Vëzhguesit e parë të zgjedhjeve mbërritën ne Tirane/
Nga Ilirian Agolli/
Partia Demokratike paraqiti kandidatët për deputetë të Tiranës gjatë një tubimi në sheshin nënë tereza, i cili shënoi edhe hapjen e fushatës zgjedhore të koalicionit të djathtë që po kërkon me këto zgjedhje një mandat të tretë për të qeverisur. Para mijëra përkrahësve entuziastë, kryeministri Sali Berisha tha se ky është koalicioni më i gjerë që kish njohur politika shqiptare dy dekadat e fundit, dhe se kandidatët e PD për kryeqytetin janë personalitete që do të çojnë përpara zhvillimin e vendit.
Zoti Berisha tha se PD dhe aleatët nuk po kërkojnë një mandat të ri për sukseset e mandatit të kaluar, por për të bërë realitet projektet e reja të zhvillimit, sepse qeverisja e djathtë dha prova se i realizon premtimet e saj. Ai theksoi se ndryshe nga opozita, qeveria është përpjekur të zhvillojë vendin dhe tregun e lirë, duke mbështetur nismat e lira dhe hapësirat që jep demokracia. Ai u shpreh i sigurtë për një fitore të të djathtëve në 23 qershor, sepse ata ofrojnë ecjen përpara me reforma dhe rritje ekonomike.
Po aq të sigurtë në fitore shprehen edhe kandidatët për deputetë të opozitës socialiste, pasi sipas tyre, qeveria ka dështuar e menaxhimin e ekonomisë, duke sjellë papunësi, dhe tani është çasti që e majta të vërë në provë idetë dhe planet e saj të zhvillimit. Kryetari i PS, Edi Rama, ka zhvilluar tubime në Vlorë, Shkodër, Durrës e në Berat, nga ku tha për shtypin se kandidatët e opozitës janë një ekip i mirë për fitoren e 23 qershorit.
Dy aleancat kryesore konkurrente e kanë nisur kështu fushatën jo vetëm 10 ditë para, por madje edhe 10 javë para afatit të parashikuar me ligj, duke mbuluar gjithë interesin e opinionit publik me fjalime dhe tubime në çdo cep të vendit, dhe duke ftuar qytetarët të votojnë pro forcave respektive njëlloj me premtime për zhvillim, investime, luftë ndaj varfërisë dhe ndaj korrupsionit. Kështu do të vazhdojë buja deri në ditën e zgjedhjeve, kur qytetarët do të zgjedhin një fitues, nëse nuk do të ketë përsëri kundërshtim të rezultateve nga humbësit, dhe një seri të re procesesh gjyqësore, siç ndodh zakonisht në Shqipëri pas proceseve zgjedhore.
Vëzhguesit e parë të zgjedhjeve mbërritën
Përfaqësues të misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve mbërritën sot në Tiranë për të parë nga afër përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Komunikimi i tyre i parë me shtypin pritet të jetë të mërkurën.
Burime të besueshme të medias bënë të ditur se krahas një serie takimesh me autoritete të larta shtetërore dhe politike, ky delegacion i parë i ODIHR-it do të verifikojë së pari saktësinë e listave të votuesve për të cilat opozita ka shumë ankesa për dublime. Në qendër të vëmendjes mbetet edhe mënyra si po funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Misioni i vëzhguesve, që drejtohet nga amerikania Conny B. McCormack, përbëhet nga 15 ekspertë të 14 shteteve anëtare të OSBE-së. Vëzhgimi i fushatës zgjedhore pritet të bëhet hap pas hapi, si edhe zbatimi i ligjeve dhe monitorimin e medias. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues.
Ndërkaq zëvendës-ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për manipulime deklaroi sot se listat e votuesve janë të sakta, në përputhje me ligjin dhe se askush nuk mund të votojë dy herë.
Në mbrëmje Partia Demokratike pritet të hapë fushatën e saj zgjedhore, 10 ditë para ligjit, me një tubim festiv në sheshin Nënë Tereza”. Vëzhguesit vendorë u kanë tërhequr vëmendjen qeverisë dhe opozitës, që të organizojnë fushatën e tyre brenda 30 ditëve sipas ligjit.
(VOA)