Saint George Cathedral/
Albanian Archdiocese Fan Noli Library
Fan Noli the 50th Year of Repose/
2015 Commemoration Closing Events/
November, 22, 2015/
Remembrance Liturgy, Digital Exhibit and Symposium/
10 11:15 AM Remembrance Liturgy and Presentation
The 50th Year of Fan Noli Repose: Digital Display at the Altar
11:15 11: 45 Coffee Pause at the Reception Room
Lidiana Morcka, pianist: from Bethowen
Valentin Veizi, composer: Albanian Pop Music Variety
Olsa Papandili, vocalist: Albanian Pop Songs
Symposium Program
11:45am 2pm
Speech time: 10 min
Greetings: 2 min
Songs: 34min
1 Ver Rev. Fr Liolin speech
2 Worcester group speakers
3 “Vatra” Speakers
Music: Bashkim Pacuku song
4 A. Alibali: on Noli’s Government before 1924 in Boston
5 Prof Repishti
Reading extracts from Noli’s English Books
6 Prof N. Pano
Music: Olsa Papandili
7 R. Moisiu : “Fan Noli ndermjet botes njerezore dhe hyjnore”
8 Yllka Filipi, Ph D, “Fan Noli between Albania and America: The Symbol of
Self Sacrifice for the Sake of National Interests”
Intermezzo Reading verses in Albanian from Noli’s poems
Music: Laberia Song
9 Fan Noli Library on the Digitizing Work
10 Maas Besa Greetings
After 2PM: Fan Noli Remembrance Dinner
PRESIDENTËT AMERICANË JOHNSON DHE CARTER PËR NOLIN E KADARENË
Gazeta “Dielli”e Bostonit e datës korrik 1964 shkruan : “Hirsija e Tij Fan S. Noli në Shtëpi të Bardhë”/
Nga Gjekë Gjonlekaj-New York/
Ati ynë i Vatrës i Diellit dhe i të gjithë shqiptarëve u ftuan nga zoti dhe zonja Johnson në Shtëpi të Bardhë. Në mes të mysafirëve të Shtëpisë së Bardhë ishte edhe Hirësija Tij Fan Noli kryepeshkop,metropolitan i Kishës sonë kombëtare,shkrimtar klasik i gjuhës shqipe ,autor me famë botërore të studimeve rreth historisë së Skënderbeut dhe përkthyes i madh i veprave të pavdekshme të Shekspeararit:Hamletit,Jul Qezarit,Othellos e Makbethit. Ftesa i qe bërë Hirësisë së Tij nga zonja dhe zoti Johnson President i Shteteve të Bashkuara,në rastin e kremtimeve triditëshe të 400-vjetorit të Shekspearit. Në Britaninë e Madhe i tërë viti 1964 i është kushtuar 400-vjetorit të Shekspearit. Më këtë rast Imzot Noli shkroi dy biseda për BBC.(British Broadcastin Company)
Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në pranverë te vitit 1992 ishin tepër të rëndësishme.Vendet e Europës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara ishin tepër të interesuara për ato zgjedhje.Përvecë zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane,në ato zgjedhje morën pjesë si vëzhgues personalitete të shquara të jetës politike të Shteteve të Bashkuara midis të cilëve shquhej ish Presidenti Jimmy Carter. Ai kishte shërbyer vetëm një mandat presidencial dhe pas zgjedhjeve të vitit 1980, ai u largua nga kjo detyrë.Pëngjet amerikane në Iran dhe ekonomia e dobët ishin shkaku kryesor i humbjes së tij. Ai pësoi humbje të rëndë nga kandidati republikan Ronald Reagan. Jimmy Carter u ndje keq për këtë humbje dhe qysh atëherë e sot punon ditë e natë për të mirën e Amerikes dhe mbarë njerëzimit. Biografët presidencial thonë se angazhimet e tij janë bërë edhe më të fuqishme për të kompenzuar humbjen e madhe të mandatit të dytë presidencial. Qëndra Carter në qytetin Atlanta të shtetit amerikan Georgia u bë një selitë më të njohura në botë për zhvillime demokratike dhe ekonomike anë e mbanë globit. Para disa vjetësh Jimmy Carter u laurua me Çmimin Nobel për Paqë. Ai shkroi dhe botoi më shumë vepra se asnjë president tjetër amerikan. Veprat e tij të botuara kanë vlerë të madhe për shoqërinë amerikane dhe gjithënjerëzore.Disa historianë biografë të presidentëve thonë se ky është Presidenti në pension më aktiv në historinë e Amerikës. Ky është arkitekti i të drejtave të njeriut.
Jimmy Carter tregoi interesim të madh për Shqipërinë pas rënjes së diktaturës. Në pranverë të vitit 1992, ai dhe një grup ekspertësh të Institutit Carter vajtën në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet e lira dhe demokratike. Në këtë mission fisnik e shoqëroi bija e tij Amy dhe një mik i tij i veçantë. Ky ishte gazetari i mirënjohur amerikano-shqiptar Bill Kovach për të cilin kisha degjuar në vitin 1983 nga editori i gazetës “The New York Times” në Washington, David Binder. Bill Kovach kishte qënë redaktor përgjegjës i kësaj gazete në kryeqytetin amerikan për më shumë se një dekadë. Ishte një ndër gazetarët më të njohur të Amerikës. Më vonë Bill Kivach shkoi në qytetin Atlanta dhe atje drejtoi dy gazeta të njohura të atij qyteti. Në Atlanta Carter dhe Kovach u bënë miqë të ngushtë.Bill Kovach i kishte treguar Presidentit Carter për origjinën e tij shqiptare dhe për këtë shoqerimi i tij në Shqipëri ishte i mirëpritur. Gjatë kohës sa kishte qëndruar në tokën e shqiptarëve zoti Carter kishte treguar interesim për historinë dhe kluturën e atij vendi. Natyrisht se Bill Kovach i kishte sugjeruar veprat e Ismail Kadaresë. Publicisti amerikano-shqiptar Bill Kovach e vlerësonte shume Ismail Kadarenë sepse në fund të viteve 80’ dhe në fillim të viteve ’90 ishin botuar këtu ne Shtetet e Bashkuara disa nga veprat e tij. Shumë gazeta dhe disa revista të njohura kishin botuar recensione të mrekullueshme,ku shquhej edhe shkrimtari i njohur amerikan John Updike.
Në vitin 1992 Bill Kovach ishte profesor i gazetarisë në Universitetin Harvard. Ne kishim lidhje te vazhdueshme telefonike. Këto lidhje ishin zgjeruar më shumë pas botimit anglisht nga ana ime të Kanunit të Lekë Dukagjinit në vitin 1989. Ndërsa me vëllaun e tij Joe Kovach isha takuar disa herë në redaksinë e të përditshmes “Daily News”,të New Yorkut. Për Joe Kovach kisha bërë një kronikë të veçantë për Zërin e Amerikes në gjuhën shqipe. Edhe Joe kovach ishte ndër gazetarët më te njohur të New Yorkut,tepër modest dhe kryelartë për origjinën e tij shqiptare.Miqësia me Joe Kovach e bënte edhe me të fortë lidhjen time me Billin. Pasi ishte kthyer nga Shqipëria Bill Kovsch më bëri telefon dhe më tregoi për udhëtimin e tij dhe të Presidentit Carter në atë vend. Por, këtë radhë më u lut t’i bëja një nder dhe shpënzimet do t’i paguante ai. Para se të më kërkonte ekzaktërisht nderën time ai më tregoi për interesimin e madh të Presidentit Carter për veprat letrare të Ismail Kadaresë. Perveçë leximit të tyre në Shqipëri, zoti Carter kishte lexuar një vepër të tërë gjatë udhëtimit nga Shqipëria në Amerikë tregonte Bill Kovach. Natyrisht se ishte ndjerë edhe më shume kryelartë ngase orgjina e Bill Kovach është nga Gjirokastra. Ai tha se Presidenti Carter kërkonte veprat e Ismail Kadaresë për Qëndrën e tij në Atlanta. Zoti Kovach tha se do të më dërgonte menjëherë çekun për ato vepra dhe për shërbimet e postës. Kërkoi me këmbëgulje faturën,që nuk ishte ndonjë shpënzim i madh. U ndjeva shumë i lumtur që mu dha rasti t’i bëja një nder Presidentit të Shteteve te Bashkuara Jimmy Carter. Menjëherë ia postova të gjitha veprat e Ismail Kadaresë anglisht në adresën personale që më kishte dhënë Bill Kovach.
Një javë më vonë mora një letër te veçantë falënderimi nga Presidenti Carter. E kujtoj sot e kësaj dite atë zarfë pa pullë postale. Në vend të pulles ishte emëri i tij.Mora vesh nga nëpunësit e postës se këtë lloj zarfe përdorin vetëm presidentët amerikanë në pension. U ndjeva shumë mirë për këtë lëtër,por edhe më mirë për interesimin dhe respektin e tij për shkrimtarin tonë gjenial Isamil Kadarenë. Kurrë nuk kam bërë ndonjë koment për këtë lëtër. Në kohën kur Ekrem Bardha ishte pronar i gazetës “Illyria” të New Yorkut,kjo letër u botua por pa asnjë koment. Para disa vjetesh ia kisha dhënë kopjen e kësaj letre Profesor Agron Ficos,duke iu lutur që të bënte një shënim te shkurtër për interesimin e jashtzakonshëm që kishte treguar ky President nobelist për shkrimtarin tonë të madh. Profesor Fico nuk ka bërë kurrë ndonjë koment për këtë letër.
Në të kaluarën kisha degjuar për ftesën që Presidentit Johnson i kishte bërë Imzot Nolit në Shtëpi të Bardhë për 400-vjetorin e Shekspearit.Përvece tjerash kisha dëgjuar se Peshkop Noli kishte bërë lutjet fetare të rastit në ceremonitë e Shtëpisë së Bardhë për 400-vjetorin e Shekspearit. Natyrisht se Noli dhe shekspirologët më të njohur te botës ishin ftuar për ligjerata por në këtë rast Peshkop Noli kishte edhe nje mision te dytë,atë të bekimeve të rastit.
Duke lexuar gazetën “Dielli” në mikrofim në Bibliotekën Kombëtare të New Yorkut këto ditë gjeta shënimin për ftesën që Presidenti Johnson i kishte bërë gjenialit shqiptar Fan S. Nolit. Lartësitë e mia intelektuale mbase nuk janë te mjaftueshme për ta cilësuar gjenialitetin e Nolit ose të Kadaresë. Cilësimin gjenial për Fan Nolin e mësova nga Ismail Kadare, në veprën e tij letrare te fundit: “Mëngjeset në Kafe Rostand- Motive të Parisit” . Ndërsa, për gjenialitetin e Ismail Kadaresë e kanë thënë fjalën e tyre shumë intelektualë dhe akademi me renome ndërkombëtare. Gjenialët janë një gjini në vete(sui generis) dhe në këtë rast sikur ekziston ndonjë lidhje gjenetike midis Shekspearit,Nolit dhe Kadaresë.Siç duket gjenialët shqiptarë Noli e Kadare janë frymëzuar nga gjeniali anglez William Shekspeare. Ata kanë një lidhje të vecantë me Shekspearin.
*E dergoi per Diellin:Beqir Sina
Fan Noli: Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste
Një luftë e rreptë shpërtheu brenda gjirit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë në vitet 1949-55, ateherë kur një pjesë besimtarësh brenda saj, u orvatën ta rrëzonin Peshkop Nolin nga kryesia e Kishës duke e akuzuar si komunist. Qarqet shoveniste greke shfrytëzuan rivalitetet klanore të shqiptarëve, duke i nxitur të kërkonin prej Patrikanës së Stambollit një Peshkop tjetër, të përshtatshëm. Patrikana nisi menjëherë Mark Lipen, prift me origjinë shqiptare, duke e emëruar pa asnjë të drejtë kanunore Kryepeshkop. Qe një manevër djallëzore për të futur kishat shqiptare të Amerikës, qendrat kulturore të identitetit dhe të ndjenjave patriotike, nën kupolën e kishës greke. Per disa vjet kishat shqiptare u përçanë duke patur secila palë kryepeshkopin e saj. Më se tre të katërtat e kishave shqiptare qendruan me Fan Nolin, ndaj diversioni i Patrikanës nuk pati sukses. Pas vdekjes së Mark Lipës, 2 nga 3 kishat që ishin bashkuar me të, u kthyen në gjirin e Kishës shqiptare. Artikulli i Nolit shquhet për parashtrimin e fakteve me logjikë, për forcën e argumentimit dhe për gjuhën e mprehtë, duke shkëlqyer me polemikën e tij në mbrojtje të pavarësisë së Kishës shqiptare në Amerikë dhe dinjitetit kombëtar.
Letra e Fan S Nolit:
Në përgjegje të disa aludimeve të bëra në raportin e zotit Glenn A. MëkLein prej Quincy, Mass., të cilat u futën në Apendiksin e Fjalimeve të Kongregacionit të 31 korrikut dhe të 1 gushtit të vitit 1951 prej të nderuarit Harold H. Velde nga Ilinoisi, dëshiroj të bëj deklaratën që vijon:
Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë organizate komuniste, ose prokomuniste dhe asnjëherë në jetën time nuk kam bërë predikime komuniste, prokomuniste ose anti-amerikane. Përkundrazi gjithmonë kam lavdëruar modelin e demokracisë amerikane dhe jam përpjekur të evidencoj faktin historik se Shqipëria ia detyron pavarësisnë në radhë të parë përkrahjes së Amerikës dhe veçanërisht Presidentit Wilson. As Kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Sinodi a Patrikane të huaj komuniste a të çfardo lloji tjetër, sepse Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës, të cilën e kryesoj, është e pavarur administrativisht. Nuk kam pushuar nga detyra ndonjë prift për arsye se ka qenë antikomunist. At Radoja e humbi detyrën që kishte në Nju Jork sepse ai vetë i kërkoi Kryesisë së Kishës lokale ose t’i paguanin një rrogë më të lartë, ose të gjenin prift tjetër. Sa për emërimin ose shkarkimin e Peshkopëve (Dhespotëve) ose Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse në Shqipëri, unë nuk kam të bëj aspak me atë çështje.
Të thënat e zotit MëkLein janë një çorbë derri që s’e tret stomaku, gatuar me materiale të ardhura nga burime të dyshimta dhe jo të besueshme. Informatorët e tij kryesorë, të cilët i përmend shpesh, janë von Redlik, panegjirist i mbretit Zog dhe Vasil Alarupi, prokonsulli i shquar Fashist i Korçës gjatë pushtimit italian të Shqipërisë. Zoti MëkLain tregohet tepër naiv kur çirrjet e tyre i merr si të vërteta të shenjta.
Duket qartë se zoti MëkLain nuk ka aftësinë e duhur të gjykojë Kishën Ortodokse Shqiptare, ose përgjithësisht Kishën Ortodokse të Lindjes, sepse është komplet injorant në këtë fushë. Atij i thotë mendja, për shembull, se Patriku i Stambollit e ka pozitën njëlloj si Papa i Romës dhe kësisoj gëzon të drejtën të caktojë një Kryepeshkop për shqiptarët ortodoksë të Amerikës, ashtu siç bëri kur dërgoi Mark Lipen në Boston. Sikurse dihet mirëfilli Patriku i Stambollit nuk e ka këtë të drejtë. Juridiksioni i tij përfshin vetëm Dioqezën e Stambollit (Konstantinopolit), me një popullsi prej më pak se 100.000 grekër. Kishat e tjera e njohin atë nominalisht si krye, po nuk marrin urdhëra prej tij, sepse praktikisht janë të pavarura. Këshilli Ekumenik, ku gjithë kishat përfaqësohen nga Peshkopët e tyre, është autoriteti i vetëm, urdhërat e të cilit janë të detyrueshme. Patriku i Stambollit vetëm emrin ka igumenik, ndërsa në të vërtetë s’është veçse një kryepeshkop provincial grek i parëndësishëm dhe çka është më keq, grigja e tij po pakësohet me shpejtësi, nga që mijra grekë po ikin prej Stambollit për shkak të përndjekjeve turke dhe në një të ardhme të afërt, ka perspektivën të katandiset Peshkop titullar “in partibus infidelium,” pa asnjë besimtar.
E vërteta është se në të kaluarën Ortodoksët e Shqipërisë kanë qenë nën juridiksionin e Patrikut të Stambollit, por më 1936, kur ai njohu Kishën Shqiptare si autoqefale, ky juridiksion mori fund. Që nga ai vit Patrikana s’ka asnjë të drejtë kanonike të ndërhyjë në çështjet e Kishës Ortodokse Shqiptare kudo qofshin ata. Për pasojë ai ka kryer një akt jo kanonik kur caktoi Mark Lipen si Kryepeshkop për Ortodoksët Shqiptarë në Amerikë. Edhe përpara këtij akti, qysh më 1950, Patriku shkeli rregullat kanonike qysh kur lejoi Mark Lipen të bëhej në mënyrë të rrufeshme dhjak, prift dhe Kryepeshkop brenda gjashtë muajsh. Kanuni I i Këshillit Ekumenik VII të Nikesë, Kanuni X i Këshillit të Sardës, Kanuni XVI i Këshillit të Parë dhe të Dytë të Konstantinopolit kërkojnë respektimin e rregullit se askush nuk mund të dorëzohet Peshkop pa patur shkollë dhe pa një periudhë të gjatë shërbimi si dhjak e prift. Konsakrimi i Lipes si Kryepeshkop pa përgatitjen e duhur është po aq qesharak sa edhe të prezantosh doktor me gradë shkencore një njeri që ka kryer vetëm gjashtë muaj shkollë mjeksore.
Zoti MëkLain nuk e njeh mirë as gjeografinë e Ballkanit. Na kumton se Lipa “e ka marrë edukatën fetare në shkollën telogjike të Kalkës në Shqipëri.” Çdokush që e njeh sadopak gjeografinë e Ballkanit dhe të Patriarkatit të Stambollit do ta dinte se shkolla telogjike e Kalkës gjendet afër Stambollit, në Turqi dhe jo në Shqipëri. Me sa duket vështirë të besohet se Mark Lipa ka kryer ndonjë shkollë teologjike në Kalkë ose në ndonjë vend tjetër. Duke gjykuar nga letrat e tij, si zor të ketë mbaruar edhe shkollën fillore.
Konsakrimi i këtij batakçiu injorant tridhjetvjeçar në postin episkopal është një veprim pa mend dhe shkatërrimtar që nuk i gjendet shoku në historinë e kishës. Ne s’kemi nevojë të shkojmë larg për të zbuluar arsyet pse u flakën mënjanë në mënyrë aq cinike ligjet kanonike nga konsekratorët e Mark Lipes. Edhe fëmijët e Lindjes së Afërme e dinë se Patrikana e Stambollit s’është veçse një zgjatim i zyrave të Propagandës Greke. Duhej të punonte një agjent ndërmjet shqiptarëve ortodoksë për të fituar përkrahës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Mark Lipa u shenjua për ta kryer këtë detyrë, nën rason fetare dhe kështu u konsakrua në kundërshtim me traditat e lashta të kishës.
Zoti Mëklein më akuzon mua dhe Kishën time si antiamerikane, ndërsa Mark Lipen e gjen si të vetmin njeri të aftë t’u mësojë shqiptarëve demokracinë amerikane. Absurditeti i kësaj lidhje duket sheshazi për çdo njeri që njeh faktet. Dalka se Mark Lipa nuk merr erë nga anglishtja dhe nuk ka të ngjarë të ketë mësuar shumë për demokracinë amerikane në Stamboll, a në Turqi ku lindi dhe u rrit. Ndryshe nga ç’pandehet, Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës përbëhet kryesisht nga qytetarë amerikanë, të cilët shkulen së qeshuri me idenë që të marrin mësime për demokracinë amerikane nga një ignoramus1 si Lipa, këmba e të cilit s’ka veçse disa muaj që shkeli në tokën amerikane.
Po bëhen tani më se dhjetë vjet qëkurse Kisha jonë iu vu punës për të zbatuar programin e amerikanizimit të kishës. Na u duk se rruga më e mirë qe të futnim shërbesën anglisht për Kishën tonë, duke filluar nga të kremtet e mëdha si Krishtlindja dhe Pashkët. Këtë gjë duhesh ta bënim për të tërhequr brezin e ri, shumë nga të cilët as nuk e flasin shqipen, as nuk e kuptojnë. Po për ta kthyer shërbesën anglisht duhesh një punë kolosale dhe shpenzime të mëdha. Jam i kënaqur të them se kësaj detyre themeltare i dolëm mbanë. Më 1949 Kisha jonë botoi “Libri i Lutjeve të Ortodoksëve të Lindjes” (The Eastern Orthodox Prayer Book), një vepër prej 695 faqesh, ku janë përmbledhur të gjitha shërbesat e Kishës Ortodokse të Lindjes në anglisht. I vetmi libër në gjuhën angleze që mund të barazohet me të, është ai i Ms. Hapgood, shpenzimet e të cilit u mbuluan nga Sinodi i Shenjtë i Rusisë gjatë regjimit carist. Këtë vit vit Kisha jonë botoi “Hymnore e Ortodoksëve të Lindjes” e cila padyshim është më e mira dhe më e kuptueshmja e hymnoreve të Ortodoksëve të Lindjes që janë botuar anglisht. Këto dy libra flasin më shumë se fjalët për punën tonë për amerikanizimin e kishës.
Kryepeshkop F.S. Noli
i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë
18 tetor 1951
E përktheu nga anglishtja Naum Prifti(Dielli-arkiv)
Pranimi i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve dhe roli i Fan Nolit
Nga Prof.Dr. Muharrem Dezhgiu*/
Në rrethanat e pasluftës botërore shteti shqiptar ishte rrezikuar seriozisht. Traktati i Fshehtë famëkeq i Londrës të vitit 1915, i firmosur nga fitimtarët e luftës, parashikonte copëtimin përfundimtar të shtetit shqiptar,. Territoret ishin të pushtuara ende nga tri ushtri të huaja. Faktori shqiptar nuk ishte në një zë për kërkesat që i duheshin paraqitur Konferencës së Paqes. Fuqitë që drejtonin këtë konferencë lejuan pazarllëqe në dëm të Shqipërisë e të popullit shqiptar, duke favorizuar pretendimet e fqinjve ( Memorandumi i Anglisë, Francës dhe ShBA- së i 9 dhjetorit të vitit 1919 dhe kompromisi i 13 janarit të vitit 1920 midis Anglisë, Francës dhe Italise.)
Pas Kongresit të Lushnjes, Shqipërisë iu desh të mbronte ekzistencën dhe të rikonfirmonte arritjet e viteve 1912-1913 (pavarësinë dhe 28 000 km2 territor), duke luftuar si në planin diplomatik, po ashtu edhe me armë në Vlorë, në Koplik, në Dibër, në Mirditë etj.. Nenshkrimi i Protokollit shqiptaro-italian (9 gusht 1920), me të cilin qeveria italiane respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, luftimet kundër intervencionistëve jugosllavë dhe forcave separatiste antiqeveritare në vend,,ishin suksese te rendesishme te qeverise shqiptare te dale nga Kongresi Kombetar i Lushnjes autoritetin e delegacionit te posacem te akredituar ne Lidhjen e Kombeve ,te kryesuar nga Fan Noli.
Delegacioni shqiptar paraqiti ne Sekretariatin e Lidhjes dokumentet e kerkuara: (Traktatin e Londres te 30 majit 1913 (art.2 dhe 3),Vendimin e Konferences se Londres te 29 korrikut 1913,Statutin Organik te Shqiperise te prillit 1914 (art.1,2 te kap.1 si dhe art.7,8 te kap.II).Dokumentacioni u plotesua nga nje memorandum qe iu paraqit Sekretariatit te Lidhjes se Kombeve,me 22 nentor 1920 nga vete Fan Noli.
Memorandumi perbente nje platforme te plote juridike te zgjidhjes se drejte te ceshtjes shqiptare pas Luftes se Pare Boterore.Duke iu referuar njohjes se shtetit shqiptar dhe te qeverise se tij para lufte,statusit te Shqiperise gjate Luftes dhe njohjes se qeverise pas luftes, Noli trajtonte qarte ne memorandum disa tregues themelore qe flisnin per gjendjen reale te Shqiperise deri ne ate kohe Ai argumentonte se ,”Shqiperia nuk ishte nje shtet i ri,i krijuar pas Lufte,sepse ai ekzistonte si shtet i pavarur qe me 1913. Zhvillimet e Luftes se Pare Boterore nuk e ndryshuan aspak statusin e saj nderkombetar.”
Memorandumi trajtonte si nje ceshtje te rendesishme ate te njohjes se qeverise shqiptare pas luftes.Shteti shqiptar ishte po ai qe u njoh me 1913.Keshtu qe, nuk ishte nevoja per ta njohur “ex novo” Me fjale te tjera, ai pohonte se qeveria shqiptare ne kete kohe i ka te gjitha cilesite per t’u konsideruar si qeveri de jure dhe de facto e shtetit shqiptar Ajo kishte dale nga nje Asamble Kombetare, si shprehje e vullnetit te popullit dhe kishte marredhenie miqesore diplomatike me vende te tjera.
Perballe pikpamjes shqiptare, te shprehur ne memorandum,u formesua nje pikpamje e kundert,ne forme te nje memorandumi te posacem,qe sekretari Drummond ia drejtoi Asamblese se Lidhjes.Ne kete memorandum mbizoteronin pikpamje qe e veshtiresonin hapjen e dyereve te Lidhjes per Shqiperine.
Shqyrtimi i kerkeses shqiptare u be ne dy faza.Ne fazen e pare u bene debatet ne Komisionin e V dhe ne fazen e dyte,u be diskutimi ne seancen plenare te Asamblese se Lidhjes se Kombeve.Komisioni qe hartoi raportin per Asamblene propozonte qe ceshtja te shtyhej derisa Statusi nderkombetar i Shqiperise te sqarohej definitivisht.Protagonist i kesaj pikpamjeje ishte francezi Vivian,Ndersa,kundershtimin e saj e kryesonte Lordi Robert Cecil,delegat i Afrikes se Jugut.Ai u shpreh me argumente ne favor te pranimit te Shqiperise.Ai paraqiti si argument ndjenjen e forte kombetare te Shqiperise,si prove te vazhdimit e te ekzistences kombetare.”Shqiperia-tha ai,perben nje komb per arsye te sentimentit unanim te banoreve te saj”.
Noli, me dije e kulture te gjere dhe njohes i thelle i gjuheve te huaja,luajti rol te rendesishem per lobimin me personalitetet qe kishin peshe ne vendimmarrje.Miqesia e tij me personalitete te shquara ne Asamble dhe komisione,sic ishin Obri Herbert e Robert Cecil,siguruan perkrahjen ne debatin e zhvilluar ne Asamble per pranimin e Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve.Noli solli ne shume bashkbisedime me keta personalitete shembuj e fakte konkrete qe ilustronin te kunderten e atyre shpifjeve dhe insinuatave te armiqeve te Shqiperise,sidomos te fqinjve. Si rezultat i mbeshtetjes qe pati ceshtja shqiptare,u votua propozimi i R.Cecil,se Shqiperia duhet te pranohet ne Lidhjen e Kombeve,perderisa i ka te gjithe karakteristikat e nevojshme per te qene shtet.Dhe ajo ka dhene prova se eshte nje shtet qe do te ekzistoje.
Me 17 dhjetor 1920 Shqiperia u pranua ne Lidhjen e Kombeve,duke marre 35 vota pro,7 abstenime dhe asnje vote kunder.Shqiperia u be i 43-ti anetar me i ri i kesaj organizate nderkombetare.Me pranimin e Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve,bashkesia nderkombetare njohu dhe perforcoi sovranitetin e shtetit,duke i garantuar ne nje fare menyre kufijte qe i kishte caktuar Konferenca e Ambasadoreve e Londres e vitit 1913.Fjala e rastit qe mbajti Noli pas pranimit,ngjalli emocione te medha tek te pranishmit.Vete Noli e ka vleresuar aktin e pranimit te Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve si suksesin me te madh te arritur prej tij ne karrieren e tij diplomatike.
Me 9 nentor te vitit 1921 ,Konferenca e Ambasadoreve te Anglise,Frances,Italise dhe Japonise,rikonfirmoi pavaresine dhe sovranitetin e Shqiperise ne kufijte e vitit 1913.
“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni
NGA ANTON CEFA/*
Lufta e Parë Botërore përbënte një rrezik evident për pavarësinë e Shqipërisë. Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare”
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin që politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale, zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve. Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për ndalimin e traktateve të fshehta.
Deklaratat e Wilsonit për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta ushtarëve shqiptaro-amerikanë, për t’i bindur që vetëm Amerika mund ta shpëtojë dhe do ta shpëtojë Shqipërinë. Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.”
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan. Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
“Në janar 1920, tha Noli në fjalimin e tij, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923, shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: ‘Regere parvos, debellare superbas’ (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.”
Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.
* * *
Dy fjalë për vokacionin fetar dhe atë atdhetar të Nolit
Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Janë quajtur ato kundërthenie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse. Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar i bindur apo skeptik ndaj besimit, a u bë prift se ishte ideali i tij apo thjesht se kështu kishte mundësi t’i shërbente më mirë atdheut? Dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qenë revolucionar a kundërrevolucionar”.
Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës: Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”. Bile – bile, edhe sot e kësaj dite ka studiues që i qëndrojnë besnnikë këtij trajtimi tejet të gabuar.
Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”. Është një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.
Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).
Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig”. Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i flaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.
Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.
Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.
Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”.
Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?
Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha”; ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” .
Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!”. Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !
I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.
***
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian. Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.
* Kumtesë e mbajtur në Seminarin përkujtimor kushtuar Fan S. Nolit me rastin e 50 Vjetorit të ndarjes nga jeta, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA (Variant i shkurtuar dhe pa referenca)