Shkruan: Shpend Sollaku Noè/
Krimin e padrejtësinë e kam luftuar qysh fëmijë/
Rebelimi im i parë?
Kur isha në klasë të parë jam arratisur prej dritares së katit të dytë të shkollës së vjetër «Kongresi i Lushnjes», pasi mësuesja D.G. më kish dënuar tʼë ndihmoja fëmijën e dikujt që kish ndikuar në dënimin e tim eti – një monarkist i lindur.Ai nxënës nuk e meritonte, jo vetëm si bir i njërit prej atyre që na lanë për rreth tetë vjet pa baba, por edhe sepse vetë ishte kokëderr, medjemadh dhe i trashë, nga ata që gjyshat tanë u thoshin «nuk ha pyka».
Nuk numërohen përjashtimet nga shkolla që kam pësuar, po aq edhe kërcënimet për të më vënë pas hekurash. Fati im i mirë, por edhe dinakëria, ka qenë se kam ditur gjithmonë të zgjedh shokë besnikë; nuk kam folur kurrë rëndë kur kemi qenë më shumë se dy vetë, sidomos në prani të tyre që mund të më dilnin dëshmitarë në gjyq.
Kështu kam shpëtuar i padënuar, por me punëra të rënda për 5 vjet nëpër bonifikime e në tunelet e Sazanit. Kur bijtë e tyre, me nota shumë më të dobëta se të miat, shkonin në universitet, mua më çuan në Sazan- tre vjet ushtri, edhe pse kisha mbaruar gjimnazin me dhjeta dhe kisha patur një aktivitet të rëndësishëm artistik e letrar deri në rang kombëtar, duke filluar në moshë mjaft të njomë. (Në moshën 7 vjeçare kisha rene tashme ne sy dhe kam qenë i ftuar nga Lushnja në Radio Tirana. Katërmbëdhjetëvjecar kisha filluar të botoj në organet kombëtare…
Unë e di çʼkam hequr për të mos humbur të ardhmen. Për tʼu shpëtuar atyre dhe bjerrjes së vetvetes.
Luftova shumë, ashtu si munda, dhe jam krenar që e kam berë. U vura pothuaj gjithmonë kundër interesave të mija, kundër edhe një pjese të mirë të rrethit miqësor, kundër edhe një pjese të fisit e të krushqisë. Dhe këtë e bëra në emër të progresit, të antikomunizmit, të demokracisë, të jetës sipas kritereve perëndimore.
Lufta ime nuk ka qenë asnjëherë për hakmarrje, por lufte principesh. Edhe pse më shkatërruan jetën; edhe pse vazhdoj akoma tʼi vuaj pasojat e persekutimit të tyre, edhe pse e di që kam për të vuajtur deri në shuarjen fizike.
Nuk kam bërë asnjë ditë burg. Nuk kam bërë asnjë ditë internim. E pastaj?
Duhet të ndihem në faj për këtë?
Aspak, përkundrazi, falenderoj zotin dhe them: Sa mirë që shpëtova, kështu kam mundur tʼi luftoj për një kohë më të gjatë, për gjithë jetën, të cilën shpresoj ta kem përtej kufirit të frymëmarrjes.