• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REVISTA LETRARE “PENA” NË NUMRIN E SAJ TË 8-TË

December 20, 2020 by dgreca

Shkruan:Doktorante Arjeta Ferlushkaj/

Revista letrare “Pena”, organ i “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, del para lexuesit në numrin e saj të 8-të në vitin 2020 me 25 autorë, nga ku 4 kritikë, 4 poetë, 4 prozatorë, 6 eseistë, etj. Kryredaktor i këtij numri është z. Adnan Mehmeti dhe redaktorë janë z.Mëhill Velaj dhe dr. Yllka Filipi.

Përgjithësisht, revista vjen me një strukturë tashmë të konsoliduar, nga ku rubrikat: kritikë, poezi, prozë, intervistë, ese, kronikat e shoqatës etj., janë thuajse të përhershme pasi i gjejmë edhe në numrat e mëparshëm të kësaj reviste.

Ajo që shënon nisjen e leximit të kësaj reviste është kritika. Është bërë zgjedhja e duhur që kjo rubrikë të hapet me një përkujtim të domosdoshëm për një personalitet tepër të rëndësishëm për botën shqiptare, siç është Arshi Pipa. Me këtë rast, studiuesi Anton Çefa na vjen me “Të kujtojmë Arshi Pipën në 100-vjetorin e lindjes”, ku na jep të dhëna rreth jetës dhe veprimtarisë (me kontribut shkencor të shumëanshëm dhe sidomos cilësor) së Arshi Pipës. 

Pjesë e kësaj rubrike janë edhe hulumtimet nga Gjekë Marinaj, PhD me “Fuqia e referencës letrare dhe autoriale në njësimin e Adnan Mehmetit”, një recension në plan të gjerë i librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Autorë dhe vepra” me autor Adnan Mehmeti; doktorante Arjeta Ferlushkaj me “Prania e tjetrit”, një studim mbi marrëdhëniet intertekstuale në letërsinë bashkëkohore, konkretisht në atë të shkrimtarit Ridvan Dibra dhe mbyllet me analizën e prof.dr. Thanas Gjikës: “Sinteza e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes vetëm në disa faqe të Visar Zhitit”, mbi kapitullin “Zbarkuesit” nga romani “Rrugët e ferrit” i shkrimtarit Visar Zhiti.

Sa i takon hapësirës që i është rezervuar në revistë krijimit letrar, ajo nis me poezinë dhe ky numër vjen me autorë si: Visar Zhiti (“Vazhdimisht tradhtohet njeriu”, “Rrethimi”, “Si shkohet në Kosovë”, “Zbathur shëtitet nëpër buzët tua”, “Mbi një fotografi shkruaj një lutje zotit”, “Skeleti”, “Jeton në syrin tënd”); Këze Kozeta Zylo (“Dua të vdes bukur, jam njeri”, “Saranda, Dea dhe Joni”, “Një dolli në ‘Zemrën e Liqerit’ të Lasgushit”); Xhemal Gora (“Kosova”, “Ky mall”, “Takim me Eseninin”, “Grave”) dhe Ermira Mitre (“Vetmia”, “Tango trëndafilash”, Në muajin mars”, “Eja valëz”). 

Ndërsa proza (e shkurtër) na prezantohet me këto autorë: Ramiz Gjini me “Shitësi i dhuratave të dashurisë”; Shpresa Vrana me “Nëse një ditë…më kërko!”; Mëhil Velaj me “Dëshirat e Aulonës” dhe Jani Plasa me “Guna e kaçakut”.  

Intervista e këtij numri ka në fokus krijimtarinë e shkrimtarit dhe studiuesit Gjekë Marinaj. Mujë Buçpapaj ka vendosur ta intervistojë shkrimtarin Marinaj me rastin e 30-vjetorit të botimit të poezisë “Kuajt”. Ndër të tjera, duke iu kthyer të kaluarës për të krijuar një analogji me ditët e sotme, shkrimtari Marinaj konstaton se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra thelbësore.  Për këtë arsye, intervista nga Buçpapaj na vjen me titullin “Ju tregoj pse poezia ime “Kuajt”, mbetet kaq aktuale edhe pas 30 vjetësh”.

Rubrika e esesë vjen pikërisht me 6 të tilla dhe përmendim: Dalan Luzaj me “Kur putha Kosovën”; Iliriana Sulkuqi me “Biografia ime ndryshe…dhe një premtim”; Raimonda Moisiu me “Poezia dhe muzika – dy nimfa ‘të dashuruara’ pafundësisht”; Pierre-Pandeli Simsia me “Sokakët e qytetit tim”; Akri Çipa me “Ai nuk e humbet esencën e së bukurës” dhe Luz Thaqi me “Rikthim në kohë”. 

Një ndër rubrikat më funksionale të revistës, në veçanti për “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” është ajo e kronikës, e cila konstatojmë me kënaqësi se vjen më e pasur. Kjo rubrikë ka vlerë sidomos për anëtarët e rinj të Shoqatës apo për një lexues me interesa më të thelluara sa i takon krijimtarisë që zhvillohet në diasporë apo për ‘ndërtimin’ e një historiku për “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”. Një ndihmesë edhe më të madhe jep lista e botimeve të realizuara nga anëtarët e Shoqatës që jepet në faqet e fundit të revistës. 

Në këtë numër, përveç pasqyrimit të aktiviteteve botuese apo promovuese të anëtarëve të Shoqatës, lexuesi mund të gjejë edhe organizime apo qëndrime në lidhje me ndodhi që nuk mund të anashkalohen, siç është rasti i largimit (të detyruar) nga Shqipëria i shkrimtarit dhe studiuesit Agron Tufa. Për solidaritetin e SHSHSHA-së ndaj Agron Tufës, në revistë kemi mundësi të lexojmë dy shkrime nga Frank Shkreli dhe Beqir Sina. 

Pjesë të këtij numri janë edhe njoftimet për anëtarësimet e reja në SHSHSHA. Një shkrim nga Eleonora Qeparoi na njeh me anëtarësimin e poetes Ermira Mitre Kokomanit. Gjithashtu, anëtarë të rinj në SHSHSHA u pranuan edhe Xhemal Gora, Jani Plasi, Frank Shkreli dhe Arjeta Ferlushkaj. Në këtë numër nuk mungojnë edhe promovimet e botimeve, siç është ai për librin “Esencat e mendimit letrar” me autor dr. Besim Muhadri; njoftime mbi ngjarje letrare në rang ndërkombëtar siç është rasti i çmimit Nobel, i cili këtë vit u fitua nga poetja amerikane Louise Glück, etj. 

Fuat Memelli dhe Namik Selmani vijnë në këtë numër të revistës “Pena” me nga një shkrim secili për një botim të rëndësishëm për SHSHSHA-në, siç është libri “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Autorë dhe vepra”, botuar nga Adnan Mehmeti (2020). 

Një ngjarje e rëndësishme për SHSHSHA-në këtë vit është anëtarësimi i shkrimtarit të mirënjohur Visar Zhiti, konkretisht si “Anëtar Nderi” i Shoqatës. Për këtë eveniment, vetë shkrimtari Zhiti i ka dërguar një letër “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, letër të cilën lexuesi e gjen në faqet e kësaj reviste. 

Pjesë e kësaj kronike janë edhe shkrimet: Namik Selmani me “Udhëtimi i revistës letrare “Pena” në Boston” dhe Fuat Memelli me “Rreth një “sofre” me krijuesit e Bostonit”, të dy shkrimet referuar takimit të shkrimtarëve në Boston, në janar 2020. Gjithashtu, shkrimi redaksional “Lamtumirë aristokrati i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, prof. dr. Agron Fico”, me rastin e largimit nga jeta të një anëtari të nderuar të SHSHSHA-së, Agron Fico.  

Duke shfletuar revistën “Pena”, lexuesi me kënaqësi mbyll faqet e fundit të saj duke numëruar plot 28 botime të reja që janë realizuar nga anëtarët e SHSHSHA-së për vitin 2020: 

  • Numri i 8-të i revistës letrare “Pena”.
  • “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Autorë dhe vepra” dhe “Si stelele iubesc” / “Edhe yjet dashurojnë”, (poezi në rumanisht) nga Adnan Mehmeti.
  • “The Old Bridge – Ura e vjetër” (ese dhe studime letrare) nga Arjeta Ferlushkaj
  • “Shpresë dhe dashuri” (novelë) nga Besa Rexhepi.
  • “Esencat e mendimit letrar” dhe “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (studime) nga Besim Muhadri.
  • “Flakadan dije dhe kulture. Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane Nju Xherzi” / “A flambeau of knowledge and culture. The Albanian-American Cultural Center New Jersey” (monografi) nga Bexhet Asani.
  • “Heshtja” (roman) nga Bora Balaj
  • “Away from Home” (poema) nga Carrie Hooper
  • “ການສາລະພາບຂອງທະເລ” / “Confessions of the sea”; “Humanizing Venus” (në gjuhën bengale); “46 саҳифа” / “Page 46” dhe “With Neruda on the Atlantic Shore” (në gjuhën koreane), poezi nga Gjekë Marinaj.
  • “Meditime shqiptare në Amerikë” (poezi) nga Gjeto Turmalaj.
  • “Puthemi te fjala” (“Baciamoci alla parola”), poezi shqip-italisht dhe “Për nesër” (“Words of tomorrow”), poezi shqip-anglisht nga Ilirjana Sulkuqi.
  • “Kohë e pamposhtur” (roman) nga Jashar Esati.
  • “Çamëria, bisk i endrrës” (poezi) nga Namik Selmani.
  • “Tregime”, “Hija e atij tjetrit” dhe “Shtëpia në përrua” nga Petraq Pali.
  • “Ankimi i Luciferrit” (poezi), “L’homme avec La fenêtre dans ses bras” (poezi në frëngjisht) dhe “Ospatul modern al lui Shakespeare” (poezi në rumanisht) nga Petraq Risto.
  • “Wrong marriage” nga Sabije Dervishi Veseli
  • “The Wall Clock And Other Short Stories”nga Sami Milloshi.
  • “E diela e fundit” nga Shpend Gjocaj.
  • “Funeral i pafundmë” (“Cortegiul fara de sfarsit”), roman në rumanisht nga Visar Zhiti.  

Po ashtu, në faqet e fundit të revistës, i përmendet lexuesit dhe njeriut të letrave se cilat janë kushtet e anëtarësimit për secilin që dëshiron t’i bashkohet grupit të krijuesve shqiptaro-amerikanë.

Ndërsa, në faqen e parë të revistës, gjejmë këtë moto:

“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.  

Një mesazh por edhe kërkesë e tillë e SHSHSHA-së, e cila boton revistën e saj “Pena” për 8 numra deri tani, i kujton vazhdimisht anëtarëve të saj, lexuesve por edhe autorëve që aspirojnë të jenë pjesë e shoqatës dhe revistës, që pena e tyre duhet të jetë e mprehtë dhe pretenduese, që koha mos ta sfidojë.   

Filed Under: LETERSI Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, PENA

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT