• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAFIA NUK BËN DOT ZGJEDHJE – OSE MEDITIM PËR 23 QERSHORIN

February 27, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I pyetur më 2001 nga një media e Tiranës se a mendoj që në Shqipëri atëherë mund të bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, unë jam përgjigjur se mafia nuk mund të bëjë as zgjedhje të lira, as zgjedhje të ndershme, as zgjedhje demokratike, mafia nuk mund të bëjë fare zgjedhje, mafia mund të bëjë vetëm farsë zgjedhore, mafia mund të bëjë vetëm mashtrim zgjedhor.
Medet për të, klasa politike e Shqipërisë, pa folur për periudhën para 2001, nuk e ka përgënjeshtruar ndonjëherë as gjatë këtyre 12 viteve të mëvonshme përcaktimin e mësipërm, përkundrazi vetëm sa e ka përforcuar bindjen time dhe bindjen e gjithkujt tjetër që i shikon me sytë e realitetit zgjedhjet në Shqipëri dhe të gjitha dukuritë që burojnë nga ato zgjedhje.

Nga njohësit e saj, mafia përshkruhet si një sistem i mbivendosjes së më të fortëve ndaj më të dobtëve. Bosi më i fortë kryeson kupolën e klanit, klani më i fortë kryeson kupolën e mafias përkatëse rajonale, mafia më e fortë rajonale kryeson mafiat më të gjera në shkallë vendi apo në shkallë ndërkombëtare. Ligjin e bën më i forti dhe pasojat i vuan më i dobëti. Meritat i merr më i forti dhe fajet i merr më i dobëti. Kurorat i merr më i forti dhe gjembat i merr më i dobëti. Të gjitha përplasjet, të gjitha marrëveshjet, të gjitha grindjet, të gjitha pajtimet bëhen për hapësira në terren dhe për hapësira në fusha të veprimtarisë – si politikë, ekonomi, trafiqe, kontrabanda, korrupsion. Për mbarëvajtjen e punëve të saj, mafia ka ritualet, kodet, rregullat, instancat. Në dukje xhungla të karakterizuara nga kaosi, nga anarshia, në të vërtetë, nga brenda mafiat karakterizohen dhe shquhen nga organizimi i përkryer, nga disiplina e hekurt, nga profesionizmi i lartë. Prej këndej mafia edhe ka marrë emërtimin tjetër: krim i organizuar. Armiku kryesor i mafias është shteti ligjor, është ligji, prandaj ajo synon që ta bëjë të pamundur funksionimin e ligjit, ta shdërrojë shtetin në një realitet iluzor, ta shndërrojë ligjin në një realitet iluzor, t’i bëjë njerëzit që, në skenat me iluzionistë, të mos iu besojnë syve të tyre, por t’iu besojnë asaj që iu servirin iluzionistët me ekipet e tyre dhe me rekuizitat e tyre.

Në vend që ta forcojë, konsolidojë dhe përkryejë institucionin e zgjedhjeve, si institucionin e vetëm ku populli ushtron sovranitetin e tij drejtpërdrejt nëpërmjet votës së tij të lirë, klasa politike e Shqipërisë ka bërë gjithçka për ta dobësuar këtë institucion, për ta komprometuar, për ta manipuluar, për ta shpërfytyuar dhe çoroditur, nga një palë zgjedhje tek të tjerat. Kështu institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri është shndërruar në arenën më të madhe e më të sofistikuar ku klasa politike ka ushtruar profesionin e saj të iluzionistes mafioze, i vetmi profesionizëm të cilin ajo e ka përfituar në këto vite të të ashtuquajturit pluralizëm politik.

Pikërisht më 2001, zgjedhjet në Shqipëri prodhonin një rezultat thellësisht të shtrembëruar, prodhonin edhe një dukuri monstër, siç ishte dukuria “Dushku”, ku nga një fshat i vetëm prodhoheshin 13 deputetë. Kjo realizohej falë ligjit zgjedhor mazhoritar me korrigjim proporcional, i cili favorizonte partinë kryesore, duke grabitur në mënyrë të përbindshme votat e partive të tjera. Ky ligj zgjedhor do t’i shndërrohej të njëjtës parti në bumerang katër vjet më vonë, më 2005, nëpërmjet dukurisë “SuperDushku”. Një tjetër truk iluzionist më 2009 do të prodhonte përsëri zgjedhje të diskutueshme.

Nga zgjedhjet qendrore tek ato lokale, deri edhe sot e kësaj dite, ka vazhduar dukuria e regjistrave të banorëve, dukuria e listave zgjedhore, dukuria e mbushjes masive të kutive, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit nëpër kuti edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Alaskë, edhe nga ata që njëkohësisht ndodheshin në Australi apo në Zelandën e Re, dukuria e hedhjes së fletëve të votimit në kuti edhe nga ata që kishin ndërruar jetë prej dhjetëra vitesh tashmë, dukuria e votimit disa herë brenda të njëjtës ditë nëpër qendra të ndryshme votimi. Për të përmbysur realitetin e votës, klasa politike ka përdorur shërbimet shtetërore të informimit dhe të rendit, ka përdorur administratat shtetërore qendrore dhe lokale, ka përdorur hordhitë e militantëve, ka përdorur deri grupet kriminale më famëkeqe, ka përdorur autoritetin dhe ndikimin deri tek bosëve më të famshëm të krimit.

Shiblerja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e votave, nëpërmjet parave të thata në dorë, nëpërmjet punësimeve të familjarëve, nëpër dhënies së vizave për jashtë shtetit, nëpërmjet dhënies së favoreve apo premtimeve të favoreve, ka qenë dhe mbetet një nga dukuritë e shtrembërimit të realitetit të votës gjatë gjithë këtyre viteve. Tregu i shitblerjes bëhet më fitimprurësi duke përfshirë në vertikalen dhe horizontalen e tij komisionet dhe komisionerët nga instancat më të larta deri tek ato më të ulëtat.

Klima që i ka karakterizuar zgjedhjet deri sot ka qenë gjithnjë mbytëse për elektoratin, ka qenë frikësuese, e mbushur me shantazhe, me sulme, kundërsulme, sharje, me shtim galopant të krimit, sidomos të krimit makabër, ka qenë mediatizimi ekstrem i kësaj klime, kanë qenë tonet e larta, thirrjet mbi thirrje, britmat mbi britma, skenat ngjethëse në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, çjerrjet në konferencat e shtypit, shkëmbimet e sarkazmave mes zëdhënëseve të haremeve partiake dhe qeveritare, shpërndarja nëpërmjet ekranave të vegjë e duhmave të alkoolit, duhmave të parfumeve, shfryrjet e gogësimave nga gojët e hapura të politikanëve drejt e në fytyrën e publikut të tulatur e të nemitur.

Elektoratit në Shqipëria asnjëherë nuk i është mundësuar të dijë se për kë po voton, të dijë se kë ka sjellë në pushtet nëpërmjet daljes së tij tek kutia e votimit, nuk e di se çfarë lidhjesh kanë pasur me Sigurimin e Shtetit, me strukturat e spiunazhit brenda Partisë së Punës së Shqipërisë, çfarë lidhjesh kanë pasur me shërbimet e huaja antishqiptare, çfarë lidhjesh kanë pasur e kanë me botën e krimit të periudhës së tranzicionit drejtuesit e zgjedhur apo të emëruar gjatë këtij tranzicioni. Kundërshtimi i elektoratit shqiptar ndaj kësaj dikurie është bërë gjithnjë e më pasiv, duke parapëlqyer të rrijë në shtëpi, duke pranuar që të qeveriset jo nga më të mirët e më të mirëve, pora nga më të këqijtë e më të këqijve.

Në qoftë se në Shqipëri do të arrihet që votuesi të hedhë fletën e tij të votimit në mënyrë krejtësisht të pandërmjetësuar nga frika apo nga trysnia e kujtdo, në qoftë se kjo votë e tij do të numërohet, në qoftë se ajo do të shkojë në adresën e koalicionit apo partisë për të cilën ai ka votuar, në qoftë se të gjithë votuesit do t’iu binden vetëm urdhërave të ndërgjegjes së tyre, në qoftë se kjo bindje e çdo votuesi do të zbatohet pikë për pikë në rezultatin zgjedhor atëherë do të kemi realizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, atëherë do t’ia kemi siguruar Shqipërisë institucionin e zgjedhjeve, atëherë do të kemi siguruar institucione të dala nga vota e popullit, atëherë do të kemi institucione që mund të flasin në emër të sovranit, pra në emër të popullit.

Në qoftë se votuesi do të marrë zemër që të dalë masivisht në votime, të hedhë fletën e tij të votimit për të përzënë nga ekranet e vegjël të përditshëm e të përnatshëm të buhaviturit nga viagrat, të nxirët nga injeksionet apo tymosjet, të çakërqejfurit a të çakërdisurit nga pushteti i gjithanshëm, të krekosurit nga plotfuqia, të pëlciturit nga vetëkënaqësia, pra, në qoftë se votuesi do të gjejë guximin të çlirohet nga tranzicioni, atëherë do të kemi një rezultat të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, një shtet, një shoqëri të shanseve të reja, një shtet dhe shoqëri të shpranguar në vullnetin e tyre për t’i kundërshtuar mafiat.

Duke folur në emër të sovranit, shumicat e derisotme, në të vërtetë vetëm sa kanë keqpërdorur, nëpërkëmbur, shkelur dhe poshtëruar emrin e sovranit, nderin e sovranit, fytyrën e sovranit, dinjitetin e sovranit, vetëm sa kanë uzurpuar institucionin e sovranit, kanë bërë vetë sovranin, ndërsa sovranin e kanë dëndur me iluzionin e lirisë, demokracisë, fanarit evropian dhe perëndimor, sa për t’ia pasur zili gjithë bota. Në të vërtetë, mafias iluzioniste të Shqipërisë, sidomos për lehtësinë e pashembullt me të cilën ka realizuar qëllimet e saj, është për t’ia pasur zili edhe vetë i famshmi Copperfield, iluzionisti deri sot me suksesin më të madh komercial, me një rekord të paarritshëm Gines, me çmime të panumërta ndërkombëtare nga industria argëtuese.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mafia, nuk mund te beje, Skender Bucpapaj, zgjedhje

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT