SHKRUAN:PËLLUMB GORICA/
Gjithmonë i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese në gjirin e natyrës aq më shumë, në ato vende që lidhen me histori misteresh. Kur udhëton nëpër peizazhet piktoreske të trevës së Elbasanit, sikur heq nga supet rutinën e përditshmërisë dhe me gëzim lëshohesh në monumentet e natyrës piktoreske. Udhëtimi drej natyrës piktoreske të Byshekut është vërtet kënaqësi.
Bysheku ndodhet, 7 km nga qyteti i Elbasanit, në një zone disi të pyllëzuar, pjesë e krahinës së Shpatit. Vend i bukur me histori e legjenda mbresëlenëse, me njerëz të mençur, krenarë e shumë bujarë.
Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një luginë piktoreske. Kushdo që vjen këtu ndihet i mrekulluar nga larmia e koloritit të natyrës, që harmonizohet me ndërtimet, të cilat shndrisin nën rrezet e diellit. Kjo larmi e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë e të shoqëron këndshëm. Fshatrat janë të sistemuara me shtëpi të reja, toka të mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me plepa, shelgje e rrepe si një shirit ngjyrash, rrjedh lumi Shkumbin, ndërsa tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor, dhe të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i menjëhershëm në ngjitje dhe i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim rrugës dredha – dredha, duke soditur peizazhet. Një flladi i lehtë me aromë frutash të përkëdhel fytyrën. Ndërsa qiell i kaltër dhe dielli të përshëndet, sikur natyra ka vendosur të na e bëj dhuratë këtë ditë. Përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj të rrallë panorama e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharm mahnitës. Rrepet janë një tipar i veçantë dhe pasuri drusore monumentale, ashtu siç është një tjetër karakteristikë e këtij vendi freskia. Është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu.
– Është një kënd vërtet shumë i veçantë, – të thotë Ahmet Mehmeti, miku ynë poet, por edhe specialist i njohur i pylltarisë. Bysheku është një kontrast jetsor përballë ajrit të ndotur dhe betonizimit pa kriter. Ndaj, peizazhi i tij në çdo stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin.
Dora e “piktores” së paarritshme, Vjeshtë në këtë peizazh të bën ta përjetosh të
bukurën emocionalisht. Pranë drurëve të moçëm, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji i pastër, e i ftohtë, që rrjedh nga shumë burime, ndërmjet të çarave
të shkëmbit të hirtë, duke shpërndarë currila të arta nëpër bimësinë ujore. Më tej, uji pasi merr me vete gjethet e zverdhura, si një telajo e pikturuar me ngjyra të djellta, të rëna aty, krijon turbulenca, e pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, rrjedh me mërmërimën e tij të këndshme në shtratin e stërlashtë drejt detit Adriatik. Bashkë me fëshfërimën e rrepeve ai të freskon akoma më shumë. I ngjan një simfonie kjo mërmërimë, duke të relaksuar skajshmërisht e të rrëmben befasishëm, dhe patjetër duke të bërë për vete.
Mundohem ato t’i fiksojmë në celuloid, që të mbeten në memorien dixhitale për brezat.
Të befason dhe të magjeps pamja e drurëve shekullorë, të zgavruar nga koha dhe zjarri, që mezi i pushtojnë 5 burra. I prek me sy tej e tej këto monumente të gjelbra të natyrës, që kanë vlera historike. Ato kanë histori interesante, që ende
tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrepeve si hunj. Këtu dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një stacion udhëtarësh ku pushonin karvanet dhe këto drurë rrepesh janë hujtë e ngulur, për të lidhur kuajt. Madje tregohet se garnizonet turke e kishin vend pushimi për t’u çlodhur e përtërirë energjitë nga rruga e gjatë. Bysheku është një vendbanim i vjetër. Aty ka kaluar via Egnatia, fragmente të së cilës gjenden në afërsi të tij. Në shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet e mëvonshme
etimologjike ai mori emrin Byshek. Sipas hulumtimeve të historianëve të krahinës, Bysheku, në mesjetë ishte një vendbanim i madh me shtëpi afër njëra – tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të gjithë territorin kushtrihej. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike të trevës së Elbasanit. Këtu janë zhvilluar dy beteja të përgjakshme në shekullin e XV.
Ndërsa në fillim të shekullit të kaluar ishte bazë e çetave patriotike që vepronin
në Shpat. Historia dhe lumi rrjedhin pranë njëri tjetrit. Bysheku është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos nga ata të qyteteve: Elbasan, Tiranë, Peqin,Cërrik. Mbase në vitet e periudhës komuniste nuk ishte dhe kaq i mirëmbajtur, por gjithsesi frekuentohej kryesisht nga banorë të Elbasanit. Në stinën e dasmave, ata, që lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin mrekullisht traditën pagane të pagëzimit të çifteve me ujin e këtij burimi për t’i patur si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre, e natyrisht edhe pamjet piktoreske të rrepeve madhështore të Byrshekut. Por më i gjallërueshëm, Bysheku shfaqet në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit, nga moshat të ndryshme. Vendasit sigurisht janë krenar me këto bukuri, që u ka falur natyra, me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por u duhet ta mirëmbajnë këtë perlë.
Fryn era e Krastës dhe uturima e rrjedhës të krijon në shpirt një ndjesi gati hyjnore me emocione të veçanta. Të frymëzon peizazhi mbresëlënës me çastet e mrekullueshme miqësore. Në këtë natyrë piktoreske orët kalojnë të mbushura me çaste mbresëlënëse dhe bisedat për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet, miqtë, por edhe me me gatimet tradicionale të krahinës. Gjen edhe humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu në këtë natyrë të paqtë vjeshte.
Bysheku është atje i mbuluar me një mjegull të përpurt enigmash historie dhe
kolorit vjeshte. Në horizont mali i Bukanikut këmben ende me qiellin këngë dhe
balada madhështore.Ç’mrekulli!
PLAGA E KAHMOTSHME E TROJEVE SHQIPTARE
NGA PËLLUMB GORICA*/
Më vjen në mendje një kullë e lartë atje në veri të Shqipërisë, që ata të cilët e kanë ndërtuar dhe e kanë kthyer në Muze e quajnë ndryshe “Kulla e Ngujimit”. Gurët e heshtur të saj dëgjojnë përtej atyre fushave dhe maleve për frikën se cili anëtarë do të ketë radhën të viktimizohet, aq edhe shpresën për shërim të kësaj plage. Në këtë prag kulle nga më të rrallët në Evropë e Botë, poetët, shkrimtarët, regjisorët, sociologët, kompozitorët, filozofët e kombit tonë e më tej mund të frymëzohen në artet e tyre dhe në atë që mund të bëjnë më mirë. Jo thjesht si e kaluar, por edhe si ardhmëri. Për ironi shumë filma me këtë temë në botë kanë fituar çmime nga më të mira e më të pagueshmet. Por le të sjellim ndërmend fakte të cilat janë të njohura, por ne vetëm mund të parafytyrojmë, apo bashkë ndjemë, por sa dimë se si i përjetojnë ato qindra e qindra familje, ato Burrnesha stoike me pamjen e tyre e dhëmbjen pa kufi, që e lidhin jetën me të burrit të mos bëhen pre e plagës së gjakmarrjes, e shpesh duke mos i trembur as nga rreziqe. E pra aty dhe brenda nesh jeton kjo plagë e madhe sociale, që do jo një, por disa kirurgë mendjesh, ligj dhe shtet ta luftojë, shumë kohë e kujdes shoqëror për ta shëruar e për të mos mbjellë kurrë më varre të pafajshme.
Gjakmarrja, kjo hije e zezë, secilin nga ne pavarësisht formimit intelektual, na përcjell në vazhdimësi, përgjegjësinë dhe mundësinë që të bëjmë më shumë në mbylljen e këtij fenomeni. Shpesh, ajo përkufizohet edhe nën hijen e varfërisë shpirtërore, të mbajtjes në kuadratin e paditurisë dhe ushqimit të vazhdushëm me mediokritete njerzore. Por edhe ligjet kanunore janë shpërfillur dhe po vriten për hakmarrje gra dhe fëmijë. Ndaj, ky koncept keqpërdoret, duke e humbur kuptimin e mirfilltë të tij në mendime e labirinte keqardhjesh. Me rrënjët e saj sa të hershme, për fat të keq, aq shumë po përsëritet dhe si rezultat secilin prej nesh e vë para dilemës:
- Ku jemi ne si shoqëri e qytetëruar?!
Natyrisht pas saj vijnë shumë pyetje retorike e një mozaik përgjigjesh të cilat këtë paradoks e rrëfejnë në mënyrën sa kanunor, logjik, tradicional e shkencor, por çështja mbetet me përmasat sa në rritje, po aq edhe e pazgjidhur. E mora guximin dhe urtësinë për të shkruar për gjakmarrjen, duke e trajtuar edhe në retrospektivë, e që gjithnjë e më shumë po merr përmasa shqetësuese.
Kultura jonë e lashtë në rrjedhën e shekujve ka mbartur në shpinën e saj shumë anë pozitive, që kanë legjitimuar fytyrën e vërtetë të kombit, krahas anëve negative. Në pamundësi për ta pasur legjislacionin e tyre, të parët tanë, kanë qenë të detyruar t’i zbatojnë kodet dhe normat kanunore të hekurta, rrjedhimisht të krijuara për t’i rregulluar çështjet e tyre të brendshme brenda një fisi, vendbanimi, krahine apo edhe një territori të caktuar. Traditat zakonore dhe kanunet si ai i Lekë Dukagjinit, i Bendës, i Skënderbeut, i Labërisë futën në kulturën tonë të përgjithshme edhe elementë që morën karakterin e ligjeve morale dhe të shkruara. Influencë veçanërisht pati sidomos në zonën e Veriut, Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku sanksionoi në mënyrë barbare zakonin e gjakmarrjes edhe nga fanatizmi i shekujve. Kanuni i Lekë Dukagjinit, ky monument i lashtë i kulturës shqiptare, për kohën kur është krijuar, luajti rol pozitiv në rregullimin dhe vlerën e normave shoqërore në zonat malore shqiptare me një të kaluar historike tepër shtypëse. Nuk duhen harruar kalvarët e dhembjeve, historitë tragjike deri në shuarje familjesh edhe pse dikur përkujdesej fisi, grupi fisnor,në rrethanat e sotme të zhvillimit global të shoqërisë, kjo plagë e kamotshme dhe rëndë e trojeve shqiptare, mjerisht është aktuale e dëmshme dhe e tejkaluar. Gjatë historisë, në kohët e vështira, ishte i madh edhe rreziku i asimilimit si komb nga pushtuesit me përpjekjen anarkiste të tyre për zbehjen e ndjenjës kombëtare, por edhe me zhvatjen, zaptimin e trojeve, pasurive. Ata e shfrytëzuan gjakmarrjen për qëllime përçarëse dhe sunduese. Mungonte shteti i mirëfilltë dhe autoriteti i tij në çështjet e pazgjidhura kishte krijuar shkaqe të precetenta me ngjarje të rënda e pastaj me gjakmarrje, shkurt larje hesapesh, shkatërrime prone, dënime të rënda. Por edhe kur u krijua shteti shqiptar, legjislacioni në vite, qoftë në pjesën e Shqipërisë, por edhe në trojet e tjera: Kosovë, Maqedoni, Malit të Zi ku jetojnë shqiptarë, nuk ishte në përputhje me interesat kombëtare, deri edhe një lufte të brendshme arkaike, pro osmane të individëve karrieristë, ndaj edhe besimi në popull në të ishte shumë i vogël. Edhe në këtë kontekst historik, sado që në Shqipërinë e 50 viteve të diktaturës komuniste, gjakmarrja pësoi zbehje e thuajse u zhduk, për shkak edhe të pasojave ligjore e dënimeve të rënda, burgimit, internimit, persekutimeve, ky fenomen u rizgjua e vazhdon të jetë me dhembje pas viteve ’90, kur erdhi demokracia dhe të marrë përsëri jetë shqiptarësh. Nga frika e thellë e gjakmarrjes, familje të tëra sidomos në zonat malore, janë detyruar të ngujohen brenda burgut shtëpiak, larg realiteteve të jetës dhe botës njerëzore, duke i viktimizuar edhe fëmijët me arsimimin, shkëputje nga bota e lojërave me shokë, ndrydhje e ëndrrave të tyre si një plagë e pashtershme dhe kosto e pariparueshme për shoqërinë tonë, por edhe të krijoj largime të atyre që munden nga trojet e tyre, drejt rrugëve emigruese në kërkim të një vendi të qetë, pa preokupimin se një ditë do i shfarosin burrat, fëmijët, vazhdimësinë e brezave.
Mjerisht, pothuajse përherë në media të shkruara dhe elektronike, publikohen vrasje me motive të gjakmarrjes, kronika të dhimbshme televizive apo shkrime për ngujime të familjeve në krahina të ndryshme, kryesisht në Veriun e Shqipërisë, duke treguar edhe për pasojat që ka lënë ky fenomen ogurzi. Ai vazhdon të mbetet akoma si një sanksion i “ligjëruar” nga vetë njerëzit me gjithë lëvizjen demografike të tyre. Ndaj, akoma nuk është bërë e mundur çrrënjosja definitive e ketij fenomeni,përkundrazi,ai po mbartet rigorozisht. Ne një vend ku nuk funksionon ligji inkurajohet hakmarrja, ka humbur besimi,është vrarë ëndrra dhe shpresa. Edhe politika për të kryer përfitimet dhe privilegjet e saj e ndonjëherë edhe të kontestuara ka shfrytëzuar kanunin për interesa, duke acaruar marrëdhëniet në përgjithësi të komunitetit. Duhet theksuar se do të ishte e udhës dhe një alarm jo vetëm për institucionet shtetërore, nëpërmjet organeve të tyre ligjvënëse e zbatuese, por edhe për shoqërinë civile që të veprojë shpejt me përgjegjësi morale dhe kombëtare në çrrënjosjen e kësaj plagë të hershme shekullore. Janë krijuar shoqata kundër gjakmarrjes me motivin: Stop gjakmarrjes, të cilat me format e tyre sensibilizuese në periudha të caktuara kohe a ndoshta pas ndonjë vrasje makabre, deri në peticione e grumbullim firmash jo vëllavrasjes, synojnë në një ndërgjegjësim të këtij fenomeni të frikshëm e shqetësues për kohën, por janë kthyer në disa raste si biznese kriminale e fitimprurëse në rrënime ekonomike të dëmshme për xhepin e fajtorëve e ndonjëherë edhe pa shkak të dënimit. Fatbardhësisht për këtë, kemi edhe shembuj kuptimplotë humanizmi e përgjegjësie atdhetare sidomos në kohë okupimesh, periudha tranzicioni të shoqërisë. Në kohën e represionit të thellë fizik e verbal në Kosovë nga lukunia e ideologjisë sllave, rinia atje u mobilizua në pajtimin e gjaqeve. Pati shumë raste të gjakmarrjeve dhe me peshën e fjalës në kuvende burrash si shërim për shpirtrat e trazuar, misionarët i pajtonin duke falur gjakun njeri – tjetrit. Mjafton të kujtojmë këtu disa personalitete fisnike si Anton Çeta në Kosovë, Pal Kuka, Palok Lumi, Pashko Toma të njohur në zonën e Veriut të Shqipërisë, duke hyrë në histori për shpirtin njerëzor e urtësinë proverbiale.
Jeta vlen të jetohet. Gjakmarrja kjo fjalë e rëndë dhe e frikëshme le si një shkretëtirë vetëm dhimbje. Andaj në përputhje me vlerat e civilizimit evropian, për të mirën e Kombit, duhet të veprojmë dhe punojmë më shumë për zhdukjen e kësaj plage shekullore, që kullon përditë gjak, mjerim shpirtëror e ekonomik. Le t’i shtojmë jetës angazhim të madh të shoqërisë sonë me forcimin edhe të shtetit ligjor, por edhe duke e luftuar në mënyrë të ndershme këtë fenomen, pa u bërë ndikues të së keqes së pamoralshme, për të dëshmuar se jemi vërtet popull fisnik dhe i qytetëruar i sofrës së madhe evropiane me besimin dhe shpresën për brezat e ardhshëm, se gjakmarrja do të jetë thjesht një fjalë e mbetur në arkivin e kohës.
*Ne Foto:“Kulla e Ngujimit”.
OHRI, QYTETI I NJË KUJTESE TË HARRUAR
NGA PËLLUMB GORICA/
Duke prekur hapsirat që shtrihen përtej kufirit të Qafë Thanës, çdokush prej nesh, që edhe pse ka udhëtuar në këtë vend provon mbresa. Në mes një grupi vizitorësh jemi nisur për në Ohër, në këtë qytet intersant, ndaj udhëtimi drejt tij është kënaqësi. Bashkëshoqëruesi ynë, Zamiri i cili sa herë që udhëton drejt Ohrit e ndjek një ndjesi e madhe kënaqësie dhe padurimi, për të shkuar sa më shpejt atje. Kështu duke shkelur vende me histori, orët kaluam me shëtitje në peizazhet e tij, në biseda, zbavitje, që e bën udhëtimin të gëzueshëm e të paharrueshëm. Ne do të rrëfejmë ca nga ca më poshtë, ku syri e shpirti e ndjen të bukurën, hijeshinë, kulturën, vlerat,dhe dhimbjen e harresës historike, si dhe ato që e ndryshuan atë kohë,por pesha e tyre bie mbi të gjithë ne, mbi brezat që vijnë. Natyra, historia janë thelbi i artit, të cilën e duam dhe ripërtrinë gjuhën që fle në shpirt. Banorët shqiptarë të Ohrit, edhe pse pakicë, krenohen me trashëgiminë shekullore,e cila është lënë në harresë si një këngë e pa shkruar në pentagramin e historisë. Jetojnë këtu në këtë bukuri që e ka falë natyra, por të trishtuar, kur reliket e historisë së lashtë të qytetit, që flasin shqip po fshihen nga kujtesa. I ngjeshur mes kësaj heshtje harrimi të kohëve të lavdishme, të pështjelluara pas perdeve të errëta të tyre, dallgët janë përplasur pamëshirshëm në bregun e tij, sa as një rreze dielli nuk po i bën dritë.
Në Ohër peizazhet janë kartolina e këndëshme e qytetit, ndjesia e parë dhe e drejtpërdrejtë e tij. Ato të vijnë pranë plot magji e mrekulli, ashtu siç është ky qytet. Për këtë ai është preferuar nga një lëvizje turistike përherë në rritje. Liqeni shtrihet me madhështinë e tij që nga prehistoria. Të eturit për tokë e ujëra e copëzuan atë në të tyren dhe në tonën. Ofshan i gjori liqen në shekuj, s’duron dot, kur në dy a më shumë gjuhë, ia lexojnë emrin e tij të ndryshëm. Kë emër më thonë!? Belbëzimet kthyer në valë nanuriten me bukurinë që ka. Ohri është në vetvete një mrekulli me ndërthurjen magjike të liqenit, qytetit, malit e këto të pushtojnë emocionalisht. Ohri është në mbrojtje të Trashëgimise Botërore të UNESCOS. Tej në lindje, gardhi madhështor i malit të Galiçicës, që ngrihet në një lartësi prej 2255 metra, duket sikur takohet me qiellin. Ai shndërit në diell me nuancat e natyrës e harlisjen e thellë të gjelbërimit dhe kjo është një tjetër shenjë e cila u thotë mysafirëve: Mirseardhët!
Histori që meriton të shfletohet
Kur ndodhesh në Ohër, nxitesh natyrshëm për të mësuar më shumë për historinë e tij. Por sado bëhesh kureshtar, pezmatohesh nga historia e lashtë e zbehur shqiptare. Heshtja dhe pluhuri i harresës së detyruar, duket sikur i ka mbuluar vlerat. Të dhënat historike janë baza e gjenezës dhe kur historia hesht për të vërtetat, i deformon ato, e kur shkruhet e pabazuar e me interesa nacionaliste, ajo e fsheh qëllimisht shkëlqimin e saj të shndëritshëm, të këtij vendbanimi të lashtë. Ohri, si gjithë qytetet, e ka një histori të tijën, të madhe, të shkruar e të pashkruar. Një histori të larmishme e të paqëndrueshme me ngjarje të shumta, dhe dëshmi të pakundërshtueshme, që vërtetojnë mjaft fakte, për të cilat, studiuesit duhet ta thonë me forcën e fjalës, edhe pse ajo nuk ka munguar. Albanologë dhe qartësia e tyre, kanë mundësuar të përcjellin tek mentaliteti njerëzor historinë e Ohrit, duke ndriçuar thesaret e gjenezës sonë, të mbetur në hije. Ata kanë zbuluar gjurmë ekzistence të kulturës ilire, që hedhin dritë me evoluimin e saj në shekuj,si një çertifikatë e moçme e këtyre trojeve.Ato të bëjnë me dije, të venë në mendime dhe punë kërkuese studimore të mëtejshme, për të depërtuar në tërë dimensionin e së shkuarës me argumente, duke zbutur ashpërsinë e urrejtjes me përmasat e tmerrshme, të gllabërimit të trashëgimisë sonë. Dihet se të gjitha i kanë përvehtësuar të tjerët, duke krijuar kështu shtete artificiale nga Iliria e lashtë. Ohri ka një mbijetesë mijëravjeçarësh. Ai është vendbanim ilir i fisit të Enkelejëve, të lashtësisë, tashmë të njohur me emrin Lyhnidos. Nuk është rasti më shumë të shkruajmë për këto thesare me plot të panjohura, por,që hulumtimi i mëtejshën duhet të marrë përmasat pa i humbur ato. Në Ohër, koha ka ruajtur një pjesë të gjurmëve të hershme me pasuri historike të fshehura thellë në gji të natyrës, edhe pse njeriu e natyra janë një binom i pandalshëm në fenomenet shkatrrimtare. Gjurmët më të hershme,të zbuluara këtu, i përkasin periudhave të shoqërisë njerëzore, të neolitit, e që përfaqësohen sot në muzeun e Ujit, në preferi të Ohrit, në brigjet e Liqenit, ose siç njihet ndryshe: Gjiri i kockave. Këto dëshmi me rëndësi për lashtësinë e këtyre trojeve tregojnë se këtu jeta ka qenë e zhvilluar. Ndërkaq, ndihesh po kaq i interesuar të mësosh më shumë për vazhdimësinë e jetës këtu, dhe për morinë e ngjarjeve përshtyplënëse në kohëra. Shekujt do të rendnin dhe evoluan në hapa gjigande me ndryshimet rrënjësore të kufijëve nga furtunat e stepave, lukunitë e ardhacakëve,që gëlltisnin kësisoj troje, artin, kulturën, historinë, të zhduknin thesaret dhe të çrrënjosnin gjithçka nga lashtësia e tij, e të krijonin një perandori të re dhe botkuptim e tyre. Qiellin e kaltër, si një korb i zi, retë e zezonin në fushata të shenjta dhe mjegulla që herë tkurreshin e herë zgjeroheshin. Me pozicionin e përshtatshëm, Ohri ishte përherë në lakmi të pushtuesve romakë, bullgarë, normadë, turq, të cilët tinëzisht dhe mizorisht i fshihnin gjurmët e lashtësisë me shkatërrime. Një popull vdes kur nuk ka histori, dhe i zhduken rrënjët e thella në shekuj. Por një gjë është më se e vërtetë që, banorëve shqiptarë të Ohrit, historikisht, prej padrejtësive të kohës, pushtuesve, shtypjes, diskriminimit u është mohuar besnikëria e historisë. Mëson më tej, se në shekullin e X, i pushtuar nga bullgarët mori emrin Ohrid, që shpjegohet si vend ″mbi kodër″. Ohri është quajtur edhe Ahras, e këtë e vërtetojnë drunjtë e shumtë të ahut. Ai ka qenë në shekuj vatër e atdhetarizmit me ngjarje të spikatura. Aty kanë lindur, jetuar e luftuar burra, që e vërteta e tyre sado ndryshe të ketë qënë duhet paraqitur sot. Ohri ishte qendër e principatës arbërore të Gropajve, e shtrirë nga Dibra, Struga, Ohri deri në Pogradec. Historianët sllavo -maqedonas të Ohrit me kryeneçësinë e tyre të palëkundur, nuk duhet të ngrenë supet përpjetë e të mos harrojnë figurat e tij në kohëra, të kësaj familje si: Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharija Gropa, që në shekujt e XIII-XIV ishin sundimtare të tij. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, e ripushtimit turk, një pjesë e tyre u largua në krahina të tjera. Është interesante të përmendim gjithashtu, se Ohri u bë simbol i qendresës kundër osmanëve turq, e ku janë zhvilluar luftime të ashpra në kohën e Gjergj Kastriotit. Ohri është i njohur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe vendlindja e figurave të pavarësisë: Dervish Himës, Hamdi bej Ohrit, Zuhdi bej Ohrit, protagonistë në kohën ku roli i tyre ishte aktiv, por fatkeqësisht si mjaft territore ai mbeti jashtë kufijve të tokës shqiptare më 1912. Në Ohër, historikisht dominonin shqiptarët; sot ata janë në pakicë si shkak i rrjedhojave, që ofroi shekulli XX, dhe luftërave grabitqare ndaj territoreve shqiptare, sidomos pas vitit 1945 me politikën e famkeqit Rankoviç për spastrimin etnik. Për të i u shmangur pasojave të tjera të mëtejshme, u larguan në Turqi, por edhe në Amerikë e vendet e Europës Perëndimore, plot brengë për braktisjen. Pushtuesit, maestro të padiskutueshëm të udhës ideologjike, buzëqeshnin me dhëmbë skërmitur, duke iu kënaqur largimit të shqiptarëve, mes asaj tymnaje të errët, e të përgojuar, si një e shkuar e zymtë, nga e cila e shohim në sy hapsirën e rralluar prej tyre, edhe në asimilimin klasik të atyre që jetojnë aty. Marrveshja e Ohrit midis liderëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, në gusht të vitit 2001, ishte një tjetër ngjarje në historinë e këtij qyteti. Pamë lëvizje protagonistësh, të mbërthyer në ngërçin e pazgjithshëm të situatave, e ku roli i mëvonëshm i kësaj marrveshje me albitër ndërkombëtarët e humbi vlerën, duke lënë pas shijen e hidhur të mosrealizimit. Historia e Ohrit ka aq shumë për të treguar.
Një perlë për bukurinë e syve
Para syve shtrihej panorama piktoreske e Ohrit. Sa shumë tregon ajo, ndaj, të pushton një kënaqësi, dhe ndoshta pse është e tillë e ndjen thellë. Shpirti gdhend në emocione magjinë e bukurive të tilla, që janë vërtet kënaqësi dhe më tepër. Një raport emocional me të panjohurën e peizazhit të mrekullueshëm, të liqenit, që të shfaqet më befasues para syve, teksa e sodit me një vëmendje ngulmuese. Ai përhap pasqyrime të shkëlqyeshme drite mbi gjithçka, rrugët, pemët, ndërtimet, njerëzit. Përshpëritjet e valëve, si ajo e të dashuruarëve, me hijezimin e ngjyrës çlodhëse të tij, bashkë me retë që kalërojnë qiellit blu, atë përplasjen gjithë finesë të krahëve pulëbardha me aromën e vjeshtës, të mbushin deri në plotësi. Patjetër ndjehesh vërtet i gëzuar, ashtu si qindra e mijëra vizitorë, të cilët duan të fusin brenda vetes sa më shumë lumturi me këto peizazhe. Ngjyra blu e ujit, koloritet e purpurt dhe të shton dëshirën të përjetosh çaste vozitje me katamaran, nën lëkundjen e valëve, që era e lehtë i llokoçit bregut.
Të përhumbur në bukuritë që shfaqen nuk e ndjejmë orët që kalojnë, dhe emocionet të shtohen vazhdimisht. Endur me dëshirën për ta soditur qytetin, syri të rrok rrëke turistësh, aty ku gjenden me shumicë botikë, restorante, kafene. Në faqet e dy kodrave të Ohrit, rrugicat janë me dhjetëra e vargu i shtëpive po i tillë, të ndërtuara në brinjë, të njëra – tjetrës, si një krah i hedhur sup mbi sup. Dielli përplasej në shtëpitë e bardha plot dritë, duke shpërndarë ngrohtësi. Qyteti i shtrirë më poshtë me ndërtime moderne, e rreshta ndërtesash të restauruara, ndërthuret me dekorin e gjelbëruar. Kishat, që janë të shumta, të ndërtuara dhe të gdhendura nga mjeshtërit voskopojarë, të lënë përshtypje me përsosmërinë arkitekturore. Si një admirues i artit, arkitekturës, natyrës dhe së bukurës humbet mes tyre. Nëpër komplekse ndërtesash interesante, të përqëndruara me një densitet të madh, në të dyja anët e tyre gëlojnë lloj-lloj dyqanesh me suvenire dhe ormanente të ndryshme, të cilat ravijëzojnë bukurinë dhe arkitekturën e qytetit. Fryte të mendjes dhe punës njerëzore janë edhe restorantet e gatimeve tradicionale, që ndër shqiptarët ishte më e theksuar. Gjëja e parë që të bie në sy është rregulli, pastërtia, kultura. Në një nga lagjet e vjetra, Çinari, ku banojnë shqiptarët, të tërheq vëmëndjen një rrap shumëvjeçar me trung të trashë e kurorë të madhe gjelbërimi. Jo shumë larg tij një pazar tradicional i një zejtarie autentike, gumzhinte nga turistët. Më tutje statujat e shenjtorëve mbushin sheshet dhe parqet e qytetit me dimesione të ndryshme e mbishkrime cirilike. Një tendecë e qëllimshme kjo,që të zmadhojnë historinë e tyre sllavo-maqedonase. Në majë të njërës nga kodrat dominon kalaja e Samoilit, e cila është pjesa tjetër, që i shton pamjen mahnitëse qytetit. Një rrugicë dredha – dredha, e shtruar me kalldrëm, dhe që gjarpëronte kodrës të shpinte atje. I josh vizitorët ajo, me muret e larta dhe kur i prek ato, padashur futesh në labirinthet e ngjarjeve antike aq të padeshifruara. Koha, kjo shkatrrimtare e madhe ka mbuluar me pluhurin e harresës lashtësinë e saj dhe histori të largëta, e aq më shumë të pathënat, e të vërtetat. Ajo i përket shekullit të IV (prk), por restaurimi, tashmë me ndjesinë e krijimit të madhështisë pushtuese, të shfaqet sikur është ndërtuar edhe njëherë nga e para me një veshje të papërshtatshme. Historia shumë herë ndodh nga shndërrimi i një vendi nga situata e dëshmi të kësaj qenësie, nga gurët, mënyra e ndërtimit të tyre. Ecim territorit të saj, aty ku koha, ngjarjet, luftërat, jeta kanë lënë gjurmë dhe që evokojnë histori. Kujtesa e ngjarjeve të ngacmon mendimet, dhe përfytyrimet gjejnë ca udhë të largëta. Vijnë ato nga thellësia e shekujve me zëra që tingëllojnë në vringëllimat e shpatave, rëndesat e parzmoreve e shkëlqimin e stemave. Furia e erërave të ftohta trazonin valët e bregu të kaltër, por heshtja e gjatë e shkrinte dëborën e pastër. Të duket se këtu takon Aleksandrin e Madh, të birin e princeshës epiriote, Olimbinë, Mbretin ilir, Bardhylin me vështrimin krenar, diku tutje, mbi liqen,dhe luftëtarët ilirë, që me flakëdrite ndriçonin fortesën e enkelejëve. E tretim shikimin në liqen dhe malet rrotull tij, prej frëngjive dhe kullave katrore. Malit të lartë të Galiçicës i dallon qartë jo vetëm konturet, por edhe gjelbërimin e thellë. Re të bardha si copëza çarçafësh shpoheshin nga rrezet depërtuese të diellit, që shkëlqenin në liqen.Nën këtë prarim, kjo pamje mangjepse të bënte më romantik se ç’duhet.
* * *
Një udhëtim i bukur lë mbresa kur përballesh me natyrën e gjallë. Një nga bukuritë e këtij udhëtimi është Shën Nauni. Sigurisht,nuk mund të largohemi pa marrë me vehte edhe përshtypjet e vizitës atje. Në shpirt e ndjejmë gëzimin e këtij udhëtimi, drejt tij, tek ndjekim gjarpërimet e rrugës me sytë e ngulur peizazheve pas çdo kthese. Rrugëtojmë nëpër pyje të dendura, me peizazhe të thyera, por të bukura, të cilat fshehin mrekullisht ndërtimet rrëzë shpateve, që varen ashpërsisht buzë liqenit. I sodit pamjet me dëshirën të fiksojmë të veçantat mikpritëse. Era luante me majat e larta të pemëve. Të freskon magjia e saj që fryn lehtë, magji vjeshte, e këndëshme. Pas kilometrash të pyllëzuara, nën shkëlqimin e rrezeve të diellit në perëndim, Shën Nauni, buzë liqenit në një kodrinë, i rrethuar nga uji e gjelbërimi dhe objekte adhurimi e peligrinazhi për mijëra vizitorë, të shfaqet si mpleksje midis ëndrrës dhe reales. Shën Nauni është një manastir i pagëzuar me emrin e teologut të ditur,Naunit,i cili kishte shërbyer këtu. Me godina të ç’ngjyrosura nga koha, muret e pikturuara me zbukurime të ndryshme kishtare, të zverdhura, shenjtorët e kupolat e dekoruara me motive ëngjëllore kanë një pamje tërheqëse, ku shpirti të humbet në mistikën e tyre. Ndaj, kushdo që vjen këtu e nderon këtë vend të shenjte, një perlë që dora arkitekte e Zotit e ka krijuar kaq mjeshtërisht dhe kaq hyjnore. E kaluara edhe këtu ka lënë gjurmë. Ai dikur ishte territori ynë, i dhuruar fatkeqësisht nga mbreti Zog, Jugosllavisë si kompesim nderesh kur erdhi në pushtet. Ecim dhe bisedojmë, duke u bërë shijues të një mrekullie të veçantë, me vështrim të kthjellët në horizontin e përflakur nga retë e ndezura, dhe diellin që lëshon reflekse mbi valët. Një fllad i lehtë valët i përplaste në breg të liqenit e të shpupuriste flokët. Uji i ftohtë dhe gjarpërues, që gurgullonte nga thellësitë e lartësive të vargmalit kishte intersante një dukuri, që të jepte të tjera emocione. Pranë një ure druri, adhuruesit praktikonin ritin e hedhjes së monellave në ujë, të cilat qëndronin aty e shkëlqenin nga rrjedha e pastër e tij. Sipas një legjende, një bari i vogël nga Shën Nauni punonte në liqenet e Prespës tek një prift. Liqenet e Prespës kanë lidhje nëntoksore ujërash, të cilat ushqejnë liqenin e Ohrit. Bariu, ndërmjet këtyre ujërave u dërgonte familjes së tij të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin e fuste në një thes, dhe ata e prisnin aty në Shën Naun. Një ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohet bagëtia? Bariu i përgjigjet, ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal. Prifti e ruan dhe e sheh veprimin e dërgimit të qengjit në ujrat nëntokësorë të Prespës. Kur vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij në vënd të qengjit, duke e hedhur në ujrat nëntokësor. Të afërmit e djalit në vend të prisnin qengjn gjetën trupin e djalit. Që nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë e njerëzia hedhin monella në kujtim të bariut. Heshtim për pak çaste për të kërkuar fjalët që ndjejmë pas rrëfimit të kësaj legjende nga bashkudhëtari ynë, Zamiri. Pemët e larta, uji i gjelbër, që reflektohet në sfondin plot dritë të dhurojnë një ndenjë qetesie, dhe kjo të bën të mendoje se po jeton një përrallë. Është kaq bukur sa mbetesh pa fjalë. Por, kënaqësisë i shtohehen edhe spektaklet e mrekullushme të fazanëve dhe mjelmave, aty ku uji formonte disa liqene të vegjël, që gurgullimën e kristalartë, e vijonin qetësisht në liqen.
* * *
Përsëri në udhë, po tani atë të kthimit. Vështrimin herë pas here e rikthejmë mbi tokën që lamë pas. Dielli, në mes reve të bardha, perëndon i zhytur në horizont pas maleve. Valëzat e liqenit nëpër pllaquritjet sikur kërcejnë një vals në muzg. Zhurma e motorrit të makinës që mbushte zbraztësinë e pamatë të natës mbytej nga tinguj kënge.
AFORIZMAT,- VLERA QË PASQYROJNË SHPIRTIN E NJË KOMBI
NGA PËLLUMB GORICA/*
Çdokush që merr në duar një libër me vlerë, me të vërtetë ka marrë një thesar. Ndaj, gjithsecili prej nesh duhet të shprehet me fjalë shpirti për atë, ç’ka autorët u servirin lexuesve. Çdo lexues ka mënyrën e vet të të lexuarit dhe të zbërthimit të asaj çka lexon. Leximi i përciptë është i barabartë me asgjënë. Në rastin në fjalë përgjegjësia e leximit është shumë e madhe dhe mund të përkufizohet baraz me rikrijimin.
Jam i emocionuar teksa shfletoj “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, të një botimi serioz dhe me vlera akademike. Sepse me këtë botim jemi përballë faktit, që evidentohet dhe mundohet të përçohet jo në rrugë mekanike, por nëpërmjet rileximit aktiv një botë e madhe shpirtërore dhe filozofike kryesisht nga autorë shqiptarë, mjeshtra të fjalës poetike dhe të prozës së gjatë, që i kanë dhënë letërsisë sonë dimesione interesante. Është një fushë e vështirë ku përmblidhen pikë-pikë sentenca dhe filozofi të caktuara, të shëndërruara në urtësi. Botime të tilla në këtë drejtim janë të pakta, përveç disa dhe kjo prej vullnetit dhe ambicjes së autorëve. Ajo që ia shton më tepër vlerat botimeve të tilla është se ato shprehin mendimin e latuar të gjithë sferave të jetës, të shqetësimit të përhershëm krijues, i cili rreh me pulsin e kohës. Me mundësinë e zgjedhjes dhe të seleksionimit më të mire e më të përshtatshëm të kësaj urtësie proverbiale, ato janë rreshtuar në 4 vëllimeve interesante, të cilat spikatin si vlera kombëtare dhe lartësojnë e i ngrejnë një kult mendimit krijues e filozofik të kombit tonë. Aforizmat janë mesazhe të cilat kanë dalë nga përballjet e herë pashershme të njeriut me jetën. Janë rrethanat shoqërore të cilat kanë prodhuar e vazhdojnë të prodhojnë përvoja. Pra, grumbullimi i tyre nga individë të veçantë aq sa është e lehtë në pamje të parë, ka vështirësitë e saja.
Mbledhësit e këtyre aforizmave në vetvete janë filozofë të vërtetë, njerëz të urtë, siç thotë populli ynë, njerëz me botë të pasur shpirtërore me principe dhe koncepte të gjëra. Ata, pasi kanë rënë në konkat me to, gjatë rrugës jetësore e kërkojnë urtësinë me këtë lloj komunikimi me bagazhin e pasur dhe këmbënguljen e bletave punëtore Thimi Mitkos dhe Fatos Mero Rapajt, janë munduar që këtë pasuri me vlera të ja shpërndjajnë të tjerëve.
Në parathënien botuese autorët shprehen: “Aforizma ka ngjashmëri me fjalën e urtë popullore, por kjo duhet të ketë vlerë më të qëndrueshme, më shkencore dhe më të kapshme, pra shkalla mençurore e saj është mjaft e lartë” dhe se ato “nuk durojnë shprehjet e mendimeve ekstreme…”. Këto aforizma janë interesante dhe në çdonjërën duhet të ndalesh gjatë e të kuptosh thelbin e tyre, duke zbuluar thesare vlerash, Aforizmat tregojnë një rregull të jetës, një normë jetike, një të vërtetë të pamohueshme “… Janë dëshmi e përjetimeve, dëshirave, urtësisë, janë shpirti i një kombi”. Të mbledhësh, botosh aforizma, thënie e mendësi krijuese të ekstrakteve filozofike, do të thotë vlerë dhe shenjë mençurie, pasi përdorimi i tyre përbën një mënyrë të veçantë komunikimi, duke i dhënë një aftësi më të madhe shprehje dhe kolorit gjuhësor. Si pasojë përkufizimi i tyre në grup është shumë i vështirë se çdo aforizëm është një zbërthim filozofik si dhe një vëzhgim i gjatë i atyre dukurive dhe ngjarjeve që ndodhin brenda botkuptimit tonë. Autorët, duke mundur t’i përshkallëzojnë ato kanë shpalosur edhe vlerat e autorëve, mendimin filozofik, të joshur nga kompleksiteti i notave shpirtërore.
Pikërisht këtu qëndron dhe merita e tyre, të cilët jo vetëm i kanë qëmtuar ato në vite, siç nxirren nga fundi i detit perlat, me anë të shfletimit, nga bisedat e përditshme me miq, të njohur e të panjohur, por edhe i kanë paraqitur në një nënrenditje logjike, që lenë gjurmë te lexuesi e të bëjnë të meditosh për esencën e thënë. Në fakt është një qëmtim i hollë i së bukurës, ndjesores, të veçantës, logjikes, se aforizmat janë si diamantet që shkëlqejnë. Këto nënrenditje, që përjetohen me notat e vetë brendisë lexuesin e njohin, dhe e bëjnë pjesë të mendimit goditës, të drejtë, të panshëm, depërtues të ndjenjës, duke e paisur atë me forcën e jashtëzakonshme, e për të zbuluar të bukurën atje ku është në të vërtetë. Gjithsesi secili veçon të bukurën nga e zakonshmja, të këndshmen nga e thjeshta.
Duke i shfletuar në detaje aforizmat e autorëve shqiptarë, arrijmë të takohemi në mënyrë artistike dhe të hyjmë në një lidhësi të mozaikut jetësor, ku perfetizohet mirkuptimi, bekohet humanizmi e natyrisht ngrihen në obelisk vlerat e krijimeve. Arti, kur zbret brenda gjëndjes shpirtërore të njeriut, le gjumë të pashlyeshme, por i shprehur në momente të caktuara lind vlera monumentale.
Të jesh poet, shkrimtar, historian, mendimtar duhet të jesh patjetër shpirt dhe frymë e shkronjave, Ai që të prek në shpirt me fjalën e tij të thellë, edhe lotin e kalon nga shpirti dhe e bën të flasë. Të krijuara në çaste frymëzimi a gjëndje pezmi nga realiteti i kohës, , kërkimtare drejt së mirës, realizativ të dëshirës dhe vizionare të së ardhsmes nga ana tjetër të bëjnë të reflektosh dhe të të mbesin në mëndje me shijen e mirë. Aforizmat janë të kapshme nga lexuesi dhe sintetizojnë në vetvete mesazhin ideo- tematik dhe ideo-estetik të qënit më shumë se aforizma, të mbledhura vetëm nga autorët shqiptarë, jo vetëm artistike, por edhe shkencore. Të pashembullta, origjinale e të patjetërsueshme në këndvështrimin moral janë këto aforizma edhe në këndvështrimin artistik.
Simbolika e tyre aludon dhe perfomon një tedencë vizionare në qënien e njeriut, të cilin e imponon koha, por kjo simbolikë rigjeneron botkuptimin dhe vullnetin e vetë qenies, duke e drejtuar atë në kërkim të mesazheve të mirësisë profetike. Jetojmë në një kohë mjegullore e të etur për mesazhe mirkuptimi dhe secili nga ne, herët apo vonë, ballafaqohet me forcën që kanë ato. Temat psikologjike, të cilat janë shumë të domosdoshme për lexuesin, ndihmojnë të merren vendime të drejta në jetë dhe me pak fjalë me shumë këndvështrime pozitive për njerëzit, të cilët janë ose kanë qënë apo do të jenë pjesë e sfidave gjatë jetës së tyre. Në brendi të tyre ideja shprehet qartë dhe kuptueshëm, duke prekur qëndrën e trurit.
Lexuesi do të ketë rastin që gjatë leximit të tyre, të njihet me aspektet e jetës së përditshme, të rrok e prek të gjithë cepat e shpirtit njerëzor ku si bërthamë kanë dashurinë e respektin e tij. Duke hyrë në anët më intime të jetës njerëzore ato shprehin një vizion të mendimit të lartë e konkret shoqëror. Lexon në brendësi të çdo aforizmi elegancë dhe ndjeshmëri të lartë, shpresa të pafundme me koficient nënshpirti të rrokullisura në logjikën e së përditshmes, por edhe mesazhe jetëdhënëse për të nesërmen, të shprehur në formë lakonike, duke shërbyer si dritare nga mund të thithet informacion dhe dije për gjithkund. Janë përvoja filozofike të një kombi me vlera përgjithësuese të cilat e kanë provuar veten etyre në rrjedhen e shekujve.
-Kush ndëgjon vetëm një këmbonë ndëgjon vetëm një zë. Frang Bardhi
-Rrezja që s’sheh veten, por të gjithë i hijeshon! Jeronim De Rada
-Ajy, që është burrë s’e vret atë që ka zënë, as të falurit kurrë, s’i merr as shpirtin as gjënë.
Naim Frashëri
-Kur njeriu e ka zemrën plot me dashuri, shpirti i ushqehet me shpresa.
Pashko Vasa
– Fol vetëm për ato gjëra që i njeh, për të tjerat hesht. Sami Frashëri
-Moti i ri mos të gjej vetëm një mot më plak, por edhe një mot më të mençur. Fan S. Noli
Nuk vlen jeta më për mua, kur të bëj atë që s’dua. Ali Asllani
-Se s’mëson vendi me nji mik, me sa rron sorra me’i fik. Gjergj Fishta
-Sa më tepër bylbyla cëcërisinin në terr të natës, aq më fort afrohet agimi i pritun.
Ernest Koliqi
-E djeshmja ka ikur. E nesërmja s’ka ardhur. Nënë Tereza
-Atje ku ka më shumë dashuri, atje edhe dhembja është më e madhe.
Rexhep Qosja
-Nuk flasin letrat as thashethemnajat, por vetëm punët. At Zef Pllumbi
-Gjithçka duket e bukur nga larg. Sa i afrohesh prishet. Ismail Kadare
-Arsyeja arsyeton, kurse vetëm zemra drejtpeshon. Adem Demçi
-Kushdo që te jesh, nuk mund të mjaftohesh me vetveten. Azem Shkreli
-Pushteti i fjalës është i veçantë, gatuan male dhe kakërdhi, me fjalën rrjedhin
përrenj me mjalt, pikojnë çezma me helm të zi. Dritëro Agolli
-Dikush hyn nga dera, dikush nga dritarja a deriçka, dashuria nga të tria.
Xhevahir Spahiu
-Pa nder nuk është ë bukura e bukur. Kasem Trebeshina
-Kurrë nuk është e gjatë rruga që të shpie drejt së vërtetës.Nasho Jorgaqi
– Paska thënë një i mbarë, rrena nuk do dëshmitar. Rifat Kukaj
-Të mos mund të jetosh, është më e lejueshme se të mos dish të jetosh.
Zija Çela
– Ai që nuk ka pru asgjë në zgjua, nuk ka të drejtë të provojë mjaltin. Isuf Luzaj
-Koha kalon dhe nuk fal askënd. Len detyrime, vjedh lumturi. Brunilda Zllami
-Vetmia më shumë se të vret të shëmton. Flutura Açka
-Lufta është mallkim për shumë njerëz, por është shpetim për disa të tjerë.
Ben Blushi
-Atij që mëndja i pjellë pa da /mendimi i dytë / të parin e ban me ra. Pashk Gjeçi
-Shumë njerëz as mbjellin, as korrin, por hambarin e kanë plot. Nonda Bulka
-Mbahu… në s’do të të mbajnë nëpër gojë. Jakov Xoxa
– Një vend pa moral e krenari i ngjan guackës boshe. Ali Podrimja
Mesazhi filozofik i autorëve, ndërkohë lartëson fokusimet e veprave cilësore me mbështjelljen shpirtërore, sepse përditë e më shumë sheh tituj librash të botuara vend e pa vend. Në lëmin artistik çdo krijim flet me ndjenjën e individit, ku jo në të gjitha rastet ai zotëron profesionalizëm dhe origjinalitet. Të botosh një libër në radhë të parë është përgjegjësi e madhe për autorin dhe pastaj për botuesin, i cili duhet të shoh përtej interesit cilësinë krijuese, vërtetësinë dhe vlerat e tyre, sidomos kur flitet për mendimet rreth artit universal shpirtëror. Sot në fakt botohen edhe vepra mediokre; romane, ku krijimi le shumë për të dëshiruar, apo vëllime poetike, që vetëm të tilla s’janë me vargëzime të copëzuara në rrokje fjalësh dhe pa frymë metaforike. Mendimet e shkruara dhe vargjet nga një autor bëhen pjesë e plagjiaturës së një autori tjetër. Kjo dukuri negative si në gjithë sferat e tjera edhe në fushën e krijimtarisë është e ndjeshme dhe një realitet shpirtëror i cli shitet e blihet, pasi sot për sot disa kanë mundësinë financiare, por s`kanë pasurinë shpirtërore. Paratë nuk kanë këmbë, por vrapojnë për të blerë gjithëçka dhe inkurajojnë antivlerat, mediokritetin.
Prodhohet kështu krijimtari nga të gjitha gjinitë me pompozitet fals. Ndaj është e rëndësishme për atë që shkruan të përfaqësohet denjësisht me vlerën origjinale të krijimit.
Botimet “Aforizma nga autorë shqiptare” i Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, si një dëshmi e punës përkushtuese e me vlera të veçanta, duhet të lexohet nga ata të duhurit dhe të nxirret më e mira në art. Profesionaliteti dhe zotësia e autorëve në përzgjedhjen e vlerave, tregon bukurinë shpirtërore të tyre, njëkohësisht tregon prokupacionin, zgjuarsinë dhe dëshirën për t’i ardhur në ndihmë njerzimit, por edhe inkurajimin pa cmirë të shpirtit krijues nën dritën e këndvështrimit evidentues e të mirëfilltë të artit. Sepse çdo kush duhet të bëj diçka që gjërat e bukura të vlerësohen. Shoqëria jonë vazhdimisht ka nevojë dhe nuk ngopet me botime të ndritura arti.
Le t’i mbyllim këto shënime modeste, duke u lënë mundësinë të tjerëve nga këndvështrime të ndryshme, të gjykojë dhe reflektojë mbi vlerat e këtij botimi.
Urime autorëve për punën pasionante, çmuese, inkurajuese, që dëshmon për fisnikëri shpirtërore!
*Shënime rreth botimeve “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj/
ZËRAT E LASHTË TË NJË QYTETI
NGA PËLLUMB GORICA/
Lashtësia me zërin e saj,këtu në Lezhë shpesh herë të çon në gjeneza mahnitëse,që zëvëndësojnë mrekullisht edhe muzetë e biblotekat me në zë.Ajo, si një trung peme,ka ngulur rrënjët thellë,dhe me degët e gjelbërta,të shtrira në shekuj.Koha,kjo rrafshuese,nuk ka mundur në asnjë mënyrë të fshijë çdo gjë nga lavdia e hershme.Mjafton të prekësh një fragment muri të lashtë,një relike, një armë prijësi,që edhe pse të ndryshkura nga shekujt,emblemën e tyre të lirisë e kanë mbajtur përherë të re dhe të pandryshuar,dhe kjo është Lezha.
* * *
Atje ku gjithmonë janë përplasur stuhitë e kohërave,vëmendja e gjithë studiuesve është ftesë për ta hulumtuar atë.Rishkrimi dhe pasqyrimi i historisë janë treguesit më bindës të atdhedashurisë dhe krenarisë tonë,si dhe një respekt më shumë për identitetin tonë,kulturën e lashtë.Ndaj,duhet të hidhet dritë mbi të shkuarën e largët.Historia e Lezhës ka kaluar nëpër pushtime, shkatërrime,djegie,emigrime për mbijetesë nga kërcënimet,presionet e pushtuesve dhe zhvillim ekonomik e arkitekturor të lartë. Gjurmët e lashtësisë dhe qytetërimit të kahershëm,të pranishme që nga thellësia e shekujve nuk janë tretur në shfarosjen shkatrrimtare,edhe pse pushtimet dhe fatkeqësitë natyrore kanë zhdukur jo pak prej tyre.Kalaja, muret e qytetit antik,të Lisit të Poshtëm,të çngjyrosura nga koha dhe me kaq shumë mistere,e shtrijnë hapin deri më sot si vazhdë stërgjyshore të këtyre trojeve.Ato si dëshmitare të shumë ngjarjeve në shekuj,e të ndodhura pranë tyre,e kanë përjetësuar historinë herë si mbrojtëse të armikut,që mund të asgjesonte jetën në këto troje. Jetën e kanë përgjuar dhe kërcënuar pabesisht erërat e grykave të errta.Kohë pas kohe rrapëllimat e turmave me mishmashet e gjuhëve,flamuj e stema të praruara, shpata e mburoja nën trokëllimën e kuajve janë maihsur prej hijeve të zgjatura të mjegullave,që zinin vend shpesh herë dhe toka hapej e nuk ngopej me gjak luftëtarësh.Kronikat e kohës kanë shkruar këto, dhe jeta sado me vështirësi prapëseprapë është përtërirë.
Lezha e pajisur me bukuri natyrore:male,fusha, lumenj,detin pranë, shtrirë në fushë dhe rrëzë një kodre shkëmbore mes një peizazhi të gjelbër e të kaltër,të shfaqet si një pasqyrë drite. Sapo shkel aty përballesh me rrënoja të braktisura industriale,shenja këto të ndërtimeve të sistemit të kaluar komunist,dhe godina pallatesh me një arkitekturë të varfër,e uniformë kaq të ngjashme me njëra-tjetrën,që të futin në shpirt një zbraztësirë të mërzitshme.Kjo është edhe përshtypja e parë që të krijohet.Ndërsa, kalon urën mbi lumin Drin, qyteti të deh me ngrohtësinë e diellit,gjurmët e heshtura të qytetërimit të lashtë,që të bëjnë të mbash hapat gjatë,e këto të fusin në mendime të thella.Të befasojnë ato bashkë me ndërtimet e reja,të dukshme në këto vitet e fundit,me një stil bashkëkohor, duke dëshmuar se lashtësia ka udhëtuar në shekuj bashkë me jetën e qytetit. Duke soditur gjithçka që të shfaqet para syve,ne përfitojmë një pafundësi emocionesh.Ndaj bëhesh tjetër njeri nga moria e tyre që i ndjen çdo çast.Tej,në horizont,në një nga lartësitë shkëmbore që arrijnë në majën e malit Sheldun,ku antena e repetitorë (dhënëse) kërkojnë të zgjasin majat e tyre,ravijëzohet kalaja. Vështrimi të përhumbet në një meditim të thellë në historinë e saj,por ndjesia më e këndshme të kaplon kur ngjitesh dhe e viziton atë,nga ku qyteti të shfaqet anë e kënd.Ajo është e njëjtë si shumë kala të tjera ilire,të ngritura në maja kodrash për vetëmbrojtje,e cila vërteton lashtësinë e këtij vendbanimi.Një kala,që e ruan madhështinë e saj edhe sot,ku ndërthuren ngjarje, prinjës, legjenda.Këtu kanë jetuar pirustët,një nga fiset e njohura ilire.Autorë të ndryshëm që nga antikiteti si Polibi,Tit Livi,Prokopi i Çezarës,Anonimi i Ravenës,Ana Komnena në shënimet e tyre e përmendin Lezhën,si një ndër qytetet tepër të fortifikuar dhe luftarak në bregdetin e Adriatikut.Aty ku mbretërit ilirë Pleurati,Agroni, Bardhyli, Teuta, Genti jetuan e luftuan gjatë. Mbretërit ilir dhe të tjerë që kanë sunduar pas tyre me ngjarjet madhore e kanë bërë Lezhën,që në shekuj të shfaq qëndresë në segmente të rëndësishme mbijetese,falë vitalitetit shpirtëror dhe atij luftarak.Lavjerrësi i kohës ngecte dhe i ndryshonin emërtimet qytetit.Ndaj,në kohërat e ekzistencës së tij,shumë herë e ndërroi atë sipas rrethanave.Është njohur:Lissitan,Lisi, Lissos, Lisum, Lission,Lesh,Alesio,për të arritur tek emri i sotëm,Lezhë.Kur i hedh një vështrim të shkurtër rrjedhës së historisë së Lezhës,sikurse është dokumentuar,qyteti është përmendur edhe për rolin e madh në bashkimin e Arbërisë.Mjafton fakti se këtu,në 2 mars të vitit të largët 1444,u bashkuan kryetrimat e Arbërisë: Gjergj Kastrioti,Gjergj Arianiti,Andrea Topia,Tanush Topia,Teodor Korona Muzaka,Gjergj Stres Balsha,Pal dhe Nikollë Dukagjini,Lek Zaharia Altisferi, Pjetër Spani,Lek Dushmani,etj,të cilët vendosën një aleancë të bashkimit arbëror,me kushtrimin për të mbrojtur trojet nga vërshimet shkatërruese osmane.Një akt historik,që u kishte hije prinjësve për t’u bashkuar,se osmanët po kërcënonin Arbërinë.Ajo ishte edhe pika kulmore e shtetit në mesjetën shqiptare.
Të gjitha këto të nxisin kureshtjen për ta njohur më mirë këtë qytet historik. Kalaja ishte edhe një kryeqendër e familjes princërore të Dukagjinasve, zotëruese e territoreve të Veriut të sotëm të Shqipërisë në shekujt XIV-XV,që përbën edhe një krenari për lezhjanët.Është tepër interesante kjo periudhë për këtë vendbanim të lashtë.Ndaj arkeologjia shqiptare së bashku me bashkinë e qytetit i kanë kushtuar më shumë interes kësaj kalaje,që ne(edhe vizitorët e huaj)të ndjejmë e të prekim bukuritë e vlerat historike,të cilat flasin me zërin e së shkuarës e të na bëjnë të rritet krenaria,duke e shfrytëzuar atë maksimalisht,për avancimin e turizmit,sidomos kur bëhet fjalë për lashtësinë tonë.
Të duhet shumë kohë të vizitosh Lezhën,por në pamundësi për të parë gjithçka,ne i kushtuam interes qendrës historike ku,pamje,ndërtime arkitekturore i japin qytetit një bukuri të veçantë.Një kishë madhështore,e ndërtuar në anën djathtë të qytetit,është një vepër e shkëlqyer arti me mjeshtëri në teknike e kombinacione.Diku,afër saj shtrihet një lagje me shtëpi të shpërndara në pjerrësinë e kodrës dhe pamje të tjera të bukura.
Historia e lashtë,kultura e trevës ka frymëzuar skulptorët të krijojnë kryevepra për Lezhën,të bukura,tingëlluese,shprehëse.Ata janë përpjekur të shpalosin vlera artistike,duke e ngritur në art çdo gjë të thjeshtë,që kënaqin e lumturojnë shijet e vizitorëve.Janë këto vlera të spikatura dhe befasuese, për këdo që vjen për herë të parë këtu,të njihet me traditat kombëtare,të cilat marrin vlerë.Në qendër të qytetit të tërheq vëmendjen monumenti i Besëlidhjes së Parë Shqiptare.Më tej,një gur simbol,që në thelb ka një mbishkrim kuptimplotë: “Mirënjohje atyre që shtegtuan me vdekjen në kërkim të ëndrrës së vrarë të një kombi”.Pak më tutje,të mrekullon magjishëm statuja e poetit tonë kombëtar, At Gjergj Fishta,një prej figurave më poliedrike shqiptare.Ajo ka gjatësinë e 3 metrave dhe është ndërthurur me një skulpturë tjetër pranë, e mbështetur në një shtyllë, ku figura e një burri lakuriq ka forcë shpirti,të disa elementëve plotësues:Ora e Shqipërisë,libri,koka e dhisë dhe lahuta.Kush e ndjen artin,nuk mungon të gjej në këto simbole rikrijimin e muzës poetike,të vargjeve epope të kryeveprës së At Gjergj Fishtës“Lahuta e Malcisë”,njërës prej veprave më të famshme të poezisë sonë kombëtare.
Memoriali i Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastrioti në trajtën e një katërkëndëshi,apo ndryshe siç njihet vendvarrimi i tij,përbën një tjetër pasuri të jashtëzakonshme dhe me vlerë historike e kulturore për kombin,ku ruhen gjurmë nga e kaluara e largët,dhe si çdo monument tjetër që ngjall kureshtjen ai është tepër i rëndësishëm për gjithë shqiptarët.Të vizitosh atë është një krenari e veçantë,sikurse dhe historia që mbart ky vend.Memoriali është ngritur në rrënojat e kishës katedrale,që mban emrin e Shën Nikollit,e cila pas pushtimit turk u kthye në xhami.Megjithëse e dëmtuar nga erozioni i kohës,ajo përsëri ruan pjesë të saj.Por,e kthyer në një qendër të vizitueshme për qindra e mijëra vizitorë të moshave të ndryshme,vendas e të huaj,dhe e ndërtuar para 30 vjetësh me formën drejtkëndore,natyrisht me një konfiguracion imponues,
është në sytë e tyre rrezatuese,e krenari legjitime.Ndërsa hyn brenda tij,i vështron me admirim objektet e pasqyruara,të një periudhe të ashpër për fatet e kombit tonë.Aty janë ekspozuar shpata,heshta,mburoja,por,ajo që evidentohet më shumë janë flamuri i kuq i thurur me një mozaik gurësh, të vegjël me shqiponjën dy koka dhe një bust reliev i Gjergj Kastriotit,vepër e Skupltorit të mirnjohur,Artist i Popullit Odhise Paskali,shoqëruar nga përkrenarja dhe shpata e tij(kopje).Janë 25 mburoja prej bronzi,që artistikisht simbolizojnë tablo të betejave kryesore:Vajkalit, Mokrës, Oronit, Pologut, Dejës, Ohrit,Krujës, Beratit etj,që flasin jo vetëm për fitoret e arritura,por edhe ato të humbura,të cilat fatkeqësisht janë vetëm dy(ajo për mbrojtjen e kalasë së Beratit dhe beteja e Stefigradit).Si pika nevralgjike,të ngjarjeve aq të rëndësishme të shekullit XV,mbeten një pjezës e vogël e historisë së luftërave në trojet tona për mbijetesë nga pushtimi osman,ku shqiptarët përballuan stuhitë e fuqishme pushtuese.Kalojmë nga njëra mburojë në tjetrën dhe ndjejmë se këtu gjëmon historia e bëhemi më krenar për betejat e largëta të lidhura me Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastriotin,shqiptarin më të çmuar të të gjitha kohërave.Ishte koha kur fama e tij kaloi kufijtë e territoreve tona,të cilit koha i dha përgjegjësinë e madhe të luftonte për arbërinë,që edhe pse nga osmanët mbajti emrin Skëndërbe.
* * *
Ngjatetohesh me Lezhën dhe dëshira për të ardhur përsëri,e për të shkruar më shumë për këtë qytet me histori të lashtë e krenare është ftesë e përhershme.Rrezet e diellit me shkëlqimin e tyre përplasen në rreshtat e kolonave të mermerta,të memorialit dhe rrënojave të vjetra të kohërave antike. Ato shkëlqejnë ashtu si shkëlqejnë dallgët në diell dhe historia plot lavdi e këtij qyteti.
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9