Nga Dr. Enver Bytyçi/
Një lapidar pranë godinës së komunës së Preshevës ka krijuar tension në Luginë Shqiptarët në këtë komunë para disa muajsh e ngritën këtë përmendore, me qëllim që të përkujtohej një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kësaj treve, të banuar po nga shqiptarët. Eshtë fjala për revoltën e armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila u zhvillua në vitin 2000 nën emrin “UÇPMB”. Kjo revoltë u kushtoi jetën e 27 ushtarëve, në mesin e të cilëve edhe Komandant Lleshit, i cili udhëhiqte sulmet dhe aksionet e shqiptarëve kundër stacioneve policore e pikave ushtarake serbe.
Aso kohe në pushtet ishte partia e Ivica Daçiç, e cila udhëhiqej nga komandanti i fushatës asgjësuese të shqiptarëve në Kosovë, Sllobodan Milosheviç. Pasuesi i Milosheviçit, tashmë kryeministër i Serbisë, pra Ivica Daçiç, paralajmëroi në fillim të janarit se do të bojkotonte bisedimet me Kosovën, të sponsorizuara nga Brukseli, nëse shqiptarët e Preshevës nuk e shkatërrojnë lapidarin kushtuar luftës së drejtë e të shenjtë për liri e barazi. Ose, thoshte ai, qeveria e Serbisë do ta shkatërronte këtë lapidar me dhunë. Shqiptarët paralajmëruan se një hap i tillë i kryeministrit serb do ta çonte rajonin në një konflikt të pashmangshëm, ndoshta më të madh se ai i vitit 2000. Kështu Lugina e Preshevës u përfshi edhe njëherë në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vendet fqinjë dhe u kërkoi atyre të heqin dorë nga albanofobia. Me ndërmjetësimin e ambasadorëve perëndimorë në Beograd, ku përshihej dhe ai amerikan, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u takuan dhe vendosën që lapidari të mos prishet. Ivica Daçiç duket se është tërhequr nga pozicioni i fillimit dhe në kuvendin e Serbisë ka deklaruar para dy ditësh se nuk mund të ndërptiten bisedimet me Kosovën. Shqiptarët në Luginë kanë kërkuar përmes anëtarëvë komunalë që të përfshihen në këto bisedime, sa duket me synimin për ta avancuar pozitën e tyre në raport të drejtë e të barabartë me serbët në Kosovë.
Nga e gjithë kjo panoramë e një lufte të ftohtë midis shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mund të analizonim disa dukuri dhe të shkonim në disa përfundime logjike të zhvillimeve të fundit.
Së pari: Ivica Daçiç e motivoi vendimin e tij për prishjen e lapidarit me dy “arësyetime”, me atë se sipas tij “të rënët e UÇPMB-së ishin terroristë”, si dhe me paragjykimin tjetër, sipas të cilit “Ngritja e lapidarit është bërë për të dëshmuar se Serbia nuk ka sovranitet në këtë pjesë të territorit të saj”. Në rastin e etikës për “terrorizëm” përgjigja është dhënë në mometin kur ka ndodhur konflikti. Në verën e vitit 2000 është nënshkruar një marrëveshje, me të cilën të dy palët kanë ulur armët dhe serbët janë zotuar se “do t´i respektonin të drejtat e shqiptarëve në Luginë”. Nga ky moment, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk mund të bëhet më fjalë për akte terrorizmi e madje as për qëndrime ekstremiste. Alibia e Daçiç për “terrorizmin e shqiptarëve” kundër stacioneve policore është e sajuar me qëllime politike dhe e ndikuar nga psikologjia, politika dhe praktika e Milosheviçit për zgjidhjen e konflikteve në rajon. Ky qëndrim i kryeministrit serb shkon në drejtimin që historikisht ka shkuar politika serbe, sipas së cilës “serbët janë viktima, shqiptarët agresorët”. Por bota tashmë e ka parë me sytë e saj se cili ka qenë roli i Serbisë në luftën e saj shfarosëse kundër shqiptarëve.
Ndërkaq arësyetimi i dytë për “sovranitetin serb në Luginë” dhe të ashtuquajturin vënie në dyshim të këtij sovraniteti nga shqiptarët është automatikisht jashtë kontestit në të cilat zhvillohen ngjarjet. Vendosja e përmendoreve dhe lapidarëve është kompetencë e pushtetit vendor dhe komunat shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë të drejtën sovrane të vendosin për to. Asnjë qeveri demokratike në botë nuk mund të imponojë pushtetin lokal sa i përket vendimmarrjes për çeshtje të tilla. Nëse do të ndohte ndryshe, atëhere komunat dhe bashkitë që përfaqësojnë opozitën do të paralizoheshin, komunat dhe bashkitë që drejtohen nga pakicat do të asgjësoheshin dhe kështu të drejtat e vetëqeverisjes dhe të drejtat e tjera që burojnë prej saj do të zhdukeshin. Kjo logjikë duhet t´i kushtojë në pikëpamje të diferencave që paraqet kryeministri i Serbisë në lidhje me pakicat, krahasuar me konventat ndërkombëtare. E parë në këtë kontekst, një qëndrim dhe arësyetim i tillë duhet marrë në konsideratë në Bruksel e kryeqendrat e tjera perendimore sa i përket vlerësimit të hapave që Beogradi ka bërë në plotësimin e kushteve për pranim në BE. Nëse do të kishte ndodhur ky lloj konflikti në Shqipëri dhe nëse kryeministri i Shqipërisë do të kishte bërë një presion të tillë, jam i sigurt se të gjitha boritë e Brukselit do të ishin në piskamë kundër tij dhe kundër Shqipërisë. Por nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh një gjë e tillë kur është fjala për kryeministrin e Serbisë dhe vetë Serbinë. Nëse kryeministri i Kosovës ose kryetari i një komune në Luginë do të kishte kontestuar lapidarët serbë, të cilët u kushtohen terroristëve të dëshmuar në luftën kundër shqiptarëve, atëherë Europa do të na kishte vënë në “bankën e të akuzuarve”. Vetëm politikanët serbë kanë akses në Bruksel të sillen si të duan me shqiptarët.
Së dyti: Bie në sy se kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, prishjen e lapidarit në Preshevë me bisedimet në Bruksel i pati kushtëzuar. Ndoshta kjo kishte të bënte me një presion të radhës ndaj Bashkimit Europian. Aq më tepër po të kemi parasysh faktin se në Serbi shumë prej politikanëve, përfshirë presidentin Nikoliç, ose një prej eksponentëve të opozitës, si Vojisllav Koshtunica, janë të orientuar qartësisht drejt Moskës. Daçiç me kërcënimin për ndërprerjen e bisedimeve donte të tatonte pulsin e institucioneve të Prishtinës, të Tiranës e para së gjithash njëherësh pulsin e politikanëve të Brukselit dhe kundërshtarëve të tij në Beograd. Ai e dinte se skema e tërheqjes nga bisedimet është e mbetet rruga e gabuar për Beogradin. Por megjithatë ai kërkon që ta fusë vendin e tij në një krizë të pakthyeshme, e pas dështimit të marrë stafetën e ngritjes së partisë së tij në elektoratin serb. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar një sjellje e tillë, duke manipuluar me shqiptarët, i ka dhënë atij fitoren e paimagjnueshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Kjo eksperiencë e vyeshme për Daçiç përdoret me efektivitet edhe në rastin e lapidarit të ngritur në Preshevë. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që asnjë prej udhëheqësve të tjerë në Beograd nuk është ndjerë sa i përket këtij lloj konflikti.
Së treti: Zoti Daçiç po përdor Preshevën edhe si shenjë e model të provës se nuk është vështirë të destabilizohet rajoni. Me ultimatumin e tij, ai shkaktoi reagimin e shqiptarëve, reagim që për hir të së vërtetës duhet vlerësuar i moderuar, por edhe i vendosur. Me këtë rast reagoi gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, por jo kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duket se është më shumë i shqetësuar për “dështimin” e bisedimeve me Serbinë, sesa për fatin e shqiptarëve. Daçiç llogariti që me këtë presion të mobilizojë edhe Prishtinën, me qëllim që ajo të refuzojë bisedimet dhe të fajësojë shqiptarët për dështimin e këtyre bisedimeve. Kur u pa se kjo nuk po ndodh, atëherë kryeministri i Serbisë u tërhoq dhe mbrojti me shumë takt rrugën e bisedimeve, duke paralajmëruar kundërshtarët e këtyre bisedimeve në Beograd, se Serbia mund të izolohej e të bëhej përsëri “delja e zezë” e Ballkanit. Këtë mesazh ai e ritheksoi të premten e kaluar para deputetëve se “Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati se nuk ekziston fare. Ne sot duhet të kërkojmë mbështetjen për politikën e cila do ta ndërpres ninullën se është e mjaftueshme vetëm që të fshihemi pas rezolutës dhe se problemi i Kosovës do të zgjidhet”. Por ama Daçiç arriti diçka thelbësore. Ndonëse Thaçi ishte betuar se nuk do të shkonte “kurrë” në bisedime për veriun e Kosovës, ai më 17 janar, një muaj para pesë vjetorit të pavarësisë, do të ulet e të bisedojë me kryemnistrin serb pikërisht për fatin e veriut të Mitrovicës. Dhe të bisedosh për një çeshtje të tillë, ekskluzive si çeshtje e brendshme e Kosovës, do të thotë se do t´i duhet të bëjë lëshime. Se deri ku do të shkojnë këto lëshim, le të presim datën 18 janar. Megjithatë shqiptarët dhe institucionet e Kosovës kanë detyrë dhe të drejtë të mos pajtohen me asnjë lloj koncensioni territorial e politik në dobi të Serbisë.
Pra, përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime do të shkojnë “si derr në thes”, sepse nuk mjafton sllogani “ne kemi pakon e Ahtisaarit”. Kryeministri Thaçi duhet të shkojë më 17 janar në Bruksel me axhendën e tij, në të cilën të pasqyrohet e zbërthyer pakoja e Ahtisarit dhe e adaptuar në kushtet e krijuara në veri të Mitrovicës. Këshilltarët e tij ka nevojë që ta njoftojnë kryeministrin me të gjitha leximet midis rrjeshtave të platformës serbe dhe të projektit të baroneshës Ashton, sepse mundet që BE nga lodhja dhe rendja drejt suksesit personal të indërmjetësuesit të paraqesë një plan të dëmshëm për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, pra në dëm të interesave të shqiptarëve. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedime duhet të bëjnë të qartë se asnjë m2 tokë nuk mund të humbet më nga ana e shqiptarëve, pasi ata kanë humbur gati gjysmën e territoreve në shekullin e kaluar si rezultat i dhunës, terrorit dhe ekspansionit të Serbisë në këto territore.
Së katërti: Kryeministri Daçiç kishte për qëllim që me presionin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës të bënte presion në Europë, që ajo të pranonte sa më shumë prej opcioneve të platformës së Serbisë për Kosovën. Ai është i bindur se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë do të dobësohet prezenca e Beogradit në Kosovë. Prandaj dhe rend me ngut që të institucionalizojë me një marrëveshje konkrete praninë e vet në Republikën e Kosovës, duke synuar krijimin e një minishteti serb brenda territorit të saj. Do ta kishte ky minishtet serb emrin e Republikës Srpska në Bosnjë, ose jo, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishmë për Serbinë është të jetë “gozhdë Nastradini” në këtë vend. Pikërisht këtë duhet ta evitojë Hashim Thaçi. Nëse është i vendosur në këtë qëndrim dhe ka besim se e eviton, ai do të meritojë respektin e shqiptarëve, nëse jo, atëherë më mirë për të është të japë dorëheqje, jo për t´ia dhënë postin e tij Ramush Haradinajt, por për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Më pas Haradinaj le të rikthehet në karriken e kryeministrit të Kosovës.
Së pesti: Në Luginën e Preshevës Serbia po arrin një sukes të pjesshëm. Me diversionn e saj për lapidarin, ajo ka arritur t´i mobilizojë një grup shqiptarësh e t´i adresojë kundër qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ky akt shënoi një precedent të paparë më parë dhe besoj se kjo i duhej Beogradit, me qëllim që aktorët shqiptarë të përçahen. Do të ishte krejt normale, nëse përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës së Preshevës do të kërkonin në mënyrë të instucuionalizuar e konkretisht ndihmën e qeverisë së Tiranës e asaj të Prishtinës. Por demonstrimet me fyerje kundër Berishës dhe Thaçit, në vend që ato të drejtoheshin kundër kryeministrit serb, Daçiç, shkojnë në dobi të qëllimeve dhe synimeve serbe në këtë rast. Eshtë në të drejtën e këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, nëse ata duan apo nuk duan ta prishin lapidarin. Dhe këtë ata e kanë shprehur me vendosmëri. Ndaj askush nuk mund ta përceptojë pse duhej një sjellje e tillë e disa dhjetra shqiptarëve, të cilët demonstruan kundër Shqipërisë dhe Kosovës.
Dhe së fundi: Tensionet në Luginën e Preshevës nuk kanë qenë këto kohë të veçuara. Në Kosovë nuk janë lejuar për vizitë disa personalitete të Serbisë, përfshirë presidentin dhe kryetaren e Parlamentit të këtij vendi. Kjo ndodhi jo vetëm se drejtuesit e Kosovës donin të dërgonin në Beograd një sinjal të vendosmërisë së tyre në mbrojtje të sovranitetit. Kjo ndodhi gjithashtu për t´i ardhur në ndihmë kryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili i ndodhur ngushtë përballë presioneve të partnerëve të tij në qeverisje, mund t´u kujtonte atyre se “Nëse do të ishim të zotët e sovranë në Kosovë, atëherë ju do të kishit shkuar pa pengesa atje”. Por kjo i ka tensionuar më shumë marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit. Ndërkohë në Maqedoni dëgjohen ende thirrjet “Shqiptar imirë është shqiptari i vdekur”, thirrje të cilat të kujtojnë histerinë serbe të kohës së Milosheviçit. Kjo do të thotë se në Maqedoni ka forca të interesuara për kaos dhe konflikt në rajonin tonë. Nëse i shtojmë kësaj garniture edhe garniturën e gatshme në Beograd, nëse përmendim këtu edhe disa simptoma të rrezikshme që vijnë nga finji ynë jugor, Greqia, kur është fjala për qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, atëherë merret lehtë me mend se rajoni noton në një vorbull të rrezikshme për paqen e stabilitetin e tij.
Presheva ka dhënë një mësim të jashtëzakonshëm. Krahas brishtësisë së paqes në këtë rajon, ajo dha edhe njehërë mesazhin se shqiptarët nuk e duan konfliktin, nuk duan përçarjen, nuk duan dhunën dhe janë të prirur drejt respektit për vetveten, pa lënduar askënd tjetër në këtë rajon. Në këtë kuptim është mirë që në skenën politike të këtij rajoni ka ende fansa dhe nostalgjikë të Milosheviçit e Shejshelit, siç janë në Serbi presidenti, kryeministri dhe disa krerë të opoziës. Eshtë mirë që në Maqedoni Gruevski me të tijët nxit maqedonët kundër shqiptarëve. Kemi raste të përsëritura të dëshmojmë pjekuri, por pa u frikësuar nga sulmet dhe diversionet antishqiptare të llojeve të ndryshme.