• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTYPI ITALIAN PËR VISAR ZHITIN DHE ROMANIN “FUNERALI I PAFUNDMË

January 18, 2018 by dgreca

SUKSES I LETËRSISË SHQIPE: SHTYPI ITALIAN PËR VISAR ZHITIN DHE ROMANIN “FUNERALI I PAFUNDMË”/

1-eugjen-merlika-225x300

NGA EUGJEN MERLIKA/

Visar ZhitiVisari Il Funerale.JPG

NJЁ VEND TË NJË HYRJEJE:Nuk kanё kaluar as tre muaj nga botimi i romanit “Funerali i pafundmё” i shkrimtarit tё mirёnjohur Visar Zhiti nё gjuhёn italishte, nga shtёpia botuese, edhe kjo e mirёnjohur, Rubbettino. Nё Itali botohen çdo muaj dhjetra libra nё origjinal apo tё pёrkthyera nga autorё tё ndryshёm tё huaj. Zgjedhja e tyre ka kriteret e veta cilёsore apo tregёtare. Vepra e Visar Zhitit hyn pa mёdyshje nё kriterin e parё. Fakti qё gjen jehonё nё median italiane, në faqet e dy gazetave tё mёdha kombёtare, asaj kryesores së ipeshkvijve tё Italisё, “Avvenire” dhe asaj tё Milanos, “Il giornale”, nёpёrmjet  shkrimesh cilёsore kritike, ёshtё mjaft inkurajues pёr suksesin e veprёs nё publikun italian.

Po kush janё autorёt e shkrimeve më të fundmë? Janё gazetarё e shkrimtarё tё shquar nё jetёn kulturore tё Italisё. Poeti Davide Brullo ёshtё autor i 25 vёllimeve me tematika tё ndryshme e tё larmishme, poezi, shkrime kritike, shkrime tё historisё sё krishterimit e tё pёrfaqёsuesve tё tij tё shquar  qё nga Shёn Agostini tek Shёn Françesku, libra mbi poetёt e revolucionit rus apo Kafkёn e mjaft tё tjera. Ёshtё njё veprimtari pёr t’u respektuar, sidomos po tё mbahet parasysh fakti se ende nuk ka mbushur dyzet vjeç, ёshtё i datёlindjes 1979.

Shkrimi i mёposhtmë u botua nё fletёn letrare “Album” tё gazetёs qё ka pёr botues vёllanё e Silvio Berluskonit, “Il giornale”. N’atё shkrim vlerёsohet lart vepra “Funerali i pafundmё”, njё krijim qё na kujton botёn e Dostojevskit e nё tё cilin “ylli i lirikёs shqiptare”, simbas autorit, pohon vdekjen e “mendimit tё njёsuar” tё asaj bote, mё se 70 – vjeçare, nё tё cilёn popuj tё tёrё, mes tё cilёve edhe bashkatdhetarёt e autorit tё librit, e gjetёn veten nё njё vargan tё pafund mjerimi dhe krimi shtetёror tё pandёshkuar. Por pёr kritikun Brullo ideja pёrgjithёsuese e romanit i kalon shumё kufijtё e kohёs dhe tё Vendit nё tё cilin pёrfytyrohet zhvillimi i subjektit, duke marrё pёrmasa universale qё vёrehen nё tё gjitha diktaturat e ndryshme tё historisё sё njerёzimit. “Leximi ёshtё njё zbritje nё mitrёn e llahtarёshme tё shekullit, ku gjithshka ёshtё e vdekur, duke vdekur, qё do tё vdesё…” Kjo ёshtё tablloja qё pёrfton kritiku nga leximi i veprёs e cila pёr tё ёshtё “njё roman nё vargje i jashtzakonshёm”.

Alessandro Zaccuri, i lindur nё La Spezia mё 1963, ёshtё shkrimtar, gazetar dhe bloger italian. Ka studjuar dhe ёshtё diplomuar pёr letёrsi klasike (me njё tezё mbi filologjinё mesjetare dhe humaniste) nё Universitetin Katolik tё Milanos. Emri i kёtij universiteti, me njё dhimbje tё fortё nё zemёr mё sjell ndёrmёnd emrin e njё djaloshi tё shkёlqyer, Atjon Zhiti, qё studionte aty e qё na ka lënë një libër me ese e një album me piktura, të vlerësuara dhe ato në Europë…

E kujtoj se kopertina e romanit “Funerali i pafundmë” në botimin italian është vepër e tij.

Kritiku tjetër, Alessandro Zaccuri bashkёpunon me gazetёn “Avvenire” dhe periodikёt “I huaji” dhe “Leximet”. Ёshtё autor romanesh, esesh tё kritikёs letrare, pregatitёs pёr shtyp tё veprave tё shkrimtarёve si Elio Fiore, Camillo Sbarbaro, Ray Bradbury, André Malraux. Ёshtё autor i dhjetё vёllimeve, mes tё cilёve katёr romane, dhe fitues i disa çmimeve letrare si Biella, Frignano, Basilicata, Mondello, Comisso dhe finalist i çmimit Campiello.

Duke vёnё theksin shkurtimisht mbi disa nga vlerat mё tё spikatura tё romanit, mendoj se shkrimi i Zaccurit ёshtё njё dhuratё e bukur nё kёtё fillim viti, jo vetëm pёr autorin e veprёs, por dhe pёr tё gjithё lexuesit, italianë dhe shqiptarё qё me tё drejtё krenohen me emrin e Visar Zhitit, i cili, simbas tij, ёshtё  “… njёri nga zёrat mё tё rёndёsishёm tё letёrsisё sё re shqiptare, Zhiti ёshtё i njohur dhe i vlerёsuar nё Vendin tonё”.             Botuesi i veprёs nё kapakun e mbramё tё librit shkon edhe mё tutje nё vlerёsimin e shkrimtarit tonё tё madh. Ja çfarё thuhet aty : “…. Pёrveç se i ka dhёnё njё ndihmesё tepёr tё lartё e origjinale panoramёs letrare ballkanike, tregimet e tij, romanet e tij ashtu si dhe esetё e tij kanё fuqizuar lirinё intelektuale dhe jetёn demokratike tё Shqipёrisё…”

Pa dashur tё hyj nё hollёsitё e shfaqjeve tё njё qёndrimi tё turpshёm tё ish Kryetarit tё Shtetit, por edhe tё ndonjë media në nivelin e “keqshkruesve” tё internetit nё Shqipёri, tё cilёt me disa veprime tё tyre nё vitet e fundit, kanё shkaktuar shqetësime të tepërta, banale, të këqia, tё pamerituara për të gjithë ne dhe në veçanti për shkrimtarin mё tё shquar tё pas komunizmit shqiptar, prandaj këto shkrime i shoh dhe si vazhdim i një kundёrveprimi shumё tё fortё nga shumica e shёndoshё e opinionit publik, vendas dhe të huaj, por që përbëjnë dhe njё kёnaqёsi estetike, tejet tё merituar, jo vetёm pёr Visarin, por pёr tё gjithё shqiptarёt e ndershёm e dashamirё tё kulturёs, veçanёrisht pёr ata qё kanё jetuar  sё bashku me tё nё galeritё e mallkuara tё Spaçit.

***

NЁ POEMЁN E ZHITIT VDEKJA E “MENDIMIT TЁ NJËSUAR”

nga DAVIDE BRULLO

            I pakapshёm, poeti vazhdon tё jetё i dёnuar nga regjimi. I torturuar, i poshtёruar, i fyer, poeti ёshtё qёngji i flijuar i “terrorit tё kuq”, komunizmit. Njё shembull i afёrt. Shqipёria e Enver Hoxhёs. Njё lloj Koreje e Veriut anakronike e futur si njё thikё nё ijen e majtё tё Evropёs. Jemi nё vitin 1979, poeti ёshtё 27 vjeç dhe ёshtё ylli i lirikёs shqiptare. Quhet Visar Zhiti. I arrestuar pёr “agjitacion e propagandё kundёr Shtetit”, nё gjyq gjyqtarёt valёvisin poezitё e tij. “Borgjeze e dekadente” vendosin. “Tё shkruara me njё gjuhё hermetike, armike tё realizmit socialist”.

Dukej se ishte 1937, nёn thundrёn e Stalinit, por ishte pardje. Poeti u dёnua me punё tё detyruar. Punonte nёn tokё, pёr tё nxjerrё bakёr. Si njё Orfe qё ka humbur edhe perёnditё e nёntokёs, veç Euridiçes. Sё bashku me tё ishin intelektualё, shkrimtarё, poetё. Kur e kam takuar mё tha se shkёmbenin kontrabandё poesitё e Walt Whitman-it e tё Baudelaire-it, faqe tё romaneve tё Dostojevskit. “U kapa pas poezisё, pёr tё mos u çmendur. Shkruaja nё errёsirё, natёn, pa letёr e penё, shkruaja nё kokё”. Tetё vite burg.

Mё 1991 ikja. Milano, Gjermani, Shtetet e Bashkuara. Jeta dalёngadalё e shpёrblen. Visari ёshtё mё parё ambasador i Shqipёrisё nё Vatikan, prej pak kohe nё ambasadёn shqiptare nё Shtetet e Bashkuara, nё Washington DC. Poezia e tij, edhe pёr fuqinё etike, “shembullore dhe e mrekullueshme” (kёshtu shkruhet nё numurin e Nё formё fjalёsh, kushtuar Poetёve tё tokёs sё Shqipёrisё, 2002), kalon shpejt nё Itali.

Mbasi kishte botuar, mё 2014, Perёndia mbrapsht dhe e dashura botuesi Rubbettino ka nxjerrё nё librari, nёn kujdesin e zakonshёm tё Elio Miracco-s, Funeralin e pafundmё, roman nё vargje i jashtzakonshёm, qё kashtis ankthin uajtmanian tё kёngёs me marramёndjet e Mario Luzi-t ( i tё cilit Zhiti ёshtё pёrkthyesi). Nё fakt, poema nё 66 oda tё kёtij kundёr – Nerude, i botuar nё origjinal mё 2003, ёshtё varrimi, 100 vjet mbas Revolucionit rus, tё “mendimit tё njёsuar” (nga ana tjetёr, “tё mendosh ndryshe tё ndёrlikohet jeta”), tё Shtetit si “varrmihёs”, tё diktatorit si proletariati i bashkuar (“Nё vdekjen e diktatorit mbretёron njё hije e rёndё nё tё gjithё Shtetin dhe njё angёshti, duket sikur ka vdekur edhe vendi. A do tё gjindet mё njё tjetёr shtypёs kaq i suksesёshёm ?”)

Leximi ёshtё njё zbritje nё mitrёn e llahtarshme tё shekullit, ku gjithshka ёshtё e vdekur, duke vdekur, qё do tё vdesё, ndёrmjet funeralit tё Stalinit (por “tё njё tjetёr Stalini ….. varroseet sosia sepse origjinali duhet tё jetojё” ) dhe atij tё “kundёshtarёve … tё bёrё copё e çikё”, me pjesё tё njё ironie cinike (“ Partia filloi tё marrё vendime tё çuditёshme / shpallte tradhёtarё edhe tё vdekurit / Po ku ka tradhёtuar, Pёrtej varrit ?”)

Nё kёtё valle tё çmendur ferri megjithatё shpёrthen dashuria, epshore (“ Qё njё ditё do tё vdisja, e dinja, por qё tё bёnja dashuri nё njё funeral, nuk m’a ka marrё mendja kurrё), madje nё “formё piramidale”. Megjithёse i prashitur nga pushteti, poeti gjithёnjё ulurin “po”-nё e tij mizore jetёs.

(Marrё nga “IL giornale”, 6 nёndor 2017)

***

ZHITI, VDEKJA SI ALEGORI E TOTALITARIZMIT

nga ALESSANDRO ZACCURI

            Arkivoli valёvitej aty poshtё, i paarritshёm nё krye tё varganit tё pёrmortshёm. Nuk ёshtё e qartё se cili ёshtё i vdekuri, por vargu vazhdon ecjen, gjithёnjё e mё tepёr i kapitur e i zbёrthyer, sikur se mbas arkёmortit mos tё ishin mё tё gjallёt, por tё vdekurit tё ringjallur nga njё e shkuar qё pёrndryshe rrezikohej tё ishte harruar. Ёshtё njё valle e veçantё vdekёsore ajo qё poeti shqiptar  Visar Zhiti vё nё skenё nё kёtё Funeral tё pafundmё, roman nё vargje i pёrkthyer mrekullisht nga Elio Miracco nё njё italishte qё ruan ashpёrsinё dhe guximin e sprovёs sё origjinalit : kapwrcimet e papritura qё ngrenё krye nga njё kapitull nё tjetrin, pjesё tё gjata gati nё prozё qё pёrmblidhen nё epigrame, tё çemuna gaztore dhe rrokullisje dramatike, njё faqe e bardhё pёr tё lёnё tё kuptohet se pragu i tё pathёnёshmes ёshtё arritur.

I lindur mё 1952, i dёnuar me punё tё detyruar nga regjimi i Enver Hoxhёs pёr poezitё e tij, tё gjykuara fajёsisht “hermetike”, i bёrё me kohё njёri nga zёrat mё tё rёndёsishёm tё letёrsisё sё re shqiptare, Zhiti ёshtё njё autor i njohur dhe i vlerёsuar nё Vendin tonё edhe nё sajё tё bashkёpunimit me gazetёn “Avvenire”. Nё krahasim me librat tashmё tё pёrkthyera n’Itali (pёrmbledhjet e poezive Kryq mishi dhe Rrёfime pa altar, tё dalura pёrkatёsisht mё 1998  dhe 2013, romani Perёndia mbrapsht dhe e  dashura i botuar gjithmonё nga Rubbettino mё 2014) Funerali i pafundmё shquhet mё shumё pёr prirjen mё tё theksuar ndaj kategorive tё paradoksales, nё vijёn e kundёrshtimit, jo vetёm politik, qё bashkon shumё nga shkrimtarёt e dalё nga shkёrmoqja e sistemit komunist ballkanik. Megjithatё, pavarёsisht nga gjithshka, poemthi kёmbёngulёs tregimtar i Zhitit nuk ёshtё njё dokument i dёshpёruar, por dёshmia e njё shprese tё paarsyeshme por tё qёndrueshme. “Kam ёndёrruar sikur t’ishim nё njё ёndёrr” thotё personazhi kryesor, tё cilin autori e ngarkon tё flasё n’emёr tё tij, edhe se e mundёshme por jo e sigurtё qё ai karvan i pёrmortshёm mund tё jetё njё rikthim pak i mbuluar i vuajtjeve tё pёsuara nga poeti gjatё burgimit nё minierёn e Spaçit : “Burri u rrёzua. Ata mbrapa u munduan tё mos e shkelin, kaq mundёn tё bёnin”. Sa mё shumё zgjatej, aq mё shumё rrugёtimi merrte njё ecuri vdekёsore, sepse “çdo varrim, ashtu si Shteti ka pjesёn e vet tё paarsyeshme” dhe asnjё zbulim, as vetё ai i pёrmbajtjes sё vёrtetё tё arkёmortit, nuk dukej se kishte fuqinё tё ndёrpriste magjinё : “ngrita kokёn i shastisur dhe pashё tё drunjёzuar kupёn e qiellit si njё arkёmort tё brejtur nga krimbat e yjve”.

I konceptuar si alegoria e totalitarizmit, Funerali i pafundmё kthehet nё njё pёrsiatje mё tё gjёrё mbi gjёndjen njerёzore, ndёrmjet instiktit tё mbijetesёs dhe fatit tё pёrbashkёt : “Ne i pёrkasim tё gjithё vdekjes e mbi tё gjitha nё njё funeral”, shkruan Zhiti, duke bёrё tё depёrtojnё nё bashkёkohёsinё fjalёt e dashura tё Etёrve tё shkretёtirёs.

Marrё nga gazeta “Avvenire”, 5. 01. 2018

I shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Melrika, Il Funerale Senza Fine, PER VISAR ZHITIN, Shtypi Italian

Edhe Kevin Higgins ka shkruar për Visar Zhitin

December 28, 2016 by dgreca

“MOLLA E DËNUAR”- LIBËR I RRALLË, QË KA FORCËN TË NDRYSHOJË  VIZIONIN PËR BOTËN…/

1-kevin-higgins-300x203Ne Foto:Kevin Higinds/

Për poezinë e Visar Zhitit ka shkruar dhe studiuesi e botuesi irlandez Kevin Higgins, krijimtaria e të cilit i ka kaluar kufijtë e vendit të tij, duke u bërë e njohur dhe në vende të tjera si në Angli, (K. Higgins ka lindur në Londër), SHBA, Zelandë e Re, Belgjikë, etj.

Në librin e tij me ese dhe kritika letrare “Mentioning the war” (“Duke përmendur luftën”), një përmbledhje prej 217 faqesh, ngërthehen shqetësime e tendenca dhe kundërtendenca, ide, poezi, estetikë, politikë, dhunë, emra të njohur poetësh e shkrimtarëshe e diktatorësh të kuq, ideologë, një përzierje si vetë koha, etj.                                                            1-rruget-e-ferritferri-i-care-burgologji-visar-zhitine-kohen-e-britmesvalixhja-e-shqyersi-eshte-kosovau1_visarzhiti-kujtesa

Poeti irlandez Kevin Higgins ka përfshirë në këtë libër dhe esenë “The condemned apple”, (Molla e dënuar),  faqet 113-116), ku tregon mbresat, vlerat dhe porositë që dalin nga leximi i poezive të Visar Zhitit, botuar në Los Angeles, SHBA me përkthim të albanalogut të njohur kanadez Robert Elsie.

 MOLLA E DËNUAR

“Molla e dënuar” është libri me poezi, më turbulluesi që kam lexuar ndonjëherë. Visar Zhiti u rrit në Durrës, port në bregdetin Adriatik. Poezitë e para i botoi në revistat letrare, teksa përgatiste vëllimin e parë të poezive “Rapsodi e jetës së trandafilave“. Nëse do të jetonte në Irlandë apo Angli, Visarit do t’i jepej çmimi “Forward” apo dhe do të ftohej të paraqiste vëllimin e tij në Festivalin Ledbury apo në Cuirt. Edhe mund të ndodhte të bënin sikur ta harronin dhe, në një rast të tillë, pa dyshim kjo mund të përflitej me miqtë. E tillë është jeta e poetit. Të paktën nga ajo që dimë. Po Visar Zhiti nuk jeton në Brighton apo në Galway; ai mbijeton në një vend që ishte nën regjimin absolut të stalinistit fanatik Enver Hoxha, që e bënte Nikolau Çausheskun të dukej një liberal i mirë në krahasim me të. Enver Hoxha ishte një maniak me proporcione të hatashme. Pasi u prish me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushovi pranoi gabimet e bëra nga Stalini, dhe më pas me kinezët, të cilët pas vdekjes së Maos ndërprenë të ashtuquajturin Revolucion Kulturor dhe nxorën në gjyq “bandën e të katërve” ku përfshihej edhe gruaja e Maos, Hoxha dënoi Bashkimin Sovjetik, Republikën Popullore të Kinës (dhe satelitë të tjerë të tyre, që nga Kuba e deri te Korea e Veriut) si “revizionistë borgjezë”. Nga mesi i viteve ’70 Shqipëria ndërpreu kontaktet diplomatike dhe ekonomike me pjesën tjetër të botës komuniste dhe zyrtarisht ishte “i vetmi vend socialist në botë”, por në të njëjtën kohë ishte edhe vendi më i keq në botë. Vetëm regjimi i Polpotit ia kalonte regjimit shqiptar.

Pra nuk ishin rrethanat që të mund të botohej koleksioni i parë i poezive të Zhitit, megjithëse kishte paraqitur dorëshkrimin e tij të parë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, kur filloi “spastrimi i liberalëve” në Sesionin Plenar të Partisë Komuniste në Tiranë. “Liberalët” në fjalë ekzistonin më shumë në fantazinë e Enverit, por kjo nuk kishte rëndësi, duhej bërë një spastrim medoemos. Dhe Zhiti e vuajti si pasojë: Vepra e tij u zbulua si “nxirje e realitetit socialist”. Dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve – emrat e tyre janë dhënë vetëm me iniciale R.V. dhe P.K. – përgatitën një “akt-ekspertizë“ mbi veprën poetike të Visar Zhitit, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy lakejtë me shumë zell i dorëzuan autoriteteve më 24 tetor 1979 relacionin prej 12 faqesh të kësaj akt-ekspertize. Dy javë më pas Visar Zhiti u arrestua.  U lirua nga burgu më 28 janar 1987, pasi qe flakur në gulagun shqiptar, i detyruar të punojë si skllav në ferrin e minierës së Spaçit. “Akt-ekspertiza” është ribotuar e plotë në fund të librit. Të rrëqethet mishi kur e lexon, sepse ndëshkimi më mizor i bëhet “gjuhës së errët” dhe natyrës “hermetike” të poezive të Zhitit, gjë që më kujton ato që kam dëgjuar të thuheshin nga miq socialistë, disa prej tyre tani ish-miq, për veprat e poetëve si Medbh McGuckian dhe John Ashbery. Një pjesë e mirë e kritikës letrare të majtë, sidomos, siç duket në shtypin e vogël, është e lidhur ende me qëndrimet staliniste. Tani kanë mbetur pak stalinistë dhe midis tyre padyshim, ka edhe në letërsi që flasin si Trocki “nuk ka vijë partie në art”, por veprojnë si Stalinër, gjithë ndëshkime dhe zilira të zeza, kur flitet për poezinë që i tejkalon apo nuk i shërben çështjes së tyre. 

Me të këqijat dhe të mirat, ne që jetojmë në botën perëndimore, jemi të paktën të lirë të shkruajmë atë që duam. Poezitë tona mund edhe të injoroheshin, kjo është çështje tjetër, po Medbh McGuckian nuk rrezikonte të denoncohej nga Ministria e Brendshme për faktin që ai nuk është Adrian Mitchell apo Linton Johnson.  Por ata arritën ta përndjekin Visar Zhitin për obskurantizëm në poezi. R.V dhe P.K. të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e dënojnë pse thotë atë që ata s’duan të dëgjojnë, ja p.sh: “Në poezinë “Xhulisë”, një vajzë malësore shkon në shkollë, e veshur me një xhaketë të vjetër ushtarake, që ia dhanë vëllait, kur u lirua nga ushtria. Synimet e poetit janë të qarta këtu. Në këto poezi ai kërkon të nxijë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si për gjithë popullin, edhe malësorëve tanë.”

E vetmja kritikë që kam për këtë libër është se poezitë goditëse, ato të cilave u referohen R.V. dhe P.K. në akt-ekspertizën e dënimit nuk përfshihen të gjitha. Do të ishte shumë interesante të na jepej mundësia të lexoheshin. Në këtë vëllim mbizotërojnë poezi që Visar Zhiti i shkruajti gjatë viteve në burg. Kur nuk kishte të drejtën për të patur letër e penë në qeli, ai krijoi me mend dhe i nguliti në kujtesë të gjitha poezitë duke u përpjekur kështu të mos humbiste dhe mbamendjen. Përkthimi i vëllimit nga shqipja në gjuhën angleze, pa dyshim, ka humbje. E megjithatë përkthimi i Robert Elsie-së është i fuqishëm dhe prekës. Nga poezitë më të bukura ndoshta është dhe “Çastet ikin”: Ikin çastet si morrat nëpër trupin tim. Në këtë llogore burgu plot baltë vuajtjesh rri dhe pres. Sa keq të jesh luftëtar pa luftra. (1982)

Në poezinë e shkëlqyer “Banjoja e të burgosurve”, e krijuar kur ai ndodhej në burgun e Qaf-Barit në korrik të vitit 1983, Zhiti tregon se si edhe në rrethanat më të tmerrshme njeriu kapet pas sensacioneve që mund të të japin edhe kënaqësi, sado vogëlane:

Më lëpin me gjuhë uji i dashuruar                        

  u lehtësova i tëri.                                       

Hija e telave me gjemba                                                                         

si tatuazh skllavi                                        

nxin mbi lëkurën time.                                    

Po unë po lahem,                                         

  e humba peshën si në një realitet tjetër. 

Në poezinë që ka marrë dhe titullin vëllimi, Zhiti kapet pas humanitetit nga fija më e brishtë: “Unë, si i marrë, ulërij në heshtje:/ Ej, ti, botë!/ Dhe në më ke harruarr,/ unë jo…” Dhe në njëfarë mënyre, profetikisht, kështu ndodhi, sepse regjimi ra më 1990 dhe Visar Zhiti doli nga gulagu, pra ky është një libër, për fat, me një fund të lumtur: Poeti ruajti shëndetin e mendjes dhe mbijetoi.

Në poezinë “Zyra e dikurshme e diktatorit, pranë së cilës punoj” ai arrin madje të vizitojë zyrën e torturuesit të tij dhe – jehonat e Hannah Arendt – sheh se ai ishte një vend shkretimisht zymtan, jashtë imagjinatës: “…humnera dënimesh. Nga sirtarët/ s’dalin tyta armësh/ si sy detektivësh metalikë. Rri i heshtur./ Fytyrëzbardhur. Sikur të kem dalë nga një sëmundje e gjatë.”

Ky libër poezish lindi si realiteti i një makthi tejet të keq. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditshme.

_________________________________                                      Përktheu nga anglishtja : Mira Xhiku

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Edhe Kevin Higgins ka shkruar, Molla e ndaluar, PER VISAR ZHITIN

KRYEMINISTRI DHE PRESIDENTI PERPLASEN PER VISAR ZHITIN

February 14, 2015 by dgreca

* PRESIDENTI NISHANI: “Fjalët e Ramës, tullumbace sapuni”/
* Rama: Zhiti, dikur i dënuar për poezinë, sot për shkaqe politike/
Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shown, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët.
Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument.
Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët “e rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi “i rrallë’.
Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste qe ndikojnë sot vendim-marrjen.
Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentn e Republikës.
Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht “për firmë”. Me këtë padijë kaq të thellë proceduriale Kryeministri provon për të disatën herë një mungese serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër.
Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos-dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës.
Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti.
Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit.
Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador.
Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë.
Kryeministrit nuk i lypset të zotohet të mos e komentojë Presidentin. Të mos e komentoje Kryeministri Presidentin është një minimum etike që, si e tillë, nuk përbën asnjë meritë, nuk meriton asnjë lëvdatë, e aq më pak autolëvdatë.
Megjithatë, nëse gjithsesi, një zotim ose bëhet dhe mbahet dhe zotuesi lëvdohet, ose bëhet dhe nuk mbahet dhe zotuesi turpërohet. Se ta bësh një zotim, të vetlëvdohesh se e ke bërë, dhe, përtej çdo rrethane apo çfardo kombinimi sado të pafavorshme rrethanash, zotimin të mos e mbash, zotuesi nuk mundet, si po bën Kryeministri, që vetlëvdohet. Por mesa duket nga lëvdimi, autolëvdimi, turpërimi, autoturpërimi Kryeministri ynë nuk ka asnjë haber. Prandaj dhe lëvdatat e vetlëvdatat i bën dhe i ribën edhe kur zotimin e mban edhe kur zotimin nuk e mban, çka është një turp që s’ka kandar që e peshon.
“Argumentat nuk numërohen, argumentat peshohen”, thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton.
Rama: Zhiti, dikur i dënuar për poezinë, sot për shkaqe politike/

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen në lidhje me kundërshtitë për kandidaturën e poetit Visar Zhiti si ambasador në Vatikan, duke theksuar se ky është dënimi i dytë për ish-deputetin e Partisë Demokratike pas atij të regjimit komunist.
Nëpërmjet një postimi në faqen e tij “Facebook”, Rama shkruan se pas burgut në komunizëm për lirinë e penës, sot dënohet për shkaqe politike nga presidenti i Republikës.
“Ridënimi i Visar Zhitit. Poet i rrallë. I burgosur politik i diktaturës. Shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.
E propozojmë për ambasador të Shqipërisë në Vatikan. Një figurë lokale e kishës katolike shqiptare prononcohet me rezerva ndaj tij. Prononcim i papranueshëm për të cilin vetë ati në fjalë kërkon ndjesë publike. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit i jep Visar Zhitit mbështetje pa asnjë rezervë. Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën”, shkruan Rama.
Më tej kreu i qeverisë kritikon me rezerva mosdekretimin e emrit të Zhitit nga ana e kreut të shtetit Bujar Nishani.
“Kandidatura është në tryezën e Presidentit të Republikës për firmë. Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi për një emision lajmesh deklaron mosdekretimin e Visar Zhitit!
Argumenti i zotit President? Kandidati për ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan, paska cenuar kishën me një prononcim publik! Një prononcim ky i fundit në fakt, krejt i pafajshëm dhe, njësoj si poezitë e pafajshme dikur, rifabrikohet si arsye e lartë shtetërore për të ndëshkuar Visar Zhitin”, shkruan Rama.
“Jam zotuar të mos i komentoj në publik kundërshtitë e mia ndaj Presidentit të Republikës. Sepse Bujar Nishani është kalimtar, ndërsa Presidenti i Republikës është një institucion themelor i shtetit shqiptar – edhe pse i rrënuar nga Partia Demokratike në pushtet, njësoj si tërë shteti që ai pushtet la pas në 23 qershor.
Por sot, unë nuk mund të hesht dot në asnjë mënyrë. Sepse ky është ridënimi i Visar Zhitit. Fatmirësisht më i lehtë se i pari. Sepse poeti nuk do të kyçet në burg; djali nuk do të shkëputet për së gjalli nga nëna; bashkëshorti nuk do të ndahet me përdhunë nga gruaja.
E megjithatë, ky ridënim është fatkeqësisht më i hidhur se dënimi i parë. Sepse një i dënuar i diktaturës komuniste për lirinë poetike, nuk mund të ridënohet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për qëllime politike”, përfundon postimi i kryeministrit.

Filed Under: Komente Tagged With: KRYEMINISTRI DHE PRESIDENTI, PER VISAR ZHITIN, përplasen

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT