-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton planin operacional për zgjedhjet lokale të 22 tetorit/
-Drejt përfundimit rinumërimi i grupit prej 280 vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit/ PRISHTINË, 23 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Është miratuar sot Plani Operacional për Zgjedhjet Lokale 2017 dhe kalendari i aktiviteteve kryesore për këto zgjedhje, që do zhvillohen në 38 komunat e Kosovës në 22 tetor.Periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike do jetë nga 21 shtatori deri në 20 tetor 2017.Komisini Qendror i Zgjedhjeve në një mbledhje sot pasdite kishte në axhendë edhe shqyrtimin dhe miratimin e kufizimeve të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve lokale për subjektet politike.Shpenzimet e lejuara për subjektet politike janë 0.50 euro për një votues. Ndërsa, në komunat ku numri i votuesve është nën 5 mijë shpenzimet e lejuara për subjektet politike janë 0.70 euro për një votues. Në mbledhje u paraqit edhe një rapot nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve nga procesi i rinumërimit të grupit prej 280 vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.U bë e ditur se procesi i rinumërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme dhe pastaj vazhdohet me numërimin e votave që kanë ardhur përmes postës – 5.246 dhe i votave me kusht -25.386.Në Kosovë zgjedhjet lokale mbahen në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.Në 21 qershor 2017, presidenti i Kosovës ka caktuar datën 22 tetor 2017 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, pasi të njëjtën ditë mbajti një takim konsultativ me përfaqësuesit e 20 partive politike.Presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.