Shkruan: Astrit Aliaj*/
Cdo popull njeh në flamurin kombëtar simbolin e bashkimit dhe pavarësisë të atdheut. Nga studimi i flamutit të një populli mund të arrihet në një përcaktim ose të konfirmohen disa detaje karakterizuese të kulturës, organizimit politik, kohës së krijimit dhe kushtet ekonomike të shoqërisë që shprehen me anë të simbolit që ka krijuar. “Nuk janë kombet që krijojnë shtetet, por është e kundërta”,-ka shkruar Eduard Hobsbaun, duke theksuar se bashkë me rrugët lidhëse e hekurudhat, forcat e armatosura dhe shkollat, flamuri ka pasur një rol jo të vogël në procesin e bashkimit dhe identifikimit të popujve. Në shekuj për simbolin tone kombëtar janë thurur me mijëra vargje, tregime, novella, romane, janë kënduar qindra këngë, janë punuar e qëndisur qindra m2 copë e mëndafsh, janë kompozuar plot piktura, ndërsa mijëra shqiptarë e miq të popullit tonët kanë dhënë dhe jetën për të. Ndërkohë që vendi ynë po bëhet gati të hedhë një hap historik për anëtarësimin në BE, këtu ne, pikësëpari do përfaqësohemi me simbolin tone kombëtar, flamurin kuq e zi. Po sa e respektojmë ne simbolin tonë kombëtar?-Sa kujdesemi për të zbatuar rregullat e nderimit e ceremonialit për të? Nuk mar përsipër të bëj një analizë të këtij problemi, por si qytetar i thjeshtë më shqetësojnë disa veprime e fenomene që ja zbehin vlerat simbolit tonë të përbashkët si komb. Vërtet në BE do zbatojmë normat dhe rregullat e vendosura nga komuniteti dhe qytetaria evropiane, por ne do shkojmë atje me dinjitet, me traditën e zakonet tona, me simbolet tona, që janë të ndryshme nga vendet e tjera, pjesë e kësaj bashkësie. Dhe kur flasim për identitet, duhet të kemi parasysh gjuhën, traditat, zakonet, flamurin tonë kombëtar. Duke përmendur këto ndryshime dhe qasje të vendeve të ndryshme, do të doja të evidentoja atë që është më e prekëshme për ekzistencën e një kombi,-simbolet, konkretisht flamurin tonë kombëtar. Por si po sillemi me flamurin tonë ne si qytetarë dhe institucionet tona shtetërore?! Është bërë traditë që sapo fillon një ndërtim i ri, shtëpi, apo skelet betoni i një pallati, mbi të, në majë të një shkopi apo hekuri vendoset flamuri ynë kombëtar me përmasa të ndryshme, derisa atij ti dalë ngjyra dhe të griset me kalimin e kohës. Në mjaft raste, simboli ynë ka përfunduar deri tek shkopinjtë e fshesave i ngulur me gozhdë?! Thua se është i kryqëzuar?! Dhe askush prej nesh nuk shqetësohet se si po përdhoset ky simbol, aq më shumë zyrtarët tanë, që kur shkojnë jashtë vendit e kanë parë si e respektojnë këtë simbol të huajt, jo vetëm në institucione por dhe në shtëpi, psh. qytetarët e SHBA, etj. Në kënaqësinë e relaksin që i japin këto vizita, ata thjesht murmërisin me vete:-këtu ka shtet! E pra, zotërinj, Rilindja fillon nga flamuri ynë i larë me gjak në thellësinë e viteve! Ky simbol duhet të respektohet nga të gjithë, qytetarë, shtetarë, zullumqarë, zyrtarë, se rreth tij bashkohemi të gjithë. Së pari mendoj se duhet bërë rishikimi i programeve mësimore të shkollave 9-vjeçare dhe të futen tema e çeshtje për njohjen dhe respektimin e simboleve tona kombëtare nga kjo moshë. Se rëndom i mëshohet më tepër flamujve të partive gjatë fushatave zgjedhore, që sipas ligjit të zgjedhjeve, 24 orë para votimit ndërpresin të gjitha aktivitet politike dhe propagandistike. Por këto flamurë e dekoracione jo vetëm nuk hiqen në këtë kohë, por qëndrojnë të varur deri sa shiu, era dhe dielli bëjnë punën e tyre. Këtë shqetësim e kam në radhë të parë për institucionet tona shtetërore, të cilat nuk kujdesen sa e si duhet lidhur me këtë simbol, Flamurin Kombëtar. Në se e ballafaqojmë zbatimin e rregullave të një institucioni me rregullat e Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Ligjin Nr. 9095, Dt.3.07.2003, duket qartë se nuk zbatohet asnjë standart si në vendosjen e flamurit kombëtar në mjedise të jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme. Flamujt janë jashtë standarteve si në përmasa, lartësinë nga toka, këndin e përkuljes, pozicionin e vendosjes në hyrje të institucionit dhe deri tek ngjyrat që përdoren në flamur. Madje si për të treguar unin e tij, çdo institucion kërkon ta vendosë sa më lart të jetë e mundur, duke mos respektuar raportin e përmasave të flamurit me lartësinë nga toka. Këto mangësi lejohen dhe tek vendosja e flamurit kombëtar në zyra të titullarit të institucionit. Sa për kujtesë, në rregulloren e Ceremonialit Shtetëror përcaktohet gjithashtu se flamurit kombëtar duhet ti vendoset dhe një ndriçues për natën. Përgjegjësi të kujt janë këto? Po të pyesësh, të gjithë thonë se është përgjegjësi e shtetit. Unë do të thoja se ka ardhur koha dhe momenti që përgjegjësia duhet ti faturohet atij që drejton “x” institucion që ka në vartësi ceremonialin shtetëror, pra funksionarit që paguhet nga shteti për këtë punë. Dhe këta persona janë me bollëk në institucionet tona, nga lart deri poshtë. Janë këta që duhet të kujdesen dhe të kërkojnë nga pushteti vendor, bashkitë, komunat dhe pushteti qëndror zbatimin e Rregullores së Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, në përputhje të plotë me normat dhe standartet ndërkombëtare. Të gjithë e pamë dhe ndoshta u revoltuam, kur në kuadër të 100-vjetorit të kremtimit të festës së Shpalljes së Pamvarësisë, flamujt kombëtarë të prodhuar në Kinë ishin jashtë standartit. Binte në sy forma dhe madhësia e shqiponjës si dhe ngjyrat e përdorura në flamur. Pse u lejua qënë këtë jubile të rallë, ky simbol të vendosej jashtë standartit dhe nuk u parandalua? Gjatë atyre ditëve të shënuara për çdo shqiptar, më erdhi një mik nga Gjermania, i cili shprehu dëshirën të blinte flamurin tonë kombëtar. E kishte zakon Hansi që kur vizitonte çdo vend, si kujtim merte një flamur dhe e vendoste mbi një shtizë në oborrin e shtëpisë së tij. Kërkuam në shumë dyqane, por nuk gjetëm një të tillë sipas standartit që ai ishte mësuar të blinte. U shqetësova pse ai nuk po blinte flamurin tonë kombëtar? Miku im më tha se nuk e besonte që ky simbol kaq i rëndësishëm për një vend, të mos jetë sipas standarteve dhe si mund të shitej pa aksesorët e tij, si psh. cima, që shërben për tu vendosur në shtizë, se kjo lë vend për abuzim. Me sa duket kudo në vendin tuaj, flamujt janë të vendosur nëpër shtylla me gozhdë si një copë leckë,-vazhdoi Hansi. Dhe në atë situatë festive, kur secili nga ne festonte me krenari 100-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë dhe shpalljen e pamvarësisë, flamurin të larë me gjakun e mijra shqiptarëve që luftuan për liri, simbolin e bashkimin kombëtar, po shihja e dëgjoja që nuk respektohej?! Ndjeva keqardhje bashkë me disa miq, kolegë e shokë për situatën e shpalosjes së flamurit për ditë të tëra. Diskutonim me njëri-tjetrin, (pamvarësisht se nuk na i vë veshin kush), dhe gjykonim se, për të parandaluar këto fenomene dhe për ti prerë njëherë e përgjithmonë rrugën abuzimeve duhet që:-prodhimi e tregëtimi i këtij simboli ti jepet një firme të licensuar e serioze, jo të prodhojë çdo kush që mundet simbolin tonë kombëtar; sepse vërtet ky simbol prodhohet jashtë me kosto të ulët, por theksojmë se është totalisht larg çdo normative të përcaktuar në Rregulloren e Ceremonialit Shtetëror. Një flamur i prodhuar sipas përmasave të caktuara, me materialin dhe ngjyrat e duhura, së bashku me zbatimin e ceremonialit dhe rregullave për vendosjen e tij në ambiente, zyra dhe institucione, na bën ne më krenarë e dinjitozë si komb, shtet e individë. I dashur lexues! Rilindja apo anëtarësimi në BE e cdo institucion brenda e jashtë vendit, i dashur lexues, fillon që nga respektimi i simbolit tonë kombëtar!
* Autori eshte Kap.i Rang. të Parë ( R ) ne Forcat e Armatosura te Republikes se Shqiperise. Shkrimi u dergua per Diellin nga abshkepunetori yne en Tirane, Shefqet kercelli
PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA!
-Në kujtim të tim’ eti që këndonte këngë për flamurin, dhe u varros në Ditën e Flamurit, 10 vjet më parë-/
Nga Shefqet Meko- Mineapolis/
Babai im i dashur, ishte njeriu i parë të më fliste për Flamurin Shqiptar. Ishte i thekur në dashurinë ndaj këtij simboli domethënës shqiptar. Nuk më jepte ndonjë leksion akademik, thjesht “mëkonte” tek unë dashurinë për simbolin e gjithëpushtetshëm të kombit. Më fliste për historinë aq sa dinte. Mi përsëriste bëmat e patriotëve shqiptarë. Ai burrë, nuk këndontë shumë, por kur kishim mysafirë dhe miq të nderuar, babai im, pasi kishte kthyer ndonjë gotë raki, këndonte këngën e parë për flamurin. Thellë memories sime vjen zëri dhe isoja e asaj kënge: “…39të mos ardhsh kurrë/… Që na rrëzove Flamurë… Ç’ke Falamur o’ që rënkon.. o…Jam plagosur brinjë më brinjë…” Eeeeee, vijonte isoja tradicionale poradecare.
Kjo iso më ka shoqëruar cep më cep të globit. Ka qënë kënga e babait tim për Flamurin, që si një ortek dashurie e përkatësie, ka lëvizur brenda meje e genit tim shqiptar,e me ka dhënë aq fuqi dhe frymëzim, aq pasion e krenari, aq virute e gëzime… Aq e aq gjëra të mira. Mbase, pikërisht kjo dashuri atërore, ky vargan dhimbjesh dhe sakrifica brezash, më ka bërë që edhe udhëtimin tim të parë drejt Shqipërisë 10 vite të shkuara, ta bëja në vigjilje të 90 vjetorit të Pavarësisë. Unë nuk e dija, se në këtë përvjetor të 9 dekadave të pavarësisë, do të përcillja në përjetësi babin tim, Feim Selim Meko. Ai iku atë ditë nëntori për të qënë i përjetshëm në memorien time familjare… Ishte 28 Nëntor 2002. Varrosej babai im që këndonte në çdo sebep këngë për flamurin…
******
Qershor 2012. Udhëtoj drejt Uashington DC. Miku im Sabah Sena (Prof. Dr.) vjen nga Tirana me një grup biznesmenësh për të përfaqësuar Shqipërinë në një Panair Ndërkombëtar. Kur shkoj në DC, bëj shumë plane. Pata dëshirë të takoja Dr. Elez Biberajn, dhe kolegun Fiqiri Shahinllari. Kisha dëshirë të vizitoja Dr.Lefter Dakun dhe Dr.Pavli Mykerezin në Blaksburg, Virxhinia. I telefonova gazetarit amerikan Bob Web për të kaluar disa orë së bashku në DC. Ai më ftoi në Klubin Kombëtar të Shtypit 14th Street NW. Dhe të gjitha planet u realizuan siç desha vetë. Me gazetarin Bob Webb kalojmë së bashku darkën në Klubin Kombëtar të Shtypit. Ai më tregon gjithshka dhe shkojmë tek salloni ku janë gjithë flamujt e kombeve. “Këtu i kemi të gjithë, edhe Falmurin Shqiptar….” më thotë Bob Webb. “Tregoma pak atë shqiptarin…” i them. Kërkojmë e kërkojmë, por nuk e gjejmë dot. “Po këtu ka qënë, Egla Kaloshi nga Kruja më tha se këtu është, unë edhe nuk mbaj mend shumë, por ajo vajza nga Kruja më tha…Dhe e besova. Por nuk qënka. Më fal…” përpiqej të shfajësohej Bob Webb, a thua ishte faji i tij. Natyrisht, më dhembi shumë që një vajzë e re krutane, nuk kishte mundur të njihte flamurin, por për të qënë i saktë kërkova të bisedoja me administratorin e Klubit. Ai erdhi dhe na konfirmoi që “Flamuri shqiptar mungonte…” Më dhembi aq shumë ai moment dhe babai im, që kurrë nuk ëndërroi Uashigntonin, erdhi me këngën e vet: “Ç’ke Flamur o’ që rënkon…o… Jam plagosur brinjë më brinjë…”
U zgjova nga kujtimet e mia dhe e pyeta sërish njëriun që menaxhonte Klubin Kombëtar të Shtypit në DC: “A jeni i sigurt që nuk keni një Flamur Shqiptar në këtë sallë”? “Po, zotni, jam shumë i sigurtë, dhe më vjen keq…” më tha njeriu i pafajshëm në DC. “Ok, i thashë, unë jam shqiptaro-amerikan që jetoj në Minesota. Dua t’u dërgoj një flamur nga Mineapolis ta ruani në këtë sallë, si simbol të një kombi të lashtë të Ballkanit dhe Europës… Do jetë dhurata ime për Klubin Kombëtar të Shtypit”. Bob Webb nuk mund ta mbante do gëzimin dhe kënaqsinë e atij momenti: “Shefket, ky është moment i bekuar nga Zoti… Unë të solla këtu, sepse zëri im i brendshëm më tha. Shiko se çfarë momenti gjetëm….” Me lot në sy falenderova mikun tim.
Shkëmbeva informacion me Peter Hickman në DC dhe i premtova se sapo të kthehesha në Mineapolis, gjëja e parë do ishte ta dërgoja një Flamur Shqiptar në DC. Ai e priti me shumë gëzim këtë gjest dhe u ndamë për t’u takuar sërish përmes Falmurit Shqiptar.
Kur i tregova këtë histori një mikut im më tha shkurt:” Kot nuk more në telefon Ambasadën, që të kishte çuar 10 flamuj…” Jo, i thashë, një flamur nga Mineapolis në DC ka më shumë kuptim se nje telefonatë në zyrat shurdhe të ambasadës…” Dhe bëra dërgesën më të bukur postare: Një flamur nga Minneapolis në DC. Duke shkruar adresën e marrësit në hollin e Postës në Aeroport, që ka qënë edhe vendi im i parë i punës në SHBA, gjëmonte kënga e babait tim: “Ç’ke Flamur o, që rënkon ooo…Jam plagosur brinjë më brinjë…oooo…39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove flamurë…. eeeee…oooo”
Në më pak se dy muaj nga DC mora një letër. Zoti Hickman ish-zëvendës president i Klubit Kombëtar të Shtypit, njoftonte ambasadorin Galanxhi në DC se “Zoti Meko na dërgoi një flamur shiptar nga Mineapolis dhe tashmë flamuri shqiptar qëndron përkrah flamujve të tjerë në lobin e këtij Klubi”
Unë u ndieva mirë që Flamuri ynë mbërriti në Klubin Kombëtar të Shtypit në DC. Bashkëqytetari im amerikan më njoftoi dhe falenderoi, por unë nuk dëgjova kurrë ndonjë fjalë nga ambasadori i vendlindjes sime në SHBA. Por kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që kënga e babait tim për flamurin buçet në qënien time: “39të mos ardhsh kurrë….Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon…Jam plagosur brinjë më brinjë… ooooo…eeeee”
*****************
Këtë shtator që sapo shkoi, së bashku me bashkëshorten time, Alma Meko, njeriu që më ka falur fatet më të mëdha në këtë jetë, vizituam edhe Parisin. Shëtitëm cep më cep. Ime shoqe, kujtonte kohën kur në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku ajo punonte, Elena Kadare kthehej nga Parisi (në ato kohë të mbylljes sonë të madhe e të pashoqe) e u thoshte kolegeve: “Me Kadarenë pimë kafe tek kafe “Odesa”… Parisi është shumë i bukur…” Nuk e di por rastësia bëri të vetën. Ne ishim fqinjë me këtë kafe ku çifti Kadare pinte kafet në kohën e atëhershme të mbylljes sonë mëkatare… Ne shëtitëm dhe tek kafja pranë kopshtit Lukseburg, me dëshirë se mund të shihnim rastësisht çifitn Kadare, që banon aty pranë, por nuk qe e thënë. Nën shoqërinë dhe bujarinë Gjroksatritit-Tropojan, të gazetarit Artan Kutra, gazetar në Radio- Francë, shëtitëm shumë monumente dhe perla parisiane. Diku Tan Kutra na tregoi se një luftëtar i shquar shqiptar, ishte huazuar nga Italia për betejat e Francës, por kishte patur fatin tragjik të vritej. Ishte sherri më i madh mes Francës dhe Italisë, se kush do të varroste këtë luftëtar gjenial me origjinë shqiptare. Italia kërkonte gjithshka, sikurse francezët kërkonin ta mbanin në tokën e tyre. (Ai ishte ushtar legjendar, jo mbret). Së fundmi dy kombet fqinjë ranë dakord në një zgjidhje: Franca mbajti zemrën e luftëtarit, Italia mori trupin. Kështu të dyja palët gjetën qetësi duke nderuar shqiptarin luftëtar të lavdishëm…
Më dhembi dhe ma gjallëroi kjo rrëfenjëz e Artan Kutrës, ndërkohë krejt rastësisht kaluam në një rrugë që na përballi me Ambasadën Shqiptare. “Ja, o shqiptaro-amerikan, kjo është ambasada jonë…Atje në katin lart..Shikoje Flamurin tonë…”. Tek unë në mënyrë elektrike erdhën vargjet e këngës së babit tim: “39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…. Ç’ke Flamur o që rënkon ooo… Jam plagosur brinjë më brinjë…ooo”
“Tani Kutra, a është ky famuri ynë zyrtar…?” e pyes. “Po ore, a nuk e shikon shqipen me dy krena..”… Më thotë gazetari shqiptar në Francë, Artan Kutra.
Më dhembi aq shumë ajo që pashë. Iu afrova Artan Kutrës dhe i thashë:”Jemi mbretëri apo republikë, o Tan Kutra…Flamuri ka shenjën mbretërore mbi krena… Duket qartë, e retushuar…Duket si njollë…. Të dhemb një flamur me njollë…A e shikon?” Ai nuk mund t’u besonte syve: “Vërtet, ashtu është. Po ku të vajtën sytë xhanëm…Unë kam kaluar 100 herë dhe nuk e kam vënë re…” “Po më ra në sy njolla o Kutra. Një Flamur me njollë të dhemb…” i thashë. “E pse mërzitesh, ja kanë fshirë përkrenaren e Skënderbeut.. Prap flamur është…” “Jo, Tano, nuk është flamur në shtëpi, është flamur në shtëpinë e shtetit. Dhe shteti seriozitetin e parë e ka tek simbolet. Në Amerikë nuk bëjmë shaka me flamurin…” Miku im, duke e ndjerë vete si ambasador u munda të justifikohej se lobi mbretëror është shumë i fortë në Paris e Francë dhe mbase është efekt i kësaj. Por mua më dhembi… Mbase në mes të Parsit ai flamur sërish valvitet i “retushuar” dhe masakruar. Ndaj më elektrizojnë vargjet e këngës së babait tim që u varros në Ditën e Flamurit 10 vjet më parë:” 39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon heee…Jam plagosur o brinjë më brinjë…eeee”
******
Këto dy rrrëfenjëza më gufuan nga brenda në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Flamurit Shqiptar. Dhe ndërsa kënga e babait tim për Flamurin lodron brenda shpirit tim, më poshtërojnë blegërimat e 1000 qingjave … që dikush do t’i bëjë kurban në Tiranë.
Vijoje atë këngë, babai im i dashur. Këndoje fuqishëm nga thellësia e varrit tënd ku u kalle më 28 Nëtor, 2002:
“…39të mos ardhsh kurrë/
Që na rrëzove Flamurë/
Ç’ke Flamur o që rënkon o..
Jam plagosur o brinjë më brinjë.ooo…”
Këndo babai im i dashur.Këndo në këtë 100 vjetor…Këndo për Flamurin. Unë të mbaj iso përmes lotësh…. Mbase jo vetëm unë..
“…39-të mos ardhsh kurrë,
Që na rrëzove flamurë…”
SHEFQET MEKO
Mineapolis, 17 Nëntor 2012