më pak Italofil se Faik Konitza. Dhe ja një provë midis tjerash: Në kohën e Luftës së Vlorës, Faik Konitza s’ka lënë gjë pa thënë kundër Vlonjatëve në gazetat Italiane, kur Gurakuqi heshti dhe as u-dëgjua fare. Cili nga të dy kanë qenë më Italofil?
Gjakderdhës dhe tradhëtorë!
Më që erdhi fjala, duhet të shtojmë këtu që Faik Konitza ahere i shante dhe i fëlliqte botërisht luftëtarët Vlonjatë si gjakderdhës, si tradhëtorë dhe si prishës të mëmdheut, pikërisht ashtu si shan e fëlliq sot kumandarin e tyre me famë Qazim Kocullin!
Hiç e hiç
Po Qazim Koculli, sot i mundur, s’është hiç, pas standardeve të vendosura prej Zullulandit dhe të imponuara mi botën e qytetëruar. Gjithashtu s’është hiç, e hiç gjësendi dhe ay kolegu im, që i paska shkruar një letër të zemëruar Faik Konitzës. Natyrisht, njerës me vlerë, njerës të mëdhenj janë dallkaukët, rajenjët, larot dhe zaptitë. Dhe po t’i shtudiojmë punët me kritere historiani t’Afrikës, do të shohim që Faik Konitza ka plotërisht të drejtë.
Karamanjolla
Ky kolegu im, që s’dimë cili është, sikur t’a kish fuqinë në dorë, do t’i dërgonte në Karamanjollë të gjithë Shqiptarët! Pa fjalë, pa dyshim!. S’munt të ketë në Shqipëri njeri më të egër dhe më gjakpirës se ay, i cili goditë në një letër më të bukurin e më të bardhin ëngjëll të mirësisë dhe të butësisë, qe ka dërguar Qielli në këtë botë, – Faik Konitzën.
Hiç e gjakdherës!
Faik Konitza s’munt të më përjashtonte shumë kohë nga lista e hiçërve dhe gjakderdhësve. Po ky mjerimë nukë më ka mallëngjyer shumë. Përkundër, është një lumëri, se kështu s’ndodhem në rezik të identifikohem me ata që quan sot Faik Konitza, zemërmirë dhe shpërtimtarë të mëmëdheut!
Mosmirënjohës?
Qenkam jo vetëm hiç e gjakderdhës, po dhe mosmirënjohës. S’ia paskam njohur të mirat Ahmet Zogut! Për ca të mira që më paska bërë, kam patur rasjen të flas më parë dhe të tregonjë kujtve ua detyronj me të vërtetë. Më poshtë po flas për ato që më nëmëron tani Faik Konitza.
Deputet
S’ia detyronj aspak Ahmet Zogut që jam qasur si deputet i Vatrës në Parlament më 1921! Ja faktet e thata që munt t’i kontrollonjë cilido në rekordet e Parlamentit: U-qasa si deputet i Vatrës në Parlament me një zë, kur shumica e deputetëve ishin kundërshtarë t’Ahmet Zogut, dhe në mos lajthitëm, nj’a dy a tre deputetë vetëm abstenuan nga votimi.
Pension?
Pensionin m’a votuan shumica e deputetëve të shoqëruar me të quajturën “klikë” dhe disa nga kundë- rshtarët e Ahmed Zogut, kur një pjesë e madhe e Ahmedi-stëve votuan kundër. Pensioni nukë do të kishte fituar shumicën, sikur të mos kishin votuar në favor disa nga kundërshtarët e aherëshëm. Kjo gjë ngjau kur Ahmed Zogu kishte një shumicë Parlamentare shtypëse. Tani të shohim ç’është ky pension. Pas rekordeve të Parlamentit, këtë pension munt t’a mar kur të mos jem as në shërbim të shtetit as në shërbim të Kishës, domethënë pasi të vdes!
Ministër
S’kam patur, as kam, ambicje për fushën politike, në të cilën jam zvarnisur gjithnjë me pahir a me gjysmë zemër i shtërnguar prej Vatrës, prej shokëve dhe nga ndjenja e detyrës. Në Lidhjen e Kombeve kam vajtur gjithnjë, i shtyrë pothua me një zë prej shokëve dhe kundërshtarëve. Kam akseptuar keyeministrinë, se s’muntnja të hiqesha nga vallja me nderë e pa dezertuar shokët. Kam refuzuar: 1) Kryesin’ e përfaqësisë në Paris, që m’a proponoj Mehmet Konitza më 1920; 2) Përfaqësin’ e Londrës dhe të Parisit, që m’i proponoj Ilias Vrioni me 1921; 3) Ministrin’ e Punëve të Jashtme, që m’a proponoj prap Ilias Vrioni më 1921; 4) Gjith atë Ministri kur m’a proponoj Hasan Prishtina me 1921.
Kam qenë në shërbim të Vatrës, si delegat, tre vjet e nj’a dy muaj, që në prill 1921, gjer në Korrik 1924, dhe dy vjet si kryetar i saj me 1915-1916 dhe më 1917-1918. Si kryetar i Federatës s’munt të thuhet që mernja rogë, se kjo rogë s’ishte veç një indemnitet për rogën që humbisja nga Kisha. Kam marë pra rogë vetëm si delegat, sa nuk munt të numërohen si rogë parat që na vuri në dispozitë Vatra për fushatën elektorale, a për fushatën e Kishës Prishtina më1921. – Refuzova prapë gjith’ atë Ministri, kur m’a proponoj Xhafer Ypi në emër të Klikës, jo të Ahmed Zogut; e akseptova vetëm pas më ranë në qafë shokët, veçanërisht Mehmet Konitza, dhe pasi e mbajta nj’a dyzet ditë, dhash dorëheqjen. Tani kam vetëm një ambici të gjallë, ambicien të shërbenj në fushën letrare.
Vatra dhe unë
Pas mëndjes së Faik Konitzës, i paskam qenë mos-mirënjohës dhe Vatrës, e cila më përkrahu me fonde, makar me “pasurira të vërteta”, të vëna në dispozitën t’ime. Nga ana tjatër, qenkam tallur me Vatrën, se s’kam realizuar asnjë nga idealet e saj dhe s’i kam dërguar letra veç për të kërkuar para dhe para. Do t’i mar me radhë këto të gjitha. Do të bënj një përqasje midis Faik Konitzës dhe meje, me qenë se kemi qenë në shërbim të federatës po thua me një cilësi, po thua me ato mjete, dhe do të shohim a ka të drejtë, të paktën Faik Konitza, të më kritikonjë sa për këto pika.
“Pasurit’ e vërteta” kombëtare. Faik Konica ka qenë delegat i Vatrës përpara dhe pas luftës për një kohë pothua më të gjatë se unë me rogë, dhe katër pesë vjet; kryetar i saj me rogë. Le t’a bëjnë pakëz hesapin dhe letë shoh cili prej të dyve ka marrë më tepër rogë nga Vatra. Në qoftë se Faik Konica insiston të nëmëronjë në hesapin tim dhe subve -ncionet e Vatrës për fushatën elektorale dhe për Kishën kombëtare, ahere jamë i shtërnguar t’a ftonj të bëhet deputet dhe Myfti, të marrë nga Vatra ato subvencione që kam marrë unë, të vejë në Shqipëri të lëftonjë në Parlament e në zgjedhjet, të dërsinjë për të themeluar një Xhami kombëtare dhe pastaj të më thotë a i pëlqen ky sport dhe a është punë qefi të marësh një subvencion për të hyrë në dy fole prej grerzash të ndryshëm.
Ç’kemi bërë ?
Me paratë që më ka vënë në dispozitën Vatra – dhe këto do të bënte mirë t’i nëmëronte Faiku – nukë mburrem aspak që diç kam bërë. E vërteta është që s’kam bërë hiç, ose më mirë kam bërë një vërë në ujë. Po nukë besonj që Faik Konitza të mburret që ka bërë më tepër se unë në shërbim të Vatrës. Mburrem ve vetëm që jam përpjekur diç të bënj dhe ketë s’munt t’a mohonjë askush, se përpjekjet e mia janë tani kaptina të historisë kombëtare dhe s’munt t’i nxjerë s’andejmi as poshtërsia, as çpifja, as mosmirënjohja, as lehjet e zbrazëta të larove. Nukë besonj që Faik Konitza të mburret që përpjekjet e tij si delegat e kryetar i Vatrës, kapërcejnë të miat. Këtu pra jemi barabar.
Raporte
E vetëma punë që kemi bërë, si Faiku si unë, kur ishim delegatë, ishte të shkruarit e raporteve. Këto ndodhen në arshivat e Vatrës. Le t’i nëmëronjë Faik Konitza, lë t’i peshonjë raportet e tija nga njëra anë dhe të mijat nga ana tjetër, dhe pastaj lë të më thotë cili prej nesh e ka mbajtur Vatrën të informuar më rregullisht e më hollësisht.
Jo Faik Konitza
Ka ca patriotë, të gjallë a të vdekur, që kanë punuar dhe janë përpjekur, pa subvencion të veçantë nga Vatra, brënda, në Shqipëri shumë më gjatë se unë, në kondita më të zorshime. Ata që janë të gjallë munt të kenë të drejtë të më kritikojnë që s’kam lëftuar tamam, aqë sa duhej pas xhepaneve që më dha Vatra. Po jo Faik Konitza, i cili ka patur gjithato xhepanera dhe i cili s’munt të më provonjë fairly që ka çpuar një vërë në ujë më të madhe se timen.
Çkatërrimi i Vatrës
Vatra një herë ka qenë me tre mijë gjer katër mijë anëtarë; po nën administratën e Faik Konitzës ka zbritur në ca qindëra të paka, dhe puna s’ka për të qëndruar as këtu. Nga këto të paka qindëra anëtarësh Faik Konitza tani paska ndër mënt të nxjerë jashtë, të pakën gjysmët dhe t’a qëronj Federatën nga të gjithë gjëmbat. Kështu të mbeten vetëm të saktët dhe besnikët! Sa për buxhetin dhe të ardhurat, për këto s’e ha mëllefi fare dhe ka të drejtë. Posa Vatra u bë një agjenci e hyqymetit dhe Dielli një organ dallkauk i Mydyrit të Pashiqit, e do e drejta që harxhet t’i heq të gjitha hyqymeti, i cili s’kursen para për zyrat e propagandës, për spiunët e për larot. Po aherë Vatra është e vdekur si një shoqëri independente, dhe çudia është që paska në Amerikë ca vatranë të lumtur që s’e kanë kuptuar akoma. Jazëk, jazëk!.
Lufta fetare
Fanatizëm fetare të vërtetë në Shqipëri s’ka. Këtë gjë e kanë dëshmuar të gjithë të huajtë që na njohin mirë. Këtë gjë e kemi parë dhe vetë me sy. Po të huajtë që s’na njohin mirë nukë mundin të kuptojnë qysh munt të bashkohet kombi shqiptar, i ndar në fe të ndryshme dhe këtë argument e përdorin armiqtë tanë për të mprojtur thezën e copëtimit të Shqipërisë. Lufta fetare pra që ka hapur Faik Konitza me anën e “Diellit” munt të sherbenjë vetëm për këtë qellim: Të provonjë me gojën e Shqipëtarëve që armiqtë tanë kanë të drejtë.
Gogoli bolshevik
Në Shqipëri s’ka asnjë lëvizje bolshevike a probolshevike, se s’ka asnjë komunist a bolshevik për dërman. Po armiqëve të Shqipërisë u jep dorë të thonë që ka, dhe kështu me ndihmën e gogolit bolshevik të arrijnë qëllimin e tyre satanik për të copëtuar Shqipërinë, gjoja për të shiguruar paqën në Ballkan. Faik Konitza, dyke çpifur që ka Shqipëtarë bolshevikë e pro-bolshevikë, i bënë Pashiqit sherbimin më të çmuar dhe forcon thezën e armiqëve tanë për copëtimin e Shqipërisë.
Triumfi i Legalitetit
Pas mëndjes së Faik Konitzës tani, çdo tradhësi e zezë munt të zbardhet me robën e pseudo-legalitetit. Në këtë mënyrë psudo-legale u-shit Shën Naumi; me këtë mënyrë psudo-legale u-shitnë pasurit’ e Shtetit për dhjamë qeni; me këtë mënyrë psudo-legale plaçkitet arka e shtetit dhe populli; me këtë mënyrë psudo-legale një mydir i Pashiqit bëhet sot president i Republikës arnaute, dhe më këtë mënyrë pseudo-legale copëtohet nesër Shqipëria. Çudia është që Faik Konitza, në protestën e Vatrës për çështjen e Shën Naumit çfaqte një pikëpamje krejt të ndryshme.
Sulltan Hamidi
Faik Konitza na thotë që Ahmed Zogu është m’i mirë se Sulltan Hamidi, se qenka Shqiptar, sikur Myfid Libohova nuk është shqiptar nga raca. Po ç’ka të bënjë gjaku shqiptar, kur mungon ndjenja kombëtare e patriotike? Pashiqi, kur bërtisnin disa deputetë serbë kundër krijimit të një shteti shqiptar independent, u-përgjeq fare bukur: “Mos u-mërzini, se Shqipërinë independente do t’a prishin vetë Shqiptarët”. Die Esadi, Sot Ahmed Zogu! Sa për gjuhën shqipe, që përdoret si gjuhë zyrtare, gëzohemi, po jemi të shtërnguar t’i vëmë fre enthusiazmës sonë, se fryma e asaj gjuhe ësht’ e huaj. Dhe “Dielli” botohet shqip, dhe në një shqipe më të mirë, po fryma ësht’ e Belgradit.
Gazetës “Imigranti”, 27 Shkurt, 1926.

Shenim: Në gazetën “Imigranti” u botua në vazhdime një shkrim i gjatë i Nolit me titull: Përgjegje “Diellit”; Nga ai shkrim sollëm vetëm disa fragmente të zgjedhura.
* * *

Gazeta “Imigranti”
Numri i parë i gazetës “Imigranti” doli në qarkullim me 26 shtator të vitit 1926 dhe përfundoi me 31 korrik 1926. Gjithëseit u botuan 41 numra. Kryeredaktor ishte Petro Kolonja dhe editor Qerim Panariti. Programi i gazetës ishte ky:
“Do të përpiqet që të jetë, për së pari, një gazetë e lirë e Shqipëtarëve të Amerikës dhe prej Shqipëtarëve të Amerikës”. Kjo gazetë kishte edhe një Pleqësi që kryesohej nga Kristaq Polena, arkëtar Ilo Pano, sekretar Rexhep Koburi, dhe disa zyrtarë të tjerë. Që në fillim kuptohet se pas kësaj gazete ishte një grup i fortë vatranësh pronolist, i cili me anë e këtij organi filloi fushatën e ashpër kundër Faik Konicës dhe pasuesëve të tij në gjirin e “Vatrës”. “Imigranti” e mbrojti Nolin dhe kauzën e tij politike deri në fund. Aty, redaktorët botuan shkrime të ashpra kundër Konicës dhe qeverisë së Zogut. Në mars të vitit 1926, Panariti, kritik i rrebtë kundër Konicës, kthehet me “Vatrën” dhe fillon të shkruaj për gazetën “Dielli”. Në atë rast, Konica shkruan për Panaritin:
“Z. Qerim Panariti është një student që ka shkrojtur shumë herë kundër meje; po sikur dy herë më tepër të kishte shkrojtur, unë i quaj gjëra për të harruar, nga shkaku i sherbimit që po i bën publikut shqipëtar duke zbuluar qellimet e vërteta të asaj flete. Kundërshtar imi, po jo kundërshtar i Shtetit, z. Qerim Panariti u-hoq nga ay grup posa kuptoj se mendimi i fshehtë i lëvizjes ish për dëm të Shqipërisë… ”. ( “ Dielli ” , 23 mars, 1926 ).
Kryetari i “Vatrës”, Konica, kërcnon përkrahsit e Nolit dhe këshillon Konsullatën e Shqipërisë në Boston të njoftoj autoritetet policore shqiptare mbi rrezikëshmërinë e tyre. Sipas themeluesit të “Imigrantit”, z. Kolonja, gazeta u mbyll “për arsye të lëkundjes politike të shokëve që financonin gazetën”.
Polemikat e ashpra të kësaj gazete me “Vatrën” e Konicën u shfrytëzuan me mjeshtri nga propaganda e rregjimit komunist pas ardhejs në pushtet. Nga ato polemika fillon ç’përfytyrimi i realitetit historik, krijohet figura e “antikombëtare” e Faik Konicës dhe figura “revolucionare” e tipit bolesheviko-komunist e Nolit.
50 vjet më vonë, drejtusi i gazetës “Imigranti”, që drejtoi polemikat më të ashpra kundër Konicës shkruan: “…Na u duk se Faiku na tradhëtoj’ Peshkop Nolin e i u bëmë kundërshtar. Po duke vazhduar punët, mua mu mbush mendja se ishim në gabime. Faiku shkrojti në Diellin shpjegimet bujare dhe të larta për Nolin dhe veprimet e tij në Shqipëri dhe fajet ja u-ngrakoj shokëvet e jo Peshkpoit – dhe i foli haptazi demokratikisht kur tha:”…Zogu na mundi… dhe tani le të vërejmë për të ardhmen”. – Me vijin nër- mënt kablogramet urimesh që i dërgoj Zogut që shpetoj nga ate- ntatet që iu bënë me gjithqë ishte kundërshtari më i rreptë i tij. Këto e të tjera vërejtje me bintnë një herë e përgjithmonë që Faiku i rreptë lëftonte me kalem e jo me pushkë, provonte që ishte me të vërtetë demokrati më i shquar që pat Shqipëria…”. (Faik Konica 1876-1976, Seminar studimesh, New York, 1997, fq. 54 ). Kolonja shkruan gjithashtu: “ Faiku na bëri qesharak për dallaveret që i bëmë ”.
*Marrë nga Libri i Idriz Lamajt” Për Vatrën dhe Vatranët”, New York, 2014. Nuk lejohet kpojimi pa lejen e autorit.

Filed Under: Vatra Tagged With: Idriz Lamaj, Noli dhe Konica, Polemikat e te emdhejve

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT