Nga Reshat Kripa/
Më 12 dhe 19 shkurt 2019 televizioni “A1 Report” transmetoi një interviste timen dhënë zonjës Admirina Peçi ne të cilën flisja për aktivitetin e organizatës antikomuniste që kishim krijuar në Vlorë në vitin 1951, kur ishim ne vitin e parë të gjimnazit, si dhe periudhën që kaluam në burgjet dhe kampet e asaj kohe. Për përgatitjen e kësaj interviste isha takuar më parë me zonjën Peçi duke i dorëzuar edhe një CV të këtyre ngjarjeve nxjerrë nga arshiva e Ministrisë së Brendëshme
Lidhur me sa më sipër tri gazeta të përditëshme “Tema” Nr. 5630 datë 13 shkurt, “Shqiptarja.Com Nr. 34 (2557) po datë 13 shkurt dhe “Panorama” Nr. 5833 datë 14 shkurt botuan shkrime kushtuar aktivitetit tonë dhënë në intervistë, shoqëruar madje edhe me fotografi tonat dhe trakte të shpërndara prej nesh.
Mendova se më parë redaksitë e këtyre gazetave duhej të më kishin marrë një aprovim nga ana ime për këtë, ashtu siç kishte vepruar edhe zonja Peçi, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë nuk i vura shumë rëndësi.
Pikërisht ato ditë, në Tiranë zhvilloheshin “Ditët e Kujtesës”, në kuadrin e përvjetorit të përmbysjes së përmendores së diktatorit Enver Hoxha, organizuar nga Fondacioni “Kondrat Adenauer” në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Regjimit Komunist, dhe Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Lidhur me kumtesat dhe diskutimet e bëra në këtë aktivitet nga personalitete të shquara, shkrova artikullin me titull “Ne nuk harrojmë”, të cilin ua dërgova të tre gazetave në fjalë qysh më datat 26 dhe 27 shkurt dhe konkretisht botuesit Mero Baze dhe më pas kryeredaktoreve te tyre, zotërinjve Bledi Lumani, Robert Rakipllari dhe Aurel Pepa. Artikullin e dërgova në adresat e E.Mail-ve të tyre të shkruara në gazetat përkatëse.
Në këto E-Mail-e shkruaja:
I nderuar zoti …………. duke ju falenderuar per shkrimin e botuar ne gazeten tuaj lidhur me intervisten time dhene zonjes Admirina Peçi per televizionin “A1 Report”, po ju dergoj komentin tim me titull “Ne nuk harrojme” kushtuar mos zbatimit te Rezolutes se Kuvendit te Shqiperise “Per denimin e krimeve te kryera nga regjimi komunist” miratuar ne tetor 2006. Ne rast se e gjykoni te papershtatshem per ta botuar do te doja te me kthenit nje pergjigje. Me respekt
Reshat Kripa
Prita disa ditë por, çuditërisht nuk e pashë të botuar dhe për më tepër nuk më erdhi asnjë përgjigje prej tyre. Mora në telefon numrin 042403207 të gazetës “Panorama” dhe personi me të cilin fola më tha se nuk kishte dijeni por mundësisht t’ua dërgoja përsëri. Kështu veprova dhe në E-Mailin tim erdhi përgjigja:
Gazeta Panorama G. P. <gazetapanorama@hotmail.com To:Reshat Kripa
Mar 1 at 3:41 PM
Ne rregull, do t’ju kthejme nje pergjigje sapo ta shikoj kryeredaktori Faleminderit
Kanë kaluër tre ditë dhe përgjigje ende nuk ka ardhur.
Me gazetën “Mapo” më ndodhi tjetër fenomen. Megjithëse i kisha dërguar në E_Mail-et mero.baze@tema.al, info@tema.aldhe bledarlumani@hotmail.comtë shkruar në gazetë, çuditërisht, në internet m’u kthye përgjigja: Na vjen keq, nuk mundëm ta dërgonim mesazhin në adresën e mëposhtme. E pamundur për të dërguar mesazhin pas disa përpjekjeve të reja, duke hequr dorë. Më poshtë kësaj rreshti është një kopje e mesazhit.
Dhe vazhdonte mesazhi im i cituar më lart.
Për gazetën “Shqiptarja.Com”. i rashë telefonit të shkruar në gazetë 0696088847 por, në vend që të më dilte ndonjë gazetar i saj, doli një zotni i televizionit “A1 Report” i cili, natyrisht, nuk dinte çfarë të më jepte përgjigje.
Kjo është odisea e artikullit tim. Flitet se në Shqipëri shtypi është i lirë. Sipas raportit të përbashkët të “Gazetarëve pa kufij” dhe BIRN-it, publikuar në marsin e vititt 2018 Shqipëria renditet në vendin e 75-të
Personat e cituar më lart i shohim shpesh herë në faqet e televizioneve duke folur për problemet e ndryshme politike, por edhe për korrektesën apo etikën që duhet të ketë një drejtues. Në shembullin tim nuk e shoh një gjë të tillë. Çështja e botimit ose jo të një artikulli është e drejta e drejtuesve të gazetave por kthimi i një përgjigjeje dërguesit të saj është një detyrim që e përmban etika gazetareske që , për fat të keq, këtyre individëve u mungon.
Deri më sot që jam në moshën 83 vjeçare nuk kam lejuar askënd që të përdorë figurën time si reklamë për shitjen e një gazete dhe do të vazhdoj të mos lejojë. Dua t’iu drejtohem personave të sipër përmendur se në bibliografinë e shkrimeve të mia kam mbi 350 artikuj të ndryshëm , rreth 40 kumtesa të mbajtura në sesione shkencore, botuar katër romane, një libër me tregime, një libër me kujtimet e moshës së rinisë, një libër me poezi dhe një monodramë, të gjitha pas vitit 1991 pasi më parë e kisha të mbyllur derën e botimeve.. U rekomandoj gjithashtu të mundohen të lexojnë librin e fundit të botuar nga Instiituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Regjimit Komunsit me titull: “Mos harroni, jemi edhe ne” (Pjasa e parë), që përmban artikuj dhe kumtesa të shkruara në periudhën 1991-2010 dhe që brenda këtij viti do të botohen edhe dy vëllimet e tjera për periudhën deri në ditët e sotme. Aty do të gjeni mendimet e mia, jetën time dhe kështu do të vazhdoj deri në ditën e fundit..
Sot jetojmë ne shekullin e elektronikës dhe mundësitë e botimit janë të pafund. Kështu do të veproj edhe unë . Janë me dhjetra organe online të cilave u kam dërguar dhe do të vazhdoj t’ua dergoj shkrimet e mia, për deri sa në Shqipëri të ketë me të vërtetë organe të lira shtypi dhe drejtues korrekt.
Bashkangjitur me këtë shkrim po botoj edhe artikullin për të cilin bëhet fjalë. Mirëpres vrejtjet e lexuesve.
Ne nuk harrojmë!
Duke ndjekur kumtesat dhe diskutimet e personaliteteve të shquar të vendit dhe të huaj në “Ditët e Kujtesës”, në kuadrin e përvjetorit të përmbysjes së përmendores së diktatorit Enver Hoxha, organizuar nga Fondacioni “Kondrat Adenauer” në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, Institutin e Studimeve të krimeve dhe Pasojave të Regjimit Komunist, dhe Autoritetin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, para syve më del Dokumenti 10765, “Raport i Komitetit të Çështjeve Sociale” me raportues zotin Goran Lindblad lidhur me Rezolutën 1481 (2006) “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste”, miratuar nga Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës më 25 janar 2006 dhe më bie në sy, veçanërisht, pika e gjashtë e kësaj rezolute që thotë: “Asambleja është e bindur se njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve të përngjashme në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për veprimet e ardhshme.”
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek në këtë asamble deklaroi: “Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njejta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dihej saktë se kush ishte fitimtari dhe kush i humburi. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.”
Ndërsa ia vlen të citohen gjithashtu fjalët e zonjës Saks (Estoni) thënë thënë po në këtë seancë:“Historia kërkon që të gjejë të vërtetën edhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.”
Kongresisti i njohur shqiptaro-amerikan Joeseph Dioguardi ka thënë më 12 qershor 2012 në Washington:
I bëj thirrje qeverisë shqiptare që të sjellë një demokraci të vërtetë në Shqipëri duke u kërkuar falje viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre, duke ngritur nje komision të së vërtetës dhe të pajtimit, duke hapur arkivat komuniste , në mënyrë që të fillojë një proces i cili do të shërojë plagët dhe do të rivendosë besimin tek qeveria dhe udhëheqësit e saj.”
Ndërsa zonja Shirley Cloyes Dioguardy, Këshilltare për Çështjet Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane ka deklaruar: “Një nga arsyet pse nuk kemi shtet të fortë ligjor dhe që drejtësia mbetet një institucion i brishtë është se nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën. Procesi nuk duhet të drejtohet nga qeveria apo një parti e vetme politike, ka plot institucione që ofrojnë përvojë. E gjithë kjo varet nga vullneti politik dhe nga dëshira për të bërë më shumë , duke u larguar nga praktika margjinalizimit të atyre që vuajtën , ose e ngritjes së duarve duke thënë se s’mund të bëhet asgjë,, apo me justifikimin se nuk ka shpresë dhe se procesi do të manipulohet për përfitime personale. Nuk e shoh të mundur që Shqipëria të ecë përpara, pa u përplasur me të kaluarën ndërkombëtare.”
Më falni nëse u zgjata pak me këto citate të këtyre personaliteteve të lartë të njohur, por e bëra qëllimisht për të treguar se ne jemi shumë larg të vërtetave të deklaruara prej tyre. Një gjë të tillë do ta vërtetoj me ngjarje të ndodhura në vendin tonë, që zor se mund t’i kundërshtoj ndokush.
Në muajin tetor 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri” , në miratimin e së cilës, për fat të keq, deputetët e Partisë Socialiste, natyrisht me porosi të kryetarit të tyre Edi Rama, dolën nga salla duke bojkotuar votimin. Rezoluta përmban 17 pika të cilat, po të ishin zbatuar, do ta kishin zgjidhur përfundimisht problemin e dënimit të krimeve të kryera nga regjimi totalitar komunist.. Por, për fat të keq, pothuajse asnjë prej pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shumë se 12 vjet nga miratimi i saj. Përse? Mos vallë mungon vullneti politik?
Le të analizojmë disa pika të kësaj rezolute për të vërtetuar ato që thashë me lart.
Pika 8 – Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave dhënë atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.
Deri më sot nuk kemi parë apo dëgjuar nga ndonjë qeveri zbatimin e kësaj pike, madje na qenka miratuar edhe një ligj nga Kuvendi i Shqipërisë sipas të cilit askush nuk ka të drejtë të heqë titujt dhe dekoratat e fituarara në të kaluarën,
Piak 9 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.
So në Shqipëri ekzistojnë data dhe simbole të shumta të regjimit komunist. Si për shembull emërtimet e rrugëve apo lagjeve si 11 janari, 24 maji, Komuna e Parisit e të tjera, madje edhe atje ku është ndërruar emërtimi, media e shkruar dhe ajo vizive si dhe moderatorët apo komentatorët e tyre vazhdojnë t’i quajnë me emërtimet e vjetra. Si shembull tipik po sjell vetëm një. Sheshi ku kryqëzohet rruga e Kavajës me rrugën “Muhamet Gjollesha” vazhdon të përmendet me emrin e vjetër “21 Dhjetori”, ditëlindja e diktatorit Stalin, në një kohë që Këshiili Bashkiak i Tiranës ka kohë që ka vendosur që ky shesh të emërohet “Mehmet Akif”. Për më tepër, me vendim të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj është vendosur një memorial ku shkruhet “21 dhjetori”. Si e shpjegoni një veprim të tillë?
E njejta gjë edhe me simbolet. Në varreat e dëshmorëve vazhdon të qëndrojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se ata dëshmorë u vranë për këtë yll, aq më tepër kur fare pranë tij janë vendosur edhe eshtrat e 22 martirëve të së ashtuquajturës “Bombë në Ambasadën Sovjetike” dhe mua më duket sikur grepat e atij ylli vazhdojnë të gryejnë eshtrat e këtyre martirëve. Po ashtu basorelievi në ballin e Muzeut Historik Kombëtar, ku më shumë se 2|3 e tij e zënë partizanët me yll në ballë dhe ndërtuesit e Shqipërisë Socialiste dhe më pak se 1|3 e tij me historinë mijra vjeçare të vendit tonë. A mund të quhet muze kombëtar një i tillë? Lidhur me sa më sipër edhe një propozim për ta hequr, i bërë nga ish-drejtori i këtij institucioni, i nderuari Beqir Meta, çuditërisht nuk u mor parasysh.
Pika 10 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimit.
Deri më sot nuk kemi parë asnjë njoftim për sa shkruhet më sipër. Dosjet vazhdojnë të jenë të mbyllura me dry. I vetmi institucion i ngritur për këtë qëllim është ai i Studimit dhe Pasojave të Regjimit Komunist i cili, me gjithë përpjekjet e stafit të tij nuk po arrin të zbulojë krimet e vërteta të kryera në ate kohë, pasi pengesat vijnë nga mungesa e vullnetit politik të autoriteteve shtetërore.
Pika 11 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve shtetërore atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.
Çuditërisht në vendin tonë është miratuar një ligj, i ashtuquajturi “Veting” i cili zbatohet vetëm për punonjësit e drejtësisë. Po të tjerët? Edhe një propozim i bërë për përfshirjen e politikanëve u hodh poshtë, ndërsa për të tjerët as që bëhet fjalë.. Jo vetëm kaq por skandali është shumë më i madh. Me shkreën zyrtare me numër protokolli 5 datë 20 korrik 2015 shoqata e jonë i dërgoi Komisionit të Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi që në këto ligje të shtohej një nen që përjashtonte nga pjesmarrja në organet larta si Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, ajo e Apelit dhe ato të shkallës së parë, Prokuroria e Përgjithëshme dhe ato të rretheve, dhe hallkat e pushtetit ekzekutiv në qendër dhe në prefektura, personat e implikuar në të kaluarën në gjykatat, prokuroritë, hetuesitë dhe organet e tjera të diktaturës komuniste. Fatkeqësisht jo vetëm që nuk u pranua por nuk na u kthye asnjë përgjigje, madje nuk dëgjuam asnjë deputet që ta ngrinte këtë çështje.Kështu që sot punonjësit e drejtësisë gjykohen vetëm për pasurirë e ligjëshme ose të paligjëshme dhe jo për të kaluarën e tyre në periudhën totalitare.
Kohët e fundit është ngritur Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Menduam se më në fund u mor një vendim i rëndësishëm. Por realiteti tregoi se ky nuk ishte i tillë. Më lejoni t’ju tregoj një rast timin flagrant. Disa vite më parë, kur Arshiva e Ministrisë së Brendëshme drejtohej nga zoti Kastriot Dervishi kerkova dosjen time e cila m’u dorëzua. Në të përfshihej gjithë veprimtaria ime dhe dy shokëve të mi qysh nga themelimi i organizatës antikomuniste, traktet e shpërndara, arrestimi, hetimi dhe gjykimi deri në Gjykatën e Lartë. Kur u krijua Autoriteti për Hapjen e Dosjeve kërkova dosjen time në ish-Sigurimin e Shtetit. Çuditërisht m’u dorëzua një CV që përmbante vetëm ato gjëra që unë i kisha marrë vite më parë në Ministrinë e Brendëshme. Kur pyeta se si ishte e mundur m’u përgjigjën se nuk paskam pasur përgjim nga ish-sigurimi. Një gjë e tillë më habiti dhe u interesova deri tek Kryetarja e Autoritetit por nuk mora përgjigjen e duhur.
Shtoj se me vendimin Nr. 2, datë 21.10.1946 famija e jonë, e përbërë prej 9 personash, jemi dëbuar për motive politike nga Tirana për në qytetin e Vlorës. Me vendimin Nr 180 datë 21.09.1950 të Gjykatës Ushtarake Gjirokastër im vëlla, Besnik Kripa është dënuar me 20 vjet burg për formimin e një grupi antikomunist në gjimnazin “Ali Demi”, vendim që Gjykata e Lartë ia ktheu në 15 vjet. Kryeu 12 vjet burg. Me vendimin Nr 111 datë 11.12.1951 të Gjykatës Ushtarake Durrës, unë u dënova ,e 5 vjet burg për krijimin e një grupi tjetër antikomunist në qytetin e Vlorës, dënim që e kryeva të gjithë. Pas lirimit u mobilizova ushtar në repartet e punës ne Tiranë, Durrës dhe Dushk të Lushnjes. Pas lirimit nga ushtria, përfundova gjimnazin e mbrëmjes së Vlorës me rezultate të shkëlqyera, por m’u mohua e drejta e studimit për më lart, kështu që qesh i detyruar të punoja në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora” si murator duke pasur si detyrë më të lartë atë të “brigadierit”, detyrë për të cilën nuk pushonin letrat anonime. Me thoni, të nderuar lexues, a ka mundësi që me këto kondita ish-Sigurimi i Shtetit të mos më ketë hapur dosje hetimore, në një kohë kur të tilla, edhe sipas shtypit të sotëm, të tilla kanë pasur edhe funksionarë të lartë të shtetit. Atëhere Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.
Pika 15 – Kuvendi i Shqipërisë fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me Statusin e të Përndjekuve Politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.
Deri më sot mund të themi se është zgjidhur vetëm problemi i arsimimit. Për çështjen e punësimit, të përndjekurit politikë janë të parët që pushohen nga puna.. Për strehimin një pjesë e tyre përfituan shtëpi falas në bazë të një ligji të asaj periudhe por, çuditërisht, ligji i dëmshpërblimit ua hoqi këtë të drejtë. Për çështjen e dëmshpërblimit ai ka kaluar, siç i thonë fjalës, në kalendat greke. Por çështja më e rëndësishme është ajo e caktimit të një fondi për gjetjen e të zhdukurve. Janë rreth 5000 persona të cilët nuk kanë një varr për të vendosur një tufë me lule apo për të derdhur dy pika lot. Shteti shqiptar e ka lënë në heshtje këtë çështje kaq themelore.
Pika 16 – Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.
Asnjë fushatë, asnjë konferencë historianësh dhe studiuesish nuk është zhvilluar për rishikimin e librave shkollore. Në to vazhdon të mbizotërojë ende fryma komuniste e trajtimit të ngjarjeve. Për shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, fillimisht u caktua 21 maji, dita e revoltës së madhe të kampit të Spaçit ndërsa, më vonë, 20 shkurti, dita e shembjes së monummentit të diktatorit. Sot flitet për 26 shkurtin, ditën e ekzekutimit të 22 martirëve të së ashtuquajturës “Bombë në Anbasadën Sovjetike”. Kur do të marrë fund kjo çështje? Deri më sot ekziston vetëm muzeumi i genocidit komunist në Muzeun Hisrorik Kombëtar dhe një tjetër në Shkodër. Nuk ka asnjë burg apo kamp të tmershëm të kthyer në muze. Ka mbi 10 vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të Spaçit në muze por ende nuk është dëgjuar zëri i saj. Sot flitet për ta bërë të tillë kampin e internimit të Tepelenës. Të shohim se kur do të realizohet, Ndërsa memoriali për nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar, për të cilin ka vite që Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vendimin për ngritjen e tij, qeveritarët tanë nuk qenkan në gjendje apo më mirë nuk duan ta vendosin.
Pika 17 – Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, dhe si ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist.
Kanë kaluar 12 vjet nga kjo rezolutë dhe askush nuk kujtohet për një konferencë të tillë. Për çdo ditë në vendin tonë organizohen me dhjetra konferenca me tema të ndryshme duke arritur deri edhe te ato të personave gej, por për të përndjekurit politikë kurkush nuk kujtohet. Kush vallë janë më të rëndësishme, problemet e asaj pakice personash gej dhe çështjeve të tjera apo problemet e të përndjekurve politikë? Askush nga personalitetet shtetërore nuk kthen përgjigje. Përse? Sepse duan ta kalojnë në heshtje këtë problem deri sa të harrohet. Por ne nuk e harrojmë.
Pikërisht këto gjëra më dolën para syve tani që kujtoj Rezoluitën 1481 (2006) të Këshillit të Europës dhe rezolutën analoge të Kuvendit të Shqipërise. Më dolën para sysh dhe them me vehte: A do të ketë ndonjëherë vendi ynë burra shteti që të respektojnë vendimet apo rezolutat e miratuara nga vetë ata?
Një miku im më ka thënë se kjo kohë do të vijë kur Shqipërisë t’i dalin për zot fëmijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1991.
Megjithatë unë dyshoj edhe për këtë dhe dua ta mbyll shkrimin tim me thënien e personalitetit të shquar, zonjës Lantosh , e cila ka thënë:
Çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë, por çdo njeri e ka për detyrë të mbrojë lirinë e të tjerëve.
Ndaj edhe ne kërkojmë mbrojtjen e lirisë sonë.