• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARET PAS RENIES SE KOMUNIZMIT

April 16, 2021 by dgreca

-Pas rënies së komunizmit, shqiptarët i drejtohen ksenocentrizmit, vlerësojnë modelin shoqëror të popujve të tjerë -/

Shkruan: Eneida Jaçaj-/

Çdo popull karakterizohet nga traditat, zakonet, kultura, gjuha, të cilat përfaqësojnë etalonin dhe modelin unik të një kombi të caktuar. Të vlerësosh kulturën dhe traditat e kombit tënd, të ngresh në altarin e nderit dhe në majën më të lartë të ajsbergut modelin e shoqërisë ku bën pjesë, është njësoj si të duash dhe të vlerësosh “shtëpinë” tënde, me të gjitha objektet dhe njerëzit e dashur që bëjnë pjesë në të. Ajo që të përket ty, në mënyrë koshiente apo subkoshiente, është e prirur të të pëlqejë pavarësisht mesazhit dhe rëndësisë që mbart në vetvete. Në logjikën parësore, një vlerësim i tillë ndaj kulturës vetjake, është normale të ndodhë. Por, jo gjithmonë ndodh kështu, pasi, jo koha, por shoqëritë ndryshojnë mendësinë e tyre sipas situatave të caktuara, pozitive apo negative. 

Në vlerësimin e kulturave të popujve takohen dy ekstreme, dy dukuri shoqërore: Etnocentrizmi dhe Ksenocentrizmi. Etnocentrizmi nënkupton vlerësimin e kulturës dhe gjithçkaje vetjake që e rrethon një popull të caktuar. Këta popuj i shohin me përbuzje dhe injorim popujt e tjerë, pasi besojnë se vlerat dhe traditat, modeli shoqëror qëndron më lart krahasuar me kombet e tjera. Ndërsa ksenocentrizmi është antitezë e etnocentrizmit. Popujt ksenocentrikë kanë prirjen të hiperbolizojnë vlerësimin për kulturat e popujve të tjerë, dhe të nënvlerësojnë kulturën vetjake. Për ta çdo gjë që i rrethon rreth vetes është negative dhe inferiore, krahasuar me kombet e tjera. 

Popujt etnocentrikë

Sipas studimeve që bën sociologjia në fushën e zhvillimeve dhe kulturave shoqërore, zakonisht popujt etnocentrikë janë popuj të izoluar nga bota jashtë; ata refuzojnë të dalin nga guacka dhe të shohin përtej vetvetes, nuk janë të hapur për t’u përshtatur me kulturat e tjera, për të marrë nektarin më të mirë të asaj kulture dhe modeli shoqëror, duke përmirësuar veten. Janë kundër të resë dhe të izoluar ndaj zhvillimeve në botë. Preferojnë të mbyllin veshët dhe sytë, përpara kulturave të tjerave. Në periudhën 45 vjeçare të komunizmit, populli ynë ka qenë një popull etnocentrik, i izoluar komplet nga bota e jashtme, i indoktrinuar nga kulti i individit, nga udhëheqësi-Zot, besonte se kulturat e tjera dhe modelet e shoqërive të tjera në botë nuk ishin të denja, madje se jetonin shumë keq. Këta popuj e konsiderojnë veten një model, që duhet të ndjekin të gjithë popujt e tjerë. Janë bërë studime për popujt etnocentrikë. Sociologu amerikan Ëilliam G. Sumner studioi shfaqjen e etno-centrizmit në mesin e popujve primitivë dhe arriti në përfundimin se pothuajse secili prej këtyre popujve pretendonte një vend të veçantë, duke e “datuar” atë me krijimin e botës. Gjithashtu, sociologu Muriel Herbert ka shkruar se ekziston një fis eskimez, mjaft i izoluar nga rrjedhat e zhvillimit të kulturave botërore me shtrirje të gjerë, që e quan veten “inuit”, dmth njerëz të vërtetë. Por çfarë thonë sociologët shqiptarë për popujt etnocentrikë?

“Ne si shoqëri e varfër, në izolim për më shumë se katër dekada gjatë regjimit komunist, shkëmbimet me kulturat e tjera i kemi pasur tejet të pakta. Dhe kjo prirje etnocentrike dallohej edhe në parrullat e asaj kohe që tregonin mbivlerësimin e shoqërisë së asaj kohe për tiparet e veta kulturore që ishin superiore atyre “borgjeze dhe revizioniste perëndimore”, të cilat i konsideronte si inferiore dhe “të degjeneruara””, thotë sociologia Entela Binjaku, për “Diellin”. Ndërsa aktivistja për të drejtat e grave, Sevim Arbana thotë: “Në periudha të ndryshme të historisë, ne kemi kaluar në ekstrem në fenomenin e etnocentrizmit, si psh në periudhën e diktaturës komuniste, ku mosnjohja, mbyllja , izolimi, na kishin krijuar bindjen që ishim një komb unik në vështrimin e kulturës , historisë. Diktaturat, përgjithësisht kultivojnë një vetëdije të fuqishme, të konsoliduar kombëtare, me doza të forta etnocentrizmi”. 

Popujt ksenocentrikë

Pas rënies së perderes së hekurt të diktaturës, shoqëria jonë u drejtua drejt ksenocentrizmit. Pas një periudhe të gjatë izolimi, populli ynë kishte etje për të parë dhe mësuar gjëra të reja. Kuptoi se ajo çka u ishte thënë në ato vite të gjata izolimi, ishte një gënjeshtër. Shoqëria jonë la pas vlerësimin e lartë për veten dhe u hodh në krahët e kulturave të tjera. Ne kopjuam gjithçka të huaj, ndërsa besimin dhe vlerësimin për veten e minuam. Në ditët e sotme, ksenocentrizmi vjen për shkak të politikave jo të mira për popullin; populli e ka humbur besimin te vetja, te politikanët, dhe beson se e mira do t’u vijë vetëm duke përqafuar kulturen e çdo gjë tjetër të një kombi tjetër. Besimi ka shkuar në pikën 0 saqë shqiptarët kanë lënë vendin e tyre,  dhe janë shndëruar në kopjacë të popujve të tjerë. Të prekësh ekstremet, eksperienca ka treguar se nuk del asgjë e mirë. Shprehja e Aristotelit për mesin e artë, këtu do të gjente vend. Duhet të duam veten, por gjithashtu të jemi të hapur për të pranuar të renë dhe për t’u përmirësuar. Pa dashur veten, nuk mund të duam të tjerët! Ja çfarë thotë Entela Binjaku për këtë fenomen. “Në kushtet e lirisë po shfaqemi më shumë ksenocentrikë: i vendosim emërtime në gjuhë të huaj të subjekteve të ndryshme të sipërmarrjeve tregtare, zgjedhim emra të huaj për pasardhësit, përdorim në mënyrë të pakontrolluar dhe të shtuar fjalë të huaja, kemi prirjen për të respektuar mjaft norma kulturore që janë të huaja etj. Kjo sepse përçmojmë, shpërfillim ose përbuzim elementët tanë kulturorë dhe mbivlerësojmë cdo gjë element nuk është yni. Arsyet për këtë mund t´i kërkojmë tek: mosnjohja, padija, mungesa e informacionit mbi vlerat e kulturës sonë, “agresionit” mediatik që vjen përmes teknologjisë së informacionit të kulturave të shoqërive të mëdha e të zhvilluara dhe nga ana tjetër edhe sepse nevoja për t´i përkitur ose për t´u asociuar me një kulturë të caktuar dhe zbrazëtinë që përjetojmë duke braktisur tonën, ta plotësojmë ose kompensojmë me përqafimin për të huajën, përballja me kulturat e tjera bëri që shumë qytetarë të përjetonin zhgënjim për “madhështinë” dhe “lavdinë” e popullit duke mbivlerësuar kulturat e tjera”. Ndërsa Sevim Arbana thotë: “Ksenocentrizmi mbështetet përkundrazi në një hiperbolizim të kulturës së të tjerëve dhe një nënvlerësim të çdo gjëje autoktone. Këto janë rrjedhojë e politikave qeveritare që nxisin përbuzjen ndaj vlerave vendase, ose ideologjite shtypëse. Për ta ilustruar më mirë këtë fenomen, marrim Shqipërinë e pas’90-ës. Glorifikimi, adhurimi dhe përulja ndaj çdo gjëje të huaj, kish të bënte me mosnjohjen, mbylljen dhe qeverisjen e deriatëhershme. Sot mendoj që shqiptarët janë më realistë në kontekstin e dy qëndrimeve, si ndaj etnocentrizmit, ashtu dhe ndaj ksenocentrizmit”. 

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, pas renies se Komunizmit, shqiptaret

Ballafaqimi me diktaturën pas rënies së komunizmit

February 23, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Kanë kaluar gati tre dekada nga rënia e regjimit, dhe shumë pak është bërë për të vlerësuar në aspektin historik dhe atë human, atë periudhë të tmerrshme, që shkatërroi jetët e qindra mijëra personave e familjeve të pafajshme. Këtë fakt dëshpërues evidentoi edhe Konferenca e disa ditëve më parë, me Tematikë “Ditët e Kujtesës”, organizuar nga IDMC, mbajtur në Tiranë në datat 13-21 shkurt .

Unë kam përvojën dhe opinionin tim lidhur me këtë mungesë të theksuar vullneti për rivlerësimin e asaj periudhe të errët dhe aspak të largët të historisë së vendit tonë. 

Së pari, do të thosha se për fat të keq pas rënies së regjimit, Shqipëria është qeverisur me të njejtën mendësi diktatoriale dhe përjashtuese ndaj kundërshtarëve politikë, madje kjo dukuri është prezente në nivelet më të larta drejtuese, nga të njejtët persona, bij ose familjarë të afërt të tyre.

Së dyti, dëshiroj të theksoj se nuk pati asnjë iniciativë apo angazhim shtetëror që të mbështeste rikthimin dhe riintegrimin e familjeve të internuara në vendet e origjinës. Të lënë në mëshirë të fatit, largimi nga vendi i internimit ishte një hap që çdo familje e ndërmori me forcat e veta.  Shumë prej tyre u strehuan në godina të pabanueshme, siç ishte rasti i ish-shkollës së Partisë së Punës. Cinik dhe fyes strehimi në atë ndërtesë të katandisur në gërmadhë, e cila në dhjetra vite kish përgatitur dhe nxjerrë kuadrot kriminalë të diktaturës. Disa familje mundën të strehohen tek të afërm, që me zemërgjërësi ju hapën dyert, si dhe një numër i konsiderueshëm, të pashpresë ndoqën rrugën e emigracionit. Madje ka ende  familje që në pamundësi fizike e ekonomike rikthimi, vazhdojnë të jetojnë në vendet e internimit. 

Vitet e para të post-komunizmit, me mbështetjen e disa donatorëve u ndërtuan një numër i kufizuar apartamentesh për strehimin e kësaj kategorie, tërësisht i papërfillshëm për nevojat imediate të tyre. Gjithashtu pati dhe një planifikim për trajtim me të drejta studimi të një numri të limituar të rinjsh që vinin nga kjo kategori të dënuarish. Pothuajse të gjithë këta të rinj  kishin lindur në internim.

Si fillim përpiqesha të justifikoja neglizhencën e theksuar ndaj kësaj shtrese. Mendoja se kjo ndodhte pasi Shqipëria ishte në varfëri ekstreme dhe pamundësi ekonomike për masa rehabilituese të atyre përmasave. Mirëpo nuk rezultoi që të ishte varfëria shkaku. Vitet në vijim dëshmuan një mungesë permanente vullneti për integrimin e të përndjekurve politikë, madje u punua për të përçarë dhe sabotuar çdo përpjekje të organizuar në kërkim të  të drejtave  të tyre. 

Rënia e regjimit u pasua nga zhgënjimi që solli mos bërja e drejtësisë për krimet e tmerrshme që përjetuan. Të cfilitur nga jeta, bashkëvuajtësit e mi, sigurisht ata që ende nuk ja kanë mbathur nga Shqipëria, po i zvarritin këto vite dyerve të gjykatave, në kërkim të një strehe, të një prone që nuk ka gjasa t’u kthehet kurrë, ose në pritje të lëmoshave të kompensimit të turpshëm e mjeran. Kam parë të moshuar që teksa shtrëngonin ca dokumente dhimbjeje në duar, kanë humbur ndjenjat në dyert e atyre zyrave. Kam përjetuar lotët e nënave të kampit të Tepelenës, që besonin se ligji që parashikonte dëmshpërblimin e tyre, do të zbatohej ndonjë ditë. Por kjo kurrë nuk ndodhi. 

Ende pas 30 viteve, ne ndjejmë nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, proçes ky tejet i vonuar. 

Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste,  prej gati shtatë vitesh në pushtet, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Si rrjedhojë, pothuajse asnjë prej 17 pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar pothuajse  14 vjet nga koha e  miratimit.

Gjashtë vitet e fundit  situata është përkeqësuar më tej. Janë qindra ish të persekutuar të regjimit të flakur nga puna, pasi nuk janë militantë të partisë në pushtet. Kjo situatë përjashtuese dramatike kulmon  me kërcënimin me jetë të Drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, si dhe familjes së tij, me pasojë arratisjen e tyre, kërcënim ky për shkak të detyrës. Kërcënuesit nuk janë anonimë.  Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, përbën vepër penale. 

Perspektiva paraqitet shumë e zymtë. Jemi kaq të vonuar në procesin e reformimit demokratik. Jemi kaq larg bërjes drejtësi për krimet e tmerrshme të diktaturës si dhe atyre që pasuan. Nuk kemi arritur ende të rishkruajmë në mënyrë të paanshme historinë e Shqipërisë të periudhës së komunizmit, bazuar në dokumente dhe dëshmitë e viktimave. Po edukojmë një brez të ri në konfuzion të plotë për këtë periudhë të errët të historisë. Si rrjedhim, po shkasim me shpejtësi marramendëse drejt një rregjimi autoritar, ku institucionet drejtohen në mënyrë arrogante e të korruptuar nga të njëjtët individë.  Rezultati…një popull i pashpresë,  në arrati.  Pa orientim.

Mbi të gjitha demokracia është shkallë qytetërimi…dhe ne jemi ende kaq larg.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, pas renies se Komunizmit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT