• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për tim vëlla

July 8, 2018 by dgreca

Në tetëdhjetepesëvjetorin e lindjes/1 vellai ReshatNga Reshat Kripa/Im vëlla, Besnik Kripa, lindi më 9 korrik 1933 në Vlorë. Shkollën 7 vjeçare e kreu në qytetin e Vlorës dhe atë të Tiranës. Pastaj vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin ‘ Ali Demi “ të qytetit të Vlorës. Si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes tonë, ishte një nxënës i mirë. Në fillim të prillit të vitit 1950, në moshën 17 vjeçare, së bashku me dy shokë të tjerë të klasës, Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin krijuan një organizatë të fshehtë e cila shkruante dhe shpërndante trakte me përmbajtje antikomuniste në shkollë. Por shoqata u dekonspirua nga nje shokë i klasës së tyre që kishte dijeni,

Kështu në mbrëmjen e 15 prillit të vitit 1950, ndërsa shkonte në një mbrëmje vallzimi të organizuar nga klasa e tyre, arrestohet dhe mbyllet në qelitë e sigurimit. Ne nuk dinim asgjë për sa kishte ndodhur. Tërë atë natë dhe tërë ditën e nesërme, prisnim të shqetësuar kthimin e tij. Lloj lloj variantesh na shkonin ndër mend, por nuk besonim kurrë që mund të ishte arrestuar dhe aq më tepër për një çështje të tillë si krijimi i një organizate antikomuniste.
Në mbrëmjen e 16 prillit në shtëpi erdhën dy oficera të Degës së Punëve të Brendëshme që na njoftuan se e kishin arrestuar pasi gjoja kishte provokuar një vajzë. Kontrolluan librat e tij dhe morën disa fletore të shkruara nga ai. Ne nuk e besuam variantin e servirur prej tyre dhe aq më tepër babai që shprehu mendimin se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Po ashtu u arrestuan edhe Lavdoshi me Dinon. Atëhere u bindëm për shkakun e arrestimit. Aq me tepër vëllai i madhë, Agimi që kishte lexuar një trakt të hedhur prej tyre.
Pas gjashtë muajsh hetimi dhe torturash u zhvillua gjyqi nga gjykata ushtarake e Gjirokastrës. Babai zgjodhi një avokat të njohur të qytetit, Fadil Llagamin nga Tirana. Por me gjithë mbrojtjen e tij, gjithçka ishte vendosur që më parë. Besniku u dënua me 20 vjet burg, ndërsa Lavdoshi me Dinon me nga 15 vjet, Gjykata e Apelit ia ktheu dënimin në 15 vjet.
Kështu filloi kalvari i gjatë i burgjeve dhe kampeve të ndryshme. Nga burgu i
Vlorës, u end nëpër kampet e Nizhavecit të Maliqit, Gosës së Vogël të Kavajës, Urës
Vajgurore. Ndërkohë isha arrestuar edhe unë për një aktivitet të ngjashëm më atë të tim vëllai. U takuam bashkë në kampin e Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. U përqafuam me një mall të paparë. Na dukej sikur ishim kthyer prapë në familje. Më pyeste për gjithçka, në mënyrë të veçantë për familjen megjithse unë kisha më shumë se një vit që isha ndarë nga ajo. Pastaj vazhduam së bashku në Vlashuk dhe Shtyllas. Atje u ndamë përsëri, kësaj rradhe për të mos u bashkuar më gjatë qëndrimit tim në burg. Unë shkova në Bulqizë, ndërsa ai në Rinas. Prej andej, pas gati një viti, më dërgoi një letër ku më këshillonte se si duhej të veproja pasi të lirohesha së shpejti. Në atë letër shkruhej:
“Vëlla i dashur!
Sot u takova me nënën. Kishte ardhur për takim. Ndjeva një kënaqësi të madhe.Prej këndej do vinte për të takuar ty Mendova sakrificën që ajo bënte për ne bijtë e saj. Katër ditë udhëtim për të mos na lënë të vetmuar.Po t’i shkruaj këto rradhë, pasi e di se ty tashmë të kanë mbetur edhe pak muaj për t’u liruar.Do të të porosisja që ashtu siç ke qëndruar gjithmonë, të vazhdosh të qëndrosh edhe kur të dalësh. Qëndroju pranë dhe mos u nda prej tyre.Ata tashmë janë pleq dhe kanë nevojë për ne.Boll telashe u kemi shkaktuar. Unë kam për të kryer edhe shumë vite të tjera. Megjithatë ndjej një kënaqësi të madhe kur mendoj se do të shkosh pranë tyre së shpejti.
Të përqafoj dhe puth me mall së largu!
Vëllai yt i shtrenjtë.
Besniku”.
U lirua në dhjetor 1961, mbas 11 vjetësh dhe 8 muajsh burg.
Pas lirimit qëndroi disa kohë pa punë për të mbledhur veten. Bëri edhe një vizitë të kujdesshme tek bashkëvuajtësi ynë doktori i paharruar Isuf Hysenbegasi, që në atq kohë banonte në Vlorë, i cili i bëri edhe një konsultë me specialistë, pasi vuante nga zemra. Kështu e mblodhi mirë veten dhe mundi të rregullohej me punë pranë Postë – Telekomunikacionit me detyrën e fillorojtësit. Ishte një punë relativisht e mirë, megjithse i duhej që brenda ditës të endej brenda dhe jashtë Vlorës ku kalonin linjat telefonike. U bë shpejt specialist për këtë punë. Po atë vit filloi edhe vitin e dytë të gjimnazit të mbrëmjes, të cilin e mbaroi në vitin 1966.
Kështu vazhdoi për gati një vit. Një ditë ishte me shërbim në Ujin e Ftohtë, pranë vilave të udhëheqësve. Ndërsa punonte vjen një oficer dhe i kërkon të shikojë linjën e telefonit të vilës, pasi nuk vinte sinjali. Besniku i tha se nuk kishte autorizim për të hyrë në vilë dhe se tekniku i linjave nuk ishte aty, por oficeri i tha që ta rregullonte se nuk priste puna dhe nuk prishte punë në se kishte fletë-hyrje apo jo. Shkoi dhe pas pak e rregulloi. Por atje e pa oficeri i Degës së Punëve të Brendëshme, Xhevdet Beci, i cili që të nesërmen urdhëroi drejtorinë e postë-telekomunikacionit që ta pushonin nga puna. Kështu u bë dhe ai ngeli pa punë. Pas disa muajsh mundi të gjejë punë në fabrikën e tullave, ku e caktuan të punonte në furrat e tharjes së tyre. Ishte një punë mjaft e vështirë dhe me gazra dhe tymra sa kur dilte nuk njihesh se kush ishte po të mos bënte banjo. Kështu vazhdoi për tridhjet vjetë në këtë punë të rëndë për pesëmijë lekë në muaj. Edhe një gjysëm litri qumësht që i jepnin për antidot, nuk e pinte por ua sillte fëmijve se nuk mundeshin dot të blinin qumësht në treg.
Në vitin 1965 u martua me Kreshnike Mezinin, bijën e Selamet Mezinit nga familja e njohur me këtë mbiemër në qytetin e Vlorës. Kreshnikja punonte si normiste në kombinatin e peshkut dhe frutave “Ernest Telman “. Por martesa e saj me të ra shpejt në sy ndaj e hoqën nga puna si normiste duke e bërë punëtore. Biografia e burrit shkarkohej mbi gruan e tij. Ajo duhej të paguante të kaluarën e burrit të saj. Si rezultat i martesës lindën dy fëmijë, Myneverja më 29 tetor 1966, që mori emrin e nënës që kishte vdekur katër muaj më parë më 10 qershor 1966, dhe Ariani më 30 mars 1970.
Me ndryshimet demokratike që ndodhën në vitin 1990, u aktivizua në rradhët e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë që sapo u formua dhe në Partinë Demokratike, antar i së cilës u bë që në ditët e para duke u zgjedhur edhe antar i kryesisë së degës së Vlorës. Në zgjedhjet lokale të vitit 1992, ashtu si babai në vitet 1937-1938, u zgjodh antar i Këshillit Bashkiak të qytetit. Këto detyra i ushtroi deri në vitin e mbrapshtë 1997.
Ishte një tip i veçantë dhe jashtzakonisht i ndershëm dhe besnik. Nuk kishte fjalë, por ato që thoshte peshonin shumë. Shoqërinë e vazhdonte më tepër me Lavdoshin dhe Dinon, dy shokët e burgut.
Në gushtin e vitit 2006 pësoi një hemoragji cerebrale që e paralizoi në shtrat. Porsa mora lajmin u nisa dhe në mesnatë u ndodha në spitalin e Vlorës, ku ishte shtruar. Ishte në gjendje të rëndë. Fëmijtë kishin emigruar në Itali. I lajmëruam dhe erdhën të dy të nesërmen. Qëndroi në këtë gjëndje për tre muaj. Nuk i mungoi asgjë, që nga kurat që ia sillnin nga Italia dhe deri tek shërbimi për të cilin angazhuam edhe një grua me pagesë. Por çdo gjë kishte marrë rrugë. Më 26 nëntor 2006 mbylli sytë përgjithmonë. Atë ditë munda të shkoj në Vlorë për t’i qëndruar pranë vëllajt tim, me të cilin kemi kaluar vitet më të vështira të jetës. U bë një varrim madhështor, ku u mbajtën edhe fjalime përkujtimore. Lidhur me këtë i kushtova poezinë e mëposhtme:
VËLLAIT

Çfarë të të kujtojë, i dashur vëlla,
Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,
Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,
Mendja s’e kupton, pena s’shkruan dot.
S’shkruan se ndjen dhimbje, dhimbje të pamasë,
Për rininë e humbur burgjeve të shkretë,
Burrërinë e vjedhur zemrën në lëngatë,
Shpirtin copëtuar rrjedhëve në jetë.
Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,
Qëndrove me nder në dallgë e stuhi,
Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,
Me vaj e mundime por me dashuri.
Dhe tani që jeta filloi të lulëzonte,
Kur dhimbja mizore ishte flakur tutje,
Tani që dhe zemra filloi të gëzonte,
Përse të dënoi? Përse më nuk duke?
Oh, ky fat i hidhur në shtrat të mbërtheu,
Por ti prapë qëndrove si titan legjende,
Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,
I përhershëm mbete, simbol rezistence.

Filed Under: ESSE Tagged With: homazh, për tim vëlla, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT