Shkruan: Adil FETAHU/ Apetitet e nacional-shoviinistëve serbë për Serbinë e Madhe, që prej gjysmës së dytë të shekullit 19 nuk janë shuar kurrë. Për të arritur këtë qëllim ata kanë hartuar, miratuar, promovuar e zbatuar programe, strategji, memorandume, rezoluta, deklarata e vendime dhe kanë vepruar në praktikë, duke rritur territorin e shtetit të vet dhe armiqësinë me shtetet tjera. Krahas zgjërimit të territorit të shtetit në të gjitha anët, duke pushtuar territore të shteteve fqinje, synimin kryesor e kanë pasur pushtimin e bregdetit dhe territorit shqiptar. Edhe pushtimi i Kosovës në vitin 1912 ka qenë në këtë funksion, me synim të daljës në bregdetin shqiptar, gjë që bëri në vitin 1913-1914.
Shkencëtari më i njohur serb, Jovan Cvijiq, ekspansionin serb kah jugu, me dalje në bregdetin shqiptar e arsyetonte me shkaqe ekonomike: “Për shkak të pavarësisë së vet ekonomike, Serbia duhet të fitojë çasje në Detin Adriatik dhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë, qoftë me pushtim të territorit, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të komunikacionit në atë krahinë. Kjo, vërtetë do të thotë pushtimi i një krahine etnografikisht të huaj, por që duhet patjetër të merret për shkak të interesave të rëndësishme ekonomike, për shkak të nevojës jetësore”, shkruan Cvijiqi dhe i përpilon hartat e viseve të cilat duhet pushtuar.
Këto apetite i kanë nëpër sirtarë edhe pushtetarët aktualë në Serbi, ndonëse nuk i shfaqin hapur dhe me metoda të pushtimit, por synojnë që me metoda tjera të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata edhe sot e kësaj dite shohin ëndërr për një korridor sëpaku 5 km të gjërë, për të dalë në bregdetin shqiptar, prej Shëngjini deri në Durrës! Shijen për këtë apetit ia shtoi emisari i ish-presidentit Tramp, Richard Grenell, me rastin e nënshkrimit të dofarë marrëveshjeve në Washington, më 4 shtator 2019, në të cilat bëhet fjalë për lidhje infrastrukture rrugore dhe hekurudhore, jo vetëm mes Kosovës e Serbisë, por edhe me Shqipërinë.
Mirëpo, Kosova i ka mbetur Serbisë asht në fyt, si çështje e pazgjidhur sipas saj. Në tridhjetë vjetët e fundit, në çarqet politike, shtetërore, ushtarake, shkencore, kishtare e kulturore të Serbisë janë përpiluar e shfaqur shumë ide, propozime, plane, strategji, programe, rezoluta, deklarata, për zgjidhjen e problemit midis Kosovës e Serbisë. Dhe me qenë se me përfundimin e luftës në vitin 1999 Kosova faktikisht është shkëputur nga Serbia, ndërsa me shpalljen e pavarësisë (2008) këtë e bëri edhe juridikisht, Serbia përpiqet që në kushte e rrethana të reja, të shkëputë e fitojë diçka nga territori i Kosovës.
Idenë për ndarjen midis Kosovës e Serbisë, e ka publikuar haptas shkrimtari dhe akademiku serb Dobrica Qosiq qysh në vitin 1966 e 1968 dhe 2002 e 2003. Në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jgosllavisë, më 29 maj 1968, Qosiqi shprehej: “Nëse rruga na shpie në realizimin e sovranitetit të Serbisë me shkëputjen e Kosovë-Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë janë të pashmangshme ndeshje të rënda dhe tragjike, me pasoja historike të paparashikueshme”. Për shkak të prognozave të tij nacioanaliste, atëherë u përjashtua prej partie (LKJ).
Këtë ide e ka edhe sot lidershipi i Serbisë, sado që nuk e thotë në mënyrë shprehimore, por tërthorazi, duke përsëritur mantrën bajate se: “nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, e dikush asgjë”!. Ata e dijnë se me bisedime Kosovën nuk mund ta kthejnë nën Serbi, por shtiren sikur është nën sovranitetin e Serbisë, duke u thirrur në preambulën e Kushtetutës së tyre (2006) dhe në Rezolutën 1244 të KS KB, edhepse nga ajo Rezolutë nuk mund të gjejnë as shkronjën “S” të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore, Erhard Busek thoshte: “Në takimet zyrtare politikanët serbë thonë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa në biseda të lira, kur pijmë kafe, ata më pyesin se si të lirohën prej saj”.
Dobrica Qosiqi,që është ideatori i parë për ndarjën e Kosovës. Në librin e tij, në formë ditari,“Kosovo”, tregon se me ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, qysh prej 14 dhjetorit 2002 deri më 12 janar 2003, ka qenë dy herë në vizitë në shtëpinë e Gjingjiqit dhe në kontakt permeanent me kryeministrin, në konsultime për zgjidhjen e problemit me Kosovën e që Qosiqi i ka propozuar : ndarjen e territorit të Kosovë-Metohisë, përkufizimin midis Serbëve e Shqiptarëve, pa insistuar në territore të pastra etnike, me reciprocitet për format e të drejtave nacionale dhe civile për pakicat. Patrikana e Pejës, manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Deviçit të kenë pozitë vetëqeverisje dhe të drejta sipas modelit të manastereve ortodokse në Malin Atos të Greqisë, por që paraprakisht t’iu kthehën tokat dhe pyjet e nacionalizuara në vitin 1945”. Me këtë propozim ishte pajtuar kryeministri, që kishte thënë se menjëherë do t’iu shkruajë letër Bushit, Blerit, Shrederit, Putinit, Shirakut dhe do t’i vizitojë të gjitha ato qendra, për t’i bindur për nevojën e ngutshme të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Deviza e Gjingjiqit ishte: “Në Kosovë të kthehen serbët, e jo Serbia”. Ai i kishte shkruar letër komandantit të NATO-s për Europë, që të lejonte kthimin në Kosovë të 999 policëve të Serbbisë, siç parashihet me Rezolutën e KS 1244.
Kryeministri Gjingjiq, pas konsultimit të Qosiqin, e kishte përpiluar strategjinë e tij për zgjidhjen e problemit me Kosovën. Kishte përcaktuar dy pikëpamje. E para ishte federalizimi i Kosovës, me dy entitete: shqiptare dhe serbe, me institucionet e tyre të pavarura, sipas shembullit të Bosnje-Hercegovinës. Si “federatë e entiteve” Kosova do të ishte në kuadër të Serbisë, me status: ma shumë se krahinë, më pak se republikë. I vetëdijshëm se një koncept të tillë nuk do ta pranojë Kosova as bashkësia ndërkombëtare, në variantin tjetër Gjinjiqi parashihte: a) ndarjën territoriale; b) garancione efikase ndërkombëtare për serbët të cilët mbetën të jetojnë në pjesën shqiptare; c) status të psaçëm të objekteve fetare. Gjingjiqi konsideronte se është momenti i fundit për të ndërmarrë aksione të vendosura për zgjidhjen e problemit me Kosovën, sepse koha nuk po punon në favor të Serbisë. Gjingjiqi ishte një politikan i shkathtë dhe kishte një reputacion pozitiv në arenën ndërkombëtare, veçmas në Gjermani. Dhe si i tillë ishte më i rrezikshëm se të tjerët. Mirëpo, atë e likuiduan me atentat, në shkallët e ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, më 12 mars 2003. Ai nuk arriti ta realizojë strategjine për të cilën u pajtua me Qosiqin, por opsioni i ndarjës së Kosovës iu mbeti “si patate e nxehtë në dorë” qeverive që pasuan, e të cilat i kryesuan ultranacionalistët e dëshmuar: Vojsillav Koshtunica, Mirko Cvetkoviq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vuçiq. Në kohën e qeverisjes së tyre u lansuan strategji e modele të ndryshme. Prej vitit 2005, ka qarkulluar pikëpamja e të gjitha qeverive të Serbisë “Më shumë se atonomi, më pak se pavarësi”, ose ndarja e Kosovës. Do të thotë se pavarësinë nuk mund ta gëlltisin kurrësesi.
Strategjitë dhe pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e problemit me Kosovën i shpalosën edhe kryetarët e Serbisë: Boris Tadiq e Tomisllav Nikolliq , ndërsa kryetari aktual, Aleksandar Vuçiq është treguar më dinak dhe e fshehë strategjinë e tij si gjarpëri këmbët. Tadiqi kishte një strategji-plan prej katër pikash: 1) Zgjidhje e posaçme për komunat veriore; 2) Administrimi dhe eksteritorialiteti i manastireve të KOS; 3) Garancione për serbët në enklava; 4) këthimi ose kompensimi i pronave shtetërore dhe atyre private. Koshtunica zgjidhjen e mendonte me një autonomi të mbikëqyrur, sipas modelit të Hongkongut, por jo kurrëfar pavarësie, as e mbikëqyrur as e plotë. duke pretenduar se ky model ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë mbi Kosovën dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë. Tomisllav Nikolliqi edhepse ishte një ultranacionalist, analfabet poltik, ishte konsultuar me AShAS, dhe me Kishën Serbe, por ishte më larg realitetit se sa të tjerët. Ai insistonte në formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila do të kishte shkallë të lartë të autonomisë territoriale dhe politike, kompetenca të gjëra dhe lidhje speciale me Serbinë; eksteritorialitet të manastireve e kishave serbe, por Serbia kurrë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës! Aleksandar Vuçiqi, në vitin 2018 pati organizua një “dialog të brendshëm” në Serbi, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shkencore, kishtare, kulturore dhe të shoqërisë civile, dhe pati premtuar se pas përfundimit të atij dialogu do ta përpilojë e publikojë strategjinë e tij, të cilën nuk e publikoi asnjëherë. Por, me dedhitë e tij, në strategjinë e ndarjes së Kosovës i futi Edi Ramën dhe Hashim Thaçin dhe në njëfar mënyre mori një përkrahje nga disa zyrtarë në Vashington. Në fjalime, në bisedime dhe në media, Vuçiqi shpeshherë i ndërron fjalët, varësisht nga situata aktuale në terren. Duke i theksuar katër shtylla të politikës së jashtme: BE, ShBA, Rusia dhe Kina dhe përkrahjen e tyre në zgjidhjen e problemit të Kosovës, me kompromis, sipas të cilit “nuk mundet dikush të fitojë të gjitha, e dikush asgjë”! Ky është pretendim i hapur ndaj territorit të Kosovës, pjesës veriore dhe jo vetëm asak. Dhe në këtë pretendim shpeshherë lëshon tullumbaçe kërcënuese. Armatimi me armë nga Rusia dhe paralajmërimi i këthimit të obligimit ushtarak, për shkak të situatës së pazgjidhur me Kosovën, janë kërcënim serioz. Me dredhitë e tij, me strategjinë e durimit dhe pritjes së ndryshimit të raporateve në arenën ndërkombëtare, me forcimin e pozitës së shtetit të tij dhe me strategjinë e destabilizimit të shteteve fqinje, Vuçiqi është treguar faktor destabilizues në Ballkan, Aademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në vitin 2012 ka hartuar Memorandumin 2, si program strategjik se si të veprohet për destabilizimin e shteteve fqinje, duke i dhënë një rol të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në këtë strategji, gjë që u vërtetua me rrëzuarjen e qeverisë së Malit të Zi vitin e kaluar.
Një version interesant i strategjisë serbe për zgjidhjen e problemit me Kosovën, me titull “Izlazna strategija Serbije na Kosovu i Metohiji” (Strategjia dalëse e Serbisë në Kosovë-Metohi) (shih: “Hereticus – casopis za preispitivanje proslosti”, No.4/2007; “Heretikus – revisitë për rishqyrtimin e së kaluarës…),- qarkullon nëpër media prej marsit të vitit 2008, që duket interesant përkah mënyra e shtjellimit dhe është e pranueshme” për palën serbe. Bëhet fjalë për “rektifikimin” (ndarjen) territoriale të Kosovës. Sipas asaj strategjie, edhe Serbia edhe Kosova humbin 12% të territorit të tyre. Dhe ja se si e kalkulojnë llogarinë me formulën 12: 12.
Serbia (me Kosovën) ka 88361 km/katrore. Kosova ka 10887 km/2, që i bie 12% të territorit të Serbisë me Kosovën. Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë: Leposaviqi me 539 km/2, Zubinpotoku me 333 km/2, Zveçani me 123 km/2 dhe komuna e Mitrovicës së Veriut 100 km/2., që të gjitha sëbashku bëjnë afro 1100 km/2, pak më tepër se 10% e territorit të Kosovës. Me një korigjim të kufirit në rrethin e Moravës dhe me zonat e mbrojtura të tri manastireve të Kishës Ortodokse Serbe (Graçanicës, Pejës dhe Daçanit) dhe me ndarjën e kompleksit të Gazimestanit,- Serbia do të fitonte 12% të territorit të Kosovës. Pjesa tjetër do t’iu mbetej shqiptarëve. Në këtë mënyrë, edhe Serbia edhe Kosova do të humbnin nga 12% të territorit, por nga ndarja e tillë asnjera palë nuk do të delte plotësisht humbëse. Secila palë humbë 12% të territorit të pretenduar dhe secila diçka fiton e diçka humbë, thonë autorët e kësaj strategjie. Pretendimi i palës shqiptre ndaj Preshevës neutralizohet me Shtërpcën, që mbetet në Kosovë. Ithtarët e kësaj strategjie dhe këtij plani thonë se ky ka qenë opsion zyrtar amerikan, por gjoja se Beogradi e ka refuzuar. Sipas tyre, ky plan do ishte zgjidhja e vetme që kënaqë të dy palët; shqiptarët që fitojnë pavarësinë dhe serbët që të mos mbetën pala që humbë të gjitha. Thonë se këtë opsion e ka përkrahur edhe ish-ministri i jashtëm Italian, Gjulio Ammati. E mira tjetër e kësaj strategjie,thonë ata, është se të dy vendet do të mbetën me popullsi homogjene etnike, mbi 80% Serbia dhe mbi 90% Kosova, që është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm, sepse është dëshmuar se shtetet të cilat kanë mbi 20% popullsi të entnikumit tjetër, kurrë nuk janë stabile.
A s’ju duket kjo një strategji diabolike?
Në të gjitha strategjitë serbe, opsioni i ndarjës së Kosovës është pika qendrore, prej së cilës kurrë nuk kanë hequr dorë, sado që një kohë ka qarkulluar edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve, si një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Në të gjitha variantat, Serbia koma e konsideron Kospvën si territor të saj, pasi kështu e ka në kushtetutë, prandaj llogaritë e kompensimit i bënë me territorin e Kosovës, pa e prekur territorin e Serbisë.
Se a janë këto llogari pa hanxhiun, mbetet të shihet dhe varet nga konstelacioni i zhvillimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërkombëtare dhe nga afiniteti i fuqive të mëdha për mënyrën e zgjidhjes së problemit. Deri atëherë, edhe Kosova edhe Serbia do të jetojnë në iluzione, se secila e ka sovranitetin mbi Kosovën: Serbia e ka në kushtetutë, por nuk e ka në realitet; Kosova poashtu e ka në kushtetutë dhe në fjalë boshe të politikanëve, por nuk e ka sovranitetin mbi pjesën veriore të Mitrovicës, as në enklavat e vendbanimet tjera në të cilat jetojnë serbët si shumicë!