Nga Romeo Gurakuqi/
Një memorandum privat i një qytetari amerikani, njohës shumë i mirë i situatës në Shqipëri në gusht 1944, përgatitur me kërkesë të autoriteteve Aleate Anglo-Amerikane
Një vështrim i shkurtër mbi rrethanat historike shqiptare në korrik-gusht 1944
Memorandumi që gjendet në: PRO.FO.371.43554, R 16105/G, R 14661/39/G, Boxshall to Laskey Esq, 5 October 1944, The Albanian Situation (Comments of August 25, 1944), është shkuar me datën 25 gusht 1944 dhe u bë i njohur për Foreign Office me 5 tetor 1944, përmes rrugëve private, nga zyra britanike në New York. Linjat e rekomandimeve të përpiluesit anonim të letrës, nuk ecin tërësisht paralel me politiken e përkufizuar nga Foreign Office dhe State Department, të cilat nuk kanë ende një plan efikas për zgjidhjen e gjendjes kaotike shqiptare. Shqipëria e verës 1944 ishte e traumatizuar nga dy pushtime rrënimtare, nga një lëvizje komuniste me frymëzim jugosllav që komandonte LNÇ, nga kolaboracionistë të deklaruar dhe të bindur, kolaboracionistë naivë, rastësore e nën presion, dhe nacionalistë asnjanës, nën presionin sllavo-komunist. Vetë LNÇ kishte tjetërsuar dhe tejkaluar thelbin e luftës çlirimtare drejt një lufte të qartë edhe për pushtet. Është koha kur forcat e Divizionit I të UNÇSH, nga data 28 qershor 1944, kishin kapërcyer Shkumbinin dhe kishin hyrë në Veri, hapësirë shqiptare e strukturuar ndryshe nga pikpamja sociale dhe e pozicionuar ndryshe në konfliktin që kishte përfshirë Shqipërinë e Jugut dhe disa pjesë të Qendres. Divizioni i sapo formuar partizan që përfshinte brigadat 1, 4 dhe 5, i komanduar prej Gjeneral Kolonel Dali Ndreu, kaperceu rrugën Elbasan-Strugë dhë lëvizi në Veri në drejtim të Matit dhe Dibrës. Gradualisht repartet partizane filluan depërtimin edhe në zonat e kontrolluara nga Abaz Kupi, në zonën e Matit. LNÇ sulmoi Zogistët fillimisht me datën 5 korrik 1944. Major Kupi në këtë ditë ishte në Lumë, duke biseduar me Muharrem Bajraktarin dhe udhëheqës të tjerë të Shqipërisë së Veriut. Kupi sapo mësoi mbi sulmin u dha urdhër oficierëve të tij të vetëmbroheshin, por nuk bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm. Pas kthimit të tij me 7 korrik, ai e kuptoi se për shkak të inferioritetit numerik të njerëzve të tij, në armë dhe pajisje, si dhe për shkak të mungësës së një udhëheqesie, LNÇ kishte pushtuar tashmë Luginën e Shupalit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar atë nga një pjesë e madhe e krahinës nga e cila ai kishte siguruar bazën e vet të fuqisë njerëzore. Nga ana tjetër, ofensiva e LNÇ ishte shtrirë edhe në Dibër, duke kërcënuar edhe Mirditën. Pas kësaj Kupi u kthye në Lumë, me synim mobilizimin e forcave të tij për mbrojtjen e zonës së Krujës e Matit dhe për me bisedue për formimin e një Blloku Nacionalist që do t’i kundërvihej LNÇ, pa bashkëpunuar me gjermanët, dhe me mbështetjen e Aleatëve. Ai u orvat të ndërtonte një skemë mbrojtësë në Shqipërinë e Veriut, që do të përdorte të gjitha forcat nacionaliste. Kupi nuk bashkëpunoi në asnjë rast me gjermanët, madje në këtë kohë ai filloi të ndërmarrë sulme kundër tyre, ndërsa në gusht dhe shtator 1944. ai ua bëri të qartë të gjithëve, se e vetmja alternativë ishte lufta kundër pushtuesit. Por ai u përpoq jo pa çudi, të ndërtonte një skemë parësore mbrojtjeje ndaj LNÇ-së, që përfshinte edhe elementë nacionalistë që ishin pjesë e qeverisë në Tiranë, ose mbështetës; rezulton se u vendos në dijeni deri edhe të një plani për të kapur qeverinë e Tiranës me elementë të Bllokut Nacionalist, për të përgatitur një organizëm të gjërë nacionalist, politik dhe ushtarak, kundër LNÇ-së, që do t’i bënte ballë ardhjes së tyre në pushtet, kur gjermanët të tërhiqeshin. Kupi në korrik 1944, arriti të mobilizonte rreth 1500 trupa dhe ripushtoi Shupalin, pasi kjo zonë u evakua nga LNÇ. Të gjitha këto veprime të Kupit vazhduan ndërkohë që ai bashkëpunonte me Misionin Aleat, dhe kishte shpallur synimin e tij për të sulmuar LNÇ derisa ajo të largohej nga ajo zonë që ai e konsideronte me të drejtë, sfera e tij e ndikimit dhe këtë ai do ta bente me çdo çmim. Konstatoj se Nacionalistët kanë qenë plotësisht të qartë për atë çfarë do e gjente Shqipërinë dhe Kosovën, të nesermen, në qoftë se LNÇ do triumfonte, por kanë qenë të vonuar, apatikë, të pavendosur për të kuptuar se rruga për të penguar ardhjen e komunistëve titistë në pushtet, ishte rruga që ndiqte Gani Kryeziu: Luftë pa kompromis kundër pushtuesit, duke bashkëpunuar me Aleatët, duke zhvendosur mbështetjen aleate në luftën antifashiste, nga komunistët e Enver Hoxhës drejt Nacionalizmit tradicional dhe reformator. Dokumentacioni deshmon se, pas invadimit të LNÇ-së në Veri, opinioni publik në Mat, i cili deri tani sikurse edhe në pjesët e tjera të Veriut kishte qenë apatik dhe në pozicione pritëse, filloi të acarohej dhe zemërohej me LNÇ, në mënyrë të veçantë për shkak të requizimeve me shumicë që ata bënë, djegies së shtëpive të prijësve kryesore të Matit, sinjale të para për atë çfarë aa do bënin të nesermen e ardhjes në pushtet. Pikërisht në këtë kohë, Lufta Civile që zhvillohej krahas Luftës Çlirimtare nga komunistët, hyn në një fazë të re, finale do ta quaja, mbasi LNÇ-ja tashmë godiste pa dallim, të gjithë në Shqipërinë Qendrore dhe të Veriut, jo vetëm bashkëpunëtorët klasikë, por të gjithë Shqipërinë asnjanëse, Shqipërinë në pritje, gjithë strukturen hierarkike sociale të Veriut. Ishte tashmë shumë më tepër se sa një luftë çlirimtare, në mes ideologjive rivale: ishte një goditje ndaj Shqipërisë tradicionale, që pas kësaj do të bjerë për të mos u ngritur më kurrë. Invadimi i UNÇSH në Veri, në zonat e Abaz Kupit dhe fillimi i ballafaqimeve mes trupave ndërshqiptare, në një luftë të mirëfilltë civile, alarmoi britanikët të cilët ndërmjetësuan.
Duhet të kujtojmë se gjatë muajve korrik dhe gusht 1944 administrata e Shqipërisë së Jugut u dezintegrua, në rrethanat kur u kuptua se forcat e armatosura qeveritare e kishin të pamundur të kontrollonin FNÇ (pas Kongresit të Permetit) dhe në një kohë që njësi ushtarake gjermane nuk ishin disponibel. Prefektet dhe zyrtaret qeveritarë të Gjinokastrës dhe Korçës, ose erdhën në Tiranë, ose ikën në Greqi. Përndryshe, familjet nacionaliste e lëshuan Vlorën, kur u pa qartë se hyrja e UNÇSH, në rrethanat e terheqjes së dukshme gjermane, mund të shoqërohej me goditje pa dallim. Në këto rrethana elementët nacionalistët ishin në të mirë të negociatave të menjëhershme me FNÇ, por kjo do të rezultonte një mision i pamundur për ndërmjetësit britanikë dhe për ata vetë për shkak të intransigjencës së Enver Hoxhës. Me datën 9 gusht 1944, Këshilli i Regjencës autorizoi Qeverinë e Fiqiri Dino të merrte çfarëdolloj mase emergjente që do të ishte e nevojshme dhe krijoi Komanden e Përgjithshme të Forcave të Armatosura, nën urdhërat e Ministrit të brendshëm Xhafer Deva. Në përgjithësi, e vetmja lidhje që i mbante të bashkuar anëtarët e kësaj qeverie ishte frika e LNÇ dhe deshira per të ruajtur rendin social ekzistues në Shqipëri. Për një pjesë të rëndësishme të tyre bashkëpunimi me gjermanët kishte qenë i kushtëzuar pikërisht nga kjo frikë. Këto janë pak a shumë rrethanat e muajve korrik gusht 1944 që shërbejnë për të kuptuar dokumentin e mëposhtëm.
Analiza dhe plani i propozuar nga autori, shpjegon rrezikun që paraqet FNÇ për të ardhmen e Shqipërisë, për shkak të procesit të invadimit të Veriut nga ana e UNÇSH dhe të pozicionit të paqartë dhe të pavendosur të Britanisë së Madhe dhe ShBA në vend. Më shumë se sa mbi nevojën e çlirimit të Shqipërisë nga gjermanët, që do të ndodhte gjithsesi, ai mendon për të ardhmen e këtij vendi fatkeq dhe me zhvillim të cunguar, viktimë e përhershme e ballkanikëve agresivë. Zgjidhja e propozuar nga vlerësuesi, në këtë kohë delikate për të ardhmen e vendit në liri dhe të Kosovës me një pozicion të pasigurtë e të paqartë statutor, është me parandalue lëvizjen e LNÇ që nga Jugu i Shqipërisë të depërtojë në Veriun e mbizotëruar nga Nacionalistët neutralë, si dhe sigurimi i një referendumi të ndershëm nën mbikqyrjen Aleate, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo kjo kërkonte një angazhim ushtarak në Shqipëri, të cilin as britanikët dhe as amerikanët, nuk ishin të gatshëm në këtë kohë ta ndërmerrnein. Rreziku ishte se FNÇ po fuqizohej aq shumë, sa do të ishte e vështirë më vonë, sikurse rezultoi në të vërtetë, me e ndalue atë organizatë nga ndërmarrja e procesit të vendosjes nën zotërim të të gjithë Shqipërisë, proces i cili ishte qartësisht dhe përfundimisht qellimi kryesor që i udhëhiqte përgjatë e paralelisht procesit çlirimtar. Britanikët për të ndaluar Enver Hoxhën nga i ashtuquajturi proces i “prise de pouvoir” (kapjes, vënies nën zotërim) të Shqipërisë së Veriut, menduan të organizojnë një takim të tij me Gjeneralin Wilson. Mirëpo ata ngurruan të vendosnin në zbatim këtë opsion, sepse frikësoheshin se ky takim mund t’i jepte Enver Hoxhës krahë, do të përforconte edhe më tej pozitën e tij dhe do ta ndihmonte të vazhdonte programin që ia kishte përcaktuar Tito dhe ambicja e tij paranojake për t’u bërë zot i plotfuqishëm i “Shqipërisë së Re”.
Konsideratat dhe planet e paraqitura nga analisti anonim amerikan, të cilit siç duket iu kërkua të jepte një opinion jo zyrtar për shkak të ekspertizës në çështjen shqiptare, mbi atë çfarë Aleatët do të duhet të benin në Shqipëri, në rrethanat e precipitimit të hidhur të ngjarjeve atje në verën e vitit 1944, janë si më poshtë vijon:
1. “Aleatët do të duhet të heqin dorë për momentin nga ndonjë përpjekje ose synim për me formue një Qeveri në Mërgim, mbasi koha e vërtetë për këtë ka kaluar tashmë përfundimisht. Është shumë e dyshimtë nëse ndonjë qeveri nga jashtë do të mund të komandonte tani linjat e përkushtimit të LNÇ, veçanërisht në qoftë se Zogu do të drejtonte një qeveri të tillë; për më tëpër, që Kongresi i Përmetit ka deklaruar publikisht se nuk do të pranojë një qeveri nga jashtë.
2. LNÇ duhet të këshillohet, se përpara një njohjeje që mund t’i jepet asaj, ajo organizatë duhet të zgjerojë bazën e anëtarësisë, duke përfshirë si Nacionalistët ashtu edhe Zogistët; me fjalë të tjera, kjo organizatë duhet të rikthehet tek parimet fillestare të Konferencës së Pezës, të mbajtur në shtator 1942. (Asokohe, shqiptarët qenë të bashkuar në besimin se një lëvizje e bashkuar e rezistencës, nuk do të duhej të pengohej prej përshtatjes së një programi të pastër partiak; dhe ata ranë në një mendje me ia lënë në dorë, të gjitha çështjet e lidhura me formen e një shteti të pas luftës, votuesve shqiptarë, të cilët do të përcaktonin këtë çështje me një referendum).
3. Aleatët duhet t’ia bëjnë të qartë LNÇ-së, se në qoftë se ata nuk do të pranojnë zbatimin e këtij programi, Aleatët mund të detyrohen (në interes të vetë Shqipërisë), të formojnë një Qeveri në Mërgim, nga grupet jashtë, një qeveri që do të përfaqësojë sa të jetë e mundur proporcionalisht, partitë e ndryshme brenda Shqipërisë; dhe kjo do të duhet bërë edhe nëse populli në Shqipëri aktualisht, deshiron ose jo, të dërgojë delegatë për të marrë vendet në një qeveri në mërgim. LNÇ-së duhet t’i thuhet gjithashtu: një alternative e dytë të cilën Aleatët mund ta konsiderojnë do të ishte me e lënë Shqipërinë pa një qeveri të njohur, pozicion që do e vendoste atë në një pozitë jo të favorshme, përsa u përkët fuqive të tjera ballkanike.
4. Aleatët, në shpalljen e kësaj deklarate të përbashkët, duhet t’u kërkojnë në çdo rast, të gjithë atyre që e konsiderojnë vehten, miq të Aleatëve, që të frenohen nga luftimi i njëri tjetrit dhe të dy grupimet të shpallin menjëherë një Besë (Armëpushim i Shenjtë), mbi bazën e këtyre pikave: A. status quo-ja territoriale e përftuar në kohën e deklaratës do të duhet të ruhet: kjo do të thotë që territoret e pushtuara prej seciles nga të dyja palët, do të duhet të mbahen dhe të administrohen prej kësaj partie të veçantë. B. Duhet rënë në një mendje që asnjë parti të mos dërgojë forca të armatosura brenda territorit të partisë tjetër pa pëlqimin e palës së interesuar. Në qoftë se një grup ka nevojë me qenë i mbështetur në ruajtjen e rendit, ose në nxjerrjen jashtë të gjermanëve, ai duhet të kërkojë ndihmë nga kundërshtarët polititikë dhe në qoftë se kjo ndihmë jepet, ajo do të duhet të jetë mbi bazën e mirëkuptimit, se forcat që vijnë, do të duhet të tërhiqen në momentin më të parë të mundshëm. C. Kaq për sa i përket territorit të pushtuar aktualisht prej Partizanëve dhe prej Zogistëve. Përsa i përket qyteteve që janë në prag të abandonimit prej gjermanëve në të ardhmen e afërt, do të duhet të bëhen marrëveshje në mes LNÇ-së dhe Nacionalistëve, përfshirë edhe Partinë e Kupit (Zogistët). Qytetet në jug të Shkumbinit mundet të pushtohen prej LNÇ-së, ndërsa qytetet në Veri të Shkumbinit do të duhet të konsiderohen si sferë e ndikimit të Nacionalistëve dhe Zogistëve (me fjalë të tjera të antikomunistëve). Kjo nuk duhet të afektojë statusin e qyteteve dhe rajoneve në Zonën Gege, që aktualisht janë të zotëruara prej partizanëve në kohën kur kjo deklaratë të botohet prej Aleatëve. Sistemi i status quo-së do të duhet të aplikohet në raste të tilla.
Vlona (me përjashtim të Sazanit) duhet natyralisht të jetë nën zotërim të LNÇ-së dhe Durrësi në duart e Nacionalistëve. (Sazani duhet të merret nga Aleatët menjëherë, para se shqiptarët ta marrin atë. Sazani duhet të mbahet peng i rezultateteve të Konferencës së Paqes).
Tirana duhet të vihet nën zotërim të përfaqësuesve civilë, por jo ushtarakë, të të dy partive kryesore, mbasi përndryshe do të ketë një mosmarrëveshje mbi atë se kush do të jetë në zotërim të kryeqytetit të Shqipërisë.
5. Është e nevojshme që Britanikët dhe Amerikanët të bashkohen mbi politikën shqiptare dhe të përdorin dorë të fortë në ekzekutimin e kësaj politike të propozuar. Jo më hapa të pasigurtë: situata aktuale tragjike dhe shqetësuese është në një pjesë të madhe rezultat i dështimit të Aleatëve me marrë në konsideratë opsionin e aksionit. Përshtatja e çdo plani të arsyeshëm, i pasuar prej ekzekutimit të menjëhershëm, do të jetë më mirë se të mos kesh asnjë plan, ose më mirë se vazhdimi i një politike laissez-faire (lerë të shkojë si të shkojë shënim imi R.G.).
Në qoftë se ideja e ndarjes së vendit në sfera ndikimi mbi një bazë Toskë-Gegë (sikurse është treguar më lart) duket e ndjeshme, Aleatët do të duhet t’i japin mbështetjen morale dhe madje edhe ushtarake. Aleatët duhet të ndalojnë LNÇ të pushtojnë me forcë qytetet veriore të mbajtura prej Nacionalistëve dhe ata do të duhet të kenë mjetet e nevojshme për t’i nxjerrë ato jashtë, në qoftë se LNÇ i zën këto qytete.
6. Në momentin më të parë, trupat amerikane, të barabartë me një numer prej 5000 ushtarakësh, duhet të dërgohen në Tiranë dhe Durrës me qellim: A. të sigurojnë shqiptarët se Amerika (të cilën shqiptarët e besojnë), është e interesuar për fatin e tyre. B. të parandalohet pushtimi i mundshëm prej Task-Forcës Ruse të Shqipërisë dhe të bllokohen planet për përfshirjen e Shqipërisë në një Bllok Sllavo-Ballkanik. C. Të parandalohet mundësia që LNÇ-ja (në qoftë se ajo pushton zonat e kundërshtarëve të saj), të mohojë të drejtën e Aleatëve të okupojnë Shqipërinë. Kjo nuk është një rastisje e pangjashme. D. të parandalohen luftimet në mes Nacionalistëve dhe Partizanëve në zonat territoriale kufitare të caktuara secilës palë. E. të ketë një forcë të gatshme (Aleate shënim imi R.G.) me invadue Kosovën, në qoftë se gjërat dalin jashtë kontrollit atje. F.Të parandalohet një integrim shumë i ngushtë i LNÇ me Titon dhe me Rusët. G. Të jeni gati me perjashtue çdo cenim mbi territorin shqiptar, si derë hyrjeje e forcave të armatosura për asnjë vend, mbasi kjo do të shkaktonte që të gjithë shqiptarët të mendonin se Aleatët synojnë ndarjen e Shqipërisë. (Shënim: nën asnjë rrethanë nuk duhet që shtetet e tjera ballkanike të pushtojnë ndonjë pjesë të Shqipërisë së paraluftës).
7. Qeveritë Aleate do të duhet ta bëjnë të qartë se ata janë të vendosura që zgjidhja demokratike është ajo që do të duhet të aplikohet në përcaktimin e formës së shtetit të pas luftës; se ata nuk do të njohin ndonjë qeveri të zgjedhur nën shtërngim ushtarak; dhe se në qoftë se ndonjëra prej partive mendon se ajo mund të mbizotërojë situatën me anën e përpjekjeve për t’i mohuar shqiptarëve të drejtën e një referendumi, këto përpjekje nuk do të kenë asnjë dobi.
8. Aleatët do të duhet ta bëjnë të qartë se populli shqiptar është i lirë të zgjedhë çfarëdo lloj regjimi që ai deshiron: Regjim Komunist, Mbretëror ose Republikan; por se Aleatët do të përdorin forcën ushtarake në qoftë se është e nevojshme, për të siguruar zhvillimin në mënyrë të ndershme të referendumit. Në qoftë se Lufta Civile vazhdon, shqiptarët do të jenë kryesorët që do të vuajnë. Sa më sipër do të duhet të jetë jo vetëm një këshillim, por një paralajmërim solemn.
9. Po të mos kemi disa plane dhe po të mos veprohet menjëherë, Aleatët do të gjenden më vonë, para konsiderimit të tyre si invadues, njëlloj sikurse italianët dhe gjermanët. Sakrificat jetësore të shumë ushtarëve aleatë, do të jenë çmim i paguar për mungesën e një politike të ndjeshme, energjike dhe të efektshme britanike dhe amerikane. Më tej, derisa sa të ndërmerret një qendrim më i fuqishëm, Shqipëria ka shumë mundësi të bëhet një Shtet sovjetik dhe sipas të gjitha gjasave do të futet me forcë në koalicionin Sllav të kontrolluar prej Rusisë (e cila do ta mirëpriste daljen në Detin Adriatik).
10. Si një politikë e përgjithëshme, do të jetë më e lehtë dhe më me pak kosto, me e qeverisë Shqipërinë (sikurse gjermanët e kanë zbulue) nepërmjet parandalimit të ndonjë partie nga përftimi i një pushteti dhe epërsie të plotë ushtarake; dhe kjo është në interes të vetë Shqipërisë, ashtu sikurse një referendum i ndershëm është i domosdoshëm për të ardhmen e këtij vendi në paqe e siguri. Po ashtu, kjo mënyrë, do të bëjë që atje të ketë një mbrojtje më efektive për ata që nuk pajtohen me pikëpamjet komuniste.
11. Unë jam shumë i përkufizuar në mënyrë përfundimtare në opinionin se Aleatët do të duhet ta pushtojnë Kosovën, ose të kenë një Komision atje, për të vëzhguar që rikthimi i Jugosllavëve, nuk do të shkaktojë një hakmarrje të tmerrshme mbi kosovarët dhe nuk do të ketë përpjekje për t’i shfarosë irredentistët shqiptarë. Aleatët duhet të premtojnë mbrojtje të irredentistëve kosovarë, duke kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; dhe Aleatët duhet të jenë gati të zbatojnë premtimin e tyre me forcën ushtarake, në qoftë se shpresojnë me e ruejtë vullnetin e mirë të shqiptarëve, në vendin e tyre dhe jashtë tij.
12. Është e deshirueshme që rajoni i Korçës të pushtohet prej trupave amerikane, në qoftë se atje ka edhe shënjen më të vogël të shpërthimit të aktivitetit Pan –Epirotik. Në të njëjtën kohë, një Komision Ushtarak Amerikan do të duhet të dërgohet në Korçë në qoftë se LNÇ do të jetë dakord.
13. Në qoftë se luftimet vazhdojnë, Aleatët duhet ta pushtojnë Shqipërinë dhe të ndërmarrin programin që ju kam vënë përpara.(përfundon dokumenti)
Parashikimet dhe masat e propozuara nga autori amerikan më ngjajnë profetike për atë çfarë ka ndodhur më pas me Shqipërinë dhe Kosovën, me procesin e shkatërrimit të Tiranës e gjithë Shqipërisë tradicionale, për procesin bashkëpunues të komunistëve dhe partizanëve shqiptarë në zhbimjen e djelmnisë kosovare për llogari të planeve të Josif Broz Titos dhe të Rankoviçit. Qeveria shqiptare e vitit 2014, pikërisht për këto arsye, ka nëvojë të njohë situatën e vertetë historike të asaj kohe dhe të gjejë një mënyrë të përshtatshme ta impostojë qendrimin e saj me 17 dhe 29 nëntor 2014 në një linjë të qartë: Nderim për Deshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare, Nderim për Dëshmorët e Nacionalizmit, Nderim për Deshmorët dhe Desidencën antikomuniste të Terrorit të Kuq, falje për krimet e komunizmit të filluara me 18 nëntor në Tiranë dhe 30 nëntor në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë.