NGA RAMIZ LUSHAJ/
1. Si askund tjetër në botën e shek. XXI, shqiptarët etnik në trevat e veta nën Malin e Zi kanë numrin ma të madh të partive politike. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 tetorit 2012 shqiptarët dolën me 8 forca politike (në koalicione apo të vetme) e, sipas përllogaritjeve, i takon 1 parti shqiptare në 4.000 shqiptarë trojenik.
Subjekti politik shqiptar, ndonëse i vogël numerikisht– i katërti për nga popullsia-pas malazezëve, serbëve e boshnjakëve, po copëzohet së tepërmi e keqas nga parti politike shqiptare, disa prej të cilave po iu harrohet emri, po ka edhe parti të reja që nuk po e krijojnë dot emrin e lidershipin e vet në skenën politike malazeze e atë mbarëkombëtare shqiptare.
Partitë politike shqiptare nën Malin e Zi as në dekadën e tretë të demokracisë nuk po prodhojnë lider të formatit të madh, ndërkohë që ma shumë se kurrë duhet sot një lider unifikues i faktorit politik shqiptar.
Zakonisht po themelohen (shuhen apo shkrihen) parti politike shqiptare të atilla që të jenë ma së forti “mburojë” politike, ekonomike, shoqërore e diplomatike për liderët e tyre provincial dhe kësisoj (ata-ato) mbeten ligsht në mbrojtje të interesave e në zbatim të kërkesave të elektoratit të tyre shqiptar rrëzë kufinit e detit, rrëzë lumit e malit dhe rrëzë greminës së halleve në rritje.
2.
Mali i Zi multietnik e ballkanik, ndryshe nga çdo shtet tjetër i botës së sotme, ka ma shumë parti elektorale, krahasimue me popullsinë e tij – 654.000 banorë dhe sipërfaqen e tij – 13.812 km2.
Vetëm në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012 shenohen mbi 30 parti politike. Përndryshe: 1 parti politike për rreth 20.000 shtetas të Malit të Zi. Shqiptarët numerikisht janë një e katërta e tyre (!)
Mali i Zi i ka 15 parti parlamentare si partitë e mazhorancës: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS e Gjukanoviçit), Partia Social-Demokrate e (SPD e kryeparlamentarit Ranko Krivokapicit), Partia Liberale e Qëndres së Majtë, Partia Boshnjake, Partia Inisiativa Qytetare Kroate. Partitë e opozitës: Lëvizja për Ndryshim (PzP), Partia e re Demokratike Serbe (NOVA), Partia Popullore Socialiste (ish krahu i djathtë i Millosheviçit) dhe ma e reja, “Mali i Zi Pozitiv”. Ndër to, në mazhorancë, hyjnë edhe 6 partitë shqiptare, në dy aleancat “Për Bashkim” e “Koalicioni Shqiptar” (që dy deputetët e tyre në Parlament i kanë me rrotacion, me mandat përkohor).
Një krahasim politik, sa komik edhe tragjik: nga 11 parti parlamentare të mazhorancës 6 prej tyre janë të dy koalicioneve shqiptare. Një numër tepër i madh (!) mbi gjysma e tyre, saqë të duket sikur ia “kalon” edhe koalicionit udhëheqës të Gjukanoviçit, Koalicionit “Mali i Zi Europian” me tri parti. Apo ndryshe: nga 15 parti parlamentare, 6 prej tyre janë shqiptare, çka nga ana numerike duket si “arritje demokratike”, ndërsa nga ana praktike shqiptarët trojenik si pakicë etnike janë “jashtë” Parlamentit, të pa qasur në Qeveri, larg parametrave e kërkesave të konventave ndërkombëtare të OKB, BE, OSBE e Këshillit të Europës.
3.
Partitë politike shqiptare nën Malin e Zi gjukanoviçian po përjetojnë situata si në kohën e barbarit e gjakatarit kundërshqiptar Millosheviç përsa iu përket lirive kushtetuese për pjesmarrje në qeverisjen e shtetit malazez në nivelin lokal e qendror.
Mali i Zi nuk ka nënkryetar shqiptar të Parlamentit, sikurse u zgjodh në fundvitin 2012 Sulo Mustafiq i komunitetit boshnjak, një nga zyrtarët e lartë të Partisë Boshnjake të Rrozhajës.
Mali i Zi, prej 4 dhjetorit 2012 nuk ka asnjë ministër shqiptar në qeverinë e Gjukanoviçit, sikurse kishte në çdo mandat qeverisës prej vitit 1998 si ministër pa portofol apo ministër për Pakicat Etnike.
Mali i Zi, vet gospodari i tij Milo Gjukanoviç, çka s’bani në (prapa)skenë për t’ua marrë shqiptarëve të vetmen komunë të mbetun me shumicë shqiptare, të qeverisur prej shqiptarëve. Kur shqiptarëve iu banë thirrje deri edhe varret e deti e i bashkuan mendjet e duart për aleancë me i zgjedh shqiptar kryetarin e komunës dhe atë të këshillit, Gjukanoviçi shoven shpërtheu në sulme hakmarrëse bio-politike kundërshqiptare ndaj partive politike shqiptare.
Mali i Zi i Gjukanoviçit nuk po i lejon shqiptarët të ngrejnë komunën e pavarur të Tuzit, e ndanë komunën e Plavë-Gucisë duke defaktorizue shqiptarët etnik të atyshëm; po ndihen të rrezikuar nga asimilimi e shpopullimi shqiptarët e Rrozhajës, Ulqinit, Tivarit, Plavë-Gucisë, Podgoricës, etj. Një shembull: shqiptarët në komunën e derisotme të Plavë-Gucisë, sipas përqindjes së popullsisë shqiptare, sipas rregullave demokratike, shtetërore e njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune në nivele të ndryshme, po janë punësuar vetëm mbi 60 shqiptarë etnik (!)
Partitë politike, sipas politilogëve të shquar si M. Ueber, G. Sartori, etj, i paraqesin si bashkim i lirë i njerëzve me qëndrime të njëjta, të cilat marrin pjesë në zgjedhje me programet e tyre për të siguruar poste publike.
Nisur nga ky fakt përcaktimor i tyre duhet të pohojmë me dhimbje: partitë politike shqiptare nën Malin e Zi kanë dalë jashtë fuksionit të tyre themelues e themeltar. Përndryshe: kanë “falimentuar” e po falimentojnë para Gjukanoviçit, para elektoratit të tyre shqiptar.
4.
Ndoshta, kryehere, partitë politike shqiptare i ndoqi fati i keq i ndarjes ndërveti, qyshse në atë 26 gusht 1990 kur në të njëjtin datë u themeluan Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi me seli në Tuzi e kryetar Lekë Lulgjuraj (nga 9 shtatori 1990 u zgjodh Mehmet Bardhi) e nënkryetar Tahir Gjonbalaj e Ragip Shaptafa dhe Forumi Demokratik në Ulqin (si organizëm i Shoqërisë Civile) me kryetar Gjergj Gjokaj e sekretar Mehmet Gjonin.
Ma të pares parti shqiptare nën Malin e Zi, Lidhjes Demokratike, pa u ba tri vjet, më 21 nëntor 1993, u shkëput një fraksion prej saj e krijoi në Ulqin të dyten parti nacionale të shqiptarëve: Unioni Demokratik i Shqiptarëve me kryetar Bajram Rexha deri më 1998 kur u zgjodh Fuad Nimani e, pastaj, në vitin 2003 Ferhat Dinosha (tashti kryetar nderi i saj) e, prej 23 dhjetorit 2012 u zgjodh Mehmet Zenka, që nuk pranoi koalicion me partitë e tjera shqiptare në Ulqin për zgjedhjen e kryetarit të saj.
Në kapërcyell të shek. XXI në Mal të Zi u krijue më 20 shkurt 2001 e treta parti politike shqiptare, Partia e Prosperitetit Demokratik në Ulqin me kryetar Osman Rexhën. Tevona, pas katër vitesh, më 2005, edhe dy parti të reja: Bashkimi Demokrat i Shqiptarëve me kryetar Ali Dodën dhe Forca e Re Demokratike (Forca) me kryetar Nazif Cungun. Dy parti shqiptare në Tuzi: Partia “Alternativa Shqiptare” me kryetar Gjergj Camaj në vitin 2006 e ndjekur nga Partia Iniciativa Qytetare me kryetar Gjeto Sinishtaj. Dy partitë e tjera në Ulqin: Lëvizja Qytetare “Perspektiva” me kryetar Amir Mollaj dhe Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën, krijue së vonit, më 24 dhjetor 2011. Në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012 ka marrë pjesë edhe Aleanca Rinore Shqiptare, e Anton Lulgjuraj, e cila doli me 531 vota, ma keq se të gjitha forcat partiake politike në Malin e Zi.
Partitë politike, sipas përcaktimeve shkencore të ngritjes e funksionimit, kanë një kërkesë thelbësore: të sigurojnë mandate në Parlament, një shumicë sa ma të madhe për të qeverisur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare (2012) të gjitha partitë politike shqiptare nën Malin e Zi arritën të marrin vetëm dy deputetë: Fatmir Gjeka i “Koalicionit Shqiptar” dhe Genci Nimanbegu i aleancës “Për Bashkim”. Kjo ishte një humbje e fituar nga partitë shqiptare. Saktësisht: dy herë ma pak deputetë shqiptarë se në legjislaturën e kalauar. Kësisoj, kjo, nuk ndodhi as në vitin 1990 kur ishte vetëm Partia Demokratike në “Koalicionin Demokratik” me boshnjakët, pasi shqiptarët i fituan asaj here katër deputetë: Gjergj Gjokaj, Mustafë Çapuni,Tahir Perreziqi, Xheladin Zeneli. Kjo nuk ndodhi as në elektoriadën e parafundit 2009-2012 ku shqiptarët zunë katër vende në Parlamentin e Malit të Zi, nga një deputet secila parti apo koalicion: Lista Shqiptare (Partia Demokratike, Alternativa Shqiptare), Unioni Demokratik Shqiptar, Koalicioni Shqiptar Perspektiva dhe Forca (Forca e Re Demokratike).
Partitë politike shqiptare me seli në Tuz e në Ulqin janë tepër të dhanun pas mandatit të deputetit me figura nga bregdeti ulqinak e rrafshina e Podgoricës, po nuk shohin pak ma andej, përtej vetëvetes: të kenë deputet edhe nga Plava e Gucia apo Rrozhaja. Kjo ka arsyet e veta: këto janë dy nga pesë komunat me popullsi shqiptare, që kanë nevojë ta kenë përfaqësuesin e vet shqiptar. Dy parti nacionale, që mund të rrijnë fare mirë në Podgoricë si të tjerat, po i kanë selitë e tyre tek shumica e komunitetit të vet: Partia Boshnjake në Rrozhajë dhe Inisiativa Qytetare Kroate në Tivat.
Partisë parlamentare të komunitetit kroat nuk i ka hup elektorati i saj, i cili është i përqendruar në Tivat, Kotorr, Herceg Novi, Podgoricë, Tivar e Budva. Boshnjakët i dhanë një deputet ma shumë partisë së tyre parlamentare të Rifat Husoviçit. Mirëpo, shqiptarët i japin votat edhe për partitë e tjera, përveç atyre shqiptare, si për Partinë Mali i Zi Pozitiv e deri për PDS të Gjukanoviçit, etj. Disa parti shqiptare kanë pësue rënie të dyfishtë të elektoratit të tyre si Unioni Demokratik Shqiptar nga 4.747 vota më 2009 mori 2.848 vota më 2012.
E rrezikshme është se ka ra edhe fuqia politike e liderëve partiak të partive shqiptare, edhe në ato raste kur ata janë pasanik, pasi ka ra vet fuqia politike e partive të tyre në elektoratin shqiptar dhe në skenën politike malazeze. Prandaj partitë politike shqiptare duhet të bashkohen në një parti të vetme, të faktorizohen shumanshmërit në Malin e Zi multietnik, pasi shqiptarët janë të parët si popullsi katolike e të dytët si popullsi muslimane në këtë shtet, janë në tokën e vet para Krishtit e Muhametit, kur Sllavët dyndeshin në muret e Kinës e stepat e Rusisë.
Në dy elektoriadat e fundit ka ra edhe fuqia elektorale e Gjukanoviçit, i koalicionit të tij “Mali i Zi Europian”. Në zgjedhjet parlamentare të 29 marsit 2009 mori rreth 52 për qind të votave, ndërsa më 14 tetor 2012 ra në ma pak se 46 për qind të votave, aqsa pa votat e deputetëve të etnisë shqiptare apo të komuniteteve boshnjake e kroate e kishte të vështirë rizgjedhjen e tij në mandatin e shtatë si kryeministër i Malit të Zi. Edhe presidenti Vujanoviç, kandidat i partisë PDS të Gjukanoviçit, u rizgjodh President me pak vota diferencë, me 0.68 për qind.
Në këtë rënie politike të pandalun Gjukanoviçi është ba mjaft i rrezikshëm dhe kërkon t’i keqpërdorin partitë politike shqiptare për interesat e veta politike të mbrapshta, don t’i kthejnë ato në “partitura” politike të tij. Kjo po ndodh realisht me disa parti politike shqiptare e ndonjë lider partiak shqiptar. Kjo po ngjet pasi partitë politike shqiptare nën Malin e Zi po humbasin përditë në misionin, aksionin e frytshmërinë e tyre ndaj elektoratit shqiptar në trevat etnike shqiptare të autaritatëve, ardianëve e dardanëve ilirë.
Shumica e partive shqiptare krijohen në hije të njana-tjetrës e nuk japin rreze dielli për popullin etnik shqiptar, veçse çka i marrin atij. Krijimi i kaq shumë partive shprehimon tre fakte: demokracia euro-atlantike është e brishtë dhe e pashndritshme në këtë vend, diktatura e egër gjukanoviçiane është në rritje ndaj shqiptarëve trojenik në trevat e veta etnike, politikanët shqiptarë po ndjehen të lodhur nga hapat e vet.