-Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – AAK dhe Nisma/
-Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese/
-Gjashtë projektligje, prej tyre tre për ratifikime, në axhendën gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 9 Qershor 2016/ Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi sot një seancë plenare me shqyrtim të gjashtë projektligjeve, prej tyre tre për ratifikime, me axhendë gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes u mor vendim që t’i kthehen punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës “për të bërë opozitën dhe pengesën për vendimet e dëmshme”.
Këtë e theksoi edhe kryetari i Vetëvendosjes, deputeti Visar Ymeri, në fillim të seancës së sotme të Kuvendit në deklarimet jashtë rendit të ditës, duke u shprehur se Kosova “do të duhej të ishte Republikë e qytetarëve, por u shndërrua në plaçkë të pushtetarëve”. Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese.
Në vazhdim, pyetjet parlamentare disa mbetën pa përgjigje në mungesë për një kohë në seancë të kryeministrit e disa ministrave, e këtë deputetët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën edhe “bojkot i qeverisë Kuvendit” derisa ata i kishin dhënë fund bojkotit.
Të njëpasnjëshme ishin shqyrtimet e tre projektligjeve për ratifikime. Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), i prezantuar në emër të qeverisë së Kosovës nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, u miratua me 83 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër.
Ministri Abrashi theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi në 14 korrik 2016 për aderimin në këtë Konventë.
“Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë fuqizon subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova përfiton mjaft në lehtësimin e procedurave dokumentare për qytetarët dhe bizneset”, tha Abrashi.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, i prezantuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, u miratua me 82 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.
Pastaj u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.
Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, duke prezantuar Projektligjin bëri të ditur se Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin. Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paralajmëroi abstenim. Dy projektigjet-ratifikimet e para u votuan pro me unanimitet edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje opozitare.
Në vijim të seancës së Kuvendit, në shqyrtim të dytë u miratua projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me 51 vota pro, 18 kundër e 7 abstenime, si dhe projektligji për Falimentimin me 67 vota pro, 2 abstenime e asnjë kundër, për të cilin VV kërkoi edhe lexim të tretë po nuk kaloi propozimi, ndërsa Projektligji për Investimet strategjike në Republikën e Kosovës, pas diskutimeve e kërkesës së kryeministrit Isa Mustafa me votim nga deputetët u kthye në rishqyrtim në komisionet përkatëse parlamentare dhe të jetë sërish në axhendë në një seancë të ardhshme.
Tre pikat vijuese ishin zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Në përfundim të debatit, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, hodhi në votim propozim-vendimin e qeverisë për emërimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me përbërje: Valon Prestreshi, kryetar, Ahmet Krasniqi zëvendëskryetar, Fatime Haziri, Muhamet Krasniqi dhe Shaqir Morina, anëtarë. Deputetët miratuan këtë propozim-vendim të qeverisë.
Seanca shqyrtoi edhe dy raporte për vitin 2015 – të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, por nuk i miratoi në mungesë votash të mjaftueshme.
Punimet e seancës së Kuvendit para se të përmbyllen patën në axhendë edhe propozimin e grupit parlamentar të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Për këtë pati edhe votim formal.
Po ashtu, pati votim formal edhe për propozimet e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për disa ndryshime të përfaqësuesve të saj në komisionet parlamentare.
Në përfundim u paralajmërua se pikat e mbetura të sencës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të renditen edhe në axhendën seancës pasuese plenare.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.