(Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren…(time!)
NGA PELLUMB KULLA/*
UNË: Urdhëro Rudina, hyrë në Dritare! Sqaroj ty dhe gjithë lexuesit e mij që edhe kjo është një intervista e fundit, po e fundit fare ama, që trajtoj ty dhe zonjën Nexhmije. Dhe uroj që askush të mos të të ngacmojë më në 105 vjetorin e saj, kur t’i marrësh intervistën e radhës. Kurse sot, të falenderoj që më dhe rastin.
RUDINA: Kjo është intervistë imagjinare, zotëri! E shkruar nga ty. Unë ty nuk do të të afrohesha kurrë për tëtë intervistuar. E kuptojnë lexuesit këtë?
UNË: Lexuesit e mi po. Të tutë… Nuk ve dorën në zjarr. Urdhëro! Pyet çfarë të duash!
RUDINA: Nuk do të më japësh pyetje të përgatitura nga ty vetë?! Siç më akuzoje sikur m’i jepte ajo, që intervistova?
UNË: Ai qortim ishte një figurë satirike. Kërkoj ndjesë. Ti në këtë intervistën e tretë e dije vetë se çfarë duhet t’i pyesje Nexhmijes.
RUDINA: Do të jemi seriozë?
UNË: Unë e kam vështirë, por do të përpiqem. Pastaj dhe në shaka,unë do të jem thellësisht serioz. Shakatë dalin të shpifura po nuk qenë mbështetur mbi gjëra serioze dhe të vërteta. Të garantoj vetëm që do të jem i vërtetë. Ti do të më besosh?
RUDINA: Të shohim. Nuk e di.
UNË: Ti para dy-tri ditësh e dije shumë mirë që po dëgjoje një mal me gënjeshtra dhe besove. Mua, që nuk kam dërguar asnjë shoqe dhe shok në atë botë, nuk më beson?! Mirë pra, si të duash.
RUDINA: Kur je lindur?
UNË: Zogu qe arratisur. Enveri nuk kish nisur as jetën me parti dhe as atë me dashuri.
RUDINA:Zogu, në arratisje e sipër, para se të kalonte kufirin pat ndaluar në shtëpinë tuaj?
UNË: Afërsisht. Në shtëpinë përkrah.Por edhe ata njerëzit tanë ishin. Mua nuk më pyetën a ta pranonin në shtëpi mbretin, apo jo. Sepse, siç të thashë, nuk më pyesnin dot pa lindur unë akoma. Por nuk do t’i kundërshtoja dot. Ata ishin zogistë.Pastaj mbreti i një vendi ndalon ku të dojë. Më vonë edhe presidentë, psh, Berisha dhe Topi kanë ndaluar në shtëpinë time. Edhe Enveri, po të vinte puna…
RUDINA: Çfarë lidhje kishte gjyshi yt me mbretin?
UNË: Kanë qenë friends në fejsbuk!.. Hajde, mos zgjatemi tani! Ka qenë shefi i rojeve të parlamentit të atëhershëm. Për atë ndalesë të shkurtër të mbretit, gjyshin e pushkatuan.
RUDINA: Ti, pra, konsideroheshe me prejardhje reaksionare. Me biografi të keqe.
UNË: Si urdhëron! Shumë.
RUDINA: Kush ta hapi derën për në shkollë të lartë?
UNË: Nuk më pyete më parë kush ma kishte mbyllur! Apo…
RUDINA: Jo, unë pyes: kush të lejoi?
UNË: Enver Hoxha! Dhe për këtë i jam shumë mirënjohës.
RUDINA:Fillove të tallesh tani?!
UNË: Aspak! Unë edhe tani e falenderoj. Edhe sot, 56 vjet më vonë, e përsëris këtë. Falë atij unë po të jap sot këtë intervistë. Falë atij unë u bëra i njohur dhe me një farë rëndësie. Falë atij unë bëra një jetë mjaft interesante dhe të bukur mes artistësh të mrekullueshëm, kolegësh shkrimtarë, gazetarësh të talentuar. Falë atij, dyzet e ca vjet më vonë, edhe Berisha, më emëroi…
RUDINA: Nuk rri dot dy minuta pa bërë shaka?!
UNË: Nuk bëj aspak. Sikur të mos kishte ndaluar Enver Hoxha pranë tornos sime në repartin e mekanik të uzinës “Enver” atë 10 prill të vitit 1960… Po të mos më kishte vënë re kur i ngrita dorën, unë nuk do të isha kulturuar kështu si jam sot, nuk do të kisha shfaqur fytyrën në ekranin e TV shqiptar, ku nuk fluturonte dot as miza dhe nuk do të numëroja sot ata 20 libra të botuar! Me emrin që bëra, i duhesha dhe Berishës që pat marrë përsipër të tregonte se komunizmi qe përmbysur dhe gjërat ishin krejt ndryshe tani…
RUDINA: Pse a nuk është ashtu? Nuk është përmbysur komunizmi?
UNË: Do të vijmë dhe aty, po lemë të të ritheksoj falënderjen ndaj fatit dhe ndaj atij që ndaloi tek tornoja ime në uzinë. Falenderimi është një shfaqje kortezie pa shumë interpretime përmbajtësore. Nuk është një poemë madhore për të, as monument, apo qoftë edhe këngë për udhëheqësin. Berishën, bile edhe mua, për ca vite na kanë thirrur “shkëlqesi”. Thjesht kortezi është! Nuk është se unë dhe Berisha shkëlqenim!
RUDINA: Por ti nuk je për Enverin aq mirënjohës sa thua me gojë. Me vepra ti ke nxirë gjithëçka… Ke shkruar 1001 të zeza për të, dhe për të shoqen.
UNË: Nuk duhet t’i bëja këto?!
RUDINA: Aspak. Atij, ti i detyrohesh…
UNË: Prit, prit! Mirënjohja ime është e sinqertë, por mbaron këtu. Tani,çfarë bëri ai duke më dhënë shkollën? Heroizëm? U hodh në lumë dhe më nxori në breg?
RUDINA: Pothuaj! Rregulli ishte që fëmijët e armiqve…
UNË: Fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve, thuaj! Kush e pat vendosur atë rregull? Stalini? Apo vetë ai? Ai theu rregullin për mua, por nuk e theu më për mijëra e mijëra fatkeqë të tjerë, që nuk i lejonte të drejtën e shkollimit, përfshi vëllezërit e mi dhe deri në kushurinjtë e mi të katërt. Pastaj, Rudina, koha e tregoi se unë e meritoja. Dhe në fushën që studjova, bëra paaaaakëz vend, apo jo?
RUDINA: Ja, pra! Vendimi i tij për të të ndihmuar doli që…
UNË: Zotëronte nuhatje gjeniale, thua?! Ato çaste, më 10 prill ‘60 ai me gjenialitetin e tij nuhati se ky djali njëzet vjeçar me kominoshe, e meriton?!.. Phë! Pastaj, atë që ti dhe Nexhmija e quani bursë… Mua bursë nuk më dhanë kurrë! Asnjë qindarkë! Thjesht lejë që të studjoja. Një qytetar i lirë, i pafajshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, u lejua të shkonte në auditore universiteti! Pa mbështetje financiare! Ama, për atë barrë të familjes në katër vitet studentore unë punoja me pagesë që nga kanalet deri te përkthimet e Gogolit, Pirandelos, Sartrit, Çehovit, Kuprinit. Dhe rusishten time nuk e pata sjellë nga ndonjë bursë në Leningrad! Ishin katër vite të bukur shkolle, mbushur me nostalgji tani. Edhe pse pa bërë kurrë pushime verore të një studenti. Por po ta dinit, ti dhe një shoqja jote, kuptimin e fjalës bursë, këto që listova nuk janë ashtu. Ishte punë, punë pa ndërprerje e muajve të verës! Në Bistricë, Kurbnesh, në kantjeret e ndërmarrjes Rruga-Ura. Familja, e babait tim me shumë fëmijë, ishte në gjendje të mjeruar financiare. Me këtë kriter meritoja kategorikisht bursë,por ja, nuk m’u akordua!
RUDINA: Babai yt ka qenë me Ballin Kombëtar?
UNË: Asedhenjë sekondëzë të vetme! Ti, Rudina, i nxjerr pyetjet nga shporta e plehrave, plot me komentatorë frikacakë, me 3-4 emra të rremë dhe të ndryshëm sejcili… Pra unë nuk kam patur bursë, siç të ka thënë zonja e vjetër. Në dokumentat e këtyre ditëve është përmendur, ama, bursa që i ka dhënë tre vjet rresht vetë mbretit Enver, mbreti Zog. Dhe ministri i Arsimit, Ivanaj, ia preu atë bursë, ngaqë mbreti Enver, gjatë tre vjetëve nuk dha dot asnjë provim. Me të ardhur në pushtet, pastaj, ministrin Ivanaj e vendosi para skuadrës së pushkatarëve. Tre vjet në Francë! Asaj i thonë bursë! Unë i dhashë të gjitha provimet. Shoku Komandant nuk pati mirënjohje dhe nuk pushoi së anatemuari Zogun tërë jetën e duke i vrarë edhe kuzhinjerët e tij! Dhe duke e dënuar atë vetë me vdekje në mungesë! Shkrimet e mia kundër mirëbërsit tim nuk janë asgjë në krahasim me ato të tiat kundër mirëbërësit të vet. Unë nuk hodha në erë me dinamit varrin e ndonjë Nëne Mbretëreshë! Dhe më beso, Rudina, asnjëherë në ëndrat e mia nuk bëri pjesë ndonjëra për ta vrarë mbretin Enver në mungesë. As atë, as të shoqen!
RUDINA: Atëherë si shpjegohet antienverizmi yt i egër? Mos ndofta për shkak të gjyshit të ekzekutuar?
UNË: Gjyshin unë nuk e kam njohur dhe, thellë-thellë, ndjenjat ndaj tij janë të një dashurie ashtu-kështu… Gjyshi pat zgjedhur kundërshtarin e tij politik. Fati i tij! Kundërshtari doli më i zoti, fitoi dhe e pushkatoi. Unë pas shkollës që m’u dha, u rrita, u ndërgjegjësova, u pajisa me parime të shëndosha e të patundura. Dëmi i madh moral në historinë e kombit nuk ishte ngase Enveri pushkatoi gjyshin tim, të cilin unë e doja, por sepse pushkatoi shokun e tij, Beqir Ballukun, të cilin nuk e desha aspak!
RUDINA: Por ti gjatë gjithë jetës i ke shërbyer atij me besnikëri në detyrën e “edukimit komunist të masave.”
UNË: Unë u angazhova në atë edukim, por me qëllime sabotimi. Ti e ke parë edukimin enverian se çfarë rezultate dha pas sabotimit tim? A i sheh në ç‘gjëndje të mjeruar janë masat tona sot? Të ze të qarët. Pranojnë të mblidhen ende ushtarakisht nëpër manifestime. Mes tyre bën kërdinë pabesia, hajdutëria, shitja e shokut, shitja e shoqes, shitja e vajzës, servilizmi, mungesa e llahtarshme e guximit për të thënë të vërtetën, paaftësia për të zgjedhur dhe mbështetur njerëzit që meritojnë. Kjo e gjitha ka ndodhur sepse sabotova unë!
RUDINA: Ti u ktheve te shakatë! Ti, more zotëri, ishe shërbëtor në sektorin ideologjik, ku i thurrnit himne udhëheqësit, i bënit dhithirambe partisë…
UNË; Lere tani, Rudina! E zgjate përsëri dorën në shportën e karavidheve! Më mirë ti dhe ata që duan të më bëjnë të skuqem më gjeni një varg, apo një këngë. Edhe në atë fushë unë kam qenë me fat se nuk m’u kërkua kurrë ndonjë himn! Në atë shkretëtirë, unë dhe shokët e mi mbajtëm gjallë të qeshurën. Ishte një lumturi e madhe kur njerëzit halleshumë, që ju i quani masa, dilnin të çelur nga salla ku ne jepnim komeditë, gazin e ditës, karakteret qesharakë të burokratëve, servilave, demagogëve. Edhe partia kish nevojë për artin tonë e për stigmatizimin e veseve dhe burokracisë. Ishte një pikë ku takoheshim me partinë.E ne angazhoheshim sinqerisht atje, bile duke qenë krenarë për ato suksese profesionale që arrinim. Unë, moj zonjë, bëj pjesë në ata shkrimtarë dhe artistë të paktë, që nuk kanë mohuar asgjë nga ato që kanë bërë dhe shkruar. Jo vetëm nuk kam zhdukur asnjë vepër, por asedhenjë rresht nuk u kam ndryshuar atyre.
RUDINA: Po ato me ballistë dhe partizanë?
UNË: Ju i shihni që unë nuk kam kërkuar ndalimin e tyre, siç kanë bërë disa… Për ballistët kam të njëjtin mendim.Edhe për partizanët po atë. Ju digjeni nga dëshira të kem ndryshuar mendje tani.
RUDINA: Po për kuadrot e atëhershëm të partisë?
UNË: Natyrisht, kam po atë vlerësim që kisha. Edhe për të zinjtë edhe për të bardhët.Vetëm atëherë nuk e shfaqja se nuk isha as i marrë dhe as Don Kishot, siç më quan ti.Me shumë nga kuadrot e atëhershëm kam patur marrëdhënie të drejta dhe të sinqerta. Nuk është mirë kur i fusim tërë në një kosh. Ekziston një film, “Listat e Shindlerit” titullohet, ku një gjerman i fuqishëm shpëtonte hebrenjtë. Kjo nuk ishte tipike në Gjermaninë naziste, por egërsia e nazizmit mund të evidentohej edhe duke nxjerrë në dritën e artit, një gjerman jo tipik. Kështu edhe tek ne, unë mendoj se diktaturën e egër komuniste ne mund ta pasqyrojmë edhe duke nxjerrë në pah funksionarë komunistë të ndjeshëm, mes egërsisë të përgjithëshme.
RUDINA: Të kanë dërguar në gurore për ndëshkim?
UNË: Po. Disa muaj. Tre vjet pasi mbarova shkollën e aktorëve, në Vlorë më degdisën pa shpjegim, pa motiv zyrtar që bile, nuk e di as sot. Por pa asnjë hipokrizi dhe shtirje ruaj kujtime të bukura edhe nga ata njerëz aty. Pas gurores më dërguan në Ndërmarrjen e Ndërtimit, xhenerik, poshtë kamionave. Dhe prej aty ruaj kujtime të mira për njerëzit. Edhe për qendrimin tim. Unë nuk jam shprehur ndonjë herë se dominant ishte persekutimi mbi mua. Jam lodhur shumë, por edhe kam fituar shumë. Fitoret e mia, të arritura mes shumë përpjekjesh e armiqësish, ndrisin! Dhe unë jo një herë kam deklaruar dhe po deklaroj edhe sot, se jeta ime ka qenë shumë e bukur. Një jetë që do ta shoh me kokën lart për pastërtinë dhe mosndotjen e saj. Më fal që po e them ndryshe të njëjtën fjalë. Por edhe jam përkrahur nga njerëz të mirë që Shqipëria ka ende plot.
RUDINA: Flasim për marrëdhëniet e tua me postkomunizmin… Berisha?
UNË: Kam folur shumë për atë njeri e nuk dua të flas më.
RUDINA: Kur i ktheve kurrizin Saliut?
UNË: Mot i mirë sot, eh Rudina?… Pak ftohtë por dimri ende…
RUDINA: Lere motin! Ti ke qenë në marrëdhënie të mira me të.
UNË: Dhe jam krenar që i shërbeva me besim dhe devocion kur ai udhëhiqte punët e shtetit. Ministrat, dhe diplomatët që kanë punuar me të i shërbenin shtetit, jo atij. Siç mendohej se i shërbente dhe ai. Në detyrat që më dha nuk i kundërshtova asnjërën sepse nuk më dha asnjë detyrë për t’u kundërshtuar.
RUDINA: Përse u armiqësove me të?
UNË: Zhyt dorën në shportën e komentatorëve dhe zgjidh aty një përgjigje siç e mendojnë ata. Një arsye:“sepse nuk më dha atë, apo këtë!”Arsyeja është seçerekshekulli i tij mund të quhet periudha e mashtrimit të shqiptarëve. Dhe më mirë të jesh i mashtruari se sa mashtruesi. Ai sundoi dhe e katandisi Shqipërinë në mënyrë të tillë që të nderonte Enverin. Sinqerisht nuk u ve faj qindramijëra shqiptarëve që tani e qajnë Enverin. Gjeni atje një poezi që i kam kushtuar Berishës, apo, më mirë, një letër himnizuese.
RUDINA: Po Enver Hoxhës i ke drejtuar ndonjë letër të tillë?
UNË: Pyet atë shoqen tënde të moshuar. Ajo ka arkiv, thua ti. Dhe ka vërtet. Një herë u dha gazetave një letër që i pat shkruar asaj Kadareja. Dhe prit të ta citoj dy a tri fraza: “Shoqja Nexhmije… Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj… më shtyu një arsye e fortë…… Është fjala përsëri për apartamentin e ri,….E ndjej veten… në vend që t’ju drejtohesha për probleme më të rëndësishme, detyrohem t’ju shkruaj për një çështje strehimi……. Me respekt Ismail Kadare” E nxorri për gazetat! Një gjest i turpshëm që zonja vejushë, shpresonte se do ta vinte në dritë të keqe Kadarenë.
RUDINA: Nuk e vuri?
UNË: Aspak! Vuri veten. Unë kam besuar se kjo grua ka aq të zeza në karakter, por që të ketë qenë aq budallaqe, sa të kujtojnte se me këtë letër nuk dëmton fare veten dhe të shoqin, nuk e besoja! Si mundet ajo t’u kujtojë edhe një herë shqiptarëve, se edhe për të marrë një apartament duhet t’i luteshe me ballë në tokë Enverit dhe Nexhmijes?! Ç‘është kjo shefe e madhe e strehimit qëruan letrat hallexhinjve?! Po a ka pikturë më të madhe mjerimi, se sa të dëshmosh që shkrimtari më i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit e ndoshta i Europës, i lutet gruas më pa vlerë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe ndoshta Europës, për një shtëpi të futë kokën?! Dhe mendon se poshtëron Ismailin duke i rikujtuar atij se ai i kërkonte falje për shqetësimin dhe se kish konsideratë të lartë për atë zonjë me frazën mbyllëse “me respekt Ismail Kadare”
RUDINA: E ka botuar këtë ajo?!
Unë: Po, shoqe, po! Të gjithë u gëzuan se kujtuan se filloi hapja e dosjeve. Por qe e pjesëshme. Dosjet deri më sot i ka hapur vetëm Nexhmija. Ato dosje që i duhen.A thua ajo mban dhe arkivin e Komitetit Qendror? Se atëherë duhet të ketë ankesat që unë i kam dërguar Ramizit, Paçramit, Pali Miskës, Kadri Hazbiut… Por ato janë ankesa, shoqe! Ankesa! Nuk janë urime ditlindjeje! Ju thashë më lart se më kanë dëbuar nga skenat dhe kam djersitur pesë vjet në gurore dhe ndërtim pa asnjë motivacion zyrtar. Thyeja gurë dhe nuk më linin t’i thyeja të paktën në guroren e Tiranës, ku kisha familjen. Jo! Duhet t’i thyeja në guroren e Kaninës së Vlorës dhe të flija …në hotel! Në dukje të jashtme dukesha si një kuadër i lartë, dërguar në Kaninë me dieta, si specialist i thyerjes së gurëve me metoda bashkëkohore! Në ka ruajtur ndonjë nga ato letra, gjë që është thellësisht e turpshme, se nuk i janë drejtuar asaj, – le t’i nxjerrë por le të japë tërë tekstin jo vetëm atë rresht hyrës ku shkruhet “I nderuar … kërkoj ndjesë që po ju shqetesoj… me respekt, Pëllumb Kulla”
RUDINA: Mirë, mirë… Ju mbani bindjet tuaja. Do ta mbyll me një frazë tipike intervistuesish: çfarë do t’i uroni lexuesve?
UNË: Do t’i uroja të kuptojnë se lufta e klasave nuk ka pushuar kurrë në Shqipëri. Se enverizmi po përmbyt këtë vend të vuajtur. Se Rudina me shoqet dhe shokët e saj nga pozita qiellore edhe sot përdorin fjalën “të kemi dhënë bursë” duke lënë të kuptohet se mbreti i gjysmës së dytë të shekullit 20 i jepte këto nga rroga gjashtëmbëdhjetë mijë lekshe. Se nuk mjafton që prona nuk u janë dhënë atyre që iu rrëmbyen, se nuk mjafton që të burgosurve pa faj me vite të gjata pas hekurave dhe telave nuk u janë dhënë dëmshpërblimet e premtuara, por ende nga miliarderët dhe milionerët që kaluan nga parajsa në një parajsë më të mirë, shihen përsëri me përbuzje. Dhe ata e meritojnë atë përbuzje!
(Ne foto:Pellumb Kulla, 1958)
DY GRA TË DASHURUARA ME ENVERIN, TREGOJNË
Nga Pellumb KULLA/
Edhe duke e qortuar ashpër veprimin e gazetares Xhunga, unë nuk kisha si t’i ktheja kurrizin ekranit. Desha të shihja me kënaqësi saktësinë e parashikimit tim.
Dua t’u drejtohem atyre njerëzve të mirë që m’u kundërvunë duke më tundur para syve epërsinë e demokracisë dhe lirinë e fjalës, atë liri që Nexhmija nuk e ka dhënë as më parë dhe as tani. Bile as Xhungës. Duke e pasur të lehtë, pasi Xhunga nuk e ka dashur kurrë. Dhe në fakt rezultoi një tregim dashurie dhe veneracjoni, treguar nga dy gra të dashuruara me Enverin, që plotësonin njëra tjetrën.
Të dashur miq! Edhe unë pranoj ta dëgjoj atë grua e cila, ndryshe nga gjithë ne të tjerët, është e dënuar të na flasë vetëm politikisht. Ose të kërkojë ndjesë pas pendesës, gjë që nuk i ka dhënë kurrë shënjat, ose të dalë të mbështesë tërë bëmat monstruoze të saj, të të shoqit dhe të atyre pak shokëve që u shpëtuan pa vrarë. Kjo ishte dhe gjëja që ka bërë në këto 70 vjet dhe unë uroja që të mos gjendej ndonjë kamikaxe me mikrofon në dorë. Pra ajo grua nuk mund t’i lajë duart nga politika dhe historia politike.
Dhe sidomos isha i revoltuar nga preanuncimi i zhurmshëm dhe apeli për t’i mbledhur gjithë shqiptarët para ekranit, mbledhje për të cilën ndihmova dhe unë me shkrimin tim. Por jam i sigurtë se edhe sikur të shtatë miljon shqiptarët ta kenë ndjekur – ata që e urrejnë atë figurë alucinante, nuk janë pakësuar por kanë mbetur aq sa ishin. Dhe ata që mbajnë medaljonet e Nexhmies dhe të shoqit në gjokse, nuk janë shtuar. Kanë mbetur po aq.
E çfarë u pa dhe u dëgjua? Një histori dashurie e shpifur, e lëmuar, me lakuna të shumta. Një histori banale që mallëngjente ato dy gra që e tregonin në një duet të përsosur, dhe mbase ka përlotur gjysmën e shqiptarëve që as duan t’i bashkohen kujës sonë për median e vendit dhe për enverizmin gjithnjë e më sypatrembur. Histori dashurie? Ishte kjo më e bukura? Ia vlen më mirë një poezi brilante e Petrit Rukës! A lipset një histori dashurie nga fillimi i viteve dyzet? Ka Mustafa Greblleshi të tilla dhjetë herë më të bukura se kjo! Ishte një love story në ilegalitet, siç në fakt bëjnë dhe shumica e dashnorëve që fshehin edhe sot dashuritë e tyre ilegale.
Në ato dy orë një kriminele zëëmbël solli paturpësisht kujtime për të tëra shoqet që ka vrarë. Kujtoi fjetjet dashurore nëpër shtëpitë e atyre që pas dy-tre vjetësh do t’i vinte përpara skuadrave të pushkatimit, Syrja Selfon, Bahri Omarin. Foli për popullin që dyzetepesë vjet në fuqi, vendoste për gjithëçka dhe Enveri me shokë u vinin pas. Gënjeu për nismat rinore për prishjen e kishave dhe ndëshkimin e shërbesave fetare; për jetën proletare të bllokut. E ndjeshme ishte kur foli për letrat që zonja Hoxha ruan të dërguara nga Mehmeti, Hysniu, Ramizi, një tregim paqësor, ku Mehmeti nuk ishte më poliagjent dhe Koçi Xoxja, teneqexhi i mirë që ndihmonte shokët. Një Shqipëri e paqtë, ku sa gjalloi Nexhmija nuk ndodhi asedhenjë histori makbethjane. Dhe pastaj vuajtjet shpirtërore të të shoqit “shumë të prekshmit Enver,” kur merrte vesh për pushkatimet dhe internimet që bëheshin për arsye shtetërore.
Është arritje e demokracisë shqiptare kjo! Ishte punuar shumë mbi këtë shou. Dhjetra vetë, gazetarë, kameramanë, ndriçues, operatorë të zërit, ditë dhe javë të tëra kishin bërë montazhe, muzikë, kishin riregjistruar frazat që zonja i kish thënë shtrembër. Ishte një vepër voluminoze që duket se është bërë e nevojës së pare në Shqipërinë e sotme. Dy portrete letrare, ëngjëllorë, me emra të njohur- për një palë të urryer e për një palë, të shtrenjtë, sidomos për ata që në ‘92 e fshihnin gazetën Zëri i Popullit thellë në xhep dhe dilnin rrallë nga shtëpia. E tani, për ditë e më shumë ngrenë lart portretin e diktatorit, mu në mes të Tiranës, gjë që nuk u pa asedhe një herë në vitet ‘92-93! Kam dëshirë t’i siguroj dhe ata pleq të mirë me shalla të kuq, se dita që ëndërron Nexhmija për të rivendosur monumentin e rrëzuar si pjesë e skenarit, po afron. Jo për mburje por e kam të shkruar në artikuj të mij të para dhjetë vjetëve. Edhe përmendorja e Zogut, për t’i hapur rrugën asaj të madhes, të Enverit, u bë. Ne i kemi qejf balancat.
Kështu pra, zonja Xhunga e bëri fora, si veteranët. Me shallin e saj të kuq në qafë, doli përpara nesh dhe për gati dy orë na tundi para syve portretin e saj të Enverit.
JU KAM DHJERË REFORMËN!
Nga Pellumb KULLA/
Në kalendaret e historisë së shqiptarëve ka plot ditë të tjera shumë më të përgjakshme se 21 janari, por kjo e janarit, përveç gjakut ka në ballë edhe turpin, ngaqë shënohet në kalendarin e bardhë të të ashtuquajturës demokraci brenda kornizës së BEsë dhe NATOs.
Ishte i rëndë dhe i turpshëm 21 janari i 2011, por gjithsesi më pak i rëndë dhe më pak i turpshëm se këta dy, të 2015 dhe 2016!
Para pesë vjetësh vrasësit ishin prepotentë, të paprekshëm. Ata vranë katër vetë teksa po mbanin duart në xhepa dhe tani që njohim karakterin e pushtetit të tyre, ai akt kriminal, thjesht, u shtohet historive të përgjakura qeverisëse në arkivat e njerëzimit. Ajo histori e tyre vrastare pasurohet me faktin se patën dy vjet e gjysmë kohë, që formalisht ta mbyllnin kapitullin me gjyqe të stisur dhe me fajtorë nga kundërshtarët që po u rrezikonin tua shqitnin kulltuqet nga bythët.
Nuk e bënë dot… Kësisoj ishin gati të mirëkuptuar, edhe kur I soditnim tek fshihnin gjurmët e krimit me shuarjet e filmimeve, ndërrimet e tytave, injorimet e prokurorëve…
Edhe 21 janari i vjetshëm, bile, ishte më i kuptueshëm dhe më pak i turpshëm se ky i sivjetmi! Sivjet, 21 janari ulurin dhe çirret! Pritet sërish të mbulohen hipokritikisht me lule njollat e gjakut të përfytyruar në bulevard, në vendet ku u gjendën shtrirë ata të vrarët me duart në xhepa…
Dhe do të dërdëlliten premtimet e reformës në drejtësi… Kjo përralla me reformë, do t’u shtohet luleve sivjet…
Ju kam dhjerë reformën!
Ju kam dhjerë konsensusin, ekspertët, amendamentet për Venecien, vetë Venecien dhe përpjekjet e ambasadorit amerikan! Premtoni alpet, kur nuk ngjisni dot një pirg dheu!
Nuk ka reformë më të thjeshtë se sa kjo e juaja:
Formuloni një akuzë për 21 janarin dhe shpjereni në gjykimin e Llallës, Venecies, Brukselit dhe Uashingtonit! Ose dorëzoni për hetim dy akuza të kundërta: një të kësaj qeverie për të shkuarën dhe një të qeverisë të shkuar për këtë të sotmen! Lerini listat me Rrugë Kombi, parajsen e Gjirit të Lalëzit dhe të Surrelit, me Gërdec dhe me naftën Millosheviçit! Ndaluni tek njëra! Përqendrohuni veç tek njëri nga turpet e kësaj gjenerate politikanësh! Qërroni dhe kthjelloni 21 janarin 2011!
Dhe ta shikoni sa e thjeshtë është reforma juaj e famshme e drejtësisë! Jepini paqë pikëllimit të 21 janarit dhe do ta shikoni se reforma është bërë vetvetiu!
Se ai 21 janar, e ka një fajtor.
Dhe ai fajtor, daçi besoni, daçi mos besoni, ai nuk jam unë! Prandaj kam kaq vrer, kaq përbuzje dhe mushkëri që të ulurij që këtej: ju kam dhjerë mu në reformë! Dëgjuat?
SHËMTIA E TË VËRTETAVE TË PËRKOHËSHME
Dyzet vjet nga vdekja/
Shkas nga vlerësimet e Enverit për Abaz Kupin/
NGA PELLUMB KULLA/
E kam ende fjalën për të vërtetat që nuk zgjatin shumë, apo që bëhen gënjeshtra e prapë rilindin siç ishin. Një nga pararendësit e këtyre çudirave me prestigjatura historike është i mirënjohuri Enver Hoxha, i cili i ndërronte interpretimet historike duke e lëvizur timonin sa nga një anë nga ana tjetër e duke tërhequr në këto lëvizje marramendëse aradhën e historianëve shumica e të cilëve mbijetuan edhe sot gëzojnë nderet si punonjës të shquar shkencorë, por që nuk e ngritën asnjë herë zërin për driblimet e dehura të udhëheqësit. Dhe sinqerisht e pranoj se edhe nëse nga këto tangot e diktatorit u vinte për të vjellë, këta të gjorët duhet të llogaritnin vdekjen po të ngrinin zërin kundër. Është tani që doktor profesorët e nderuar më duken më të neveritshëm se atëherë, për konseguencat bezdisëse që u duhet të ruajnë…
Por le të kthehemi tek dashi përçor, Enveri, i cili mund t’u kishte shtuar veprave të tij 100 vëllimëshe edhe një vepër bardhezi, me opinionet e tij laramane mbi Fan Nolin, Nako Spirun, Mehmet Shehun dhe shtatëqind e kusur të tjerëve.
Le të fokusohemi tek vlerësimi i Abaz Kupit…
Është një artikull i famshëm i Enver Hoxhës (kur ky nuk kish filluar ende nga pushkatimet e shokëve!) shkruar në gazetën e tij “Zëri i Popullit” që daton 13 shkurt 1943. Në artikullin “Bazi i Canes, Myslim Peza e Babafaja Martaneshi”, Bazi Canës, alias Abaz Kupi, udhëheq treshen e kryeluftëtarëve dhe himnizohet aty si një nga legjendat e rezistencës antifashiste.
Më pas, dy të tjerët e ndoqën partinë e komunistëve në bëmat e saj, kurse i pari, Bazi, doli nga rreshti dhe iu kundërvu Enverit sapo e nuhati busullën e tij dinake. Kjo pa dyshim solli tërbimin e Hoxhës dhe ky e cilësoi tradhëtar burrin që e shmangu qafën nga zgjedha qëtirani i ardhshëm po i ofronte. Ishte ai burri që, sipas fjalëve rrëzëlluese të Enverit, katër vjet të shkuara, në prill të 1939, kish luftuar forcat e armatosura italiane që po zbarkonin. Katër vjet major Kupi qëndroi me pushkën në frëngjitë e Durrësit kundër italianëve bashkë me luftëtarët e tij, nga të cilët heroi Ulqinaku ra duke luftuar. Mujo Ulqinaku vazhdoi të luftonte dhe lufton edhe sot edhe meriton nderimin tonë më të lartë. Kurse komandanti i tij, Abaz Kupi luftoi vetëm katër vjet! Enver Hoxha që nuk u ndodh as edhe katër sekonda në ato frëngji kur po mësynin okupatorët e fshiu nga lista heroin e prillit. E fshinë edhe këta doktorët që tundin medaljet shkencore edhe sot. Kështu Abaz Kupit i rreshtën breshëritë dhe grykat e zjarrit deri në vitin 1990. Vetëm atëherë, pas viteve ’90, luftëtari Abaz Kupi u rikthye të luftojë përsëri në vijën e parë të rezistencës. Dhe lavdi Zotit vazhdon të luftojë edhe sot.
Ah sa zbavitës janë këta fakte!
Por le të vendosim në këtë faqe fjalët origjinale (megjithë gabimet ortografike dhe përzjerjet dialektore!) të “udhëheqësit lavdimadh” të Luftës Nacional Çlirimtare…
“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”
*Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
LAMTUMIRE ARQILE LICI!
NGA PELLUMB KULLA/*
I shtrenjti Leu, i paharruari Arqile!
Jo më larg se para dy ditësh, nuk mund të mendoja kurrë se do të vija për ty në këtë vend të trishtë, o i shtrenjti miku im, dhe do të mbaja këtë fjalë! Dhe jo vetëm unë, por këtë nuk e mendonin as familjarët e tu të dashur, shokët, kolegët, miqtë e tu aq të shumtë anë e mbanë kësaj bote.
Ne po i japim tokës së ftohtë trupin tënd, atë gjë të përkohëshme, që do t’ia japim të gjithë, por tek ata që të njohin e të duan, ti, Leu ynë i paharruar, do të lesh pas shumë:
Mbi të gjitha do të lësh pas, kujtimin e përkushtimit tënd të rrallë në çdo gjë që bëre, kudo që u ndodhe dhe bëre vend, në teatrin dhe estradën tonë të Fierit, në Vlorë dhe në Tiranë, në hartën e gjërë të detyrave civile, apo ushtarake që të besuan dhe t’i vlerësuan, në skenë apo ekran; do të lësh pas kujtimin e pasionit tënd, nervit, gjallërisë karakteristike në çdo punë e vepër, në çdo bisedë, debat, a dialogim; do të lësh kujtimin e përkrahjes që i ofrove çdo njeriu, apo çështjeje, në të cilat ti angazhoheshe pa kursim.
Këtë listë cilësish sejcili nga ne këtu, e përpilon vetë më mirë e më plot se unë në mendjen e tij: gruaja jote e dërmuar nga ikja tronditëse, vajza dhe djali, që do të marrin cilësitë e tu më të mira aq të shumta, motrat e goditura rëndë, Eduardi dhe, sidomos, Samueli i vogël, kjo dashuri e re, e pamatë dhe e pangopur, Lena dhe Kiçua që nuk mundën të vijnë dot, nipërit dhe mbesat, shokët e tu të panumurt, që ende nuk po e marrin veten nga ky largim i papritur.
Një fjalim si ky nuk mund të mos e ketë subjektivizmin e atij që e harton, dhe që lumtërisht përkon me atë të shumë të tjerëve. Prandaj ai bëhet përgjithësues dhe mua më lejohet të veçoj këtu miqësinë tonë të sinqertë, ku ti ishe edhe më i pakursyer se unë, ku ne me time shoqe, që u ndodhëm në këtë ngjarje tragjike, në orët e tu të fundit të jetës, do të të jemi mirënjohës për gjërësinë e shpirtit tënd. Unë, edhe po të desha, nuk do të fshija dot kurrë kujtimet e bukura të bashkëpunimit me ty, që nga roli i parë aq i freskët në teatër e në të gjitha bashkëpunimet e shumta. E kam zor të gjej një mik, një vëlla kaq pasionant, që më bën një borxhli të pa shlyer, që më nxit të ndihem përjetësisht edhe më pranë Klarës, Erës dhe Redionit tënd. Ndjej se kurrë më parë fjalët e mia nuk kanë qenë kaq të paplota e kaq të hidhura. Rrugë e mbarë nëpër kujtimet tona, Arqile. Lamtumirë Leksi im! Të qoftë dheu i lehtë!
*Fjala e lamtumirës, shokut tim Arqile Lici
Tiranë, varreza e Sharës, 13 tetor 2015
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- …
- 6
- Next Page »