Nga Fuat Memeli-Boston/
Këtë fakt e kam mësuar qysh në vitin 2008, nga një intervistë e studjuesit ,Shpëtim Sala, dhënë gazetares Anila Mema dhe botuar te gazeta “Panorama” e datës 8 nëntor të atij viti. E ruajta këtë gazetë në arkivin tim, me dëshirën që si sinicar, të shkruanja diçka më tepër për këtë fakt. Gazeta vazhdoi të “flerë” për 7 vjet në arkivin tim dhe unë u ula të shkruaj këto rradhë, sivjet me rastin e 50 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Nolit. Për faktin se një vajzë sinicare mund të ishte bërë nusja e Fan Nolit, mësova më vonë edhe nga libri i Nasho Jorgaqit, kushtuar jetës së Nolit, i cili gjithashtu e trajton këtë problem. Këtë ma tha sinicari,Thoma Ketri, mjek i njohur në Shqipëri, i cili tani jeton në Detroit të SHBA-së, pasi e kish lexuar librin e Nashos.
Po ndalemi së pari te fakti që sjell studjuesi, Shpëtim Sala.Në një nga pyetjet që gazetarja Anila Mema, i bënte këtij studjuesi, ishtë kjo:”cilat ishin kandidatet e mundëshme , me të cilat mendohej se Noli do të martohej?”. Dhe përgjigja është kjo:”Dy vajza ishin kandidate që mund të bëheshin priftëresha. Njëra ishte në Misir, në Kajro. Këtë ia kishte rekomanduar Thanas Tashkua. Nëpërmjet letrave, mësohet se vinte nga një familje e pasur. Idea ishte që para se ta merrte, të paisej me një sasi të hollash, rreth 100 stërlina ( të verdha ose ar) dhe me pajë veç të tjerash. Ndërkohë një kandidate tjetër për martesë, qe një vajzë nga Sinica që jetonte në Neë York dhe ishte shumë më e varfër nga ajo e para e Egjyptit”. Dy rastet e mundëshme të Nolit për martesë, siç thotë studjuesi, janë me mblesëri. Periudha për të cilën flitet, është viti 1907,kur Noli ishte 25 vjet dhe ndodhej në Neë York. Aty kishte shkuar qysh në vitin 1906. Idea për t’u martuar atëhere , ishte se ai duhej të bëhej prift, dhe prift pa priftëreshë, nuk mund të jesh. Ndër të tjera në letërkëmbimin me Thanas Tashkon, Noli shkruan:”po s’kini priftëreshë, dërgoni 100 lira. Dërgojini në çast. S’ka priftëreshë, dërgoni vetëm lirat, pa bëhem prift edhe pa priftëreshë, ose marr atë të Neë Yorkut nga Sinica. Po duhet të kem para që ta marr, ndryshe s’e mar dot. Ka edhe ajo mjaft të holla më thanë dhe është gati për martesë”.
Duke patur lekë, Noli mendonte se mund të kompromentonte mitopolitin rus, Platonin,mund ta merte me të mirë për t’u bërë prift, edhe nëse nuk martohej, sikurse ndodhi më vonë. Ndoshta ai nuk shkoi në Egjipt për mungesë parash, ose nëna e vajzës mund të mos ketë pranuar. Studjuesi thotë se duhen lexuar edhe letrat e Tashkos për të mësuar më shumë. Për vajzën nga Sinica, Noli linte të kuptohej se e mbante rezervë, pasi ajo nuk ishte e pasur, megjithëse siç shprehet vetë ( që e theksuam më lart) “ka edhe ajo mjaft të holla më thanë dhe është gati për martesë”. Në letërkëmbime të tjera Noli thotë se më mirë që nuk u martova, pasi kështu u bëra peshkop.
Nasho Jorgaqi, te vepra e tij “Jeta e Fan S.Nolit” ndër të tjera shkruan:” Në letërkëmbimet e me Th. Tashkon, L.Ligorin etj, kërkon prej tyre ta ndihmojnë për të zgjedhur priftëreshën e ardhëshme. Mbi të gjitha e do që të jetë shqiptarkë. Nolit i paraqiteshin tre kandidatura: një vajzë nga Sinica e Korçës por që heq dorë prej saj nga që ajo është e varfër dhe s’mund t’i sjellë pajë, dy të tjerat të cilat janë mirë nga gjendja, ai dëshiron t’i shohë para se të vendosë.Këto janë në Bukuresht e në Misir, ndërkohë që dasmën mendon ta bëjë në Boston para 100 shqiptarëve dhe të verë kurorë me prift rus”.
Megjithë njohjen e faktit se nja vajzë me origjinë nga Sinica që jetonte në Neë York, ishte kandidate për të qënë nusja e Nolit e ai mund të ishte bërë dhëndër Sinice ( kjo mund të kish ndodhur sikur sinicarja të kishte qënë e pasur) nuk mësohet më tepër se si e kishte emrin e mbiemrin kjo vajzë, çfarë njerzish kishte në familje, kush ishte mblesi , etj. Duke hamendësuar, më shkon mendja se ndoshta mbles mund të ketë qënë prifti patriot, At Pando Sinica, i cili ka jetuar në Boston dhe ka patur njohje me Nolin. Ai si sinicar, mund t’i ketë rekomanduar Nolit vajzën sinicare për nuse. Ndoshta këtë rekomandim mund tja ketë bërë dikush tjetër.
Tani pas 105 vjetesh nga koha për të cilën flitet, unë duke jetuar në Boston, u mundova mos bie në gjurmë për vajzën sinicare . Pyeta për këtë sinicarë në Amerikë si dhe në Shqipëri, por nuk zbulova dot gjë. Ndoshta dikush tjetër mund të mësojë më shumë në të ardhmen. Do të jetë me interes , jo vetëm për sinicarët, por për gjithë lexuesit e pasionuar të jetës dhe veprës së Fan Nolit.