• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VARENI KËTË NJERI, SEPSE OFENDOI PADISHAHUN! “

April 29, 2015 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Duke qenë të ndërgjegjshëm se kryetitulli i këtij vështrimit është paksa denigrues, ne do të bëjmë përpjekje që sadopak ta humanizojmë. Njerëzit që merren me poezi do të thonë se poeti dhe kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti, dikur moti, poezinë e tij “DIMËR I EGËR” e kishte përfunduar me vargun: “Përsëritja përsëritet përsëri”. Kjo mua më dha të “drejtën” ta përsëris (pjesërisht) një shkrim timin paraprak. Dhe për ta “ritrajtuar” këtë vështrim gazete, do t’i referohem një historie anadollake për dy imamë.
Njohësit e mirë të Perandorisë Otomane lakojnë një ndodhi që lidhet ngushtë me jetën e një padishahu, i cili, dikur moti, në oborrin e tij perandorak kishte angazhuar një imam me detyrën që çdo të premte, pas namazit të xhumasë, t’i ligjëronte çështje të fesë. Këtë imam, që ishte i privilegjuari i oborrit të sulltanit, imamët e tjerë të kasabasë së tij e kishin shumë inat. Kështu, një ditë para se të shkonte në sarajin e padishahut, një koleg i tij e kishte lutur që bashkërisht të drekojnë. Ky sherrxhi e kishte porositur prej përpara kuzhinierin, që gjellës së imamit të padishahut t’i hidhte sa më shumë hudhër. Pasi kishin ngrënë drekë, imami merr udhën për në oborr. Meqë kishte hetuar se gojës së tij i vinte era hudhër, kësaj radhe kishte ndenjur larg lartmadhërisë së tij, që ky i fundit të mos sikletoset nga era e gojës së tij. Padishahu këtë gjë e kishte vërejtur, megjithatë nuk i kishte dhënë rëndësi. Pas xhumaje, imami hileqar i kishte dërguar selam padishahut se imami i tij kishte nxjerrë llaf në çarshi kinse gojës së tij i ardhka erë e keqe dhe për këtë ai paska ndenjur larg tij. Kur imami paska shkuar të premten tjetër të ligjërojë dhe pasi i paska kryer obligimet, padishahu i qenka drejtuar imamit të tij me këto fjalë: “Imam efendi, në dy muajt e ardhshëm unë nuk do jem prezent në oborr dhe për këtë t’i do të jesh i liruar nga obligimet! Gjatë kësaj kohe ti do të vizitosh hapësirat e perandorisë me shpenzimet e oborrit!”. Pastaj sulltani i jep ca para dhe dy zarfe, ku kishte ca urdhëresa. Në të parën shkruante se ky njeri është imami i padishahut dhe ndaj tij duhet pasur respekt të veçantë, ndërkaq në zarfin e dytë, të cilën imami duhej ta dorëzonte në kasabanë e fundit të udhëtimit të tij, pos të tjerash, shkruante: Vareni këtë njeri, sepse ka ofenduar padishahun!?
Duke qenë shumë i ndershëm, imami nuk e sheh të udhës t’i bëjë shpenzime plotësuese sulltanit, prandaj me zemërgjerësi këto dy zarfe ia ofron kolegut të tij (që kishte qëllime djallëzore) duke i thënë se ai nuk kishte dëshirë të bënte një udhëtim të tillë. Imami që donte t’i bëjë sherr kolegut dhe që donte t’i zinte vendin në oborrin e sulltanit, mori udhën (pa kthim) dhe kur arriti në kasabanë e fundit dorëzoi zarfin e dytë. Ndërkohë që nizamët e padishahut po përgatiteshin ta varin, ai u thotë: Unë nuk jam imami i padishahut, është ai tjetri që ma dha zarfin! Mirëpo nizamët i besuan urdhëresës që ishte në zarfin e dytë. Me qëllim që të mos vihej re se ka refuzuar urdhrin e sulltanit, imami u detyrua të mbyllet për dy muaj në shtëpinë e tij. Pasi kaluan dy muaj dhe kolegu i tij nuk u duk atypari, një ditë ai vendosi të kthehej në sarajin e padishahut. Kur e pa padishahu imamin e tij, u shqetësua shumë dhe kërkoi shpjegime plotësuese prej vezirit se pse imami i tij nuk ishte likuiduar. S’do mend se këto shpjegime i bëri imami, duke ia treguar padishahut të vërtetën për drekën dhe ushqimin me shumë hudhër dhe për ato dy zarfe që ia kishte dhënë “mikut” të tij të djallëzuar.
Thonë se padishahu jo gjithsecilit ia jepte nofkën “bej” dhe, para se ta bënte këtë, kishte parasysh origjinën e fesë dhe jo etninë. Nëse dikur padishahu u ngjiste shqiptarëve myslimanë nofkat përkëdhelëse si, për shembull, “bej, pasha, efendi, vezir, aga” e të tjerë, sot, këtu në nënqiellin e Gadishullit Ilirik, një e vetëquajtur “sulltaneshë”, po edhe një i vetëshpallur “vezir”, shqiptarëve u ngjisin llagape tallëse, denigruese, poshtëruese dhe fyese si, për shembull, “shiptari, shumari, indijanci, indijanki, divo pleme, kosovo drvo” e të tjerë, pa dallim nëse ata janë ministra, deputetë, politikanë, mjekë, akademikë, studentë, nxënës, bujq, klerikë, bektashinj, toskë a gegë, fëmijë, të moshuar, shehërli e katundarë. Dhe kur “veziri dhe sulltanesha” nuk ngopen me këto nofka të trilluara a të shpikura, atëherë pasojnë urdhrat e padiskutueshëm rreth burgosjes të sopotarve, brodecarve e të tjerëve…, do të thonë “burgosni indianët pavarësisht se janë të pafajshëm…, hiqeni zvarrë atë motër shqiptare që njihet si “…, nji zojë e randë, që burrat e dheut e thirrshin nanë”, siç do të thotë Pashko Vasa në poezinë e tij për “Atdheun”: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni / Kush të ka qitë me krye n’hi”…, (ndonëse këtë nënë asnjëherë nuk e zunë në faj).
Eh, për pak më doli nga mendja një detaj i lidhur ngushtë me burgosjet e “indijancave po edhe shumarëve”…, si “harroi veziri dhe sulltanesha” që ta heqin zvarrë dhe mandej edhe ta burgosin heshtjen e intelektualëve tanë, ta heqin zvarrë përdhe dhe ta burgosin harresën e përhershme, moskokëçarjen dhe mosinteresimin politik të Tiranës, të Brukselit dhe të Prishtinës, për çështjet tona këtej gardhit, këtej kufijve pa kufij!?…, “çuditërisht” si nuk e “heqin zvarrë e mandej ta burgosin”(!?) atë poezinë “Fshati im” të Andon Zako Çajupit, ku thotë: “Burrat nën hije/ lozin, kuvendojnë/ pika që s’u bie/ se nga gratë rrojnë!”
Kur po e përfundoja këtë vështrim, ja më “erdhi” një urdhëresë nga “indijanka” e shtëpisë. Ishte një urdhër i prerë! “Lëri llafet, po shko të blesh bukën e sabahit”(!?) Thashë “do ta zbatoj urdhrin për hir dhe për hatër të barazisë gjinore” dhe njëkohësisht “për ta inatosur dhe anashkaluar atë thënien e Çajupit: “Burrat nën hije…”. Duke bërë pazarin te “bakalli” aty pranë apartamentit, takova fqinjën time, Artën, që edhe ajo kishte mëtuar ta respektonte “barazinë gjinore”(!?). Edhe ajo m’u duk si një “shiptarka”, por ama me karizmë. Pos mirëmëngjesit, më tha: “Kjo ministrja e ka gabim krahasimin. Indianët njihen për dinjitetin e tyre dhe për mbrojtjen e llojit të vet”… Lëre që i besova, por edhe thashë se shkrimi do të më dalë i humanizuar. Kur u ngjita në banesë, në “facebokun” tim kishte “arritur” një mesazh nga një miku im, ku shkruante: “Një lutje deri te kuadri akademik që merr rrogë në USHT, UEJL, UKIM, Ballkan University dhe disa universitete të tjera që nuk ua di emrat: Të paktën një herë në jetë shprehni qëndrimin tuaj për një çështje të caktuar që ndodh në Maqedoni! E di se shumë prej jush keni probleme me gjuhën shqipe, por s’ka lidhje ngase edhe “tarzançe” nëse shkruani, do ta llogarisim se keni thënë diçka. Mos kini frikë! (P.S.) Ky status nuk i përfshin ata profesorë të nderuar që paraqiten në publik e që për fat të keq numërohen në gishta”.
“Shyqyr” Zotit që nuk më kishte përfshirë edhe mua në atë (s)kuadër. Ka shumë kohë që kam nxjerrë një përfundim logjik: sa më shumë të kesh miq më të mençur se ti, aq më keq për egon, çallëmin, fodullëkun dhe megalomaninë tende (!?).

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, Ofendoi Padishahun

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT