Nga Pellumb KULLA/
Në kalendaret e historisë së shqiptarëve ka plot ditë të tjera shumë më të përgjakshme se 21 janari, por kjo e janarit, përveç gjakut ka në ballë edhe turpin, ngaqë shënohet në kalendarin e bardhë të të ashtuquajturës demokraci brenda kornizës së BEsë dhe NATOs.
Ishte i rëndë dhe i turpshëm 21 janari i 2011, por gjithsesi më pak i rëndë dhe më pak i turpshëm se këta dy, të 2015 dhe 2016!
Para pesë vjetësh vrasësit ishin prepotentë, të paprekshëm. Ata vranë katër vetë teksa po mbanin duart në xhepa dhe tani që njohim karakterin e pushtetit të tyre, ai akt kriminal, thjesht, u shtohet historive të përgjakura qeverisëse në arkivat e njerëzimit. Ajo histori e tyre vrastare pasurohet me faktin se patën dy vjet e gjysmë kohë, që formalisht ta mbyllnin kapitullin me gjyqe të stisur dhe me fajtorë nga kundërshtarët që po u rrezikonin tua shqitnin kulltuqet nga bythët.
Nuk e bënë dot… Kësisoj ishin gati të mirëkuptuar, edhe kur I soditnim tek fshihnin gjurmët e krimit me shuarjet e filmimeve, ndërrimet e tytave, injorimet e prokurorëve…
Edhe 21 janari i vjetshëm, bile, ishte më i kuptueshëm dhe më pak i turpshëm se ky i sivjetmi! Sivjet, 21 janari ulurin dhe çirret! Pritet sërish të mbulohen hipokritikisht me lule njollat e gjakut të përfytyruar në bulevard, në vendet ku u gjendën shtrirë ata të vrarët me duart në xhepa…
Dhe do të dërdëlliten premtimet e reformës në drejtësi… Kjo përralla me reformë, do t’u shtohet luleve sivjet…
Ju kam dhjerë reformën!
Ju kam dhjerë konsensusin, ekspertët, amendamentet për Venecien, vetë Venecien dhe përpjekjet e ambasadorit amerikan! Premtoni alpet, kur nuk ngjisni dot një pirg dheu!
Nuk ka reformë më të thjeshtë se sa kjo e juaja:
Formuloni një akuzë për 21 janarin dhe shpjereni në gjykimin e Llallës, Venecies, Brukselit dhe Uashingtonit! Ose dorëzoni për hetim dy akuza të kundërta: një të kësaj qeverie për të shkuarën dhe një të qeverisë të shkuar për këtë të sotmen! Lerini listat me Rrugë Kombi, parajsen e Gjirit të Lalëzit dhe të Surrelit, me Gërdec dhe me naftën Millosheviçit! Ndaluni tek njëra! Përqendrohuni veç tek njëri nga turpet e kësaj gjenerate politikanësh! Qërroni dhe kthjelloni 21 janarin 2011!
Dhe ta shikoni sa e thjeshtë është reforma juaj e famshme e drejtësisë! Jepini paqë pikëllimit të 21 janarit dhe do ta shikoni se reforma është bërë vetvetiu!
Se ai 21 janar, e ka një fajtor.
Dhe ai fajtor, daçi besoni, daçi mos besoni, ai nuk jam unë! Prandaj kam kaq vrer, kaq përbuzje dhe mushkëri që të ulurij që këtej: ju kam dhjerë mu në reformë! Dëgjuat?
SHËMTIA E TË VËRTETAVE TË PËRKOHËSHME
Dyzet vjet nga vdekja/
Shkas nga vlerësimet e Enverit për Abaz Kupin/
NGA PELLUMB KULLA/
E kam ende fjalën për të vërtetat që nuk zgjatin shumë, apo që bëhen gënjeshtra e prapë rilindin siç ishin. Një nga pararendësit e këtyre çudirave me prestigjatura historike është i mirënjohuri Enver Hoxha, i cili i ndërronte interpretimet historike duke e lëvizur timonin sa nga një anë nga ana tjetër e duke tërhequr në këto lëvizje marramendëse aradhën e historianëve shumica e të cilëve mbijetuan edhe sot gëzojnë nderet si punonjës të shquar shkencorë, por që nuk e ngritën asnjë herë zërin për driblimet e dehura të udhëheqësit. Dhe sinqerisht e pranoj se edhe nëse nga këto tangot e diktatorit u vinte për të vjellë, këta të gjorët duhet të llogaritnin vdekjen po të ngrinin zërin kundër. Është tani që doktor profesorët e nderuar më duken më të neveritshëm se atëherë, për konseguencat bezdisëse që u duhet të ruajnë…
Por le të kthehemi tek dashi përçor, Enveri, i cili mund t’u kishte shtuar veprave të tij 100 vëllimëshe edhe një vepër bardhezi, me opinionet e tij laramane mbi Fan Nolin, Nako Spirun, Mehmet Shehun dhe shtatëqind e kusur të tjerëve.
Le të fokusohemi tek vlerësimi i Abaz Kupit…
Është një artikull i famshëm i Enver Hoxhës (kur ky nuk kish filluar ende nga pushkatimet e shokëve!) shkruar në gazetën e tij “Zëri i Popullit” që daton 13 shkurt 1943. Në artikullin “Bazi i Canes, Myslim Peza e Babafaja Martaneshi”, Bazi Canës, alias Abaz Kupi, udhëheq treshen e kryeluftëtarëve dhe himnizohet aty si një nga legjendat e rezistencës antifashiste.
Më pas, dy të tjerët e ndoqën partinë e komunistëve në bëmat e saj, kurse i pari, Bazi, doli nga rreshti dhe iu kundërvu Enverit sapo e nuhati busullën e tij dinake. Kjo pa dyshim solli tërbimin e Hoxhës dhe ky e cilësoi tradhëtar burrin që e shmangu qafën nga zgjedha qëtirani i ardhshëm po i ofronte. Ishte ai burri që, sipas fjalëve rrëzëlluese të Enverit, katër vjet të shkuara, në prill të 1939, kish luftuar forcat e armatosura italiane që po zbarkonin. Katër vjet major Kupi qëndroi me pushkën në frëngjitë e Durrësit kundër italianëve bashkë me luftëtarët e tij, nga të cilët heroi Ulqinaku ra duke luftuar. Mujo Ulqinaku vazhdoi të luftonte dhe lufton edhe sot edhe meriton nderimin tonë më të lartë. Kurse komandanti i tij, Abaz Kupi luftoi vetëm katër vjet! Enver Hoxha që nuk u ndodh as edhe katër sekonda në ato frëngji kur po mësynin okupatorët e fshiu nga lista heroin e prillit. E fshinë edhe këta doktorët që tundin medaljet shkencore edhe sot. Kështu Abaz Kupit i rreshtën breshëritë dhe grykat e zjarrit deri në vitin 1990. Vetëm atëherë, pas viteve ’90, luftëtari Abaz Kupi u rikthye të luftojë përsëri në vijën e parë të rezistencës. Dhe lavdi Zotit vazhdon të luftojë edhe sot.
Ah sa zbavitës janë këta fakte!
Por le të vendosim në këtë faqe fjalët origjinale (megjithë gabimet ortografike dhe përzjerjet dialektore!) të “udhëheqësit lavdimadh” të Luftës Nacional Çlirimtare…
“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”
*Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
LAMTUMIRE ARQILE LICI!
NGA PELLUMB KULLA/*
I shtrenjti Leu, i paharruari Arqile!
Jo më larg se para dy ditësh, nuk mund të mendoja kurrë se do të vija për ty në këtë vend të trishtë, o i shtrenjti miku im, dhe do të mbaja këtë fjalë! Dhe jo vetëm unë, por këtë nuk e mendonin as familjarët e tu të dashur, shokët, kolegët, miqtë e tu aq të shumtë anë e mbanë kësaj bote.
Ne po i japim tokës së ftohtë trupin tënd, atë gjë të përkohëshme, që do t’ia japim të gjithë, por tek ata që të njohin e të duan, ti, Leu ynë i paharruar, do të lesh pas shumë:
Mbi të gjitha do të lësh pas, kujtimin e përkushtimit tënd të rrallë në çdo gjë që bëre, kudo që u ndodhe dhe bëre vend, në teatrin dhe estradën tonë të Fierit, në Vlorë dhe në Tiranë, në hartën e gjërë të detyrave civile, apo ushtarake që të besuan dhe t’i vlerësuan, në skenë apo ekran; do të lësh pas kujtimin e pasionit tënd, nervit, gjallërisë karakteristike në çdo punë e vepër, në çdo bisedë, debat, a dialogim; do të lësh kujtimin e përkrahjes që i ofrove çdo njeriu, apo çështjeje, në të cilat ti angazhoheshe pa kursim.
Këtë listë cilësish sejcili nga ne këtu, e përpilon vetë më mirë e më plot se unë në mendjen e tij: gruaja jote e dërmuar nga ikja tronditëse, vajza dhe djali, që do të marrin cilësitë e tu më të mira aq të shumta, motrat e goditura rëndë, Eduardi dhe, sidomos, Samueli i vogël, kjo dashuri e re, e pamatë dhe e pangopur, Lena dhe Kiçua që nuk mundën të vijnë dot, nipërit dhe mbesat, shokët e tu të panumurt, që ende nuk po e marrin veten nga ky largim i papritur.
Një fjalim si ky nuk mund të mos e ketë subjektivizmin e atij që e harton, dhe që lumtërisht përkon me atë të shumë të tjerëve. Prandaj ai bëhet përgjithësues dhe mua më lejohet të veçoj këtu miqësinë tonë të sinqertë, ku ti ishe edhe më i pakursyer se unë, ku ne me time shoqe, që u ndodhëm në këtë ngjarje tragjike, në orët e tu të fundit të jetës, do të të jemi mirënjohës për gjërësinë e shpirtit tënd. Unë, edhe po të desha, nuk do të fshija dot kurrë kujtimet e bukura të bashkëpunimit me ty, që nga roli i parë aq i freskët në teatër e në të gjitha bashkëpunimet e shumta. E kam zor të gjej një mik, një vëlla kaq pasionant, që më bën një borxhli të pa shlyer, që më nxit të ndihem përjetësisht edhe më pranë Klarës, Erës dhe Redionit tënd. Ndjej se kurrë më parë fjalët e mia nuk kanë qenë kaq të paplota e kaq të hidhura. Rrugë e mbarë nëpër kujtimet tona, Arqile. Lamtumirë Leksi im! Të qoftë dheu i lehtë!
*Fjala e lamtumirës, shokut tim Arqile Lici
Tiranë, varreza e Sharës, 13 tetor 2015
Mukje, nëntor 2014
…Apo ndoshta ju, të nderuar historianë, nuk gjeni sa duhet beteja shumëditore, të ashpra e të përgjakshme me nazistët, aty ku ata deshën të qëndronin dhe luftëtarët tanë i dëbuan, që ju t’i përshkruani? Dhe shtrëngoheni tani të vërtiteni rreth Mukjes, kuislingëve, dhe armiqve tërësisht shqiptarë të Enverit? A nuk po rrëshqisni vetë në luftë civile, në atë që ju e kundërshtoni me force, ashk dhe artikuj të zjarrtë? Është botërisht e pranuar se Enveri me repartet partizane, i mundi me meritë forcat kundërshtare për pushtet, dhe se gjermanët, në një farë mënyre, na ndihmuan mjaft për çlirimin e Shqipërisë.
Dhe tani për këtë luftën tuaj civile, që po zhvilloni tash shtatëdhjetë vjet, a nuk do të gjendet një burrë i shquar, vizionar që t’ju thotë “zjarr ndalo!”/
Nga Pëllumb Kulla/
Ja këtu, pas shtatëdhjetë vjetësh! Unë nuk përfaqësoj Mid’hat Frashërin, megjithëse jam pakëz nacionalist. Bile edhe Paskal Milo nuk përfaqëson Enverin, megjithëse është tepër-tepër enverist!
Profesor Miloja me ca profesorë të tjerë janë shumë të shqetësuar se po përbëjnë pakicë, të pamjaftueshme për të mbrojtur vlerat e Luftës Nacional Çlirimtare dhe janë angazhuar me apele dramatikë që u bëjnë njerëzve për t‘u mbledhur në mbrojtje të saj.
Në mbrojtje të Luftës Nac. Çl. bashkohem edhe unë, dhe ma do mendja bashkohen të gjithë pasi në vetvete, për një komb nuk ka kauzë më të shenjtë se sa lufta për çlirim. Dëshmorët e luftës kundër okupatorit kanë nderimin e të gjithëve, të bashkëkohësve dhe gjeneratave pasardhëse.
Por historianët tanë të mbijetuar të erës enveriste bëjnë shejtan budallain, ngaqë me 29 nëntorin ata prapa luftës NCl shmangin temat përvëluese të dekadave që morën udhë me fundin e atij nëntori.
Ata janë shkencëtarë të lidhur këmbë e duar nga veprat që i bënë me titujt e profesorëve dhe doktorëve. Me këtë duarlidhje ata nuk do të duan ta prekin as Luftën e Klasave, as rrethimin e plotë të ishullit arbëror me 25 fije telash me gjemba, as prapambetjen e vendit, si më i fundit vagon i trenit europian, as mungesën totale të lirive, as bjerrjen morale, të pabesisë, të përgjimit dhe të spiunimit.
Mbase jam larg ofiçinës së tyre, por nuk e kam parë të qasen te lufta e gjatë me mullinjtë e erës, dua të them, me “armiqtë” në arte, ushtri dhe ekonomi. Ata e ndjejnë që lufta për çlirim është e vetmja temë që i nderon dhe atë e shohin ngushtë, pa nëntemat e saj të shumta me çështje kombëtare, me varësitë nga Kominterni dhe komunistët fqinjë e shumë e shumë nëntema të tjera. Edhe vetë luftën për çlirim ata e vlerësojnë siç i takon ta vlerësonin, por sillen si kali në lëmë rreth figurës së Enver Hoxhës dhe mbyllin sytë mbi shëmtinë historike të shfarrosjes së tërë komandantëve të Luftës Nacional Çlirimtare nga dora e kryekomandantit të tyre paranojak.
Historianët tanë nuk ndryshojnë aspak nga Nexhmie Hoxha tek nuk thonë asgjë të re.
Unë nuk e kam përjetuar kohën e pushtimit dhe luftën. Dhe as pretendoj të bëj historianin. Nuk kam as qasjen komode në dokumenta dhe e pranoj se nuk më mbetet veç të elaboroj faktet që më jep historia e PPSh dhe librat e zotërinjve historianë, shumica e të cilëve gjithashtu nuk e njohin pushtimin dhe luftën në vetën e parë, por shohin në mënyrë selektive dokumentat që mbështesin tezat e tyre të titujve shkencorë. Ca më keq kur profesor Miloja u drejtohet shënimeve të Enverit dhe beson në manipulimet dhe mashtrimet e tij historike derdhur në tërë ato volume, që janë materialisht më të pasura për komedianët, se për historianët.
Kësisoj në këto shënime unë nuk do jap shpjegime se nuk e kam lartësinë e duhur. Por do t’i kërkoj ca shpjegime, me shpresën se tërthorazi do të m’i japin zotërinjtë që po përmend.
Zotërinj historianë, lufta në Shqipëri që filloi në shkallë të gjerë në vitin e fundit pas pesë vitesh pushtim, ishte një luftë në favor të Çlirimit apo në favor të Pasçlirimit?
Mukja që u nis me qëllimin e mirë për të bashkuar forcat kundër okupatorit, a nuk ishte e gabuar që në nisje, pasi Balli ditën e parë të Mukjes ishte po aq tradhëtar, saç ishte dhe pas një jave, kur u shkye marrëveshja? Mos Enveri dhe tutorët e tij të përtejkufijve u vonuan shtatë dit për diagnostikimin e nacionalistëve të Mid’hat Frashërit?
Mid’hat Frashëri vetë ishte antikomunist i deklaruar… Mos ndofta vlerësimi i tij historik si armik i shqiptarëve nga ana juaj, bëhet ngaqë ishte armik i komunistëve?!
Shumë njerëz e njohin prejardhjen time dhe e dijnë që në familjen e ngushtë dhe në një rreth pak më të gjerë kam pesë njerëz të ekzekutuar nga komunistët. Kanë kaluar shumë dekada dhe pas të dënuarve tanë kanë vdekur dhe ekzekutorët e tyre. Pas një hetimi jo të plotë, anoj subjektivisht në mendimin se kanë qenë të pafajshëm. Gjithsesi, nuk kam parë as te vetja, as te të afërmit, kurrfarë ndjenje tjetër, veç keqardhjes. Nevojat e kthesave marramendëse tranzicionale kanë bërë që ata të kenë marrë edhe pafajësinë! Edhe pa një rigjykim të bëmave të tyre, të mira apo të këqia! Dhe bile, edhe janë dëmshpërblyer! E pranoj që është grotesk i pastër. Por a do të ketë mundësi që të mos trazohen më nga historianët tanë me emra autoritarë? Dhe me që delegatët e dy palëve në Mukje, ballistë, komunistë dhe jugosllavë, kanë vdekur që të tërë, a nuk do të ishte mirë që të lihen të qetë edhe ata, tok me fajet, gabimet, apo edhe krimet e tyre?
Apo ndoshta ju, të nderuar historianë, nuk gjeni sa duhet beteja shumëditore, të ashpra e të përgjakshme me nazistët, aty ku ata deshën të qëndronin dhe luftëtarët tanë i dëbuan, që ju t’i përshkruani? Dhe shtrëngoheni tani të vërtiteni rreth Mukjes, kuislingëve, dhe armiqve tërësisht shqiptarë të Enverit? A nuk po rrëshqisni vetë në luftë civile, në atë që ju e kundërshtoni me force, ashk dhe artikuj të zjarrtë? Është botërisht e pranuar se Enveri me repartet partizane, i mundi me meritë forcat kundërshtare për pushtet, dhe se gjermanët, në një farë mënyre, na ndihmuan mjaft për çlirimin e Shqipërisë.
Dhe tani për këtë luftën tuaj civile, që po zhvilloni tash shtatëdhjetë vjet, a nuk do të gjendet një burrë i shquar, vizionar që t’ju thotë “zjarr ndalo!”
KJO SHQIPËRI, ATDHE I POLITIKANËVE…
Nga Faruk Myrtaj/
Shefi i shtresës së sotme politike u rrek deri në fund të jetës së tij të krijonte bindje se “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” dhe ngjan se vazhduesit e kanë kthyer në realitet. Ky realitet është në përmasë të plotë në librin “Luftë pa fund”, e kundruar nga një njeri që me ngulm e dëshiron Shqipërinë të prirur palëkundshmërisht për nga Perëndimi.
Në ekranet televizivë shqiptarë, të pavarur (nga populli!), ka ndodhur të dëgjojmë shkoqur ligjërime që duken si krijimtari e autorit të këtij libri:
“Unë…tashmë jam politikan profesionist. Kam dymbëdhjetë vjet në politikë… Jam zgjedhur tri herë deputet! Me votë të lirë! Jam deputet me votë popullore, unë! Madje kam qenë disa herë edhe ministër! Përveç këtyre unë jam edhe intelektual vetëm në shërbim të atdheut…”
Ky lloj atdheu, ky vend, duke qenë edhe vendlindje por edhe vend origjine, për jo pak shqiptarë që kanë marrë rrugët e botës, mund të mos jetë e nevojshme të quhet Shqipëri. Tingëllon më e natyrshme të quhet Atdhe i Politikanëve.
Merret me mend, Pëllumb Kulla nuk bën thjesht humor kur e ftojnë në Fier, në Korçë, Tiranë apo Nju Jork e gjetiu. E dinë kolegët, bashkëpunëtorët, artdashësit, që kur i bje hera të shkruajë dhe analizojë politikën, a shtetin shqiptar, Kulla është po aq serioz sa kur bën regjisorin, dramaturgun, komedianin, sa edhe kur nuk ngurron të nënshkruajë kontratë në bërjen e shtetit apo demokracisë. Thuajse e tërë aradha e politikanëve të Tiranës do të nxitonte të thoshte se këto punë (që u kanë rënë atyre si barrë!) do mund të bëheshin veç seriozisht…!
Kulla e ka psikologjisur prej kohësh mentalitetin e kësaj shtrese politike dhe ne s’kemi të drejtë ta konsiderojmë thjesht “gjest” apo “trill krijuesi”, nëse autori do të zgjidhte dramaticitetin e Poetit: “Kjo Shqipëri që Është, nuk është Atdheu im…”
Pa asnjë të drejtë dhe asnjë mundësi ta veçojmë Pëllumb Kullën prej krijuesve të tjerë, apo ta etiketojmë krijimtarinë e të shkruarat e tij, në gjini e nënlloje letrare, e shoh të lehtë dhe të udhës që të rrëfejmë tek autori pikërisht qytetarin. Edhe më parë, por sidomos në këtë proces më shumë se njëzetëvjeçar, ku shqiptarët ende branisen, duke bërë megjithatë përpara, herë këmba doras, herë turra-vrap, le të themi kush e di për ku, por jo aq rrallë, mjerisht, ulur në bisht duke dyshuar tek Maska e Tyre: a vërtetë, ky lloj politikani që fiton në emrin tim jam unë? Ky është zgjedhja dhe përzgjedhja ime?! Ku po më çon ky, që unë nuk u ndakam dot prej tij? Ç’ka provuar, që vazhdoj t’i besoj, madje edhe kur premtimet promovohen aq pa cipë gjatë fushatave? Autori i këtij libri të josh t’i shtrosh këto pyetje, përderisa duket ashiqare se pikërisht pas falsitetit të tyre, vazhdojmë të ecim. Ky popull i ftuar që të sillet pikërisht kështu prej këtyre politikanëve që shtirjen e mashtrimin e kanë kthyer profesion, duke e mveshur me emra të tjerë: analist, politikan, deputet, ministër, kryeministër, president…të kësaj republike që herë bëhet demokratike e herë socialiste, pa qenë dot republikë e shqiptarëve siç janë.
Duke lexuar shkrimet e Kullës, s’mund ta refuzosh. Po, mund të mendosh kundër, diku mund të ndahesh, mund ta akuzosh se shpesh e tërheq sharrën në mish të gjallë, por më tej ti e tërheq këtë akuzë, teksa vëren se mishi ku dhemb sharra e fjalës së tij është i gjymtyrëve e trupit të tij… Kjo, besoj është pse-ja dhe sepse-ja që, së paku heshturazi, nuk mund të mos pranojmë se rrëfimi dhe po aq interpretimi i fakteve, ngjarjeve dhe fenomeneve të marrë në shqyrtim, është i drejtë dhe lehtësisht i verifikueshëm si i tillë. Nëse duhet të pyesësh veten: si ka mundësi që serioziteti, dramaticiteti deri në tragjizëm në këto analiza të rrepta, janë nënshkruar prej dorës së të njëjtit autor që ka ftuar audiencat të qeshnin me lotë…
Dimë jo pak autorë që i kanë rishkruar deri në përmbysje, librat e tyre të para ’90-ës. I kanë shndërruar pothuaj në libra të tjerë, me qëllimin e mëtutjeshëm: që po këtë fat ta kenë edhe autorët e tyre! Autorë të tillë, dëshirojnë të kundrohen, analizohen e respektohen si të tjetërt me ata që ka qenë realisht dikur. Në këtë suazë, gjejmë disidentë mu në mes të Bllokut, nobelistë prej elitës së shkrimtarëve të realizmit socialist. Sikur në Shqipëri të paskej pasur thjesht realizëm, dhe jo realizëm socialist! Këtë të fundit duket se e paskëshin aplikuar vetëm shkrimtarët dhe artistët e provincës! A thua udhëheqja e asokohshme është munduar tërë jetën ta bindë popullin se komunizmi nuk ia vlente, e këtij qëllimi nuk ia arriti dot as edhe pas rënies së hijes së Murit. Jo pak antarë të KQ të Partisë janë assete të vyer të shtabeve kryesorë të politikës së sotme. Të qenit ish-komunist sot është avantazh, teksa ish-të burgosurit dhe ish pronarët mbeten edhe me tej të pafat! Politika dhe shtypi respektiv, ka krijuar idenë se diktaturën e kanë ngritur dhe mbajtur më këmbë ata që u bënë me dosje, dhe jo ata që detyruan dhe hapën me përdhunë këto dosje.
Nuk di të kemi shumë autorë që e kanë ribotuar të plotë veprën e tyre letrare të para-lirisë, përkundrazi: kemi autorë, madje shumë të njohur, që kanë lënë jetim një pjesë të mirë të arsenalit të tyre, thjesht pse vepra e tyre ishte arsenal i politikës së mëparshme. Kulla, si rrallë kush, e ka kryer këtë gjest. Dramat, komeditë dhe skeçet e tij luhen, shfaqen dhe janë ribotuar si dikur.
Me këtë libër, Pëllumb Kulla kryen të njëjtin gjest me kontributin e tij në fushën e shtypit. Partitë kryesore të inskenimit pluralist i ndërruan vendet nga dy herë, por shkrimet e tij për ta mbeten po aq aktualë!
Kulla e fjalës dhe e mendimit publik të këtij autori ka qenë e imponuar të hapë frëngji nga të gjithë anët, nëse nuk ka qenë vetërrotulluese: here në luftë me të majtën, më pas e sot e kësaj dite shembëllen sikur i shkreh bataretë kundër së djathtës. “Shokë” dhe “armiq”, kolegë dhe shefa, të njohur të tij – kanë qenë dhe janë ende miq ose kundërshtarë me të, janë gjendur në krahë apo përballë shqyrtimeve të Kullës, si përpara ligjit dhe kushtetutës: të barabartë si miq dhe armiq! Zhvendosja e tij është thjesht iluzion: ky libër, provon se autori është po ai, një dhe i vetëm: vetvetja! E krijuar prej jetës dhe udhës që ai ka përshkuar dhe përshkruar.
Shqiptarët e Pëllumb Kullës e pranojnë mjerimin ekonomik dhe mungesën e lirive individuale e qytetare në të shkuarën, nën diktaturë pra, por të vërtetat e artikuluara prej shkrimtarit i ftojnë ata ta besojnë si të vërtetë këtë diagnozim edhe sot e kësaj dite. Edhe pse njera palë pretendonte se “…na marrin të keqen krizat e Perëndimit” (Lindja dihet, s’ka kriza fare! E, kur ka pasur ndonjëherë?!), teksa pala tjetër e rinovon me punë vullnetare kryeministrinë, dhe e quan të mbyllur ciklin e tranzicionin me … ardhjen e saj në pushtet!!!
Po të ishte vërtetë kështu, merita do të ishte e ish-pushtetarëve, por si i bëhet që ata përfunduan në fund të këtij tranzicioni në një opozitë aq të leqe-dridhur?!
Nëse Shqipëria s’është atdheu i njerëzve të zakonshëm, nëse shoqëria shqiptare nuk ka ende shenja të një shtrese të mesme të konsoliduar, nëse prona ende nuk ka shkuar tek i zoti (…u tha qartë nga kryeministri i ri: “Toka t’i jepet fshatarit me tapi, sipas Ligjit 7501”, pra kush tha se Berisha paska dalë nga skena?!), nëse në thelb kjo shtresë politike ka shumë të drejtë të mos e dëshirojë hyrjen në Europë, pasi me atë rast rrëzohen tërë maskat e saj, mbetet që Shqipëria të jetë vetëm “Atdheu i Politikanëve”. Pa asnjë mëdyshje, në radhë të parë, atdhe i politikanëve në pushtet. Kjo shtresë politike, o miq të mij, është e tëra në pushtet! Në Opozitë janë ca pako zëra rebelë, dhe …populli, që herë konsiderohet turmë dhe herë sovran!
Gjatë redaktimit dhe leximit të këtij libri, por edhe të shkrimeve të mbramë të Pëllumb Kullës, botuar kudo ku nuk ndalohet emri i tij, duket se gjithnjë pas intervaleve sado të shkurtër heshtjeje, rifillon procesi i rilindjes së opozitarit. Merret vesh, nuk jam unë, i autorizuari, që t’ju paralajmëroj, apo t’ju rrëfej shenjat se ku dhe kur ka filluar skicimi dhe gdhendja e radhës për frëngji të reja të kësaj Kulle…
Motua është e njëjtë: ky mund të jetë Atdheu juaj, po imi jo! Nuk kërkoj Atdhe tjetër, por këtë që kemi, le ta bëjmë së bashku të banueshëm për të gjithë!..
*Faruk Myrtaj
(Pasthenie e librit te Pellumb Kulles” Lufte pa fund, redaktor i librit)