-Fokusi i konferencës së Parisit përveç projekteve infrastrukturore që tashmë janë dakorduar, do të jetë tek fuqizimi i rolit të rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet programeve të ndryshme që do të financohen nga BE/
PRISHTINË, 16 Shkurt 2016/ Kosova nis përgatitjet për Konferencën e Parisit, bëhet e ditur pas takimit sot të ministrit të Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, me ambasadoren e Francës në Prishtinë, Maryse Daviet.
Me ambasadorn Daviet, ministri Çollaku ka diskutuar për axhendën evropiane të Kosovës, duke u fokusuar në procesin e liberalizimit të vizave si dhe përgatitjet për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Po ashtu temë qendrore e takimi ishte përgatitja që po bënë Kosova për pjesëmarrjen në Konferencën e Parisit këtë vit, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit”, thekson njoftimi i dërguar.
Ministri Çollaku vlerësoi se Konferenca e Parisit do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes realizimit të projekteve të ndryshme përmes së cilave do të përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Fokusi i konferencës së Parisit përveç projekteve infrastrukturore që tashmë janë dakorduar, do të jetë tek fuqizimi i rolit të rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet programeve të ndryshme që do të financohen nga BE”, u shpreh ai.
Procesi i Berlinit është nismë e kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, me qëllim të ofrimit të mbështetjes politike dhe financiare për shtetet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.
Procesi nisi me Konferencën e Berlinit në vitin 2014, për të vazhduar me Samitin e Vjenës që u mbajt në gusht të 2015 dhe këtë vit vijon me Konferencën e Parisit./b.j/