*Presidenti kërkoi gjykim penal për Diktaturën dhe Diktatorin
Kreu i Shtetit shpalli dje vitin e kremtimeve për 25 vjetorin e rrëzimit të diktaturës, duke kërkuar që të miratohet sa më shpejt një ligj i plotë për hapjen e dosjeve si dhe një ligj i posaçëm për lustracionin. Presidenti Nishani deklaroi se Lëvizja e Dhjetorit meriton të kujtohet me një monument, në një nga sheshet e kryeqytetit/
Në 25 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar që aktivitetet që do të organizohen në përkujtim të ngjarjeve që shënuan ndryshimet politike në vend të marrin një profil shtetëror. Miratimi i një ligji të plotë nga ana e parlamentit për hapjen e dosjeve dhe lustracionit, sipas kreut të shtetit, do t’i qetësonte shpirtrat e shqiptarëve. Kreu i shtetit ka sugjeruar gjithashtu se krimet e atij sistemi duhen kujtuar në një datë të veçantë. Sipas tij, në këtë 25 – vjetor edhe lëvizja e dhjetorit meriton të kujtohet me një monument. “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, u shpreh Presidenti Nishani. “E kam thirrur këtë takim sot me ju për t’ju njohur ju, por edhe përmes jush për t’i përcjell opinionit publik angazhimin tim personal dhe institucional në celebrimin që meriton ky vit, pra 2015-ta, si viti i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Është një përvjetor, i cili vitin e shkruar u celebrua me të gjithë dimensionin e merituar në mjaft vende të ish-kampit komunist duke filluar me Poloninë, i cili ishte edhe vendi simboli i nisjes së erës së ndryshimeve, me Gjermaninë që gjithashtu ishte një simbol i fortë me rënien e Murit të Berlinit dhe të gjithë transformimeve të mëdha që më pas pasuan këtë proces. Celebrime patëm në Hungari dhe në Poloni. Diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë e shtrirë për një periudhë të gjatë dhe e përhapur në të gjithë fazat dhe etapat në të cilat kaloi”. Ai theksoi se proceset e rezistencës erdhën gjithmonë në rritje deri sa kulmuan në përmbysjen përfundimtare të këtë regjimi në 8 dhjetorin e ‘90-tës. “Por janë disa momente, të cilat lidhen me rezistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të grupimeve të ndryshme shoqërore: kam parasysh këtu jo vetëm rezistencën që i bëri inteligjenca, por edhe ajo që mund ta quajmë rezistenca e mendimit, e cila u përball në forma nga më të ndryshme me ideologjinë komuniste. Kemi rezistencën që i bëri kleri mysliman, katolik dhe ortodoks pavarësisht represionit dhe krimeve të mëdha që regjimi bëri ndaj klerit jo vetëm me prishjen, shkatërrimin e objekteve të kultit, por edhe me ekzekutime masive të klerit. Procesi i përmbysjes së komunizmit në Shqipëri njohu disa momente kulmore siç kanë qenë organizimet dhe demonstratat e ndryshme në Shkodër, Kavajë, Tiranën të cilat kulmuan me momente të rëndësishme, edhe të rrëzimit të monumentit të diktatorit, i cili ishte momenti i vrasjes së një të frike masive nga ana e qytetarëve. Një moment, i cili meriton një vëmendje të rëndësishme ka të bëjë me vrasjet makabre në kufi. Janë mbi 80 të rinj të reja shqiptarë të ekzekutuara në kufi madje pas ndryshimeve ligjore. Pas ndryshimit të ligjit që regjimi i kohës i bëri duke mos e konsideruar kalimin e paligjshëm të kufirit si një akt kriminal, pavarësisht kësaj periudha u pasua me vrasje makabre në kufi vetëm për arsyen dhe faktin që këta të rinj kërkonin lirinë, kërkonin perëndimin kërkonin të shkonin dhe të integroheshin në botën e kulturuar, në botën e qytetëruar, në botën e civilizimit dhe zhvillimit. Është një moment që kërkon një refleksion të madh jo vetëm në identifikimin e këtyre akteve kriminale, jo vetëm të përgjegjësve të këtyre akteve kriminale dhe në kundërshtim të plotë më ligjin e kohës por edhe të simbolikës së madhe që reflektonte akti i këtyre shqiptarëve, të cilët kërkonin orientimin në tërësi të shoqërisë drejt botës së lirë drejt perëndimit”. Presidenti Nishani kërkoi vendosjen e një date përkujtimore për rrëzimin e komunizmit dhe ngritjen e një monumenti për Lëvizjen e Dhjetorit. “Lëvizja e Dhjetorit e Studentëve mbetet padyshim lëvizja lider në tërë këtë proces të përmbysjes përfundimtare të regjimi komunist në Shqipëri. Janë një sërë personalitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare që iu gjendën pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm për t’i inkurajuar, jo vetëm për t’ju bashkuar, jo vetëm për të gjeneruar ide dhe një aksion të përbashkët për t’i dhënë goditjen përfundimtare regjimit komunist, por njëkohësisht edhe për ta orientuar shoqërinë shqiptare drejt standardeve që ajo meriton, të cilët njëkohësisht mendoj se duhen vlerësuar dhe duhen nderuar. Është një vit, i cili kërkon angazhimin serioz për të kujtuar dhe celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit nga të gjitha institucionet e shtetit. Ndaj, kam marrë iniciativë për të organizuar dhe drejtuar disa evenimente me profil shtetëror. I bëj ftesë t’i bashkohet qeveria shqiptare, Kryetari i saj, Parlamenti shqiptar, opozita shqiptare në mënyrë të tillë që të koordinohen dhe realizohen aktivitete dhe evenimente, të cilat meritojnë të sjellin në vëmendje pasojat e tmerrshme që pati krimi komunist në Shqipëri, regjimi stalinist në Shqipëri, pasojat që la dhe reflektimi për të ndërtuar një qasje më dinamike drejt standardeve të lirisë dhe demokracisë që meritojnë Shqipëria dhe shqiptarët. Në këtë vit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit besoj që është periudha më e mirë që Parlamenti shqiptar të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke qetësuar njëherë e përgjithmonë shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht Lëvizja e Dhjetorit meriton të jetësohet me një monument të caktuar në Tiranë, që duhet të jetë një angazhim i Bashkisë së kryeqytetit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në bashkëpunim me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Si President i Republikës do të ofroja të gjithë angazhimin maksimal për t’u dhënë ceremonive të ndryshme, përgjatë këtij 25-vjetori, profilin e merituar shtetëror, nderimin e të gjithë atyre që i rezistuan, të gjithë atyre që kontribuuan në përshpejtimin e rënies së këtij modeli, i cili ishte modeli më i tmerrshëm në gjithë hapësirën e ish-vendeve komuniste të Evropës”, theksoi Nishani. Gjithashtu, kreu i shtetit kërkoi edhe hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë drejtim, Nishani propozoi miratimin e një ligji të plotë, duke kërkuar edhe hetim e gjykim penal për Sigurimin e Shtetit, për ata që e ndërtuan, e udhëhoqën dhe kryen krime, madje edhe në kundërshtim me ligjet e kohës.
“Ky vit është viti më i përshtatshëm që Parlamenti shqiptar të bëjë një ligj të plotë të lustracionit të bazuar mbi ekspertizën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare dhe të atyre vendeve, të cilët e kanë aplikuar ligjin e lustracionit në vendet e tyre”.
Zoti President, një tjetër çështje – Ju folët për hartimin e një ligji për hapjen e dosjeve, ndërkohë ka një tjetër diskutim në Kuvend; është propozimi i Ministrit Naço për komisionin e reformës në drejtësi dhe një ndër propozimet është përjashtimi i Presidentit të Republikës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Ju personalisht ç’mendim keni?
Unë do të mbështes çdo vendim që ligjvënësi, legjislativi, i cili është pushteti i vetëm që përfaqëson vullnetin e sovranit për të hartuar legjislacionin, për të bërë ndryshime kushtetuese, për të bërë ndryshime ligjore, dhe unë si një qytetar i këtij vendi do të mbështes dhe do të respektoj maksimalisht të gjitha ndryshimet që mund t’i bëhen Kushtetutës, që mund t’i bëhen ligjit dhe natyrisht ajo që unë inkurajoj, ka të bëjë me faktin që çdo ndryshim të jetë në përputhje me standardet dhe me lartësinë që meriton një shtet i së drejtës, një shtet i lirë dhe një demokraci funksionale ku Shqipëria pretendon të jetë e kyçur.
Zoti President, ju folët për ligjin për hapjen e dosjeve. A nuk është e vonuar Shqipëria për miratimin e një ligji të tillë? Cili është apeli juaj për klasën politike shqiptare?
Po, besoj që është e vonuar dhe nuk ka dilemë që është e vonuar. Por, unë jam i bindur që sado të zgjatet në kohë, sado që të vonohet më tej, Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, jam i bindur për këtë, por ky është momenti më i mirë dhe më i përshtatshëm edhe për reflektim nga të gjithë për të kompensuar kohën e humbur dhe për të krijuar mundësitë e një relaksimi dhe paqtimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.
Duke mbetur tek ligji i dosjeve – Aktualisht madje gjatë kësaj jave pritet që në Kuvendin e Shqipërisë të vijë zyrtarisht propozimi i qeverisë shqiptare që nuk parashikon lustracion. Kjo do të thotë në fjalën tuaj ju përmendët ‘hapje të dosjeve’ dhe ‘lustracion’. Në rast se nuk do të përfshihet dhe lustracioni në ligjin që do të vijë nga qeveria, nga Parlamenti, do të thotë që Ju mund të mos e dekretoni këtë ligj? Dhe pyetja e dytë, folët për një seri aktivitetesh, kërkuat mbështetjen e qeverisë shqiptare. Keni pasur zyrtarisht, në mënyrë institucionale konsulta paraprake për këto aktivitete? Përmendët edhe çështjen e mbështetjes financiare…
Në lidhje me pyetjen e parë, natyrisht pa marrë përsipër për të gjykuar një vendim të Presidentit, apo një dekret pa parë përmbajtjen, përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit të një akti që vjen në Presidencë, mund t’ju them me siguri se pavarësisht dimensionit që do të përmbajë një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, apo me lustracionin do të ketë mbështetjen gjithmonë të Presidentit të Republikës dhe do të firmoset. Por, ajo që unë kërkoj dhe sugjeroj është që, të kemi një ligj të plotë në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e merituar të hapjes së dosjeve jo vetëm të atyre që e ndërtuan, e udhëhoqën atë mekanizëm kriminal për të cilin unë mendoj që është koha që Shqipëria edhe me asistencën ndërkombëtare të kërkojë hetim dhe gjykim penal për mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, për krimet që ka bërë në kundërshtim dhe me ligjet e kohës. Por, kjo mbetet në vullnetin e ligjvënësit. Ajo që Presidenti ka qëndrim të palëkundur është që, do të mbështesë çdo iniciativë pavarësisht se ajo sado ta ketë në thellësi dhe gjerësi dimensionin e saj. Përsa u takon çështjeve të tjera, unë jam padyshim i hapur për çdo lloj bashkëpunimi. Kur kam kërkuar buxhetin në fillim të vitit, një nga pikat që i jam adresuar qeverisë ka qenë pikërisht buxheti për të celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kjo ka qenë publike, zyrtare ashtu siç do të vijojë të ofrojë ftesa institucionale për t’u konsultuar dhe bashkëpunuar me qeverinë, Parlamentin dhe opozitën për këtë çështje.