• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUMBONA QE BIE PER TE GJITHE

June 7, 2017 by dgreca

48 Repishti

Nga  Sami Repishti/ Ridgefield, CT. USA.- FAKT! “Njoftimi zyrtar i urgjencës së okulistikës raporton se janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë; nga këta raste 140 janë shtruar, shërbim marrin 7 pacientë. Gjendja e tyre është stabilizuar; pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njejtët shenja klinike, të një intoksikimi (helmimi) si skuqja e syve, dhëmbja e syve, marrëmendje, të vjella, turbullim shikues, skuqje në zona të fëtyrës e qafës, marrje fryme…..Lulzim Basha është shtruar në spital me shenja helmimi pas mitingut të PD-së”.

Flitet për përdorimin e gazit helmues, nji fenomen që tronditi njerëzimin mbar gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botënore – gaz helmues për viktima të pafajshme….paradhoma e ferrit Auschwitz…! E pabesueshme! Ashtë fjala për mitingun elektoral të datës 27 maj 2017 të PD-së në sheshet kryesore të kryeqytetit Tiranë dhe helmimin që e damtoi!

Viktima e nazismit, poetesha Nellie Sachs, para situatash të këtilla shkruente: “Na lini në embëlsi, jetën të rimësojmë…/ Mos na tregoni më qen që kafshojnë!” Thirrje e dhimbëshme e trupave që akoma dhëmbin.     Por nji Shqipëri që vuen fizikisht e mendërisht nga kujtimet e torturës së pareshtun dyzet-e-pesë vjeçare, kam frikë se do të vonojë me pa veten të ndërgjegjshme për katastrofën e jetueme,. Dhe me bindë të gjitha mendjet normale dhe zemrat e ndieshme se ka ardhë koha që të gjithë, viktima e fajtorë njikohësisht, të dënojnë dhunën pa kompromis e të mobilizohen në kërkim të lirisë, drejtësisë, demokracisë e jetës me dinjitet për të gjithë.

“Tek kundërshtuam atë çka shtaza kërkonte në brendinë tonë, lypset të rigjejmë tashmë njeriun kudo ku zbuluam atë çka e dërmonte”, shkruente Andre Malraux. Per fat të keq, unë mendoj përsëri se shtaza ashtë rizgjue tek njeriu i sotëm dhe ngado njeriu veç shtypet nga njeriu. Dhe kështu do të jetë përsa kohë që ajo shtazë e rizgjuar nuk do bie në qetësi, dhe njeriu nuk do të reshtë së shtypuni njeriun. Në Shqipërinë tonë të martirizueme, episodi kriminal i helmimit në sheshet e Tiranës ashtë prova ma e mirë.

Leximi i kësaj kronike ashtë shumë shqetësues. Nji grup shqiptarësh mendje-prishur të verbuem nga fanatizmi partiak që i ushqen –dhe i shnjerëzon njikohësisht- kanë vendosë me damtue në mënyrë të pareparueshme vëllaznit e motrat e tyne shqiptare vetëm sepse mendojnë ndryshe! Për këto mendje-prishur mendimi ndryshe nuk ashte nji e drejtë ligjore dhe morale, por “nji krim i pafalshëm” që duhet eliminue, edhe fizikisht po të jepet mundësia. Ky ashtë mësimi i dhanun me aktin e helmimit në sheshet e Tiranës pak ditë ma parë. Duket se fajtorët jetojnë akoma me andrrat e autoritetit jo legjitim dhe të padiskutueshëm, të ushqyem nga propaganda dyzetë e pesë vjeçare e “Nënës Parti” që refuzoi me pranue të gjithë shqiptarët si fëmijt e vet, dhe me bindjen e tyne se edhe “ideja” ashtë “subjet konkret” që vritet.

Ideja nuk vritet as nuk vdes, ashtu siç nuk vdiq demokracia në Shqipërinë komuniste me gjithë aktet vrastare. “Ideja” nuk vdes edhe kur përkrahësi i saj nuk jeton ma. “Ideja”, nji ide positive, mbijeton, ashtu si mbijeton mermeri i skalitun edhe mbas zhdukjes së skulptorit. Idetë që naltësojnë njerëzimin në sferat e idealit janë gurë kilometrazhi që tregojnë udhëtimin tonë në histori, dhe tregojnë largësinë e rrugës së përshkueme të marshit tonë historik drejt lirisë së plotë të njerëzimit.

Gabimi i këtyne “mendje-prishurve” ashtë akoma ma i randë e ma kriminel sepse drejtohet kundër vëllazënve dhe motrave shqiptare që nuk bashkëndajnë mendimet, megjithëse ata viktima ndajnë së bashku me masat e gjana të popullsisë, qytetarë të lirë të Republikës së përbashkët shqiptare, shpresën me dëshmue dhe dëshirën e pa përmbajtun me ndërtue nji Shqipëri për të gjithë- edhe për “mendje-prishurit” e aktit kriminel- nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të vëllaznueme e europiane, nji Shqipëri ku banorët e saj të jetojnë pa frikën e shtypjes dhe pa shtypjen e pamëshirëshme të vorfënisë, papunësisë dhe kërcënimit të urisë. Me gjeste të këtilla banditeske “mendje-prishurit” synojnë frikësimin e gjithanëshëm dhe sulmet gangstereske të marrjes së pushtetit e mbajtjen e tij, me dhunë ashtu si ma parë për  45 vjetët e terrorit të kuq. Ashtu si dje, edhe sot, viktima e helmimit pyet përsëri: “Më trego fajin që kam ba?”

Unë e gjej të vështirë me mendue se organizata ose parti politike që veprojnë ligjërisht në fushën e politikës shqiptare kanë zbritë aq poshtë me veprimtarinë e tyne politike. Ka shumë arsye që ky akt banditesk të jetë nji akt dëshprimi, nji vepër kriminale e nji grupi të vogël “rrebelësh pa kauzë”, jashtëqitje të shoqënisë shqiptare, të pa aftë me pranue orientimin demokratik – me të gjitha të metat që revelohen çdo ditë – dhe kërkojnë me pengue atë, qoftë edhe me dhune po të jetë mundësia.   Dhuna ashtë esenca e mendimit të tyne. Kjo ka qenë prova e parë; kam frikë se nuk do të jetë e fundit, dhe eventualisht aktorët – që unë besoj të jenë meturina toksike të ish PKSH/PPSH do të zbulohen, demaskohen, gjykohen dhe dënohen pa mëshirë simbas ligjit te zbatuem me arsye e asnjanësi. Ajo që jam i sigurtë ashtë se nuk do të kenë sukses në botën tonë të sotme. (Simbas shtypit kemi  të rregjistrueme 136 parti të vogla)

*****

Roli historik i çdo shqiptari e ai kolektiv i shoqënisë së lirë shqiptare ashtë përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë. Rreziku nuk ashtë ma pak kercënues sot se rreziku i fashizmit, nazismit dhe komunizmit dje, nji e kalueme jo e largët, se rreziku i totalitarizmit pavarësisht nga ngjyra, forma ose emnimi.

Sot, na jemi ma të përgatitun sepse jemi ma të informuem nga e kaluemja, sepse kemi dëshmue sa shpejt damtohet demokracia e fiton tirania (qofte edhe ajo e ”shumicës”!), sepse kemi dëshmue sa e damshme ashtë indiferenca ndaj ngjarjeve e akteve të dhunëshme. Sot, jemi ma të përgatitun me kuptue sa i damshëm ashte akti i “helmimit” të popullsisë së pafajshme që ushtron të drejtën legjitime themelore të grumullimit e manifestimit të lirë publik, shprehje të vullnetit të tyne.

Sot, me heshtë para aktit kriminel të “helmimit” don të thotë me pranue në heshtje vdekjen morale të shoqënisë sonë, dhe për mendjet e ndrituna e ndërgjegjet e pastra të pranohet edhe mundësia e vdekjes fizike. E kemi përjetue!

Historia nganjiherë edhe përsëritet, por me siguri ajo na mëson. Historia na familjarizon me njohjen e rrezikut; ajo na paralajmëron! Historia, sidomos historia europiane, ka tregue se shoqënitë e forta nganjiherë thyhen, demokracitë dështojnë, sistemet etike infektohen e bien, dhe qytetarët e thjeshtë, fqinjt tonë shumëvjeçar, transformohen pa pritmas në militantë me armë në dorë që gjejnë vehten para gropave të hapuna për kufomët e viktimave burrënore që gjejnë guximin me i thane JO! tiranisë së vendosun. Na, e kemi dëshmue!

Gabimi në politikë nuk falet. Aq ma shumë për ne që kemi përjetue katastrofën gjysëm shekullore. Kjo e vertetë na detyron me studjue historinë, të kaluemen tonë, sidomos atë të dekadave të fundit, dhe me kuptue cilat janë rranjët e tiranisë që na kercënon, dhe cilat janë përgjigjet tona që na imponohen.

Unë pohoj se jam shumë i shgënjyem nga heshtja e paspjegueshme e masive ndaj krimit të “helmimit” masiv në sheshet e Tiranës. Ashtë nji kumbonë e fuqishme që bie për të gjithë, e që duhet ndigjue nga të gjithë- para se “helmimi” i përgjithshëm të hyjë në banesat tona, pa pengesë, e pa kufizim.  Jemi para nji përgjegjsie të madhe historike!

Tue folë për mosmarrëveshjen e Iranit me SHBA-në. ministri i jashtëm M.J.Zafir na dhuroi këte mendim monumental: “Në qoftë se nuk do të thyejmë këte çikël (anmiqsie me SHBA-n, SR) na vetëm vonojmë ardhjen e zgjidhjes historike dhe e kalojmë atë në krahët e fëmijve dhe nipave e mbesave tona. Na, jemi breznia që duhet të mësojmë nga historia në qoftë se nuk dëshirojmë me pësue përsëritjen e saj”.

Në Shqipëri, ka mendje të ndrituna që janë koshiente të gjendjes dhe të gatëshme me veprue në përmirësimin e saj. Këto ditë, nji vrejtës i kujdesshëm shkruente:” Sa demokraci ka nji parti kur vendos vetëm nji njeri!” shprehje kjo që pohon “…mjerimin e kulturës demokratike që na rrethon”. Nji pohim i këtill meriton trajtim të plotë.

Në Shqipëri, ka edhe optimizëm. Tue kalue nga bota spekulative e hipotezave në atë të tezave reale, nji akademik shkruen: “Unë jam shumë i qartë se çfarë duhet bërë për të zëvendsuar atë (gjendjen e randë e të mjerueme të vendit,SR) brenda një kohë shumë të shkurtër, dy vjeçare, me nji model të kohës, mbështetur në arritjet më të mira të këtyne dekadave dhe duke sheruar plagët e shumëta të grumulluara…Ne kemi hipur në një maqinë që ndryshon shoferin herë mbas here, por pa pasur motor”.

Kultivimi “i njëshit udhëheqës” si mjeti i vetëm i “shpëtimit” të vendit përfundon në “kultin e individit”; nji zgjidhje e mbrapshtë, e pa-evitueshmënisht, tiranike. Sot, në shekullin 21, “pavarësia” e qytetarit dhe e sistemit politik kërkohet në emën të aftësisë së popullit mbar me mendue qartas për të mirën e përbashkët që siguron edhe të mirën e individëve, pjestarë të kësaj bashkësie. Si rrjedhim, kemi nji administratë të hapun “të popullit, nga populli e për popullin”(A. Lincoln) që na qeverisë.

Në shekuillin 18, George Washington, i njohun si babaj i SHBA-s në “fjalimin e lamtumirës” paralajmëroi qytetarët amerikanë të “mbrohen nga personat dhelprakë, ambicioz dhe të pa princip” që shfrytëzojnë mosmarrëveshjet politike “me sigurue për vete frenat e shtetit”. Kjo ashtë ideja e “pavarësisë” qytetare në themel të “Shtetit”.

*****

Politizimi i skajshëm dhe mosfunksionimi i jetës politike të dominueme nga partizanshmënia e dy poleve kundërshtare –deri në anmiqsi permanente- ka krijue nevojën e nji force të tretë në Shqipëri- “të pavarunit” indipendentët, persona dhe institucione që na mbrojnë nga efektet e “armiqsisë”.

A do të zhvillohet ma tej kjo “nevojë” a por do të avullohet nga ngrohtësia e “zjarrit partizan”, dhe nga sulmet e vazhdueshme të partive respektive, secila me shpresë se do të përfitojë nga ardhja në pushtet? Për fat të mirë, ideja se nji autoritet “objektiv” mund të zgjidhë “ngërçin” politik në vendin tonë tue qendrue larg politizimit partizanesk, po rritet, dhe shpresa se në nji atmosferë paradash politike e shterpe, skandalesh e gënjeshtrash, vetëm nji ”qytetari me qendrim të pavarun” premton me përmbushë shpresat e masave të shgënjyeme. Nji shembull individual u dëshmue dy vjet ma parë në zgjedhjet bashkiake të Tiranës. Kandidati Dr.Halim Kosova, me qendrimin e tij korrekt kapi imagjinatën e mijëra votuesve. Aq ma mirë sikur “qytetari me qendrim të pavarun” ashtë në fakt nji masë qytetarësh me qendrim të pavarun. Do të kishim kështu “nji lëvizje të pavarunish”!

Në nji rast të këtill nuk bahet fjalë për fitoren ose humbjen e njenit ose tjetrit kandidat të lojës politike në vend, por për nji lëvizje cilësore mbijetese të demokracisë së drejtueme nga “pilotë” të pavarun që çajnë atmosferën e urrejtjeve personale dhe hakmarrjeve politike “…comme un coup de pied ‘a travers l’ordure” (si nji shkelm i fortë që shpërndan grumullin e plehnave) shprehen francezët.

Kjo “lëvizje” do të fillonte me furnizimin e popullsisë me “fakte konkrete” e jo me “lajme të doktorueme” ose “thjeshtë falsifikime”. NJi paraqitje besnike e fakteve e dhanun nga organe jo-partizane të strukturave shtetnore –administrata civile- jep shpresë se do të veprohet me pa-anëshmëni (fairly), dhe do të rritë mirëbesimin e popullsisë në pushtetin që administron. Pa-anëshmënia na shpëton edhe ne nga të metat tona siç janë paragjykimet dhe kufizimet që kemi.

Zhvillimet politike sot në Shqipëri po marrin formen e nji tragjedie shekspiriane: nji zbritje  e paevitueshme në ferr që ashtë nji fatkeqsi aq sa edhe e meritueme….! Nji parashikim që unë nuk e uroj!

Filed Under: Politike Tagged With: KUMBONA QE BIE, për të Gjithë, Sami repishti

Obama: Terrorizmi është kërcënim për të gjithë

July 15, 2016 by dgreca

Në takimin e përvitshëm me trupin diplomatik në Uashington, Presidenti Obama komentoi për ngjarjen e së enjtes në Nisë dhe tha se terrorizmi është një kërcënim për të gjithë.

“Nuk i dimë të gjitha hollësitë, por dimë që edhe një individ i vetëm është në gjendje të bëjë një dëm të jashtëzakonshëm,” tha Presidenti.

Ai tha se kishte biseduar të premten paradite në telefon me Presidentin francez François Hollande për t’i shprehur solidaritet.

“Ndryshe nga ata që shkatërrojnë, – tha Presidenti Obama, – ne do ta fitojmë këtë luftë duke ndërtuar. Ne do ta mposhtim këtë ideologji, duke ofruar një vizion më të mirë për zhvillim ekonomik, në mënyrë që njerëzit, sidomos të rinjtë të kenë më shumë shpresë dhe shanse.”

Presidenti tha se “ne nuk duhet të përkulemi përpara frikës, as të sakrifikojmë mënyrën tonë të jetesës. Nuk duhet të lejojmë të përçahemi për shkak të fesë, sepse kjo është pikërisht ajo që duan terroristët.”

Filed Under: Komunitet Tagged With: “kërcënim”, Obama: Terrorizmi është, për të Gjithë

Një femër për të gjithë…një nga ato që aprovon Kryeministri

March 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Na gjeni një femër të mirë? Një femër pjellore? Një femër me sharm? Si ato nga podiumet e holleve ku partitë bëjnë deklaratat për shtyp. Na gjeni një femër që të na sigurojë fitoren. Një femër me klas. Një nga ato që shpon heshtjen e korridorit me majat e takave. Një femër që të bën të mbash frymën. Një femër që të flasi anglisht, frëngjisht, italisht, kinezçe, vetëm pasi ta miratojë kryeministri. 
Nga ana tjetër ka edhe deklarata të tilla, habitore…, femër? Pse jo… do ta shikojmë edhe këtë variant. Po një femër, burrë ama. Që di të shahet. Që të ketë luk femre, por frymë burri. Një femër të fortë. 
Një femër si ajo në Kosovë. Jo presidentja, por gazetarja. Ajo që edhe pse merr nga shtatë kërcënime në ditë. Se do ta vrasin, se do ta hedhin në erë me makinë, se do ta bëjnë prostitute etj, prapë shkruan me guxim. Një femër që i ngjan trëndafilit të vetëm. Ku? Në një varrezë gri makinash nga e gjithë bota. Një femër, por jo si ajo e doganave të Shqipërisë, që na la në mes të rrugës. Kishim një ritëm të mire me të ardhurat e tremujorëve. Ndofta po të vazhdohej ashtu, kushedi se ku do të shkonim në fund të vitit. Nga debitorë, mund të bëheshim rentierë. Ndërsa vetë shtetarët rrogëtarë. Kushedi? 
Por prapë, na duhet një femër. Erdhën zgjedhjet.
Në fakt është retorikë e dalë bojë. Një femër, një mashkull. Në këtë botë nuk ka gra, zonja, nëna. Nuk ka as burra, zotërinjë, as baballarë? Botë femrash dhe meshkujsh. 
Në fakt këto janë rezultatet e dialogut konfliktual të përjetshëm. 
Përqark e gjitha i ngjan vetëm një ferme blegtorie. Me meshkuj dhe femra. 
Cila është strategjia? Këtë e dëshmon barsaleta më poshtë.
Na ishte një here një tufë mëzatësh, tufë e madhe. Midis kishte edhe të vjetër në moshë. Pra dema të rinj e dema të vjetër. Ushqeheshin për qejf. Aq sa nuk ia vinin veshin misrit në arën përbri. Megjithëse i ndante edhe një gardh i lart. Dikur aty u shfaq një mëshqerrë e bukur. Mëzatët e rinj u shtynë, drejt arës duke marrë me vete gardhishte por edhe mëzatët e vjetër. Mirë këta të rinjtë, po ne të vjetrit, çfarë dreqin duam. Na morën frymën. Po na shtypin çunat. I thoshte demi i vjetër shokut të vetë. Dhe tjetri ia ktheu. Të përfitojmë nga situata, të hamë ndonjë misër të njomë.
Kaq është kismeti jonë o vëlla. 
Një femër? Që të fitojmë zgjedhjet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, nje femer, për të Gjithë

Një Komb, nën Perëndinë, i Pandashëm, me Liri dhe Drejtësi për të Gjithë

July 4, 2014 by dgreca

Nga Aleksandër Arvizu/*
Mirëse keni ardhur në festimin e përvitshëm të Pavarësisë Amerikane, të festës sonë kombëtare. Dhe faleminderit që duruat radhët e gjata. Si fillim, më lejoni të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për sponsorët tanë të shumtë. Ata shfaqen në programin tuaj dhe në tabelën tonë ekspozuese. Pa bujarinë e tyre, nuk do të kishim qenë në gjendje t’iu ofronim këtë nivel mikpritjeje. Falënderime të mëtejshme vijojnë. Falënderime për z. Artan Shabani dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Bashkinë e Tiranës, Kryetari Basha, faleminderit Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Shumë anëtarë të RENEA-s dhe të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë që spikatën në mënyrë të admirueshme në Lazarat dy javë më parë ndodhen sonte këtu, duke u kujdesur që të gjithë ne të jemi të sigurtë. Ju lutem bashkohuni me mua për t’i përshëndetur me një duartrokitje anëtarët e mrekullueshëm të forcës policore që ndodhen këtu. Më lejoni të shtoj dhe falënderimet e mia Vikena Kamenicës për intepretimin prekës të të dy himneve kombëtare, si atij amerikan edhe atij shqiptar. Mund t’ju siguroj që me argëtimin e ofruar prej Vikenës dhe Keli Band, të gjithë do të kënaqeni shumë këtë mbrëmje. Dhe të fundit, por jo për nga rëndësia, më lejoni të falenderoj stafin e mrekullueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për punën e tyre të madhe e veçanërisht për vëmendjen ndaj detajeve, në mundësimin e kësaj mbrëmjeje. Ata i kuptojnë pritshmëritë që shfaqen kur dikush përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam krenar që punoj me kolegë me një reputacion kaq të merituar për përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin.
Disa prej jush pa dyshim po pyesin: “Përse po festoni më 2 korrik?” Epo, këtë vit të paktën, përgjigja është fare e thjeshtë, e sotmja është e vetmja mbrëmje në këtë javë në të cilën nuk ka të planifikuara ndeshje të Kampionatit Botëror të Futbollit. Nuk donim t’i jepnim askujt justifikimin për të mos ardhur e festuar me ne. Me që ra fjala te Kampionati Botëror, përgjigja është po, e pashë ndeshjen mbrëmë. Ambasadorja belge është në vizitë këtu. Ajo është akredituar në Shqipëri. Siç i thashë dhe asaj, ata ishin skuadra më e mirë kështu që urime. Të gjithë ju e dini që Shqipëria përshkruhet si një prej vendeve më pro-Amerikan në botë, gjë që ne e vlerësojmë. Po atëherë, si ka mundësi që ekipet më popullore, përveç “Kuq e Zinjve”, janë Gjermania, Italia dhe Brazili, sipas kësaj renditjeje? Çdokush që pyes më thotë Gjermania, Italia dhe Brazili. Seriozisht, ku janë Shtetet e Bashkuara? Sikurse e thotë shprehja: “Mendoja se na donit?” Miqtë e mi të dashur: E parë nga Europa, Amerika është një vend shumë i ri. Kjo mund të jetë e vërtetë, por prapëseprapë 238 vite mua më duken si një kohë shumë e gjatë. Kur mendoj mbi Shpalljen tonë të Pavarësisë 238 vite më parë nga Britania e Madhe, dhe të gjithë historinë e viteve të shkuara, është e natyrshme t’u kthehesh pasazheve të caktuara të pavdekshme, të cilat çdo amerikan i arsimuar duhet t’i dijë përmendësh. E kam fjalën për vetë Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, Fjalimin e Abraham Lincoln në Gettysburg, fjalimin e Dr. Martin Luther King “Unë kam një ëndërr”.
Këtë vit, vendosa t’i rikthehem dhe të rilexoj pjesë të një dokumenti embrional që është kriteri i vetë krijimit të Republikës Amerikane. Pavarësisht rëndësisë së tij, është diçka që shumë prej jush mund të mos e kenë dëgjuar kurrë më parë. Pres që amerikanët në ambasadë t’i njohin dhe nëse nuk i njohin, duhet të ndjehen të turpëruar, por gjasat janë që nuk njihen mirë jashtë Amerikës. Po flas për diçka që njihen si “Letrat Federaliste”. Ato ishin një seri artikujsh, 85 gjithsej, të shkruara dhe të përhapura gjatë viteve 1787 dhe 1788. Autorët e tyre ishin tre amerikanë të hershëm të jashtëzakonshëm: James Madison, Alexander Hamilton dhe John Jay. Në “Letrat Federaliste” ata u përpoqën të bindnin qytetarët e Shteteve të Bashkuara të sapoformuara që të miratonin Kushtetutën e propozuar.
Alexander Hamilton, John Jay dhe James Madison argumentonin fuqimisht përkrahjen e krijimit të një sistemi qeverisës të ri, më të fuqishëm dhe të centralizuar, por të balancuar.
Duke hulumtuar Letrat Federaliste, ndesha këtë pasazh kuptimplotë. Gjendet në Letrën e parë, e njohur si Federalistja Nr. 1. Më lejoni të citoj: “Është thënë shpesh, që duket sikur njerëzve të këtij vendi, përmes sjelljes dhe shembullit të tyre, iu është rezervuar e drejta që të vendosin mbi çështjen e rëndësishme, nëse shoqëritë e njerëzve janë me të vërtetë të afta ose jo, për të krijuar një qeveri të mirë si rezultat i reflektimit dhe zgjedhjes, apo nëse ata janë përgjithmonë të destinuar të varen të nga rastësia dhe forca për strukturat e tyre politike”.
Pak më shumë se 100 vite më parë, forca shkatërrimtare të tmerrshme u lëshuan në këtë pjesë të botës duke çuar në vdekjen e milionave dhe mjerim të parrëfyeshëm njerëzor. Ju lutem, ndaluni një çast dhe mendoni mbi gjithçka që ka ngjarë në kontinentin europian që prej asaj kohe. Pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm, na duhet që ende të përmbushim qëllim e vyer të një Europe që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Ky kërkim është i vazhdueshëm, dhe progresi i vërtetë që është arritur deri më sot drejt përmbushjes së këtij qëllimi duhet të jetë një frymëzim për të vazhduar këtë kërkim të pandërprerë.
Javën e shkuar, Shqipëria arriti një gur kilometrik domethënës drejt përmbushjes së një pjese të këtij vizioni të ardhshëm. Vendimi i Këshillit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE ishte i mirë për Shqipërinë. Ishte i mirë për Europën. Dhe ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara. Ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara, pasi ne jemi përgjithnjë të lidhur me Europën me anë të Atlantikut, dhe jo të ndarë prej tij.
Më lejoni ta mbyll duke iu drejtuar veçanërisht miqve tanë shqiptarë, të cilët kanë qenë kaq dashamirës kundrejt Amerikës kaq gjatë. Më lejoni t’iu lë me një pyetje, një nxitje në të vërtetë, me një perifrazim të lehtë dhe huazim zemërgjerë nga Federalisti nr. 1:
“A ndiheni të paracaktuar të lejoni që zgjedhjet tuaja politike të diktohen prej rastësisë dhe forcës? Apo do të provoni se jeni të aftë dhe të gatshëm për të vendosur drejtimin dhe përparësitë tuaja politike në bazë të reflektimit dhe zgjedhjes?”. Cilido që ka folur me brezin e të rinjve shqiptarë, duhet ta dijë përgjigjen. Dhe përgjigja duhet t’i qetësojë zemrat dhe mendjet tona. Ky brez – dhe ata që do të vijnë – do të nderojnë traditat dhe trashëgiminë krenare të Shqipërisë. Ata do ta respektojnë të shkuarën. Por nuk do të ngelen në të, si një shpirt i pashpresë i kyçur në një ndërtesë kinemaje, i dënuar të shohë sërish e sërish të njëjtat sekuenca të vjetra të një filmi të konsumuar tashmë.
Abraham Lincoln ishte ndoshta presidenti më i madh amerikan që ka jetuar ndonjëherë. Thuajse të gjithë janë të familjarizuar me historinë e tij, se si ai u rrit në një kasolle të vogël druri, modeste dhe të varfër, sesi ai nuk kishte zgjedhje tjetër veç të përshkonte distanca të largëta vajtje-ardhje për në shkollë qoftë këmbëzbathur ose me këpucë të grisura.
Abraham Lincoln u bë njeri i madh pasi ai nuk qëndroi në atë kasolle druri. Ai e la kasollen dhe vazhdoi ta përkushtonte jetën e tij për ndërtimin e një Republike më të fortë.“ Një Komb, nën Perëndinë, i Pandashëm, me Liri dhe Drejtësi për të Gjithë”.
Të rinjtë e Shqipërisë janë të destinuar të përmbushin premtimin e një të nesërmeje më të mirë. Koha për të nisur është sot. Ju falenderoj të gjithëve. Do të jem përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen tuaj, për inkurajimin tuaj dhe për urtësinë tuaj, gjatë kohës sime këtu, në Shqipëri.
*Nga Aleksandër Arvizu
*Fjala e Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, mbajtur dy ditë më parë, në ceremoninë e organizuar për Ditës së Pavarësisë së SHBA

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksander Arvizu, i Pan Drejtësi, me Liri dheb, nën Perëndinë, Një Komdashëm, për të Gjithë

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT