• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK HARROJME

July 31, 2014 by dgreca

Nga Nebil Çika/
Nëse toka shqiptare ka shenjat, piramidat dhe karakollët e saj të kufijve etnikë, Borshi është pa dyshim një karakoll nga më të lavdishmit. Në 30 korrik, përkujtohet në Borsh të Sarandës 100-vjetori i masakrës greke, ndaj fshatit që ka sakrifikuar më shumë se kushdo në jug të vendit për lirinë tonë kombëtare. I shtrirë në bregdetin e Jonit, Borshi nuk është vetëm fshati më piktoresk i rivierës sonë, por edhe më i lavdishmi për sa i përket historisë. I njohur e i përmendur si vendbanim i lashtë, ai shtrihet në grykëderdhjen e lumit me të njëjtin emër, në një shtrirje dhjetëra km në bregdetin e detin Jon. Zoti i ka rezervuar një natyrë hyjnore, por edhe njerëz që kanë lënë shenja në historinë e tij dhe të krejt vendit. Borshi i vjetër, ai që u dogj nga grekët në vitin 1914, ndodhet pak më lart se ky i riu mbas kalasë së Sopotit dhe është konsideruar në histori si porta detare e Kurveleshit dhe e Labërisë. Sigurisht që janë lebër dhe, në ndryshim me një pjesë të fqinjëve, krenohen për këtë. I begatë, me prona të shumta dhe me mundësi të mëdha ekonomike, ai ka dominuar zhvillimet në zonë për mijëra vjet në histori. Kultura e trashëguar, por edhe ajo e kultivuar për shkak të emigracionit të vazhdueshëm dhe sidomos shkollimit në vendet më të zhvilluara të kohës, e kishin transformuar Borshin në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, në fshatin me ndikim të madh në zhvillimet politike e shoqërore në rang krahinor e kombëtarë. Me rreth 500 shtëpi dhe me më shumë se 5 mijë banorë në vitin 1914, e me shpatulla të mbështetura fort në Kurvelesh e Labëri, ai përbënte edhe një forcë të madhe ushtarake për kohën, gjë që përbënte një problem për fqinjët shovinistë dhe planet e tyre. Shumë borshiotë, intelektualë, politikanë e ushtarakë të njohur në histori, ishin angazhuar me të gjitha mënyrat në lëvizjen kombëtare dhe, falë mërgatës së konsiderueshme në Stamboll e lidhjeve të gjakut me arbëreshët në Itali (një pjesë e Borshit u largua në Itali pas pushtimit otoman, “Borshi San Marsano”, por ruajtën lidhje të vazhdueshme me pjesën e ngelur në atdhe, lidhje që në një farë mënyre vazhdojnë edhe sot), ata ishin shumë të informuar e shumë aktivë me lëvizjen kombëtare shqiptare, gjë që i bëri të jenë jo vetëm të përgatitur mendërisht dhe shpirtërisht, por edhe aktivë në lëvizjen kombëtare që çoi në shpalljen e pavarësisë më 1912. Por njëherazi ata ishin të informuar e të përgatitur për rrezikun që i kanosej vendit nga Greqia dhe të ndërgjegjshëm për sakrificën që duhej të bënin për ta mbrojtur atë. Përpjekjet e grekëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas për aneksimin e jugut të Shqipërisë kishin filluar shumë para shpalljes së pavarësisë dhe arritën kullmin dy vjet pas saj. Duke shfrytëzuar fenë ortodokse të fshatrave të tjera të Bregut, pararojat greke me priftërinj e andartë kishin filluar të infiltronin e të hidhnin helmin e tyre në këtë zone ende të lakmuar prej tyre. Fakti që Borshi ishte i besimit mysliman, kryesisht bektashi, dhe pasuria e madhe e banorëve të tij nuk krijonte premisa për “greqizim” të butë me anë të fesë apo korruptimit me para, dhe siç rezultoi më vonë, lufta, mbeti e vetmja alternativë e Greqisë për ta thyer atë. Duhet thënë se jo vetëm Borshi, por e gjithë Labëria u angazhua me heroizëm e sakrificë për mbrojtjen e kufijve të vitit 1913, ndërkohë që lufta me andartët grekë kishte filluar shumë më herët. Shkatërrimi nga themelet, me bombardim nga deti me anije i Lëkurësit në Sarandë dhe lufta heroike që borshiotët organizuan për mbrojtjen e tij, ishte edhe shenja e parë e asaj masakre që do të vinte më vonë. Për shkak të kushteve e cilësive specifike, Borshi ishte fshati që u sillte e vazhdon t’u sjellë pengesa grekëve në planet e tyre për Shqipërinë e jugut. Në këto kushte, Borshi ishte si të thuash edhe qëndresa e fundit ndaj pushtimit grek të vitit 1914 të Shqipërisë së jugut. Sipas të dhënave historike, por edhe dëshmive të dëshmitarëve okularë, qëndresa e Borshit ndaj forcave greke, të komanduara nga Spiro Milo nga Himara, vazhdoi me heroizëm të paparë për gjashtë muaj rresht, ndërkohë që pjesa tjetër e bregdetit ishte pushtuar, siç dëshmon edhe kjo foto e vitit 1913 në Nivicë Bubar. Pozicioni strategjik me dy kalatë, Sopoti dhe Badhrra, që kontrollonin hyrjen nga toka dhe deti në Borsh dhe falë drejtimit profesionist te luftës nga djem ish- oficerë të ushtrisë otomane apo mercenarë në ushtritë evropiane, kryesisht në Itali, arritën të përballojnë për një kohë relativisht të gjatë një ushtri të organizuar e të armatosur rëndë. Dëshmitë e kohës thonë se bombardimi me artileri të rëndë me anije nga deti dhe mbarimi i municioneve, bënë që fronti të tërhiqej drejt Vlorës, duke braktisur fshatin, i cili u dogj e u rrafshua plotësisht. Inati dhe barbaria greke me Borshin ishte aq e madhe, sa ata u munduan të zhdukin çdo gjurmë e dëshmi jete në këtë fshat. Këngët e elegjitë popullore janë dëshmitë më të mira të asaj që ndodhi:
Spiro Milo një i marrë,
erdhi Borshit i vu zjarrë.
Spiro Milo evgjiti,
grekë nga Gjiriti ngriti,
Borshit, erdhi ia vërviti
na dogji e na zhuriti
……..
… Pyet qyqja-bilbilë:
Zjarr është a vetëtimë?
– Borshi është në përcëllimë!
Masakra ishte e tmerrshme: gjithçka e shkatërruar dhe djegur. Një fshat i madh me 500 shtëpi ishte zhdukur nga faqja e dheut. Luftëtarët gjithsesi mundën të mbronin në tërheqje popullsinë civile dhe të vrarët ishin vetëm nga radhët e atyre që luftonin. E keqja më e madhe do të vinte më vonë. Qindra fëmijë e pleq, të ngelur pa asnjë të ardhur, vdiqën nga uria dhe sëmundjet në ullishtën e Vlorës, ku ishte strehuar pothuaj gjithë jugu i Shqipërisë, nga Korça në Sarandë. Por nuk mbaron këtu; shkatërrimi me themel i Borshit vazhdoni për muaj të tërë. Mijëra rrënjë ullinj u shkulën e u mbollën, në fshatrat ortodoksë që nuk u prekën nga ushtria greke. Edhe sot janë atje, si dëshmi të gjenocidit dhe spastrimit etnik grek, në Borsh dhe krejt jugun e vendit. Ja si e përshkruan poeti popullor këtë situatë:
Fshati i Borshit si Teqe
Fusha e Borshit si Misiri
Nga rrënja shkulet ulliri
Hani a mos ua paftë syri.
Por grekët dhe bashkëpunëtorët e tyre i kishin bërë llogaritë pa hanxhinë. Ata përdorën politikën e spastrimit etnik dhe tokës së djegur, duke synuar ta zhduknin Borshin nga harta, duke menduar se Borshi nuk do kthehej më. Por borshiotët u kthyen: shumica e tyre i rindërtoi shtëpinë dhe fshatin sërish të ri e të bukuar, duke i kthyer lavdinë e begatinë e dikurshme. Mbollën ullinj të rinj, portokalle, limona, qitro, të gjitha pemët e pemët e Perëndisë, madje edhe banane, dhe rindërtuan parajsën që u ka falë Zoti e që e shohin e shijojnë të gjithë. Borshi është si feniksi. Rilind nga hiri sa herë armiqtë e tij mendojnë se e zhdukin. Borshiotët janë njerëz fisnikë e paqësorë. Në emër të pajtimit kombëtar, nuk u hakmorën me bashkëpunëtorët e grekëve në djegien e Borshit. Nuk i morën mbrapa as ullinjtë, megjithëse i gjetën në bahçet e gjitonëve të tyre ortodoksë, e dinë kush ua ka marrë. Grekët tentuan ta digjnin sërish në 1941, gjatë Luftës Italo-Greke, por pa sukses. Por megjithëse falën, të parët tanë nuk harruan. As ne nuk harrojmë! Shpresoj të mos harrojnë as fëmijët tanë. Ne kujtohemi për Borshin dhe masakrën greke ndaj tij, sa herë që sorrat politike në Tiranë e Athinë apo Himarë çirren për Vorio-Epirin e Megalloidhenë. Sa herë, si atëherë 100 vjet më parë, dëgjojmë një Venizelos, një Milo, një Dhimë, me apo pa Kokë, apo dikë tjetër që ka ende mendjen e 1914-ës! Por edhe ata e dinë dhe duhet ta dinë që Borshi ka qenë e është atje përjetësisht. Feniks i ngjallur nga hiri i shqiptarisë, një karakoll i gjallë i gatshëm të sakrifikohet sa herë të jetë nevoja. Si në poezinë e famshme të Kutelit:
Jam këtu e këtu do jem
Denbabaden
Gjer sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

Filed Under: ESSE Tagged With: Nebil Cika, NUK HARROJME

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT