• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NDËRTO FOLENË SE SORRAT VIJNË VETË!? ”

March 21, 2013 by dgreca

Opinion Nga Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë një miku im, përndryshe frekuentues i rregullt i “bastoreve”, duke qenë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes së futbollit mes Bajernit dhe Arsenalit 0-2…, më parashtroi këtë pyetje nga fusha e sportit: pa më thuaj ç’kuptim ka nocioni “auto-gol”?! Meqenëse ky miku im është “kumarxhi”, fillimisht më duhej t’i them se ndeshja e lartpërmendur qind për qind ishte e kurdisur (a e trukuar, siç i thonë me këtë zhargonin e e sotëm të sportit). Më pastaj u mundova t’ia shpjegoj nocionin në fjalë. Ai si duket nuk e “kuptoi” interpretimin tim të parë. Provova t’i jap edhe sqarime plotësuese duke iu referuar Fjalorit të gjuhës shqipe, ku, pos të tjerash, për autogol thuhet: “gol që bën një lojtar në portën e skuadrës së vet”. Mikut tim “bixhozçi” edhe ky shpjegim nuk i hyri në kokë. Në fund thash se ky ka nevojë për një shpjegim me atë fjalorin e “rrugaçërisë” dhe, pa një pa dy,  ia thash troç: “auto-gol” do të thotë si me ia futur vetvetes!? Për çudi, miku im këtë shpjegim e kuptoi “bisht e krye”. Unë që në fillim e dija fare mirë se ç’hall kishte. Nuk mund të thuash se ky nuk paskësh njohuri nga fjalori sportiv, përkundrazi ai mund të konsiderohet njohësi më i mirë sportiv i mëhallës sonë dhe më gjerë. Gjithë këtë ‘moskuptim” e kishte stisur nga inati pse ia “kishin trukuar” rezultatin e ndeshjes së lartpërmendur në kuadër të Ligës së kampionëve evropianë, ndaj kishte humbur sasi të konsiderueshme parash. Njohësit e mirë të sportit profesional thonë se autogoli në futboll, fillimisht dëmton “autorin”, imazhin dhe rejtingun e skuadrës, tifozët dhe, së fundi, “kumarxhinjtë” e bastoreve.

Lexuesit e mi të nderuar me të drejtë do parashtrojnë pyetjen se ç’kuptim dhe ç’lidhje kanë nocionet ‘autogol’ dhe ‘kurdisje ndeshjesh’ me këtë vështrimin tim gazetaresk në vijim. Unë do them me bindje se e gjithë kjo që thamë më lart ka shumëçka të përbashkët sidomos me paragrafin që trajton fushatën parazgjedhore dhe historinë e saj. Nuk mund të thuash se historia e zgjedhjeve vendore në Maqedoni nuk është dëgjuar, nuk është lexuar, nuk është shfletuar, komentuar, kontestuar e dyshuar nga gjithsecili, qofshin ata njerëz të rëndomtë, politikanë, analistë…, nga ata që janë në pushtet dhe të tjerët në opozitë…, shehërlinj e sherrxhinj të tjerë.

Thonë se autogoli politik dëmton lidershipin, partinë politike që e përfaqëson, mandej votën vendimore gjegjësisht deliberative të secilit, do të zhgënjejë simpatizantët dhe në instancë të fundit do të mbajë peng fjalën e lirë, zhvillimin e demokracisë, paqen, integrimin e shteteve,  në këtë rast të Republikës së Maqedonisë (dhe të shqiptarëve) në strukturat euroatlantike, në NATO…, do të mbajë peng “bashkëjetesën”, si dhe do të tronditë të gjitha koalicionet e sajuara, të brishta dhe me paterica. Andaj e gjithë kjo “pengmarrje” do të prodhojë antagonizmin politik dhe antagonizmat kombëtare duke mos përjashtuar edhe antishqiptarizmin. Edhe në këtë fushatë parazgjedhore (vendore) u hetuan ca autogola politikë…, ca ishin të rregullt, ca u shënuan me kokë, ca me dorë dhe jo të rregullt, ca ishin gola nderi, ca gola barazimi e të tjerë gola të dyshimtë a me hile. Në këtë  kampanjë parazgjedhore u vu në veprim çmos për të arritur qëllimin, disa përdorën arsyen, ca të tjerë përdorën gjuhën e qartë, kishte edhe të tillë që përdorën lloj- lloj fjalorësh, retorikash e tjerë. Atyre që u mungoi mjeshtëria e të shprehurit me gojë…, mëtuan të shprehen me mimikë, ca “kandidatë për kryeplak a për aga-babë të shehrit” dhe ca paksa “çallëmxhi” tundën supet, tundën kokën, tundën këmbët, një “azgan” tundi gishtin e mesëm të dorës së djathtë duke thënë se s’ka “bir nëne që ma tund sediljen e tim eti…, s’ka njeri që ma tund mëhallën time dhe zinxhirin a qaforen prej alltëni”!?…, kishte edhe tundje karakteristike që lëkundeshin mes shundit, tallavasë, nacionalizmit, gjeografisë politike, asaj historike, shovinizmit shtetmadh, irracionales dhe “lëvizjes irredentiste shqiptare”!??

Unë në vazhdim të këtij vështrimi, me takatin e fiqirit tim, do të bëj përpjekje të hetoj ca defekte që u hetuan në retorikën politike të kandidatëve për kryetarë komunash dhe në veçanti të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, z. Nikollë, i cili në kuadër të një tubimi parazgjedhor, ashtu thjeshtë dhe “pahiri” shënoi një “euro-autogol të pastër politik”. Retorika e tij u shndërrua në egoizëm politik krejt primitiv, provincial a edhe katundaresk. Me gjithë respektin ndaj tij, kundërshtarët do të thonë se fjalimi i tij ishte  përçmues, nënçmues, mallkues, mbretërues, kërcënues dhe biblik. Ata që këtë fjalim të tij e dëgjuan me vëmendje hetuan atë nacionalizmin dhe urrejtjen e tij patologjike, ishte një retorikë që përcillte mesazhe luftarake! Kjo retorikë e tij nuk u ndërtua hë për hë…, ka kohë që është strehuar në fjalorin e tij të mistershëm.

Të gjithë ata që e përcollën këtë “fjalim a retorikë politike” të zotit Nikollë, thanë se ai nuk tha gjë të re përveç që përsëriti atë që e kishte të paragjykuar dhe të akumuluar në higjienën e mendjes së tij politike. Ai sikur deshi që kundërshtarëve t’u çojë “selame dhe habere” sa i përket prezencës së tij në pushtetin absolut. Të gjithë atyre që iu trazua mendja nga kjo retorikë egocentrike e kryeministrit, nuk mund të thonë se kjo retorikë e tij ishte një gafë politike e radhës, nuk ishte boshe…, sepse e gjithë kjo paraprakisht ishte e “gatuar në kuzhinat e Shkupit”…, me retorikën e tij sikur deshi t’u thotë shqiptarëve: “deka Republika Makedonija ne e dotade Grupçin”!? Për lidershipin në fjalë është karakteristik fakti se ai nuk i përmbahet “ terapisë që ia ka përshkruar” Brukseli dhe Uashingtoni dhe për inat nuk i merr ilaçet në kohë dhe rregullisht.

Unë vazhdoj që të mos e kuptoj kryeministrin z. Nikollë…, pse ky i nderuar, gjithë këtë retorikë e bëri me vrap e me shpirtin në fyt, unë nuk e di se ç’iu desh ta dredhë gjuhën, qoftë politike a nacionaliste…, pse gjithë ky siklet i tij ndaj Kërçovës dhe Strugës…, a mos vallë ai nuk e ditka se shqiptarët e Kërçovës (nuk) mbijetojnë falë kontributeve financiare të bashkëvendësve të tyre në kurbet…, pse gjithë ky shqetësim i tij se ku do të duhet të jetojë e të veprojë Fatmir Dehari dhe shqiptarët e tjerë të tillë si ai…, sikur deshi që Fatmirit (dhe shqiptarëve të tjerëve) t’u thotë të ikin nga këtej (nga vendlindja) duke thyer qafën me bishtin ndër shalë e prapanicë…, shko atje ku ndoshta do të “darovitin me ndonjë sheqerkë të baba dovletit”! Ata që janë “merakli të birrës dhe “terjaqinj” të kafes, do të thonë se as e para e as dyta nuk pihen nëse nuk kanë shkumë e kajmak…, thjeshtë nuk kanë shije!  Një nip imi që jeton në Stamboll dhe që është kundërshtar i një partie politike që është në pushtet më thotë: “Dajo, disa politikanëve po nuk ua fute gishtin në b…, nuk ikin dot kollaj nga pushteti”!??. Historianët do të thonë se gjella më e preferuar e padishahut ishte ajo me emrin “imam bajalldi”, sot shqiptarët këtë gjellë nuk e hanë nga “frika” se mos “bajalldisen”, respektivisht se mos alivanosen? Shqiptarët nuk do të ndërtojnë folenë, sepse atë e bëjnë vetë shqiponjat!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, nderto folene, opinion, se sorrat, vijne vete

Bashkimi kombëtar si shpëtim

February 3, 2013 by dgreca

NGA GANI QARRI/ Zyrih/

Në vitin e keq të përmbushjes së një shekulli ndarje e copëtimi të trojeve tona kombëtare, Serbia me urdhrin e Ivica Daçiqit-kryeministër aktual dhe ministër i brendshëm i saj i cili tanimë akuzohet hapur për bashkëpunim me klanet më të mëdha kriminale serbe të drogës dhe larjes së parasë në Ballkan, që nga vjeshta e vitit 2008,derisa ishte ministër i brendshëm dhe zëvendëskryeministër i Serbisë,para heshtjes sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare,ai me xhandarët e tij vetëm pak ditë më parë hoqi nga “Sheshi i Dëshmorëve” në Preshevë, simbolin e vetëm të nderimit ndaj të rënëve për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve autokton atje. Rreth një javë para se të mbahej përkujtimi i 13 vjetorit të shpërthimit të kryengritjes së shqiptarëve në Kosovën lindore për liri dhe të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare, më 20 janar të vitit 2013,xhandarmëria serbe,hoqi e qet dhe pa zhurmë e asnjë siklet-kundërshtimi, sado i vogël qoftë ai, madje le të ishte edhe tërësisht paqësor, përmendoren me emrat e atyre që si Guri i traditës-peshonin më së RËNDI, aty ku u takonte amshimi-në tokat e të parëve dhe vend të vet! 

Ndaj, jo vetëm emrat por edhe eshtrat e 27 dëshmorëve dhe heronjve kombëtar të rënë për tokat e tyre nën pushtim, edhe një herë sikur u tranden bashkë me heqjen e përmendores.

Ajo nuk ishte më shumë se një simbolikë përkushtimi kombëtar dhe “kulm” strehimi,e cila ishte ngritur ti ruante këta emra nga dhëmbi i kohës,sikur mos ti shkatërronte atributet e përkujtimeve njerëzore shqiptare, ironia dhe dhuna e ri-orkestruar serbe, mbi këto troje tonat etnike.

Përmendorja vet, nuk ishte pengesë as kërcënim ndaj askujt, por ata që nuk do me asnjë kusht ti ketë aty Serbia, janë rreth 90% e bashkëkombësve tanë-banorëve të vjetër autokton, të cilët popullojnë Preshevën, kurse fshatrat përreth saj deri edhe 100%, në shumë vendbanime të Kosovës Lindore, ndaj ndodhë edhe ky vazhdim cinik i diskriminimit të kamotshëm serb, të ripërsëritur kohët e fundit, i cili është i njohur për mëse një shekull nga shqiptarët nën pushtim.

Por,një gjë nuk duhet harruar as Serbia,se edhe para 12-13 vitesh, shkak i shpërthimit të kryengritjes dhe fillimit të luftës në Kosovën Lindore,nuk ishte jetesa e mirë dhe e barabartë e shqiptarëve me kombet tjera,por ishte politika diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve autokton, ajo që në janarin e vitit 2000,ngriti në këmbë luftëtarët e bashkuar kombëtar në fshatin Dobrosin, nën emblemën e lavdishme të UÇPMB-s,për liritë dhe të drejtat e tyre që u takonin si njerëz dhe komb.

Kjo kryengritje e përgjakshme,u përmbyll më 21 Maj të vitit 2001, pas rreth një viti e gjysmë luftimi, kur me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare do të nënshkruhej edhe një marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese e cila parashihte amnistinë e kryengritësve dhe liri e të drejta më të mëdha për shqiptarët.

Megjithatë, shtetet pushtuese me të kaluar kriminale si Serbia,edhe pas lidhjes së marrëveshjeve, nuk shuajnë orekset e tyre për pushtime. Ndaj ato shfrytëzojnë çdo rast dhe mundësi për likuidimin e kokave kryesore që kanë udhëhequr luftën, me të cilat herëdo-kurë, ajo llogaritë se mund të ulen sërish në tavolinën e bisedimeve.

Pasi që ata edhe njihen si njerëz të pa kompromis ndaj padrejtësive të cilët asnjë herë,për asnjë çmim dhe me asnjë lloj shantazhi a frikësimi, nuk bëjnë lëshime në kurriz të popullit që përfaqësojnë,pushtuesit gjithmonë kërkojnë mënyra të sofistikuara për likuidimin e tyre. 

I tillë ishte edhe udhëheqësi i bisedimeve dhe komandanti më i njohur i luftës në Kosovën Lindore – Ridvan Qazimi, të cilin më 24 Maj të vitit 2001, pra vetëm katër dit pas arritjes së marrëveshjes së Konqulit të 21 Majit të atij viti, për ndërprerjen e luftimeve,do ta vrisnin snajperët serb të vendosur enkas përlikuidimin e tij nga soldateska serbe, pabesisht dhe në mënyrë tinëzare në një pritë të organizuar në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit.

     Kurse,siç patëm rastin ti shihnim edhe tani,pa drojë as shqetësim,pa asnjë zhurmë apo trazime sado simbolike, ngadalë dhe krejt për qejfi, plotësisht të qetë dhe sikur të vepronin sipas ndonjë marrëveshje të arritur(ndoshta “konspirative”),në Agimin e freskët të 20 Janarit 2013,i cili përgatitej të zbardhonte mëngjesin e asaj dite të zymtë për shqiptarët,xhandarët serb nxinë edhe një herë “Sheshin e Dëshmorëve” në Preshevë, duke hequr Përmendoren e ngritur në nderim të të rënëve të UÇPMB-së, në mesin e të cilëve figuronte edhe emri i nderuar i komandant Lleshit-Ridvan Qazimit.

Ndaj,akti i fundit që bëri Serbia, ishte edhe një vrasje sërishmi e 27 dëshmorëve si dhe sprovë tejet provokuese e mbytjes me dhunë të kujtimit kombëtar, luftarak e familjar ndaj të rënëve të luftës së Kosovës Lindore, për liri dhe të drejta të shqiptarëve atje.

 Heqja e përmendores, nuk ishte thjeshtë vetëm zhvendosja me forcë e një Pllake përkujtimore të rënësh për liri por edhe një porosi e rrezikshme dhe paralajmërim trishtues për zhbërjen e pjesëtarëve të kombit tonë në tërësi, nga trojet e tyre stërgjyshore të mbetura nën Serbi.

Serbia dhe institucionet e saj, asnjëherë nuk i deshën as respektuan liritë dhe të drejtat e shqiptarëve,ndaj ky akt vandal nuk atakoi vetëm banorët e këtyre trojeve tona etnike, por të gjithë pjesëtarët e kombit tonë kudo.

 Madje,përkundër një diskriminimi të tillë të pa parë askund tjetër,kryeministri aktual serb-Daçiq, si moto veprimi politik ka përzgjedhur ti fyej kolektivisht shqiptarët me përbuzje kombëtare dhe sulme shoviniste kundër tyre,duke mos hezituar që ata ti quaj edhe Al-Kaidë e terrorist…

 

 

Bile, për të qenë çudia edhe më e madhe , jo vetëm ai (Daçiq), por edhe Bashkësia Evropiane-(BE), tërheqin vërejtjen se Shteti i Kosovës nuk guxon të interesohet për shqiptarët e pjesëve të saj të mbetur nën Serbi,me arsyetimin e paturp, se gjoja problemet e shqiptarëve të Kosovës Lindore,na qenkan fund e krye vetëm punë e brendshme e shtetit serb,kurse interesimet e Serbisë për serbët e Kosovës në veri,përkundër akteve të tyre kriminale, barrikadave,pengimit të shtrirjes së ligjshmërisë dhe bllokimeve të gjithfarllojëshme në atë pjesë të shtetit tonë,konsiderohen të ligjshme,dhe vazhdimisht kërkohen lëshime të reja e të pa fund deri në autonomi substanciale për ta në Veri.Por, pa marrë parasysh se çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët, pjesëtarët e kombit tonë në Kosovën lindore si të gjithë shqiptarët kudo- për ne janë Një! Ata për jetë të jetëve do të mbeten shqiptar dhe pjesë e gjakut tonë që nuk falet.

 Ndaj,pas akteve të fundit vandale serbe në Preshevë,me çdo kusht duhet të shtrohet në tavolinën e bisedimeve për zgjidhje të përhershme dhe njëherë e mirë problemi i tyre, jo duke u lutur dhe rënë në gjunjë para pushtuesve, por duke e kushtëzuar Serbinë me reciprocitet dhe kushte e të drejta të barabarta për shqiptarët në Kosovën Lindore, njëjtë si ato që ajo dhe BE, pretendon për serbët në veri të vendit tonë.

 Përndryshe është e ditur botërisht se siguri të plotë për pjesëtarët e popullit tonë në tokat e mbetura jashtë kufijve të shtetit kombëtar nuk ka dhe kjo as nuk mund të arrihet as garantohet, pa bashkimin e përhershëm të të gjitha trojeve tona në një shtet të vetëm kombëtar.

 Ndaj është koha që përfaqësuesit e popullit tonë, akademitë tona, organizata, intelektual dhe diplomat,përfundimisht t`ua bëjnë me dije BE-së dhe OKB-së, se ose duhet të vlejnë të drejta të njëjta dhe të barabarta për të gjithë,përfshi edhe bashkëkombësit tanë nën sundimin e shteteve fqinje ose duhet të realizohet sa më parë që të jetë i mundur-bashkimi kombëtar edhe për shqiptarët,në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të ketë qetësi dhe stabilitet edhe në Ballkan.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bashkimi Kombetar, Gani Qarri, opinion

“PËR KAUZËN KOMBËTARE, VEÇ M’BANI ZA, SE UNË JAM GATI“

November 15, 2012 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

 Dikur moti një hokatar mendjendritur mirditas, pos tjerash, kishte thënë: “Eh, mor vëllaçko, për të bërë “pordhë” në një ndejë a në një mexhlis, nuk mjafton vetëm të kesh prapanicë, por duhet të kesh edhe këllqe dhe guxim për ta “arsyetuar atë budallaki që e ke bërë”! Në vitet 60, kur unë dhe disa shokë të tjerë të klasës vijonim leksionet në vitin e tretë, kishim shumë “telashe” me një nxënës që quhej Pëllumb B., i cili sot e kësaj dite, njihet me nofkën “kandarxhiu”. (Ai (nuk) kishte po edhe sot, nuk ka hiç gjë të përbashkët me “tyxharët dhe tregtarët toptanxhinj”, që kur afrohet koha e mbylljes së pazarit, blejnë për pak para mallrat që kanë mbetur pa myshterinj). Ai shpesh, me rast e pa rast, me “kandarin e tij mental” mëtonte të maste heshtjen e akëcilit që qëndronte pranë tij, ose maste edhe të (pa) vërtetat, arrogancat, dëshpërimet, dufet patologjike të shqiptarëve dhe gabimet e përbashkëta të tyre, si dhe lavdet e njerëzve që sot nuk përmenden hiç fare. Nuk harronte të vinte në kandar çdo fjalë të shkruar e të pashkruar, çdo mendim qoftë të ishte i qartë, i gabuar a edhe i paragjykuar…, e vinte në kandar edhe historinë e ndasive shqiptare. Pasi i evidentonte faktet a provat e grumbulluara, ashtu me përpikmëri i redaktonte dhe i bashkëngjiste në “rabushin e tij”, sa për të mos i harruar. Në “kryeminderin e rabushit”, që moti i kishte vënë edhe nja tri, katër fjali, fjali këto për ne të mirënjohura, siç janë: “O sa mirë me qenë shqiptar…, Bac u kry! Rroftë Shqipëria e Madhe, pa ujë e pa rrymë ”e të tjera “thashetheme”!

          Ç’është e vërteta, i nderuar lexues, ky “kandarxhiu” edhe pas pesë dekadash, as që e ka ndërmend të mbyllë gojë e veshë. Një ditë më takoi në “udhëkryqin e tij” dhe ashtu me “dhunë ma preu rrugën”. Më sugjeroi që me vëmendje të duhur t’ia dëgjoj shpjegi-

min e tij lidhur me një mesele a një vaki. Më tha: …, eh, sa të lezetshëm jemi ne, shqiptarët, sidomos kur debatojmë (në vetën e parë), për atë prirjen tonë të brendshme për të pasur diçka që nuk e meritojmë…, për ato çrregullimet tona mentale, për narcizmin tonë politik, për udhëkryqet e historisë shqiptare…, për ca çështje tonat madhore të pazgjidhura, për çështje të paragjykuara, për çështje që na zvarriten ditë për ditë e njëra pas tjetrës, si ato gjarpërinjtë e varrezave të humbura…, për do çështje kombëtare, në veçanti për do festa të saj, të cilat i kremtojmë kuturu, gjegjësisht pa e ditur se në ç’kohë dhe në ç’vend duhet të ndodhin. Më duhej t’ia përgjysmoj fjalën, sepse e zgjati a e trashi tmerrësisht hyrjen e “muhabetit”. (mbase ngjashëm siç e stërzgjas edhe unë këtë paragraf gazete).

      Nejse, t’i biem shkurt këtij “muhabeti”! Ia parashtrova pyetjet: kush të futi në siklet, kush ishte ai qaraman e qerrata që ta përpiu, ta drodhi dhe ta bëri fjalën dysh dhe veresi!? Ma dha këtë përgjigje: “Para disa ditësh, ca biznesmenëve shqiptarë u parashtrova një kërkesë për  ndihmë materiale. Me këto lekë, kisha ndërmend që të shpirtëzoj një ide timen të kahershme…, gjegjësisht sa i përket gjallërimit të një date të shqiptarisë. (nuk e kuptova dot, se për cilën “shqiptari” e kishte fjalën, për të djeshmen apo për “shqiptarinë” e sotme). Çuditërisht, në kohë të caktuar disa prej “punëdhënësve”, më dhanë përgjigje nga më të ndryshmet. Njëri prej tyre, “hazërxhevapin” e kishte të paqartë, tjetri e kishte në xhepin e xhupit të qëndisur “alla katundarçe”, tjetri përgjigjen e bëri tërkuzë, tek ai që nuk besoja se nuk do na jepte hiç gjë, na dha më shumë lekë, se ç’na duhej, njëri na dha përgjigjen: nuk japim lëmoshë (nuk kërkoja lëmoshë), një tjetër më tha: kërkesa juaj nuk kaloi në komisionin ekonomik të ndërmarrjes që ju drejtuat…, një tjetër na tha se kërkesa juaj nuk u mor në konsideratë, e të tjera përgjigje (jo) meritore!

       Pëllumb “kandarxhiut” më duhej t’i them se është e drejta e çdonjërit të të ndihmojë apo mos të të ndihmojë. Ato lekë janë pjellë e djersës së tyre dhe, rrjedhimisht, akëcili prej nesh kur shtrin dorën për mbështetje materiale, parimisht nuk ka të drejtë të hidhërohet. Pëllumb “kandarxhiut” i thashë se assesi nuk ka të drejtë të zemërohet  me “zemërngushtësinë mikroborgjeze” të ca biznesmenëve, përkundrazi, mund ta shqetësojë vetëm cinizmi i tyre. Me këtë “gjysmë sentencë” timen, sikur u pajtua bashkëbiseduesi, por nuk ra dakord me pyetjen që ia kishte parashtruar “një taze biznesmen” (me kombësi shqiptare), e cila përafërsisht tingëllonte: “…, po më thuaj ti, gjynahqar e lëmoshëtar, vallë a nuk kanë të sosur këto festat “E TUA” kombëtare, ç’janë këta 100-vjetorë, ç’janë këta flamuj e këta Ismail Qemala, e të tjera festa e festivale folklorike, konferenca, kongrese (“manastiresh”) akademi shkencore, mbrëmje përkujtimore, manifestime politike e artistike…, ç’janë këto Shtatë a Tetë Mars, ç’janë këta Kurban Bajrama, ç’janë këto donacione a ndihma humanitare, ç’janë këta përvjetorë dedikuar Skënderbeut, a edhe asaj Nëne të përbotshme, ç’janë këta përvjetorë kushtuar dëshmorëve të 2001-it e të tjera broçkulla!??? ” E gjithë kjo, te Pëllumbi, kishte krijuar përshtypjen kinse ky “biznesmen” dorërrudhur, (paraprakisht) i paskësh mbështetur (materialisht) të gjitha këto manifestime, kinse ky farë burri paskësh “b…ë për t’i bërë pordhë”. Historisë së Ismail Qemal Bej Vlorës dhe 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të tij. Nuk “doja t’i besoja” shokut të klasës, për meselenë që ma shpjegoi, andaj edhe nuk i thashë: qofsh i gabuar, për këto shpjegimet e tua. Unë, shpreh bindjen se ky biznesmen, ka të ndërtuar një dallim të madh material ndërmjet njerëzve dhe një diferencë të tillë morale.

       Që “…, mos t’i hyjmë në hak këtij biçim qyqari që zemrën e ka të ngarkuar me një furgon urrejtjesh” dhe i cili me kësi “mut pyetjesh” dhe me kësi marrëzirash të zakonshme vetëm për të…, do t’ia shtojmë atë thënien e Fan Stilijan Nolit: “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet. Nuk ka shkencë që e ndreq. Madje as varr”!…, apo edhe ajo mesele për punën e gomarit: “Hall ta lësh pa ujë se e ngordh, hall t’i japësh shumë se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë se e…,”! Pëllumb “kandarxhiu” aq shumë qe i dalldisur me meselenë a vakinë, me të cilën ishte ballafaquar, më propozoi që këtë “muhabet” ta vazhdojmë në “mejhanen” e tij të preferuar, diku te mëhalla e “tabakëve”, aty ku tubohen “hallallët”, të cilët i “kanë dalë shtëpisë nga pas”, siç do të thotë, gjyshi, Ilir kosovari. Ai priste edhe përgjigje të tjera nga unë, por nuk ia dhashë, nga “frika” se mos vallë po ia ngarkoj edhe më shumë shqetësimin dhe, në fund, të mos ia “shtrembëroj” krejt ato llafe që m’i “plasi në fytyrë”!?  

      Që nuk më gënjeu, jam i ndërgjegjshëm këmbë e krye, që nuk ma trullosi rradaken, edhe këtë e di, që nuk më bezdisi, edhe këtë e di…, por ama se ku e gjeta durimin ta dëgjoj, veç shpirti im e di. Një gjë nuk e kuptova Pëllumb “kandarxhiun”, pse i kishte ardhur majë hunde “tahmahqarllëku” i njerëzve, që hiç nuk u ha palla për “romantiz-

min, utopinë dhe folk-patriotizmin ” e tij dhe shqiptarëve të tjerë të tillë si ai. Ikëm nga “mejhaneja” duke mos i vënë kapak bisedës, njashtu siç shqiptarët edhe në vigjilje të 100-vjetorit nuk do t’i zgjidhin do çështje të rëndësishme. Fatura na ngeli pa paguar, sepse kamerieri ishte bërë “dërrasë”, dhe ne, “pakëz tapë”!

 P.S. Urime 100 vjet mëvetësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Kauza Kombetare, opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT