Nga Tomë Mrijaj*/New York/
Përhapja e krishtërimit në Kosovë, në territorin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren, zë fill në kohën apostolike, kur dihen udhëtimet apostolike dhe predikimet e Shën Palit apostull, veçanërisht në qytetet e Evropës Juglindore, përmes rrugëve të njohura të komunikacionit e të tregtisë në botën ilire-romako-greke, siç ishin: Heraklea, Linkestris, Nikea, Stobi, Scupi, Ulpiana…
Në Koncilin Ekumenik të Nicesë (Nicaenum viti 325 mbas Krishtit) i gjejmë ipeshkvijtë e Dardanisë: Budin nga Stobi (Budius Stubiensis – tani Pusto Gradsko) dhe Dakën e Dardanisë (Dacus Dardaniae), metropolit i provincave të Dardanisë deri në Naissus (Nishin e sotëm në Serbi) dhe Veles (në Maqedoni, sikurse shkruan studiuesi Dr. Don Shan Zefi.
Kisha katolike shqiptare në Kosovë, si institucion i organizuar (ndër të parët në Evropë), gjatë shekujve, ka ndikuar, në mënyrë vendimtare, për të ruajtur identitetin tonë kombëtarë, kulturorë dhe fetarë.
Kësisoj nga gjiri i Kishës, kanë dalë klerikë dhe prelatë të merituar kishtarë, shkrimtarë dhe veprimtarë të mëdhenj, të cilët, kanë rrezikuar jetën për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, si: Pjetër Budi, Llukë e Pjetër Bogdani, T. Raspasori, G. Krasniqi, Shtjefen Gjeçovi, Gjon Nikollë Kazazi, Don Ndue Bytyçi, Dr. Don Gaspër Gjini etj.
Studiuesi bashkëkohorë Prof. Isak Ahmeti, ndër të tjera vlerëson, se: “Klerikët dhe prelatët e Kosovës, jo vetëm, që përhapën fjalën e Krishtit në gjuhën shqipe, por kur e kërkoj detyra e Atdheut, si: Don Gjon Bisaku, Don Shtjefen Kurti, dhe Don Luigj Gashi e ngritën me ndërgjegje të plotë zërin e tyre të fuqishëm, për të drejtat e shqiptarëve, deri te Lidhja e Kombeve në Gjenevë (5 maj 1930).”
Të freskët nga nëna histori, kemi edhe kujtimin e paharruar të shumë klerikëve të tjerë të tokës së Dardanisë, si: At Lorenc Mazreku O.F.M., Don Anton Zogaj, At Pal Dodaj O.F.M., At Klement Miraj O.F.M., At Bonaventure Gjeçaj O.F.M., Dom Mikel Tarabulluzi, At Luigj Palaj O.F.M., Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi dhe shumë të tjerë, që ende jetojnë dhe veprojnë me përkushtim për Fe e Atdhe, sikurse janë: Don Anton Kçira, Dr. Don Lush Gjergji, Dr. Don Shan Zefi, Dr. Don Nikë Ukgjini, Dr. Don Prekë Lazri etj.
Trualli i begatë, ku lindi e u rrit me dashuri për Fe-Atdhe-Përparim Imzot Mark Sopi
“Nëse Kisha nuk ka fryte, do të thotë se nuk jeton, se nuk ka dashuri; nëse s’ka të rinj, të gatshëm t’i kushtohen plotësisht Zotit, do të thotë se në atë Kishë, ka diçka që s’shkon”.
E Lumja Nënë Tereza (1910-1997)
Treva e Karadakut, ndër shekuj ka nxjerrë martirë të Fesë dhe Atdheut. Studiues dhe hulumtues të shumtë, i kanë kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe veprave të shkruara, mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë, por të pathyeshëm, për idealet e tyre të shqiptarisë dhe besimit katolik, në katër katunde të Malësisë së Karadakut, si: Stubllës, Vërnakollës, Binçës dhe Terziajve.
Sot të gjithë e dimë rrugën e mundimshme të popullit shqiptar, i cili, është keqtrajtuar barbarisht nga Perandoria mizore Otomane, duke i dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore.
Këtë mbijetësë ndër shekuj të shqiptarëve e dëshmojnë edhe arkivat ndërkombëtare si në: Vienë, Paris, Romë, Vatikan, Stamboll, Selanik, Raguzë, etj., dhe arkivat e Kosovës, në: Prizren, Letnicë, Stubëll etj.
Vetëm nga familja Sopi, kanë dalur kohët e fundit një numër i madh meshtarësh, që ia kanë përkushtuar jetën e tyre Zotit dhe grigjës së Tij.
Hulumtuesi bashkëkohorë Marjan Sebaj Sopi, shkruan: “Kjo bashkësi famullitare, ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare. Rrugën e dashurisë dhe flijimit, për të mirë të vëllait dhe motrës e ndjekën njëri mbas tjetrit edhe shumë të tjerë, si i ndjeri Ipeshkvi Imzot Mark Sopi (1938-2006), Don Damjan Kurti (1937-2014), i cili shërbeu në Durrës, Don Franë Sopi (Pejë), Don Viktor Sopi (Ferizaj dhe drejtor i Caritas-it kombëtar të Kosovës), Don Lenc Sopi (Klinë), Don Lush Sopi (Novosellë), Dr. Don Mikel Sopi, Don Marjan Marku (Zvicër), Don Tomë Pjetri (Mali Zi), Don David Andreiq (Kroaci), Don Igzidor Llukiqi (Selezian, Prishtinë), Don Herbert Berisha (Durrës, Shqipëri) At Shtjefen Doda, jezuit (Kroaci).
Po ashtu, nga kjo famulli kanë marrë thirrjen shenjte rreth 30 murgesha, prej të cilave 14 janë “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, 3 françeskane, 3 të Shën Filip Nerit, 2 të Shën Vinçencit dhe 2 baziliane, të cilat shërbejnë nëpër të gjitha viset shqiptare dhe në shumë shtete tjera evropiane. Madje edhe jashtë kontinentit si në Amerikë e gjetiu.”
Sipas burimeve të pasura historike, mësojmë se meshtari i parë nga ky fshat, ishte biri i kësaj famullie (Binçë, treva e Karadakut), i persekutuar në Anadoll (Turqi). Të njëjtin persekutim nga otomanët e përjetuan asokohe krahas meshtarit katolik Don Mark Sopi (1838-1888) edhe disa motra nderi nga familja Sopi, të cilat, shërbyen dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit, anë e mbarë botës.
Nga hulumtimet historike, mësojmë se ato ishin rregulltare të motrave të Shën Vinçencit, si: Motër Juliana Sopi (1866-1891), Motër Suzana Sopi (1868), Motër Dominika Sopi, (1864-1890), Motër Agata Sopi (1875-1924), Motër Elizabeta Sopi (1878-1967), Motër Elizabeta Sopi (1878-1940), Motër Marta (Magdalena) Sopi(1888-1969).
Fatkeqësisht, deri më tani, fati i motrave të nderit, pra jeta dhe veprimtaria e tyre është ende e pazbardhur.
Fëmija i brishtë, që në ditën e pagëzimit do të marrë emërin e dashur Mark, lindi në Binçë, komuna e Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938, në një familje të madhe patriarkale, fetare e bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1846-1848)”.
Është interesant fakti, se ripërtritja e brezave në fe dhe atdhe, ka përputhje dhe përsëritet në familjen Sopi, me të njëjtin emër dhe shërbim plot devocion meshtarak edhe mbas 100 vjetëve. Kështu, paraardhësi i kësaj familje Don Mark Sopi i Parë, lindi në vitin 1838, ndërsa pasardhësi i tij, me të njëjtin emër dhe mbiemër Don Mark Sopi i Ri, do të lind mbas 1 shekulli, në vitin 1938 dhe ka të njëjtin vit lindje me paraardhësin po meshtarë të familjes së madhe Sopi…
Familja e tij, vogëlushin e brishtë Markun, qysh nga fëmijëria dhe më vonë në rini e kishin edukuar dhe frymëzuar nën dritën e atdhedashurisë dhe respektit të thellë për fenë e të parëve krenarë të krishterë.
Pas shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike e teologjike në Zagreb e në Romë.
Don Marku i Ri, shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në Romë (Itali). Ai me gëzim dhe përkushtim thotë meshën e parë në vendlindje (Binçë).
Duke hulumtuar faqet e ndritura të historisë së lavdishme të Kishës katolike në Dardani, shohim se Don Dedë Ramaj (famullitari i Stubllës në Binçë), në fjalën e rastit gjatë drekës përgëzuese të shugrumit të të riut si meshtarë asokohe, kishte thënë:
“Mos harro biri i kujt je! Ju sëpari, jeni i biri Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i atyre prelatëve të shquar martir, i bashkësisë famullitare e i familjes tuaj shumë të nderuar…
Duke nderuar të parët tanë, ju keni një shembull të shkëlqyer të meshtarit të parë pararendës nga ky fshat, i cili, barbarisht (për bindjet e tij fetare dhe atdhetare), është persekutuar në Anadoll (Turqi). Kështu, Don Mark Sopi (1838-1888), kishte të nëjtin emër dhe mbiemër, sikurse e mbani ju sot, në nder të pararendësit tuaj. I dashtun Don Mark Sopi i Ri, ju e mbani me nder dhe krenari sot këtë emër të lavdishëm.”
Dhe ashtu ndodhi. Mbas shumë dekadave, do të shohim, se Imzot Sopi e mbajti dhe e vijoi me nder rrugën e lavdishme të Kishës sonë ndër shekuj.
Ai, nisi të punonte me pasion dhe dashuri të veçantë, në përkushtim të grigjës dhe shtëpisë së Zotit, duke e përhapur pa u lodhur Fjalën e Hyjit, në çdo zemër shqiptari.
Don Mark Sopi, për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe njëkohsisht si sekretar i Ipeshkvit Shkup-Prizren Imzot Nikë Prelës (1918-1996).
Mbas themelimit të revistës kulturore-fetare “DRITA” (1970) në Ferizaj, Dom Marku, iu bashkua me zemër intelektualëve të rinj shqiptarë, për rizgjimin e ndërgjegjës së vetëdijës kulturore të popullit shqiptar.
Më vonë, në vitin 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë, mes miqve dhe shokëve, ngriti zërin në mbrojtje të minatorëve të Trepçës.
Në vitin 1974, ai u emërua famullitar në fshatin Zllakuqan, pranë Kishën së Shën Gjon Pagëzuesit të vendlidjes time në Klinë.
Prej vitit 1974 deri në vitin 1991, në Zllakuqan e në rrethinë, bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e kishave, kapelave, meremetimin e kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reja: në Klinës dhe Budisalc.
Si aktiv ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve, gjatë viteve 1990, bamirës dhe i dhembshur, për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurtët, ngushëllues për të pikëlluarit, udhëheqës për të pavendosurit, me një fjalë vëlla apo gjithçka.
Ajo që bie në sy, është se (në fshatin Zllakuqan), gjatë 17 vjetëve, që ishte famullitar, sikurse me kujtohet mua Imzot Sopi, ishte një meshtar elegant, i hijshëm, fjalëpak e punë shumë, një njeri i thjeshtë, i dashur, bujarë, mikpritës, dëgjonte dhe respektonte mendimin e të gjithëve, pa paragjykime dhe shumë komunikues e fjalë ëmbël, me njerëzit në çdo kohë dhe rrethanë.
Edhe populli pa dallim feje, krahine dhe ideje e ka dashur dhe respektuar gjithnjë si një atdhetar të përkushtuar dhe meshtarë, me një kulturë të gjerë dhe të thellë, për shumë tema dhe çështje të trojeve etnike.
Imzot Sopi, kishte një pasion dhe dhunti të veçantë për publicistikën bashkëkohore, si bashkëpunëtor i zellshëm në shumë organe të shtypit fetarë dhe kulturorë, në të gjithë trojet shqiptare dhe diasporë.
Kudo dhe shpesh, mund të lexosh në larminë e faqeve të gazetave dhe revistave artikuj interesant, me nënshkrimin e tij. E tillë është edhe revista fetaro-kulturore “Drita”, që botohet edhe sot.
Kur ai filloi misionin si meshtarë në Durrës, themeloi dhe drejtoj në qytetin e lashtë bregdetarë të Durrësit revistën kulturore-fetare “Vegime Drite”.
I veçantë me stilin e shkrimeve të tij dhe shumë pikant në temat e larmishme që trajtoi, mbeti Ipeshkëvi ynë edhe në botimin e vëllimeve të bukura narrative, me titull kuptimplotë: “Baca Kolë dhe famullitari” (1995), apo përkujdesi i treguar, në botimin e veprave të autorëve të tjerë, si: “Martirët e Karadakut” (1996), “Koncilët ekumenike” (2000), “Shën Luçia” (2001) etj.
Shkëlqësia e Tij Imzot Mark Sopi, fill pas rënies së diktaturës komuniste më mizore në Shqipëri, sëbashku me Don Damjan Kurtin, shkuan në Durrës si misionar, për të ndihmuar dhe shërbyer në Kishën e përsekutuar egërsisht nga gjenocidi komunisto-ateist, duke qenë më pranë popullit të lodhur nga vuajtjet, për të përcjellë me kujdes, durim dhe dashuri Fjalën Zotit.
Shqipëria, asokohe po dilte nga nata e gjatë e sketerrës komuniste. Për më tepër, atdheu ynë amë, kishte nevoj për gjithçka, por mbi të gjitha për ngrohtësinë e Fjalës së Zotit, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore dhe përkushtimin shembullor ndaj misionin të Tij të dyanshëm: atdhetarë dhe meshtarak.
Më 23 nëntor 1995 Imzot Mark Sopi, u emërua Ipeshkëv i Kosovës. Shugurimin ipeshkvnor e merr nga Papa Gjon Pali II, sëbashku me 13 ipeshkvij të tjerë nga mbarë bota.
Këtë post të lartë ai e trashëgoi nga Ipeshkëvi Imzot Nikë Prela. Për shkak të rrethanave, që ekzistonin në atë kohë në Kosovë, Imzot Mark Sopi, është shuguruar në Romë, në janar të vitit 1996, post ky në të cilin ai ka shërbyer për dhjetë vjet me radhë.
Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe e udhëhoqi me devocion shembullor deri në kalimin e tij në amshim, më 11 janar 2006.
Duhet kujtuar, se Imzot Mark Sopi e drejtoj Kishës katolike të Kosovës, para luftës së vitit 1999 me guxim, duke u ndeshur mes shumë rreziqeve, pasigurie, duke mbrojtur me stoicizëm të gjithë komunitetin katolik dhe popullin shqiptar pa dallim feje, krahine, ideje nga rrebeshet e dhunës çnjerëzore serbo-sllave.
Para, gjatë e pas luftës në Kosovë, Imzot Mark Sopi si bari i grigjës së vet dhe gjithë shqiptarëve pa dallim, të cilët nuk kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet, gjatë dhjetë viteve si kryebari u gjend kudo, ku lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombtarët. Ai ishte gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e popullit të tij.
Më konkretisht, Imzot Sopi, ishte shumë aktiv për çështjen e Kosovës, në përputhje me idetë dhe qëllimin e mirë të miqve të mëdhenj të popullit tonë.
Kështu administrata e Presidentit George W. Bush, me kohë kishte planifikuar të punoj me diplomacinë e huaj në mënyrë aktive, për dhënien e statusit të Kosovës, ashtu sikurse shkruante edhe gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” e datës 17 maj 2005.
Për t’u njohur më mirë më problemt e brendshme të shtetit të ri të Kosovës, Mons Sopi, ftohet në Amerikë, sëbashku me biografin e shquar të Të Lumes Nënë Tereza Dr. Don Lush Gjergjin, (në Washington D.C., më 18 Maj 2005, shënimi im T.M.), për të dëshmuar para Kongresit Amerikan.
Ai, do të theksoj:
“Ne, do të bazohemi në realitetin kosovar në veçanti, duke i treguar botës, se ata që duan të njohin të vërtetën tonë, duhej ta dine, se në Kosovë nuk ka vetëm shqiptarë muslimanë, ortodoks serb e malazias, por ka edhe katolikë. Kisha Katolike, ka Ipeshkvinë e vet, meshtarët, murgeshat dhe besimtarët.
Dihet se Atdheu im, ka një popullsi me moshë të re, që arrin deri në 60%, të cilët janë nën moshën 30 vjeçare. Ata kanë nevoj sot për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë. Proceset demokratike në Kosovë, duhet të shpejtohen, duke hartuar ligje, që i vlejnë më së miri vendit tonë.
Pavarësia, është mënyra më e mirë për popullin tim. Ajo nuk kërcënon askend, por do të sjell paqe, për të gjithë Ballkanin. Kjo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm, për të gjithë fqinjët dhe rajonin.
Ne, jemi pjesë përbërese e kompleksit Ballkanik dhe pa u shëruar kjo plagë e konflikteve të shteteve tona, me siguri Gadishulli ynë, nuk do të marrë frymë lehtësisht.
Edhe pse në Kosovë, përqindja më e madhe e besimtarëve është islame, kjo asnjëherë nuk na ka penguar dje dhe sot dhe se nuk do të na pengojë as në të ardhmen, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, mbasi jemi një popull, me një gjak dhe gjuhë, kemi një histori, një traditë etj., por edhe synimet i kemi të njëjta.
Ne, si Kishë Katolike, me meshtarët dhe murgeshat sëbashku, me popullin pa dallim feje dhe krahine, kemi hapur dyert e kishave dhe kuvendeve, ku, kemi strehuar, ushqyer, mjekuar etj., duke i ardhur në ndihmë çdo ditë njerëzve në nevoj.
Ne e kemi ndarë vuajtjen me popullin martir të Kosovës.”
Ndodhesha në vendlindje, për të marrë pjesë si kordinator dhe kumtues, në Simpoziumin e radhës “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike” në Kosovë.
Asokohe Imzot Sopi, më fton të takohemi në zyrën e tij. Zakonisht, në udhëtimet e mia të shpeshta në vendlindje, jam takuar gjithnjë me Imzot Sopin dhe kemi shkëmbyer biseda, me tematikë të ndryshme për Kosovën. E njëjta gjë, ka ndodhur edhe kur Ipeshkvi i Kosovës Mons Sopi, ka ardhur në New York, si mik i veçantë në shtëpinë time.
Ky ishte një takim special nga takimet e tjera. Ai, më ftoi në një bisedë, ku, më pas më tregoi edhe shkakun e ftesës së tij. Gjatë bisedës më tha:
“Sa të mbërrini në Amerikë, ju lutem i thoni Don Anton Kçirës, që brenda mundesive të përgatisë disa takime në Departamentin e Shtetit, me kongresistë dhe senator amerikanë, që e kanë ndihmuar nga afër gjithnjë çështjen shqiptare.
I dashtur Tomë, mendoj, se po bëhet një padrejtësi, duke u munduar të përbaltet lufta dhe krahu ushtarak i popullit të Kosovës, bijtë e së cilës mbrojtën me vendosmëri pragun e derës… Një prej luftëtarëve tanë trima dhe liridashës është Kryeministri dhe komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj…”
Mbas disa kohe, vjen në Amerikë Ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi, i cili, sëbashku me patriotin e palodhur të çështjes kombëtare Don Anton Kçirën takohen me disa nga senator dhe kongresistë amerikanë për çështjen Haradinaj…
Falë punës së madhe dhe të palodhur të Imzot Sopit, Kisha Katolike në Kosovë, u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat kosovare, sidomos përmes Karitasit, në ndihmë për njerëzit, që ishin goditur nga lufta, duke u ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve të shkatërruara, rrugëve etj.
Po kështu Ipeshkvi ynë, ishte gjithnjë në kërkim të mundësive të reja, për përfshirjen e Kishës katolike në çështjet shoqërore, kulturore dhe arsimore.
Imzot Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje, si në qarqet e larta shtetërore dhe ato kishtare. Ai punoi me përkushtim tërë jetën e tij, për t’i treguar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar për të mirën e dobinë e kishës dhe popullit shqiptar.
Sot në respekt të misionit të tij dhe dashurisë së madhe për Fe e Atdhe në Kosovë, një grup rinor mban emërin Shoqata Rinore “Imzot Mark Sopi”.
Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales Katolike “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 26 gusht, Presidenti Rugova, tha: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurthemelin e një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptare dhe Nënës së mbarë Njerëzimit: Të Lumturës Nënë Tereza, që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin, duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vendos, për nder të 95-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës nga ana e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Washington-it Shkëlqësia e Tij Theodore Edgar McCarrick, në oborrin e gjimnazit.
Katedralja nisi të ndërtohet, në përkujtim të 600-vjetorit të lindjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit.
Mons Sopi, ishte një personalitet i madh, që në historinë më të re të Kosovës do të mbahet mend si një burrë i shquar i kombit shqiptar.
E tërë jeta e tij, ishte e përkushtuar Zotit dhe popullit të tij, punoi shumë dhe me përkushtim për Fe e Atdhe, në një kohë shumë të vështirë, apo kohë pa kohë, në të cilën gjindej populli i Kosovës.
Me kontributin dhe punën shumë të suksesëshme, që dha në Ipeshkvinë e Kosovës, të cilën e drejtoi me aftësi dhe përkushtim shembullor dhe për jetësimin e shtetit të ri, Imzot Mark Sopi, u bë personalitet shumë i dashur për të gjithë popullin dhe më gjerë.
Prelati i lartë kishtar shqiptarë, nuk duronte torturat e pushtetit serbë mbi popullin, ku në predikimet e tij në meshë të shenjtë alarmonte institucionet ndërkombëtare, për dhunën sistematike, që ushtronte Serbia mbi Kosovën.
Ai nga Katedralja e Prizrenit, shumë herë u është drejtuar botës së qytetëruar, se shqiptarët nuk ka kush t’i mbroj nga ushtria e egër serbe, që nuk respekton shpirtin e popullit autokton, i cili, është ndër trojet më të vjetra në kontinentin e Evropës.
Mbas një lodhje të gjatë në punët e shumta fetare dhe atdhetare, një ditë pushon se rrahuri zemra e prelatit të lartë të Kishës kaotlike në Kosovë Imzot Mark Sopit.
Kështu më 14 janar Katedralja e Prizrenit dhe oborri i saj ishin mbushur përplot me besimtarë, që kishin ardhur ta përcjellin bariun e mësuesin shpirtërorë për në banesën e përjetshme.
Pas meshës së dritës të gjithë të bashkuar në lutje, për shpirtin e të ndjerit e duke ngushëlluar njëri-tjetrin, u nisën drejt qendrës së qytetit të Prizrenit, për të vazhduar në fshatin e lindjes së tij në Binçë, ku, dhe u bë varrimi i prelatit.
Me rastin e ndërrimit të jetës të Imzot Mark Sopi, një zyrtar i huaj në Kosovë, z. Lari Rosin përveç fjalëve ngushëlluese që i shprehu familjes Sopi dhe Kishës Katolike e mbarë popullit të Kosovës, tha:
“Popull i nderuar ju keni humbur një lider të zgjuar shpirtërorë, dhe ne kemi humbur një këshilltar të zgjuar, për çështjen e Kosovës…
Ne, çmojmë shumë kontributin e tij, që ka dhënë për Kosovën dhe për Kishën Katolike shqiptare, e kryesisht për jetësimin e planit për Katedralen e Kosovës “Nëna Tereza” në Prishtinë.”
Me dashurinë, ndaj popullit dhe me aftësinë e madhe të treguar, Mons Mark Sopi ishte mik i madh i Presidentit Dr. Ibrahim Rugovës, dhe shumë burrave tjerë të njohur ndërkombëtarë.
Ai gjithmonë për zemër, kishte popullin shqiptarë të Kosovës, të cilin e kishte parë nën dhunë e torturime, ku me tërë fuqinë e tij intelektuale e fetare e kishte ndihmuar me shumë sukses, që tani i tërë populli, me një purkushtim të veqantë e respekton kontributin e tij të pamohueshëm dhe e radhitë ndër burrat më të mdhenj të kombit tonë.
Literatura:
1. Tomë Mrijaj, “Mons Dr. Zef oroshi Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, Monografi, New York, 2009
2. Luigj Sopi Luzi: “Përkujtojmë Imzot Mark Sopin”.
3. Marjan Sebaj SOPI, “Të ndjekim shembulline këtyre burrave që vet Zoti i ka dërguar në popullin tonë…”
4. Dr. Don Shan Zefi, “Kisha Katolike në Kosovë, një e vërtetë, që nuk mund të mohohet!”.
5. Prof. Isak Ahmeti, “Historia e Kishes katolike shqiptare ne Kosove”.
6. Dr. Don Gjergj Gjergji Gashi, “Martirët e Karadakut 1846-1848”
7. Marjan Sebaj-Sopi, “Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!”
* E dergoi per Diellin autori Tom Mrijaj. Dielli po e riboton edhe pse eshte ky shkrim ne website te tjere.