• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUJTIM TË MARTIRIT NEZIR SHABAN DELIUT

October 1, 2021 by s p

C:\Users\PC\Desktop\Martiri Nezir Shaban Deliu.PNG

NJERI HUMAN DHE MBËSHTETËS I LUFTËS PËR LIRI

Shkruan: NUHI BYTYÇI

Gjatë xhirimeve të kronikave dhe të emisioneve speciale nga zonat e luftës në Kosovë, kur unë dhe kameramani Abaz Zeka qëndronim në Drenicë, më së shumti kemi qëndruar në Rezallë të Skenderajt, në familjen Deliu, në  odën e Nezir Shaban Deliut. Aty kemi shkuar në një mbrëmje në fund të qershorit të vitit 1998 bashkë me Ramadan Gashin dhe Kadri Kryeziun, të cilët ishin shokë të burgut të djalit të xha Nezirit – Bedri Deliut. Babai i tij, Neziri, nëna Hava, Bedriu dhe vëllai i tij – Shabani, na kanë pritur sikur të ishim jo vetëm pjesëtarë të familjes së tyre, por mysafirë të rrallë. Kjo familje përherë na ka lënë hapur derën e odës, na ka shtruar në odën e vet për të fjetur dhe na ka sjellë ushqim çdoherë që kemi shkuar aty, madje edhe natën vonë kur jemi kthyer nga xhirimet në zonat e luftës në Drenicë. Xha Neziri dhe djemtë e tij – Bedriu, ish i burgosur politik dhe Shabani shpesh nuk binin në gjumë pa ardhur ne dhe pa na shërbyer sipas traditave. Mikpritje dhe bujari të tillë nuk kemi hasur pothuaj askund. Me xha Nezirin bisedoja sikur me babain tim. Ishte njeri shumë i afërt, komunikativ, i mençur, i qetë, sikur të ishte slloven, sepse kishte punuar rreth 20 vite në Slloveni dhe kishte marrë tiparet e mira të sllovenëve. Mua dhe Abazit Nezir Deliu na ka mbështetur dhe inkuarjuar përherë që të punojmë dhe sakrifikojmë për ti bërë imazhet për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë. Xha Neziri ishte optimist se populli ynë do ta fitojë luftën dhe do ta gëzojë lirinë e plotë. Mirëpo, ai vet nuk e gëzoi asnjë ditë lirie.                                                                                                                               Për fat të keq, në mesin e mbi 13.000 civilë shqiptarë, që u vranë nga forcat ushtarake dhe policore serbe ishte edhe Nezir Shaban Deliu. Ai më 5 prill të vitit 1999, kur kishte 67 vjet, bashkë me 98 burra, të rinj  e gra shqiptare, u tubuan në lagjen Dërguti, pikërisht në oborrin e shtëpisë së Hashim Dërgutit në Rezallë të Skënderajt dhe u ekzekutuan në mënyrën më barbare.                                                                            Ishte kjo ndër masakrat më të mëdha të ish-regjimit okupues serb mbi poullatën civile në Drenicë dhe në Kosovë si hakmarrje për humbjet që pësonte ushtria dhe policia serbe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bombardimet ajrore të NATO-s.                                                                                                                                                           Pas kësaj masakre makabre, jam informuar se i zoti i shtëpisë, Nezir Shaban Deliu, bashkë me 98 burra, gra dhe fëmijë të Rezallës, është ekzekutuar nga forcat serbe dhe trupi i tij ende nuk është gjetur, pasi ishte dërguar në Serbi për tu humbur gjurmët e krimit, sikurse kishte vepruar regjimi i atëhershëm serb me mëse 1700 kufoma tjera të civilëve shqiptarë. Kam ndier dhembje të madhe për të, po sikur të më kishte vdekur babai, sepse është kujdesur për mua po sikur të më kishte djalë të vetin.
Pas luftës e kam vizituar familjen e xha Nezirit dhe i kam shprehur ngushëllimet e thella bashkëshortes së tij Havës dhe djemëve e nipave e mbesave të tij për humbjen e më të dashurit të tyre. Ata ishin dhe janë krenarë me martirin e Kosovës së lire, por ndienin dhembje të veçantë për shkak se nuk kishin ku ti bënin nderimet e merituara, nga se regjimi gjenocidal serb kishte bërë krimin e dytë edhe më të madh, kishte zhdukur kufomën e xha Nezirit dhe të mijëra shqiptarëve tjerë. Të mërkurën, më 30 shtator, pas përfundimit të gjurmimeve nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Kosovës dhe të ekspertëve ndërkombëtarë, në Kizhevak të Serbisë, pra pas 22 vitesh dhembje e ankthi të familjarëve të masakruarve në Rezallë të Skënderajt, janë sjellur eshtrat edhe të 7 martirëve të ekzekutuar më 5 prill të vitit 1999 nga forcat serbe.                                                                            Në pikën kifitare Kosovë-Serbi, në Merdare, në ceremoninë e pranimit të eshtrave të tyre dhe të homazheve në nderim të sakrifices së tyre, përveç udhëheqsëve të Republikës së Kosovës, pjesëtarëve të FSK-së, të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve tjerë institucionalë të shtetit të Kosovës, ishin edhe bashkëshortja e xha Nezirit – Hava, motra Afija, djali Shabani, nipi Graniti (22 vjeçar), që nuk pati fat ta njoh gjyshin dhe shumë bashkëvendasë të tij.  I biri Shabani, i cili e  kishte përjetuar shumë rëndë masakrimin e babait të tij dhe të bashkëfshatarëve tjerë sikur ndihet më i lehtësuar me gjetjen dhe kthimin e eshtrave të prindit, kur sërish ia shpreh ngushëllimet e mia gjen force që të jep edhe këtë mesazh: “Me gjithë dhembjen, duhet që me qëndru sa më të fortë këto ditë të vështira dhe uroj që të gjenden të gjithë ata tjerët që janë të zhdukur, sepse vetëm ne e dimë që e kemi përjetu se sa vështirë është ta kesh dikë të zhdukur për 22 vjet me radhë”. Edhe  djemtë tjerë dhe vajzat e xha Nezirit, që jetojnë në Gjermani e shprehin këtë mesazh dhe po përgatiten që të vijnë dhe të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tyre dhe të martirëve tjerë të Rezallës.      

C:\Users\PC\Desktop\Varri i martirit Nezir Shaban Deliut.jpg

Familja Deliu ia ka hapur dhe ngritur varrin Xha Nezirit, por në të mungonin eshtrat e tij. Mirëpo, edhe pa ta ajo ia bënte nderimet e duhura, duke vënë lule dhe kurora mbi të. Tani, kur në Rezallë të Skënderajt të bëhet ceremonia e varrimit me nderimet më të larta ushtarake nga ish-luftëtarët e UÇK-së dhe të pasardhësve të tyre, jo vetëm familja Deliu, por edhe populli i Drenicës dhe i Kosovës e ka më lehtë që ti bëjë nderimet e merituara këtij martiri dhe martirëve tjerë të lirisë të Kosovës.                                                                                                                               Serbia ka përgjegjësi shtetërore që ti hapë arkivat e veta dhe ti gjejë dhe kthej sa më pare edhe 1600 mbetjet mortore të shqiptarëve të zhdukur dhunshëm, si dhe të kërkoj falje për masakrat e bëra mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë, kurse drejtësia serbe dhe ajo ndërkombëtare duhet ti ndëshkojë kryesit e masakrave të tilla. Këto janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon. Bashkëshortja e Xha Nezirit – Hava, djemtë: Tahiri, Bedriu, Shabani, Fatoni dhe Ardiani, vajzat: Bahtia, Miridia, Bukuria, Lumnia dhe Shehria, motrat: Mihanja, Hata dhe Afija, vëllai Avdullahu, si dhe shumë mbesa e nipa të tij, familja e madhe Deliu në Kosovë dhe në Evropë,  do ta kujtojnë përherë me krenari xha Nezirin se si të gjithë brezat e kjësaj familje edukohen me vyrtyte humane e kombëtare për të punuar dhe sakrifikuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Me krenari do ta kujtoj edhe unë që pata fatin ta takoj dhe njoh mirë martirin e lirisë së Kosovës, njeriun e urtë dhe të dashur Nezir Shaban Deliun. Xha Nezir, u prehsh në paqe në tokën tënde arbërore, që shumë e deshe dhe qoftë i përhershëm kujtimi për ty dhe të gjithë martirët e Drenicës e të Kosovës! Lavdi!

Filed Under: Histori Tagged With: Nuhi Bytyçi

INTELEKTUAL BASHKËKOHOR DHE ATDHETAR – ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË PROF.DR. ABDULLAH KARJAGDIUT

August 30, 2021 by s p

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

Lajmi për ndarjen  nga jeta të Prof.Dr. Abdullah Karjagdiut vertetë më tronditi thellë. E kisha njohur qysh në kohën kur isha gazetar i ri në TV e Prishtinës dhe kur ai, përveç punës në Universitetin e Prishtinës bashkëpunonte edhe me TV e Prishtinës, duke përkthyer filmat më të njohur të kinematografisë botërore. Mund të them se ishte profesor,  edukator i mirë, përkthyes i përkryer, intelektual në kuptimin e plotë të fjalës dhe atdhetar. Në vitet 90-ta kur Kosova ishte e tëra nën masa të dhunës e të terrorit shtetëror serb, Abdullah Karjagdiu si nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane iu shkroi letra liderëve të shteteve më të fuqishme perëndimore, duke i informuar lidhur me pozitën e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë e në ish-Jugosllavi. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në botë, sidomos përmes takimeve të drejtpërdrejta me diplomatët evropianë e amerikanë dhe komunikimeve tjera.                     Kam pasur rastin e nderin që të bashkëpunoj një kohë të gjatë me Prof. Dr. Abdullah Karjagdiun si bashkëveprimtar politik dhe si gazetar. Ruaj kujtimet më të mira për të si mik dhe njeri shumë i afërt, komunikativ, përherë bashkëpunues, si intelektual i ideve të shumta për projekte të reja në interes të Kosovës dhe kombit. Me këtë rast po i veçoj vetëm disa momente të bashkëpunimit me Prof. Abdullahun. Në cilësinë e anëtarit të kryesisë së Partisë Shqiptare Demokistriane të Kosovës, në qershor të vitit 1991 bashkë me Kryetarin e kësaj partie Lazër Krasniqin dhe nënkryetarin Abdullah Karjagdiun, kemi  marrë pjesë në një Konferencë të organizuar nga Unioni Demokristian Evropian, e cila është mbajtur në ambientet e Akademisë Diplomatike në Vjenë. Më kujtohet komunikimi shumë i përzemërt i Profesor Abdullahut me Thomas Jansen, sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokristian të Evropës dhe Andreas Kohl, drejtor i Akademisë Diplomatike të Austrisë e sekretar ekzekutiv i Unionit Demokratik Evropian.              Ai para zyrtarëve të lartë të demokristianëve evopianë në mënyrë të argumentuar paraqiti gjendjen e atëhershme të vështirë në Kosovë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente të bashkësisë ndërkombëtare kundër Serbisë dhe mbështetjen e vullnetit të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.                                                                                  Po ashtu bashkë me Lazër Krasniqin, Abdullah Karjagdiun dhe Umberto Bytyçin kemi marrë pjesë në një Konferencë të Unionit të Partive Demokristiane të Evropës që u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë. Me Prof. Abdullahun u morëm vesh si ta prezantojmë gjendjen në Kosovë, e sidomos me dhunën ndaj intelektualëve, punëtorëve, arsimtarëve, gazetarëve dhe të popullit në përgjithësi. Prof. Abdullahu e informoi Kryesinë e Konferencës së Unionit Demokristian Evropian edhe për ndalimin tim nga policia serbe në tren gjatë udhëtimit në Bratisllavë si dhe për kërcënimet e policisë serbe ndaj meje dhe shumë veprimtarëve politikë shqiptarë.
Gjatë aktiviteteve të Kryesisë së PShDK-së një delegacioni të kësaj partie kryesuar nga kryetari Lazër Krasniqi, në përbërje të cilit ishin edhe  Abdullah Karjagdiu, Umberto Bytyçi, Pjetër Rrapi, Ymer Jaka, Luigj Serreçi, Shefki Gashi dhe unë,    më 25 prill të vitit 1993, morëm pjesë në ceremoninë solemne të vizitës së parë në Tiranë dhe në Kishën Katolike bë Shkodër të Papa Gjon Pali i Dytë (Karol Jozef Wojtyla 1) bashkë me Nënë Terezën (Shën Terezën).                                                                        Edhe për ne ishte vizita e parë në shtetin amë. Natyrisht kishim emocione. Kishim vullnet të madh t’i shijonim bukuritë e tij, sidomos natyrën dhe sheshet e gjera. Të nesërmen paradite, ashtu si ishte paraparë, u nisëm për në takimin e parë zyrtar të aranzhuar me presidentin e shtetit shqiptar. Berisha na priti me nderimet më të larta të protokollit shtetëror. Biseda në kabinetin e tij u zhvillua në një atmosferë shumë vëllazërore. Në ditët në vazhdim zhvilluam takime edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnorin, kryeministrin Aleksandër Meksin, me kryetarin e Partisë Republikane, Sabri Godon, me kryetarin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Zef Bushatin, me drejtues të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. E kemi vizituar edhe Radio Televizionin Shqiptar.                                               Bashkë me Prof. Abdullahun dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së PSHDK-së në restorantin “Kruja” në Krujë kaluam darkuam dhe kaluam një mbrëmje të këndshme me disa miqë nga Shqipëria nën tingujt e orkestrës dhe të këngës popullore shqiptare të Gëzim Nikës. Vargjet e Naim Frashërit: “O ju malet e Shqipërisë, o ju lisat e gjatë, ju kam ndërmend ditë e natë…” dhe këngë të tjera, na bënë që të ndihemi se jemi në tokën tonë.
Me Prof. Abdullahun kam qenë edhe në disa vizita dhe takime me diplomatët amerikanë, me zyrtarët e Qeverisë dhe të Parlamentit të Zvicrës, të Gjermanisë,                 të Austrisë, të Belgjikës dhe të vendeve tjera evropiane. Ai përherë dinte ta sensibilizonte diplomatët dhe zyrtarët ndërkombëtare dhe të artikulonte kërkesat e drejta të popullit shqiptar të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.                                      Ndërsa, gjatë vitit 2020 dhe 2021 me Prof. Abdullahun kam pasur komunikim të shpeshtë, sidomos kontakte të drejtpërdrejta shumë të përzemërta. Bashkë me djalin e tij Prof. Lirakun dhe vajzën e Prof. Gazmend Zajmit – Lyrën më ka ndihmuar shumë gjatë përgatitjes dhe realizimit të filmit dokumentar kushtuar Akademik Gazmend Zajmit, të cilin ai e ka pasur shok të ngushtë të fëmijërisë dhe më vonë edhe bashkëpunëtor në Universitetin e Prishtinës. Gjatë realizimit të intervistës me të për këtë dokumentar, duke rrëfyer për kujtimet e tij për Akademik Gazmend Zajmin, shokun e fëmijërisë, të studimeve dhe si profesor dhe rektor i Universitetit të Prishtinës, Prof. Abdullahu kishte emocione të mëdha. E ndiente peshën e përgjegjësisë për të folur për jetën dhe veprimtarinë edukative, politike dhe shkencore të intelektualit të madh – Akademik Gazmend Zajmit. Disa herë shprehu emocionet që buronin nga zemra e tij fisnike, kurse për një moment i dolën edhe lotët. Ishte shumë kurreshtar që ta shihte dokumentarin e plotë për Gazmend Zajmin. Vazhdisht thoshte: „Gazmend Zajmi ishte intelektual i jashtëzakonshëm. Gazmend Zajm nuk bën më Nana!“                                                                                                      Kur i propozova Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që më 2 korrik 2021 të mbahet mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës me rastin e 31-vjetorit të Deklaratës kushtetuese, në të cilën do të shfaqej edhe një fragment i dokumentarit „Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës“ kushtuar rolit të Akademik Gazmend Zajmit në hartimin e tekstit të Deklaratës kushtetuese të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, Prof. Abdullahu e vlerësoi këtë si ngjarje tejet të rëndësishme. Me propozimin tim ai u ftua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca si mysafir nderi në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Kosovës. Ishte tejet i entuziazmuar dhe ndër të parët erdhi për të marrë pjesë në këtë ngjarje historike, ku protagonist ishte shoku i tij i ngushtë – Gazmend Zajmi. Ishte shumë i kënaqur me përmbajtjen e dokumentarit dhe më përgëzoi përzemërsisht për realizimin e tij. Pas mbledhjes solemne, në hollin e Kuvendit bëmë edhe disa foto bashkë me Prof. Abdullahun, me vajzën e Gazmendit – Jehonën, vëllain e tij – Prof. Yllin, me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, me ish-kryetarin Ilaz Ramajlin dhe me disa nga ish-delegatët e Kuvendit të 2 korrikut 1990. Veprat e Prof.Dr. Abdullah Karjagdiut nuk do të vdesin kurrë, por do të jenë shembull se si një intelektual i palodhur është i gatshëm përherë të punojë në interes të çështjes madhore.  Lavdi Profesor Abdullah!

Filed Under: Kulture Tagged With: Intelektual bashkekohor dhe atdhetar, Nuhi Bytyçi, PROF.DR. ABDULLAH KARJAGDIU

ADEM DEMAÇI – FRYMËZUESI I LIRISË SONË

July 27, 2018 by dgreca

1 bytyqi-1

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

Dje shkoi nga bota shqiptare për në amshim Adem Demaçi, ky personalitet unikat, jo vetëm në tërë Lëvizjen tonë kombëtare, por edhe në përmasa ndërkombëtare. Adem Demaçi, ishte shkrimtar e publicist, humanist, simbol i dinjitetit, rezistencës sonë kombëtare për liri, sovranitet dhe bashkim kombëtar. Ai, përherë ishte në shërbim të interesave kombëtare, i gatshëm edhe për tu sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Adem Demaçi, padyshim mbetet personaliteti i veçantë, më i guximshëm dhe më i pathyeshëm i popullit shqiptar në historinë tonë më të re.  Demaçi ishte frymëzues edhe i gazetarëve, të cilët në rrethana okupimi rrezikuan shumëçka për informim  objektiv, fjalën e lirë dhe mobilizimin e popullit në rrugëtimin e tij të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Si gazetar, kam pasur rastin dhe nderin që të takohem, ta intervistoj disa herë Bacën Adem. Ai përherë ishte në shërbim të mendimit të lirë, domethënës, me mesazh shumë të qartë për popullin. E thoshte përherë të vërtetën, ndonëse ajo shpeshherë ishte e hidhur. Mirëpo, ai gjithherë kishte të drejtë, sepse ishte real, largpamës dhe vizionar i madh.

Kur u pa përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë të armatosur nga Serbia, që në krijim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi mu në mes të Prishtinës do të hapë zyren e tij dhe do të veprojë Përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj ushtrie. Kështu, ai do të luftojë me argumente të fuqishme përpjekjet e Serbisë dhe të aleatëve të saj në krye me Rusinë për ta radhitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në mesin e organizatavë terroriste dhe do ti hapë rrugën e legjitimimit në arenën ndërkombëtare si forcë çlirimtare.

Pas luftës, me Bacën Adem kam pasur rastin që të bashkëpunoj, sidomos kur ishte kryetar i Bordit të drejtorëve të Radiotelevizionit public të Kosovës.  Ai angazhohej për informim të lirë dhe që RTK të jetë transmetues i fuqishëm publik vetëm në shërbim të publikut e jo të politikës. Gjatë mandatit të tij ai ka arritur që ta realizojë me sukses misionin e tij.

Si skenarist dhe autor i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, së bashku me regjisorin Ilir Kabashin, autorët e muzikës Ilir e Korab Shaqiri, me montazheren Mellani Devexhiu, si dhe me  mbështetjen e shumë kolegëve të tjerë dhe të menaxhmentit të RTK-së, si dhe me mbështetjen e familjes Demaçi, veçmas të djalit të tij Shqiptarit, bashkëshortes Xhemajlijes, të shokëve të burgut, të veprimtarëve të Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, jemi përpjekur që me materialet e ndryshme arkivore, ku flet vetëm Heroi i Kosovës dhe  Nderi i Kombit, Adem Demaçi, të paraqesim në vija të shkurtëra figurën e njeriut tonë të madh, që tërë jetën e tij  në vazhdimësi ia ka kushtuar popullit tonë të vuajtur. Premiera e filmit dokumentar “Simboli i lirisë”, kushtuar Adem Demaçit, u shfaq në Kino ABC më 17.10.2015 dhe u transmetua drejtpërdrejtë në RTK. Me këtë rast, Demaçit iu dorëzua edhe Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e tij në afirmimin e fjalës së lirë dhe fuqizimin e trasmetuesit publik. Kjo ishte mirënjohje e merituar që iu dha njeriut që përherë luftoi për mendim të lirë dhe informim objektiv sipas standardeve profesionale evropiane.

Me këtë rast do të përkujtoj vetëm dy momente që lidhen drejtpërdrejtë më protagonistin e këtij filmi, me Bacën Adem tonë të madh, i cili mua si gazetar më frymëzoi që ta kryej me sukses misionin tim në rrethana të vështira.

1.Momenti i parë ndërlidhet me një periudhë të rëndësishme historike: përgaritjet për organizimin e Demonstartave studentore të 1 tetorit 1997.

Me rastin e përgatitjes së një emisioni për Televizionin Shqiptar realizuar me qëllim të sensibilizimit të opinionit në prag të Demonstratave studentore të 1 tetorit të vitit 1997, kontaktova me Bacën Adem dhe e kërkova mendimin e tij lidhur me këto demonstrata. Ai pa asnjë hezitim shprehu gatishmërinë që të japë një deklaratë në mbështetje të pa rezervë të Lëvizjes studentore dhe premtoi se do të marrë pjesë në demonstratë, për dallim nga shumë politikanë dhe udhëheqës te asaj kohe që nuk kishin guximin dhe vullnetin të mbështesnin këtë Lëvizje historike që po ndodhte dhe që po i hapte rrugë luftës clirimtare të UÇK-së.

  1. Momenti i dytë, është pikërisht periudha e luftës çlirimtare.

Baca Adem asokohe ishte Përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së. E thirra në telefon dhe kërkova që të takohemi dhe të këmbejmë disa opinione lidhur me zhvillimet e atëhershme dramatike në Kosovë dhe në vecanti për sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën e drejtë të UÇK-së përmes realizimit të emisioneve televizive për Televizionin Shqiptar dhe po ashtu përmes shpërndarjes së të vërtetës për UÇK-në përmes qendrave televizive botërore.

Baca Adem më sugjeroi të takohemi në parkun e Taukbashqes në Prishtinë dhe të bisedojmë më lirshëm ngase mund të na përgjojë sigurimi sekret serb.
Baca Adem i paraqiti në mënyrë të argumentuar disa mendime shumë largpamëse lidhur me zhvillimet ushtarake dhe politike në Kosovë dhe mu lut që tu përcjellë këto mesazhe posacërisht disa eprorëve të lartë të shkolluar që tashmë ishin angazhuar në SHP të UÇK-së se si të koordinojnë veprimet luftarake dhe ato poltitike e të mos jepnin deklarata politike kontraverze që po krijonin huti në popull. Ai si gjithmonë ishte optimist për përfundimin e suksesshëm të luftës sonë. Mirëpo, insistonte që fati i Kosovës të zgjidhet njeherë e përgjithmonë, pa bërë asnjë kompromis në dëm të popullit shqiptar. Mu për këtë nuk u pajtua që të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës dhe dha dorëheqje nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së. Ai kishte argumentet e tij për rezervat në Marrëveshjen e ofruar.

Më 17.02.2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, Demaçi mori pjesë si mysafir nderi në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës dhe ishte i bindur se kështu u realizua vetëm një pjesë e synimit të tij dhe të popullit tonë. Ndërsa, bashkimi kombëtar  mbetet obligim i këtij brezi dhe i brezave të ardhshëm.

Shkurja në amshim e Adem Demaçit, është humbje e pakompenzueshme për popullin tonë. Mirëpo, ai në kujtesën tonë do të mbetet njeri i guximshëm, i pathyeshëm, vizionar i madh dhe mobilizues për të ardhmen e popullit tonë.  Vepra e tij, do të jetojë gjithmonë dhe do të përkujtohet nga ne dhe brezat e ardhshëm si  shembull konkret se si duhet punuar dhe sakrifikuar për interesa madhore.

4 Bytyqi

Nga promovimi i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, Prishtinë, 17.10.2015

2 Mirnjohje

Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e Adem Demaçit në afirmimin e fjalës së lirë dhe zhvillimin e transmetuesit public të Kosovës – RTK-së

3 RTK

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Adem Demaci, Frymezuesi i Lirise, Nuhi Bytyçi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT