• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR FLITET PËR DIASPORËN

January 27, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1                                             

  Nga Frank Shkreli/*

Njoftohet se të mërkurën u zhvillua një takim midis tre ministrave të diasporës, të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë: zotërinjve Pandeli Majko, Dardan Gashi dhe Edmond Ademi.  Sipas një komunikate që lëshuan tre ministrat shqiptarë, pas takimit të tyre në Ohër, ata e konsideruan takimin e tyre, “Si një fillim i rëndësishëm për të nxitur veprim të përbashkët në forcimin e lidhjeve midis vendeve, në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik”.

Ministrat nuk njoftuan asnjë plan “veprimi të përbashkët” ose bashkrendim nismash për të ardhmen, përsa i përket diasporës, me përjashtim që siç thuhet në komunikatë, “Ministrat ranë dakord të kryejnë vizita të përbashkta në SHBA, Gjermani dhe vende të tjera për të takuar komunitetet e diasporës”.   Në komunikatë thuhet gjithashtu se, “Ministrat përshëndetën vendimin e fundit të Parlamentit të Maqedonisë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si një akt që i jep kredibilitet bashkëpunimit të ngushtë midis tre vendeve.”   Nuk e kam krejt të qartë nga fjalët e përdorura në këtë komunikatë, por shpresoj që tre ministrat shqiptarë nuk i konsiderojnë shqiptarët nën Maqedoni, si pjesë e “diasporës”, ashtu siç nuk janë “diasporë” as shqiptarët në Kosovë dhe as shqiptarët që jetojnë në trojet e veta shekullore nën Malin e Zi, megjithse jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë.  Dua të besoj se kur tre ministrat flasin për diasporë, ata e kanë fjalën për shqiptarët e përhapur anë e mbanë botës, për “gjakun e shprishur”, të detyruar të largoheshin nga vendlindja dhe trojet shekullore në Ballkanin Perëndimor dhe të vendoseshin, për arsye të shtypjeve dhe diskriminimeve politike dhe ekonomike – sidomos gjatë shekullit të kaluar – kryesisht në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara – dhe jo për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, gjysh pas gjyshi.

Sidoqoftë, krijimi i tre ministrive të diasporës është një vendim për t’u mirëpritur, ndonëse i vonuar dhe takimi i parë midis tre ministrave të diasporës këtë javë në Ohër, shpresohet të jetë një hap i rëndësishëm drejtë bashkrendimit të veprimtarive, por sukseset ose dështimet e veprimtarisë së tyre, veças ose të përbashkët, për diasporën, do të vlerësohen në muajt dhe vitet e ardhëshme. Mirëpritet fakti, që mbas më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, më në fund Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia po i kushtojnë vëmendjen që meriton diasporës, të pakën me fjalë deri tashti.   Shpresoj që marrëdhëniet e tre ministrave me diasporën, të mos jenë politike, dmth reflektuese të politikave të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — por të jenë patriotike, vëllazërore, mbarë kombëtare dhe njëkohësisht të rrinë larg influencave partiake të bosave të tyre politikë në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim që diaspora ose pjesë të diasporës të mos përdoren për qëllimet e tyre politike dhe elektorale, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.  Fatkeqsisht, ashtu si më përpara, edhe vitet e fundit janë venë re prirje, nga përfaqsues një partie politike ose një tjetre, për të influencuar politikisht, individë ose grupe të diasporës, ose duke bërë diferencime, sidomos në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në favor të një partie politike ose një udhëheqsi politik shqiptar.  Ka patur raste që udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, gjatë vizitave të tyre në Amerikë, janë takuar vetëm me individë ose grupe të selekcionuara nga ambasadat e tyre dhe nuk kanë gjetur mundësi për takime me grupe gjithëpërfshirse të komunitetit.

Disa vërejtës janë shprehur se si përfundim i këtyre përpjekjeve nga vizitorët prej trojeve shqiptare, për tu takuar me individë dhe grupe të seleksionuara nga ambasadat, ndonjëherë edhe pa u njoftuar publikisht, dhe duke anashkaluar pjesën dërmuese të komunitetit – vitet e fudnit vihet re një çangazhim politik i dukëshëm, për të mos thënë një indiferentizëm i plotë i aktivitetit politik të komunitetit shqiptaro-amerikan.   Për hir të vërtetës, duhet thënë se ky indiferentizëm i atribohet gjithashtu edhe zhvillimeve negative politike të disa viteve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Zhvillime këto të cilat po pengojnë, në mënyrë të pakuptimt, integrimin e mëtejshëm të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike.  Nëqoftse shqiptarët janë ndër popujt më pro-perëndimor, atëherë pse udhëheqsit e shqiptarëve, pikërisht kjo klasë politike e sotëme, me grindjet dhe mosmarrveshjet midis tyre, me bëmat dhe të pa bëmat e saj gjatë çerek shekullit të kaluar, po pengojnë këtë proces, që shqiptarët kudo përfshirë ne në diasporë mendonim se është një proces i natyrshëm dhe si i tillë, duhej të kishte ndodhur shumë më heret.  Kjo, për fat të keq nuk ndodhi dhe po të marrim parasyshë grindjet aktuale politike, korrupsionin dhe problemet me drejtësinë, në Tiranë dhe në Prishtinë, as nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti.  Një gjë e tillë demoralizon komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ma merr mendja mbarë diasporën shqiptare kudo.  Kështuqë, ministrat e ri të diasporës shqiptare – nëqoftse me të vërtetë janë serioz për detyrën që kanë marrë përsipër dhe nëqoftse nuk do ta kalojnë kohën nepër darka e dreka në restaurantet e shqiptarëve në mërgim – i pret një punë e madhe për të bindur komunitetin se më në fund Tirana dhe Prishtina janë serioze dhe të sinqerta për të angazhuar diasporën pa dallim, për të mirën e përbashkët.  Lufta e dytë Botërore për mbarë botën ka marrë fund pothuaj një shekull më parë – me përjashtim të shqiptarëve të cilët gjithnjë mbahen peng prej saj.

Komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luaj rolin në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Në të vërtetë, ai ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar.  Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, me ndihmën e ministrave të ri të diasporës, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. 

Ish- Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqsuesve të diasporës në Amerikë dy vjet më parë, është shprehur se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më gjithë-përfshirse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqsuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”.  

Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Të nderuar ministra të ri të diasporës, ju dëshiroj punë të mbarë, por nëqoftse me të vërtetë, ju dhe bosat tuaj politikë në Tiranë dhe në Prishtinë dëshironi angazhimin e diasporës dhe marrëdhënie më të mira me të, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që kishte  dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë.  Periudha e 1990-ave mund të konsiderohet si periudha e artë e bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një udhëheqsi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por si rrjedhim siguroi shpejt edhe në radhët e zyrtarëve më të lartë amerikanë — respektin e namin si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore.  Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit.

Kjo fatkeqsisht nuk ekziston më!  Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë 1990-ave dhe fillim-shekullin 21, është zëvëndësuar tashti me pagesa jo-transparente ose gjysëm transparente, prej qindra mija dollarësh dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqsit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.   Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me diasporën shqiptare, nëqoftse me të vërtetë — me ndihmën dhe bashkpunimin e të gjithëve — duam që Shqipëria dhe Kosova të jenë më në fund shtete të lira e demokratike, plotësisht të integruara në organizmat euro-atlantike.  Roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme – jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afat-shkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.  Kur flitet për diasporën, ambasadorë më të mirë se diasporën nuk keni.

***

NË EMËR TË “KOLABORACIONISTËVE” DHE “SURRETËRVE”

Nga Frank Shkreli *

I dëgjova kohët e fundit fjalët dhe komentet e Zotit Pandeli Majko (si edhe te Leskajt, Milos e te tjereve) ne lidhje me “kolaboracionistët” ose “surreter-it” siç u referohej Zoti Majko. U habita shumë dhe me të thenë të drejtën u zhgënjeva pa masë, pasi zotin Majko e kam takuar disa herë kur ishte kryeministër dhe ministër, gjatë kohës që unë punoja për qeverinë amerikane.  Dua të them kategorikisht që në fillim, se në çdo takim kur vinte për intervista tek Zëri i Amerikës më linte përshtypje jashtzakonisht pozitive, dhe me shtonte shpresat se ky njeri – falë moshës së tij të re – do te ishte një forcë pozitive jo vetëm për të reformuar Partinë Socialiste dhe për ta larguar atë nga e kaluara e saj e errët, por do sillte një erë të re bashkëpunimi e tolerance midis forcave te ndryshme politike të vendit.  Respekti im per Zotin Majko ishte shumë i lartë në krahasim me shumë udheheqës të tjerë politikë shqiptarë. Dëgjohej si zëri i arsyes.  Me kënaqësi me kujtohen fjalët  shpresëdhënse të Zotit Majko për të ardhmen e vendit, për demokracine dhe integrimin e Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, përkrahja e tij për Kosovën, etj. Me kujtohen gjithashtu ankesat e tij në lidhje me politiken e vjetër dhe përfaqsuesit e sajë në politiken e sotme.

Prandaj e gjej shumë të veshtirë të besoj se komentet e Zotit Majko në lidhje me të përndjekurit, janë me të vertetë pikepamjet e tij apo një lojë politike që i përshtatet dikujt ne ketë moment.  Nëqoftse studenti i levizjes për demokraci, Zoti Majko mendon kështu dhe përdor të njëjtin fjalor që përdorte Enver Hoxha për kundërshtarët e tij politikë, çfarë mund të themi për të tjerët që ishin shtylla të regjimit komunist dhe mbajnë ende detyra kyçe ne sistemin e sotëm politik të vendit. Eshtë një gjë që të kesh shërbyer në një sistem si ai i Shqipërisë, pasi ashtu ishin rrethanat dhe duhej mbijetuar – por është krejtë një gjë tjetër që ta mbrosh atë sistem në menyrë direkte ose indirekte për përfitime politike të radhës. Jam i bindur se Zoti Majko dhe kolegët e tij e dinë se trajtimi i të përndjekurve ne Shqiperi, gjatë periudhës komuniste, nuk mund të krahasohet me trajtimin që u bëhej kundërshtarve të komunizmit në vendet e tjera të botës komuniste, me përjashtimin e vetëm ndoshta të Koresë së Veriut dhe Kinës gjatë revolucionit kulturor. Nëqoftëse komunizmi, sic thotë Zoti Majko, ka renë 20 vjet me parë, atehere pse përdoret kjo gjuhë komuniste në diskurset politike të sotme kur u bëhet referencë të përndjekurve e të vuajturve të ish-regjimit komunist brendha Shqipërisë dhe në diasporë? Pse Shqipëria, si asnjë vend tjetër ish-komunist e gjenë aq të vështirë të shkëputet nga e kaluara e saj?

Unë nuk jam njeri i polemikës dhe nuk dëshiroj të fillojë ndonjë debat me asnjë njeri, as nuk dua të debatoj meritat për shpërblime për të përndjekurit, pasi nuk jam ekspert për këte çeshtje, por pasi kam patur fatin e mirë që gjatë dyzet vjetëve të jetes time në Amerikë kam njohur dhe në disa raste kam punuar me njerëz të tillë që regjimi i Enver Hoxhës, e fatkeqësisht, edhe sot pas 20-vjetë demokraci, politikanët e ditës u referohen atyre si “kolaboracionistë” dhe “surretër”.  A mos vallë, Zoti Majko e kolegët e tij kanë në mend Pater Gjergj Fishten e Faik Konicen, vlerat e të cilëve shkelqejnë si hylli i dritës; apo Ernest Koliqin e Dr. Rexhep Krasniqin që i sollën shkollat e librat shqipe Kosovës, duke krijuar një elitë që shkolloi e mesoi brezat e ardhëshëm, apo klerikët e te tre feve te cilët u zhdukën nga një regjim që e pat shpallë veten me krenari “vendi i parë ateist në botë”, një politikë kjo pasojat e të cilës nuk do të fshihen për shume kohë.  Apo ndofta deputetët socialistë kanë në mend Mit’hat Frashërin që punoi aq shume për Kosovën, të cilen Enver Hoxha ia fali Serbisë – apo Abaz Kupin që luftoi kundër okupatorit fashist. Apo babain e gjyshin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët u vranë nga serbët, dikur aleatë të ngushtë të partisë komuniste shqiptare, apo mijera “ballistë” kosovarë që u vranë në  Tivar?

Nga ana tjetër, deputetët socialistë mund të kenë në mend si kolaboracionistë e surretër mijëra emigrantë politikë që u detyruan të largoheshin nga Shqipëria dhe Kosova pas ardhjes së komunizmit në fuqi, e të cilët u vendosen në perëndim. Ata, bijtë dhe bijat e tyre të cilët për dekada ruajtën identitetin dhe dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën, megjithëse të përbuzur e të përjashtuar nga vendi i tyre.

Ishin bijtë e bijat e atyre që Zoti Majko e koleget e tij socialistë i cilesojne si “surretër” ata që organizonin demonstratë pas demonstrate ne Washington e anë e mbanë Amerikës e Evropës perëndimore për të sensibilizuar opinionin zyrtar amerikan për fatin e shqiptarëve në Ballkan, në një kohë kur kjo e drejtë ndërkombëtare u mohohej atyre në truallin e vet.  Ishin bijtë e bijat e këtyre “surretërve” ata të cilët formuan ndër më të fortat grupe lobiste në historinë e Amerikës, në përkrahje të çështjes së Kosovës dhe të Shqipërisë. Dua t’ua sjell në mend të gjithë atyre që mund të kenë harruar – e sidomos politikanëve në Shqipëri ashtu edhe atyre në Kosovë – se ishin përpjekjet e kësaj klase të pasardhesve të “surretërve” që ndihmuan në menyrë vendimtare në demokratizimin e Shqipërisë, e që çuan në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, në çlirimin e sajë nga zgjedha serbe dhe më në fund në realizimin e ëndërres sonë shekullore – pavarësinë e Kosovës.

Me plot respekt ju garantoj Zoti Majko me kolegë,  se komuniteti shqiptaro amerikan – kryesisht pasardhës të “kolaboracionistëve” nuk i bëri këto përpjekje e pse jo edhe shpenzime marramendëse, as për kollltuk, as për ndonjë detyreë,  as për para – por vetëm e vetëm se në shpirtin tonë mbreteron dashuria për atdheun dhe kombin shqiptar, dashuri kjo që na e gërshetuan të parët tonë – të cilët na mësonin se megjithse Shqipëria sundohej nga komunistët, kundershtare të të cilëve ata ishin – nëqoftse ajo kërcënohej nga greku a sllavi, ata do të luftonin krah për krah me komunistët shqiptarë kundër okupatorëve të huaj. Këta “surretër” sic po i cilësoni ju zotëri na inkurajonin që gjithmonë të sillnim ujin në mulli të atdheut, duke u frymëzuar nga idetë dhe traditat shqiptare, e jo ato të huazuara nga armiqtë e kombit shqiptar.

Atdheu mbi të gjitha, na thonin ata. Prandaj nëqoftse politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave duan te rimbëkëmbin kombin pas erresirës së gjatë komuniste dhe pas pavaresisë së Kosovës, ata duhet të krasisin degët e thata të lisit për t’i dhenë fuqi e frymë trungut të vjetër. Po deshtët të rimëkëmbet kombi shqiptar me një të ardhme të ndritur, atëherë duhet që perpjekjet e të gjithëve të jenë të bazuara mbi traditën e shëndosh kombëtare dhe në respektin për jetën dhe për të drejtat e barabarta të çdo shqiptari, pa dallim, sidomos pa dallime politike. Vetëm në këte menyrë do të bëhemi pjesë e botës perëndimore, pjesëtare e të cilës e ndjejmë veten.

*Autori i shkrimit është ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën dhe ish-nëndrejtor për ish-Bashkimin Sovjetik; si edhe ish-drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC).   Shkrimi është publikuar së pari në të përditshmen e Nju-Jorkut, “Illyria”, më 20 mars, 2009.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KUR FLITET, per diasporen

Kosova ndanë çmimet vjetore për diasporën

August 3, 2017 by dgreca

-Ky aktivitet u organizua në kuadër të Ditës së Diasporës/

Diaspora-cmime-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-Grupi muzikor nga Sllovenia “Kvali” këndoi shqip/
Diaspora_cmimePRISHTINË, 3 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës organizoi mbrëmë ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për diasporën “Mërgimtari i vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.  Ky aktivitet u organizua në kuadër të Ditës së Diasporës.
1 diaspora-cmime2
Çmimi “Mërgimtari i vitit” u jepet mërgimtarëve për sukseset e arritura në fushën e arsimit, kulturë, sport, biznes, veprimtari humanitare, si dhe për kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës ose për diasporën.
Çmimi në fushën e arsimit dhe  shkencës iu dha binjakeve  Detina Zalli & Argita Zalli për të arriturat në mjekësi.
Çmimi në fushën e kulturës iu dha regjisorit  Eki Rrahmani për kontributin dhe sukseset e tij në fushën e kinematografisë.
Çmimi në fushën e sportit iu dha futbollistit Etrit Berisha për sukseset e arritura në sport.
Çmimi në fushën e biznesit iu dha zonjës Miranda Ademaj, një udhëheqëse e suksesshme e një kompanie në Zvicër.
Çmimi post mortem iu dha ish-kryetarit të Parlamentit Zviceran, Victor Ruffy, për kontributin dhënë në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe avancimin e integrimin e shqiptarëve në Zvicër.
 Çmimi i nderit iu dha  prof. dr. Basil Schader, për kontribut të veçantë dhe përkrahje të jashtëzakonshme në fuqizimin e mësimit të gjuhës shqipe në botë.
Çmimi “Mërgimtari i vitit” iu dha fotografit të njohur shqiptar që jeton dhe vepron në Amerikë, Fadil Berisha, për punën dhe sukseset e arritura në fushën e fotografisë.
Po në këtë ceremoni u nda edhe çmimi “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”.
Çmimi për emisionin më të mirë televiziv iu dha Adnan Alitit nga Radiotelevizioni “Zëri i Kosovës” në Danimarkë, për dokumentarin “Me arbneshët e Zarës”. Është ky një dokumentar për arbneshët e Zarës,  që nga vendosja e tyre në këtë vend, ruajtja e traditave dhe  e gjuhës, kontributi i tyre etj.
Çmimi për shkrimin më të mirë në medie/portale iu dha dy gazetarëve: Migjen Kajtazit për reportazhin  “Unë dhe Samiti i Diasporës” dhe  Arif Ejupit për shkrimin “FC Kosova e Gjenevës, 20 vjet  futboll dhe integrim”.
Gjithashtu, çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare iu dha dy gazetarëve  Bahtir Cakollit nga RTV-21 dhe Agron Krasniqit nga RTK-ja, të cilët përmes emisioneve të ndryshme për bashkatdhetarët kanë kontribuuar për diasporën.
Pas ndarjes së çmimeve, mbrëmja vazhdoi me grupin muzikor nga Sllovenia “Kvali”, si dhe me këngëtaren Nezafete Shala, të cilët kënduan këngë të bukura shqipe.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, kosova, nadle cmimet vjetore, per diasporen

KONKURSI për çmimin “Shkrimi, emisioni më i mirë për diasporën”

March 29, 2017 by dgreca

Njoftim/                                                                                  

 Ministria e Diasporës shpall konkurs për çmimin  “Shkrimi/emisioni më i mirë  për diasporën” /

Ministria e Diasporës, në bazë të planit të veprimit për vitin 2017,  do ta ndajë çmimin tashmë tradicional  për shkrimin, përkatësisht kronikën ose reportazhin  më të mirë televiziv  për diasporën. Dhënia e këtij çmimi ka për qëllim promovimin e iniciativave, aktiviteteve dhe vlerave të diasporës në mediet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.Shkrimet, përkatësisht kronikat ose emisionet televizive dhe ato në radio duhet të kenë për temë çështje që lidhen me diasporën në fusha të ndryshme, qoftë në arsim, kulturë, ekonomi apo sociale.Ministria  e Diasporës i fton gazetarët e të gjitha trevave shqiptare që të bëhen pjesë e këtij konkursi.Konkursin mund ta gjeni në vebfaqen e Ministrisë së Diasporës: http://med.rks-gov.net/

Konkursi  do të jetë i hapur deri më 30 qershor 2017.

Me respekt,

Divizioni i Komunikimit me Publikun

Prishtine, 29.3.2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: cmimin, emisioni më i mirë, per diasporen, shkrimi

Bashkëpunime gjithëshqiptare për diasporën

December 29, 2016 by dgreca

-Ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, vlerëson bashkëpunimet me Shqipërinë dhe thekson angazhimet për bashkëpunime edhe me Maqedoninë, Luginën e Preshevës, Ulqinin e viset tjera etnike për diasporën shqiptare kudo në botë/

valon_muratiprishtina-foto-gazeta-dielli-behlul-jashari-28dhjetor2016-mbremjevalon-murati-minister-i-diaspores

-Në të gjitha këto përpjekje kemi qenë afër me Rrjetin e Biznesit të Diasporës Shqiptare, i cili sivjet e organizoi edhe Samitin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Nju-Jork/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 29 Dhjetor 2016/ Ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, në një konferencë shtypi sot vlerësoi bashkëpunimet me Shqipërinë dhe theksoi angazhimet për bashkëpunime edhe me Maqedoninë, Luginën e Preshevës, Ulqinin e viset tjera etnike për diasporën shqiptare kudo në botë.“Kemi punuar që marrëveshja për arsimin shqip në diasporë, së bashku me Republikën e Shqipërisë, të japë rezultatet e para. Është punuar në kurrikulat e përbashkëta, në dokumentin e standardeve, ndërsa tani gjendemi para sfidës që marrëveshja vitin e ardhshëm të përfshijë edhe komponentën financiare, në mënyrë që të gjithë të mund të ecim para me fuqizimin dhe institucionalizimin e mësimit shqip në diasporë”, u shpreh ai.Ministri Murati bëri të ditur se, gjithashtu, gjatë vitit 2016, së bashku me institucionet e tjera qeveritare, komunale dhe joqeveritare, kanë organizuar afro 200 aktivitete gjatë Ditëve të Diasporës, në muajt e verës. “Kemi qenë të kujdesshëm që niveli i aktiviteteve të ketë rritje, duke qenë të vetëdijshëm se gjithnjë ka hapësirë për përmirësim. Të gjitha këto aktivitete janë zhvilluar me moton tanimë të njohur: ‘Ti je pjesë e atdheut’. Me këtë moto kemi vazhduar edhe procesin e regjistrimit diasporës, duke evidentuar rreth 400 mijë bashkatdhetarë”, tha ai.Ministri i Diasporës shtoi se, ky është viti i fundit i regjistrimit fizik, i cili do të vazhdojë edhe për pesë vjet si regjistrim “online”, ndërsa u bëri ftesë të gjithë bashkatdhetarëve që të regjistrohen në platformën “online”, ose edhe në konsullatat dhe ambasadat tona.“Këtë vit kemi organizuar kampin veror dhe shkollën verore pak më ndryshe, por gjithnjë duke bërë përpjekje të shërbejnë si modele të afrimit të fëmijëve tanë nga diaspora me vendin e vet, gjuhën dhe kulturën e të parëve të tyre. Për herë të parë organizuam edhe Olimpiadën sportive, për të cilën po punojmë që tani e tutje të jetë tradicionale”, tha Murati.Ai paralajmëroi se, do të vazhdojmë t’i organizojmë ekskursionet dhe kuizet e diturisë për fëmijët e diasporës, si urë lidhëse me Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare.“Projektin e punës praktike për studentët e kemi zgjeruar në një projekt më të madh e të përbashkët edhe me Republikën e Shqipërisë dhe tanimë të rinjtë tanë mund ta kryejnë praktikën në institucionet e të dyja shteteve”, theksoi ministri kosovar i Diasporës.Kemi afruar avokatët dhe ekspertët ligjorë me vendin, vijoi ai dhe shprehu besimin se kjo do të vazhdojë të fuqizohet edhe vitin e ardhshëm.“Gjatë tërë vitit kemi qenë afër bizneseve nga diaspora, jo vetëm duke i vizituar këtu në Kosovë dhe në diasporë, por edhe duke bërë përpjekje maksimale për t’i zgjidhur problemet që ata kanë mundur t’i kenë në Kosovë. Kemi dhënë kontributin tonë në fushën e lirimit të pronave, si dhe të funksionalizimit të mekanizmave gjyqësor që do t’i trajtonin rastet e investitorëve nga jashtë, duke përfshirë ata nga diaspora, kanë dhënë rezultatet e para”, tha ministri Murati.Sigurisht, vijoi ai, ka ende punë nga të gjithë ne që të punojmë për një ambient edhe më të mirë të të bërit biznes, duke qenë i bindur për potencialin e madh investues që ka diaspora jonë.“Në të gjitha këto përpjekje kemi qenë afër me Rrjetin e Biznesit të Diasporës Shqiptare, i cili sivjet e organizoi edhe Samitin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Nju-Jork. Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare, i organizuar këtë vit edhe me kontributin e Ministrisë së Diasporës, shpresojmë të bëhet tradicional dhe të japë rezultate konkrete”, u shpreh ministri Valon Murati.Ai paralajmëroi edhe se, vitet e ardhshme do të jenë sfiduese në disa drejtime, prej të cilave i pari është institucionalizimi i mësimit shqip në diasporë.“I dyti drejtim i angazhimeve është tërheqja e ekspertizës nga diaspora në projekte afatshkurtra dhe afatgjata në Kosovë. I treti  është projekti që një pjesë të remitancave t’i futim në zhvillimin ekonomik të vendit përmes skemës së granteve korresponduese në bujqësi dhe teknologji informative. I katërti është hapja e qendrave të përbashkëta kulturore me Republikën e Shqipërisë”, vijoi Murati.Në fund, shtoi ai, vitin e ardhshëm do të futet në procedim edhe hartimi i ligjit të ri për diasporën dhe mërgatën. “Besojmë se përmes tij dhe duke u bazuar në përvojën e deritanishme, do t’i promovojmë modelet më të mira të organizimit të diasporës dhe të vendosjes së urave të bashkëpunimit në mes të diasporës dhe atdheut”, theksoi ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, në konferencën për shtyp të fundvitit. Fillimisht ministri Murati tha se, po kalon edhe viti i dytë në krye të Ministrisë së Diasporës me përvoja të reja në punën me diasporën tonë, por edhe me sfida dhe beteja të vjetra që përherë kërkojnë energji të reja.“Me gjithë sfidat në këtë punë, çdo ditë e më shumë ndiej kënaqësi për të arriturat e njerëzve tanë në diasporë dhe, njëkohësisht, jam i lumtur që kam mundësinë që shumë prej këtyre njerëzve të suksesshëm edhe t’i takoj personalisht dhe të punojmë bashkërisht për të mirën e komunitetit tonë kudo që ai jeton”, tha ministri i Diasporës.Në mesin e vështirësive të të gjitha natyrave, u shpreh Murati, këtë vit kemi punuar në disa drejtime që besoj se do të japin rezultatet e tyre në vitet në vijim.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bashkëpunime gjithëshqiptare, Behlul Jashari, per diasporen

Kosovë: 20 milionë euro letra me vlerë për diasporën

February 21, 2016 by dgreca

Ministria e Financave e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të përfshijë në letrat me vlerë të qeverisë edhe diasporën.Ministri i Financave, Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se po finalizohet projektin e ri prej rreth 20 milionë eurosh, të letrave me vlerë për diasporë, që ka një potencial të madh financiar.

“Këto letra me vlerë, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla. Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, sipas regjistrimit të deritashëm të diasporës, janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ky proces i regjistrimit të diasporës është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë në vitin 2017.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë, që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 600 milionë euro.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosovë: 20 milionë euro, letra me vlerë, per diasporen

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT