Ne foto:Daniel Gazulli (1943 – 2012)/
PAK DHÉ TË SHKRIFTË/
…Nesër,/
mbi rrasën e varrit tim/
me shkronja të derdhuna lè të shënojnë/
emën e mbiemën,/
asgja ma shumë./
Datëlindja? Kush e di, asht tepër e largët,/
dhe nëse ndonjeni do të pysë:/
Rron apo ka vdekë?/
Mos u nxitoni të përgjigjeni./
Përse të mundoheni më kot/
të shkrueni ma shumë?/
Përse të shprehni dhimbshuni?
A nuk kisha unë edhe me vdekjen feeling?
(Ndoshta ndonjë kalimtar
për tek varret e të tijëve
do të lëshojë edhe fjalë të jargëta, ani.
Do të thotë se isha pijanik, bie fjala,
po askush s’ do ta besojë po të thotë
se edhe për atë
nuk ndjeja dashuni).
Unë as që e kërkova atë rrasë të lëmuet.
Do të kisha preferue
mbi varr të kisha dhé të shkriftë
ku të harbonin lulet.
Rrasë të lëmuet lè të kenë
ishdrejtori i Bankës,
kryebashkiaku im,
gjyqtarët, të gjithë;
ata do të kenë lanë patjetër diçka
që të afërmit t’i shpenzojnë pa kursim;
çfarë lashë unë,
veç katër-pesë librave,
të papaguem endè plotësisht?
Lè të kalojnë atypranë fjalëjargëtit
dhe gazetarët e kërrusun, gjithë mundim,
e të thonë se në jetë
paskam pasë shoqni me endacakët;
lè të thonë,
por askush nuk mund të thotë se
kur kalon pranë varrit tim
ndjehet erë e keqe
si tek varri i doktorit përbri,
që para se të operonte pacientin,
“operonte” pa mëshirë xhepat e të afërmëve të tij.
Kryqi le të jetë i madh dhe i pagdhendun.
Edhe ma i madh ishte ai që mbajta në jetë
në udhëtimin mbrenda vehtes.
Por lè të jetë Kryq i thjeshtë,
jo Kryq i shtrejtë,
si tek varri i fqinjit,
anëtar i shtatë partive (dikush thotë tetë),
dhe pronar i shtatë hoteleve në plazh
dhe i një të teti në qytet, ku, thonë,
e shoqja pret e përcjell lesbiket.
Ata, kryetari, doktori, gjykatësi, të gjithë,
lulet do t’i kenë të gdhenduna në mermer,
lulet mbi varrin tim lè të vyshken:
të paktën ato dikur
mbanin aromë dehëse për Shpirtin
dhe ditën flutura prisnin e përcillnin,
kurse natën u shkelnin synin yjeve në qiell
dhe lanin petalet me vesën e mëngjesit.
Vetëm pak dhé të shkriftë dhe lule do të kisha dashtë,
të ndjehesha i lirë.
O, sa me dhimsen ata mbi varret e të cilëve
randojnë shtatoret!
Janar 2012.
Shenim F.R.: Plot dy vjetë u bane pa Danielin! As unë nuk dij se, kur… Ikën… Si t’ishte dje!..
Melbourne, Nandor 2014.